ATV

Author: ATVLive

  • Zeka: Kosova s’ka mekanizëm kontrolli, paramendo me lopë të ngordhura është bërë suxhuk

    Zeka: Kosova s’ka mekanizëm kontrolli, paramendo me lopë të ngordhura është bërë suxhuk

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për dallim prej Kosovës, në vendet e tjera evropiane ekziston mekanizmi i kontrollit.

    Sipas tij, në Kosovë nuk ka mekanizëm kontrolli.

    “Dallimi mes Kosovës dhe vendeve të tjera është se atje ekziston mekanizmi i kontrollit. Për shembull po e marr sektorin e mjekësisë. Këtë e kam thënë shumë herë në studio televizive që është dashtë me u nda mjekët të cilët shkojnë e punojnë tri-katër orë ne qendër spitalore të shtetit me i marrë pacientat privat, me i rekrutu dhe çka ndodh në spitalet private të Kosovës?, o veç gishti nëse të dhemb, kur të dilsh te recepcioni ke me i pagu 300-400 euro. Të shtinë me i ba 100 kontrolla. Por të ekzistonte mekanizmi i kontrollit që kjo oda e mjekëve me ia marrë licencën dikuj, një spitali, kujna ia kanë marrë licencën, çka kanë ba në këtë vend”, tha Zeka.

    Ai përmend importimin e mishit nga Brazili, përzierjen e naftës me vaj, madje edhe një rast ku prej lopëve të ngordhura që është bërë suxhuk.

    “Na tanë e dimë këtu në studio që mishi vjen prej Brazilit, ngrihet e shkrihet 3-4 herë. Na të gjithë e dimë që janë ble, unë e di që një kompani shumë e fuqishme e derivateve, 200 mijë litra vaj të kuzhinës i ka përzi me naftë e na ka shitë neve, kam video incizime. Na e dimë që këtu çka nuk përzihet me naftë, me benzinë, çka nuk hamë, lloj lloj ushqimi. Konservat e ushtrisë polake prej luftës së dytë botërore, janë zbulu që janë ardhë. U zbulu njeri në Pejë që ka shku lopë të ngordhura, i ka marrë e i ka ba suxhuk. Qysh mundet me pasë suxhuk 1 euro kilogrami”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • “A je kanë ti që thanë se Albin Kurti është më i miri, pse i ke rënë pishman tash”, përplasje mes Hamidit dhe Sefajt

    “A je kanë ti që thanë se Albin Kurti është më i miri, pse i ke rënë pishman tash”, përplasje mes Hamidit dhe Sefajt

    Debat i ashpër është zhvilluar mes gazetarit Lavdim Hamidi dhe përfaqësuesit të Sindikatës së Shërbyesve Civilë Ali Sefaj, në emisionin CONTEXT Në ATV, ku u diskutua për ikjet nga Kosova drejt vendeve evropiane për një jetë më të mirë.

    “A ke qenë ai që na ke thanë se Albin Kurti është më i miri?”, iu drejtuar gazetari Hamidi sindikalistit Sefaj.

    “Po, se premtimet e tij kanë qenë më të mirat, por nuk i ka mbajtë asnjo fjalët. Tash unë nuk kam faj që ai ka mashtru për secilin premtim”, ia ktheu Sefaj.

    Për më shumë, shikoni videon më poshtë:

  • Zeka: Patriotizëm është me i mbajtë fëmijët në atë vend ku ka punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë

    Zeka: Patriotizëm është me i mbajtë fëmijët në atë vend ku ka punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se patriotizëm është me i mbajtë fëmijët aty ku kanë punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë.

    “Patriotizëm është që fëmijët me i mbajtë në Kosovë ose kudo në botë, edhe në Afganistan me i qu, veç që kanë punë, sigurim shëndetësor dhe siguri për jetë. Unë të paktën nuk e bëj krimin që e kam bërë ndaj vetes time, tanë jetën ia kam kushtu këtij vendi, e ky vend me ka dhanë veç hu gardhi dhe poshtërim. Pasha tokë e qiell, nuk i dënoj fëmijët e mi qysh e kam dënu veten për një mijë vjet. Fëmijë kam me iu thënë, a po do në Amerikë, a po do në Australi, po as turist mos hajde këtu derisa të krijohen kushtet e mira”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • Sefaj: Prej vendeve tjera janë larguar ata që nuk mujt me e ba qarën, ndërsa prej Kosovës po ikin kuadro profesionale

    Sefaj: Prej vendeve tjera janë larguar ata që nuk mujt me e ba qarën, ndërsa prej Kosovës po ikin kuadro profesionale

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është shqetësuese se Kosovës po i ikin profesionistët, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ku vendin e kanë lëshuar ata që nuk kanë arritë me e gjetë veten në vendin ku jetojnë.

