ATV

Author: ATVLive

  • Kosova nënshkruan marrëveshje me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që kanë pasaporta diplomatike dhe zyrtare

    Kosova nënshkruan marrëveshje me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që kanë pasaporta diplomatike dhe zyrtare

    Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshje zyrtare me Arabinë Saudite për lirim nga vizat për ata që janë ta pajisur me pasaporta diplomatike dhe zyrtare.

    Marrëveshja është nënshkruar sot në Riad nga zv.ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij Waleed Abdulkarim El Khereiji.

    “Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, z. El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhet në njoftim.

    “Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy shteteve, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar Arabinë Saudite për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm për Republikën e Kosovës. Z. Ahmeti kërkoi që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë procedura më të lehta për hyrje në Arabinë Saudite.Takimi u përmbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes për Heqjen Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Pasaportave Zyrtare”, përfundon komunikata.

  • Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Gashi: UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë, nuk e kam njohur e as s’e kam parë Pjetër Shalën gjatë luftës

    Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se sa iu kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

    “Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.

    Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se ata janë merrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrrestu, le më civilë shqiptarë”, shtoi ai.

    Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.

    Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kurrë në jetë nuk e kam njoftë atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

    I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

    Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.

    Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

    Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.

    “Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kry ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qënë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

    I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.

    “Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shku me 4-5 shokë për me marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thash jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalë pak kemi pushu. Nuk thash që kemi nejtë në Kukës, po kemi shku në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk iu kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.

    Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.

    “Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.

  • Aliu tregon se deri kur do të kemi temperaturat e ulëta në Kosovës

    Aliu tregon se deri kur do të kemi temperaturat e ulëta në Kosovës

    Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për emisionin A LIVE në ATV, tha se temperaturat e ulëta do të mbretërojnë në Kosovë deri në fund të javës.

    “Nga dita e djeshme, vendi i ynë është futur në zonën me presion të ulët atmosferik, kështu që masat ajrore të cilat kanë ardhur nga pjesa veriore e kontinentit janë masa polare të ftohta. Ato do të jenë të qëndrueshme, pavarësisht pse presioni tash vetëm se është rritur, por që masat e ftohta të ajrit do të jenë të qëndrueshme gjatë gjithë javës, duke krijuar kushte për mot kryesisht të vranët dhe me intervale me diell, por diell i ftohtë ta quaj ashtu pasi që temperaturat minimale do të ulën deri në -6 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës nuk parashihen të kalojnë mbi 1 apo 2 gradë Celsius, deri në fundjavë”, tha Aliu.

    Ai tregoi se si pasojë e temperaturave të ulëta, rrugët në vendin tonë janë të rrezikshme, pasi që sipas tij, janë krijuar shtresa të akullta në to.

    “Edhe tani kur po raportojmë, janë -2, -3 gradë Celsius në gjithë territorin e Kosovës, kështu që rrugët janë shumë të rrezikshme, janë të rrëshqitshme si në viset e ulëta po ashtu edhe në viset e larta malore, pavarësisht se patën pak reshje të borës, por janë krijuar shtresa të akullta nëpër të gjitha rrugët e Kosovës”, tha Aliu. /atvlive.tv

  • Brajshori: Uniforma në shkolla duhet të jetë obligative nëpër të gjitha shkollat

    Brajshori: Uniforma në shkolla duhet të jetë obligative nëpër të gjitha shkollat

    Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar vendimin për uniform në shkolla, tha se drejtoritë e Arsimit nëpër komuna si dhe Ministria e Arsimit do të duhej ta bënin obligative bartjen e uniformës.

    “Me aq sa kam parë unë nëpër shkolla, rregullorja e shkollës e obligon, pra në qoftë se është marrë vendim nga Këshilli Drejtues i Shkollës, të ketë uniformë, pra në shkolla është kod i veshjes. Mendoj se edhe drejtoria e Arsimit e komunave, edhe Ministria e Arsimit do të duhej që ta bënte obligative bartjen e uniformës”, tha Brajshori.

    Ai tha se, në rast që prindërit më kushte jo të mira ekonomike nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet e uniformave, do të duhej të ndërhynte shteti, në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë uniforma.

