ATV

Author: ATVLive

  • Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Rreth 50 për qind e punës ka rënë nëpër lokalet e gastronomisë shkak i intensifikimit të aksioneve të inspeksionit dhe gjobave për konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura, janë ankuar ponarë e menaxherë të lokaleve në kryeqytet, me të cilët bisedoi EO.

    Ata kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që të ndryshojë ky vendim.

    Ata kanë arsyetuar se klientët që frekuentojnë këto vende janë kryesisht duhanpirës dhe se institucionet duhet ta lejojnë një pjesë për klientët që pinë cigare.

    Muhamet Brajshori, menaxher në “CheBar” ka thënë për Ekonomia Online se Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë dhe pret që Ministria të marrë ndonjë vendim të ri.

    “Po na dëmton shumë se ndikon direkt në produktet që i kemi. Na ndikon shumë. Presim ndonjë vendim të ri nga Ministria dhe shpresojmë ta ndryshojë. Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë, të shohim sa mund të ndikojë. Janë pakësu shumë klientët. Ka ndikim shumë të madh, 50 për qind mundet të ketë më pak klientë”, ka thënë ai.

    Ndërsa Egzon Kaçiu, menaxher në “Derada” ka thënë se vendimi për ndalim të duhanit në ambiente të mbyllura është i arsyeshëm por që pret ndryshim nga Ministria. Ai pret që një pjesë e lokaleve të lejohet për klientët që pinë cigare.

    “Sa i përket klientëve po vërehet shumë që u ndalu cigarja nuk po pihet, çdo restorant ka mungesë të klientëve dhe kështu që Ministria duhet me shqyrtua (këtë vendim), sidomos gastronomet e kanë më problem. Si çdo restorant tjetër edhe tek ne ka ndikuar mospirja e cigares, nëpër lokale është pak ma problem puna ka rënë pak më shumë klientët zakonisht shumica e janë duhanpirës”, ka thënë Kaçiu për EO.

    “Ministria nuk e kanë edhe të lehtë se edhe ata duhet me ditë se çdo qytetarë duhet me ditë që cigarja nuk pihet në çdo vend duhet mu pi në vende të caktuar sikur në Evropë. Është vendim i arsyeshëm edhe mos mu pi pak për neve është problem. Ministria duhet ta tolerojë një pjesë, njërën pjesë të lokalit të pihet dhe njërën pjesë të mos pihet cigarja”, u shpreh ai.

  • Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është futur me forcë në një veturë nga disa persona, ku edhe i kanë marrë para edhe gjësende personale.

    “Fushë Kosovë 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njësitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të përfshirë kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilët viktimës i kanë marrë edhe disa gjësende personale dhe disa para”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i policisë:

    GRABITJE

    Fushë Kosovë / 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njesitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të perfshire kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilet viktimës i kane marrur edhe disa gjesende personale dhe disa para. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK,kurse lidhur me rastin është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një i dyshuar mashkull kosovar.

  • Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, ka folur për marrëveshjen e Kosovës dhe Izraelit për heqjen e vizave.

    Ai ka theksuar se Kosova dhe Izraeli kanë pasur marrëdhënie të mira, sipas tij, ato janë forcuar më së shumti nga viti 2020 kur është bërë njohja e Izraelit nga Kosova.

    “Zyrtarizimi i marrëdhënieve në vitin 2020 me njohjen, dhe në vitin 2021 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike natyrisht që hap kapitull të ri të marrëdhënieve tona, dhe forcim të marrëdhënieve tona”, ka pohuar Rezniqi.

    “Duhet të dimë që Kosova dhe Izraelit e kanë seriozisht në raportet e tyre, për atë e shohim një zhvillim kaq të hovshëm dhe të fuqishëm në raportet mes dy shteteve tona, për shkak se Kosova me seriozitetin më të madh e mori hapin dhe e vendosi ambasadën në Izrael, u bë vendi i parë evropian”.

