ATV

Author: ATVLive

  • Objekti i të Verbërve në Prishtinë, i lënë në harresë nga institucionet

    Objekti i të Verbërve në Prishtinë, i lënë në harresë nga institucionet

    Përgatiti: Pranvera Krasnqi

    Muret e objektit të Shoqatës së të Verbërve në Prishtinë, janë qarë në shumë vende. Kurse nga brenda, i ka mbuluar edhe myku.

    Kjo ndërtesë nuk është rinovuar asnjëherë, që nga vitet e 60-ta.

    Kreu i Shoqatës, Behxhet Gashi, thotë se intervenimi në të është urgjencë.

    “Në të tëra anët ka myk, dhomat e vogla leje më se pak dhoma…”, tha Gashi.

    Gashi thotë se të njëjtat probleme i ka adresuar tek të gjitha pushtetet në Prishtinë, por që është zhgënjyer. Veç ndërtimit të vrazhdë, ky shpreh nevojën edhe për mjete të duhura.

    “Pe shihni vet në çfarë gjendje të mjerueshme jemi…”, tha Gashi.

    Gjendjen mund ta ndërrojë paria aktuale e komunës, nëse e mban premtimin se do ta gëzojë shoqatën rinovim të objektit.

    “Kemi qenë dhe kemi pa situatën atje, së shpejti do tua mundësojmë që të kenë një objekt të ri…”, tha drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.

    Aktualisht, shoqata ka 630 anëtarë, për të cilët kushtet që ofron ky objekt janë të pamjaftueshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shkolla “Fan Noli”, në Broliq të Pejës rrezikon të mbyllet, ka vetëm 30 nxënës

    Shkolla “Fan Noli”, në Broliq të Pejës rrezikon të mbyllet, ka vetëm 30 nxënës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Dërrasën e zezë e ndajnë në mes, e po ashtu edhe klasën.

    Në këtë mënyrë nxënësit e klasave 3 dhe 5, të shkollës fillore “Fan Noli”, në Broliq të Pejës, zhvillojnë procesin mësimor.

    Pavarësisht dallimit në gjeneratë, këta kanë të njëjtën mësuese, për shkak të numrit të vogël të fatosëve. Gjithsej në këtë fshat janë 30 nxënës.

    “Në këtë klasë i kam dy paralele, klasën e tretë dhe të pestë. Është shumë e vështirë ta menaxhoj, se i kam dy klasë me kombinim. Kështu me kombinim punoj që 13 vjet, mundohem ta ndaj orën, janë shumë pak por nuk iu mbesim borxh”, tha Ardiana Gashi, mësimdhënëse.

    Drejtori i shkollës, Canë Gashi, thotë se të njëjtin problem e kanë edhe në paralelen e ndarë në fshatit Rashiq.

    “Në dy paralelet kemi mësimin e kombinuar, klasat 2-4 dhe 3-5, mësojnë me një klasë. Jemi në diskutim me DKA-në për t’i mbyllur e për t’ua siguruar transportin deri tek shkolla amë në Kryshec. Shkolla i plotëson kushtet dhe është ndërtuar para dy vjetëve objekti i ri”, tha Gashi.

    Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, nga drejtoria e Arsimit në Pejë, thonë se po planifikojnë mbylljen e dy shkollave.

    “Disa shkolla nëpër fshatrat e Pejës planifikohet të mbyllen, përfshirë edhe këto dy paralele të ndara të shkollës “Fan Noli”, në Broliq e Rashiq. Ne si Drejtori e Arsimit, do ua sigurojmë transportin nxënësve të këtyre dy paraleleve deri në shkollën amë në Kryshec të Pejës”, thuhet në përgjigjen e Naser Gegës nga DKA e Pejës.

