ATV

Author: ATVLive

  • Pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis

    Pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis

    Një operacion i madh i ndërmarrë nga Policia e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë javën e kaluar.

    Në këtë aksion ka pasur edhe shkëmbime të zjarrit mes Policisë së Kosovës dhe të dyshuarve.

    Për pasojë një nga të dyshuarit ka mbetur i vrarë, ndërsa një polic është plagosur lehtë në këmbë.

    Mësohet se nga ky aksion, bëjnë me dije se Policia ka arrestuar në këtë aksion Bujar Bashën dhe Leotrim Cakollin, ndërsa në arrati është Korab Gashi.

    ATV sjell pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis. /atvlive.tv

  • Trupi i pa jetë i grabitësit të vrarë ende në vendin e ngjarjes

    Trupi i pa jetë i grabitësit të vrarë ende në vendin e ngjarjes

    Trupi i pajetë i grabitësit të vrarë gjatë aksionit të Policisë, vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes, raporton Ekonomia Online.

    Policia ka zhvilluar aksionin për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë.

    Gjatë operacionit, ka pasur shkëmbim të zjarrit ndërmjet Policisë dhe të dyshuarit. I dyshuari Dukagjin Gashi është vrarë nga Policia e Kosovës, ndërkaq një polic është plagosur gjatë të shtënave me armë. Polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë është arratisur pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të grabitësve me Policinë e Kosovës të enjten në Prishtinë.

  • ​Murati akuzon LDK-në: Sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve, ju çoheni me mbrojtë Kushtetutën

    ​Murati akuzon LDK-në: Sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve, ju çoheni me mbrojtë Kushtetutën

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme plenre të Kuvendit të Kosovës.

    Pas kritikave të deputetëve të LDK-së për shkelje të Kushtetutës nga ana e qeverisë, duke iu referuar edhe rrëzimit të Ligjit për çmimet tavan, ministri Murati tha se Kushtetuesja po iu bënë favore opozitës.

    Ai tha se sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve, deputetët opozitarë çohen me mbrojt Kushtetutën, ndërsa sipas tij kur bëhet fjalë për me mbrojt interesa partikulare të bizneseve të caktuara nuk pritojnë ti akomodojnë kërkesat e tyre.

    “Sa herë është në pyetje interesi i qytetarëve çuditërisht ju çoheni me mbrojt kushtetutën. Sa herë bëhet fjala me i mbrojt interesat partikulare të bizneseve të caktuara aty nuk printoni hiq. Bëni edhe amendamente ligjore, shtini nene në buxhet për me i mbështet bizneset. Ju lutem në këtë temë nuk keni çka të thoni sepse edhe qytetari e ka pa”, tha ai.

    Në reagimin ndaj tij, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i kërkoi dëshmi konkrete se kur ka qenë në pushtet LDK-ja kur i kanë favorizuar biznese të caktuara.

    “Ministër, kursehu nga akuzat e pabaza. Kam qenë ministre në tri ministri, trego kujt i kam bërë favor. Pasi me dhjetëra lëndë keni dërgu në prokurori, kujt, cilit biznes i kam bërë favor. Tri vjet në Ministri të Tregtisë kam pas luftë më Shoqatën e Naftarëve, e kam qu kontrollin e naftës në dogana. Ndërkaq, po i njëjti, ish anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në kohën sa kam qenë ministre, që më luftonte mua i ka përkrah të gjitha iniciativat e ministres sot”, theksoi ajo.

    Megjithatë, ministri Murati renditi ato që sipas tij LDK-ja iu ka bërë favore bizneseve. Ai përmendi ndarjen e 60 milionë eurove që përfituesit kryesor kanë qenë supermarketet, lirimin e rrymës për kompaninë Feronikeli dhe kontratën për monopol për shënjimin e naftës.

    “Gjashtëdhjetë milionë euro që janë dhënë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike përfituesit kryesor kanë qenë supermarketet, të cilat kanë pas përfitim rekord. Favori i dytë, sa keni qenë ju në qeveri, rrymën ia keni bërë më lirë Feroniklit, favori i tretë keni nënshkru kontratë për monopol për shënjimin e naftës. Edhe ky rast është në prokurori por s’ka ndodh asgjë”, theksoi Murati./kp/

  • Konfirmohet vrasja e të dyshuarit për grabitjen në Suharekë, shkon në shtatë numri i të arrestuarve

    Konfirmohet vrasja e të dyshuarit për grabitjen në Suharekë, shkon në shtatë numri i të arrestuarve

    Policia e Kosovës ka thënë se të enjten e ka neutralizuar një të dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë dhe se ka shkuar në shtatë numri i të arrestuarve për këtë rast.

