ATV

Author: ATVLive

  • Prestigjiozja ‘Goal’ e vendos Muriqin në vendin e parë në Evropë për një statistikë interesante

    Prestigjiozja ‘Goal’ e vendos Muriqin në vendin e parë në Evropë për një statistikë interesante

    Sajti prestigjioz i sportit ‘Goal.com’ e ka vendosur sulmuesin kosovar, Vedat Muriqin, në pozitën e parë për futbollistin që ka mbetur më së shumti në pozicion jashtë loje.

    Ndonëse ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje këtë edicion, Muriqi është zënë plotë 19 herë në “offside”.

    Reprezentuesi kosovar është renditur në pozitën e parë për këtë statistikë, duke lënë pas vetes Moratan e Diakiten, që kishin mbetur 18 herë në pozicion jashtë loje.

    Në pozitën e katërt ndodhet super sulmuesi i Napolit, Viktor Osimhen. Ai ka regjistruar 17 pozicion jashtë loje gjatë ndeshjeve me Napolin.

  • Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, i bëri thirrje BE-së dhe ShBA-së që të insistojnë në hetimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e bëjnë veten krejtësisht jo bindëse nëse vazhdojnë të banalizojnë ngjarjet në Serbi. Zgjedhjet duhet të kontrollohen dhe të përsëriten. Regjimi serb duhet të ndalojë politikën e sharrave mes Rusisë dhe Perëndimit. Vuçiqi kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Roth në rrjetin social X (ish-Twitter).

    Së bashku me komentin e tij, Roth ndau një tekst autorial të Dragan Gjilas për “Politico”, në të cilin kreu i Partisë Liri dhe Drejtësi vlerëson se edhe në botën e sotme komplekse, mbështetja perëndimore për Vuçiqin, i cili akuzon Perëndimin për nxitjen e trazirave në vendin e tij, është befasuese.

    Kjo nuk është hera e parë që Roth i ka bërë thirrje BE-së dhe ShBA-së që të ndryshojnë politikën e tyre ndaj Serbisë, prandaj kryeministrja Ana Bërnabiq e akuzoi dikur në rrjetet sociale për “përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër Serbisë”.

  • Nuk ndalet Serbia, ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Nuk ndalet Serbia, ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj, njoftoi Ministria serbe e Mbrojtjes më 4 janar.

    Ky propozim erdhi në kohën kur situata e sigurisë në Ballkan konsiderohet të jetë e brishtë, pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku nga grupi terrorist serb mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Ndërkaq, siç thuhet në deklaratën e Minitsrisw serbe tw Mbrojtjes, ky propozim është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

    “Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral, i cili imponoi nevojën e përshtatjes së modelit të plotësimit të ushtrisë që do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm, rekrutim dhe trajnim të një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”, thuhet në njoftim.

    Paraprakisht, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka paralajmëruar fillimin e procedurës parlamentare për vendimin e anuluar për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rishikimin e ligjit që rregullon këtë detyrim.

    Më 4 janar, Vuçeviq i tha televizionit Happy se nisma po fillon në bazë të një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend dhe se shumë vende evropiane po riaktivizojnë detyrimin për të shërbyer në ushtri.

    Ai deklaroi se nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak për 13 vjet dhe se ushtria “tash ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë”, shkruan rel.

    Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

    Tema e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është e re në deklaratat e zyrtarëve.

    Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.

    Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.

    Në rast se qeveria aktuale vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rivendosen atë.

    Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro.

  • Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe shkon në Rahovec, publikohen fotografitë

    Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe shkon në Rahovec, publikohen fotografitë

    Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije ka vizituar sot banorët serbë në Rahovec dhe ka vizituar punimet për restaurimin e kishës së Fjetjes së Shën Mërisë.

    Patriarku u prit në Rahovec nga ipeshkvi i Rashkës së Prizrenit Teodosije.

    Në mesin e disa qindra serbëve kishte edhe të rinj me fëmijë, të cilëve patriarku u dhuroi falënderime dhe dhurata.

  • Në tri ditët e para të janarit, mbi 10 mijë udhëtarë më shumë në Aeroportin e Prishtinës

    Në tri ditët e para të janarit, mbi 10 mijë udhëtarë më shumë në Aeroportin e Prishtinës

    Vetëm në tri ditët e para të janarit, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë udhëtuar 11 mijë e 742 udhëtarë më shumë, se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Kështu ka bërë të ditur për “Indeksonline”, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Valentina Gara.

    “Vetëm në tri ditët e para të janarit 2024 është rritur për mbi 10 mijë, numri i udhëtarëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.Nga 1 Janari deri me 3 janar 2023, kanë qenë 20 mijë e 163 udhëtarë. Ndërkaq nga 1-3 janar 2024, janë 31 mijë e 905 udhtarë. Që i bie 11 mijë e 742 udhëtarë më shumë“, ka thënë Gara.

    Ndryshe që nga liberalizimi i vizave me 1 janar 2024, vërehet fluks i madh i qytetarëve, të cilët po udhëtojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

  • Vritet imami i një xhamie në New Jersey

    Vritet imami i një xhamie në New Jersey

    Imami i një xhamie në Newark, New Jersey, është vrarë nga një sulmues ende i paidentifikuar që më pas është arratisur.

    Autoritetet kanë thënë se besojnë se vrasja e imamit Hassan Sharif nuk ishte e motivuar nga terrorizmi.

    Sharif u gjet me disa plagë plumbash jashtë xhamisë së tij, raportoi BBC.

    Ai u dërgua në spital por nuk mbijetoi.