    Shkolla “Fan Noli”, është e ndarë në tri paralele, në fshatin Broliq, Rashiq dhe Kryshec. Ky i fundit nuk rrezikon të mbyllet, pasi ka mjaft nxënës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Strategjia e punësimit, me mangësi në shifra konkrete

    Strategjia e punësimit, me mangësi në shifra konkrete

    Përgatiti: Haris Ademi

    E panjohur është lënë vlera monetare e burimeve për jetësimin e Strategjisë së Punësimit 2023-2027 në Kosovë.

    Veç kësaj, hartuesja, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po kritikohet se në dokument ka lënë edhe paqartësi të tjera në qëllimet katërvjeçare.

    Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore thotë se strategjia përfshin analizë të mirë të gjendjes aktuale, por çalon në konkretizim të objektivave.

    “Te rezultatet është i mangët sepse nuk jepen shifra, as shpenzimet…”, tha Abazi.

    Abazi vlerëson se, në tërësi, strategjitë qeveritare nuk përputhen mes vete. Prandaj kanë dërguar komente me vërejtjet se në këtë të Punësimit, nuk është përfshirë fare sektori i energjisë së gjelbër.

    “Nuk janë përfshirë vendet që do të hapen në këtë sektor, izolimi, instalimet e paneleve…”, tha Abazi.

    Strategjia katërvjeçare e punësimit përthekohet në tri objektiva. Zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore, rritjen e pjesëmarrjes në treg të punës të grave, të rinjve dhe grupeve në rrezik përjashtimi dhe përmirësimi i kushteve të punës.

    Deri më 2027, mëtohet të ketë sigurim të detyrueshëm për të gjithë punëtorët. Ndërsa pritet të ulet në 10% informaliteti.

    Qeveria, gjithashtu, synon që paga minimale të jetë sa gjysma e pagës mesatare të po atij viti.

    Tashmë ka përfunduar periudha e konsultimit publik për këtë strategji, e cila pritet të miratohet në qeveri.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qentë në veri mbyten përmes ushqimit

    Qentë në veri mbyten përmes ushqimit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Qentë në veri të Mitrovicës po ngordhin nga ajo që ja kanë nevojën më së shumti. Dikush po u servon atyre ushqim me helm.

    Gjatë javës së kaluar, ngordhën 10 kafshë endacake nga helmimi, kurse vetëm të shtunën dy. Tre qenë tjerë u shpëtuan me intervenim.

    Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve është alarmuar me këto veprime anonime.

    “Ne kemi dërguar mostra të atij mishi në disa institucione dhe e dimë se është një helm i rëndë edhe për ta marrë sepse është i ndaluar. Helmi është pa ngjyrë dhe kur e shpërndajnë atë mbi mish ne nuk mundë ta shohim atë dhe qentë e hanë shumë shpejt dhe vdesin me vuajtje të shumta”, tha Dajana Gocmanac nga asociacioni i mbrojtjes së kafshëve “Putra”.

    Të shqetësuar janë edhe zyrtarët e komunës. Nënkryetari i asamblesë, Skënder Sadiku, e adresoi këtë rast në polici, këtë të diel.

    “Inspektorati është i njoftuar po edhe unë në kuadër të asamblesë komunale e kam për detyrë ta përcjelli çështjen e qenve endacak, ekziston një strategji kombëtare, ekzistojnë edhe motive që mendohet të ndihmohet mirëpo kjo vepër e shëmtuar vazhdon dhe është shumë shenj e keqe”, tha nënkryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skënder Sadiku.

    Zëdhënësi policor për veri, Veton Elshani, konfirmoi se rasti është në fazën e mbledhjes së informacioneve.

    Helmimi i qenve në veri nuk është veprim vetëm i ditëve të fundit. Gjatë vitit të kaluar, veterinari Labinot Nimani thotë se ka shpëtuar mbi 100 sosh.

