ATV

Author: ATVLive

  • Rregullimi i mediave online: Gjithçka që duhet të dini

    Rregullimi i mediave online: Gjithçka që duhet të dini

    Gjoba deri në 40 mijë euro, licencim i mediave online dhe monitorim i tyre, kalimi nga funksionimi si organizata joqeveritare në kompani…

    Ndryshimet e tilla, që i sjell Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) për funksionimin e mediave online, të cilat prodhojnë video, u kundërshtuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

    AGK-ja dhe KMSHK-ja i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet nga kjo tentativë, mirëpo kjo e fundit nuk dha sinjal se do ta zbatojë këtë kërkesë.

    Në mes të mospajtimeve lidhur me këtë projektligj, Radio Evropa e Lirë ju sjell përgjigje në disa prej pyetjeve kryesore për të.

    Pse u ndërmorën këto ndryshime?

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha REL-it se ky ligj “është i mbështetur dhe buron nga direktiva e Bashkimit Evropian”.

    Në Raportin e fundit të Progresit, të publikuar nga Komisioni Evropian në fund të vitit të kaluar, BE-ja rekomandoi që Kosova ta rishikojë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, ashtu që të jetë në linjë me Direktivën evropiane për Shërbimet e Mediave Audio-Vizuale.

    Me këto ndryshime, KPM-ja do të ketë mandat ta monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

    “Ai [Ligji] parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audio-vizuale, të cilave u nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike sot. Për këtë, kompetencë ekskluzive ka Komisioni i Pavarur i Mediave, një organ i pavarur kushtetues, jo Qeveria”, tha Kryeziu për REL-in.

    Ai shtoi se këto ndryshime do ta adresonin një shqetësim tjetër të shprehur në raportet vjetore të Bashkimit Evropian, për “mungesën e transparencës financiare”.

    Në Raportin e fundit të Progresit thuhet se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”.

    Direktiva për Shërbimet e Mediave Audio-Vizuale është përditësuar për herë të fundit nga BE-ja në vjeshtën e vitit 2019.

    Komisioni Evropian e kishte vendosur 19 shtatorin e vitit 2020 si afat të fundit për harmonizimin e ligjeve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së me këtë direktivë.

    Projektligji u miratua nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar dhe u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës.

    BE-ja nuk u përgjigj në pyetjet e REL-it për këtë temë.

    Pse kundërshtojnë AGK-ja e KMSHK-ja?+
    Edhe pse ndryshimet thuhet se janë bërë në linjë me Direktivën e BE-së, AGK-ja dhe KMSHK-ja i vlerësuan ato si tentim të Qeverisë për t’i sulmuar mediat online që prodhojnë materiale audio-vizuale.

    Juristja e mediave, Flutura Kusari, tha më 1 shkurt se Qeveria e Kosovës është dashur të argumentojë ndaj kërkesës së BE-së se, në kontekstin e Kosovës, vetërregullimi i mediave online është opsion më i mirë sesa rregullimi përmes KPM-së.

    Sipas saj, një gjë të tillë e ka bërë në të kaluarën Finlanda.

    Për këtë arsye, drejtuesit e AGK-së dhe KMSHK-së, Xhemajl Rexha dhe Imer Mushkolaj, kërkuan që në vend që të ndryshohet mënyra e rregullimit të mediave, të fuqizohen aktorët që aktualisht kontrollojnë përmbajtjen në mediat online.

    Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video në monitorimin e KPM-së, AGK-ja kundërshtoi edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

    Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Sipas AGK-së, kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

    Kusari, gjithashtu, shprehu shqetësim se gjobat e larta mund të çojnë deri në shuarjen e shumicës së portaleve dhe shtoi se kjo mund të përdoret nga Qeveria për t’i censuruar mediat.

    Të tre e quajtën këtë iniciativë të Qeverisë së Kosovës si “sulm të ri” ndaj mediave, duke iu referuar kështu edhe një vendimi të mëparshëm të autoriteteve të Kosovës, i cili mund të çonte në mbylljen e Televizionit kombëtar privat, Klan Kosova.

    Si monitorohen aktualisht mediat online?

    Tekstet e publikuara në mediat online aktualisht monitorohen nga KMSHK-ja. Ky trup vetërregullues nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave.

