ATV

Author: ATVLive

  • Tualetet në stacionin e autobusëve në Viti, në gjendje të keqe

    Tualetet në stacionin e autobusëve në Viti, në gjendje të keqe

    Përgatiti: Sara Shehu

    Tash e disa vjet tualetet në stacionin e autobusëve në komunën e Vitisë janë në gjendje të mjerueshme. Përveç se nuk janë të mirëmbajtura, ato janë edhe jofunksionale, duke e bërë të pamundur shfrytëzimin e tyre nga ana e qytetarëve.

    Fatmir Emini, udhëtar, kritikon komunën se asnjëherë nuk ka marrë masa për rinovimin e këtyre tualeteve.

    “Kurrë komuna s’ka ndërmarrë asgjë që t’i rregullojë këto tualete, edhe pse këtu ka nxënës, oshtë në rrezik edhe shëndeti. Komuna e ka ndërtu këtë stacion për të mos e funksionalizuar asnjëherë. Është marri, kjo është një nga arsyet që kisha lutë të rinjtë me dalë jashtë vendit se këtu s’ka send”, tha Emini.

    Pas 5 orë insistimi të Ekipit të ATV-së për të marrë një përgjigje nga komuna për këtë situatë, drejtori i Shërbimeve Publike, Basri Aliu, u ka lënë faj qytetarëve për këtë gjendje.

    “Qytetarët s’janë tregu aspak të kujdesshëm, kanë gjujtë mbeturina vend e pa vend, duhet me kanë ma të kujdesshëm, s’oshtë faji ynë”, tha Aliu.

    Pa dhënë një afat të caktuar, Aliu premton se do të marrin masa për rregullimin e tyre.

    “Ne do t’i rregullojmë këto tualete, do t’i rinovojmë, do të ketë më shumë mirëmbajtje. S’do të lejojmë që të ketë higjienë të pamjaftueshme”, tha Aliu.

    Sidoqoftë, në Kosovë numri i tualeteve publike është mjaft i vogël dhe mirëmbajtja e tyre lë për të dëshiruar.

  • Përjashtohen nga Kuvendi i Shqipërisë 19 deputetë të PD-së

    Përjashtohen nga Kuvendi i Shqipërisë 19 deputetë të PD-së

    Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur përjashtimin me 10 ditë të 18 deputetëve të PD-së nga seancat plenare dhe me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji.

    Partia Socialiste ka këkuar më herët përjashtimin e 19 deputetëve të PD-së të cilët bllokuan punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

    Deputetët të cilët janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit janë Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Samir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhala, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.

    Në shkresën drejtuar Sekretiariatit të Etikës thuhej se ligjvënësit e opozitës bllokuan foloren, shkaktuan kaos në sallë me anë të paisjeve zhurmuese duke cënuar dhe penguar zhvillimin e rregullt të seancës.

    Gjithashtu ata bllokuan dhe punimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore i planifikuar për t’u mbajtur fizikisht ditën e premte, duke i detyruar anëtarët e komisionit të vijonin punimet online.

    Sekretariati i Etikës u mblodh në orën 15:00, ku u shpreh në lidhje me kërkesën e maxhorancës. /euronews.al

  • Haxhiu takohet me shefin e Eulexit, bisedojnë për të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë

    Haxhiu takohet me shefin e Eulexit, bisedojnë për të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim shefin e Eulexit, Giovanni Barbanome.

    Haxhiu dhe Barbanome në këtë takim diskutuan lidhur me proceset dhe të arriturat e deri tashme të Ministrisë së Drejtësisë, në sundimin e ligjit dhe reformave të tjera.

    Kështu ka bërë të ditur ministria përmes një njoftimi në Facebook.

    NË këtë takim u fol edhe për reformat në drejtësi, vettingu dhe adresimi i dhunës në familje.

  • Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe hapat për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve

    Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe hapat për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve

    I Dërguari i Posaçëm në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në vizitën e tij zyrtare në Beograd ka takuar presidentin, Aleksandar Vuçiq.

    Pas takimit me të, Lajçak në platformën “X” ka thënë se kanë bërë një bilanc mbi gjendjen në dialog si dhe kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhëneve mes dy vendeve.

    “Me të mbërritur në Beograd këtë mëngjes, u takova me Presidentin, Aleksandar Vuçiq. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën””, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

    Pas kësaj vizite, Lajçak nesër do të jetë në Prishtin.

  • 90 milionë euro buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2024

    90 milionë euro buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2024

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci përmes një postimi në facebook bëri të ditur se se Viti që lamë pas, ka qenë një vit i frytshëm dhe i suksesshëm për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural karshi zhvillimit të sektorëve që mbulojnë.

