ATV

Author: ATVLive

  • Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Bajraktari: Sipas kualifikimit aktual për vrasjen e 18-vjeçarit, të miturit mund të dënohen maksimum deri në 5 vite burg

    Avokati Ardian Bajraktari, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se, sipas kualifikimit aktual “Vrasje në bashkëkryerje”, dy të miturit për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, mund të dënohen në maksimum deri në 5 vite burgim.

    “Sipas kualifikimit aktual, mirëpo që nuk përjashtohet mundësia që të rikualifikohet mbase në fazat e më pastajme, bazohem edhe në indikacionet të cilat mund të hasen gjatë procesit të më pastajmë. Sipas kualifikimit aktual që është “Vrasje në bashkëkryerje”, e që maksimumi i dënimit për këtë vepër penale që mund t’u shqiptohen të miturve është deri në 5 vite”, tha avokati Bajraktari.

    Ai tha se rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës, është momenti i kryerjes së veprës penale.

    “Rrethanë determinuese në rastin e përcaktimit të moshës është momenti i kryerjes së veprës penale, sepse kemi dëgjuar dje se ‘jo duhet me i mbajt në paraburgim deri sa të arrijnë moshën 18-vjeçare, të ngjashme’, që kryesisht kanë qenë mbase edhe laik të fushës jo të profesionit, megjithatë unë e kuptoj reagimin edhe shqetësimet e opinionit publik në lidhje me pamjet të cilat janë shpërfaqur nga ana e mediave, megjithatë duhet me e pasë parasysh që këta i përkasin kategorisë së kryerësve të mitur, që nënkupton që ndaj këtyre zbatohen dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur gjatë gjithë ecurisë së procesit për çka zhvillohet ndaj tyre”, tha Bajraktari.

    Avokati tregoi se kodi i drejtësisë për të mitur është i vitit 2013, i cili është edhe kësaj në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian.

    “Personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale hynë në kategorinë e personave të mitur të rritur që nënkupton se plotësohet kushti bazë për shqiptimin e dënimit me burgim, e kur jemi tek dënimi me burgim, atëherë kodi i drejtësisë për të mitur përcakton që të mund të shqiptohet dënimi me burgim, duhet të kryhet një vepër e dënueshme me 5 vite e më tepër burgim, e që natyrisht vrasja hyn në këtë kategori dhe kohëzgjatja e dënimit me burgim për të mitur është nga 6 muaj deri në 5 vite, maksimumi i përgjithshëm, përveç në raste kur kryhen vepra të rënda, të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kryhen dy e më shumë vepra penale me të paktën 10 vite burgim, atëherë mund të dënohen deri në 10 vite. Këto janë limitet dhe kushtet me të cilat përcaktohen me dispozitat e kodit të drejtësisë për të mitur e kur jemi te kodi i drejtësisë për të mitur, ai është i vitit 2013 dhe në rrjedhë të kësaj është në harmoni edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    O’Brien: Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë aneksin e Ohrit

    Ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

    O’Brien në konferencën për medie, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, tha se ShBA-ja e mbështet fuqishëm ujdinë e Ohrit dhe i bëri thirrje palëve të angazhohen në zbatim e saj brenda kornizave të dialogut.

    “Ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin që është miratuar në Ohër, në marsin e kaluar. Besojmë se të dy shtetet duhet të operojnë brenda dialogut për të zbatuar udhërrëfyesin plotësisht”, tha ai.

    Kosova e Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë më 18 mars të 2023-s, në Ohër, mirëpo kanë ngecur deri tani në zbatimin konkret të tij.

  • Vuçiq i ankohet O’Brien-it për ndalimin e dinarit në Kosovë

    Vuçiq i ankohet O’Brien-it për ndalimin e dinarit në Kosovë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka biseduar me ndihmësekretarin amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien për çështjen e “ndalimit të transaksionit të pagesave” të Kosovës me Serbinë dhe po ashtu “për ndalimin e shitjes së mallrave serbe” në Kosovë.

    Vuçiq ka thënë se këto janë “sulme histerike ndaj popullit serb në Kosovë e M.”, raporton “Tanjug”.

    Ai në prononcim për gazetarët në Shkup ka thënë se do të vazhdojë bisedimet me O’Brienin për këtë çështje.