    Vendimet e formës “Ankesa miratohet” dhe “Ankesa miratohet pjesërisht”, pastaj, mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

    Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Kryetari i KMSHK-së tha se, megjithatë, në shumicën e rasteve, videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

    Direktiva e BE-së parasheh që KPM-ja t’i mbikëqyrë videot e publikuara online në të njëjtën mënyrë si monitorohen materialet e publikuara nëpër televizione dhe radio.

    Në Shqipëri, në vitin 2018, kryeministri Edi Rama kishte propozuar rregullimin e mediave online, mirëpo kishte hasur në rezistencë nga aktorë lokalë e ndërkombëtarë, si Qendra Evropiane për Lirinë e Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Reporterët pa Kufij.

    Më vonë, shkaku i kundërshtimit të madh, Rama ishte tërhequr nga ky propozim.

    Çfarë rekomandojnë organizatat ndërkombëtare?

    Pas konferencës së 1 shkurtit të organizuar nga AGK-ja dhe KMSHK-ja, një grup i organizatave ndërkombëtare përkrahën thirrjen e tyre që Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga ky ndryshim ligjor.

    Në mesin e organizatave që nënshkruan këtë deklaratë, ishin: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), si dhe asociacionet e gazetarëve në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

    “Për qëllimet e kësaj nisme legjislative, direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë parasysh kontekstin vendor dhe duke injoruar organin ekzistues vetërregullues në Kosovë. Direktiva e BE-së, në asnjë mënyrë, nuk parasheh që shteti t’i vendosë nën kontroll mediat online përmes një procesi të detyrueshëm të licencimit”, thuhet në deklaratën e publikuar më 2 shkurt.

    Në këtë deklaratë thuhet se KPM-ja nuk duhet ta ketë në dorë regjistrimin e mediave online, pasi që, siç thuhet, anëtarët e KPM-së veprojnë me “udhëzime direkte ose indirekte” prej aktorëve politikë ose aktorëve dominues në sektorin privat.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi për këtë temë edhe Këshillin e Evropës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. /REL

  • Musliu në ShBA takon Turnerin, e informon për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova

    Musliu në ShBA takon Turnerin, e informon për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, njëherit kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në Kuvendin e Kosovës, gjatë qëndrimit në ShBA, ka takuar kryesuesin e Komisionit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-së, Mike Turner.

    Bëhet e ditur se Musliu informoi Turnerin lidhur me sfidat e sigurisë, me të cilat po ballafaqohet Kosova së fundmi, por edhe për angazhimin e komisionit që udhëheq për një bashkëpunim sa më të mirë dhe mbikëqyrje sa më profesionale të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Po ashtu, ajo theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer që AKI ka me institucionet relevante në ShBA dhe përkrahjen e deritashme që i është ofruar qoftë AKI-së drejtpërdrejt, qoftë institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë.

  • Macroni konfirmon vrasjen e dy vullnetarëve francezë në Ukrainë

    Macroni konfirmon vrasjen e dy vullnetarëve francezë në Ukrainë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka konfirmuar se dy vullnetarë francezë janë vrarë në Ukrainë nga një sulm rus.

    Macron e quajti sulmin si “të mjerë” ndërsa ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, është zotuar se Rusia do të përgjigjet për krimet dhe “barbarinë e saj”.

    Për vrasjen e dy vullnetarëve francezë ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se terrori rus nuk njeh kombësi e kufij.

  • Diplomojnë pesëmbëdhjetë nënoficerë nga gjenerata e Parë e Kursit të Rreshter Majorëve

    Diplomojnë pesëmbëdhjetë nënoficerë nga gjenerata e Parë e Kursit të Rreshter Majorëve

    Në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) u realizua ceremonia e “Kursit të Rreshter Majorëve”, gjenerata e parë e edukimit në këtë nivel.

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se pjesëtarët e saj po edukohen mbi bazën e vlerave perëndimore dhe standardeve më të larta të Ushtrisë Amerikane.

    “Ky projekt është mbështetur direkt nga Garda Kombëtare e Ajovas dhe Ushtrisë Amerikane në edukimin e instruktorëve të FSK-së. Shkolla e Nënoficerëve dhe instruktorët e FSK-së, realizuan me sukses kompletimin e edukimit më të lartë të nivelit të nënoficerëve”, u tha në njoftim.

    Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, në emër të komandantit të FSK-së, i uroi të diplomuarit për sukseset e arritura gjatë shkollimit dhe falënderoi të pranishmit.

