ATV

Author: ATVLive

  • Dy ndeshje në Superligë, vëmendja në derbin Ballkani-Prishtina

    Dy ndeshje në Superligë, vëmendja në derbin Ballkani-Prishtina

    Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me dy duelet tjera të javës së 18-të.

    Derbi i kësaj jave do të zhvillohet në Suharekë, atje ku Ballkani do të jetë nikoqir i Prishtinës.

    Suharekasit vijnë pas hymbjes nga Llapi 5:3 dhe eliminimit nga Liga e Konferencës dhe do të kërkojnë këndelljen ndaj kryeqytetasve.

    E Prishtina është në pozitën e pestë në tabelë me 25 pikë.

    Të dielën gjithashtu luhet ndeshja mes Lirisë së Prizrenit dhe Llapit.

    Prizrenasit gjenden në vendin e fundit dhe në krizë të rezultateve, ndërsa llapjanët do të tentojnë të mbajnë formën e mirë dhe të ndjekin Ballkanin në luftë për titull.

  • Komuna e Shtimes e kënaqur me buxhetin e ndarë nga Qeveria

    Komuna e Shtimes e kënaqur me buxhetin e ndarë nga Qeveria

    Ndarja buxhetore e Qeverisë për komunat e Kosovës në vitin 2024, ka nxitur reagim nga drejtuesit e komunave të pozitës dhe opozitës. Ndërsa, komuna e Shtimes me kryetarin Qemajl Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje kanë vlerësuar se nuk kanë asnjë pa kënaqësi për ndarjen buxhetore. Sipas, kryetarit Aliu, buxheti është ndarë në mënyrë të barabartë për të gjitha komunat dhe se opozita në mungesë të kauzave po merret me buxhetin e Shtimes.

    Aliu në një intervistë për KosovaPress, tha se si komunë kanë përkrahje të plotë nga qeverisja qendrore, pasi kanë pas nevojë për shkak se kjo komunë ka mbetur mbrapa në krahasim me komunat e tjera.

    “Kam parë që është bërë edhe lajm kjo ndarja buxhetore dhe nuk është se më vjen shumë mirë që të tjerët po merren e buxhetet e të tjerëve. Ju e dini që Qeveria e Kosovës vetëm këtë vit për komunat buxhetin e ka rritur me 240 milionë euro, është e mjaftueshme për secilën komunë që buxheti që është dhënë me këtë rritje të kryhen punët mirë për secilën komunë dhe qytetarët e Kosovës. Si po duket në mungesë të agjendave tjera tash kur opozita mbetet pa kauzë merret edhe me buxhetin e Shtimes…Komuna e Shtimes është ndër komunat më të varfëra në Kosovë, kjo si pasojë e një qeverisje që të kaluara që nuk e ka pas në fokus zhvillimin dhe përparimin e komunës tonë dhe tash më në fund është një qeverisje lokale por që e ka edhe mirëkuptimin e qeverisjes qendrore, për të bërë pak më shumë për Shtimen por jo për diskriminim pozitiv por thjeshtë për barazi sepse në raport me komunat tjera ne jemi mbrapa”, u shpreh Aliu.

    Aliu tha se qeverisja paraprake e Shtimes, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur të realizojë asgjë për komunën, dhe se sot po kujdesen për të penguar zhvillimin e saj.

    “Ka kujdestarë të tillë, sidomos deputetët të PDK-së që mirë që e kanë lënë për 20 vite në këtë situatë të pazhvilluar Shtimen, tash kujdesen për të penguar, atëherë kur dikush dëshiron me zhvilluar. Kjo më duket aspak korrekte dhe aspak humane njerëzore, mirëpo qytetarët e Shtimes le të shohin se cilin për veprimin tyre”, shtoi Aliu.

    Kryetari i Shtimes, Aliu shtoi se Komuna e Shtimes ka shumë kërkesa dhe nevoja të paplotësuara dhe se buxheti i ndarë për të është minor, por se janë rrugës për të zgjidhur problemet e kësaj komune.