    “Ne do të jemi gjithmonë me njerëzit tanë, do të përpiqemi e do të kërkojmë dhe do të gjejmë përgjigje”, ka thënë Vuçiq.,

    Ai ka thënë se që nga viti 2021 “10 marrëveshje dhe iniciativa të rëndësishme s’mund të miratohen në CEFTA, shkaku i bllokimit të një anëtari”.

  • Osmani: Shtyhet afati për aplikimin e njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani: Shtyhet afati për aplikimin e njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim për shtyrjen e afatit për aplikim të njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

    Osmani ka bërë të ditur se afati është shtyrë deri me 15 maj të vitit të ardhshëm

    Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për njohjen e statusit, duke thënë se e vërteta duhet të dëgjohet.

    Më tutje Osmani tha se do të qëndrojnë afër viktimave dhe do të bëjnë të pamundurën në ndjekjen e drejtësisë.

  • Del ekspertiza preliminare e komunës: Këto janë arsyet e rënies së çatisë së Komunës së re të Prishtinës

    Del ekspertiza preliminare e komunës: Këto janë arsyet e rënies së çatisë së Komunës së re të Prishtinës

    Komuna e Prishtinës ka publikuar sot një vlerësim preliminar të dëmtimit të kulmit të ndërtesës së re në Arbëri, si pasojë e së cilës u lëndua një vajzë 23-vjeçare të enjten. Raporti preliminar është përpiluar nga dy ekspertë të fushës të kontraktuar nga komuna, arkitektët Visar Geci dhe Gëzim Kastrati.

    Ndërkaq, dy ekspertët thanë se kanë ardhur në përfundim se kulmi nuk është ndërtuar bazuar në standardet e parapara me ligj.

    “Komplet kulmi ka rënë sepse komplet struktura në të cilën është ndërtuar kulmi nuk është e bazuar në standarde”, tha Visar Geci, bashkë-përpilues i raportit.

    “Ky është kulmi që del jashtë murit. E kanë bërë strehën për shkak që kur të bie shi, të mos rrjedh uji në fasadë. Këtu ka qenë problemi. Këtu ka hyreë fryma dhe komplet e ka çuar kulmin lartë”, tha Geci, derisa prezantoi raportin para mediave.

    “Dhe, problemi më i madh ka qenë ky.. këtu janë dy brinaket të cilat e kanë mbajt komplet kulmin. Problemi u kanë që këto vetëm kanë pushuar në mur, nuk janë ankeruar asnjëra prej tyre. Do të thotë kjo është sikurse me dal me një kapelë, kur fryn era ta heq kapelën. Shihet qartë në këtë fotografi se asnjëra brinake s’ka qenë e ankeruar”, ka shpjeguar Geci.

    Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës është e hapur për ekspertiza të tjera, përfshirë edhe atë të Prokurorisë.

    “Kemi qenë tërë kohën në kontakt me Policinë dhe i kemi pyetur nëse mund të vazhdojmë me vlerësimin preliminar të gjendjes”, ka thënë Rama.

    Ai e ka vlerësuar si urgjente çështjen e vlerësimit të gjendjes në kulmin e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.

    I pari i qytetit ka thënë se është iniciuar edhe përgatitja e një raporti përfundimtar nga komuna, i cili do të përfshijë më gjerësisht shkaqet e rënies së kulmit. Në këtë raport, ai ka paralajmëruar të jenë të përfshirë edhe procedurat e prokurimit dhe pranimit teknik të punës së renovimit të çatisë.

  • A mund të ndalet hapi i Trumpit në garën republikane për president?

    A mund të ndalet hapi i Trumpit në garën republikane për president?

    Përpjekjet e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale, përballen me sfidë të madhe, të martën, kur votuesit në Nju Hempshër do të mbajnë zgjedhjet fillestare – rrethin e parë të zgjedhjeve.

    Meqë Ron DeSantis i ka dhënë fund garës për të fituar nominimin e republikanëve, dhe ka vendosur të përkrahë Trumpin, zgjedhjet fillestare do të jenë të parat që përballin kampin e Trumpit me atë të Nikki Haleyt.