    “Megjithatë ky është një vendim i palëkundur i Kosovës, për më tepër ambasadorja izraelite, Tamara Ziv, e di që ka punuar fuqishëm që kjo të arrihet sa më shpejtë, nuk duhet të çuditemi nga kjo. Pasi që nga njohja që nga viti 2020 shohim një kapitull të ri, dhe një energji të re në raportet mes dy shteteve”, ka thënë Rezniqi.

  • Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak sot do të vijë edhe në Prishtinë.

    Takimi i Kurtit me Lajçakun do të nisë në orën 15:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.

  • SHBA, shqiptari vret gruan dhe arratiset me vajzën e mitur

    SHBA, shqiptari vret gruan dhe arratiset me vajzën e mitur

    Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një 34-vjeçar shqiptar vrau gruan e tij Suela Saliaj.

    Ngjarja ndodhi gjatë ditës së hënës, kur policia u lajmërua për një sherr brenda familjes.

    Pasi autoritetet shkuan në vendngjarje, brenda shtëpisë gjetën të vrarë Suela Saliajn 32 vjeç.

    Por në apartament nuk ishte autori i dyshuar, bashkëshorti Renato Muhaj dhe as vajza e mitur e çiftit. Policia ngriti menjëherë alarmin për rrëmbimin e një fëmije.

    Në banesë ishin vetëm prindërit e autorit, të cilit ishin goditur nga djali i tyre dhe u ishin marrë telefonat që të mos lajmëronin policinë. Ata u treguan autoriteteve dinamikën e ngjarjes.

    Ndërkohë, një aksion për arrestimin e autorit dhe gjetjen e fëmijës nisi në shkallë të gjerë.

    Policia arriti që të lokalizonte makinën e Renato Muhaj. Aty brenda ishte vetë ai së bashku me vajzën e mitur. 34-vjeçari u arrestua, ndërsa vajza 8-vjeçare ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ai akuzohet për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim të fëmijëve.

    Shkaqet e vrasjes nuk dihen ende, por dyshohet se çifti jetonte në vende të ndara nga njëri-tjetri./tvklan.al

  • Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një ngritje eventuale e tarifave të energjisë elektrike për të tretin vit me radhë, nga qytetarë dhe njohës të fushës, do të ishte e pakuptimtë dhe e dëmshme.

    Në aplikimin e saj në ZRRE, për t’i lejuar më shumë të hyra, KESCO-ja si shkaktare të rritjes eventuale të kostove përmend propozimin e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29.5 në 31.5 Euro.

    “Është absurde kërkesa për rritje të tarifave të energjisë elektrike, sidomos tash kur i pamë faturat e dhjetorit dhe të janarit që i befasuan qytetarët… ZRRE-ja do të duhej me automatizëm ta refuzojë për shkak se është kërkesë absurde dhe e pabazuar. Nuk është bazë e mjaftueshme që KEK-u po e rritë koston e prodhimit të energjisë elektrike, sepse nuk reflekton shumë”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Po ashtu, krahas ndikimit të importit, duke iu referuar një hulumtimi të një instituti privat vendor, te rritja e kostos KESCO-ja futi edhe propozimin për rritjen e pagave të punëtorëve të saj për 15%, me arsyetimin se ata mund të ikin jashtë vendit.

    “Është absurde për shkak se qytetarët nuk duhet ta paguajnë pagën e një punëtori të KESCO-s, duke e pasur parasysh që KESCO dhe KEDS-i, bashkë, janë dy kompanitë me qarkullimin më të madh në Kosovë, në top 10 kompanitë, KESCO dhe KEDS bashkë qarkullojnë mbi 380 milionë euro në vit”, tha Shabani.

    Një ngritje e re do të ishte tronditëse për shumë qytetarë, të cilët ankohen për papërballueshmërinë e tarifave aktuale.

    “Janari, 476 Euro. Në Emshir jetoj, me rrymë ngrohna. Përpara deri në 200 kurrë s’u shku, 160, të njëjtat sene janë krejt. Çka pusi u bo nuk e di?! Veç për dy muaj po i jap në 900 Euro rrymë! Me i thanë atij dostit atje që do me na rjepë, merre një brisk e rjepna krejt”, thotë Avdi Pollomi, qytetar.