    “Për gjendjen në të cilën komuna e Shtimes për nevojat edhe kërkesat që ka ky buxhet është minor dhe i pamjaftueshëm por jemi rrugës të mbarë për të zgjidhur çështje dhe shumë probleme , nuk dua me dal përtej komunë së Shtimes ne jemi të fokusuar por këta kritikoj po nisen nga premisat e tyre sepse këtë standard ata e kanë përdorur jo zyrtarisht kolegët e mi kryetarë e kanë pranuar në tavolina ku takohemi që aq shumë u dhanë qeveritë e kaluara sa që ju kanë shpenzuar rrugët dhe nuk kanë pasur çka me asfaltuar, kjo nuk po ndodhë në qeverinë Kurti edhe pse po tentohet me u etiketuar si e tillë. … Ka komuna që edhe autostrada kanë shtruar në mes qytete me katër korsi, ndërsa në Komunën e Shtimes ka akoma rrugica ku qytetarët ecin në baltë kjo është pabarazi dhe në emër të kësaj pabarazie normal që kemi mirëkuptimin nga qeveritë edhe të ministrive që të ketë më shumë për Shtimen që së paku të jemi të pabarabartë me komunat përreth me Lipjanin, Suharekë dhe Ferizajn”, tha Aliu. /kp

  • Policia del me raport për vrasjen në Gjilan

    Policia del me raport për vrasjen në Gjilan

    Policia ka dalë me raport për vrasjen në Gjilan.

    Në raport thuhet se është arrestuar një person pasi dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë.

    Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar në Gjilan, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “VRASJE- Gjilan 16.12.2023-21:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti dyshohet se me një mjet të mprehtë-thikë ka goditur viktimën mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Viktima është dërguar në QE-Gjilan, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar.”

  • Pritje të gjata në pikat kufitare Kosovë – Serbi

    Pritje të gjata në pikat kufitare Kosovë – Serbi

    Pritje të gjata janë krijuar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në pikat kufitare Jarinje dhe Dheu i Bardhë, për të dalë nga Kosova, pritjet janë deri në dy orë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    E në Merdar dhe Bërnjak pritjet janë deri në 40 minuta.

    Pritje deri në gjysmë ore ka edhe për të hyrë në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare Merdar.

    Kolona janë parë edhe në pikën kufitare Muçibabë.

    Në veri të Kosovës ka pasur organizim të transportit për qytetarët serbë që kanë të drejtë vote në Serbi. Po ashtu edhe nga Gjilani, qytetarët e Luginës me të drejtë vote janë nisur me transport të organizuar për të votuar në Luginë.

    Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

  • Qytetarët e Luginës nisen nga Gjilani për të votuar në Serbi

    Qytetarët e Luginës nisen nga Gjilani për të votuar në Serbi

    Një numër i qytetarëve të Luginës janë nisur nga Gjilani për ta ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi që po mbahen sot.

    Transporti është siguruar falas nga Komuna e Gjilanit për të gjithë qytetarët e Luginës që jetojnë e veprojnë në Gjilan.

    “Ju njoftojmë se komuna e Gjilanit ka siguruar transportin për të gjithë ju që jetoni e veproni në Gjilan, për në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi. Për më shumë informata, ju lutemi të drejtoheni tek Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të komunës së Gjilanit. Të mobilizohemi për të vazhduar betejën për të vërtetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, kishte njoftuar të enjten kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

    Disa autobusë me qytetarë nga Lugina janë parë duke u nisur për në Serbi për të ushtruar të drejtën e votës.

    Sipas përditësimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë në Serbi nëpërmjet pikës kufitare Dheu i Bardhë në Gjilan, janë mbi dy orë.

    Pritje të gjata ka edhe në Jarinje, afro dy orë.

    Shqiptarët në zgjedhjet në Serbi po garojnë me dy lista. “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

  • E rëndë: Dy nga viktimat në Prizren dikur ishin futbollistë, reagon KF Gjakova

    E rëndë: Dy nga viktimat në Prizren dikur ishin futbollistë, reagon KF Gjakova

    Një ngjarje e rëndë mbrëmë tronditi tri familje shqiptare si dhe mbarë vendin. Tre të rinjtë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj humbën jetën tragjikisht, siç dyshohet, gjatë një gare ilegale me vetura në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Për vdekjen tragjike të Delijajt e Sylës ka reaguar klubi futbollistik “KF Gjakova”, duke bërë të ditur se dikur që të dy viktimat luanin për këtë ekip.

    Me këtë rast kryesia si dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave u kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave.

    “Lajm i kobshëm për të gjithë ne sonte humbën jetën tragjikishtë dy ishë futbollistët tanë Molos Delija dhe Lordi Syla. Ne si kryesi klubit Gjakova dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave shprehim ngushllimet më të sinqerta dy familjeve DELIA dhe SYLA për humbjen e dy më të dashurve të tyre. Qofshit banorë të Xhehnetit Molos dhe Lordi”, thuhet në reagimin e tyre.

