ATV

Author: ATVLive

  • ​SHBA shton 353 mijë vende pune në janar, shumë më tepër se sa vlerësimet

    ​SHBA shton 353 mijë vende pune në janar, shumë më tepër se sa vlerësimet

    Ekonomia amerikane shtoi 353.000 vende pune në muajin janar, shumë më tepër se vlerësimet e tregut, njoftoi të premten Departamenti i Punës.

    Pritshmëria e tregut për listat e pagave jo fermere ishte të tregonte një rritje prej 187.000 muajin e kaluar.

    Shtimi e vendeve të punës në dhjetor 2023, ndërkohë, u rrit ndjeshëm me 117.000 nga 216.000 në 333.000, sipas të dhënave nga Byroja e Statistikave të Punës.

    Norma e papunësisë megjithatë ka mbetur e pandryshuar në 3.7% në janar për të tretin muaj radhazi, krahasuar me muajin e kaluar.

    Gjithashtu, edhe numri i të papunëve ka mbetur kryesisht i pandryshuar në 6.1 milionë, sipas Departamentit të Punës. /AA

  • ​Bullgari, prezantohen shërbimet e urgjencës mjekësore me helikopter

    ​Bullgari, prezantohen shërbimet e urgjencës mjekësore me helikopter

    Ministri i Shëndetësisë Hristo Hinkov prezantoi sot zyrtarisht shërbimin e parë bullgar të urgjencës mjekësore me helikopter (HEMS).

    Ai shprehu kënaqësinë e tij për punën e bërë mirë në rrugën drejt “misionit më të rëndësishëm – shëndetit të qytetarëve bullgarë”.

    Hinkov shprehu besimin se mundësitë që do të ofrojë transporti ajror mjekësor do ta çojnë sistemin e kujdesit urgjent të Bullgarisë në një nivel të ri cilësor.

    Teknologjitë moderne dhe pilotët e trajnuar profesionalisht, ekipet mjekësore dhe operatorët do të kontribuojnë në këtë, tha Hinkov.

    Ata do të koordinojnë dhe kryejnë transportin e pacientëve, pajisjeve, gjakut, organeve dhe barnave, shtoi ai.

    Helikopteri i parë nga sistemi i sapokrijuar i Shërbimeve Mjekësore Emergjente të Helikopterëve (HEMS) mbërriti dje në Bullgari. Makina është prodhuar nga kompania italiane Leonardo dhe është blerë me financim evropian.

    Helikopteri është i pari nga gjithsej gjashtë. Sipas planit, helikopteri i dytë, i planifikuar për bazën operative në Dolna Mitropolia, Bullgaria veriore, duhet të mbërrijë në fund të qershorit 2024 dhe makina e tretë, e cila do të jetë e disponueshme në bazën operative në Sliven, në lindje të Bullgarisë qendrore. pritet në dhjetor. Ambulancat e mbetura ajrore do të mbërrijnë në faza deri në vitin 2026.

    Gjashtë pilotët e parë bullgarë që përfunduan trajnimin në Itali kanë marrë tashmë certifikatat e tyre të aftësisë fluturuese. Ata iu dorëzuan atyre personalisht nga kryeministri Nikolai Denkov në një ceremoni në dhjetor.

    Në sistemin e ambulancës ajrore pritet të punojnë gjithsej 36 pilotë dhe 14 inxhinierë. Në bordin e helikopterit do të ketë edhe personel mjekësor që tashmë po i nënshtrohet trajnimit përkatës. Në shkurt, helikopteri do të marrë pjesë në misione të vërteta shpëtimi.

    Në ceremoninë e sotme në bazën ajrore të Policisë Kufitare në Aeroportin e Sofjes, ku është vendosur përkohësisht helikopteri, morën pjesë edhe kryeministri Nikolaj Denkov, kryetari i komunës së Sofjes Vasil Terziev, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Georgi Gvozdeikov dhe zyrtarë të tjerë. /BTA

  • Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve

    Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa përmendi disa nga të arriturat e vitit të kaluar, ka thënë se bazuar në programin kombëtar për zhvillim 2024-2026, sektori i shëndetësisë, synon dy qëllime strategjike, të cilat përfshijnë përmirësimin e cilësisë dhe çasjes së shërbimeve shëndetësore, si dhe ruajtjen e përparimin e shëndetit.

    Vitia këtë e tha sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, derisa foli për planin dhe prioritetet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2024. Ai potencoi se parashikohet hartim i projektligjit për shëndetësi, sigurime shëndetësore, pajisje dhe produkte mjekësore, inspektoratin qendror të shëndetësisë, hartimi i projektligjit për shëndetin mendor dhe ai për kontrollin e duhanit.