    Pesëmbëdhjetë nënoficerët e diplomuar do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në trajnim, mentorimin, këshillimin dhe mësimin e gjeneratave të reja në të gjitha njësitë e FSK-së.

  • Policia mban ligjërata informuese rreth internetit dhe komunikacionit në tri shkolla të Ferizajt

    Policia mban ligjërata informuese rreth internetit dhe komunikacionit në tri shkolla të Ferizajt

    Policia e Kosovës me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijësimit të nxënësve, ka mbajtur ligjeratë me nxënësit e tri shkollave të mesme të ulëta në Ferizaj: ‘’Tefik Çanga’’ me nxënës të klasave VIII-ta, me temë ‘’Parandalimi i keqpërdorimit të internetit’’ dhe në shkollat e fshatrave Zaskok dhe Doganaj të Ferizajt, me nxënës të klasave I,II dhe III, me temë ‘’ Siguria në komunikacionin rrugor’’.

    Ligjëratat janë mbajtur nga ana e instruktorëve të policisë, të cilët kanë për synim vetëdijesimin e nxënësve për të kontribuar në parandalimin e dukurive negative.

    “Gjithashtu, nxënësit janë njoftuar edhe për detyrat dhe përgjegjësitë që ka policia në fushën e parandalimit, reagimit, përkatësisht të trajtimit të rasteve të dukurive negative, masat ligjore dhe ndëshkimore, masat për sigurinë në komunikacionin rrugor, si dhe për pasojat që shkaktohen nga këto dukuri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Tutje thuhet se policia rajonale e Ferizajt do të vazhdojë të mbajë ligjërata edhe në shkollat e komunave tjera të rajonit të Ferizajt.

  • ​Mbyllen komunat ilegale të Pejës, Istogut dhe Klinës

    ​Mbyllen komunat ilegale të Pejës, Istogut dhe Klinës

    Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Kosovës.

    Ministria e Punëve të Brendshme njofton se me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

    “Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Ndryshimet në skemën pensionale, SBASHK alarmon përfaqësuesit e grupeve parlamentare

    Ndryshimet në skemën pensionale, SBASHK alarmon përfaqësuesit e grupeve parlamentare

    Për të shprehur shqetësimet lidhur me ndryshimet në skemën pensionale që kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim Ardian Gola, si dhe u kanë dërguar shkresa për takime shefave të grupeve parlamentare.

    Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ai i LDK-së, Driton Selmanaj.

    Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në takime të ndara u kanë ofruar argumente, të cilat ua kanë lënë edhe në formë të shkruar Tahirit dhe Selamanajt duke kërkuar ta marrin iniciativën për të dërguar çështjen në Kushtetuese dhe për të nisur debat në Parlament, në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet në ligj dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të pensionuar nga arsimi.

    SBASHK pret që javën e ardhshme të kenë takime edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, atë të AAK-së Besnik Tahiri dhe Enis Kervan nga Grupi Parlamentar Multietnik.

  • Mijëra majmunë “pushtojnë” Tajlandën, mbyllen dyqanet dhe bizneset

    Mijëra majmunë “pushtojnë” Tajlandën, mbyllen dyqanet dhe bizneset

    Mijëra majmunë kanë bastisur një qytet në Tajlandën qendrore, duke detyruar disa dyqane dhe biznese të mbyllen në provincën Lopburi. Sipas The Sun, një ushtri prej 3500 majmunësh pushtoi qendrën e qytetit, duke i detyruar vendasit dhe turistët të largohen.

    Disa vendas u larguan, ndërsa të tjerët u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre në një përpjekje të dëshpëruar për t’u mbrojtur.

    “Ne jetojmë në një kafaz, por majmunët janë jashtë,” tha një banore.

    Fillimisht, vendasit u përpoqën t’i mbanin kafshët larg duke i siguruar ushqim por ky plan dështoi, duke i bërë majmunët edhe më të dhunshëm. Shumë i ushqenin majmunët me ëmbëlsira, dhe ushqime me drithëra dhe sheqerna, të njohura për t’i bërë ata më hiperaktivë dhe seksualisht aktivë.

    “Ushqimet me sheqer mund të rrisin produktivitetin e majmunëve dhe të nxisin riprodhimin e tyre”, tha Satipong Kamtaptim, nga Departamenti i Parqeve Kombëtare të vendit.

