ATV

Author: ATVLive

  • Miku i madh i shqiptarëve William Walker, martohet në moshën 88-vjeçare

    Miku i madh i shqiptarëve William Walker, martohet në moshën 88-vjeçare

    Ish-ambasadori amerikan i OSBE-së, William Walker, është martuar.

    Në ceremoninë që po mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka kurorëzuar dashurinë me bashkëshorten e tij Dejzi.

    Walker teksa po qëndronte në Kosovë dy javë më parë, konfirmoi martesën e tij të tretë.

    Ai tregoi se gruaja e tretë me të cilët do të martohet quhet Dejzi, sikurse e kishte emrin edhe gruaja e dytë, tashmë e ndjerë.

    Ai ndër të tjera tha se në ceremoni të martesës do të ketë edhe miq nga Kosova.

  • Gjendet i vdekur një burrë në banesën e tij në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në banesën e tij në Prishtinë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.

    Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, trupi i pajtë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

    “HETIM I VDEKJES-Prishtinë / 19.01.2024 – 14:31. Raportohet se në banesën e tij pa shenja jete është gjetur viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në raport.

  • PDK kundër peticionit, Qalaj: Kryetarët do duhej të shkarkoheshin përmes dorëheqjes në koordinim me Qeverinë e jo nga komuniteti serb

    PDK kundër peticionit, Qalaj: Kryetarët do duhej të shkarkoheshin përmes dorëheqjes në koordinim me Qeverinë e jo nga komuniteti serb

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kryetarët e dy komunave veriore nga radhët e kësaj partie, kanë dalur kundër procesit të nënshkrimit të peticioneve, proces ky që mundëson shkarkimin e tyre, raporton EO.

    Kështu ka deklaruar deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se kërkesat e tyre kanë qenë që kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe, të japin dorëheqje në mënyrë të organizuar dhe në koordinim me qeverinë e jo të shkarkohen nga një komunitet, që sipas tij, nuk ka marr pjesë fare në zgjedhje.

    Ai ka thënë se kjo iniciativë e mbledhjes së nënshkrimeve është gabim dhe nuk duhet që të konsiderohet si opsion.

    “Fillimisht dua ta jep një koment në lidhje me çështjen e mbledhjes së nënshkrimeve, ju e dini që Partia Demokratike dhe kryetarët që janë atje të Partisë Demokratike janë kundër këtij peticioni. Ata kanë bërë thirrje në vazhdimësi që kryetarët të cilët janë të zgjedhur tash në komunat veriore të japin dorëheqje në mënyrë të organizuar në mënyrë të koordinuar me qeverinë e jo të shkarkohen nga një komunitet të cilën nuk ka marrë pjesë fare në zgjedhje. Pra mendoj që është gabim çështja e mbledhjes së nënshkrimeve dhe si të tillë duhet të konsideruar”, tha ai.

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor, i cili do të mbahet pas procedurave të shkarkimit, mund të ketë tensione, kjo pasi sipas tij, ngritja e tensioneve në veri është tendencë e vazhdueshme e Serbisë.

    “Sa i përket çështjes së tensionimit të situatës nuk e di edhe mund të ketë tensione lokale, kryesisht varet nga tendenca e Serbisë e cila është tendencë e vazhdueshme për ngritjen e tensioneve në veri”, tha ai.
    Qalaj ka theksuar se situata në veri duket e qetë në sipërfaqe por që në realitet është shumë e tensionuar dhe se mund të ketë incidente të ngjashme si vitin e kaluar edhe në të ardhmen.

    “Gjendja e sigurimit është një situatë në sipërfaqe duket e qetë mirëpo është shumë e tensionuar për shkak të veprimeve të shtetit të Serbisë, presidentit Vuciq në raport me Kosovën, sidomos në raport me katër komunat veriore. Pra unë mendoj që situata atje është shumë e tensionuar dhe mund të ketë incidente të ngjashme edhe në të ardhmen”, tha ai.

