ATV

Author: ATVLive

  • Letra e Serbisë, BE: Marrëveshja dhe shtojca, ligjërisht obliguese në tërësi

    Letra e Serbisë, BE: Marrëveshja dhe shtojca, ligjërisht obliguese në tërësi

    Raporti: Fatlum Jashari

    Zbatimi në tërësi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës Zbatuese të Ohrit, sipas Bashkimit Evropian, është detyrim ligjor për Kosovën dhe Serbinë.
    Bazë për këtë është neni 11 i Konventës së Vjenës për Traktatet.

    Qartësimi i qëndrimit të BE-së u bë një ditë pas letrës, në të cilën Serbia theksoi se ujditë e 27 Shkurtit dhe 18 Marsit janë të pranueshme vetëm në kontekstin që përjashton çfarëdo lloj njohje të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.

    “Bashkimi Evropian rithekson se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugës së tyre respektive evropiane. Marrëveshja me shtojcën e saj zbatuese u bë e detyrueshme nëpërmjet deklaratës së shkruar të Përfaqësuesit të Lartë, më 18 Mars 2023”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Pasi letrën e cilësoi goditje për perëndimin, profesori Dritëro Arifi tha se Serbisë iu bë e qartë se pa zbatim nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

    “Në njëfarë mënyre ka dalë kundër çfarëdo marrëveshjeje që ka nënshkruar apo që në të ardhmen e afërt çfarëdo që ndodh me këto marrëveshje. Kjo nënkupton një flakaresh i madh për BE-në, por edhe për SHBA-në, që Serbia nuk është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, BE-ja ka pasur një përgjigje shumë të saktë, të prerë për herë të parë, jo shumë me terma diplomatikë, por ka kërkuar në mënyrë eksplicite që marrëveshja të zbatohet në tërësi nga të dyja palët”, tha Arifi.

    Përkundër rreziqeve eventuale, në këto rrethana, ai vlerësoi se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me BE-në për zbatim të njëanshëm të obligimeve të saja, në këmbim të integrimit euro-atlantik.

    “Duhet kuptuar që pesë vendet e BE-së janë edhe katër vendet e NATO-s, që nëse e kemi një pëlqim nga ato vende dhe, po themi, një konfirmim që rruga jonë do të jetë drejt BE-së dhe NATO-s, atëherë nuk shoh pengesa të zbatimit të kësaj marrëveshje, sepse përfitimi i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të jetë shumë më i madh sesa marrëveshja, të cilën Kosova është e obliguar ta zbatojë”, tha Arifi.

    Në konkluzionet e miratuara më 12 Dhjetor, Këshilli për Çështje të Përgjithshme kërkoi nga Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë që të propozojnë shtimin e zbatimit e Marrëveshjes dhe Shtojcës, në Kapitullin 35 në rrugën integruese të Serbisë.

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit, shfaqet video incizimi pas momentit të vrasjes

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit, shfaqet video incizimi pas momentit të vrasjes

    Përgatiti: Nora Luta

    Kamerat e sigurisë nga objekti i partisë që e udhëhiqte Oliver Ivanoviqi kishin kapur vetëm momentet pas vrasjes së tij, më 16 janar të 2018-s. Pamjet nga ora 8:17 minuta e asaj dite janë shfaqur të premten, në gjykimin për vrasjen e ish-liderit serb, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Kjo video dhe të tjerat të shfaqura gjatë kësaj seance, sipas Prokurorisë Speciale, vërtetojnë se kamerat e sigurisë nuk kishin punuar nga 4 janari deri më 16 janar të 2018-s. Pas ambulancës, në vendin e ngjarjes arrin edhe policia, në mesin e tyre edhe akuzuari Nedelko Spasojeviq.

    Në video-incizimet shihen lëvizje të qytetarëve në oborrin e objektit të partisë, çka, sipas PSRK-së, dëshmon se Spasojeviq nuk e siguroi vendin e ngjarjes.