    Në një njoftim për media, policia tha se zyrtarët policorë janë detyruar që në vetmbrojtje të përdorin forcën proporcionale, me ç’rast kanë neutralizuar të dyshuarin gjatë një operacioni policor në Prishtinë.

    Operacioni, përpos në Prishtinë, është zhvilluar edhe në dy lokacione të tjera: në Fushë Kosovë dhe në Carralevë.

    Shtatë lokacione të ndryshme janë bastisur gjatë operacionit policor, tha policia.

    “Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, tha policia.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Lidhur me rastin e grabitjes së armatosur të ndodhur me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

    Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor.
    Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

    Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor.

    Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

    Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.

    Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente.

  • Nagavci konfirmon se për dy vjet janë ndërtuar katër çerdhe

    Nagavci konfirmon se për dy vjet janë ndërtuar katër çerdhe

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian njeh paparim në fushën e arsimit për vitin aktual. Në këtë linjë ajo ka përmendur rritjen e buxhetit për 18.13 për qind, ndërsa subvencionet në 22.14 për qind.

    Duke përmendur projektet e realizuara, Nagavci ka treguar se për dy vjetët e para të mandati janë përfunduar së ndërtuari katër objekte çerdhesh. Ministrja ka theksuar se me politikat e reja dhe buxhetin e miratuar do të shihen rezultate në të ardhmen.

    “Katër çerdhe janë ndërtuar, 26 janë në proces dhe tetë janë në proces të tenderimit. Nëse shohim në vitet 2003-2020 janë ndërtuar vetëm katër çerdhe, ndërkaq për dy vjet të mandatit tonë kemi rritje për 850 për qind”.

  • Një i dyshuar nga grupi i grabitësve në arrati, Policia rrethon lagjen “Dragodan”

    Një i dyshuar nga grupi i grabitësve në arrati, Policia rrethon lagjen “Dragodan”

    Njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë është arratisur pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të grabitësve me Policinë e Kosovës të enjten në Prishtinë.

    Shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur në lagjen Arbëria, e njohur si “Dragodan”.

    Dukagjin Gashi, njëri nga të dyshuarit për grabitjen e armatosur është vrarë nga Policia e Kosovës. Dy të tjerë, Bujar Basha dhe Leutrim Cakolli, janë arrestuar.

    Ndërkaq, Korab Gashi, vëllai i të vrarit Dukagjin Gashi, është arratisur.

    Siç mëson Paparaci, njësitet policore dyshojnë se i arratisuri mund të jetë fshehur në lagjen Arbëria. Si pasojë e këtyre dyshimeve, policia ka rrethuar lagjen dhe po kontrollon secilën veturë që kalon brenda saj.

  • Lavrov e përmend Kosovën, reagon ashpër kryediplomati shqiptar

    Lavrov e përmend Kosovën, reagon ashpër kryediplomati shqiptar

    Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, po zhvillon punimet samiti i OSBE-së, me pjesëmarrjen e gjitha vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përfshirë Rusinë.

    Ministri i Punëve të Jashtme ruse, Sergei Lavrov, adresoi kritika të ashpëra ndaj OSBE-së, që sipas tij është bërë vegël e Bashkimit Evropian.

    Më pastaj, Lavrov foli edhe për Kosovën, duke thënë se me shpalljen e pavarësisë më 2008-ën dhe pranimin e saj, është bërë siç thotë ai rrëmbimi i Kosovës nga Serbia, kjo duke shkelur Rezolutën 1244 të OKB-ës dhe pa referendum.

    Gjatë fjalimit të Lavrovit, disa delegacione kanë lëshuar sallën e Samitit, ndërkohë reagim të rreptë bëri ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

    Ai tha se ngjarjet në Kosovë ishin shkëndija e fundit e tentimit për të shmangur vëmendjen nga lufta në Ukrainë, duke nxitur konflikt në Ballkanin Perëndimor. Ne po bëjmë më të mirën duke luftuar këtë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë. Sipas tij Shqipëria, vazhdon të punoj fort dhe në mënyrë proaktive për një Ballkan Perëndimor stabil e paqësor.

