ATV

Author: ATVLive

  • Ushtarët e FSK-së ka vite që s’u pajisën me çizme, tenderi prapë në OSHP

    Ushtarët e FSK-së ka vite që s’u pajisën me çizme, tenderi prapë në OSHP

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë rrezikojnë që edhe këtë dimër ta kalojnë me çizme të vjetra. Teksa OSHP-ja, tenderin e hapur në qershor të vitit të kaluar, e ka kthyer dy herë në rivlerësim, Ministria e Mbrojtjes për herën e tretë e rekomandoi fitues operatorin ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”

    Mirëpo, tenderi për “Furnizim me Çizme Ushtarake” ka përfunduar përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Grupi i operatorëve “Furkan Rada B.I & OZKAN KUNDURA” që nga Ministria e Mbrojtjes ishte shpallur fitues dy herë, ka paraqitur ankesë.

    Kompania ankuese pretendon se buxheti i Kosovës mund të dëmtohet nga vendimi i Autoritetit Kontraktues.

    Ministria e Mbrojtjes në anën tjetër i ka mohuar të gjitha këto pretendime.

    “Është rekomanduar Operatori Ekonomik më i lirë, sipas kriterit të dhënies “Tenderi i Përgjegjshëm me çmimin më të lirë” dhe i gjithë procesi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Tenderi 2 milionë eurosh, parashihte që brenda 36 muajve ushtarët të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.

  • Nënkalimi afër QKUK-së, i mbushur me ujë

    Nënkalimi afër QKUK-së, i mbushur me ujë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Pas reshjeve të shiut ditëve të fundit, nënkalimi në hyrje të lagjes Veternik është bërë gati i pakalueshëm.

    Përveç ujit, aty janë grumbulluar edhe mbeturina, gjë e cila vështirëson lëvizjen e qytetarëve.

    “A m’patë si e kalova. Njerëzit që vinë me gjendje të keqe shëndetësore, ose fëmijët. Është e tmerrshme ky nënkalim sa oshtë ndërtu, oshtë e tmerrshme”, thotë një qytetar.

    “Oshtë e vështirë se p.sh., unë vi e shkoj në shkollë përmes këtij nënkalimi e shpesh kur është me ujëra mujna me rrëshit e me u rrëzu… plot herë po duhet me ecë nëpër rrugë, nëpër rrugë kryesore me kalu”, tha një nxënës.

    Megjithatë, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, tha se do të intervenohet për pastrimin e nënkalimit.

    “Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike do të kujdesemi për pastrimin e nënkalimit gjithmonë, ndërkohë për të investuar në pjesën e Infrastrukturës duhet të intervenojë Drejtoria e Investimeve Kapitale”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.

    Me telashe të njëjta qytetarët po përballen edhe nëpër nënkalime të tjera, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

  • Kategoritë e dala nga lufta insistojnë se janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë

    Kategoritë e dala nga lufta insistojnë se janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pas publikimit të lajmit nga ATV-ja se disa kategori të dala nga lufta janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë, ka reaguar Ministri i Financave Hekuran Murati.

    Por, postimi i ministrit Murati nuk e sqaron situatën për këto kategori.

    Sipas ministrit këto kategori të dala nga lufta duhet të aplikojnë për subvencionim. Por, Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, specifikon se këto kategori gëzojnë të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë.

    Vendimi të cilit i referohej ministri Murati, e që është miratuar në Qeveri më 19 tetor, as nuk ishte i publikuar në ueb-faqen e Qeverisë e as në atë të Ministrisë së Financave.

    Ministri Murati, në reagimin e tij publikoi vetëm një faqe të vendimit, duke përmendur pikën B, ndryshe definimin e termeve të vendimit të ri, sipas të cilit vetëm invalidët e luftës përjashtohen nga aplikimi për subvencion për familje me të hyra mujore prej 150 eurosh për person dhe nuk përmenden kategoritë e tjera.

    ATV-ja madje kishte tentuar të sqarojë pretendimet e organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, por askush nuk dha sqarime. Madje edhe tentimi për të pyetur vetë ministrin nuk ishte i mundur.

