ATV

Author: ATVLive

  • Rreth 50 shtëpi në lagjen “Emshir” të Prishtinës, pa ujë të pijshëm

    Rreth 50 shtëpi në lagjen “Emshir” të Prishtinës, pa ujë të pijshëm

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vehzi Qeriqi, banor i lagjes Emshir, në mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, u detyrua ta hapë këtë pus në oborrin e shtëpisë së tij në kryeqytet. EFEKT…

    Ndryshe nga Qeriqi, Muhamet Metaj, nga po kjo lagje, thotë se ujin e pijshëm detyrohet ta blejë disa kilometra larg shtëpisë, pasi edhe rezervat e puseve të cilat i shfrytëzonte për nevojat e tjera elementare, i kanë mbaruar.

    Për të kërkuar zgjidhjen e problemit, banorët i kishin mbledhur nënshkrimet në një peticion.

    Por, pavarësisht se banorët thonë se peticioni është dorëzuar në zyrat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, të martën kur ATV-ja u interesua për një përgjigje, kjo kompani tha se nuk ishte në dijeni për këtë problem.

    “Ekipet teknike do ta inspektojnë ku qëndron problemi, ngase ne nuk e kemi ndalë asnjëherë. Pas verifikimit të problemit shumë shpejt do të kthehet furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e kësaj lagje”, thuhet në njoftimin nga KRU “Prishtina”.

    Aktualisht, me mungesën të ujit të pijshëm, janë duke u ballafaquar rreth 50 shtëpi të lagjes Emshir në Prishtinë.

  • S’dihet kur përfundon ndërtimi i çerdhes në fshatin Deiq të Klinës

    S’dihet kur përfundon ndërtimi i çerdhes në fshatin Deiq të Klinës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Dyert qëndrojnë të hapura tërë kohën, por nga 2019-ta, përveç qenve endacakë, njerëz në të nuk u futën.

    Punimet në ndërtimin e çerdhes në fshatin Deiq të Klinës, që filluan para pesë vjetëve ende nuk kanë përfunduar.

    “Moti ia kanë nisë me punu. Këta duhet me punu e mos m’i lanë qentë me hi në të, po me i grah punës sa ma shpejt e me hi fëmija në të”, tha Nazmije Krasniqi, banore e fshatit Deiq.

    Për shkak të ndërprerjes së punimeve, edhe materiali punues ka mbetur tash e pesë vjet brenda objektit.

    “Krejt e ki të çelun, qetash ia kanë vendosë do xhama. Këtu është një katastrofë, ma mirë mos të kish nisë hiç, ma mirë mos t’kish ekzistu hiç, ma mirë ish kanë për ne ose le të punojnë e le të shtinë në punë, se përndryshe është veç tu ba pengesa”, tha Viktor Marku, banor i fshatit.

    Në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Klinës, nuk e dinë arsyen pse Ministria e Arsimit i ka ndërprerë punimet për këtë çerdhe.

    “Është projekt i Ministrisë, nga 2019-ta, punët e vrazhda janë krye, kanë mbetë ashtu në gjendje jo të mirë, kam shkrua e-mail, kam kërkua nga Ministria me e ditë ku ka mbetë ai projekt. Në takimin e fundit, na kanë thanë që është në procedura, por që deri më tani nuk kemi rezultat. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit se e dimë se në çfarë gjendje e kemi popullatën me të ardhura e që detyrohen të paguajnë në çerdhe private 120 euro”, tha Qemajl Sejdiu, drejtor i Arsimit në Komunën e Klinës

    ATV-ja ka insistuar gjatë të martës të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit në lidhje me arsyet e ndërprerjes së punimeve, por gjatë ditës nuk mori asnjë përgjigje.

    Në Komunën e Klinës, e cila ka rreth 40 mijë banorë ka vetëm një çerdhe publike.

  • Ekosova lanson katër shërbime të reja në lidhje me përzgjedhjen e mjekut familjar

    Ekosova lanson katër shërbime të reja në lidhje me përzgjedhjen e mjekut familjar

    Në platformën eKosova janë lansuar katër shërbime të reja të Ministrisë së Shëndetësisë.

    “1. Kërkesë për përzgjedhjen e mjekut familjar; 2. Kërkesë për ndryshim të mjekut familjar; 3. Kërkesë për përzgjedhjen e mjekut familjar për persona tjerë; 4. Kërkesë për ndryshimin e mjekut familjar për persona tjerë”, thuhet në njoftim.

    Këto shërbime merren duke ndjekur këta hapa: 1. Hapja e Platformës eKosova; 2. Identifikimi në Platformë përmes numrit personal dhe fjalëkalimit; 3. Klikimi mbi shërbimin “Shëndetësia”.

    Ky shërbim është aktiv për katër komuna, Prishtinë QMF në Ulpianë dhe Bregu i Diellit, Prizren, Lipjan dhe Istog.

  • 21 të plagosur nga një shpërthim i hotelit në Teksas

    21 të plagosur nga një shpërthim i hotelit në Teksas

    Një shpërthim në hotelin Sandman në qendër të qytetit Fort Worth, Teksas, të hënën plagosi 21 persona, thanë zyrtarët.