    Ish-presidenti amerikan i hyn garës pas një performance tejet të mirë në zgjedhjet brenda partiake të javës së kaluar në Ajova.

    Mirëpo, Nju Hempshër ka traditë më të moderuar politike dhe rregulla tjera, të cilat u mundësojnë edhe votuesve pa përkatësi politike, që të marrin pjesë në garë.

    Kandidatët e lidhur me Trumpin dhe fushatën e tij, kanë hasur vështirësi në këtë shtet, në të kaluarën.

    Haley, ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara dhe ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, shpreson të përfitojë prej çdo boshllëku, sidomos tani që është kandidatja e vetme e madhe në zgjedhjet fillestare, që synon të mposhtë Trumpin.

    DeSantis, edhe para se t’i jepte fund garës, nuk kishte shpresa për Nju Hempshërin, duke u fokusuar në zgjedhjet fillestare të Karolinës së Jugut, që do të mbahen më 24 shkurt.

    Mirëpo ai ka përkrahës edhe në Nju Hempshër, të cilët tani e dinë se çfarë duhet të bëjnë.

    Një fitore e Haleyt do ta bënte garën më konkurruese, duke marrë parasysh dominimin e Trumpit.

    Megjithatë, një fitore e re e Trumpit mund ta bëjë të pashmangshëm faktin që ai do të fitojë nominimin e republikanëve për të tretën herë me radhë.

    Nuk duhet harruar që edhe demokratët i kanë zgjedhjet fillestare.

    Emri i presidentit aktual amerikan, Joe Biden, nuk është në fletën e votimit, pasi ai ka vendosur ta bëjë Karolinën e Jugut si ndalesën e parë zyrtare për zgjedhjet fillestare të demokratëve.

    Megjithatë, Nju Hempshëri do ta respektojë traditën dhe do të organizojë zgjedhje fillestare edhe për demokratët.

    Çfarë pas të martës?

    Nëse Haley nuk mund ta mposhtë Trumpin në Nju Hempshër, ajo rrezikon që të mos e ndalë atë askund tjetër, madje as në vendlindjen e saj, në Karolinën e Jugut.

    Përballja kokë më kokë mes Trumpit dhe Haleyt është pikërisht shqetësimi që kanë pasur shumë republikanë.

    Haley ka natyrë garuese dhe gëzon përkrahjen e votuesve të moderuar dhe atyre të pavarur.

    Ajo e ka fituar edhe përkrahjen e guvernatorit të Nju Hempshërit, Chris Sununu.

    Prapëseprapë, Trump është favoriti.

    Duke e nuhatur rrezikun potencial, ish-presidenti ka angazhuar armatën e tij të mbështetësve për të demonstruar forcën që ka.

    Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, ish-kundërshtar i Trumpit, e ka përkrahur atë në marshin në Nju Hempshër në fundjavën e kaluar.

    Një numër në rritje i republikanëve në Nju Hempshër insistojnë që nuk do ta përkrahin kurrë Trumpin.

    Dhe pa një organizim të zgjedhjeve fillestare të demokratëve, shumë votues të papërcaktuar, mund të vendosin që ta përkrahin Haleyn.

    Mirëpo, kjo nuk e ndryshon faktin që zgjedhjet fillestare republikane përcaktohen prej republikanëve, dhe përqendrimi i mbështetësve të Trumpit duket më i fuqishëm se kurrë.

    Ku shkojnë mbështetësit e DeSantisit?

    DeSantis është konsideruar si finalist i tretë në garën në Nju Hempshër, para se t’i jepte fund garës, të dielën.

    Ky guvernator i Floridas e ka vizituar Nju Hempshërin për herë të parë si kandidat për zgjedhjet e vitit 2024, në qershor të vitit të kaluar.

    Me gjithë performancën e tij, jo më të mirën ndonjëherë, DeSantis nuk do të thotë që nuk gëzon mbështetje në Nju Hempshër.

    Me gjithë koalicionet e brendshme që ka arritur brenda republikanëve, dhe më pas mbështetjes zyrtare për Trumpin, ka mundësi që pas largimit nga gara, gjithë publiku që e ndjek, të shkojë në drejtim të ish-presidentit.

    Çka mendojnë demokratët?