    E për veprimet e të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të Policisë, është sfiduar me pyetje ish-shefi i Njësisë rajonale Hetimore të Mitrovicës së Veriut, Nenad Simiq, i cili ishte në vendin e ngjarjes së vrasjes së Ivanoviqit dhe pjesë e hetimeve.

    Por, ishte vetëm një video-incizim që Simiq e kishte parë nga kamerat e sigurisë, nga e cila e kishte identifikuar të akuzuarin Dragisha Markoviq.

    Simiq u ftua të dëshmojë në këtë gjykim me ftesë të të akuzuarit Rade Basara, i cili pretendon se në kohën e vrasjes, nuk ishte në Kosovë dhe sipas Simiqit, ai ishte në pushim vjetor.

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit do të vazhdojë javën e ardhshme.

  • Sulmi në Banjskë, situata më e rrezikshme që kaloi vendi, që nga pavarësia

    Sulmi në Banjskë, situata më e rrezikshme që kaloi vendi, që nga pavarësia

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në krah me kryeministrin e kryekuvendarin hyri në sallën e Kuvendit.

    Një ulëse e veçantë ishte vendosur për të e më pas mori fjalën.

    Në fjalimin vjetor para deputetëve, presidentja Vjosa Osmani e konsideroi sulmin në Banjskë, të 24 shtatorit, ndër sfidat më të mëdha që kaloi Kosova që nga pavarësia.

    E para e shtetit tha se është punuar shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, derisa nuk munguan as falënderimet për aleatët.

    Në adresimin e saj, Osmani nuk la pa e përmendur edhe vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar nevojën për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.

    Fjalimin vjetor të presidentes e bojkotuan dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa e pranishme ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.

  • Spërkatësi kimik që përdor policia, me afat të skaduar

    Spërkatësi kimik që përdor policia, me afat të skaduar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Është njëra prej pajisjeve që shërben për ta neutralizuar rrezikun pa pasur nevojë të përdoret arma. Por, policët e Kosovës, spërkatësin kimik e kanë me afat të skaduar, dëshmon një raport i Inspektoratit Policor.

    “Policët e Kosovës ishin të pajisur me armë brezi, pranga, elektrik dore dhe spërkatës kimik dhe uniformat ishin të rregullta, por si problematikë u konstatua se spërkatësi në të gjitha rastet ka qenë me afat të skaduar, që nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në raportin e AMP & IPK.

    Përdorimi i spërkatësit me afat të skaduar vlerësohet të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

    Teksa u kërkua zgjidhje e shpejtë e problematikës, institucionet përkatëse u fajësuan për faktin se pjesëtarët e Policisë kanë mungesë të pajisjeve adekuate.

    Inspektorati Policor edhe më parë gjatë inspektimit në stacione ka hasur spërkatës kimikë dhe jelekë antiplumbë me afat të skaduar.

  • “Model Slovenia” dhe “Prisig” nderohen nga Oda Ekonomike

    “Model Slovenia” dhe “Prisig” nderohen nga Oda Ekonomike

    Oda Ekonomike e Kosovës edhe këtë vit ka ndarë shpërblime e mirënjohje për tatimpaguesit më të mirë për bizneset kosovare.

    Më mesin e 400 bizneseve, ndërmarrja ndërtimore Model Slovenia fitoi shpërblimin si tatimpaguesi më i mirë i vitit në Kosovë. Ky shpërblim kompanisë iu nda nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    E hapur në vitin 2008, sot, Model Slovenia numëron mbi 100 objekte banesore dhe është lider në tregun e Kosovës për ofrimin e hapësirave të përshtatshme për banim dhe për afarizëm.

    Misioni i Model Slovenisë është që t’iu ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë, ambient të ngrohtë për jetë të rehatshme familjare, të një standardi ndërkombëtar dhe me çmime të arsyeshme.

    Përveç ndërmarrjes Model Slovenia, mirënjohje për tatimpaguesin e vitit mori edhe kompania e sigurimeve Prisig, madje për të dytin vit radhazi.