    Dihet se majmunët tashmë kanë aftësinë për t’u riprodhuar dy herë në vit, dhe konsumi i sheqerit rrit këtë tendencë. Sidoqoftë, para pandemisë Covid, majmunët dhe njerëzit jetonin në harmoni në qytet.

    Por ky ekuilibër u prish shumë shpejt kur bllokimet ndaluan turizmin, duke bërë që majmunët të kërkonin të dëshpëruar për ushqim.

    “Majmunët janë më të uritur dhe më agresivë se më pare. Ata marrin atë që munden. Ata janë mësuar të ushqehen nga turistët,” tha Supakarn Kaevchot, një veteriner.

    “Me largimin e turistëve ata janë bërë më agresivë, duke luftuar për të mbijetuar”, shtoi ai.

    “Ata pushtojnë ndërtesat dhe i detyrojnë vendasit të largohen nga shtëpitë e tyre. Tani majmunët janë kudo. Ata ulen në çati, gati për pritë, trazira në rrugë e madje grabisin makinat që kalojnë”, thuhet në artikullin e “The Sun”.

    Departamentit të Parqeve Kombëtare të Tajlandës i është dashur të nisë një program sterilizimi me shpresën se do të jetë në gjendje të ndalojë shumimin e tyre.

  • ​Ushtria izraelite ka një plan të ri në Gaza

    ​Ushtria izraelite ka një plan të ri në Gaza

    Ushtria izraelite, sipas raportimeve të mediave izraelite, dëshiron të zgjerojë luftën kundër grupit militant palestinez Hamas në pjesën më jugore të Rripit të Gazës.

    Ushtria dëshiron të zgjerojë luftën në brigadën e Hamasit në Rafah, siç po bën aktualisht me njësitë e Hamasit në zonën e qytetit jugor të Khan Younis, citoi gazeta Times of Israel të thoshte të enjten ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant. mbrëmje.

    Më shumë se 1.3 milionë njerëz jetojnë në Rafah dhe zonën përreth, që është më shumë se gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës prej rreth 2.2 milionë banorësh. Ata u larguan nga shtëpitë e tyre dhe kërkuan strehim nga luftimet në atë qytet. Para luftës, Rafah kishte rreth 250.000 banorë.

    Gati katër muaj pas sulmeve të koordinuara nga grupi militant palestinez Hamas në jug të Izraelit më 7 tetor, të cilat vranë rreth 1.200 njerëz, forcat tokësore izraelite kanë hyrë thellë në Rripin e Gazës në përpjekje për të shtypur Hamasin.

    Megjithatë, skaji jugor i zonës bregdetare palestineze, që kufizohet me Egjiptin me qytetin e ndarë të Rafahut dhe pikën kufitare me të njëjtin emër, deri më tani nuk është shënjestruar nga forcat tokësore.

    Brigada e Hamasit në Khan Younis po shembet, tha Gallant gjatë një vizite te ushtarët në qytet, raportoi gazeta.

    Khan Younis konsiderohet një bastion i Hamasit.

    Gallant tha se operacioni do të përfundonte atje dhe do të kalonte në Rafah për të “eliminuar çdo terrorist që përpiqet të na dëmtojë”.

    Wall Street Journal raportoi tre javë më parë, duke cituar burime të paidentifikuara izraelite dhe egjiptiane, se zyrtarët izraelitë kishin informuar Egjiptin për një operacion të planifikuar ushtarak përgjatë kufirit të Gazës.

    Kalimi kufitar Rafah kontrollohet nga zyrtarë egjiptianë dhe palestinezë, të punësuar nga Hamasi.

    Udhëheqja izraelite dyshon se tunelet që kalojnë nën kufirin midis Egjiptit dhe Gazës janë ende duke u përdorur për të kontrabanduar mallra dhe armë për Hamasin në Rripin e Gazës.

    Në Khan Younis, Izraeli nisi një ofensivë të madhe tokësore javën e kaluar.

    Në të njëjtën kohë me vazhdimin e operacionit ushtarak izraelit në Gaza, ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti po shpresojnë për një përgjigje pozitive nga Hamasi, që qeveris Gazën, për propozimin e parë konkret për një ndërprerje të zgjatur të armiqësive, të rënë dakord me Izraelin dhe SHBA-në në bisedime. në Paris javën e kaluar.

    Në fazat e mëtejshme, Hamasi do të dorëzonte ushtarët izraelitë dhe trupat e pengjeve.

    Një pauzë kaq e gjatë në luftime do të ishte e para që nga 7 tetori, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin.

