ATV

Author: ATVLive

  • Arsim Prepolli: Marre, marre Hendbolli dhe Volejbolli me qenë në kategorinë A , e futbolli dhe basketbolli në kategorinë B

    Arsim Prepolli: Marre, marre Hendbolli dhe Volejbolli me qenë në kategorinë A , e futbolli dhe basketbolli në kategorinë B

    Sonte në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, është duke u diskutuar për kategorizimin e Federatave sportive nga Ministria e Sportit.

    Në këtë debat është përfshirë edhe analisti i futbollit Arsim Prepolli, i cili është shprehur i dëshpëruar me mënyrën e renditjes së Federatave.

    ‘Marre, marre Hendbolli dhe Volejbolli me qenë në kategorinë A , e futbolli dhe basketbolli në kategorinë B. Futbolli është sporti më i popullarizuar dhe më i suksesshëm, unë nuk e di kush e bën këtë kategorizim, por kjo është e turpshme’ tha Prepolli.

    Emisionin live mundeni me ndjek më poshtë.

  • Driton Latifi: Kriteret e Ministrisë për kategorizimin e federatave është i mangët

    Driton Latifi: Kriteret e Ministrisë për kategorizimin e federatave është i mangët

    Gazetari Driton Latifi, i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, ka kritikuar Ministrinë e Sportit për listën e kategorizimit të federatave sportive.

    Sipas Latifit, kriteri i kategorizimit të federatave është i mangët.

    ‘Kriteret e Ministrisë për kategorizimin e federatave është i mangët, vlerësimi nuk është real, unë kam informacione që shumë federata vetëm kanë filluar të ankohen’ tha Latifi.

    Për më shumë ndiqeni emisionin live më poshtë.

  • Rinia e LDK-së ndezën qirinjë për 18-vjeçarin e vrarë në Podujevë: Është shuar shpresa për jetë të mirë

    Rinia e LDK-së ndezën qirinjë për 18-vjeçarin e vrarë në Podujevë: Është shuar shpresa për jetë të mirë

    Forumi i Rinisë së LDK-së kanë ndezur qirinjë për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu, i cili u vra ditë më parë në Podujevë.

    Sipas rinisë së LDK-së, nga kjo ngjarje makabre “është rrezikuar siguria e të rinjve, është shuar shpresa për jetë të mirë”.

    “Të rinjve duhet t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë, në shkollë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë”, ka thënë kryetari i Forumit të Rinisë, Paris Guri.

    Njoftimi i plotë:

    Forumi i Rinisë së LDK-së ndezën qirinjë për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu të cilit padrejtësisht; në mënyrë mizore iu mor jeta.

    “Sot, të gjithë jemi Lulzimi!

    Ndezëm qirinjë për ta kujtuar Lulzimin, që padrejtësisht e në mënyrë makabre iu morrë jeta në lule të rinisë!

    Lulzimin nuk guxojmë asesi ta shohim si një lajm shtesë në kronikën e zezë. Sot të gjithë jemi Lulzimi, sepse nuk është vrarë vetëm Lulzimi, është rrezikuar siguria e të rinjve, është shuar shpresa për jetë të mirë.

    Bashkë me forumin e degës në Podujevë kërkuam, llogaridhënie e përgjegjësi nga institucionet publike, asgjë më pak! Kanë obligim kushtetues për të mbrojtur të drejtat e njeriut! Rasti tronditës i Lulzimit duhet të jetë alarmues për të gjithë; duhet t’i thërrasë ndërgjegjes institucionale dhe ndërgjegjes sonë kolektive në mënyrë që masat parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e të rinjve të ndërmerren në mënyrë emergjente.

    Të rinjve duhet t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë, në shkollë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë”, ka thënë kryetari i Forumit të Rinisë, Paris Guri.

  • Rreth 2.000 raste për vepra të ndryshme penale nga të miturit në Kosovë vetëm brenda vitit 2023

    Rreth 2.000 raste për vepra të ndryshme penale nga të miturit në Kosovë vetëm brenda vitit 2023

    “Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

    Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat. Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.

    “Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.

    Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.

    Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

    Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.

    Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale

    Të dhënat që siguroi REL nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.

    Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.

    Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.

    “Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja.

    Çka çon në dhunë mes të rinjve?

    Dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm, thonë nga organizata “Terre des hommes Kosovo”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.

    Pajtim Zeqiri nga kjo organizatë thotë se, në bazë të hulumtimeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në familje.