    Vitia tha se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore, janë në proces. Ai shtoi se vendosja e standardeve për sigurinë e barnave dhe përballueshmërinë e çmimit të tyre është në fazën e fundit.

    Përveç këtyre, Vitia përmendi se janë siguruar tri vaksina të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke përfshirë edhe vaksinën HPV për parandalimin e kacerit në qafën e mitrës.

    Ndërkaq, diskutime rreth Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) e shërbimeve pati ndërmjet anëtarit të komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe ministrit Vitia, ku u tha se përgjatë disa viteve janë shpenzuar miliona euro, por që nuk është bërë zgjidhje.

    Haxhiu tha se nuk mund të flitet as për shëndetësi moderne e bashkëkohore derisa nuk kemi sigurime shëndetësore, derisa shtoi se listat e pritjes vazhdojnë të jenë prezente.

    Ai potencoi se nga ministri Vitia po përmenden vetëm renovimet, ndërkaq nuk ka rritje të shërbimeve.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se edhe pas katër vitesh qeverisje, nuk ka përmirësime sa i përket sigurimeve shëndetësore, ligjit për shëndetësi, reformimit në sistemin shëndetësor e të tjera.

    Ndërkaq, lidhur me këto, ministria Vitia tha se renovimet nuk janë duke u bërë vetëm sipërfaqësisht, por në mënyrë rrënjësore.

    Vitia tha se ngecja dhe mos funksionalizmi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka ardhur si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë, për çka shtoi se po punohet vazhdimisht në këtë proces.

    Ministri Vitia është pyetur nëse ka një strategji për t’i ndal mjekët dhe specializantët.

  • Vendimi i Kosovës për heqjen e dinarit, reagon Varhelyi

    Vendimi i Kosovës për heqjen e dinarit, reagon Varhelyi

    Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi ka reaguar pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Përmes një postimi në platformën X, Varhelyi shprehet se Komisioni Evropian shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

    “Pikëpamja e Komisionit për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës e cila ishte caktuar të hynte në fuqi më 1 shkurt 2024: Komisioni shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës”, shprehet ai.

  • Kërkohet paraburgimi i zyrtarit të ATK-së që u ndalua duke kontrabanduar barëra

    Kërkohet paraburgimi i zyrtarit të ATK-së që u ndalua duke kontrabanduar barëra

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, ndaj të pandehurit L.P. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1, dhe “Kontrabandimi me mallra“ nga neni 311 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Me datë 01 shkurt 2024 në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë përkatësisht në fshatin Bistricë, i pandehuri L.P., është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës. Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës”, thuhet në komunikatë.

    Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë për identifikimin e një personi të dyshuar për kanosje, duke publikuar fotografinë e tij.

    Policia thirr qytetarët që të raportojnë në numrin 129 për çdo informatë që mund të kenë për të.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi. I dyshuari kërkohet për përfshirje në një rast, Kanosje, që është raportuar në polici me datën 12.12.2023. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendndodhjes së saj, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Durmishi: Do konfiskohen patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm

    Durmishi: Do konfiskohen patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i prezantoi disa gjetje që kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorime me patentë shoferë.

    Durmishi tha se dyshimet e para janë se “kemi të bëjmë me një ndërmarrje të gjerë kriminale”.

    “Përkundër punës tonë, fatkeqësisht keqbërësit gjejnë forma e metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patentë të bëhet me kundërshtim me ligjin…,. Për çdo dyshim duhet të marrim masa. Pajisja me patentë me metoda korruptive është krim, sepse ata rrezikojnë jetën e vetes dhe të tjerëve. Shumica e aksidenteve ndodhin për mosrespektim të rregullave”, tha ai.

    Ai tha se të gjitha këto dyshime dhe prova janë deponuar në Gjykatë.

    Durmishi ka theksuar se nëse dyshimet për keqpërodrime vëretohen “do ti anulojmë provimet, do konfiskohen patentë shoferët, sepse janë marrë kundërligjshëm, është procedurë tjetër pastaj”.

    “Dyshimet tona kanë të bëjnë me një ndërmarrje të gjerë kriminale, e cila mbetet të vërtetohet nga drejtësia. Dyshimet kanë filluar nga informatat e qytetarëve, ka dyshime për keqpërdorime, marrë parasysh për gjetjet, që shumë kandidatë të cilat gjoja pjesën teorike e kanë kaluar në vitin 2021, kur s’kishte testim, kurse pjesën praktike në vitin 2023 dhe në fillim të janar të këtij viti”, vijoi ai.