    Ai thotë se Kosovës i duhet kohë me i nxjerrë sërish këto kuadro, dhe në rast se arrinë me i nxjerrë, nuk ka siguri që ata prapë nuk e lëshojnë vendin.

    “Prej Kosove janë tu ikë profesionistë. Prej vendeve tjera kanë ikë njerëzit që s’kanë mujt me e ba qarën. Neve na ikin inxhinierët e elektros përditë, na ikin inxhinierët e makinerisë, na ikin inxhinierët e teknologjisë, na ikin mjekët, do me thanë neve na ikin kuadrot të cilat na duhet kohë me i zëvendësua. Por edhe nëse i prodhon ti, ose i nxjerr nga bankat shkollore, ty të duhet kohë se sistemi i jonë arsimor nuk është kompatibil me tregun e punës dhe ti duhet, përveç teknologjisë informative, të tjerave iu duhet së paku katër-pesë vjet përvojë pune, e kush të garanton që nesër ai të rrin në sistem. Kemi me qenë vetëm sistem transitor për me përgatitë kuadro për me të ikë”, tha Sefaj. /atvlive.tv

  • Hamidi tregon një sms live në emision: Jam baba i tre fëmijëve, kam me ikë prej Kosovës se nuk po ia dalë me e mabjtë familjen me pagën që marr

    Hamidi tregon një sms live në emision: Jam baba i tre fëmijëve, kam me ikë prej Kosovës se nuk po ia dalë me e mabjtë familjen me pagën që marr

    Gazetari Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi një sms të një zjarrfikësi, në të cilin duhet se është baba i tre fëmijëve dhe me pagën që merr nuk ia del ta mbajë familjen, andaj si rrugë të vetme e sheh ikjen nga Kosova për një jetë më të mirë.

    “Viti i parë ka me qenë një vit shumë i vështirë. Për shembull, për Kosovën nëse ndodh ajo siç janë pritjet me ikë shumë fuqi punëtore. Sa jemi këtu tu folë në emision, më shkruan një zjarrfikës, as nuk e njoh, thotë se e ka 500 euro pagën, ‘na kanë hjek rrezikshmërinë me Ligj të Pagave, i kam tre fëmijë, nuk mundem me jetu me atë pagë, kam me ikë në Gjermani”. Do me thanë, kështu ka me ndodh edhe me shumë profesione tjera”, tha Hamidi. /atvlive.tv

  • Zeka: Jam duke i përgatitë vajzat me ikë prej Kosovës, këtij vendi i mungojnë tri gjërat më elementare

    Zeka: Jam duke i përgatitë vajzat me ikë prej Kosovës, këtij vendi i mungojnë tri gjërat më elementare

    Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ikjen nga Kosova e sheh si normale.

    Ai thotë se nuk ka të drejtë morale t’iu kërkojë njerëzve që mos ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë, derisa vazhdon ai, edhe dy vajzat e veta është duke i përgatitur për me ikë jashtë vendit.

    “Çfarë të drejte morale ose njerëzore kam me iu thënë kushërinjve të mi, njerëzve të mi, familjarëve të mi, mos ikë për një jetë më të mirë, për një punë më të mirë, për një siguroi më të mirë. Unë dy vajzat i kam në Suedi, njëra është mjeke, njëra inxhiniere edhe nuk kam arritë që 23 vjet me iu kriju kushte për me ardhë ato me punu në Kosovë. E kur dy vajzat e tjera që i kam këtu, prej fillimit e kam prognozua edhe i kam përgatitë për me ikë përjashta. Unë si babë jam tu i përgatitë vajzat e mia me ikë prej këtij vendi”, tha Zeka.

    Ai thotë se përtej rrogës, janë edhe tri gjëra elementare që i mungojnë këtij vendi.

    “Pse me ikë prej këtij vendi? Sepse përtej rrogës, janë tri gjërat elementare që i mungojnë këtij vendi. Një, është shëndetësia. Shkon në spital i sëmurë, kthehesh më i sëmurë. Një kolege mjeke, kurrë nuk e harroj, e kam citu me qindra herë nëpër studio televizive, mjeke briliante, me ka thënë “ne kemi kushte me mbytë pacientë. Këta janë njerëz fantastikë, mjekë fantastikë, profesionistë fantastikë, po ti shkon te këta kontrollohem, më thotë po me vjen keq Milaim, por duhet me dalë me ble këtë, këtë, me ble gjilpëra. Ky s’mundet me t’i dhënë gjilpërat e veta. Dy, mungesë totale e drejtësisë. Në qoftë se ti jeton në një shtet kur një hetues kriminel, hetues policor, është bërë multi milionerë, kur ti pjesën dërmuese të kapitenëve të graduar të Policisë i ke multi milionera, kur një hetues në Pejë duke kontrolluar një biznesmen, djali i ri të Frankfurtit, e marrin dhe ia fusin 20 gramë kokainë në xhep mbrapa, e fusin në listën e Interpolit dhe ia lypin me e heqë nga Interpoli. Normal që duhet me ikë prej këtij vendi. Dhe, e treta, kur e ke një arsim, një sistem arsimor që prodhon doktora të shkencave analfabetë, profesorë analfabetë, mësues analfabetë, të cilët nuk dinë as artin e komunikimit qoftë me nxënës, qoftë me studentë. Cila është arsyeja që Sindikata e Arsimit vazhdimisht proteston edhe thotë që ne nuk mundemi me i futë në provim pranues arsimtarin. Qysh mos me e futë arsimtarin idiot, që s’e dinë matematikën, që s’e dinë anglishten, që nuk e njeh gjuhën shqipe, pse mos me e futë në provim”, tha Zeka. /atvlive.tv

  • Çmimet e banesave pritet të rriten sërish

    Çmimet e banesave pritet të rriten sërish

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Agjencitë e patundshmërive dhe Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës nuk pajtohen rreth çmimit për patundshmëri gjatë këtij viti.

    Sipas agjencive, çmimi mesatar për një banesë në Prishtinë do të sillet rreth 800 euro.

    “Rreth vitit 2013 në Fushë Kosovë ka qenë çmimi rreth 450 euro për metër katror, në 2020 kanë filluar të rriten mbi 500 euro, pastaj lufta në Ukrainë i ka çuar çmimet në 600 euro, ndërsa sivjet ka shkuar çmimi në 700 euro deri në 800 euro për metër katror në Fushë-Kosovë. Kjo për shkak se çmimet janë rritur në çdo sferë të jetës, por edhe për shkak të punëtorëve. Nëse një punëtor më herët ka marrë 600 euro rrogë, sot e merr 800 deri në 1 mijë në ndërtim, po ashtu edhe materialet ndërtimore të gjitha”, tha Dugagjin Avdyli nga agjencia për patundshmëri.

    E sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve, nuk ka ndonjë indikacion që mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.

    “Nuk ka ndonjë indikacion që do të rriten, mirëpo duhet me pa qysh lëvizin kur të fillojë sezoni i ndërtimit mes shkurtit, si do të jenë çmimet e materialeve, kostot e tokave e kështu, varet prej rrethanave”, tha Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës
    .
    Në anën tjetër, qytetarët vlerësojnë se çmimet për patundshmëri tashmë janë të larta.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, për tremujorin e dytë të vitit 2023 sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind të Investimeve të Huaja Direkte apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.

  • Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës

    Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës

    Përgatiti: Nora Luta

    Nën përcjellje të Policisë e nga burgu, Millorad Gjokoviq, të martën, ka ardhur sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    61-vjeçari në seancën fillestare e kishte mohuar fajësinë për krime lufte dhe përfshirjen në vrasjen e 14 civilëve në Ozdrim të Pejës. Por nga provat e përmbledhura që Prokuroria Speciale i paraqiti në fjalën hyrëse, dëshmohet e kundërta.

    Për rolin e të akuzuarit në vrasjen e civilëve shqiptarë në maj të 1999-s, PSRK-ja thotë se ka siguruar dëshmitarë okularë.

    Prokurori Ilir Morina thotë se gjatë këtij gjykimi do të vërtetohet se Gjokoviq ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ekzistenca e së cilës gjatë luftës në Kosovë, sipas tij, është vërtetuar nga Tribunali i Hagës.

    Gjokoviq akuzohet në bashkëkryerje me persona të tjerë edhe për torturë, rrahje, dëbim e shkatërrim të shtëpive të shumë civilëve shqiptarë. Por, mbrojtja pretendon se ai gjatë kësaj periudhe nuk ishte në Kosovë.