    Prokurori i Përgjithshëm i New Jerseyt, Matthew Platkin, ka thënë se hetuesit zakonisht nuk do të bënin publike informacione të tilla kaq herët, por se rritja e urrejtjes kundër komunitetit mysliman i ka bërë që të zbulojnë të gjeturat e para.

    Një shpërblim prej 25,000 dollarësh është ofruar për këdo që jep informacione mbi vrasësin.

  • Futbollisti i vitit pritet të largohet nga Kosova, skuadra evropiane shpreh interesim për Dellovën

    Futbollisti i vitit pritet të largohet nga Kosova, skuadra evropiane shpreh interesim për Dellovën

    Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2023, Lumbardh Dellova është duke u kërkuar nga skuadra të ndryshme evropiane. Së fundmi, pëlqim për qendërmbrojtësin kosovar ka shprehur edhe skuadra rumune, Universiteti i Krajovës.

    Trajneri i skuadrës rumune, Ivaylo Petev ka kërkuar një qendërmbrojtës në skuadrën e tij dhe sipas informacioneve të fundit nga Rumania në radhë të parë është Lumbardh Dellova.

    Dellova po shihet si transferimi i duhur te skuadra që ndodhet në pozitën e tretë në Superligën e Rumanisë, duke marrë parasysh performancën e tij të mirë me Ballkanin e Kosovën.

    Një tjetër pikë e rëndësishme thuhet të jetë edhe marrëveshja e Dellovës me Ballkanin, e cila skadon në verë.

    Dellova ka fituar 3 herë titullin e kampionit në Kosovë me Ballkanin, teksa ka fituar edhe Kupën e Kroacisë me Hajdukun.

  • Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Viti 2024 nuk po fillon aq mirë për sa i përket sektorit elektroenergjetik.

    Kjo, pasi prodhimi vendor nuk po ecën si duhet dhe si pasojë vendi po detyrohet të importojë mbi 1 milion euro energji në ditë për të mbuluar konsumin.

    E gjithë situata është përkeqësuar pas paralajmërimit të KEK-ut për ta ndalë një bllok që prodhon 250 megavatë në orë energji elektrike, rrjedhimisht njësinë B1.

    Siç raporton portali Fakteplus, kjo njësi do të jetë jashtë për 48 orët e ardhshme, që nënkupton se do ti kushtojë Kosovës së paku 2 milionë euro energji nga jashtë. Ndalja e këtij blloku po bëhet pas disa muajve që ka hyrë në funksion, pas riparimit goxha të gjatë.

    Sipas KESCO-s, në kohë piku, pritet të importohet gati gjysma e energjisë që do të konsumohet.

    “Kemi paraparë të importojmë deri në afro 600 megavatë në orë energji elektrike. Pra, në orën 23:00 të së enjtes parashihet të importohen 598 megavatë energji elektrike. Ne po importojmë një sasi të madhe vetëm që qytetarët të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.

    Sipas saj, çmimi, bashkë me transportin e saj kap shifrën e mbi 100 eurove për një megavat, përderisa importi i kontraktuar vetëm për ditën e enjte ka arritur në 1.1 milionë euro.

    Pas ndaljes së njësisë B1 prodhimi vendor është nën 600 MWh, ndërsa konsumi në pikun e tij pritet të arrijë deri në 1200 MWh.

    Jashtë gjithë kësaj sasie është veriu i vendit që furnizohet nga kompania Elektrosever, e cila e ka marrë detyrën dhe ka filluar me operimet në terren nga 1 janari i këtij viti. Pjesa veriore e vendit konsumon rreth 5 për qind të totalit të energjisë elektrike, ndërsa qytetarët kosovarë të asaj ane do të paguajnë në fund të muajit faturat për herë të parë paslufte.

    Nga viti 2017 ato para janë paguar nga Buxheti i Kosovës, ndërsa furnizimin e tyre e ka bërë KOSTT, kompani publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

  • Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Përleshje masive mes Policisë së Kosovës dhe disa mërgimtarëve ka ndodhur para pak çastesh në Merdarë.

    Në videon e siguruar nga ATV shihen disa mërgimtarë duke u përleshur me Policinë, në mesin e tyre edhe gra.

    ATV mëson se arsyeja e këtij konflikti është tejkalimi i kolonës.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, ndërsa kanë pësuar lëndime trupore dy zyrtarë policorë.

    “Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ahmeti.

  • Telekomi e fiton edhe një rast në arbitrazh

    Telekomi e fiton edhe një rast në arbitrazh

    Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, njofton aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015.

    Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Po të pranonte Telekomi imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë € më tepër!

    Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro. Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.

    E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit. Përkundër kësaj, ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka inicuar një proces të dytë.

    Së dyti, përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim.

    Telekomi i Kosovës është kompani publike pronë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi të lumtur që edhe biznese ose qytetarë të ndryshëm gjenerojnë të hyra në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë përmes biznesit me Telekomin e Kosovës, ashtu siç Telekomi i Kosovës gjeneron të hyra nga bizneset dhe qytetarët e Republikës. Mirëpo, jemi të vendosur që askënd të mos e lejojmë që të dëmtojë Telekomin e Kosovës, përmes kontratave të dëmshme, interpretimeve të njëanshme në dëm të Telekomit ose formave tjera jo të ligjshme dhe jashtë normave standarde të të bërit biznes. Këtë e sigurojmë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mënyrë strikte, të drejtë dhe profesionale pa dallim, ndaj kujtdo qoftë që ka synime që të dëmtojë pronën publike.