    “Helmi që u përdor për të vrarë qentë ishte aq toksike saqë një sasi shumë e vogël bëri që qentë të ngordhnin ne mënyrë mizore brenda pak minutash, por gjithashtu shkaktoi helmim te aktivistët që u përpoqën t’i shpëtonin ose t’i sillnin në Klinikë për trajtim. Vetëm në vitin 2023, ne shpëtuam mbi 100 qen të helmuar në gjendje të rënd shëndetësore, dhjetëra të tjerë u gjetën në rrugë pa jetë. Në veri të Mitrovicës, qentë helmohen sistematikisht. Është vala e tretë e helmimeve masive që nga viti i kaluar”, tha Nimani.

    Që të mos përkeqësohet gjendja, aktivistët kërkojnë që autoritetet përkatëse të jenë më efikase në mbrojtjen e jetëve të kafshëve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Erërat e fuqishme në Prishtinë shkaktojnë dëme materiale, shpërndajnë mbeturinat nëpër rrugë

    Erërat e fuqishme në Prishtinë shkaktojnë dëme materiale, shpërndajnë mbeturinat nëpër rrugë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ende nuk ka siguri rreth objektit të komunës së re në Prishtinë, ku 3 javë më parë ra një pjesë e çatisë, duke lënë të lënduar një vajzë 23 vjeçare.

    Që të mos përsëritet një situatë e tillë, këtë të diele, komuna e Prishtinës lokalizoi hapësirën përreth saj, pasi erërat arritën shpejtësinë deri në 80 km/h.

    Drejtori për siguri dhe emergjenca në komunë e Prishtinës, Lulzim Fushtica u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i reduktojnë daljet kur ka erëra të forta.

    Ndër tjera, Fushtica përmendi zonat të cilat u desh të intervenohej qysh në orët e mëngjesit.

    Era të fuqishme pati edhe në fshatin Prugovc.

    Përveç dëmeve materiale, erërat kishin bërë shpërndarjen e mbeturinave në shumë të kryeqytetit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Stacionet policore në Istog e Fushë-Kosovë me mungesë të spërkatësve e jelekëve antiplumb

    Stacionet policore në Istog e Fushë-Kosovë me mungesë të spërkatësve e jelekëve antiplumb

    Përgatiti: Nora Luta

    Të paktën në dy vitet e fundit zyrtarët policorë në Istog e në Fushë-Kosovë ballafaqohen me mungesë të uniformës. Përveç veshmbathjeve adekuate, Inspektorati Policor gjatë inspektimit ka hasur në mungesë të jelekëve antiplumb, spërkatësve kimikë dhe radio-lidhjeve.

    Në raportet e publikuara për dy stacionet veç e veç, IPK-ja ka dhënë pothuajse vërejtjet dhe rekomandimet e njëjta.

    “Zyrtarët policorë kanë mungesë të këpucëve dhe çizmeve për punë. Zyrtaret policore, në mungesë të këmishëve adekuate, janë të detyruar të veshin këmishë për meshkuj. IPK-ja i rekomandon Drejtorisë së Logjistikës që në koordinim më Stacionin Policor të Fushë-Kosovës, të ndërmarrë veprime urgjente në furnizimin e zyrtarëve me uniforma policore. Për arsye të sigurisë, IPK-ja rekomandon furnizimin e stacionit me spërkatës kimikë, jelekë antiplumb dhe radiolidhje” thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Sipas ish-togerit të Policisë, tani avokat, kushtet e tilla të punës përveç që ndikojnë në performancë, rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë.

    Sipas Rudarit, Policia detyrohet t’i marrë parasysh vërejtjet e IPK-së.

    IPK-ja, gjithashtu, ka vërejtje sa iu përket dhomave për ruajtjen e dëshmive, duke rekomanduar të respektohen rregullat mbi paketimin e dëshmive të konfiskuara në material adekuat varësisht prej specifikave të tyre.

    Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila ka kompetencë për furnizim, e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje, nëse kanë filluar të ndërmarrin ndonjë veprim rreth rekomandimeve dhe vërejtjeve të IPK-së.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mitrovica agon me nacionalizmin serb në mure

    Mitrovica agon me nacionalizmin serb në mure

    Përgatiti: Armand Hoti

    Grafite me përmbajtje nacionaliste serbe ka gjithandej Mitrovicës së Veriut.