    Me liberalizimin e vizave që për kosovarët vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm, PRISIG qëndron si zgjedhja kryesore për sigurimin e udhëtimit në Zonën Shengen, duke ofruar mbulim gjithëpërfshirës të udhëtimit.

    Në mesin e shumë kompanive kosovare që u nderuan këtë vit nga Oda Ekonomike, Model Slovenia e Prisig u nderuan për të disatën herë. /atvlive.tv

  • Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kampione të qeverisjes së mirë

    Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kampione të qeverisjes së mirë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku së bashku me Kryetarin Bedri Hamza, kanë ndjekur nga afër punimet e rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë.

    Krasniqi tha se Komuna e Mitrovicës dhe komunat tjera që udhëhiqen nga kryetarët që janë nga radhët e PDK-së, janë shembull i rikthimit të politikës në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, thuhet në komunikatë.

    “Unë jam krenar si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja siç është rasti i Bedri Hamzës, janë modeli më i mirë i qeverisjes, janë kampionet zyrtarë të Kosovës në qeverisjen e mirë, në transparencë buxhetore financiare, në realizim të projekteve, në realizimin e projekteve kapitale edhe në përmirësimin e dukshëm jo vetëm të infrastrukturës që tashmë është evidente po edhe në ofrimin e shërbimeve shumë më efikase edhe ndihmës për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, theksoi Krasniqi.

    Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se Qeveria Kurti përgjatë mandatit të saj nuk ka mbështetur realizimin e asnjë projekti në këtë komunë.

    “Katër vjet qeverisje, një shirit të një projekti kapital në Mitrovicë mos me e pre si rezultat i financimit të nivelit qendror, nuk është mirë”, shtoi Hamza.

    Gjatë vizitës së tij në Komunën e Mitrovicës, Krasniqi përcolli nga afër punimet për ndërtimin e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, ato në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Shipol dhe në rrugën “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja që lidh shëtitoren e qytetit dhe shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit Panoramik të qytetit.

  • ​Kurti: Mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia paraqet kërcënim të hapur për ne

    ​Kurti: Mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia paraqet kërcënim të hapur për ne

    Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, me të cilin bisedoi për punën e qeverisjes, situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë.

    Kurti shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizatat euro-atlantike.
    Ai tha se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, Kurti ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë më shumë marrëdhëniet bilaterale.

    Në takim u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

    Ndërkaq, për sa i takon dialogut, Kurti vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne.

  • ​KOMF mirëpret miratimin e Projektligjit për shërbime sociale e familjare

    ​KOMF mirëpret miratimin e Projektligjit për shërbime sociale e familjare

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka mirëpritur miratimin e Projektligjit të ri për shërbime sociale dhe familjare në Kuvendin e Kosovës. Në konferencë për media, KOMF në emër të 35 organizatave anëtare prezantoi qëndrimin e koalicionit, derisa u tha se ky projektligj do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve.

    Drejtoresha ekzekutive e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si koalicion bashkë me organizatat anëtare të koalicionit, kanë arritur të përfshijnë në këtë ligj vizionin e organizatave për të ardhmen e shërbimeve sociale.

    Kelmendi potencoi se Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare sjell shumë risi, duke përfshirë rritjen e gamës së shërbimeve, fuqizimin e shërbimeve të parandalimit, themelimin e shërbimeve të reja të parandalimit dhe fuqizimin e shërbimeve të mbrojtjes.

    Ajo shtoi se hartimi i këtij projektligjit ishte një proces i gjatë prej pesë viteve, për çka tregoi se ishin pjesë e grupit punues dhe pjesë integrale e gjithë procesit përgjatë hartimit.

