ATV

Author: ATVLive

  • Me reformën në skemën pensionale të propozuar nga Qeveria, jo të gjithë pensionistët do të përfitojnë

    Me reformën në skemën pensionale të propozuar nga Qeveria, jo të gjithë pensionistët do të përfitojnë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Reforma në skemën pensionale që Ministria e Financave është duke e bërë më Bankën Botërore mund të mos i kënaqë disa pensionistë.

    Sipas propozimit të ministrit të Financave pensionistët do të duhej të merrnin pensionin bazë varësisht nga shuma e mjeteve financiare në Fondin e Kursimeve Pensionale.

    Propozimet e ministrit janë kundërshtuar nga njohësit e ekonomisë sipas të cilëve kjo formë vetëm sa do të thellojë pabarazia e do të krijonte privatizim pensional.

    “Ajo që kemi dëgjuar nga Murati nuk dëshmohet më as në Kili prej ku është marr ideja”, tha Artan Mustafa, socio-ekonomist.

    Derisa vlerësohet se paratë e grumbulluara në TRUST janë kursime individuale sipas Zekirja Shabanit nuk do të duhej të merren për bazë.

    Për ministrinë madje ka edhe sugjerime.

    Vlerësohet se janë rreth 149 mijë pensionistë kosovarë të moshës që marrin nga 100 euro në muaj. E reforma pensionale dhe sociale ishte paraparë në programin qeverisës 2021-2025.

  • Kurti flet për Rregulloren e BQK-së nëpër takimet në Munih

    Kurti flet për Rregulloren e BQK-së nëpër takimet në Munih

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, mes tjerash, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime me krerë të shteteve jo-njohëse të Kosovës.

    Në takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili ditë më parë ri-konfirmoi pozicionin e pa-ndryshuar në raport me Kosovën, Kurti foli për procesin e dialogut me Serbinë, rregulloren e BQK-së dhe energjinë.

    “Ai e njoftoi kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MË, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

    Pos dialogut dhe rregullores së BQK-së, siguria në rajon ishte një nga temat në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zeljko Komsic.

    “U bisedua për përfitimet nga bashkëpunimi rajonal si dhe sfidat në këtë drejtim. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve”, thuhet më tej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

    Për sigurinë dhe çështjet aktuale, kryeministri kosovar diskutoi edhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lord Stuar Peach.

    Ndërsa për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe NATO, Kurti foli në takimin me deputeten finlandeze, Tytti Tuppurainen.

  • Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka aprovuar planin e performancës për vitin 2024

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka aprovuar planin e performancës për vitin 2024

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kafet u ftohen meqë anëtarët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere u vonuan e disa prej tyre nuk erdhën fare.

    Kësisoj, me vonesë, nisi raportimi i Kryetares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për planin e performancës për vitin 2024.

    Për kryesuesin e Komisionit, përmbajtja e këtij raporti tregon mungesë respekti për Kuvendin e Republikës.

    Shumë më i ashpër ndaj përfaqësueseve të OSHP-së u tregua deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    Megjithatë, kryetarja e asaj që njihet si “Gjykata e Tenderëve” u arsyetua me mungesë të stafit.

    Sidoqoftë, meqë raporti i prezantuar u tha se është kopje e viteve paraprake, nuk u hodh fare në votim.

    Organit Shqyrtues të Prokurimit iu dha dy javë kohë për ta përmirësuar raportin. Për arsye të njëjtë, Komisioni nuk e aprovoi as planin vjetor të performancës të Komisionit Rregullativ të Prokurimit.

  • Halit Berisha dhe Gjon Musolli shpallen fajtorë në rastin “Subvencione 4”

    Halit Berisha dhe Gjon Musolli shpallen fajtorë në rastin “Subvencione 4”

    Përgatiti: Nora Luta

    Disa ditë pasi e pranuan fajësinë, Gjykata Themelore të premten i shpalli fajtorë Gjon Musollin, dhe Halit Berishën. Fermerët, Prokuroria Speciale i ngarkonte me akuzat “mashtrim me subvencione”, dhe “dhënie ryshfeti”.

    Për caktimin e dënimit, Gjykata do të vendosë gjatë muajit mars. Seanca për caktimin e dënimit pas pranimit të fajësisë apo aktgjykimit dënues, parashihet me Kodin e ri të procedurën penale, respektivisht nenin 356.

    Gjon Musolli, sipas Prokurorisë Speciale, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit afër 26 mijë euro. Ai në shqyrtimin fillestar kishte deklaruar se korruptimi i zyrtarëve ishte mënyra e vetme që të përfitonte subvencione në bujqësi.

    Ndërsa Halit Berisha, sipas PSRK-së i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit më shumë se 14 mijë euro.