    Sipas një deklarate të përbashkët të policisë Fort Worth dhe zjarrfikësve, njëri prej të plagosurve ishte në gjendje kritike, ndërsa gjendja e katër të tjerëve ishte e rëndë.

    Autoritetet thanë se besojnë se një rrjedhje gazi shkaktoi shpërthimin dhe detaje të mëtejshme do të jepen sapo të bëhen të disponueshme.

    Departamenti i zjarrfikësve tha se i ishte përgjigjur një thirrjeje zjarri, e cila u përditësua menjëherë në një thirrje shpërthimi. Policia kishte ndihmuar me mbylljen e rrugëve dhe pastrimin e garazheve të parkimit në zonën e afërt./AA

  • Stano, Serbisë me rastin e ditës së RS-së: Të gjitha aktivitetet kundër integritetit të BeH, do të kenë pasoja të rënda

    Stano, Serbisë me rastin e ditës së RS-së: Të gjitha aktivitetet kundër integritetit të BeH, do të kenë pasoja të rënda

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha me rastin e shënimit të “Ditës së Republikës Srpska” jokushtetuese se duhet të ruhet sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues dhe njohja ndërkombëtare e BeH.

    Sipas tij, të gjitha aktivitetet kundër këtyre parimeve do të çojnë në pasoja të rënda.

    “BE u kërkon vazhdimisht të gjitha partive politike që të përmbahen nga retorika dhe aktivitetet provokuese, veçanërisht ato në RS që vënë në pikëpyetje sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e shtetit,” tha Stano.

    Ai përkujtoi se, lidhur me ligjshmërinë e “Ditës së RS”, Gjykata Kushtetuese dy herë, në vitin 2015 dhe 2019. vendosi se ligjet e ditës së RS nuk janë në përputhje me kushtetutën e BeH.

    “E përsëris se BE-ja kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe siç thashë, të gjitha veprimet kundër këtyre parimeve sjellin pasoja të rënda”, tha Stano.

    Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parime shumë të rëndësishme për BE-në, kur bëhet fjalë për të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE.

    “Është një pjesë kyçe e progresit të këtyre vendeve në rrugën drejt BE-së. Duhet të shmangen të gjitha aktivitetet, deklaratat apo lëvizjet që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin rajonal dhe që kontribuojnë vetëm në përçarje politike. Dhe ne ishim plotësisht të qartë për këtë, ne presim që partnerët tanë, duke përfshirë Serbinë, të jenë po aq të përkushtuar ndaj perspektivës së BE-së së BeH-së si një shtet unik, i bashkuar dhe sovran, integriteti territorial, sovraniteti dhe veçantia e të cilit nuk janë në pikëpyetje”, tha ai.

    Duke folur se cilat mund të jenë pasojat, ai tha se mund të jetë “çfarëdo që të bien dakord vendet anëtare” dhe se ekziston mundësia e vendosjes së masave politike, ekonomiko-financiare dhe kufizuese.

    “Për shembull, ekziston tashmë një kornizë për sanksionet për BeH. Kur shtetet anëtare të vendosin se mjafton dhe nëse ka vullnet dhe prova të mjaftueshme politike për të ndërmarrë hapa konkretë, do ta bëjnë këtë dhe të gjitha vendimet në atë fushë duhet të merren unanimisht”, tha Stano.

  • Diskutohet parandalimi dhe luftimi i veprimtarive ilegale të shërbimeve të internetit dhe TV Kanaleve

    Diskutohet parandalimi dhe luftimi i veprimtarive ilegale të shërbimeve të internetit dhe TV Kanaleve

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e operatorëve të shërbimeve elektronike dhe Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM).

    Temë e diskutimeve të përbashkëta ishte parandalimi dhe luftimi i veprimeve të operatorëve ilegal, të cilët, në mënyrë të kundërligjshme dhe përmes ndërhyrjes së paautorizuar janë duke kryer – ofruar shërbime ilegale të internetit dhe TV Kanaleve brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucionit që përfaqëson për trajtim e shpejtë dhe profesional të rasteve që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, si dhe ka kërkuar mbështetjen e të gjithë operatorëve të licencuar që të bashkëpunojnë me prokurorinë për identifikimin e të gjitha veprimtarive ilegale, përçka operatorët janë zotuar se do të ofrojnë një mbështetje të tillë.

  • Rreth 3 milionë euro shmangie tatimore: Detaje nga aksioni i Krimeve Ekonomike

    Rreth 3 milionë euro shmangie tatimore: Detaje nga aksioni i Krimeve Ekonomike

    Departamenti i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës po zhvillon një aksion kundër mashtrimit në detyrë dhe shmangies nga tatimi në disa lokacione.

    Aksioni, i urdhëruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, po zhvillohet në disa lokacione, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, ku është duke u kryer bastisje nga Policia e Kosovës.