    “Ka raste kur prindërit ankohen se uniforma është paksa e shtrenjtë, mirëpo edhe në këtë rast mblidhen fonde nga shumica e klasës, pra dikush i ka kushtet më të mira ekonomike, i jep para më shumë dhe në këtë mënyrë mbulohet, apo ndoshta edhe shteti është dashur të reagojë në raste të tilla, të identifikohen personat të cilët nuk kanë mundësi dhe t’iu paguhet nga shteti uniforma, mirëpo uniforma gjithsesi duhet të jetë nëpër shkolla”, tha Brajshori. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në A LIVE, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kumnova-Baçi: Nxënësit në shumicën e shkollave në Komunën e Gjakovës e bartin uniformën

    Kumnova-Baçi: Nxënësit në shumicën e shkollave në Komunën e Gjakovës e bartin uniformën

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, në një prononcim për ATV-në, tha se nxënësit në shumicën e shkollave në Komunën e Gjakovës e bartin uniformën.

    “Ka shkolla në Komunën Gjakovës të cilat me iniciativën KDSH-së e kanë zgjidhë këtë problem siç janë shkolla “Mustafa Bakia”, shkolla “Femi Agani”, shkollat e mesme, gjimnazi, shkolla teknike dhe shkolla ekonomike, po ashtu edhe e mjekësisë i bartë uniformat, kurse në proces të mbajtjes së mbledhjeve të KDSH-ve dhe marrjes së vendimeve janë disa shkolla të tjera”, tha Kumnova-Baçi.

    Ajo tha se edhe në shkollën “Zekrija Rexha” është marrë një vendim, mirëpo ky vendim ende nuk është zbatuar.

    “Me sa kam unë informacion, edhe në shkollën “Zekrija Rexha” është marrë një vendim, mirëpo për momentin nuk është zbatuar. Tani aty është çështje e brendshme e shkollës se sa janë prindërit të pajtimit që t’i bartin fëmijët e tyre uniformat dhe t’i paguajnë ato”, tha Kumnova-Baçi.

    Bartja e uniformave në shkolla, sipas saj, ulë pabarazinë sociale dhe e rritë sigurinë nëpër shkolla.

    “Unë si drejtoreshë e Arsimit dhe ne si DKA e konsiderojmë që bartja e uniformave në shkolla e ulë pa barazinë sociale për shkak të dukjes së njëjtë të të gjithë fëmijëve apo nxënësve në shkolla dhe po ashtu e rritë edhe çështjen e sigurisë në shkolla për shkak se në shkollat aktuale nuk mund të hyjnë fëmijët e tjerë”, u shpreh Kumnova-Baçi. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni ën videon më poshtë:

  • Ambasada e Finlandës tregon se ku mund të informohen kosovarët që shkojnë për të punuar atje

    Ambasada e Finlandës tregon se ku mund të informohen kosovarët që shkojnë për të punuar atje

    Ambasada e Finlandës ka publikuar aplikacionin Work Help Finlandë edhe në gjuhën shqipe që mund të shkarkohet në IOS/Android e cila i ndihmon punëtorët që shkojnë atje për të punuar dhe jetuar.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ambasadës së Finlandës në Facebook thuhet se përmes këtij aplikacioni ofrohen informata për të drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve në Finlandë.

    Njoftimi i plotë:

    Aplikacioni Work Help Finland që mund të shkarkohet në IOS/Android ndihmon punëtorët që shkojnë për të punuar dhe jetuar në Finlandë.

    Aplikacionin mund ta gjeni edhe në gjuhën shqipe.

    Aplikacioni ofron informata për të drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve në Finlandë. Aplikacioni gjithashtu ju ndihmon të gjeni palët kontakuese që mund të ju ndihmojnë nëse dyshoni që jeni keqtrajtuar/mashtruar nga punëdhënësi.

    Shkarkoni falas aplikacionin në pajisjen tuaj elektronike.

  • Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Murati: Investimet kapitale në vitin 2023 u rritën 32%

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në vitin 2023 shpenzimet janë rritur 13 për qind krahasuar me vitin 2022.

    Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 janë rritur 32 për qind më shumë sesa në vitin paraprak, ndërsa ka shtuar se pagat dhe shtesajt janë kategoria e dytë me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit.