    Publikisht dhe privatisht, liderët demokratë kanë përsëritur se i frikësohen më shumë Haleyt sesa Trumpit, në aspektin e përballjes eventuale me Bidenin.

    Në zgjedhjet fillestare të së martës do të kuptohet më shumë në këtë drejtim.

    Haley ka shpenzuar muaj duke iu thënë votuesve që pa kaosin dhe bagazhin politik të Trumpit, ajo është në pozicion më të mirë për të mposhtur Bidenin në nëntor.

    Ky argument nuk i ka ndihmuar shumë në Ajova, ku ajo ka dalë mbrapa DeSantisit.

    Tani ajo shpreson që votuesit në Nju Hempshër të kenë më shumë parasysh karrierën e saj politike.

    Sununu, guvernator republikan i Nju Hempshërit, ka qenë në anën e Haleyt për disa javë, duke ua kujtuar votuesve performancën e Trumpit prej kur ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, në mandatin e kaluar presidencial.

    Ende nuk dihet nëse dikush ka reflektuar prej këtyre fjalimeve.

    Nëse jo, është sepse Trumpi i ka bindur votuesit republikanë se ai, dhe jo Haley, është kandidati i duhur për zgjedhje.

    Trump vazhdon rreptë garën, ndonëse ka probleme ligjore të jashtëzakonshme.

    Edhe mungesa e popullaritetit të Bidenit po e turbullon këtë çështje.

    Prandaj, votuesit në Nju Hempshër kanë mundësi që të votojnë në mënyrë strategjike të martën, me një synim që u intereson të gjithëve: aftësia për të mposhtur palën tjetër.

    E gjitha rreth rezultatit

    Rezultati final mund të përcaktohet prej atyre që shihen në votimet e së martës.

    Ajova ka regjistruar një prej daljeve më të ulëta në zgjedhjet brendapartiake të javës së kaluar.

    Daljet e pakta në zgjedhje zakonisht janë në të mirë të kandidatit me mbështetjen më të madhe.

    Dhe më 2024, ai kandidat është Trumpi.

    Mirëpo Haley, me argumentet për kaosin e Trumpit, ka tentuar të ketë në fokus të pavarurit dhe republikanët më të moderuar.

    Ligji i Nju Hempshërit u mundëson votë edhe banorëve që nuk kanë përkatësi politike.

    Demokratët nuk lejohen që të votojnë në zgjedhjet fillestare të republikanëve, ndonëse votuesit kanë pasur mundësi që të ndryshojnë regjistrimin deri në tetor të vitit të kaluar.

    Haleyt i duhet dalje e madhe të martën, për të pasur mundësi që të fitojë.

    Sekretari i Shtetit të Nju Hempshërit, David M. Scanlan, ka parashikuar që 322.000 votues do të marrin pjesë në zgjedhjet fillestare të republikanëve, çka mund të shënojë rekord.

    Në anën e demokratëve, ai pret të marrin pjesë vetëm 88.000 njerëz, pasi realisht nuk do të ketë garë.

    Turpërim presidencial?
    Mund të mos jetë në ballina të mediave, por demokratët e Nju Hempshërit do të votojnë, po ashtu, për kandidatin e tyre për president.

    Pavarësisht që ekipi i Bidenit pretendon që nuk ka interes për rezultatin, ata janë duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet në atë shtet.

    Biden nuk do të jetë në fletën e votimit në Nju Hempshër.

    Ai është duke e shmangur Nju Hempshërin, pasi ka vendosur që të shtyjë përpara mbledhjen e Komitetit Demokratik Kombëtar në Karolinën e Jugut, një shtet shumë më divers, që pritet të mbajë zgjedhjet fillestare më 3 shkurt.

    Mirëpo, i zemëruar me vendimet e Bidenit, ky shtet e ka injoruar dëshirën e presidentit, dhe do të jetë nikoqir i zgjedhjeve fillestare.

    Në listë janë shumë demokratë më pak të njohur.

    Në tentim e sipër për të demonstruar forcën e Bidenit, pavarësisht mungesës së tij, aleatët e presidentit në këtë shtet, i kanë inkurajuar votuesit që të shkruajnë vetë emrin e Bidenit në fletën e votimit.