    Policia aktualisht është duke kryer bastisje në objektin e ATK-së në lagjen Arbëria të Prishtinës, raporton Paparaci bazuar në burime brenda Administratës Tatimore.

    Aksioni, po ashtu është zhvilluar edhe në lokacione të tjera në vend.

    Paparaci, ka mësuar se hetimet ndërlidhen me zyrtarë të ATK-së për mashtrim në detyrë, si dhe ndaj zyrtarëve të një kompanie private, të dyshuar për shmangie nga tatimi me vlerë deri në 3 milionë euro.

    Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksioni ka nisur mëngjesin e së martës.

    Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se hetimet po kryhen në drejtim të veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”, tha Ulaj të martën në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

    Zëdhënësja e Prokurorisë tha se hetimet përfshijnë “persona zyrtarë e qytetarë”.

    Ajo tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.

  • 156 mijë banorë u larguan nga Kosova brenda 4 vjetëve

    156 mijë banorë u larguan nga Kosova brenda 4 vjetëve

    Brenda 4 vjetëve nga Kosova janë larguar më shumë se 156 mijë banorë, që në përqindje i bie 8.85% e popullsisë së vendit.

    Sipas të dhënave të fundit të publikuara në portfolion vjetore të emigrimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është vlerësuar se deri në fund të vitit 2022 mbi 949 mijë banorë jetojnë jashtë vendit.

    “Për periudhën 2018-2022 vlerësohet se nga Kosova janë larguar 156,080 banorë apo rreth 8.85% e popullsisë së vendit.

    Më tutje në raport thuhet se emigrimi i rregullt i shtetasve të Republikës së Kosovës me leje të vlefshme qëndrimi në shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen gjatë periudhës 2020 – 2022, këto vende kanë lëshuar rreth 71,240 lejeqëndrimet e para, për shtetasit kosovarë.

    Ndërsa në vitin 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4,792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mos plotësimin e kritereve ligjore.

    “Nga 4,792 personat të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës se Kosovës në vitin 2022 të dhënat tregojnë se 4,211 (88%) janë nga Gjermania, 419 (8.7%) nga Austria, 71 (1.5%) nga Sllovenia dhe 91 (1.8%) nga shtetet e tjera”, thuhet midis tjerash në raport.

    Ndërsa numri i përgjithshëm i urdhërlargimeve të shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2022 sipas shteteve u regjistruan në: Francë 1,175 (27.6%), Slloveni 935 (22%), Kroaci 560 (13.2%), Zvicra 290 (6.8%), Itali 270 (6.3%) dhe shtete të tjera 1,025 (24.1%).

  • ​Lajm i keq për Liverpoolin, lëndohet ylli i skuadrës

    ​Lajm i keq për Liverpoolin, lëndohet ylli i skuadrës

    Trent Alexander-Arnold do të jetë jashtë fushave për disa javë për shkak të një lëndimi në gjurin e tij, ka thënë asistent-trajneri i Liverpoolit, Pepijn Lijnders.

    Zëvendës-kapiteni i Liverpoolit pësoi një lëndim gjatë fitores 2:0 në vikend kundër Arsenalit në “Emirates” në FA Cup, raporton KosovaPress.

    “Trent e ka stërzgjatur gjurin e tij gjatë ndeshjes së fundit dhe kjo nuk është lajm i mirë. Ai ka një të çarë të vogël në ligamentin e tij të gjurit dhe atij do t’i duhet kohë për tu rikuperuar. Ai kreu testet mjekësore dhe do të mungojë për disa javë, kështu që të shohim se çdo të bëhet”, tha Ljinders.

  • Dy raste me koronavirus dhe tre me grip të derrave po trajtohen në Klinikën Infektive

    Dy raste me koronavirus dhe tre me grip të derrave po trajtohen në Klinikën Infektive

    Në Klinikën Infektive të QKUK-së aktualisht po trajtohen tre raste me grip të derrave dhe dy të tjera me koronavirus.

    Kjo u bë e ditur nga infektologu Arben Vishaj në një përgjigje për Klan Kosovën.

    “Ne për momentin i kemi duke i trajtuar 3 pacientë me Influenza AH1N1, dhe 2 pacientë me COVID-19”, deklaroi ai.

    Lidhur me ngjashmëritë e gripit sezonal që është përhapur së fundmi dhe koronavirusit, ai tha se për të pasur një përgjigje konkrete rreth kësaj duhet një diferencim diagnostik mjekësorë.

    Vishaj tregoi më tutje se simptomat e gripit që ka prekur shumë qytetarë janë lodhja, plogështia, kollitja, temperatura, rrjedhje nga hundët, dhimbje gjymtyrësh dhe frymëzënie.

    Ai rekomandoi që personat të cilët i kanë këto simptoma gripi të lajmërohen te mjeku familjar.

    Vishaj gjithashtu potencoi se sistemi shëndetësor nuk është i ngarkuar në atë masë që i tejkalon kapacitetet e tij.

    “Sistemi shëndetësor disponon kapacitete të mjaftueshme, dhe s’ka fluks që imponon për shqetësim”.