    “Jemi shumë të lumtur që Kuvendi miratoi ligjin e ri për shërbime sociale dhe familjare, proces ky i pritur tashmë e sa kohë…Si koalicion bashkë me organizatat anëtare të koalicionit kemi arritur të përfshijmë në këtë ligj vizionin e organizatave për të ardhmen e shërbimeve sociale. Miratimi i këtij ligji hap zyrtarisht rrugën drejt reformës së shërbimeve sociale dhe familjare. Hartimi i projektligjit ishte një proces i gjatë prej pesë viteve ku ne ishim pjesë e grupit punues dhe pjesë integrale e gjithë procesit për gjatë hartimit…Në këtë rrugëtim si shoqëri civile ishim bashkë me institucionin e avokatit të popullit dhe ishim bashkë edhe me asociacionin e qendrave për punë sociale në Kosovë duke unifikuar qëndrimet tona dhe duke shtyrë këtë proces bashkërisht dhe me propozime të cilat i ofruam për avancimin e shërbimeve sociale në Kosovë…Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare sjellë shumë risi në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Fillimisht bën rritjen e gamës së shërbimeve duke fuqizuar shërbimet e parandalimit, themelimin e shërbimeve të reja të parandalimit, por edhe fuqizimin e shërbimeve të mbrojtjes”, tha Kelmendi.

    Ndër të tjera, drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se ky projektligj parasheh krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të ofruesve publik, jo qeveritar dhe atyre privat. Ajo shtoi se me rritjen e ofrueseve të shërbimeve sociale, pritet që rritet edhe cilësia dhe konkurrenca, për çka tha s këto shkojnë në dobi të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

    Ndërkaq, drejtoresha në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi tha se e kanë pritur me mjaftë gëzim miratimin e këtij ligji.

    Ajo shtoi se miratimi i këtij ligji paraqet moment që shënon një rrugëtim për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve sociale, por që sipas saj ndikon edhe në mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve që ajane në nevojë sociale.

    “Për ne si organizatë SOS fshatrat e fëmijëve e kanë pritur me mjaftë gëzim lajmin e aprovimit të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare. Një moment që shënon një rrugëtim për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve sociale, por edhe për të ndikuar në mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve që janë në nevojë sociale. Për ne sigurisht si organizatë dhe pjesë e KOMF është shumë me rëndësi që në këtë proces kemi qenë të përfshirë dhe përveç përfshirjes ka qenë edhe propozimet dhe rekomandimet e ardhura nga organizata që ofrojnë shërbime të tilla direkte 24 orëshe në forma dhe mbulueshmëri territoriale kanë qenë të pranueshme dhe janë konsideruar dhe përfshirë në këtë ligj. Kjo sigurisht që do të garantoj edhe jo vetëm ushtrimin e të drejtës së tyre për shërbime më të mirë, por do të garantojë edhe avancimin dhe mirëqenin e të gjithë fëmijëve në rrezik”, theksoi Krasniqi.

    Po ashtu, edhe drejtoresha në organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi u shpreh e lumtur për aprovimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

    Miratimin e këtij ligji, Krasniqi e quajti jashtëzakonisht pozitiv, për faktin se për herë të parë u aprovua forma e mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, për strehimin familjar.

    “Edhe ne si organizatë për fëmijët pa kujdes prindëror jemi jashtëzakonisht të lumtur që më në fund u aprovua ligji i shërbimeve sociale dhe familjare…Çka është jashtëzakonisht pozitive është që për herë të parë aprovohet tek forma e mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror për strehimin familjar. Për herë të parë njihet që të gjitha familjar strehuese që e ofrojnë këtë shërbim janë ofrues të shërbimeve. Është shumë pozitive, sepse tani do të fillojë edhe ndryshimi, ku do të kemi mundësi që të bëjmë edhe familje të specializuara për shkak që nevoja për vendosje të fëmijëve pa kujdes prindëror me probleme të shumta të bëhet edhe karshi specializimit të këtyre familjeve që janë të gatshme që të kujdesen 24 orë në 7 për fëmijët…Ne bashkërisht si ofrues të shërbimeve në bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal dhe nivelin qendror na jep sinjal që duhet patjetër që të punohet sa më shpejt në udhëzimet administrative”, potencoi Krasniqi.

    Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare sjell disa risi të cilat përfshijnë:

    Rritjen e gamës së shërbimeve, themelimin e shërbimeve të reja duke përcaktuar shërbimet e parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe re-integrimit, si dhe duke i klasifikuar shërbimet në tri kategori primare, sekondare dhe terciare, duke garantuar kështu të drejtën në shërbime sociale për të gjithë fëmijët dhe personat në nevojë për shërbime sociale, pa marrë parasysh nivelin e urgjencës apo rrezikshmërisë;

    Krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të sektorit publik, jo qeveritar dhe atij privat. Skema e hapur dhe e qëndrueshme e ofrimit të shërbimeve sociale në mes të institucioneve publike, sektorit jo qeveritar dhe privat, ofron mundësi për gamë më të gjerë të ofrimit të shërbimeve sociale, shërbime të specializuara dhe më cilësore;

    Zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, zgjerimin e formave të mbrojtjes, konkretisht zhvillimin e strehimit familjar pas arritjes së moshës 18 vjeçare zhvillimin e formës së re të mbrojtjes “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur”;

    Ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit;

    Ndarjen e funksionit të inspektimit dhe monitorimit, fuqizimin e inspektimit përmes dhënies së kompetencave ekzekutive, përcaktimin e masave, gjobave dhe sanksioneve si dhe ofrimin e kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e funksioneve të kërkuara;

    Rregullimin ekontraktimit të shërbimeve sociale dhe familjare;

    Ligji i ri për shërbime sociale dhe familjare është aprovuar dje (e enjte) nga Kuvendi i Republikës së Kosovës./kp

  • Kurti pret në takim Guerotin, për flasin për temat aktuale në vend

    Kurti pret në takim Guerotin, për flasin për temat aktuale në vend

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, raporton Gazeta Sinjali.

    Zyra e Kryeministrit njofton se në takim është diskutuar rreth nismave dhe bashkëpunimeve të mundshme në fushën e arsimit e teknologjisë së informacionit bazuar në përvojat e shtetit francez, si dhe për mundësitë që ofron Kosova dhe planet në zbatim të Qeverisë në sektorin e energjisë, përkatësisht në atë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

    “Ata folën Gjatë bisedës, u trajtuan edhe temat e zhvillimet aktuale, që përfshijnë mbarëvajtjen e deritanishme të procesit të konvertimit të targave ilegale dhe regjistrimit të veturave me targa RKS dhe procesi që parashihet me udhëzimin administrativ për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”, thuhet në komunikatë.

    Kujtojmë se para Guerot, Kurti priti në takim edhe zyrtarët amerikanë, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland.

  • Shqipëri, rinis bora në veri dhe juglindje

    Shqipëri, rinis bora në veri dhe juglindje

    Veriu dhe juglindja e Shqipërisë janë përfshirë nga reshje të dendura të borës. Flokët e bardhë kanë sjellë pamje magjepsëse nga zonat turistike në Korçë.

    Bardhësia që ka mbuluar Dardhën, Voskopojën dhe Vithkuqin e më tej sjellin imazhe të rralla.

    Pas situatës së krijuar në nëntor ku kompanitë e pastrimit të rrugëve u gjetën të papërgatitur, këtë radhë borëpastrueset kanë punuar edhe gjatë natës për të mbajtur hapur rrugët

    I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës ka qenë i përfshirë nga reshje shiu dhe në lartësinë mbi 700 m reshje bore.

    Mëngjesi i kësaj të premte e ka gjetur Shishtavecin deri në 30 centimetra borë. Edhe Valbona u mbulua nga velloja e bardhë që në orët e para kapërceu pesë centimetra.

    Ndërsa bora thërret për më shumë turistë që kërkojnë të shijojnë pamjet e mbuluara me të bardhë, nga ngrohtësia e oxhakut që ofrojnë shtëpitë e pushimit, në rrugë vijon kontrolli me mjete.

    Kriposja e akseve dhe largimi i borës ka bërë të mundur që qarkullimi të vijojë normalisht dhe pa pengesa.

    Megjithatë në zonat e përfshira nga ngricat policia apelon të përdoren zinxhirët./OraNews