    Hasani, shtoi se një OSBE e fuqishme, është e nevojshme në ditët e sotme, pasi edhe përkundër progresit të dekadës së fundit, kërcënimet e vjetra janë duke dalë në sipërfaqe përsëri dhe pas këtyre tentativave për të shkaktuar probleme në Ballkanin Perëndimor, mund ta shihet qartë dora e njëjtë që po dëshiron ta dobësojë OSBE-në.

    Maqedonia e Veriut, këtë dhjetor përfundon kryesimin e OSBE-së, e nga 1 Janari 2024, për një vit këtë rol do ta kryejë Malta.

  • Pamje nga aksioni i Policisë në Dragodan ku u vra njëri nga të dyshuarit për grabitje

    Pamje nga aksioni i Policisë në Dragodan ku u vra njëri nga të dyshuarit për grabitje

    Një operacion i madh i ndërmarrë nga Policia e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë javën e kaluar.

    Në këtë aksion ka pasur edhe shkëmbime të zjarrit mes Policisë së Kosovës dhe të dyshuarve.

    Për pasojë një nga të dyshuarit ka mbetur i vrarë, ndërsa një polic është plagosur lehtë në këmbë.

  • PSD-ja kërkon lirimin e aktivistëve, ofron dëshmi për dhunën dhe armët e përdorur nga Policia

    PSD-ja kërkon lirimin e aktivistëve, ofron dëshmi për dhunën dhe armët e përdorur nga Policia

    Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur konferencë për medie, duke kërkuar lirimin e kryetarit Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistëve të kësaj partie, raporton Ekonomia Online. Ata u arrestuar gjatë protestës së PSD-së në kundërshtim të vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

    Anëtar i Kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj, ka prezantuar me fotografi siç tha dhunën e përdorur nga Policia e Kosovës gjatë protestës. Sipas tij, në arrestimin e aktivistëve përveç policëve është përfshirë edhe një person i sigurimit privat të hotelit ku ka qëndruar Trendafilova.

    Kukaj tha se nuk janë përdorur armë nga aktivistët, por nga Policia e Kosovës. Ai kërkoi prej Prokurorisë dhe Policisë që të merren për bazë faktet dhe të zbardhet e vërteta.

    “Fillimisht asnjë zyrtar apo civilë, përjashtim gazetarëve dhe aktivistëve nuk është i lënduar. 6 aktivistë janë arrestuar, sot janë burg për arsyen e vetme që kanë protestuar. Pra ne dje vetëm kemi shpreh kundërshtimin tonë ndaj një gjykatë që e cilësojmë të padrejtë për arsyeje që tashmë janë të njohura”.

    “Për atë që kemi marrë informata vepra për të cilën po dyshohet është përdorimi i armës të rrezikshëm kjo është vepër penale për të cilën ata dyshohet. Ajo cka është përdoruar prej anës protestave nuk janë përdoru armë. Mjete piroteknike ato që jenë petarda. Ato janë tymos që përdoren në ndeshje sportive atë zhurmë që e keni ndje këto nuk përbejnë armë. Nuk ka vepër penale, nuk janë përdor prej anës tonë armë. Frikën që e kem duam me nda me ju. Bombolat e gazit kanë qenë të përdoruara prej anës së Policës kundër protestuesve”.

    “Këto pak informacione që e kemi është e qarta se moslirimi i tyre është i jashtëligjshëm. Të drejtën që e kanë për protesta ata sot janë në burg. Tjetër skandal është që të përfshirë në arrestimin e këtyre personave përveç Policëve është një person i sigurimit privat të Hotelit Sirius që i ka ndihmuar arrestimin e aktivistëve tanë. Policia nuk është dashtë më lejuar këtë. Me prej këtu i kërkojmë edhe Prokurorisë edhe Policisë të shikojnë faktet dhe t’i kuptojmë të drejtat që na takojnë neve dhe sa më parë të lirohen aktivistët tonë”.

  • O’Brien nga Shkupi: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së

    O’Brien nga Shkupi: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

    “Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.

    Ai ka theksuar se pavarësisht shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.

    “Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien./rel/