    Megjithatë, tash mureve të qytezës iu shtuan edhe dy të reja, të lokalizuara fare pranë sheshit kryesor.

    Si autor të mbishkrimeve në çirilicë, ka dalë hapur Brigada e Veriut, të cilën qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste.

    Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se dikush ka interes që veriu të ketë tensione, andaj edhe bëhen grafitë të tilla urrejtje-nxitëse.

    “Këtu është vetëm një tentim i vogël që ta mbajnë situatën nën tension, pork jo është paksa ndryshe pasi Policia e Kosovës ka kapacitete të polta në veprim, e përmenda 24 shtatorin dhe asgjë nuk është njëjtë pas 24 shtatorit…Grupi terrorist Brigada e Veriut dhe Mbrojta civile nuk janë më në Kosovë dhe nëse vijnë do të arrestohen sikurse në çdo shtet tjetër demokratik”, tha Dashevci.

    Sipas Dashevcit, dy grupet e përmendura, nuk gëzojnë autoritetin që kanë pasur dikur në popullatën serbe në veri të Ibrit.

    “Unë nuk e besoj që do mundë të mbajnë situatën nën tension, pasi faktet janë krejt ndryshe…Mendimi im në aspekt sigurie është se këta nuk e kanë më atë famë siç e kanë pas para 24 shtatorit, mirëpo a do të tentojnë në vazhdimësi, gjithsesi se po. Por, fakti është ndryshe sepse rezultatet do t’i kenë më të dobëta thuasje zero sepse vetëdijësimi qytetar matan lumit ibër është për 80-85% më i lartë ngase ka qenë para 24 shtatorit”, tha Dashevci.

    Policia ka konfirmoi për ATV-në, se tashmë është hapur rast për nxitje të urrejtjes, ndërsa ende nuk ka të dyshuar apo të arrestuar.

    Grafitet u bënë në kohën kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore, që nuk e njeh dinarin si valutë për pagesa, gjë e cila ka ngjallur reagime të serbëve lokal, por edhe faktorit ndërkombëtar.

    Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile janë shpallur organizata terroriste nga autoritetet në Prishtinë, në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas protestave të dhunshme kundër kryetarëve shqiptarë, në të cilat u lënduan dhjetra ushtarë të KFOR-it.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjithçka në euro, Kurti u drejtohet serbëve në gjuhën serbe

    Gjithçka në euro, Kurti u drejtohet serbëve në gjuhën serbe

    Ashtu sikurse kishte paralajmëruar në seancën e KS të OKB-së në Nju Jork, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u është drejtuar sot komunitetit serb përmes një videoje në Facebook në gjuhën serbe ku sqaron rregulloren e BQK-së për euron si valutë të vetme për pagesë nga 1 shkurti dhe heqjen e dinarit.

    Ai ka bërë me dije qytetarët serbët se Kosova nuk ka ndaluar dinarin, ashtu siç nuk ka ndaluar as valutat e tjera përfshirë dollarin, funtën dhe frangun zviceran, dhe se rregullorja e BQK-së nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë.

    Ai ka theksuar se viteve të fundit kanë bërë të pamundurën për të luftuar krimin dhe për të vendosur rendin e ligjin, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe qytetarit, e cila u njoh edhe nga Freedom House, Transparency International dhe World Justice Project.

    Kurti tha se Kosova është shtet multietnik, e angazhuar për paqe e prosperitet, andaj nevojitet një besim ndëretnik për të luftuar dukuritë si krimet, urrejtja fetare, racore e etnike, ndarja e shoqërisë, lajmet e rreme për qëllime nacionaliste e shoviniste.

