Deri sa në Kosovë po festohej Pavarësia më 17 shkurt 2008, gazetarja shqiptare Desada Metaj po raportonte nga Beogradi për zhvillimet në Serbi. Ajo së bashku me operatorin, ishin shqiptarët e vetëm në qendër të Beogradit të rrethuar nga turma të rinjsh serbë që protestonin kundër shpalljes së Pavarësisë Kosovës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, ajo tregoi se atë ditë, turma të mëdha në Beograd ishin tejet të acaruara dhe bërtisnin pa pushim “Vdekje shqiptarëve”, “Vdekje Hashim Thaçit”.
“Komentet kanë qenë shumë të forta. Kam kuptuar që gjatë gjithë kohës, turmat bërtisnin “Vdekje shqiptarëve”, “Vdekje Hashim Thaçit”, ishin tejet të acaruara. Protestat zhvilloheshin me orë. Ato fillonin në qendër të Beogradit gjatë ditës dhe pastaj degjeneronin në grupe huliganësh që kryenin edhe akte banditeske duke thyer dyqane, duke dhunuar njerëz në rrugë, ishte një valë ksenofobie e cila kishte pushtuar Beogradin. Është një valë ksenofobie që nuk është e vështirë ta gjesh në Serbi, mirëpo ato ditë ishte në kulmin e saj dhe ishte e ndezur nga ngjarja që besoj ishte ngjarja më trishtuese për ata në 100 vitet e fundit”, rrëfeu gazetarja Desada Metaj. /atvlive.tv
Krijuesi i obeliskut “NEWBORN”, Fisnik Ismaili në një prononcim për emisionin A LIVE në ATV, tregoi se kuptimi i këtij objekti për 16-vjetorin e Pavarësisë do të lidhet me liberalizimin e vizave.
“Po sivjet ndërlidhet me, s’po me kujtohet para sa nja 7-8 vite ka qenë, kur e patëm bërë një “NEWBORN” që e ka pasur krejt qiellin dhe ka qenë e rrethuar me tela e me gjemba, edhe jemi pas ankua që s’po na u liberalizohen vizat dhe jemi izolu. Sivjet, meqenëse na u hoq ai izolim, ia dedikuam “NEWBORN-it”, si gjithmonë, qysh “NEWBORN-i”, ia jep një mesazh botës dhe pjesëmarrjen e Kosovës në botë, sivjet ia dedikum liberalizimit të vizave, ose heqjes së qatij izolimi që kem pas deri tash, edhe quhet shtatë qiejt, janë shtatë qiej të ndryshëm, në secilën shkronjë të qyteteve ndryshme, që kanë silueta të qyteteve ndryshme të Evropës, në të cilat tash mundemi me udhëtua. Edhe, ia fillon me diellin që është në maje, domethënë në zenit, edhe është duke përendu, te shkronja B është natë, është terr, edhe mandej lind dielli te W-ja dhe prapë hipë në Zenit. Është njëfarë cikli që kemi dashtë me bo, si një ditë edhe krejt kjo po ndërlidhet me faktin që jemi liberalizu”, tha Ismaili.
Ai tregoi se çdo vit puna e ndryshimit bëhet prej vullnetarëve, ndërsa këtë vit, i janë bashkuar edhe disa studentë të Kolegjit AAB dega Dizajn Grafik, për të cilët thotë se po bëjnë një punë të mrekullueshme.
“Si çdo herë që asnjëherë s’kemi dështu me e kry punën edhe me e zbulu, me i jep qytetarëve “NEWBORN-in” për Ditën të Pavarësisë, këtë vit jemi organizuar më pak më mirë, se e kemi nisë punën pak më herët, se zakonisht e lëmë në moment të fundit, edhe na ka marrë koha e mirë, nëse është koha e mirë, shumë më lehtë e ke me punu. Gjithmonë puna bëhet prej vullnetarëve, prej stafit të ‘Karrotës’, të cilën e udhëheq Nita, drejtoresha e ‘Karrotës’ çdo vit, sivjet kanë ardhë edhe disa studentë të mi, unë ligjëroj në Kolegjin AAB, edhe kanë ardhë disa studentë të Dizajnit Grafik që po ndihmojnë dhe po bëjnë punë të mrekullueshme”, tregoi Ismaili.
Ai thotë se “NEWBORN-i” i parë i cili ishte zbuluar në ditën e Pavarësisë së Kosovës ka qenë më i madh se vetë jeta, ndërsa më i veçanti për të ishte ai me flamujt e të gjitha shteteve që e kanë njohur Kosovën.
“Çdo “NEWBORN” më ka pëlqyer shumë, e shumë dashni e kem bo, normale ai i pari ka qenë kështu për mu më i madh se vetë jeta, po prej ngjyrosjeve, për nga pamja, më i bukuri i ka qenë ai me flamujt e krejt shteteve që na kanë pranu Pavarësinë. Ka qenë një punë monumentale që është bërë për 24 orë edhe kanë punu 150 veta në të dhe ka qenë shumë e vështirë, po ka dalë tepër e bukur”, tregoi Ismaili.
