ATV

Author: ATVLive

  • ​Gjithçka gati për Evropianin e Xhudos në Prishtinë

    ​Gjithçka gati për Evropianin e Xhudos në Prishtinë

    Të gjitha përgatitjet janë përfunduar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, aty ku do të zhvillohet Kampionati Evropian i Xhudos që zhvillohet të shtunën.

    Që gjithçka është gati e ka bërë të ditur edhe zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani përmes një shkrimi në Facebook.

    “Pallati i Rinisë dhe Sporteve është shndërruar në arenë beteje për xhudistë nga mbarë Evropa! Distria, Nora, Akili dhe Dardani, të udhëhequr nga Toni e Majlinda, nesër do të jenë për herë të parë para publikut vendor në një garë të nivelit elitar siç është Kampionati i Hapur Evropian i xhudos, ku përballë do të kenë kundërshtarë të fortë që kanë fituar medalje olimpike, botërore dhe evropiane.”, ka shkruar Osmani.

    “Fëmijë e të rritur, djem e vajza, nesër kemi mundësinë të shikojmë dhe të përkrahim kampionët tanë të xhudos. Garat kualifikuese fillojnë nga ora 10:30, ndërsa duelet finale luhen nga ora 16:00. Hyrja është pa pagesë për të gjithë. Të jemi të gjithë së bashku në mbështetje të xhudistëve tanë të cilët gjithmonë na kanë krenuar, dhe ta nderojmë flamurin e Kosovës🇽🇰 për medaljet e radhës që na presin. Kosova, Shtet i Xhudo.”, ka shkruar më tej Osmani.

  • Këshilli Evropian rezerva për ujdinë Rama-Meloni, Von der Leyen e mbështet

    Këshilli Evropian rezerva për ujdinë Rama-Meloni, Von der Leyen e mbështet

    Këshilli Evropian për refugjatët dhe emigrantët (ECRE) me seli në Bruksel, shprehu rezerva lidhur me një sërë çështjesh që paraqesin nenet e marrëveshjes Rama-Meloni, për ngritjen e dy qendrave pritëse në Shqipëri për refugjatët nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme të cilët kapen në det, para se të shkelin tokën italiane.

    Marrëveshja e mori “dritën jeshile” në Parlamentin italian, por në Shqipëri është bllokuar për momentin me nismë të dy fraksioneve kundërshtare të PD-së që këtë radhë, bashkuan forcat dhe e çuan atë në Gjykatën Kushtetuese për verifikimin e kushtetueshmërisë së këtij pakti.

    Kushtetuesja vendosi pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Parlament. Catherine Woollard, drejtore ekzekutive e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe të Mërgimtarët, shpjegon për DW arsyet e ngurrimit të këtij institucioni lidhur me ujdinë.

    Sipas saj, në nenet e marrëveshjes ka një informacion shumë të kufizuar.

    ”Ka shumë pak detaje se çfarë do të ndodhë në 2 qendrat pritëse të ngritura në Shqipëri. Marrëveshja përfshin të gjithë referencat standarde lidhur me të drejtat e njeriut, por nuk ka asnjë informacion sesi do të respektohen këto të drejta. Qendrat janë nën juridiksionin italian në territorin shqiptar më tepër sipas “modelit australian” sesa atij mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës,” thotë Woollard.

    Duke shpjeguar problemet ligjore, ajo shprehet se “Ligji aktual i BE nuk lejon zbatimin ekstra-territorial të procesit të kontrollit dhe procedurave kufitare të azilit dhe kthimit. Sipas këtij ligji ky proces duhet të kryhet në territorin Italian”, ndërsa thekson po ashtu se kryerja e procedurave kufitare në territorin e Shqipërisë, “shkel të drejtat e Kartës së të Drejtave Themelore të Njeriut, të BE-së”.

    Më herët, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për marrëveshjen.

    Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, që filluan një takim të nivelit të lartë të enjten në Bruksel, ajo vlerësoi “nismat e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë, duke e cilësuar si shembull të të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar. /tch

  • Ky është fjalimi i plotë i presidentes Vjosa Osmani në adresimin vjetor

    Ky është fjalimi i plotë i presidentes Vjosa Osmani në adresimin vjetor

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mbajti adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës.

    Foli për draft-statutin për Asociacionin i Komunave me Shumicë Serbe, për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për sigurinë në vend pas tentimit për destabilizim nga Serbia, e shumë tema të tjera.

    Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës:

    I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

    I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

    Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

    Të nderuar ambasadorë,

    Mysafirë të nderuar,

    Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.

    Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.

    Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.

    Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.

    Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.

    Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

    Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

    Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.

    Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.

    Të nderuar deputetë,

    Të nderuar të pranishëm,

    Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.

    Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.

    Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.

    Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

    Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.

    Të nderuar deputetë,

    Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.

    Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.

    Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.

    Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.

    Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.

    Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.

    Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.

    Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.

    Të nderuar deputetë,

    Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

    Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.

    Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.

    Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.

    Të nderuar deputetë,

    Të nderuar të pranishëm,

    Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.

    Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.

    Në luftimin e propagandës serbo-ruse dhe përpjekjeve të tyre për goditje të shtetësisë së Kosovës, angazhimi im ka qenë intensiv dhe i palëkundur. Përgjatë këtij viti kam pasur afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

    Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi arritur suksesshëm t`i rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet ta marrin këtë vendim.

    Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane.

    Ndërsa sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje dhe me përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik, duke adresuar shqetësimet, duke zbatuar reformat dhe duke nxitur bashkëpunim me institucionet evropiane.

    Pavarësisht se sa komplekse është, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo rrugë, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë saj. Por, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

    Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara.

    Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë kudo në takimet ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminimin mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.

    Të nderuar deputetë,

    Në këto dy dekada pune në institucionet e Kosovës, gjithnjë kam besuar se aleancat tona janë fuqia dhe përparësia jonë e madhe në çdo proces. Qytetarët tanë e dijnë më së miri këtë, sepse e kanë përjetuar e parë vet se si pikërisht fuqia e këtyre aleancave të ndërtuara mbi vlerat përbashkëta e të ndërthurura me vullnetin e qytetarëve tanë e luftën çlirimtare, na shpëtuan jetërat, na bënë të mundur lirinë pas shumë sakrificash e na ndihmuan të ndërtojmë shtetin e ëndërruar për breza të tërë.

    Sot, në këtë adresim vjetor, në emër të qytetarëve të Republikës sonë, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike e aleate të Kosovës, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemi e me të cilat, jam e sigurt, që udhëtimi përpara do të shënohet nga suksese të reja. Sot, në veçanti, dua të falënderoj aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike në Evropë e përtej.

    Prandaj, edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara nuk po zvogëlohen, Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë nuk është as nënshtrim e as dobësi. Në fakt është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Këta partnerë luftuan krah për krah me popullin e Kosovës, edhe kur na kanosej shfarosja, edhe kur mbronim shtetin tonë para e pas pavarësisë, edhe kur shënonim sukses pas suksesi në rrugëtimin tonë për fuqizimin e pozitës sonë ndërkombëtare.

    Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gjithnjë e në çdo kohë do të pajtohemi, sepse mospajtime ndonjëherë ka edhe brenda së njëjtës familje. Por, të gjitha duhet t’i diskutojmë e t’i tejkalojmë me respekt reciprok e mbi të gjitha, duke mos lëkundur asnjëherë besimin. Rruga jonë përpara është e gjatë e aspak e lehtë. Por përkundër sfidave, jam e sigurt që puna që po e bëjmë së bashku ditë pas dite së shpejti do të na udhëheq drejt sukseseve të reja që do i shtojnë madhështinë partneriteteve tona me vendet mike e do i hapin Kosovës sonë të dashur kapituj të ri të arritjeve historike.

    Të nderuar deputetë,

    Të nderuar të pranishëm,

    Përkundër vështirësive e sfidave të shumta, gjatë këtij viti, falë angazhimit të institucioneve të sigurisë, zbatimi i ligjit në Kosovë është realizuar në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.

    Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe zbulimi i krimit, mbrojtja e të drejtave dhe të lirive të njeriut, si dhe trajtimi në mënyrë të barabartë i të gjithë qytetarëve pa dallim, kanë dëshmuar për një shërbim policor me vlerat më të larta, kompetent në të gjitha aspektet, të besuar nga qytetarët, si dhe duke na bërë krenar me performancën. Prandaj mirëpres rritjen e vlerësimit për Policinë e Kosovës, përderisa mbes me shpresë se në muajt në vijim do të bëhet edhe shumë më shumë, sidomos për njësitë që vazhdimisht janë në mbrojtje të sovranitetit tonë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën përballen.