  • Bëri homazhe në Prekaz, pas 4 orësh marrje në pyetje nga BIA lirohet vajza e Sanduloviqit

    Bëri homazhe në Prekaz, pas 4 orësh marrje në pyetje nga BIA lirohet vajza e Sanduloviqit

    Pas katër orësh në pyetje nga BIA, Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb, Nikolla Sanduloviq, është lejuar të hyjë në territorin e Serbisë.

    Klara Sanduloviq, pas vizitës që bëri gjatë ditës së shtunë në memorialin “Adem Jashari”, në Prekaz është ndaluar në pikën kufitare në Merdare nga Policia serbe.

    Por, pas katër orësh në pyetje nga BIA, Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb, Nikolla Sanduloviq, është lejuar të hyjë në territorin e Serbisë.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Nikolla Sanduloviq përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

    Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta ndalin “këtë regjim diktatorial” që sipas tij po persekuton kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.

    “Pas 4 orësh marrje në pyetje dhe ngacmime nga BIA, Klara Sanduloviq dhe Mihajlo Todiq u lejuan të hyjnë në vendin e tyre! Evropa, Britania e Madhe dhe Amerika duhet ta ndalin këtë regjim diktatorial që po persekuton kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre”, shkroi Sanduloviq.

    Klara Sanduloviq, pas vizitës që bëri gjatë ditës së shtunë në memorialin “Adem Jashari”, në Prekaz është ndaluar në pikën kufitare në Merdare nga Policia serbe.

    Pak javë më parë politikani opozitar serb, Sanduloviq u maltretua në Serbi për shkak të vizitës në Prekaz.

    Anëtarë të BIA-s serbe në fillim të janarit arrestuan dhe keqtrajtuan Sanduloviqin, vetëm pse kishte shpërndarë pamjet nga vizita e tij në Prekaz para një viti.

    Gjithashtu, për të bërë homazhe në Prekaz javën e kaluar ishte edhe avokati i Sanduloviqit, Çedomir Stojkoviq, i cili me tu kthyer në Serbi u mor në pyetje nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.

    Klara, ngjashëm si babai (Nikolla), u përkul para varrit të Blerina Jasharit dhe kërkoi falje për krimet e shtetit të saj ndaj shqiptarëve.

    “Veprimi i babait tim ishte shumë paqësor ndërsa Qeveria serbe konsideroi që ai kishte kryer një krim prandaj sot vendosa të bëhem kriminele si babai im dhe vendosa të vi këtu e të shpreh ngushëllimet e mija për të gjitha viktimat e pafajshme, në mënyrë që gjenerata ime të vetëdijesohet që duhet të ndalim urrejtjen e të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu të kërkojmë falje”, ka thënë ajo.

    Bashkë me vajzën e Nikola Sandulloviqit ishte edhe nënkryetari i partisë së tij, Mihajlo Todiq, i cili tha se erdhi në Kompleksin Memorial për të kërkuar falje për krimet e Serbisë.

    Për të njëjtin Sanduloviq ka njoftuar se pas ndalimit nga BIA, është lejuar që të hyjë në Serbi.

  • Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një realitet që ndodh në kohën e duhur

    Xhaferi: Zgjedhja ime si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është një realitet që ndodh në kohën e duhur

    Talat Xhaferi, kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është në kohën e duhur.

    Ai sot bëhet shqiptari i parë që është në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndonëse do të jetë qeveri teknike me mandat 100 ditësh.

    Xhaferi për Klan Kosovën ka deklaruar se më herët ka qenë një tabu të flitet që shqiptarët të jenë në krye të institucioneve, sipas tij, tani kjo është një realitet.

    “Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur.”

    “Kontekstet kohoret në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”, ka thënë Xhaferi.

  • “Lajmi i mirë” i Bislimit del i pavërtetë, ende s’ka fatura në Mitrovicë të Veriut

    “Lajmi i mirë” i Bislimit del i pavërtetë, ende s’ka fatura në Mitrovicë të Veriut

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Lajmi i mirë është që mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në veri, për konsumin e energjisë gjatë muajit janar”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Megjithëkëtë, në Mitrovicë të Veriut nuk pati fatura të energjisë elektrike as këtë të premte.