    Rezultati nuk do të ketë rol të madh në numrin e delegatëve që duhen i një kandidati të fitojë nominimin e demokratëve.

    Mirëpo një rezultat i dobët do të përbënte turp të pakërkuar për Bidenin, teksa ai tenton të përmirësojë pozicionin politik para zgjedhjeve./REL

  • Bulliqi pas vrasjes së 18 vjeçarit: Si institucione lokale bashkë me Policinë, do të mundohemi t’i eliminojmë këto raste

    Bulliqi pas vrasjes së 18 vjeçarit: Si institucione lokale bashkë me Policinë, do të mundohemi t’i eliminojmë këto raste

    Pas rastit të rëndë të vrasjes së 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, të hënën ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri në Bashkësi me temën “Situata e përgjithshme e sigurisë në komunën e Podujevës”, raporton EO.

    Në nisjen e kësaj mbledhje, Këshilli mbajti një minutë heshtje në nderim të 18 vjeçarit, teksa u zotuan për parandalim të këtyre rasteve.

    Ndonëse e konsideron Podujevën si qytet të qetë, Bulliqi thotë se rasti i fundit ishte tragjik dhe në bashkëpunim me institucionet tjera po punojnë ngushtë që raste të tillë t’i eliminojnë.

    “Rasti fundit i vrasjes së Lulzimit vërtet na preku të gjithëve ishte një rast i rënd, sidoqoftë ajo që doli fatkeqësisht ky rast u përmbyll në mënyrë tragjike. Sigurisht që gjitha këto qe ne tashti po edhe të ardhmen do t’i diskutojmë do të jenë në kuptimin e mundësisë se marrjes se masa preventive me qellim të zvogëlimit të rasteve. Sigurisht ne si institucione lokale bashkë me Drejtorin e Arsimit por edhe më stacionin policor këtu në Podujevë kemi një bashkëpunim të ngushtë që raste të tillë t’i eliminojmë”, u shpreh Bulliqi.

    “Ne e dimë që komuna Podujevës është prej komunave të mëdha përkundër këtij fakti kemi qenë një ndër komunat më të qeta. Deri tashti ja kemi dalë që bashkërisht t’i menaxhojmë këto problem mirë por rasti fundit ishte rast tragjik që na preku të gjithëve. Po e shfrytëzoj nga rastin që familjes së të ndjerit t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e djalit tyre. Ne kemi marr një varg vendime me stacionin policor duke siguruar zyrtarë policor të vëzhgojnë shkollat e mesme”, deklaroi Bulliqi.

  • ​Samiti në Shkup, anulohet konferenca e përbashkët e liderëve

    ​Samiti në Shkup, anulohet konferenca e përbashkët e liderëve

    Është anuluar konferenca e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, e cila ishte paraparë të nis pas orës 12:00.

    Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë janë mbledhur të hënën (22 janar) në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

    Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

    Mësohet se liderët e shteteve po flasin vetëm për mediet e tyre.

  • U dënua për grabitje, dëbohet nga Zvicra 50 vjeçari kosovar

    U dënua për grabitje, dëbohet nga Zvicra 50 vjeçari kosovar

    Gjykata Federale në Zvicër e ka dënuar një kosovar me dëbim nga shteti, pasi është shpallur fajtor për grabitje.

    Rati ka ndodhur më 8 shtator 2018, ku një kosovar i maskuar me një bluzë në fytyrë – së bashku me një bashkëpunëtor tjetër të maskuar – kishte sulmuar një person të tretë. Qëllimi i tyre ishte grabitja e një çante krahu në makinë, që kishte para brenda.

    Autorët kanë pasur edhe një thikë me vete – dhe e kanë goditur atë edhe me thikë. Më pas ata kanë marrë çantën e krahut dhe janë larguar.

    Në nëntor të vitit 2020, Gjykata e Qarkut në Dietikon e ka dënuar kosovarin, që tani është rreth 50 vjeç, me një dënim të pjesshëm (pjesërisht me kusht) prej 30 muajsh burg, për grabitje.

    Ai duhej të mbante nëntë muaj burgim efektiv, ndërsa 21 muaj i janë dhënë me kusht, shkruan Limmattaler Zeitung.