    Për më tepër, Kurti ua ka përkujtuar serbëve të Kosovës propagandën të cilën po e shpërndanë Beogradi me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq kinse për përndjekje sistematike ndaj këtij komuniteti, duke thënë se e gjitha kjo është një fushatë e ngritur mbi baza të rreme.

    Ai ka theksuar se vendosja e valutës euro si mjet i vetëm pagese ndalon pastrimin e parave dhe pasurimin ilegal me qëllim të financimit të terroristëve dhe pengimin e paqes, andaj vendosja e shtetit ligjor është e pashmangshme.

    Kurti ka folur edhe për skemat e asistencës financiare dhe ndihmës sociale për familjet në nevojë, gratë lehona dhe nënat me fëmijë, për të cilën tha se do të rritet në të ardhmen në përputhje me rritjen ekonomike dhe planifikimin buxhetor.

    Ai ka përkujtuar se çdo muaj, më shumë se 33.000 pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Kosova, 2.205 familje marrin ndihmë sociale, 4.244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1.372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë.

  • Komentet e Trumpit për NATO-n priten me kritika nga perëndimi

    Komentet e Trumpit për NATO-n priten me kritika nga perëndimi

    Zyrtarë të lartë të Perëndimit e kanë kritikuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën, pasi ai ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë aleatët e NATO-s – që nuk janë duke ndarë mjaftueshëm para në mbrojtje – nga një pushtim potencial prej Rusisë.

    “Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim.

    “Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, ka thënë ai.

    Trump ka gjasa të fitojë nominimin e republikanëve në garën presidenciale, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.

    Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka reaguar, po ashtu.

    “Motoja e NATO-s është ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe ky është përkushtim konkret. Minimi i kredibilitetit të shteteve aleate nënkupton dobësim të gjithë NATO-s”, ka thënë ai në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

    “Asnjë lloj i fushatës nuk është arsyetim për të luajtur me sigurinë e aleancës”.

    Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka postuar një mesazh “Një për të gjithë, të gjithë për një’ me thirrjet “Së bashku më të fortë”, gjithashtu, në X, pas komenteve të Trumpit.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se “deklaratat për sigurinë e NATO-s dhe Aktin 5, u shërbejnë vetëm interesave të [presidentit rus, Vladimir] Putin”.

    Artikulli 5 i traktatit të NATO-s përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari të aleancës konsiderohet sulm kundër të gjitha vendeve dhe nxit mbrojtje të përbashkët.

    Trump, duke e rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, gjatë një marshi politik në Karolinën e Jugut, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”

    “I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”.

    “Ne e kemi dëgjuar këtë më parë… asgjë e re”, ka thënë Komisionari i Bashkimit Evropian për Treg të Brendshëm, Thierry Breton, në një intervistë për televizionin francez LCI.

    “Ai ndoshta ka probleme me kujtesën, mirëpo në fakt ka qenë një presidente, jo një shtet, por Bashkimi Evropian”, ka thënë Breton, duke iu referuar një bisede që ka pasur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me Trumpin, më 2020.

    Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe i pavarur – e rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”.

    Të 31 vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që të ndajnë të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në fushën e mbrojtjes, mirëpo të dhënat e NATO-s kanë treguar e vetëm 11 prej tyre janë duke vepruar ashtu.

  • Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka bërë tashmë publike logon me të cilën pritet të shënohet përvjetori i 16-të i pavarësisë së shtetit.

    “Kosovë, ne të dalim zot!”, mbishkruhet në logon e pavarësisë, të cilën qeveria e ka shpërndarë në faqen zyrtare në ‘Facebook’.

    Qeveria ka ndarë edhe agjendën për 17 shkurt, ku pritet të ngrihet flamuri i Kosovës fillimisht, homazhe tek ish-presidenti Ibrahim Rugova, tek komandanti legjendar Adem Jashari.

    Po ashtu, nga ora 12:00 do të mbahet një seancë solemne në nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Qeveria ka ndarë agjendën edhe për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së (5,6 dhe 7 mars) dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës (12 qershor).