    “Nuk e kundërshtojmë që ka ndodhur ngjarja, por që i pandehuri ka marrë pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale. Ne kemi alibi se ai nuk ka qenë në Ozdrim gjatë asaj periudhe”, tha Vasilije Arsiq, avokat i M. Djokoviqit.

    E kërkesa e Gjokoviqit që të pajiset me shkresat e lëndës, nxiti reagime të prokurorit dhe mbrojtjes së tij.

    Sqarimi erdhi nga kryetari i trupit gjykues, i cili edhe u dha vërejtje dy palëve.

    Gjokoviq, i cili pas luftës kishte punuar si zyrtar komunal në komunën paralele të Pejës, ndodhet në paraburgim nga viti i kaluar.

  • Komunës së Malishevës iu desh 1 muaj për të intervenuar në kulmin e një shkolle

    Komunës së Malishevës iu desh 1 muaj për të intervenuar në kulmin e një shkolle

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një pjesë e kulmit të shkollës fillore “Dëshmorët e fshatit Bubavec” në Bubavec të Malishevës, përfundoi në tokë, në dhjetor, shkaku i erërave të forta.

    Që nga ajo kohë e deri të martën askush nga Komuna e Malishevës nuk intervenoi në rregullimin e këtij objekti.

    Si rrjedhojë, gjatë gjithë kësaj kohe shiu ka depërtuar brenda objektit të shkollës.

    “Tash që është prishë kulmi, shiu po hyn në klasë, nganjëherë mësimin e mbajmë në ndonjë klasë tjetër, e shpeshherë na thonë me shku në shtëpi, po kemi shumë ftoftë kur po është shi dhe ftohtë”, thotë një nxënës.

    Banorët e këtij fshati akuzojnë drejtorin e shkollës për neglizhencë.

    “Fajin kryesor këtu e ka drejtori i shkollës që e neglizhon punën e vet dhe nuk interesohet për vendin e punës së tij dhe për shkollën që është përgjegjës, ma shumë qëndron në kafe sesa në shkollë, kemi kërkuar nga ai që të bëjë kërkesë në komunë për rregullimin e këtij problemi, sepse sa qëndron kështu, do të dëmtohet gjithë objekti”, tha Qerim Kryeziu, banor i fshatit.

    Selim Kryeziu, drejtori i kësaj shkolle, pavarësisht insistimit të televizionit, nuk pranoi të deklarohet.

    Përveç kulmit, nxënësit e kësaj shkolle përballen edhe me mungesë të ndriçimit.

    “Ka disa vite që nuk ka ndriçim në shkollë, janë prishë dritat dhe mësuesit janë të obliguar që nxënësit t’i përcjellin me drita të telefonit me i qitë jashtë shkollës që mos mu rrëzu shkallëve”, tha Kryeziu.

    Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, thotë se punimet për sanimin e dëmeve në këtë shkollë kanë nisur pikërisht të martën pasdite.

    “Për shkak të procedurave të prokurimit na është pamundësuar dhe me thënë të drejtën jemi vonuar deri në këtë fazë, ndërkaq kemi pranuar edhe ne disa ankesa për shkak të ndriçimit në shkollë dhe besoj që shumë shpejt edhe kjo çështje do të rregullohet”, tha Krasniqi.

    Në shkollën fillore “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, ndjekin mësimet afër 300 nxënës.

  • Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

    Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Armë të reja si këto të modelit QBZ, gjatë këtij viti pritet të vihen në shërbim të Njësive Speciale.

    Televizioni merr vesh se disa zyrtarëve të Njësisë Speciale Operative, tashmë u është prezantuar modeli i armës së gjatë. Megjithatë, deri më tani Policia nuk ka treguar se deri ku arritën procedurat e kur policët do t’i kenë në duar këto armë.

    Kalibri i predhës së armës që prodhohet në disa vende e përdoret edhe nga policitë e vendeve të NATO-s, pritet të jetë pak më i madh se i atyre aktuale.

    “Armët aktuale të njësive janë të ndryshme, por lloji QBZ është vlerësuar se do jetë më preciz sa i përket targetimit, mund të thuhet se është armë e kompletuar…”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Modernizimi i armatimit të strukturave të policisë, sidomos në këtë kohë, konsiderohet i nevojshëm.

    “Furnizimi me armë të reja, përveç i nevojshëm, edhe i domosdoshëm, duke marrë parasysh edhe situatat e reja të sigurisë…”, tha ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

    Momentalisht, në dispozicion të njësive speciale, në kategorinë e mesme e të gjatë, janë armët: Sigsauer, kallashnikov dhe M16.