    Ai tha se prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 do të jenë:

    Mbi 41 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte /Subvencioneve

    Rreth 24 milionë euro për Programin për Zhvillim Rural / Grante;

    Mbi 16 milionë të destinuara për rritjen e kapacitetit prodhues për sektorin e qumështit dhe mishit;

    7 milionë euro për fillimin e Procesit të Akreditimit për Qasjen në Fondet e Para Anëtarësimit / IPARD;

    Postimi i plotë:

  • Asnjë njohje që tre vjet: Liberalizimi i vizave mund të ndihmojë

    Asnjë njohje që tre vjet: Liberalizimi i vizave mund të ndihmojë

    Në pak javë, Kosova pritet të shënojë vitin e saj të 16-të si shtet, mirëpo në tre vjetët e fundit shtetësia e saj nuk është njohur nga asnjë vend.

    Opsione për të dalë nga kjo status-quo, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka.

    Shfrytëzimi i liberalizimit të vizave për krijimin e raporteve diplomatike dhe ndihma e aleatëve për lobim, janë dy nga to.

    Izraeli ka qenë vendi i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008.

    Kjo njohje ka ndodhur në shkurt të vitit 2021 dhe ka qenë zotim i Marrëveshjes së Uashingtonit – e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

    Para saj, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën, ka qenë Barbadosi në vitin 2018.

    Në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën.

    Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në këtë ministri rreth angazhimit të saj për njohje, por nuk mori përgjigje.

    Shteti më i ri në Evropë vazhdon të mos njihet nga dy fqinjët e tij rajonalë, Serbia – e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten – dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

    Kjo, me gjithë faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

    REL-i, po ashtu, pyeti ministritë e Jashtme të shteteve mosnjohëse të BE-së nëse janë duke shqyrtuar ndryshimin e qëndrimit dhe nën cilat kushte do ta bënin një gjë të tillë.

    Ajo e Sllovakisë tha se “pozicioni i saj, në raport me pavarësinë e Kosovës, nuk ka ndryshuar”, ndërsa e Rumanisë tha se, fillimisht, Kosova duhet t’i zgjidhë problemet me Serbinë.

    “Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë aktive dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si kanali kryesor për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, tha MPJ-ja në Bukuresht.

    Këtë muaj, Spanja i njohu pasaportat e Kosovës, por autoritetet e këtij vendi sqaruan për REL-in se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës.

    Nga Qiproja dhe Greqia nuk pati përgjigje.

    Si mund të ndikojë liberalizimi i vizave në njohje?

    Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës “diçka mund të lëvizë”.

    “… sepse, mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shumicën e këtyre vendeve [të BE-së] dhe kjo do të ketë ndikim në lidhjet ndërpersonale dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe vendeve mosnjohëse të BE-së, veçanërisht në nivel social dhe kulturor”, thotë Perez, i cili ligjëron në Universitetin Complutense të Madridit.

    Sipas tij, liberalizimi i vizave është një pikënisje e mirë për ta bërë një hap më tej dhe “për t’i forcuar ose, në disa raste, për t’i vendosur lidhjet diplomatike dypalëshe”.

    Nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

    Vetëm pak ditë më vonë, më 6 janar, Spanja ka njoftuar se do t’i njohë pasaportat e Kosovës.

    Perez thotë se jo të gjitha vendet mosnjohëse e pengojnë integrimin evropian të Kosovës. Përkundrazi, shton ai, janë disa që e njohin, por nuk e mbështesin.

    “Greqia ka një zyrë diplomatike në Prishtinë dhe gëzon një marrëdhënie të frytshme ekonomike dhe politike me Kosovën. Mirëpo, jo të gjithë njohësit janë mbështetës të Kosovës në çdo kohë. Shikojeni Hungarinë, aleanca e së cilës me Serbinë është duke ndikuar në qasjen skeptike ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës”, thotë Perez, pa specifikuar më shumë.

    Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban, është aleat i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Derisa Serbia të integrohet [në BE], Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, ka thënë Orban gjatë një vizite në Beograd në korrik të vitit 2021.

    “Së pari në Evropë, pastaj me njohjet”

    Adnan Qerimagiq, analist në Iniciativën për Stabilitet Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të fokusohet së pari në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në NATO dhe në Bashkimin Evropian, e pastaj, me ndihmën e aleatëve, t’i bindë vendet mosnjohëse.

    “Në këtë mënyrë, Kosova dhe partnerët e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO do të kenë më shumë mundësi për ta shtyrë përpara njohjen e Kosovës”, thotë Qerimagiq.

    Sipas tij, “zbutja” e Spanjës karshi pasaportës së Kosovës ka dëshmuar se vendet mosnjohëse, mund t’i ndryshojnë politikat ndaj Kosovës.

    ​“Ajo çfarë na është dëshmuar në këto vitet e fundit, jo vetëm me luftën Ukrainë-Rusi, por edhe me atë se çfarë po bën Serbia në rajon dhe me narrativën dhe politikat karshi fqinjëve të saj, tregon se çështja nuk është vetëm te njohjet… por është edhe në interesin e vendeve evropiane që ta integrojnë Ballkanin Perëndimor në familjen euroatlantike për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon”, thotë Qerimagiq.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe po atë vit, në dhjetor, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, në Kosovë kanë thënë se i kanë shtuar përpjekjet për anëtarësim edhe në NATO.