    Gjithashtu, si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë, jam shumë krenare me djemtë dhe vajzat e FSK-së, të cilët kanë ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete operacionale për realizimin e mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Krahas mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e Policisë dhe Ushtrisë sonë dhe rritjes së buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP, është me rëndësi të përmirësojmë edhe statusin e mirëqenien sociale e ekonomike të personelit në institucionet tona të sigurisë.

    Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë, si trashëgimtare të vlerave të luftës për liri, pavarësi dhe demokraci, u ndërtuan dhe u zhvilluan me mbështetjen e madhe të partnerëve tanë, të cilëve u jemi mirënjohës përjetësisht.

    Ky sistem dhe këto vlera kanë mundësuar që Policia dhe Ushtria jonë, të na bëjnë krenar me të arriturat e tyre, si polici dhe ushtri moderne, efikase, sipas standardeve më të larta të vendeve demokratike.

    Të gjitha këto të arritura të Policisë së Kosovës konfirmojnë kërkesën e arsyeshme, gatishmërinë dhe vullnetin tonë për anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL, sikurse edhe sa i përket FSK-së, e cila me sukseset e saj ka dëshmuar fuqishëm se Republika e Kosovës është e gatshme dhe meriton vendin e anëtarit fuqiplotë dhe dinjitoz në NATO, si synim kryesor shtetëror i institucioneve dhe qytetarëve të Republikës sonë.

    Pavarësisht kërcënimeve shumë serioze ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe akteve të drejtpërdrejta të agresionit, e mirëpres thellimin e komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet reaguesve të parë të Kosovës – Policisë sonë – dhe Eulexit e KFOR-it, si reagues të dytë dhe të tretë.

    Të nderuar deputetë,

    Është e domosdoshme që shteti ynë të funksionojë mbi parimet dhe vlerat e përcaktuara nga Kushtetuta jonë. Rol kyç në këtë aspekt ka sistemi ynë i drejtësisë.

    Në ketë drejtim, jam angazhuar brenda kompetencave kushtetuese në mënyrë që rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë të përcillet pashmangshëm me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi të këtyre institucioneve.

    Askush nuk na ndalon që ajo çka është ideale, të jetë edhe ideali ynë. Sundimi i ligjit është ideal i shtetit tonë dhe secili nga ne duhet çdo ditë të angazhohet duke bërë që vendi ynë të jetë shembull i sundimit të ligjit. Shfrytëzoj këtë adresim para Parlamentit dhe qytetarëve, për të inkurajuar institucionet e drejtësisë që të bëjnë reforma të cilat destinacion e kanë ofrimin e një drejtësie profesionale dhe të pavarur për qytetarët dhe integrimin tonë në familjen evropiane, si një vend i barabartë ku sundon ligji.

    Sistemi i drejtësisë i reformuar, profesional, i pavarur dhe me integritet, është obligim i institucioneve ndaj qytetarëve tanë dhe këtë obligim duhet ta përmbushim pa asnjë justifikim. Për më tepër një sistem i drejtësisë i pavarur, është edhe përgjigja më e mirë ndaj krimit e korrupsionit.

    Të nderuar deputetë,

    Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm.

    Kjo tashmë është një plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.

    Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjeshtë një ‘çështje e grave’; është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim, angazhimin e të gjithëve burra e gra bashkërisht. Dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Nuk është çështje private, është një turp kolektiv, një turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi kokë më kokë. Ne qëndrojmë në një moment kyç ku duhet të deklarojmë pa mëdyshje se dhuna kundër çdo gjinie është edhe një sulm mbi thelbin e njerëzores.

    Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjeshtë një imperativ ligjor, është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore. Duke i mbajtur autorët përgjegjës e duke u dhënë atyre dënimin e merituar dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.

    Seksizmi është prezent pothuajse çdokund. Pothuajse secila grua e ka përjetuar atë, në një mënyrë apo tjetrën. Dallimi është në aftësinë e institucioneve për t’ju përgjigjur e në mundësitë për t’u ballafaquar me të.

    Një grua e barabartë, një grua e fuqizuar, një grua e arsimuar, një grua me qasje të barabartë në pronë, një grua që ecën e sigurt rrugës, një grua të cilës i shërben drejtësia njësojë si edhe çdo burri, kjo grua është armiku më i madh i patriarkatit dhe seksizmit. Por kjo grua, njëkohësisht, është pasuria më e madhe e një shteti të avancuar e të suksesshëm. Këto duhet të jenë synimet tona, ky duhet të bëhet realiteti ynë.