  • Rregullorja e re e BQK-së, Mehmeti: Dinari ka qenë anti-ligjore kaherë, euro është valuta zyrtare e Kosovës

    Rregullorja e re e BQK-së, Mehmeti: Dinari ka qenë anti-ligjore kaherë, euro është valuta zyrtare e Kosovës

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, thotë për Ekonomia Online se në Kosovë vetëm valuta euro është zyrtare dhe se ndalimi i valutave tjera nuk mund të bëhen me rregullore përderisa ekziston Ligji.

    Mehmeti thotë se në Kushtetutën e Kosovës tregohet qarte se duhet të përdoret vetëm një valutë e vetme dhe se ndalimi i dinarit ka ndodhur që nga vitit 1999, në kohën e konvertimit të markës gjermane.

    “Që nga paslufta, çështja e dinarit ka qenë shumë sfiduese në Republikën e Kosovës dhe për këtë arsye në vitin 1999, më kujtohet saktë ka qenë një rregullore, ku në atë kohë është përdorur marka gjermane e cila ishte valutë zyrtare në Kosovë, nuk ka pasur valuta tjera. Më pastaj, ju e dini konvertimi kur ka ndodhë prej markës gjermane në euro, është me rregulloren 2001/24, ku euro sipas kësaj rregullore është valuta zyrtare për territorin e Kosovës. Pastaj, kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, më saktë me nenin 11-të, pastaj me nenin 16, me nenin 17 dhe 18 të Ligjit të Bankës Qendrore, ku më saktësisht neni 16 e specifikon kur thotë se ‘është valuta e vetme që do të përdorët’”, thotë Mehmeti.

    Mehmeti tregoi edhe dallimin se kur dhe ku mund të përdoren valutat që nuk janë në vlerën euro.

    “Valutat tjera mund të përdorën për ruajtje fizike, në llogari për pagesa ndërkombëtare por jo më shumë. Pra kemi një valutë të vetme zyrtare që është valuta euro. Pa dashtë me elaburu rregulloren por rregullorja e adreson atë çka thuhet në ligj e që ky ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të 2012-ës”, deklaroi Mehmeti për EO.

    E ndalimin e kartëmonedhave 500-she, Mehmeti e konsideron si vendim të kahershëm. Thotë se ndalimi i këtyre kartëmonedhave ka ndodhur në kohën sa ka qenë guvernator i BQK-së.

    “Ndër tjera, në këtë rregullore përmendet edhe çështja e kartëmonedhës 500 euro, ku mediat e interpretuan se kinse ‘nuk ka më kartëmonedha 500 euro’, që faktikisht ka vite më herët që Banka Qendrore Evropiane ka marrë vendim ta ndalojë prodhimin e këtyre kartëmonedhave dhe ka vite më herët kur ne kemi kërkuar prej institucioneve financiare e bankare që duhet t’i pranoni kartëmonedhën 500 euro, mirëpo nuk keni të drejtë ta hidhni në qarkullim por ato duhet të kthehen në BQK e më pastaj ato të rikthehen në origjinën ku janë emituar”, thotë Mehmeti.

    Ish-guvernatori i BQK-së e thekson si anti-ligjor qarkullimi i dinarit. Thotë se veprimi i institucioneve është në përputhje me Kushtetutën.

    “Është fakt që asnjë rregullore nuk mund të jetë mbi ligjin edhe bazën ligjore pikërisht kjo rregullore e ka në ligj. Këto çështje nuk rregullohen me rregullore por me ligj. Ne e kemi rregulluar me Kushtetutë, e kemi të rregulluar edhe me ligj dhe bazën ligjore e ka në këto të dyja. Ajo çka është dashur në rastin konkret është veç zbatojë ligjin. Ligji thotë se është një valutë e vetme zyrtare. Kemi pasur edhe raste kur kemi pranuar informata të ndryshme kur ka qarkullim. Tani thjesht qarkullimi i dinarit është ilegal, anti-kushtetues dhe anti-ligjor dhe çdo veprim anti-ligjor duhet të ndëshkohet por edhe në rastin konkret arsyen dhe bazën ligjore e ke për me i konfiksu. Për këtë arsye, mundësitë e veprimit janë të bazuara në Ligj dhe në Kushtetutën e Kosovës”, thotë Mehmeti.