Ndërsa, në mesin e 16 temave të ndryshme, krijuesi i obeliskut “NEWBORN” thotë se më i dashuri për të ka qenë ai i vitit 2020, që për temë ka pasur gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
“Për nga mesazhi, “NEWBORN-i” i im më i dashtun, ka qenë ai që iu ka kushtu grave viktima të luftërave dhe konflikteve, në të cilin ka qenë kryesisht i zi veç W-ja, ka qenë me shumë lule, ato lule janë shpërndarë në shonja tjera, me jep shpresë, ‘W’ ka qenë ‘women’, ka qenë domethënë shkronja e parë për fjalën gra, edhe prej larg është dukur shumë i bukur me lule, e kur iu ke afru, mandej i ke lexu ato shkrimet që kanë qenë përjetime pa censurë të grave, të cilat janë përdhunu gjatë luftës, edhe kanë qenë shumë dhimbshme. Më kujtohet na kur i kemi shkru patën qarë tërë natën edhe kush vinte dhe e shihte, me një buzëqeshje iu afrojke, mas andej si ia niste me e lexu, ia niste me qajtë edhe qai “NEWBORN” ka kriju emocione të përzime çdoherë dhe e ka pasë efektin më të madh”, u shpreh Ismaili. /atvlive.tv
E hëna, më 19 shkurt është ditë pushimi për nëpunësit e Administratës Publike të Republikës së Kosovës për nder të Ditës së Pavarësisë.
Vendimi për pushim të hënën bazohet Ligjin për Festat Zyrtare.
“Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se për nder të festës së Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për nëpunësit e Administratës Publike të Republikës së Kosovës, ditë pushimi do të jetë: e hënë, 19 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.
Nora Gjakova po tregohet e pandalshme në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Baku të Azerbajgjanit.
Xhudistja kosovare ka mposhtur holandezen Julie Beurskens në gjysmëfinale për të kaluar kështu në finalen e madhe të këtij Grand Slami, raporton KosovaPress.
Gjakova deri në finale arriti pas katër fitoreve radhazi.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R.Biden Jr.
Me këtë rast, presidenti Biden ka konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
Në letër thuhet se SHBA-ja mbështet fuqishëm një Kosovë multientik dhe integrimin e saj në institucionet europiane edhe euroatlantike, por edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja, transmeton Zeri.info.
Në vijim gjeni letrën e plotë të urimit, e dërguar nga presidenti Biden:
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Munih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.
Kurti dhe Vuçiq janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, që nis punimet më 16 shkurt.
“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Munih.
Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiqit në Munih po ndodh në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar rregulloren e BQK-së – e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme – dhe kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se mospërmbushja e kërkesës amerikane, veçse ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kosova përdor euron si valutë të saj që nga viti 2002, pavarësisht se nuk është pjesë e Eurozonës.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullahh Çeku në nderim të ditës së pavarësisë ka ndarë çmim kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi për vitin 2023.
Në ceremoninë e mbajtur sot, çmimi kombëtar për veprën jetësore “Azem Shkreli”, iu nda autorit, Anton Nikë Berisha.
Autori Berisha tha se është i lumtur që ky çmim mban një emër të madh. Ai tha se gjithë punën për këtë libër e ka bërë vet ai dhe se kjo për të është arritja më e madhe.
Ai tha se ministra duhet të jap edhe një çmim për përthyesin që e përkthen librin nga gjuha shqipe më gjuhë të tjera.
Me ketë rast janë ndarë edhe çmimet vjetore për letërsi për vitin 2023. Është ndarë çmimi për veprën më të mirë në prozë, veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj, si dhe për veprën me të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjeter Bogdani”.
Ndërkaq, shkrimtari Azem Deliu ka rekomanduar ministrinë që këto çmime të përfaqësojnë edhe shumë materiale. Ai tha se këto çmime më herët kanë pasur rëndësi materiale, ndërsa sot nuk e kanë më.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Karakushi, është ndarë sot nga jeta.
Kështu ka njoftuar Sindikata e Policisë së Kosovës, duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.
“Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë Afrim Karakushi, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Greqia është bërë shteti i parë me shumicë ortodokse që ka legalizuar martesat e së njëjtës gjini.
Çiftet e të njëjtës gjini tani do të lejohen ligjërisht të birësojnë fëmijë pas votimit në Parlamentin grek.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se ligji i ri do të largojë “një pabarazi serioze” që ishte më parë.
Por, kjo ka ndarë vendin, me rezistencën e ashpër nga Kisha e fuqishme Ortodokse. Mbështetësit e saj kanë mbajtur një protestë në Athinë, raportoi BBC.
Shumë prej tyre shfaqën pankarta, mbajtën kryqe, lexuan lutje dhe kënduan vargje nga Bibla.
Ndërsa, nga ana tjetër ligji është mirëpritur nga organizatat e komuniteteve LGBTQ në Greqi.
“Ky është moment historik”, ka thënë Stella Belia, drejtuese e grupit “Rainbow Families”.
15 nga 27 anëtaret e Bashkimit Evropian tashmë kanë legalizuar martesat e gjinisë së njëjtë. Në botë janë të lejueshme në 35 shtete.