    E kam thënë, rithënë, e do ta them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur.

    Të nderuar deputetë,

    Brenda kësaj ndërtese ndërthuret puna jonë, puna juaj dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

    Ky interes është parësor, ngase ju jeni kujdestar të vullnetit të popullit, teksa pesha e detyrës sonë kolektive është e jashtëzakonshme.

    Aspirata jonë evropiane, llogaridhënia, sundimi i rendit dhe ligjit përcaktojnë fatin e qytetarëve tanë, të cilëve u shërbejmë.

    Vendimet tona, debati dhe përkushtimi për të mirën qytetare kanë luajtur rol esencial, ndaj kam besim që sadopak t`ua kemi lehtësuar jetën.

    Është detyrë e jona të udhëheqim me ndjeshmëri dhe largpamësi, duke u siguruar që çdo politikë e hartuar në shtëpinë e qytetarëve të pasqyrojë vullnetin dhe vlerat, të cilat i përfaqësojnë qytetarët tanë.

    Ne duhet të bëjmë edhe më shumë, ne mund të bëjmë edhe më shumë dhe nuk do të ndalemi për të bërë edhe më shumë!

    Viti në të cilin do të hyjmë nuk do të jetë pa sprova, të cilat do të kërkojnë angazhimin tonë për t`i adresuar kërkesat e atyre që kanë më së shumti nevojë, për t`i mbrojtur të pambrojturit dhe për ta mbrojtur kauzën e drejtësisë dhe të barazisë.

    Përgjegjësia jonë nuk përfundon vetëm duke i trajtuar problemet, por duke gjetur zgjidhjet më të mira dhe duke krijuar mundësitë për formësimin e perspektivës më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

    Viti që po lëmë pas kaloi në përpjekjen tonë të vazhdueshme për shtrirjen e funksionimit të ligjit në tërë territorin e shtetit.

    Ky është synim parësor i yni nga i cili nuk do të heqim dorë me asnjë kusht. Ne jemi këtu për një Kosovë më të mirë në çdo cep të saj, një Kosovë që është shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Ky është obligim i yni kushtetues.

    Zbatimi i ligjit është sfidë e përditshme që nuk fillon e as nuk mbaron në periudha të caktuara.

    Për një gjë të tillë duhet angazhim jo vetëm i të gjithë qytetarëve, por edhe i tërë spektrit politik, duke e kuptuar rëndësinë e një Kosove stabile ku rendi e ligji janë prioritete tona shtetërore, të cilat më pas mund të përkthehen në zhvillim ekonomik, krijim të një mjedisi për investitorë të jashtëm, por mbi të gjitha për ta ruajtur potencialin e rinisë sonë, e cila perspektivën e saj duhet ta kërkojë këtu.

    Republika jonë është vetëm 15 vjeçare. Ndërmend e kemi forcën dhe qëndrueshmërinë, krahas trashëgimisë së skalitur si një dëshmi e përkushtimit, sakrificës dhe heroizmit të dëshmorëve tanë për Kosovën shtet.

    Shteti i Kosovës tashmë është farkëtuar dhe mishëron idealet mbi të cilat u krijua dhe padyshim është dëshmi e guximit të atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë tonë.

    Sot, sikurse në asnjë vit më parë të ekzistencës së shtetit tonë, kemi nevojë të rikonfirmojmë përkushtimin dhe besnikërinë ndaj këtij shteti të ndërtuar mbi sakrifica të panumërta. Duhet të dëshmojmë se jemi të palëkundur ndaj parimeve mbi të cilat u ndërtua Republika jonë si një shtet në të cilin ka vend për të gjithë, pavarësisht përkatësisë.

    Një Republikë që promovon vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

    Fuqizimi i Republikës sonë kërkon përkushtim, devotshmëri dhe patriotizëm kushtetues.

    Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave, rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova, luftën tonë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja në krye me komandantin Adem Jashari, dëshmorët e martirët e shumtë dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të prirë nga Shtetet e Bashkuara.

    Shteti ynë i pavarur është një Republikë që evoluon çdo ditë, konsolidohet çdo ditë e më tepër, integrohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare dhe është atdheu ynë për të cilin nuk duhet të kursejmë asgjë. Sfidat nuk duhet të na ndalin e as të na dobësojnë. Nga ky tempull i demokracisë, mesazhi im këto dy dekada ka qenë dhe gjithnjë do të mbetet: Kosova për ne është më shumë sesa vetëm shtet, është ideali dhe sakrifica jonë e përhershme, është përcaktimi ynë jetësor për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, jemi këtu për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë!