    Ai e përmendi edhe njësinë në qytetin e Pejës, ku sipas tij, rreth 666 kandidatë kanë kaluar provimin praktik në kategoritë B, C dhe C1. Të gjithë kandidatët, sipas tij, ishin nga qytete të tjera.

    “Kemi hasur në keqpërdorime në Pejë, kemi hasur në një dukuri që tjetër ku nuk ka ndodhur. Në këtë njësi kishte 666 kandidatë gjatë vitit 2023 që kishin kaluar provimin praktik në B, C dhe C1. Të gjithë kanë qenë nga qytete të tjera, si Podujeva, Kamenica, Drenasi, etj. Është e dyshimtë ku një kandidatë nga Kamenica shkon në Pejë për testin praktik”, tha ai.

    Ai ka përmendur një ekzaminer i cili sipas tij, për dy javë i ka kaluar 200 kandidatë.

    “Kemi një rast një ekzaminer për dy javë në Pejë i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike, kjo ësht dukshëm mbi mesataren, dhe kandidatët janë nga komunat e tjera”, tha ai.

    Durmishi po ashtu theksoi se nëse dyshimet vërtetohet atëherë do t’i anulojë provimet që kanë qenë të kundërligjshme.

    “Ju njoftoj se në bazë të kompetencave ligjore pas hetimeve nga prokuroria dhe në rast të vërtetimeve nga gjykata, jam i obliguar në bazë të ligjit… nenit 76, të bëjë anulimin e këtyre provimeve. Për cdo informatë dhe provë që kemi që provimet i kanë kaluar në mënyrë të kundërligjshme ne do të veprojmë në përputhje me ligjin”, tha ai.

  • Vetura inteligjente e policisë identifikon 917 kundërvajtës për 5 javë në trafik në një qytet

    Vetura inteligjente e policisë identifikon 917 kundërvajtës për 5 javë në trafik në një qytet

    Për pesë javë, policia e trafikut në Prizren, duke shfrytëzuar veturën inteligjente patrulluese, ka identifikuar 917 kundërvajtës në trafik, të cilëve edhe iu janë shqiptuar gjobat përkatëse dhe atë më së shumti për disa kundërvajtje të veçanta si: Tejkalim të shpejtësisë, skadim i afatit të regjistrimit si dhe përdorim i telefonit mobil gjatë ngasjes së mjetit.

    Gjatë kësaj periudhe, policia ka sekuestruar 393 tabela të regjistrimit me afat të skaduar.

    “Gjatë kësaj periudhe patrullat policore të Njësisë Rajonale të Rregullimit të Komunikacionit Rrugorë të Prizrenit përveç patrullimit me veturë inteligjente kanë pas edhe aktivitete të tjera dhe patrullime të shtuara me qëllim te krijimit të sigurisë në qarkullimin rrugore si dhe parandalimin e aksidenteve të trafikut”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Xhaferi: Anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut

    Xhaferi: Anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi ka pritur sot në takim në Shkup eurodeputetin Ilhan Kjuçuk, raportues në Parlamentin Evropian për Maqedoninë e Veriut.

    Xhaferi ka shkruar në Facebook se është i rëndësishëm mesazhi se zgjedhja e tij për kryeministër është sinjal i fuqishëm për rolin udhëheqës të Maqedonisë së Veriut dhe provë për një shoqëri të suksesshme multietnike.

    “Me mbështetjen e miqve si Ilhani, anëtarësimi jonë në BE në vitin 2030 është synim real”, ka thënë Xhaferi.

    Në takim u bisedua për progresin e shtetit në kontekstin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

  • Aksioni kundër strukturave paralele në Pejë, arrestohen disa të dyshuar

    Aksioni kundër strukturave paralele në Pejë, arrestohen disa të dyshuar

    Ka përfunduar aksioni në disa lokacione në rajonin e Pejës kundër veprimtarive të strukturave ilegale.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Sipas tij, Prokuroria dhe Policia ende janë duke e zhvilluar aksionin në disa lokacione të tjera.

    “Aksioni është në zhvillim e sipër, por në disa rajone ka përfunduar aksioni. Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë janë ende në terren mirëpo, pasi të përfundoj aksioni do të dalim me një njoftim zyrtarë”, ka thënë Nikçi.

    Mirëpo, siç mëson Telegrafi nga burimet e saj disa persona të dyshuar aktualisht gjenden në stacionin policor dhe janë duke u intervistuar nga hetuesit policorë.