    “Sipas raportit preliminar të shpenzimit të buxhetit, në vitin 2023 shpenzimet janë rritur për 13% krahasuar me vitin paraprak. Investimet Kapitale është kategoria që është rritur më së shumti në vitin 2023, me 32% më shumë sesa viti 2022. Kategoria Paga dhe Shtesa është e dyta me kontributin më të madh në rritjen e buxhetit, me 114 milionë euro më shumë, apo 17% më shumë sesa viti 2022. Kjo tregon se në sektorin publik ka pasur rritje mesatare të pagave që ka tejkaluar shkallën mesatare të inflacionit prej 11.6% të vitit 2022.”

    Murati ka shkruar se subvencionet dhe transferet kanë pasur rritjen më të vogël, 1 për qind.

    “Mallërat dhe Shërbimet gjithashtu me 17% kanë trendin e njëjtë të rritjes, mirëpo si vlerë absolute rritja është përgjysmë më pak sesa kategoria Paga dhe Shtesa. Ndërsa Subvencionet dhe Transferet kanë pasur rritjen më të vogël nga të gjitha kategoritë, me vetëm 1%.”

  • Nis gjyqi ndaj Millorad Gjokoviqit, të dyshuarit për masakrën e Ozdrimit

    Nis gjyqi ndaj Millorad Gjokoviqit, të dyshuarit për masakrën e Ozdrimit

    Të martën ka filluar procesi gjyqësor ndaj Millorad Gjokoviq, serbi i arrestuar si i dyshuar për masakrën e ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës më 1999.

    Sipas aktakuzës i dyshuari nga janari 1998 deri më 21 qershor 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe mqëdatë 07.05.1999 fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensive ushtarako-policore duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë 19 civilë të nacionalitetit shqiptarë.

    Aktualisht janë duke u dhënë fjalet hyrëse nga të dyja palet, Prokuroria Speciale dhe avokatët e palës së akuzuar.

    Këta të fundit ashtu si edhe vet i dyshuari ka mohuar se ka qenë i përfshirë në masakrën e Ozdrimes.

    Megjithatë, nga Prokuroria Speciale deklaruan se kanë gjetur dëshmitar e prova të cilat në fund do ta shpallin fajtor Gjokoviqin për krime lufte.

  • Hashani: Një mjek trajton mbi 100 pacientë me grip sezonal brenda ditës, sfidë mungesa e stafit dhe barnat

    Hashani: Një mjek trajton mbi 100 pacientë me grip sezonal brenda ditës, sfidë mungesa e stafit dhe barnat

    Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se gjatë javëve të fundit është rritur deri në 20 për qind numri i pacienteve që janë duke kërkuar trajtim si shkak i gripit sezonal.

    Sipas tij, ka raste ku brenda ditës një mjek ka kontrolluar mbi 100 pacientë, teksa si problem e thekson mungesën e stafit mjekësor dhe numrin e kufizuar të barnave.

    Hashani ka thënë se pacientet që kanë shkuar për trajtim me simptomat që janë paraqitur dërgojnë në një grip sezonal, por që sipas tij, ka edhe raste që nga ata pacient ka të infektuar me Covid-19.

    “Të gjitha simpomatologjit e pacienteve që vijnë në qendrat tona qojnë në një grip sezonal ose në një virus. Tani cilat tipe të viruseve nuk mund të ju themi, edhe pse kemi raste kur pacientet tan ose punëtoret tonë, punëtoret shëndetësor po flas për mjek dhe infermier, kanë konfirmuar se kanë pasur edhe Covid-19. Do të thotë se patjetër se duhet që të jetë në qarkullim edhe Covidi-19 si virus, tani me që është bërë sensibilizimi i mjaftueshëm i popullatës ky ka hyrë në grupin e gripave sezonale, kuptohet se për disa kategori të pacienteve mund të jetë edhe me i rënduar për shkak gjendjes së tyre shëndetësore, gjegjësisht sistemit imunitar të komprometuar”, tha ai.