    Zyrtarët shëndetësorë në enklavë thanë të enjten se më shumë se 27,000 palestinezë janë konfirmuar të vrarë deri më tani, me mijëra të vdekur ende nën rrënoja.

    Një zyrtar palestinez tha se Hamasi nuk ka gjasa ta refuzojë propozimin plotësisht, por do të kërkojë garanci se luftimet nuk do të vazhdojnë, gjë për të cilën Izraeli nuk ka rënë dakord.

    Banorët e Gazës raportojnë se forcat izraelite shënjestruan zonat përreth spitaleve në Khan Younis dhe intensifikuan sulmet pranë Rafahut.

    Luftimet gjithashtu janë intensifikuar ditët e fundit në zonat veriore rreth qytetit të Gazës, të cilin Izraeli pretendon se e pushtoi disa javë më parë.

    SHBA-ja duket se nuk është e suksesshme në thirrjet e saj drejtuar Izraelit për të lehtësuar situatën e civilëve në Gaza. Megjithatë, Uashingtoni po rrit presionin indirekt.

    Presidenti amerikan Joe Biden ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që synon ndëshkimin e kolonëve hebrenj që sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar në një valë dhune të shkaktuar nga lufta e Gazës.

  • ​Final 8 e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohet me praninë e tifozëve

    ​Final 8 e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohet me praninë e tifozëve

    Nga 13 deri më 17 shkurt në palestrën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë do të zhvillohet “Final 8” e Kupës së Kosovës në basketboll.

    Tetë ekipet e elitës së basketbollit kosovar do të luftojnë për njërin nga trofetë më të rëndësishëm në basketbollin vendor.

    Me këtë rast, në një konferencë për media, ka folur sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. Ajo ka thënë se këto ndeshje do të zhvillohen me praninë e tifozëve të të gjitha ekipeve.

    “Unë po besoj që ndoshta po bëhen më shumë se 9 vjet ose 10 që po kthehet organizimi i Final 8, në atë kohë ka qenë Final 4 në Gjakovë dhe po besoj që për këto katër ditë sa do të jetë prej 13 deri më 17 do të kemi rast që të kemi rast të kënaqemi basketboll cilësor por edhe me atmosferë festive pasi që e dimë që më 17 shkurt do ta festojmë është pavarësinë, është dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sa i përket tifozëve unë dua ta jap një informatë që ka të bëjë me organizimin e tyre. Ekipet kundërshtare do t’i kenë tifozët e tyre të pranishëm në palestra të ndarë në dy tribuna anash. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale së bashku me Komunën e Gjakovës, KB Vëllaznimin, Policinë e Kosovës dhe të gjitha organet tjera që janë të përfshira në çështjet e sigurisë që sa i përket sigurisë për këto ditë 13,14,16,17 dhe 17 të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe të mos kemi asnjë incident të mundshëm”, tha Dushku.

    Ndërsa, anëtari i bordit të KB Vëllaznimit, Jeton Balalli deklaroi se kjo është një ngjarje shumë e rëndësi për Kb Vëllaznimin dhe se presin një organizim sa më të mirë të këtij kompeticioni.

    “Është një ngjarje e cila na ka motivuar si kryesi e klubit edhe në bazë të përvojës që kemi pasur me organizimin e ndeshjeve ku në asnjë ndeshje nuk kemi pasur asnjë incident më të voglin dhe ajo ka qenë arsyeja që ne sot këtu ta marrim përsipër organizimin e Final 8”, theksoi Bakalli.

    Në lidhje me çmimin e biletave, Bakalli bëri të ditur se ato do të dalin në shitje nga dita e hënë.

    “Rreth çmimit të biletave besoj në koordinim me federatën besoj nga e hëna do të ketë komunikim zyrtar, sa i përket tribunave do të jenë të ndara për tifozeritë në dy tribunat anësore që do të jenë spektator të të gjitha qyteteve që do të jenë prezent. Për siguri, përveç policisë së Kosovës jemi duke u angazhuar në çdo nivel edhe me sigurime private që nëse është e mundshme të mos e kemi asnjë incident më të voglin”, tha Bakalli.

    Ndryshe, në Final 8 të Kupës së Kosovës marrin pjesë Prishtina, Ylli, Bashkimi, Prizreni, Trepça, Vëllaznimi dhe Istogu, ndërsa ndeshjet finale zhvillohen më 17 shkurt.