    Krahas komunikimit me qytetarë, aktivistë e përfaqësues politikë në këtë komunë, të cilët konfirmuan se nuk i kanë marrë faturat ende, ATV-ja shikoi nga afër në hyrje ndërtesash kolektive në disa lagje.

    Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, ATV-ja kuptoi se Elektrosever do të praktikojë dërgimin e faturës të konsumatorët, në katër komunat në veri, në ditën e fundit të muajit ose të parën e muajit të ri.

    Asamblisti Betim Osmani konfirmoi se kompania ka filluar informimin se faturimi do të nis së shpejti, edhe pse përkohësisht pritet jetë paushall.

    “Faturë zyrtarisht nuk ka sot. Sot ka vetëm njoftim… Sot isha në kontakt me disa nga qytetarët në lagjen Kodra e Minatorëve në Mitrovicë të Veriut, atje kane qenë lexuesit e shpenzimit të rrymës dhe u kanë thënë (qytetarëve) që dy deri në tre muaj i keni nga 30 euro për pagesë, derisa të arrihet komplet ndërrimi i orëve”, tha Osmani.

    Qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar, që nga viti 1999.

    Rreth 350 milionë euro llogaritet të jetë kostoja buxhetore, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në këto komuna, që nga përfundimi i luftës.

  • 30 hektarë të “Damperit” në shërbim të FSK-së

    30 hektarë të “Damperit” në shërbim të FSK-së

    Përgatiti: Armand Hoti

    Lëvizjet janë të pakta. Të vetmit që shihen janë rojet e vendosur te porta.

    Ish-fabrika “Damper” në Shirokë të Suharekës, që është njësi e ish-ndërmarrjes shoqërore “Ballkani”, u ndërtua gjatë viteve të ‘80-ta.

    “Ka pas me u prodhu goma prej gomave të vogla të automjeteve deri te këto të tonazhit të madh, kanë pasur të prodhohen”, tha Gëzim Mazreku, ish-punëtor i Ballkanit.

    Mirëpo, sipas Mazrekut, i cili ishte punëtor i ish-ndërmarrjes Ballkani, “Damperi” nuk u funksionalizua kurrë në plotësisht.

    “Objekti si objekt, infrastruktura ka qenë e përfunduar dhe vetëm makineritë kanë pasur të vijnë”, tha Mazreku.

    Por, 40 vjet pas mosshfrytëzimit të asaj pjese, pesë parcela me sipërfaqe prej më shumë se 30 hektarësh të Njësisë “Damper”, apo siç njihet ndryshe kampit “Casablanca”, tash synohet të përdoren për nevoja të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë, u miratua vendimi preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme të NSH-së “Ballkani”, respektivisht njësisë “Damper”.

    “Për realizimin e këtij projekti është e nevojshme që të kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët, të evidentuar në tabelat e elaboratit të shpronësimit”, tha ministri i MMIPH-së, Liburn Aliu.

    Me shpronësimin e kësaj prone, do të mundësohet edhe kompensimi i ish-punëtorëve të “Ballkanit”

    “Duke qenë se Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, me anë të këtij vendimi do të mundësohet edhe kompensimi i të drejtave të tyre”, tha Aliu.

    Këtë vendim e kanë mirëpritur ish-punëtorët.

    Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në total janë katër asete të mbetura në emër të NSH-së “Ballkani”.

  • Bislimi për masat e BE-së ka paqartësi brenda shteteve anëtare

    Bislimi për masat e BE-së ka paqartësi brenda shteteve anëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ka rreth 8 muaj që Kosovës iu vendosën masa nga Bashkimi Evropian për shkak të eskalimit të situatës së sigurisë në veri.

    Por, për largimin e tyre sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi janë përmbushur obligimet.

    “Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë”, tha Bislimi.