  • Tre këmbësor të vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin në Prizren, policia del me detaje

    Tre këmbësor të vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin në Prizren, policia del me detaje

    Një person gjatë ngasjes mbrëmë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka goditur për vdekje tre këmbësorë.

    Si pasojë e aksidentit, përveç që tre personat e goditur kanë humbur jetën edhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime. Ata janë dërguar për tretman mjekësor.

    Policia ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 22:45.

    “Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion.“, njofton policia.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore“, thuhet në raportin e policisë.

  • Përmbytet fshati Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

    Përmbytet fshati Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Reshjet e shiut gjatë së enjtes përmbytën Fshatin Miradi e Epërme. Nën ujë mbeten shtëpitë e nëntë familjeve të cilat jetojnë në rrugën Lumi.

    “Komplet deri te dera ka ardhur uji, si t’ka reshje të mëdha, na jemi t’bllokum, as me kerr nuk mundemi me dal, pe shihni edhe vetë, dëme përgjatë shtëpisë, rrugë, ara…”, tha Xhavit Syla, banor.

    Bllokimi i rrugëve nga rrebeshi i shiut bën që edhe banorët të ngujohen brenda.

    “Sa herë ka reshje të tilla, fëmijët e kësaj lagjeje zor që mund të shkojnë në shkollë, njashtu edhe sot…”, tha Syla.

    I vetmi kontribut nga Komuna e Fushë-Kosovës ishte hedhja e dy kamionëve zhavorr në pjesët e cekëta muaj më parë, por sipas banorëve, nuk kreu punë.

    “Kanë qenë njëherë nuk e di çfarë kanë bërë këtu, diçka me një kompani me zall diçka, por asgjë, përsëri e njëjta situatë”, tha Selatin Syla, banor.

    Duke treguar se nuk është hera e parë që Fushë-Kosova përballet me përmbytje të tilla, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon më shumë angazhim nga Komuna.

    “Ne po e shohim situatën si po rrjedh, secila lagje, rrugë është më keq se tjetra, ndërkaq Komuna nuk e monitoron situatën asnjëherë, problemi qëndron edhe te ujërat e zeza”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.

    Përveç Fushë-Kosovës, telashe me përmbytje pati edhe në të dy anët e magjistrales Prishtinë-Ferizaj, e cila deri në mëngjesin e së premtes ishte e paqarkullueshme. Madje, në të dy komunat pati edhe ndërprerje të ujit të pijshëm, si pasojë e turbullimeve.

  • PDK-ja e ashpër me qeverinë për ndarjet buxhetore

    PDK-ja e ashpër me qeverinë për ndarjet buxhetore

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ministri i Financave i Qeverisë nën hije të PDK-së, Arben Mustafa, assesi të pajtohet me buxhetin e miratuar nga qeveria për vitin 2024.

    Teksa adresoi një sërë kritikash kundrejt qeverisë, ai tha se me këtë buxhet nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e as përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

    Sipas tij, Qeveria po eksperimenton me paranë publike, teksa shtoi se pjesa më e madhe e buxhetit është ndarë për projektet që është dashur të përfundonin deri në këtë kohë.

    Me gjithë këto, Mustafa druan se deri në fund të 2024-tës do të mund të realizohet buxheti i paraparë prej 3.3 miliardë, të cilin gjithashtu e quajti buxhet të varfër.

  • Mirëpritet ligji i ri për shërbimet sociale dhe familjare

    Mirëpritet ligji i ri për shërbimet sociale dhe familjare

    Zhvillimi i shërbimeve me bazë në komunitet, konkretisht zhvillimi i strehimit familjar pas arritjes së moshës 18-vjeçare, është një ndër pikat e reja të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

    Pas miratimit të Ligjit të ri, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka kërkuar që të merren veprime për implementim efikas të tij.

    Duke thënë se pritet të ngrihet cilësia e ofruesve të shërbimeve sociale, Remzie Krasniqi, nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, tha se me Ligjin e Ri, fëmijët e kësaj kategorie kanë më shumë mbështetje.

    Po ashtu, sipas Ligjit të Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, parashihet ndarje e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit.

    Ky Ligj është aprovuar të enjten nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. /atvlive.tv