    “Një njeri jam. Në banesë të huaj jam. Unë e paguaj ujin, rrymën, bërllokun, qira nuk paguaj në atë banesë. A rryma shtrenjtë po vjen, 54 euro e gjysmë më ka ardhë dhjetori, a vitin e kaluar e kam pasë 7 euro dhjetorin. Tash janari ka ardhë 45 Euro. Me 100 euro jetoj”, tha Nazlije Shabani, qytetare.

    Pas ngritjes së tarifave të energjisë elektrike dy herë radhazi, në hapje të procesit të rregullt të shqyrtimit KESCO-ja i ka propozuar ZRRE-së një ngritje tjetër.

    Në këtë kompani nuk janë përgjigjur ende lidhur me këtë temë.

  • Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të mund të zgjedhin lëndën edukimi për siguri si lëndë zgjedhore, nëse duan. Por zgjedhja e mësimdhënësve do të jetë pak e vështirë.

    Angazhimi i mësimdhënësve që do ta ligjërojnë këtë lëndë, konsiderohet si sfida kryesore pasi lënda të hyjë në kurrikulën shkollore.

    Në Komunën e Fushë Kosovës ende nuk kanë nisur procedurat për angazhimin e mësimdhënësve, megjithëse e pranojnë se do ta kenë mjaft të vështirë.

    “Do të shohim në bashkëpunim me Ministrinë e financave dhe Ministrinë e arsimit nëse do të na lejohet që të rekrutojmë mësimdhënës adekuatë, por nëse nuk na lejohet, atëherë duhet ta gjejmë formën se si me ofru, ose përmes ekspertëve të jashtëm ose mësimdhënësit që i kemi me i dergu në trajnime sado pak me i aftësu”, tha drejtori i DKA-së në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha.

    Detaje rreth ligjërimit të kësaj lënde nuk dha as Ministria e Arsimit, por as ajo e Mbrojtjes si incizuese e kësaj çështjeje.

    Andaj edhe njohës të sigurisë, vlerësojnë se kujdes të shtuar duhet kushtuar mësimdhënësve që e ligjërojnë lëndën.

    Qëllimi i kësaj lënde, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë.

  • Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pasi dëmtuan kamerat e parkingut, disa persona ende të paidentifikuar thyen edhe një veturë në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

    Një ditë pas incidentit, vetura jo por pjesët e thyera të saj janë ende në vendin e ngjarjes.

    Me qëllim që të parandalohen raste të tilla, por edhe të identifikohen kryerësit, komuna e Prishtinës nga muaji shkurt do të fillojë vendosjen e kamerave më të sofistikuara.

    “Kamerat për të cilat jemi në pritje do të jenë me prodhim kanadez, nuk mund të thyhen apo të dëmtohen lehtë sikur kamerat e rëndomta, pikërisht ky rast është një shembull se sa të rëndësishme janë këto kamera, dhe besoj që muajin e ardhshëm do të fillojmë me vendosjen e tyre”, tha drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Fushtica thotë se vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet do të ndikojë pozitivisht edhe në kryerjen e detyrave policore.

    Natyrisht që ne jemi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pasi edhe aty do të përcillet rrjedha e kamerave…”, tha Fushtica.

    Ndërkaq, ekspertë të sigurisë konsiderojnë se komuna e Prishtinës është vonuar në këtë drejtim.

    “Edhe pse jo sipas afateve të parapara, por prapëseprapë i mirëpresim këto kamera, vetëm se vendosja e tyre nuk do të thotë që duhet të jetë e fokusuar vetëm në qytet, por edhe në rrugë nacionale, fshatrat përreth, sepse ne çdo ditë po dëgjojmë fenomene të ndryshme edhe nga atje”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet, janë ndarë rreth 1.3 milionë euro.

  • Për pakënaqësitë me pagat, protestojnë punëtorët e KOSTT- it

    Për pakënaqësitë me pagat, protestojnë punëtorët e KOSTT- it

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në orar të punës qëndruan derisa u erdhi koha për protestë.

    Punëtorët e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, të hënën, pakënaqësitë e tyre i shprehën përmes protestës, në hyrje të objektit.

    Ata kërkuan rritje të pagave, por jo sipas vendimit “rritje e përshkallëzuar”.

    Sindikata kërkon anulimin dhe rritjen e përshkallëzuar dhe të aprovuar se kinse sindikatës prej 20% në të gjithë stafin, duke përfshirë inxhinierët, teknikët për operim, stafin teknik mbështetës të higjienës, kërkojmë reflektimin nga Bordi para ekzekutimit të janarit në kohëzgjatje deri në 10 shkurt, e nëse nuk anulohet atëherë do të veprojmë në baza të statusit të ligjit për sindikata”, tha kryetar i sindikatës së KOSTT-it, Arben Pllana.

    “Tash e 20 vite stafi i KOSTT-it ka qenë në gjendjen më të vështirë krahasuar me menaxhmentin e lartë aty, paga më e lartë ka qenë sa 8-fishi i pagës më të ulët, krahas kësaj, stafi i lartë kanë kontrata të përhershme, kjo gjë i ka shuar ambiciet për ngritje të pozitave. Nëse paga e janarit 2024 nuk merret me rritje 20% për stafin jo-menaxherial, atëherë sindikatat dhe punëtorët do dalin në protestë para objektit të KOST-it”, tha kryetari i Unionit të Punëtorëve të KOSTT-it, Seladin Izmaku.

    Sipas tyre, kërkesat duhet të plotësohet jo më vonë se deri më 10 shkurt, në të kundërtën ata thonë se do t’i ndjekin rrugët ligjore.

    “Ne do të fitojmë edhe përmes gjykatës, mirëpo ose ka bashkëpunim me akterë të ndryshëm duke e keqpërdorur detyrën zyrtare ose janë aq të ligtë e aq të mjerë sa të shkelin të drejtën e punëtorit, sa të konsiderojnë punëtorin si vegël pune”, tha kryetari i sindikatës KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Nga përfaqësues të sindikatës u tha po ashtu, se punëtorët tash e 10 vjet nuk kanë gëzuar rritje të pagës.

  • Vazhdon presioni ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit të BQK-së

    Vazhdon presioni ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit të BQK-së

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kur kanë mbetur edhe dy ditë para se të hyjë në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro, është shtuar presioni ndërkombëtar për ta shtyrë zbatimin e këtij vendimi.

    Në mëngjesin e së hënës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, një kërkesë të tillë ia parashtroi drejtpërdrejt vetë Kreut të Bankës Qendrore të Kosovës.

    Pas takimit të mbyllur, Hovernier në një adresim tjetër për media, tha se kërkoi nga guvernatori Ahmet Ismaili, që ta shtyjë zbatimin e vendimit, meqë mund të ndikojë negativisht te komuniteti serb.

    “Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për t’i rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për t’i shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë dhe nevojitet periudha e tranzicionit, dhe disa çështje duhet të zgjidhen e të cilat nga këndvështrimi ynë nuk duket se janë zgjidhur ende. Kështu që ne kemi kërkuar shtyrje të vendimit të zbatimit për t’u siguruar që janë bërë përgatitjen për t’u siguruar që njerëzit e prekur të mos ndikohen negativisht”, tha Hovernier.

    Në anën tjetër, Banka Qendrore nëpërmjet një komunikate njoftoi se guvernatori Ahmet Ismaili, i tha ambasadorit amerikan se rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute.

    “Rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo. Në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, tha Ismaili.

    Veç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian të hënën ka përsëritur kërkesën për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës.

    “Kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja, po ashtu, ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia, andaj duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Të dielën, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it kërkuan që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se çështja duhet të diskutohet më tej, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.