    Bashkë me ta, Prokuroria Speciale në aktakuzën që e ngriti në dhjetor të vitit të kaluar i ka përfshirë edhe tetë persona të tjerë, zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe zyrtarë komunalë, por që të gjithë të hënën e mohuan fajësinë rreth akuzave për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi, dhe procesi gjyqësor ndaj tyre pritet të vazhdojë në Departamentin Special.

    Sipas aktakuzës veprat penale janë kryer gjatë periudhës gusht të vitit 2020 deri më 24 shkurt të 2021-s.

  • Deputetët LV-së insistojnë në shkarkimin e Bordit të KPM-së, shkak kthimi i “Arena sport”

    Deputetët LV-së insistojnë në shkarkimin e Bordit të KPM-së, shkak kthimi i “Arena sport”

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Për më shumë se tri orë anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave sërish raportuan para komisionit parlamentar për Administratë Publike dhe Media.

    Që në nisje të debatit, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje përmendën shkarkimin e bordit për shkak të kthimit të disa kanaleve në platforma kabllore.

    “Askund nuk kam parë një afat se kur duhet shfuqizuar ky vendim. Askush nuk pash në dispozitiv të vendimi që ky vendim është pezullim i përkohshëm. Të gjithë vendi e di se më 3 tetor është atakuar siguria nacionale. Vendimi është asisoj i 3 tetorit, çka ndryshoi? Në vendim nuk ka as afat, as pezullim”, tha deputeti i LV-së, Nijazi Isaku.

    Por, kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media, argumentoi duke lexuar rregulloren e cila ua mundëson ndryshimin e vendimit kur ndryshojnë rrethanat.

    “KPM më 6 shkurt ka bërë shfuqizim të vendimit të tij të parë, ka pezulluar vendimin e parë. Tani fjala pezullim është nen nga sanksionet që ligji për KPM i jep të drejtë këtij organi që ta vendosë aty ku e sheh të nevojshme. KPM mund të kërkoj pezullimin e një pjese ose gjithë programit e të licencuarit për një periudhë kohore”, tha kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti.

    Përveç deputetëve të partisë në Qeveri, edhe vet anëtarja e KPM-së e kërkoi hetim të kolegëve të saj për t’u vërtetuar nëse janë ndikuar në vendim.

    “Edhe unë do të doja ta di prej dy kolegëve të mi, të nderuarit kryetar edhe kryeshefit se më kë saktësisht janë takuar edhe çka kanë diskutuar. Për këtë arsye edhe kam kërkuar i nderuar kryetar që kur të bëhen takimet me palë të treta, të jemi edhe ne, dikush prej neve bordit dhe jo të jeni vetëm ju sepse kështu ndodhë pastaj. Unë nuk po them që ju keni bërë ndonjë shkelje, kjo duhet të vërtetohet. Mirëpo nëse ka pasur tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendimet në të cilat na keni përfshirë edhe neve, atëherë ju e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”, deklaroi Luljeta Aliu, anëtare e KPM-së.

    Në fund, anëtarë të komisionit parlamentar kërkuan edhe hetim nga prokuroria.
    Reagimi i Komisionit parlamentar erdhi pas vendimit të KPS-së që të kthejë në transmetim kanalet e Arena Sport të cilët u ndërprenë meqë në këto kanale ishte glorifikuar sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.

    E lidhur me raportimin e së premtes të KPS-së reagoi edhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, duke akuzuar anëtarët e Komisionit për sulm brutal ndaj pavarësisë së KPM-së.

  • Banorët e fshatrave të banuara me shqiptarë matanë lumit Ibër, kërkojnë të trajtohen njëjtë si serbë

    Banorët e fshatrave të banuara me shqiptarë matanë lumit Ibër, kërkojnë të trajtohen njëjtë si serbë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Banorët e fshatrave të banuara me shqiptar, matanë lumit Ibër kërkojnë trajtim të barabartë me qytetarët e komunitetit serb në veri mbi çështjen e energjisë eklektike.

    Ata thonë se nuk janë kundër pagesës por duan të sigurohen që rryma do të paguhet edhe nga serbët, meqë jetojnë afër. Qëndrim të njëjtë kanë banorët e të tri fshatrave Vinarc, Gushac e Suhodoll.

    Të njëjtin kushtëzim e kanë edhe banorët shqiptarë të lagjeve tjera në Mitrovicë të Veriut, megjithëse janë pro pagesë së energjisë së shpenzuar.

    Por druajnë se çfarë do të ndodh me borxhin e akumuluar deri tash.

    Përgjigje për këtë nuk dhanë as nga Kesco ndonëse energjia u faturohet nga ta.
    Sidoqoftë edhe për këtë, banorët shqiptarw kanë të njëjtën kërkesë.

    Vinarci, Gushaci e Suhodolli, janë fshatra që gjeografikisht shtrihen në veri por që i përkasin komunës së Mitrovicës së Jugut.

  • Kryetari Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T.Z Nicholas Abbott

    Kryetari Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T.Z Nicholas Abbott

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit” Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Sh.T.Z Nicholas Abbott, për për devotshmërinë dhe përkushtimin e treguar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e palodhshme të zhvillimeve pozitive në Prishtinë e Kosovë.