    Hashani ka theksuar se numri i pacientëve që janë duke kërkuar trajtim në 33 Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kryeqytet është rritur dhe se këto janë duke u përballur me mungesë të stafit mjekësor.

    “Në kuadër të qendrave të 33 njësive që i ka Prishtina si komunë, numri i pacientëve është rritur dukshëm, tani mund të themi mbi 20 për qind kohëve të fundit. Këtu paraqet një problem të jashtëzakonshëm edhe mungesa e stafit mjekësor dhe se Prishtina nuk i ka 180 mijë banorë siç i kemi në bazë të regjistrimit të fundit, ne ofrojmë shërbime shëndetësore sigurisht se për 500 deri 700 mijë banorë, e mund të keni parasysh kur një personel ose një numër i kufizuar i mjekeve dhe infermiereve detyrohet që të jep shërbime për një numër kaq të madh të pacienteve. Kohëve të fundit këto ditë të pushimeve që kanë qenë kemi detyruar personeli shëndetësor që të ndërprenë edhe pushimet vjetore dhe mjekësore me qëllim që të dalim ne ndihme mjekeve tanë edhe infermiereve”, tha ai.

    Ai ka theksuar që numri i pacienteve që një mjek ka kontrolluar brenda ditës ka kaluar numri 100, e që sipas tij, në kushte normale një mjeke kontrollon 30 deri në 50 pacient.

    “Ka pasur qendra ku numri i pacienteve ka tejkaluar 100 për një mjek, që mund të keni parasysh që kjo mund të jetë një ose dy ditë po gjatë tërë javës kjo është pothuajse e pa mundur. Realisht në kushte normale ne i kemi 30 deri 50 pacient, mirëpo është dyfishuar numrin. Të moshuarit ose personat që kanë ndonjë sëmundje kronike por edhe që janë të vjetër por gjithashtu edhe numri i fëmijëve ka qenë me i lartë me këto simptomatologji. Më tepër kanë ardhur për shkak të trupit dhimbjeve muskulore, teshtimë, shumicën e kohës kanë qenë me temperaturë, dhimbje koke, vjellje, kollitje që fillimisht ka ardhur ditëve të para”, tha ai.

    Hashani tha se gjatë kësaj kohe janë përballur edhe me numër të kufizuar të barnave dhe se janë detyruar që vetë si Drejtori e Shëndetësisë që t’i kompensojnë këto mungesa që janë paraqitur.

    “Fatkeqësisht edhe numri i barnave të cilat normalisht do të duhej të furnizoheshin nga lista esenciale prej Ministrisë së Shëndetësisë është i kufizuar, ne duhet si QKMF respektivisht si Drejtori e Shëndetësisë që ti plotësojmë, ti kompensojmë këto dhe keni parasysh se shpenzimet ne këtë drejtim e cungojnë një drejtim tjetër ose një problematik tjetër ku do të duhej të shpenzoheshin këto mjete. Është një barrë shtesë për Drejtorin e Shëndetësisë për tu pajisur ose për të blerë barna nga buxheti jonë edhe pse normalisht do të duhej që kjo të bëhej nga MSH-ja nëpërmjet listës esenciale të barnave”, tha ai.

  • ​Dy skitarë përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore në Gangwon

    ​Dy skitarë përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore në Gangwon

    Dy skitarë do ta përfaqësojnë ekipin olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj.

    Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj do të zhvillohen nga data 19 janar deri më 1 shkurt në qytetin Gangwon të Koresë së Jugut, raporton KosovaPress.

    Lirika Deva dhe Klos Vokshi do të përfaqësojnë Kosovën në disiplinat e skijimit alpin, sllallom dhe sllallom të madh e që të dy janë kualifikuar me normë olimpike.

    Me ekipin do të udhëtojnë edhe trajnerët Kushtrim Deva dhe Ernest Sefaj. Shef i misionit është Bujar Turjaka.

    Në LOD për të Rinj Gangwon 2024 marrin pjesë 1900 sportistë të moshës 15-18 vjeç. Kosova është njëra prej 79 vendeve pjesëmarrëse. Gangwon 2024 është edicioni i katërt i Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj, ndërsa për ekipin tonë është pjesëmarrja e dytë pas debutimit në Lozanë 2020.