    Megjithatë që BE-ja t’i vendos masa Serbisë, pret një raport final nga institucionet hetimore kosovare, ndonëse një raport 48 faqesh të përpiluar nga ekzekutivi i është dërguar Bashkimit Evropian.

    “Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestim për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut”, tha Bislimi.

    Ai shtoi se më 30 janar në Prishtinë do të vijë dikush nga Brukseli e që temë diskutimi do të jenë edhe masat.

    Megjithatë raportimi i Bislimit në Komisionin për Integrime Evropian nuk kaloi pa përplasje.

    Në rend dite në komisionin ishte edhe shqyrtimi i disa projektligjeve të cilat u prezantuan nga zëvendëskryeministri por për të cilat nuk pati vendimmarrje.

  • Brenda një muaji, Policisë i dështuan dy tenderë për furnizim me uniforma

    Brenda një muaji, Policisë i dështuan dy tenderë për furnizim me uniforma

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Armët pritet t’i kenë të reja. Por, shumë pjesëtarë të Policisë edhe për një kohë, punën do ta bëjnë të veshur me uniforma të vjetruara.

    Tenderi për furnizim me uniforma për detyra taktike ka dështuar përsëri.
    Krahas tenderit që kap vlerën e rreth 3 milionë euro, Policisë se Kosovës i ka dështuar edhe tenderi me procedurë të negociuar për furnizim me uniforma operacionale.

    Dy këto aktivitete prokurimi kanë dështuar brenda 1 muaji, me arsyen e njëjtë.

    Derisa institucioni i Policisë nuk ka kthyer përgjigje as pas dy ditësh, nga sindikata thonë se ka vite që pjesa me e madhe e zyrtarëve policorë nuk kanë marrë uniforma.

    “Në fakt furnizimi i rregullt me uniforma për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ka kohë që ka dalë prej rendi të shprehemi kështu. Saktësisht nuk mund ta dimë, por që nga pandemia kur edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte mbetur pa bord shumë tenderë sikur se edhe ata që kanë qenë për uniforma janë kthyer në piken zero”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Teksa apeloi që procedurat e prokurimit për Policinë e Kosovës të përshpejtohen, Imer Zeqiri tregoi për vështirësitë më të cilat përballen policët për shkak të mos furnizimit të rregullt me uniforma.

    “Kjo sjell shumë vështirësi në kryerjen e punës për një polic. Ka pasur raste kur me një këmishë e ka kaluar gjithë vitin. Ka pasur raste kur janë detyruar të blejnë personalisht pantallona të së njëjtës ngjyrë për tu dukur që janë uniformë e policisë”, tha Zeqiri.

    Ndryshe, si kërkesë e parë nga 14 sosh, që Sindikata e Policisë i adresoi Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla pak para viti të ri, ishte përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, me theks të veçantë veshmbathjet, mjetet e punës dhe mjetet logjistike.

  • Infermierët kundërshtojnë rregulloren funksionale për shtesat funksionale

    Infermierët kundërshtojnë rregulloren funksionale për shtesat funksionale

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Një rregullore për shtesat funksionale në bazë të së cilës punonjësit shëndetësor, mjekët dhe infermierët marrin shtesa në paga, nuk po konsiderohet e drejtë dhe e barabartë për këto dy kategori.

    Infermierët po e kundërshtojnë, pasi sipas rregullores ata marrin shtesa vetëm për kujdestari. Ndërkaq mjekët përpos kujdestarisë marrin kompensim si dhe shtesë tregu për faktin që punojnë vetëm në institucion publik shumë kjo që arrinë deri në 200 euro.

    Por nga Oda e Mjekëve thonë se kjo është bërë pas vlerësimit se ka rrezik që Kosova të mbetet pa mjekë.

    Ndërkohë në listën e pagës në cilën e ka siguruar ATV në muajin dhjetor paga e një mjeku rezulton të arrijë mbi 3 mijë euro derisa për këtë Sejdiu ka shpjegim.

    Rregullorja për shtesat funksionale e cila hyri në fuqi më 6 shkurt të vitit të kaluar ka afat vetëm 1 vit.