    Vendi tashmë është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

    Me vite, Serbia ka qenë e angazhuar në një fushatë kundër njohjes së Kosovës apo për çnjohje të saj. Edhe pse autoritetet atje kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për t’i tërhequr njohjet e Kosovës – në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon etj. – autoritetet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

    Diplomacia e Kosovës është kritikuar në disa raste për mungesë strategjie.

    Por, në një intervistë dhënë mediumit Kallxo në Kosovë, në muajin dhjetor, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se po punohet për njohje të reja.

    “Unë s’mund t’ua imponoj vullnetin tim shteteve të tjera. Ajo çfarë mund të bëj, është që të mos e ndal punën asnjë ditë”, ka thënë Gërvalla.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërit vazhdimisht se njohja e Kosovës nga Serbia, nuk do të ketë alternativë.

    Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë, por marrëveshjet e arritura mes tyre kanë gjetur pak zbatim. /REL

  • Stano: Lajçak po punon për të çuar përpara dialogun

    Stano: Lajçak po punon për të çuar përpara dialogun

    Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit BQK-së, për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencë për medie, bëri thirrje për një periudhë të mjaftueshme tranzitore që do të mundësonte gjetjen e një zgjidhje të negociuar për këtë çështje specifike.

    “Kjo është deklarata e QUINT-it, ky është formati ndërkombëtar për të folur për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën-Serbinë, dhe lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e saj për operacionet me para të gatshme, e cila ka për qëllim reduktimin e parave të gatshme, mbrojtjen, stabilitetin financiar dhe rritjen e transparencës së flukseve të parasë në Kosovë, natyrisht, ne e morëm parasysh atë, por gjithashtu morëm parasysh ndikimin që do të ketë, dhe ndikimin që ka në komunitetet me shumicë serbe. Dhe kjo ngre shqetësim pikërisht lidhur me ndikimin e kësaj rregulloreje në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë, në veçanti shkollat dhe spitalet, për të cilat nuk ka asnjë proces alternativ i cili do të ishte i zbatueshëm për momentin. Kjo rregullore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihmë financiare nga Serbia në dinar serbë. Pra, duke pasur parasysh pasojat e mundshme të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presim që aspektet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë do të adresohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne po bëjmë thirrje për një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni që mundëson gjetjen e zgjidhjes së negociuar për këtë çështje specifike”, tha ai.

    Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Stano tha se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po bënë përpjekje për të çuar përpara dialogun.

    “Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë ka në mandatin e tij avancimin e dialogut. Pra, kjo është arsyeja pse ai po ndër vepron me partnerët si në rajon ashtu edhe në shtetet anëtare dhe jashtë edhe në kontekstin ndërkombëtar. Pra, bisedimet e sotme me presidentin Vuçiq dhe bisedimet e nesërme me homologët kosovarë në Prishtinë, bisedimet me presidentin Vuçiq në Beograd dhe nesër me homologët kosovarë në Prishtinë janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, përfundoi Stano./kp/

  • Policia kërkon ndihmën për kapjen e këtij personi – dyshohet për mashtrim

    Policia kërkon ndihmën për kapjen e këtij personi – dyshohet për mashtrim

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi të dyshuar për mashtrim.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, me qëllim të identifikimit dhe të lokalizimit të tij lëshon:

    Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët

    Personi i panjohur NN

    Personi kërkohet , për veprën penale “Mashtrim” e cila ka ndodhur më 11.01.2024 në rrugën “Mursel Osmanaj” në Prizren.

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të kërkuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:
    192 dhe 080019999 (pa pagesë)
    029 244 -740 –Stacioni Policor Prizren
    E-mail adresa: [email protected]

  • Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

    “Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, tha ai.

    BQK-ja njoftoi se Ismaili i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

    Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

    “Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Twitter.

    Ismaili theksoi se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

    “Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

    Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd.

    Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania, Gjermani, Italia dhe Franca – bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacione me para të gatshme.

    Edhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”. /rel

  • Kushtetuesja i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

    Kushtetuesja i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

    Gjykata Kushtetuese ka votuar në favor të marrëveshjes së Shqipëri-Itali për emigrantët, e cila është firmosur nga kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

    Vendimi pritet të bëhet publik në orën 15:30. Do të jetë kryetarja e Gjykatës Kushtetsues Olta Zaçaj ajo e cila pritet të mbajë një konferencë me gazetarët, ku dhe do të komunikoj dhe arsyet ligjore të kalimit të marrëveshjes.

    Partia Demokratike, si ajo zyrtare e Lulzim Bashës dhe e dy grupimeve të tjera, Sali Berishës e Gazment Bardhit, e çuan marrëveshjen në këtë gjykatë, më datë 6 dhjetor.

    Pak ditë më parë, parlamenti italian miratoi me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenime projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.

    Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.

    Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.