    “Tendenca që fëmija, pastaj, ta përdorë dhunën si mjet të zgjidhjes së konfliktit me të tjerët, në këtë rast me bashkëmoshatarët, është shumë e lartë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se neglizhenca e prindërve, në kuptimin e përkujdesjes, është “një nga problematikat më të mëdha në kuptimin e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve që kanë tendenca të shfaqjes së agresivitetit dhe dhunës”.

    Gjatë vitit 2023, Policia e Kosovës evidentoi mbi 2.000 raste të dhunës në familje dhe, krahasuar me dy vjetët paraprakë, shifrat ishin në rritje.

    “Thjesht, nuk po i promovojmë aq sa duhet vlerat e një shoqërie, siç janë: toleranca, diversiteti dhe empatia”, thotë Danuza, profesoreshë e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

    “Nuk po japim model se si duhet të zgjidhen problemet në mënyrë paqësore, e jo përmes shpërfaqjes së dhunës ose agresivitetit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas saj, nuk mjafton që prindërit t’i përmbushin vetëm kërkesat materiale të fëmijëve dhe të jenë pranë tyre vetëm fizikisht.

    Ata duhet të kalojnë “shumë e më shumë kohë” me ta dhe “t’i mësojnë për vlerat e rëndësishme në shoqëri”.

    “… sepse, vërej që gati në të gjitha mediat digjitale dhe të shkruara shpërfaqen role të ndryshme të individëve – mund të jenë edhe fiktivë – por qasja e të fortit prezantohet si vlerë. Dhe kjo është një gjë shumë e gabuar”, thotë Danuza.

    Si të parandalohet kjo dukuri?

    “Prindërit, definitivisht, duhet të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre”, thotë sociologu Artan Krasniqi.

    “Kontroll mbi atë se çfarë bartin me vete, ku rrinë dhe çfarë shikojnë në telefonat e tyre”, shton ai.

    Në kohën e bumit digjital dhe të rrjeteve sociale, Krasniqi thotë se duhet gjetur mënyra për të mposhtur “konkurrencën aspak të drejtë” me mediat sociale, ku fëmijët mund të marrin shembuj të këqij se si të sillen.

    Në këtë aspekt, sipas tij, edhe shkolla duhet ta ketë rolin prijës në edukimin e një qytetari të përgjegjshëm dhe jo të dhunshëm.

    Krasniqi thotë, po ashtu, se sistemi i drejtësisë në vend duhet të punojë më shumë që “të ngjizë te qytetarët bindjen se secili që kryen një vepër të dhunës, do të ndëshkohet në mënyrë meritore”.

    “Përtej vënies së drejtësisë, kjo do të mund të shërbente edhe në parandalimin e dhunës”, thotë ai.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thotë se Kosova e ka të ndërtuar një sistem që e bazon drejtësinë penale në interesin më të mirë të të miturve.

    Ehat Miftaraj nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se kryerësve të mitur të veprave penale, u shqiptohen kryesisht masa edukative.

    “Privimi nga liria shqiptohet vetëm si mjet i fundit dhe kufizohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Miftaraj thotë se nuk mund të ofrojë më shumë detaje, sepse seancat gjyqësore për të mitur nuk janë publike dhe në dosjet e tyre nuk ka qasje askush.

    Miftaraj thotë se në rastet kur fëmijët kryejnë vepra penale, përgjegjësia nuk mund dhe nuk duhet të kërkohet vetëm tek institucionet e drejtësisë, por edhe te faktorë të tjerë, që përfshijnë familjen dhe shkollat.

    Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës shprehin shqetësim për rastet e dhunës mes të rinjve, por një pjesë të përgjegjësisë ua hedhin, po ashtu, shkollave.

    Sipas kryetarit Besnik Dragusha, ka raste kur fëmijëve në shkolla u gjenden thika e armë të tjera të ftohta.

    “Shkollat duhet të kenë masa të shtuara të sigurisë, kamera e kontrolle”, thotë ai.

    Për këtë temë, REL iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit, edhe asaj të Drejtësisë, por asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj.

    Në një deklarim të mëhershëm Ministria e Arsimit tha se dhuna në shkolla, si fizike ashtu edhe verbale, luftohet “sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për mbrojtje të fëmijës, dhe sipas detyrimeve që dalin nga Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”.

    Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se përse shkollat nuk kanë psikologë dhe nëse ka plane për përfshirjen e tyre – gjë që, sipas psikologes Danuza, është e domosdoshme.

    Incidentet në shkolla në rritje

    Policia e Kosovës ka evidentuar 592 incidente në shkolla dhe përreth tyre në vitin 2022. Shifra paraqet rritje krahasuar me vitin 2021, kur numri i incidenteve të tilla në shkollat e Kosovës ka qenë 413. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023, ndërkaq, kjo shifër ka qenë 92.

    Praktikat e vendeve të tjera

    Shkollat në 23 shtete të SHBA-së, prej vitesh, kanë aktivizuar një sistem online, përmes të cilit nxënësit, në mënyrë anonime, mund të raportojnë sjellje të pazakonshme të nxënësve të tjerë.

    Ky sistem u shërben më shumë se 5 milionë nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të 12-tën.

    Një studim, që u publikua javën e kaluar në revistën Pediatrics, analizoi se sa i suksesshëm ishte ai në identifikimin e kërcënimeve të lidhura me armë zjarri.

    Hulumtuesit zbuluan se në periudhën 2019-2023 u bënë mbi 18.000 raportime në sistemin e njohur si SS-ARS.

    “Ajo që gjetëm është se 10% e raportimeve përmbanin referenca për armë zjarri”, tha për mediat amerikane Elyse Thulin, profesoreshë në Institutin për Parandalimin e Lëndimeve nga Armët e Zjarrit në Universitetin e Miçiganit dhe autore kryesore e studimit.

    “Të rinjtë po i drejtohen SS-ARS-it për të dhënë informacione për ato që mund të jenë situata shumë të rrezikshme”, tha ajo.

    Në SHBA, dhuna me armë është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve dhe adoleshentëve që nga viti 2020, kur i tejkaloi aksidentet automobilistike.

    Faktorët kryesorë që përmendin Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA për parandalimin e dhunës mes të rinjve, përfshijnë: promovimin e një mjedisi familjar që mbështet zhvillimin e shëndetshëm, ofrimin e shkollimit cilësor, si dhe forcimin e kapaciteteve të të rinjve. /REL

  • Mijëra pasagjerët zgjohen në vendin e gabuar, stuhia Isha shkakton kaos me fluturimet në Evropë

    Mijëra pasagjerët zgjohen në vendin e gabuar, stuhia Isha shkakton kaos me fluturimet në Evropë

    Mijëra pasagjerë të linjave ajrore në të gjithë Evropën u zgjuan këtë mëngjes në destinacionin e gabuar, madje edhe në vendin e gabuar, pasi stuhia Isha shkaktoi kaos me fluturime, me dhjetëra anulime, devijime në Evropën Perëndimore.

    Zakonisht është mënyra më e shpejtë për të shkuar nga A në B për udhëtime të gjata, por për ata që udhëtojnë drejt dhe nga Irlanda dhe MB mbrëmë, fluturimi u bë një odise. Aeroportet në Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar u goditën keq nga stuhia, me shpërthime deri në 90 mph, sipas CNN.

    Shumë avionë që shkonin në perëndim u devijuan drejt uljeve më të sigurta në Evropën kontinentale, shpesh duke fluturuar në destinacion përpara se të dështonin në ulje. Ryanair u prek veçanërisht, pasi baza e tij është Dublini, ku 166 fluturime hyrëse dhe dalëse u anuluan të dielën, sipas Kevin Cullinan, kreu i grupit të komunikimeve në daa, operatori i Aeroportit të Dublinit.

    Aeroporti gjithashtu pa 36 devijime fluturimi dhe 34 rrotullime, ku aeroplanët braktisin uljen në mes të procesit.

    Numrat shpjegojnë skenat e jashtëzakonshme që u shpalosën kur avionët përpiqeshin të përfundonin fluturimet e tyre drejt dhe nga Irlanda.

  • Vrasja e 18 vjeçarit nga Podujeva, IPK nis hetime për veprimet e Policisë

    Vrasja e 18 vjeçarit nga Podujeva, IPK nis hetime për veprimet e Policisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Momenti kritik i 14 janarit, ku i riu nga Podujeva, L.F u rrah për vdekje nga dy të mitur, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës u përshkrua si therje me thikë.

    Mirëpo, sipas Shefit të Repartit Intensiv në QKUK, gjatë trajtimit mjekësor në trupin e viktimës, nuk ishte evidentuar ndonjë therje. Edhe pamjet që u publikuan në lidhje me rastin, janë ndryshe prej asaj çka u shkrua në raportin policor.

    Lidhur me këtë paqartësi, Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka filluar hetimet.

    “Ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Interesimi i gazetarëve për të marrë përgjigje sa i përket përshkrimit fillestar të rastit nga Policia, nuk u përfill nga komandanti i Stacionit Policor të Podujevës, Njazi Jashari.

    Pas mbledhjes urgjente të Këshillit për Siguri në Bashkësi, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, njoftoi se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut, është i njohur për organet e rendit.

    “Me këto raste është marrë gjyqësia dhe prokuroria, dhe njëri prej tyre, në këtë fazë kur ka ndodhur tash rasti, faktikisht ka qenë i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për një rast të mëhershëm dhe faktikisht ka pasuar ky rasti që është aktualisht”, tha Bulliqi.

    Ndërkaq, tjetri sipas Bulliqit, karakterizohej për sjellje të këqija në shkollë.

    “Ndërsa i dyti, i cili është bashkëpjesëmarrës, nuk është që ka të hapur ndonjë rast nga organet e rendit… “Është nxënës i cili nuk ka treguar rezultat të mirë në shkollë. Është nxënës të cilit i është thy nota e sjelljes dhe ka pasur një numër të madh mungesash”, tha Bulliqi.

    Kryetari Bulliqi vlerësoi se në përgjithësi gjendja e sigurisë në komunën që ai udhëheqë është stabile.

    Të dyshuarit për vrasjen e të riut gëzojnë kushte të mira ekonomike. Që nga data 15 janar ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit, prej një muaji.

    18 vjeçari L.F vdiq të shtunën në intensivë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

  • Mblidhen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Mblidhen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ende pa përfunduar afati i rregullt ligjor, qytetarët e Zveçanit mblodhëm nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarit aktual Ilir Peci.

    Derisa në këtë komune mbledhja e nënshkrimeve nisi të premten e 19 janarit, sot procesi ishte i mbyllur.

    Njëjtë ngjau edhe në Zubin Potok.

    1347 qytetarë të kësaj komunë, që përbejnë 20 për qind të votuesve, hodhën nënshkrimet pro largimit të kryetarit aktual.

    Afati ligjor për mbylljen e këtij procesi sot përfundoi edhe në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut, por nënshkrimet e duhura sa për ta kaluar këtë peticion ishin mbledhur më herët.

    Andaj meqë serbët e veriut treguan vullnet të lartë për largimin e kryetarëve shqiptarë, sipas shoqërisë civile është radha që kryetarët të japim dorëheqje, e të mos zvarritet procesi.

    Sipas udhëzimit administrativ, peticioni i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në të cilin nevojiten 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar.

  • Kundërshtohet ndërtimi i stacionit policor në veri

    Kundërshtohet ndërtimi i stacionit policor në veri

    Përgatiti: Nora Luta

    Një tjetër peticion do ta dorëzojnë banorët lokalë serbë të Mitrovicës Së Veriut brenda kësaj jave në Kuvendin Komunal.

    Rreth 2 mijë qytetarë i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës së partisë Demokratike Serbe për te kundërshtuar përmes peticionit vendimin e Komunës për t’ia dhënë në shfrytëzim këtë hapësirë Ministrisë së Punëve te Brendshme.

    Ata po pretendojnë se këtu do të ndërtohet një stacion policor.

    “I kemi mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime, sepse jemi kundër vendimit të Komunës që ajo hapësirë të ipet në shfrytëzim, vendimi është marrë pa konsultim publik paraprakisht, askush nuk ka pyetur nëse 3 hektarë do të ipen në shfrytëzim, ne nuk kemi nevojë për forca shtesë të policisë, kemi nevojë më shumë hapësira të gjelbra, më shumë parqe”, tha Stefan Veljkovic nga Partia Demokratike Serbe.

    Por në Kuvendin Komunal thonë se kërkesa e këtij subjekti politik nuk është në përputhje me ligjin, dhe si pasojë vendimi nuk mund të shfuqizohet.

    E, nga Stacioni i Policisë së Kosovës në veri thonë se hapësira nga MBP-ja do të shfrytëzohet për një tjetër qëllim.

    Vendimi i Kuvendit Komunal për ndarjen e kësaj parcele për MPB-në ka marrë dritën e gjelbër edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Ndërsa stacioni i policisë këtu në veri aktualisht ndodhet në këtë objekt që është përballë Gjykatës Themelore.

  • E kafshoi qeni endacak, plagën u desh ta mbyll me mbi 20 penj

    E kafshoi qeni endacak, plagën u desh ta mbyll me mbi 20 penj

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Më shumë se 20 penj, u deshën për ta mbyllur plagën që iu shkaktua nga kafshimi i qenve endacak, 69 vjeçares, Lumturie Hoxha, nga Prishtina.

    Hoxha u sulmua nga qentë endacak një ditë më parë, në rrugën “Bajram Kelmendi” në kryeqytet.

    “Kam qenë duke shkuar me ble bukë edhe unë kam qenë në trotuar, fillimisht i pash qentë por ishin në anën tjetër, në rrugën kryesore, vetëm kur më ka sulmuar, më ka kafshuar në dorë, kam thënë kuku nënë çfarë më gjet edhe qeni u largua, humba në atë moment prej frikës, sulmi nuk ka zgjat veç trap ma ka ngjit, ma prunë do ujë me pi deri u ka ardhur vëllai me marrë edhe drejtë në emergjencë, veç e njisha tu ma kep, dhimbje e hatashme…”, rrëfen Hoxha.

    Për plagën, dhimbjet dhe shqetësimet që ndjenë pas sulmit, ajo kërkon llogari nga institucionet.

    “Aty nën-stop nga 10 qenë i ke, për kurrgjë hiq mu ballafaqua me këto probleme, plus shqetësimi, krejt vet duhet me i ble barnat, kurrkush se merr përsipër me këqyr a ka pare me ble barna, e duhet me u ballafaqua me këto probleme të panevojshme”, thotë Hoxha.

    Rastin e kishin parë edhe disa banorë të lagjes, të cilët kërkojnë zgjidhje urgjente.

    “Unë isha me gruan dhe më vajzën duke pirë kafe dhe ndërkohë e pamë rastin ishin 3-4 qenë dhe me të vërtetë është një problem i madh sepse edhe qentë janë agresiv, nuk janë vetëm këto dy raste ka pasur edhe tjera, bëjë apel që komuna patjetër ta zgjedhin këtë problem”, tha Ylber Ramdani, dëshmitar i rastit.

    Edhe pse janë në dijeni për sulmet e njëpasnjëshme nga qentë endacak, aktualisht, komuna e Prishtinës nuk ka asnjë plan tjetër përveç Strehimores.

    “Nuk kemi zgjidhje momentalisht, përveç strehimores, edhe me atë udhëzimin administrativ, pas 21 ditësh qentë duhet të lirohen, nuk është marrë asnjë hap prej nivelit qendror, nuk po mundemi ta zgjedhim problemin vetëm ne si komunë”, tha shefi i Sektorit për Shërbime Publike në Prishtinë, Habib Qorri.

    Dy ditë më parë, ATV-ja ka raportuar se po në të njëjtën rrugë, cak i sulmeve nga qentë endacak ishte edhe një qytetare tjetër, porse ia doli më lehtë.

    Ndërkaq, çdo ditë 7 deri në 8 pacientë marrin trajtim mjekësor prej sulmeve nga qentë endacak në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

  • Bërnica e Epërme pa ujë të pijshëm

    Bërnica e Epërme pa ujë të pijshëm

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Bidonët i vendosi në veturë e u nis për t’i mbushur me ujë ato.

    Kështu duke udhëtuar 16 kilometra, Liman Maqani nga fshati Bërnicë e epërme, siguron ujin për pije.

    Meqë komuna problemin me ujësjellës nuk ua zgjodhi, banorët hapen puse në fshat, por ujin nga aty nuk mund ta konsumojnë për pije.

    Mirëpo, çështja e ujit të pijshëm, pritet të zgjidhet së shpejti, kjo pasi që të hënën, kompania rajonale ujësjellësit Prishtina dhe komuna e Prishtinës arritën një marrëveshje.

    “Sot kemi pasur një takim me Komunën e Prishtinës, kemi arrite marrëveshje, që ne si KRU Prishtina me bë planin për ndërtimin e një rezervuari mbi fshatin Bërnicë. Projektin e realizojmë ne dhe e dërgojmë në komunë deri në fund të muajit mars, ndërsa komuna e Prishtinës do investojë aty, dhe kështu në plane afatgjate pritet të zgjidhet problemi me ujë për Bërnicë e Milevc”, thotë Arjeta Mjeku nga “KRU Prishtina”.

    Por pa dhënë detaje, nga drejtoria e investimeve kapitale, nëpërmjet telefonit i thanë ATV-së, se varësisht se sa shpejt KRU-ja e përfundon projektin, do të fillojnë investimet.

    Megjithatë, nëse çështja e ujit nuk zgjidhet shpejt, banorët e këtij fshati kanë paralajmëruar protesta, para institucioneve përgjegjëse.