    Në mungesë të përgjigjes së ministrit, shqetësimet e kategorive të dala nga lufta u adresuan me email. Por, Ministria e Financave asnjëherë nuk ktheu përgjigje, ndërkaq ATV-ja mori përgjigje vetëm nga zëdhënësi i Qeverisë, përgjigje e cila ishte e përgjithshme dhe nuk sqaronte situatën e kategorive të dala nga lufta.

    Ndërkaq nga Shoqata e Invalidëve të Luftës thirren në ligj me qëndrimin se dispozita ligjore nuk shfuqizohet me vendim.

    Andaj, sipas Qeriqit, ministri Murati po manipulon, pasi subvencionimin e gëzonin pa asnjë kriter dhe, sipas tij, janë përjashtuar si kategori të luftës.

    Sipas ligjit neni 8 parasheh reduktim të tarifës për rrymë për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, neni 9 përfshin invalidët e UÇK-së dhe neni 13 përfshin familjet e viktimave civile të luftës.

  • Një 60-vjeçar kapet në flagrancë nga Policia në Skenderaj

    Një 60-vjeçar kapet në flagrancë nga Policia në Skenderaj

    Të hënën në fshatin Prelloc të Skenderajt, një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë, ka hasur në një veturë të dyshimt.

    Gjatë kontrollit, te shoferi është gjetur një armë pa leje, një mjet i mprehtë dhe disa fishekë.

    Pas përfundimit të kontrollit policor, arma dhe mjeti i mprehtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, sipas sinjalit.

    Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

  • ​Pendarovski: Sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen nga institucionet vendase

    ​Pendarovski: Sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen nga institucionet vendase

    Pastrim i gjyqësorit, prokurorisë dhe politikës, ishte thirrja që bëri presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit para deputetëve, të fundit të këtij mandati.

    Ai tha se lihet përshtypja se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë luftëtarë më të vendosur kundër korrupsionit te ne sesa institucionet e vendit. Ai shtoi se sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen me sanksione vendase.

    “Dua t’i rekomandoj parlamentit të ardhshëm atë që tashmë e kam propozuar publikisht disa herë: menjëherë pas zgjedhjeve të zbatojmë pastrim edhe te gjykatësit edhe te prokurorët, por së pari, te ne – politikanë. Dhe për secilin, për të cilin nuk ka arsyetim logjik si është bërë milioner me rrogë shtetërore, duhet të ketë menjëherë jo vetëm dorëheqje por edhe procedurë penale”, tha Pendarovski.

    Ai tha se fundi i vitit 2023 na e solli hidhërimin më të madh në dekadën e fundit, meqë nëpërmjet tragjedisë personale të Vanjës së vogël dhe të familjes së saj, mund ta shihnim si në pëllëmbë të gjithë patologjinë e tranzicionit, ambientin të cilin, siç tha ai, të gjithë e krijuam në 32 vitet e kaluara.

    “Ambient në të cilin, në hapësirën publike toleruam jo-njerëzit të cilët propagandonin urrejtje dhe intolerancë ndëretnike, ideologji agresive, gjuhë të urrejtjes, kanë bërë publikisht kërcënime për linçim të individëve dhe likuidime të kundërshtarëve politikë. Duhej secili prej nesh, kurse veçanërisht ne politikanë, të flasim më shpesh dhe më zëshëm kundër këtyre dukurive, në vend që të besojmë në fuqinë e sistemit tonë demokratik se do të mund t’i tolerojë dhe absorbojë ekstremet e tilla”, deklaroi Pendarovski.

    Ai tha se marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe orientimi properëndimor janë dy gjëra që duhet t’i ruajmë edhe pas zgjedhjeve.

