ATV

Author: ATVLive

  • Përfundon Festivali i Këngës në San Remo, ja kush është përfaqësuesja e Italisë në Eurovision

    Përfundon Festivali i Këngës në San Remo, ja kush është përfaqësuesja e Italisë në Eurovision

    Angelina Mango u shpall fituese e Festivalit të 74-të të Këngës në San Remo herët të dielën, duke triumfuar me një këngë të quajtur – La Noia (Mërzia).

    22-vjeçarja, vajza e kantautorit Giuseppe Mango, i cili vdiq në moshën 60-vjeçare në vitin 2014, është artistja e parë femër që mbizotëron në festivalin shumë të dashur që kur Arisa fitoi me Controvento 10 vjet më parë.

    Kjo fitore i jep asaj të drejtën për të përfaqësuar Italinë në Eurovision Song Contest.

  • Ish-futbollisti i Zvicrës: Shaqiri dhe Xhaka mund të mos shkojnë në Beograd për t’u përballur me Serbinë

    Ish-futbollisti i Zvicrës: Shaqiri dhe Xhaka mund të mos shkojnë në Beograd për t’u përballur me Serbinë

    Ish-futbollisti i kombëtares së Zvicrës, Milaim Rama ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Rama përmes një lidhje skype nga Zvicra e ka komentuar shortin e kombëtares helvetike.

    Ai ka deklaruar që në grupin ku ndodhet Zvicra, favorite është kombëtarja e Spanjës, por Rama ka thënë që edhe ndeshja me Serbinë për Zvicrën nuk pritet me qenë e lehtë, pasi që sipas tij pritja nga serbet sidomos për lojtarët shqiptarë që aktivizohen te kombëtarja e Zvicrës nuk do të jetë e mirë.

    ‘Unë them që Shaqiri dhe Xhaka mund të mos shkojnë në Beograd për t’u përballur me Serbinë pasi dihet se çfarë atmosfere te keqe krijojnë tifozët serb. Ndoshta Zvicra nuk i merr fare me veti, njëjtë siç kishte vepruar Liverpool para disa viteve kur nuk e kishte marrë me vete Shaqirin në Beograd në një ndeshje përballë Zvezdës’ tha Rama

    Intervistën e plotë të Milaim Ramës ku flet për kombëtaren  Kosovës dhe Zvicrës mund ta ndiqni më poshtë.

  • Rrahmani, Asllani apo Hyseni cili është pasardhësi i Vedat Muriqit te Kosova, ja çfarë thotë ish-sulmuesi i njohur Rexha

    Rrahmani, Asllani apo Hyseni cili është pasardhësi i Vedat Muriqit te Kosova, ja çfarë thotë ish-sulmuesi i njohur Rexha

    Ish sulmuesi i disa skuadrave në Kosovë, Kastriot Rexha i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV, ka folur për kundërshtarët e kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombëve.

    Rexha ka vlerësuar lartë Rumaninë, por ka thënë që Kosova i ka gjitha kualitetet për të mposhtur këtë kombëtare.

    Rexha po ashtu ka treguar se Albion Rrahmani është sulmuesi i cili mund të jetë pasardhës i Vedat Muriqit të kombëtarja e Kosovës.

    ‘Albion Rrahmani është sulmues i cili më pëlqen shumë. Rrahmani po tregon kualitetin e tij edhe te Rapidi. Hyseni është e ardhmja poashtu, por unë them që Albioni është futbollist i cili mund të zëvendësojë Murqin’ tha Rexha.

    Kur jemi te Albion Rrahmani, ai deri me tani këtë sezon ka shënuar tetë gola në 10 takime në elitën e futbollit rumun.

  • Shkrimi jo i mirë i mjekëve, farmacisti: I thërras dhe i pyes çfarë ke shkruar

    Shkrimi jo i mirë i mjekëve, farmacisti: I thërras dhe i pyes çfarë ke shkruar

    Përshkrimi i barnave nga mjekët në mënyrë elektronike po konsiderohet si nevojë e domosdoshme. Kjo meqë vlerësohet se lehtëson barrën e pacientëve, punën e farmacistëve dhe të vetë doktorëve. Të njëjtit thonë për KosovaPress, se digjitalizimi i recetës mjekësore do të ndikonte në zvogëlimin e mundësisë që pacientëve t’u jepen terapi të gabuara, si pasojë e shkrimit jo të mirë me dorë.

    Zëvendësdrejtori i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF-ve) në Prishtinë, Bujar Gashi tha se funksionimi i mangët i Sistemit Informativ Shëndetësor, po shkakton vështirësi të vazhdueshme, duke përfshirë edhe ngecjen e procesit të digjitalizimit të recetës mjekësore.

    Gashi për KosovaPress potencoi se ka disa vite që ekziston ky problem, për çka shtoi se rënia e sistemit u shkakton telashe infermierëve e mjekëve për ta kryer punën e tyre.