    “Në emër të qytetarëve të Prishtinës, ju uroj shëndet, sukses dhe mirëqenie në angazhimet e juaja në të ardhmen. Faleminderit, Ambasador Abbott, për shërbimin tuaj të shkëlqyeshëm dhe për ndikimin pozitiv që keni lënë në vendin tonë!” – deklaroi Kryetari Rama.

    Ndërsa, Ambasadori Abbott u shpreh falënderues për njohjen e kontributit të tij në forcimin e mardhënieve mes dy vendeve.

    Abbott premtoi se do të vijë për një makiato!

  • Yulia Navalnaya: Putini s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e burrit tim

    Yulia Navalnaya: Putini s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e burrit tim

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e Alexei Navalnyt, tha të premten Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të zëshëm të Kremlinit.

    Yulia Navalnaya i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

    “Nuk e di nëse duhet t’i besojmë lajmit të tmerrshëm. Ne nuk mund t’i besojmë Putinit dhe Qeverisë së tij. Por, nëse kjo është e vërtetë, do të doja që Putini dhe i gjithë stafi i tij, i gjithë rreth i tij, Qeveria e tij dhe miqtë e tij, ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim”, tha Yulia Navalnaya për raportimet për vdekjen e bashkëshortit të saj në burgun rus.

    Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.

    “Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

    Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

    Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

    Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Tëitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

    “Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t’iu njoftojmë”, shkroi ajo.

    Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

    Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

    Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

    Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

  • Albin Kurti uron 16-vjetorin e Pavarësisë me një video emocionuese

    Albin Kurti uron 16-vjetorin e Pavarësisë me një video emocionuese

    Nesër, Kosova feston 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Lidhur me këtë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka uruar të gjithë qytetarët e vendit me një video emocionuese.

    Në këtë video janë figurat kryesore të Kosovës, Adem Jashari, Dua Lipa e Rita Ora.

    Po ashtu në videon e publikuar nga Kurti shihen edhe yjet e futbollit, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e lojtarët e Kombëtares së Kosovës.

  • ​“Kalbje në zemër të sistemit të Putinit”, liderët botërorë reagojnë pas vdekjes së Navalnyt

    ​“Kalbje në zemër të sistemit të Putinit”, liderët botërorë reagojnë pas vdekjes së Navalnyt

    Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, ka vdekur në burg, ka thënë shërbimi i burgjeve të vendit, në atë që ka të ngjarë të shihet si një vrasje politike që i atribuohet Vladimir Putinit.

    Lidhur me këtë kanë reaguar shumë emra të rëndësishëm evropianë dhe botërorë, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se nëse vdekja e Navalny konfirmohet, kjo “vetëm thekson dobësinë dhe kalbjen në zemër të sistemit që Putini ka ndërtuar”.

    “Para së gjithash, nëse këto raporte janë të sakta, zemrat tona janë me familjen dhe gruan e tij”, tha ai në konferencën e sigurisë në Mynih, duke shtuar se “Rusia është përgjegjëse” nëse konfirmohet vdekja.

    I pyetur për vdekjen e Navalny-t këtë mëngjes në NPR, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan thotë se SHBA-të po përpiqen të konfirmojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur.

    “Është një tragjedi e tmerrshme, dhe duke pasur parasysh historinë e gjatë dhe të ndyrë të qeverisë ruse për të dëmtuar kundërshtarët e saj, ajo ngre pyetje reale dhe të dukshme për atë që ndodhi këtu”, i tha ai transmetuesit amerikan.

    “Por unë do të ndaloj komentet e mëtejshme për të derisa të mësojmë më shumë dhe ne jemi duke kërkuar në mënyrë aktive konfirmimin, pasi e di që është edhe familja e z. Navalny. Dhe ne do të përcaktojmë prej andej se çfarë – çfarë do të vijë më pas.”

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në konferencën e sigurisë në Mynih, i tha BBC-së: “Ne presim që familja ta konfirmojë atë përpara se të japim deklaratën tonë”.

    Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, thotë se është “i pikëlluar dhe i shqetësuar nga raportet që vijnë nga Rusia”.

    Vdekja e Alexei Navalny është “lajm i tmerrshëm” thotë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, i cili thotë se ai “demonstroi guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij”.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se aktivisti “e pagoi guximin e tij me jetë”.

    Ndërsa Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, i ka bërë thirrje botës që të “nderojë kujtimin” e një njeriu “të burgosur dhe të torturuar deri në vdekje për shkak të qëndrimit kundër Putinit”.

    Dhe Krisjanis Karins – ish-kryeministër letonez dhe ministër i jashtëm aktual – thotë se është “thellësisht i shqetësuar” nga lajmet dhe thotë se “vdekja e tij është plotësisht në ndërgjegjen e regjimit kriminal të Putinit”.