    “Entuziazmi midis qytetarëve për anëtarësim në BE po bie dramatikisht, gjendemi në pikën kritike dhe ky është shansi i fundit që ta ruajmë mbështetjen shumicë për negociatat të cilat kanë gjithmonë efekt neutralizues përkundrejt strukturave të cilat duan ta minojnë demokracinë. Në raport me ndryshimet kushtetuese, përbërja e ardhme parlamentare duhet ta vazhdojë debatin mbi baza reale dhe me një raport shumë më të ndershëm ndaj opinionit maqedonas. Është e qartë si kristal se korniza evropiane nuk mund të ndryshojë për më mirë, as marrëveshja bilaterale me Bullgarinë, pavarësisht se kush është në pushtet në Bruksel apo në Sofje”, tha Stevo Pendarovski, President.

    Pendarovski u fokusua edhe në ikjen e popullsisë. Sipas tij, të gjitha bashkësitë etnike janë më pak në numra absolutë dhe se asnjë bashkësi etnike nuk “e rrezikon” tjetrën, por “se të gjithë jemi të rrezikuar”. Ai tha se nevojitet urgjentisht strategji demografike, por e mbështetur nga pushteti dhe opozita.

    Ai foli edhe për ruajtjen e identitetit gjatë negociatave me BE-në, si dhe për rëndësinë që kishte anëtarësimi në NATO. /Alsat.mk

  • Studentja e Kolegjit AAB si gjyqtare nga Kosova ndan drejtësinë në ndeshjet ndërkombëtare

    Studentja e Kolegjit AAB si gjyqtare nga Kosova ndan drejtësinë në ndeshjet ndërkombëtare

    Fitore Govori, studente e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB ishte pjesë e ekipit të gjyqtareve në ndeshjen mes Maltës dhe Latvisë si pjesë e UEFA Women’s Nations League.

    Kjo ndeshje u zhvillua në stadiumin Ta’ Qali (Centenary Stadium) të Maltës, ku Fitorja me sukses ndau drejtësinë për dy ekipet dhe përfaqësoi Kosovën denjësisht.

    Përveç Fitores edhe dy gjyqtaret tjera nga Kosova, Rita Vehapi dhe Lumturije Muhadri ishin pjesë e pesë ndeshjeve tjera nga kjo ligë.

  • ​Stuhitë në verilindje të SHBA-së lënë të vdekur katër persona

    ​Stuhitë në verilindje të SHBA-së lënë të vdekur katër persona

    Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një stuhie masive që ka goditur në lindje të SHBA-së, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike, përmbytje dhe vonesa të fluturimeve.

    Një grua vdiq nga përmbytjet jashtë Charleston, Karolina e Jugut, dhe tre burra në shtetet verilindore u vranë ndërsa stuhia u zhvendos drejt Kanadasë.

    Miliona banorë të Bregut Lindor ishin nën vëzhgimin e përmbytjeve dhe më shumë se 600.000 ishin pa energji të martën në mëngjes. Duke u zgjatur deri të martën, stuhia pritej të pengonte udhëtimet për pushime.

    Moti solli shi të madh që çoi në përmbytje të lumenjve, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA (NWS).

    Shkollat në të gjithë rajonin e New England janë detyruar gjithashtu të anulojnë ose vonojnë mësimet për shkak të kushteve të rrugës. Mot më i thatë pritet në ditët në vijim, sipas NWS. /BBC

  • “Jemi duke zhvilluar hetime intensive”- Deklarohen nga Prokuroria për vrasjen e Liridona Ademajt

    “Jemi duke zhvilluar hetime intensive”- Deklarohen nga Prokuroria për vrasjen e Liridona Ademajt

    Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime intensive rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt. Deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar katër persona përfshirë bashkëshortin, Naim Murseli që dyshohet se ka porositur vrasjen e saj. E në paraburgim bashkë me Murselin gjenden edhe dorasi, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj. Ajo u vra më 29 nëntor, në mënyrë makabre në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Bërnicë, të Prishtinës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke kryer hetime intensive lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor të këtij viti.

    Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Liridona Ademaj ka thënë për Express, se policia me institucionet relevante po punojnë në mënyrë intensive që ky rast ta merr epilogun përfundimtar.

    Ndërkaq tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje të tjera.