    Ai shtoi se janë bërë mbi gjashtë muaj prej kur në të gjitha QKMF-të në Prishtinë, janë tërhequr printerët nga kompania përkatëse, kështu duke u pamundësuar doktorëve përshkrimin e terapive në mënyrë elektronike.

    Se digjitalizimi i recetës mjekësore është i nevojshëm e thotë edhe farmacisti përgjegjës në një nga barnatoret në kryeqytet, Arbnor Alidema, i cili thotë për KosovaPress, tregon se shumë shpesh detyrohen që të thirrin mjekun që ka përshkruar terapinë për ta pyetur rreth saj, ngase nuk mund ta kuptojnë shkrimin.

    Ai shton se një gjë e tillë do të lehtësonte edhe punën e farmacistëve.

    Njëjtë mendon edhe kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, derisa thotë se shkruarja e recetës mjekësore në mënyrë klasike i dëmton pacientët. Sipas tij, jo gjithmonë ato që shkruhen nga mjekët, jepen nga farmacistët, si shkak i shkrimit jo të kuptueshëm nga këta të fundit.

    Ndërkaq, qytetarët thonë se shkrimi i recetës mjekësore në mënyrë elektronike është dashur të bëhet që moti. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në minimizimin e ngatërrimit të ilaçit, si shkas i dorëshkrimit jo të mirë.

    Qytetari Gani Gashi thotë për KosovaPress, se në këtë botë të digjitalizuar, kjo gjë do të duhej të rregullohej kohë më parë. Sipas tij, si pasojë e “shkarravitjes” së mjekëve në receta mjekësore, pacientët mund të dëmtohen.

    Edhe Haki Kasumi vlerëson se duhet të ndryshojë mënyra klasike e shkrimit nga mjekët, për çka thotë se kjo do të zvogëlonte gabimet e mundshme.

  • Federatat i gëzohen liberalizimit: Shpëtojmë mijëra euro

    Federatat i gëzohen liberalizimit: Shpëtojmë mijëra euro

    Liberalizimi i vizave do të krijojë lehtësira të mëdha edhe për sportistët dhe federatat sportive në Kosovë.

    Angazhimet në garat ndërkombëtare krijonin shpenzime të mëdha për federatat për shkak të obligimit për t’u pajisur me viza, kosto e cila ka shkuar deri në dhjetëra mijëra euro.

    Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi ka thënë se heqja e vizave lehtëson barrën financiare të federatës pasi që një pjesë e madhe e buxhetit duhet të shpenzohej pikërisht për pajisjen me viza.

    Ndërsa, Sekretari i Federatës së Hendbollit, Izet Gjinovci ka thënë për KosovaPress, se kjo federata shpenzonte rreth 40 mijë euro në vit vetëm për pajisjen e sportistëve me viza.

    Shpenzimet e tilla preknin fuqishëm edhe Federatën e Volejbollit. Në çdo garë ndërkombëtare që volejbollistët merrnin pjesë, FVK duhej të shpenzonte mbi 15 mijë euro në vit.

    Karateisti Elhami Shabani ka thënë se në shumë raste shpenzimet për viza i ka paguar vet dhe se kjo ishte një maltretim i madh për të.

    Edhe Kushtrim Krasniqi, nga Komiteti Olimpik i Kosovës thotë për KosovaPress, se pajisja me viza i penalizonte tej mase federatat dhe sportistët në aspektin financiar.

    “Përveç kohës që na është marrë për ta kompletuar dokumentacionet e shumta që është dashur vazhdimisht t’i kemi, na ka marrë kohë edhe na ka penalizuar edhe me shpenzime që është dashur të paguhen për secilin sportist shpenzimet e vizës. Madje, shpeshherë është dashur që të shkojmë edhe në Shkup në mungesë të ambasadës në Kosovë të shkojmë edhe në Shkup apo vende të tjera për të marr dhe aplikuar për vizë, sidomos për ato vende që nuk e njohin Kosovës, por edhe vendeve jashtë Evropës”, u shpreh Krasniqi.

    Drejtuesit e federatave kanë thënë se këto mjete tani e tutje do të orientohen në investime dhe përkrahje edhe më të madhe për sportistët e rinj.

  • Erërat e forta lëvizin edhe semaforët në Prishtinë

    Erërat e forta lëvizin edhe semaforët në Prishtinë

    Shpërndarje të mbeturinave po ndodhin në gjithë Prishtinën për shkak të erërave të forta. Qytetarët kanë dërguar një video nga rruga B, ku vërehet shpërndarja e mbeturinave nga kontejnerët dhe rreth tyre, por njëkohësisht shihet fuqia që kanë erërat në këto momente.

    Gjithashtu, tek komuna e re, në lagjen “Arbëria”, në kryeqytet, vërehet se si janë shpërndarë mbeturinat, madje erërat lëvizin edhe semaforët.

    Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se sot do të ketë erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h, prej të cilave do të ketë edhe dëme materiale. /kp

  • Myftiu Tërnava inspekton punimet në xhaminë qendrore të Prishtinës

    Myftiu Tërnava inspekton punimet në xhaminë qendrore të Prishtinës

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dalë në terren për të parë punimet rreth ndërtimit të xhamisë qendrore në Prishtinë.