    Ju faleminderit!

  • Mustafa: Për katër vjet qeverisje mbi 10 miliardë euro buxhet, Qeveria Kurti pa asnjë projekt të madh

    Mustafa: Për katër vjet qeverisje mbi 10 miliardë euro buxhet, Qeveria Kurti pa asnjë projekt të madh

    Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, tha se buxheti për vitin 2024 nuk do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve, raporton EO.

    Mustafa ka treguar se me buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vite, e përmes të cilit nuk ka arritur të realizoj asnjë projekt të madh për vendin.

    “Kjo qeveri, ashtu siç e filloi mandatin, ashtu dhe po shkon drejt fundit të mandatit të saj qeverisës, duke bartur paratë e qytetarëve të Kosovës nga dora në dorë, por pa lënë asnjë gjurmë substanciale në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendit. Pra, për katër vite qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vendit. Prandaj, shihet qartë se kjo Qeveri nuk ka asnjë plan për ta zhvilluar Kosovës dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

    Më tej, Mustafa ka thënë se edhe buxheti për vitin 2024 është vetëm për 3% më i lartë në krahasim me buxhetin e vitit paraprak. Sipas tij, kjo rritje kaq e ulët e buxhetit reflekton ngecjen e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe, gjë e cila po reflektohet edhe në parashikime për rritje më të zbehtë të të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore.

    “Buxheti i aprovuar dje, ngjashëm me buxhetet e viteve të fundit, nuk ofron asnjë perspektivë për një dinamikë më të madhe të zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Në krahasim me vitet paraprake, ky buxhet dallon vetëm për sa i përket ndryshimit të strukturës së buxhetit në dëm të investimeve kapitale dhe në favor të shpenzimeve për transfere dhe subvencione”, ka thënë Mustafa.

    Mustafa ka treguar se në buxhetin për vitin 2024, shuma e alokuar për investime kapitale përfaqëson vetëm 26% të gjithsej shpenzimeve të planifikuara buxhetore, përderisa pjesëmarrja e shpenzimeve për subvencione dhe transfere ka arritur në 32.2%.

    Nga gjithsej buxheti i paraparë për investime kapitale, 83% e buxhetit i takon projekteve të bartura nga vitet paraprake, ndërsa vetëm 17% është planifikuar për investime të reja kapitale në vitin 2024.

    “Paaftësia e kësaj qeverie për t’i realizuar projektet ekzistuese kapitale dhe për të hartuar projekte të reja nënkupton: më pak infrastrukturë për tërheqje të investimeve dhe zhvillim të sektorit privat, më pak infrastrukturë dhe pajisje për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e arsimore dhe në përgjithësi, më pak zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

    Koordinatori për Financa në KQM, ka thënë se orientimi kryesor i kësaj qeverie janë skemat e përkohshme dhe simbolike të subvencioneve.

    “Kjo qeveri në vazhdimësi ka refuzuar propozimet tona për rritje të pensioneve në kushtet kur shpenzimet e jetesës janë bërë të papërballueshme për shkak të rritjes së çmimeve. Tani, në vend se të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme duke ua rritur pensionet, këta i’a japin pensionistëve një lëmoshë të njëhershme prej 100 euro sa për t’i mbajtur shpresat e tyre të varura për ndonjë vendim për një lëmoshë tjetër nga Qeveria në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

    Mustafa ka thënë se a është Qeveria Kurti e udhëhequr vetëm nga kalkulimet populliste për vota, tregon edhe diskrinimi i paparë deri më tani në ndarjet e buxhetit ndërmjet komunave ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosje dhe komunave që qeverisen nga partitë tjera.

    “Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së në seancën e djeshme të Kuvendit kanë propozuar një numër të amendamenteve për ta ofruar sadopak këtë buxhet me nevojat reale që i ka vendi dhe qytetarët. Mirëpo, siç kanë refuzuar çdo propozim të opozitës, ngjashëm vepruan edhe dje duke i refuzuar të gjitha amandamentet e propozuara nga deputetët e opozitës”, ka thënë Mustafa.

    Në mesin e amendamenteve të propozuara nga deputetët e PDK-së, por të refuzuara nga deputetët e Vetëvendosjes, ishin edhe amandamentet që kërkonin: rritjen e koeficientit të pagës për sektorin publik, siguriminin shëndetësor për Policinë e Kosovës, pensionet e parakohshme për Policinë e Kosovës dhe shumë amandamente tjera për projekte të nevojshme infrastrukturore në anë të ndryshme të Kosovës.

  • Këto janë 12 ekstradimet të cilat i kreu Policia e Kosovës përgjatë vitit

    Këto janë 12 ekstradimet të cilat i kreu Policia e Kosovës përgjatë vitit

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet tjera, gjatë periudhës së fundit në koordinim me organet e drejtësisë dhe mbështetur nga njësitë tjera policore, ka realizuar me sukses një numër të ekstradimeve, transfereve dhe deportimeve, më konkretisht janë kryer këto aktivitete nga fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar:

    • Me datën 08.11.2023 është ekstraduar shtetasi i Republikës së Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘vrasje’.
    Personi është ekstraduar nga Mali i Zi në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 10.11.2023 është transferuar personi shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘vrasje’. Personi është transferuar nga Belgjika në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 13.11.2023 është transferuar personi shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘vjedhje’ dhe i njëjti është transferuar nga Belgjika në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 14.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Gjermanisë, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Austrisë për veprën penale ‘vjedhje e rëndë komerciale’.
    Personi është ekstraduar nga Republika e Kosovës në Austri.

    • Me datën 15.11.2023 është deportuar personi i kërkuar shtetas i Polonisë, për veprën penale ‘prishje e rendit dhe qetësisë publike’, ‘mospërfillje e urdhëresave të personave zyrtarë’.
    Personi është deportuar nga Republika e Kosovës për në Poloni.

    • Me datën 15.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Turqisë, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Turqisë për veprën penale ‘keqtrajtim seksual i fëmijëve’.
    Personi është ekstraduar nga Republika e Kosovës në Turqi.

    • Me datën 21.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Maqedonisë së Veriut, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’ dhe i njëjti është ekstraduar nga R. e Kosovës ne Maqedoninë e Veriut.

    • Me datën 22.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘tentim vrasje’, ku i njëjti është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 29.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘tentim vrasje’. Personi është ekstraduar nga Franca në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 12.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i Malit të Zi, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’. Personi është ekstraduar nga R. e Kosovës në Gjermani.

    • Me datën 12.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘grabitje’. Personi është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 13.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘trafikim me narkotikë’. Personi është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka vazhduar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera dhe me organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë, me qëllim arrestimin e personave të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, ekstradimin apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë dhe një bashkëpunim dhe koordinim i tillë do të vazhdojë në frymën e partneritetit dhe besimit reciprok edhe në të ardhmen.

  • ​Rohde: Gjermania në Kosovë po mbështet programin për gazetarët e strehuar nga Ukraina

    ​Rohde: Gjermania në Kosovë po mbështet programin për gazetarët e strehuar nga Ukraina

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Gjermania qëndron fort në krah të Ukrainës, derisa ka theksuar se në Kosovë po mbështesin programin “Gazetarët në Rezidencë” për gazetarët nga Ukraina si pjesë e Iniciativës Hannah Arendt.

    Ai ka marrë pjesë në aksion i përbashkët me Qeverinë e Albin Kurtit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

    Nga shkurti i vitit 2022 janë 23 gazetarë përfitues, prej të cilëve 18 ukrainasë dhe pesë afganë. 15 gazetarë vazhdojnë të banojnë ende në Kosovë. Ky program zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e iniciativës Hannah Arendt.

  • Kurti pret zyrtaren e DASH dhe Ambasadorin Hovenier, ZKM jep detaje çfarë u diskutua

    Kurti pret zyrtaren e DASH dhe Ambasadorin Hovenier, ZKM jep detaje çfarë u diskutua

    Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

    Pjesë e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi në shumë fusha përfshirë edhe atë të konvertimit të targave në RKS.

    “Së bashku diskutuan për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet vendeve tona, bashkëpunimin në shumë fusha, dhe tema e çështje që na presin deri në përfundim të vitit dhe vitin që po vjen. Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS”, thuhet në njoftim.

    Kurti poashtu ka falënderuar ambasadorin amerikan për përkrahjen ndaj Kosovës, teksa përmendi sulmin e serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, sulmin në Banjskë, rrëmbimin e tre policëve dhe vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku.

    “Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit. Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

    Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të përdorë gjuhën e tij nacionaliste në prag të zgjedhjeve në Serbi. Ai është fokusuar sërish tek Kosova, për të cilën pretendon se është pjesë e Serbisë.

    Në një intervistë për gazetën Politika, Vuciq tha se gjoja sipas tij vitin e ardhshëm perëndimi “do të përpiqet t’ia marrë Serbisë Kosovën”, transmeton KosovaPress.

    “Vitin e ardhshëm do të tentojnë zyrtarisht, përfundimisht, të na e marrin Kosovën. Unë nuk kam iluzione se ata do të përpiqen ta bëjnë atë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht, sepse ata duhet t’i japin fund luftës në Ukrainë sa më parë të jetë e mundur, ata nuk kanë nevojë që Putini apo dikush tjetër t’i referohen Kosovës, prandaj duan ta mbyllin atë histori sa më parë. Dhe, sigurisht, para zgjedhjeve amerikane”, tha Vuçiq.

    Ai sërish ka pretenduar se ballafaqohet me presion të jashtëm, duke synuar që të mbajë sa më afër shumicën në Serbi.

    “Për Serbinë do të jetë me rëndësi të madhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në nivelin e brendshëm për të vazhduar me progresin e mëtejshëm ekonomik, investimet, projektet e mëdha infrastrukturore, punësimin, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe për të pasur forcë të mjaftueshme për t’i rezistuar të presioneve jashtme. Parakusht për këtë është një shumicë e qëndrueshme dhe një qeveri që do të bashkëpunojë me presidentin”, ka thënë ai.

    Ai ka folur edhe për kapitullin 35 me Marrëveshjen e Ohrit, me ç’rast përsëriti se nuk vjen në konsideratë njohja e Kosovës.

    “E informova mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar me atë që nuk vjen në konsideratë, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, as anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organizatat e saj. Meqë nuk thonë se këtë e përjashtojnë, por e duan të gjithë marrëveshjen, atëherë për ne është e papranueshme. Do ta vënë apo jo, nuk mund të hamend në këtë moment”, tha Vuçiq.

  • Izolohet në regjimin “41 biss” i dënuari përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë

    Izolohet në regjimin “41 biss” i dënuari përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë

    Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm “41 bis” të një tjetër të dënuari, Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”.

    Ende nuk dihet rregulli që ka thyer i dënuari në burgun e Peqinit, por ai do të vuajë dënimin e përjetshëm në regjimin “41 biss”

    Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur se do të zbatojë me rigorozitet ligjin për vendosjen në regjimin e posaçëm (41/b) për të gjithë ata të paraburgosur dhe të dënuar që cenojnë rendin dhe sigurinë, apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal brenda i IEVP-ve.

    “Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!” – tha Manja.

    Sokol Mjaçaj është i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre.

    Aktualisht në regjimin “41 biss” janë Alber Kupa, Viktor Ymeri, Aleksandër Llanaj, Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Kelend Çala, Eldi Çala dhe Redjan Rraja.

  • Model Slovenia pranon çmimin “Tatimpaguesi i vitit 2023”

    Model Slovenia pranon çmimin “Tatimpaguesi i vitit 2023”

    Kompania ndërtuese që operon tash e sa vite me sukses të plotë në territorin e Kosovës, Model Slovenia, sërish sivjet është shpallur “Tatimpaguesi i vitit” nga Oda Ekonomike e Kosovës.

    Këtë mirënjohje përfaqësuesit e kompanisë e kanë marrë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

    Model Slovenia me këtë rast ka falënderuar të gjithë të punësuarit, bashkëpunëtorët dhe klientët besnikë.

    “Faleminderit Oda Ekonomike e Kosovës për çmimin: Tatimpaguesi i Vitit 2023! Edhe sivjet jemi Tatimpagues të vitit, një falënderim i veçantë për të gjithë stafin e Model Slovenia, punëtorët, bashkëpunëtorët dhe blerësit tanë besnik nga i gjithë rajoni të cilët kanë besuar tek ne për gjithë këto vite”, thuhet në njoftimin e kompanisë në faqen e saj zyrtare në facebook.

    Kujtojmë se Model Slovenia, merr çmimin për të katërtën herë si “Tatimpaguesi i vitit” nga Oda Ekonomike e Kosovës. /atvlive.tv