    “Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për këtë çështje penale mund t’iu njoftojmë se prokuroria në koordinim të plotë me policinë e institucionet relevante po punojnë intensivisht që ky rast ta merr epilogun përfundimtar. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim detaje nga hetimet, deri në një fazë tjetër”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq ishte kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi ai që deklaroi se hetimet kanë marrë drejtimin e duhur, por ka shtuar se ato se mund të zgjasin deri në dy vjet.

    Munishi theksoi në Euronews Albania se rasti po trajtohet nga një prokurore serbe, pasi prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vetë rastin.

    “Hetimet kanë marrë drejtimin e duhur dhe puna që është bërë deri tani është një punë e arrirë. Nuk mund të them saktësisht se sa kohë do të marrë specifikisht kjo ngjarje, por për hetime dhe dosje të tilla mund të duhen deri në dy vite kohë as sa dhe është e parashikuar ligjërisht. Hetimet kanë një afat njëvjeçar por mund të shtyhen edhe në afat dyvjeçar. Hetimet kanë arritur në një pikë të caktuar, por nuk mund të kemi një datë të saktë për përfundimin e tyre dhe nuk mund të ndajmë detaje se çfarë kemi zbuluar deri tani për shkak të sekretit hetimor”, tha Munishi në Euronews.al.

    Kryeprokurori deklaroi tutje se nuk mund të ketë informacione nëse pritet që të arrestohet edhe ndonjë person tjetër për këtë rast.

    “Nuk mund të them nëse do të ketë persona të tjerë që do të shoqërohen apo arrestohen për këtë ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik. Sa i përket prokurores së çështjes, është e vërtetë që ajo është serbe dhe po e heton e vetme rastin. Nëse do të ketë nevojë për shtimin e ekipit, sigurisht që kjo do të ndodhë. Prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vet çështjen, pasi ngjarja ndodhi kur ishte ajo në turn, ajo ka bërë hetimet paraprake dhe aty ka përfunduar puna e saj. Më pas bazuar në procedurat ligjore, shqyrtohen numra rendor të planifikuar më herët dhe kësaj radhe rasti i takonte prokurores aktuale. Në përfundim të të gjithë procesit hetimor do të ketë dhe një njoftim nga Prokuroria e Prishtinës për vrasjen e Liridona Ademajt” tha ai.

    Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

    Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

    Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

    Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

    Së fundmi Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim edhe të dyshuarit të katërt për këtë rast. Fjala është për Tomë Dodaj.

    Dodaj dyshohet t’ia ketë shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës në ditën kur është kryer vrasja.

    Kështu thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M”, thuhet në vendim.

  • Kurti takoi 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian

    Kurti takoi 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian

    Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takuan sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, arritje të cilën e festuan nën ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

    Kurti para studentëve u shpreh shumë krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa i uroi suksese të mëtejme.

    “Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1.000 euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, tha kryeministri duke kujtuar se synimi për vitin e ardhshëm është dyfishimi i numrit.

    Përveç studentëve, përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Njëkohësisht, vazhdon të ketë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale e gjimnaze, si dhe vende te rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo shumicë në institucionet e arsimit të lartë.

    Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, tha se një qeveri e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin dhe një shtet që i krijon kushtet të rinjve ta arrijnë maksimumin e potencialit të vet, “kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë”.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.

    Me arsimin në prioritet, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të ketë kushte më të mira për mësim dhe mbështetje të nevojshme për të vazhduar studimet dhe ngritjen akademike e profesionale.

    Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre, dhe në të njëjtën kohë falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen.

  • Tejkaluan në vijë të plotë, policia gjobit dy kundërvajtës

    Tejkaluan në vijë të plotë, policia gjobit dy kundërvajtës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjobitur dy persona pasi kishin bërë tejkalim në vijë të plotë.

    “Zyrtarët policor të stacionit në Kamenicë gjatë kontrollit në trafik, kanë hasur në dy kundërvajtës të cilët kanë bërë tejkalim në vijë të plotë me të cilin veprim kanë rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat në trafikun rrugor”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se për secilin nga ta janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 150 euro, 2 pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes në afat prej 3 muaj.