    Në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është thënë se është betonuar një pjesë e pllakës së xhamisë.

    “Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, ka parë nga afër punimet në ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë, ku edhe është betonuar një pjesë e pllakës së kësaj xhamie. Ai u njoh për së afërmi me ecurinë e punimeve në ndërtimin e kësaj xhamie. Gjatë kësaj vizite, bashkë me myftiun Tërnava ishte edhe atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë, z. Bunjamin Albayrak”, ka njoftuar BIK-u.

  • IPK: Vitin e kaluar janë hetuar 156 zyrtarë të Policisë

    IPK: Vitin e kaluar janë hetuar 156 zyrtarë të Policisë

    Inspektoratit Policor të Kosovës ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin 2023.

    Sipas këtij raporti, Departamenti i Hetimeve në kuadër të IPK-së, vitin e kaluar ka hetuar 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë, shprehur në përqindje 1.8% e numrit të përgjithshëm të punonjësve policorë që janë hetuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari penale.

    “IPK-ja në ketë periudhe raportuese, ka realizuar gjithsej 35 arrestime (21 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 14 qytetarë) nën dyshimin e arsyeshëm se kanë qenë të përfshirë në veprimtari penale si dhe kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë”, thuhet në raportin e IPK-së.

    2023 konsiderohet i suksesshëm për Drejtorinë e Hetimeve në IPK, bazuar në të dhënat lidhur me numrin e rasteve të trajtuara, numrin e kallëzimeve penale, numrin e të arrestuarve, të suspenduarve etj.

    “Në vitin 2023, DH-ja ka pranuar 540 raste përmes DMA-së në kuadër të IPK-së, ndërsa 334 raste kanë vazhduar trajtimin nga vitet paraprake në vitin 2023, kurse D.H pas zhvillimit të hetimeve penale 2 raste i ka iniciuar për hetim disiplinore. D.H ka trajtuar gjithsej 876 raste, duke përfshirë rastet e bartura nga vitet paraprake si dhe rastet e pranuara në këtë vit”, thuhet në raportin e IPK-së.

    Policia e Kosovës ka gjithsej 8826 punonjës, nga të cilët 7958 janë zyrtarë policorë me grada të ndryshme, ndërsa 868 janë personel civil pa autorizime policore.

    Gjatë vitit 2023 sipas raportit të IPK-së, janë hetuar 2 major, 3 kapiten të policisë, 7 toger, 15 rreshter, 120 zyrtarë policorë, 1 kadet dhe 8 shërbyes civil.

    Gjatë vitit 2023 janë hetuar 107 punonjës policor të angazhuar në drejtoritë rajonale, ku DRP – Prishtina prinë nga të gjitha drejtoritë me numrin më madh të hetuarve nga radhët e saj, duke pasur edhe numrin më të madh të punonjësve të shpërndarë në stacione policore.

  • Asambleja Kombëtare e PS, Rama: Nuk kemi në plan ndryshime, por riorganizim të partisë

    Asambleja Kombëtare e PS, Rama: Nuk kemi në plan ndryshime, por riorganizim të partisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste do të kryhet një analizë dhe riorganizim i kësaj “familjeje politike”.

    “Kjo është një mbledhje pune, raportimesh, diskutimesh në lidhje me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar tërësisht Partinë Socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës”, tha Rama.

    Ai theksoi më tej se këtë të diel nuk do ketë ndryshime në radhët e partisë, por lëvizje në të mirë të punës së përbashkët.

    “Sot nuk kemi asnjë plan për të bërë ndryshime, jemi për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera. Fjala ndëshkim nuk i shkon organizimit të një familjeje politike, riorganizim nënkupton lëvizje në të mirë të bërjes së punës”, përfundoi Rama.

    Në fokus të kësaj mbledhjeje do të jetë gjendja e çdo baze dhe strukturave të PS-së, ndërsa pritet të mbajë një fjalim Rama, por ajo do të jetë me dyer të mbyllura drejtuar vetëm asamblistëve. Pritet që Rama të ketë edhe mesazhe politike krahas porosive.

  • Musliu për grafitet në Veri: Të ngjashme ishin shkruar edhe para sulmit në Banjskë

    Musliu për grafitet në Veri: Të ngjashme ishin shkruar edhe para sulmit në Banjskë

    Sot në katër komunat veriore të Kosovës janë parë grafite “Kur të kthehet ushtria në Kosovë… jeton Brigada e Veriut”.

    Pas kësaj ka reaguar njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu.

    Musliu përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se grafite të ngjashme janë shkruar edhe para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

    “Gjersa, krejt Evropa dhe SHBA janë këtë vit në zgjedhje, e ndoshta edhe Kosova, Serbia tashmë s’e ka këtë hall, sepse i ka vjedhë zgjedhjet. Putini po siguron mandat jetësor! Perëndimi në gjumë, e Kosova ku?”, ka shkruar Musliu.

    Postimi i plotë: