ATV

Author: ATVLive

  • Theret me thikë një burrë në Lipjan

    Theret me thikë një burrë në Lipjan

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një vrasje në tentativë në Lipjan.

    Një burrë është therur me thikë nga një person, i cili më pas u arrestua nga policia. Viktima aktualisht është në QKUK dhe jashtë rrezikut për jetë, sipas mjekut.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar ishte dërguar në emergjencën e Lipjanit për shkak se dyshohet se ishte therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima pas marrjes së ndihmës së parë në Lipjan për tretman mjekësor është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut viktima ka marrë lëndime trupore, por është jashtë rrezikut për jetë”.

    Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Patriot Behrami shpallet fitues i trofeut “PAVARËSIA” për vitin 2024

    Patriot Behrami shpallet fitues i trofeut “PAVARËSIA” për vitin 2024

    Federata e boksit e Kosovës per të 16 here organizoi turneun nderkombetar tradicional “Pavarësia ”.

    Ne këtë turne muarrën pjese shtetet e rajonit Bullgaria, Maqedonia, Shqiperia, dhe Kosova.

    Duelet ishin mjaf të mira u tregua boks cilsor dhe luftarak.

    Juria zgjodhi më të miret e turneut:

    1.Boksieri më i mirë – Patriot Behrami

    2.Tekniku më i mirë- Alen Rrustemovski

    3.Qifti luftarak – Shpejtim Shabani- Arnis Dautaj

    4.Boksieri më perrspektiv– Taulant Jakupi

    5.Boksieri më ferplay – Martin Stefanov

    Gjyqtarë:

    Agim Shala

    Agim Tahiraj

    Fadil Bekteshi

    Granit Qorri

    Filip Nue

    Visar Rexhepi m.kohe

    Sylejman Voca – Delegat

    Artan Lushaj – mjeku kujdestar

  • Hoxhaj në Mynih, takon dhjetëra liderë, ministra e zyrtarë të shteteve evropiane

    Hoxhaj në Mynih, takon dhjetëra liderë, ministra e zyrtarë të shteteve evropiane

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për Siguri në Mynih, ka zhvilluar dhjetëra takime ditore me krerë të shteteve, ministra e ekspertë të politikave të sigurisë.

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, që nga dita e parë e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka njoftuar përmes rrjetit social për takimet që ka zhvilluar atje. Në Mynih po qëndrojnë edhe kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme Gërvalla.

    Takimin e parë, Hoxhaj e pati me diplomatin dhe ish-kryeministrin e Suedisë, Carl Bildt, e më pas vazhdoi me Toomas Hendrik Ilves, ish-presidentin estonez, të cilin e falenderoi për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë ai dhe shteti estonez Kosovës në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

    Pjesë e kësaj Konference, ishte edhe zv.presidentja e ShBA-së, Kamala Harris, për të cilën Hoxhaj shpërndau edhe një diskutim

    të saj që e pati bashkë me kryetarin e Konferencës, Christoph Heusgen, rreth rolit të ShBA-së në botë.

    Por, një takim i rëndësisë më të madhe që zhvilloi Hoxhaj, ishte takimi me ish-sekretarin e shtetit amerikan, John Kerryn, me të cilin biseduan për Kosovën dhe rajonin.

    Më pas, Enver Hoxhaj, takoi ish-ministren e jashtme të shtetit të Izraelit dhe ish-lideren e opozitës izraelite, Tzipi Livni dhe e përmbylli ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë me takim Viola von Cramon, raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian.

    Dita e dytë për Enver Hoxhajn, dita e Pavarësisë së Kosovës e gjeti në Mynih, dhe e filloi atë me takim me Johannes Hahn, Komisionerin Evropian për Buxhet dhe Administrim, me të cilin folën për situatën aktuale në Ballkan dhe aplikimin e Kosovës për statusin e kandidatit të BE-së.

    Gjithashtu, Hoxhaj takoi edhe Arnaud Danjean, nënkryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, siç e quajti atë “një zë i fuqishëm për Kosovën në Francë dhe në Parlamentin Evropian!”. Vazhdoi tutje, duke zhvilluar takim edhe me Florian Hahn, përfaqësues i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikë të mbrojtjes.

    Ndër takimet e pasditës së djeshme ishte edhe takimi në mes të deputetit Enver Hoxhaj dje ministrit të jashtëm të Austrisë, Aleksander Schallenberg dhe menjëherë pas tij, Hoxhaj takoi edhe, siç e quajti “Takim me intelektualin tim më të preferuar”, Timothy Garton Ash, historianin britanik dhe profesor në Universitetin e Oxfordit.

    Për ta përmbyllur ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencë, Hoxhaj takoi atje edhe kryeministrin shaiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin dhe Ambasadorin e Maqedonisë Veriore në Berlin, Ylber Sela.

  • Parashkrimi i lëndëve në sferën penale, sfidë në sistemin e drejtësisë – Veçohen eksponentët politik

    Parashkrimi i lëndëve në sferën penale, sfidë në sistemin e drejtësisë – Veçohen eksponentët politik

    Parashkrimi i lëndëve penale e po ashtu edhe vonesat e shumta tek çështjet civile, vazhdon të jetë një ndër sfidat më të madha që po ballafaqohet sistemi i drejtësisë në vend, raporton EO.

    Në këtë kuptim, drejtësia nuk po tregohet efektive për qytetarët, pasi nëse lëndët e tyre parashkruhen, vjetrohen apo edhe ka vonesa të mëdha deri tek verdikti final, atëherë ajo nuk mund të jetë një drejtësi e plotë.

    Por, si të dilet nga kjo situatë dhe a ka elemente të qëllimshme në raste të caktuara të kësaj, flasin njohësit e këtyre rrethanave.

    Sipas tyre, kjo dukuri po ndodh më shpesh tek rastet e politikanëve, ndërsa ka raste kur një lëndë vonohet nga 10 deri në 15 vite.

    Avokati Yll Zekaj në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se parashkrimi i lëndëve është kryesisht në sferën penale ku qindra lëndë ende nuk kanë marrë epilogun e tyre.

    “Parashkrimi si nocion është afati kohorë, brenda pa nënkalimin e së cilit afat nuk mund të ndiqet një vepër penale, apo nuk mund të ekzekutohet një dënim edhe nëse është marrë ai nga ana e gjyqësorit. Si dukuri, parashkrimet nga periudha e luftës, është një sfidë kryesore që ndodh në sistemin e drejtësisë, kryesisht në sferën penale, ku ka shumë lëndë që nuk kanë arritur ta marrin epilogun e vet, për shkak se ka kaluar afati kohor brenda së cilës është dashur të trajtohet e njëjta. Nëse e shohim sistemin sot në sistemin gjyqësor, shohim lëndë që janë duke trajtuar ndoshta me 10 apo 15 vite e të njëjtat nuk kanë marrë ende epilogun, të njëjtit të dyshuar apo të akuzuar nuk kanë marrë dënimin e merituar dhe të dëmtuarit, nuk kanë marrë satisfakcionin nga ky gjykim për të qenë të kënaqur me një vendim gjyqësor që do ta merrte në fund gjykata”, tha Zekaj.

    Ai tha se rastet e personave që kanë pozita të larta publike, ndodh më shpesh të parashkruhen lëndët e për të cilët thotë se kanë dhënë një hije të rendë sistemit të drejtësisë e duke ulur edhe besimin e qytetarëve ndaj këtij sistemi.

    “Kjo për me tepër është një dukuri me raste të politikanëve për më tepër tek rastet e personave që kanë pozita të larta publike, ku faktikisht ka dhënë edhe një hije të rendë sistemit duke ulur besimin e qytetarëve ndaj këtij sistemi. Janë elemente të shumta që kanë ndikuar qoftë te zvarritja e procedurës, qoftë kthimi i rasteve në rigjykim e të cilat nuk kanë arritur ta bëjnë një vendim të plotfuqishëm me vite të tëra. jo pastaj reflekton edhe në mos besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe në raste të caktuara dhe i lënë indikacionet, se kinse gjyqësori nuk po guxon të merret me figura të larta publike dhe nuk po guxon të merret me politikan të fuqishëm, sidomos me ata të cilët kanë qenë në pushtet gjatë kohës kur janë iniciuar procedura”, u shpreh Zekaj.

    “Nëse e shohim sot në sistemin gjyqësor, shohim gjithmonë e më shumë që ka të akuzuar dhe persona të cilën ndaj të cilëve kemi procedura penale, e që janë ish funksionar publik, e shumë rrallë kemi të dyshuar apo të akuzuar persona të cilët janë më në pushtet, apo kanë qenë në pushtet në kohën kur janë filluar procedurat”, deklaroi Zekaj.

    Mendim të njëjtë ndan edhe avokati tjetër, Ardian Bajraktari, veçse sheh pabarazi tek qytetarët. Thotë se parashkrimi i lëndëve kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë.

    “Parashkrimi i lëndëve apo humbja e së drejtës se shtetit për të ndërmarrë ndjekje përkatësisht për t’i vendosur para përgjegjësisë kryerësit e veprave penale, natyrisht që është një veprim që duhet të punohet jashtëzakonisht shumë, me qëllim të adresimit sepse kjo është sfide e aq më tepër kur kemi të bëjmë me raste kur parashkrimi ka të bëjë me eksponent politik. Natyrisht që kjo e minon masë të konsiderueshme besimin e publikut në drejtësi për faktin se këtu vihet në shprehje edhe trajtimi mbase i pabarabartë i qytetarëve para ligjit dhe drejtësisë. Andaj e vlerësoj që duhet të punohet shumë në drejtim të adresimit të kësaj sfide”, thotë Bajraktari, teksa ka kërkuar të adresohen këto vonesa nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokuroria.

    “Si kundër që Këshillat përkatëse, Këshilli Gjyqësor apo edhe Këshilli Prokurorial duhet të punojnë në drejtim të adresimit, të çfarëdo neglizhence e cila është hasur gjatë punës së tyre me qëllim që të njëjtit t’i vënë para përgjithësisë në raste se ka ardhur si rezultat i mos ndërmarrjes së veprimeve për cilat natyrisht që janë përgjegjës dhe paguhen me taksa të qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh ai.

  • Durrësi porti kryesor i Kosovës

    Durrësi porti kryesor i Kosovës

    Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Autoriteti Portual i Durrësit njoftoi se po punohet për të çuar përpara projektin strategjik për ndërtimin e Portit të thatë në Prishtinë.

    “Porti i Durrësit është porti kryesor i Kosovës, por ky përvjetor na gjen edhe më të përbashkuar, me angazhimin për të çuar përpara projektin strategjik për ndërtimin e Portit të thatë në Prishtinë, i cili konsolidon potencialin e përbashkët ekonomik duke na kthyer në katalizatorë të ndërlidhjes në Europën adriatike”, thuhet në deklaratën e Autoritetit Portual.

    Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

    Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50 % mallrat dhe kontejnerët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun e Kosovës.

    Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

    Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

    Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë. /ATSH/

  • ​Jamie Shea, zëri i NATO-s dhe shpresa e kosovarëve

    ​Jamie Shea, zëri i NATO-s dhe shpresa e kosovarëve

    “Në 48 orët e fundit, siç e keni parë, Beogradi ka vazhduar të shfaq një politikë të pamëshirshme ndaj mijëra kosovarëve. Ne nuk kemi asgjë kundër mediave. Por RTS nuk është medium. Është plot me punëtor të qeverisë të cilët janë të paguar që të prodhojnë propaganda dhe të gënjeshtra”

    Një çerek shekulli ka shkuar nga lufta dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Megjithatë, diçka ka mbetur e njëjtë. Kosovarët, përkundër kalimit të viteve, vazhdojnë ta mbajnë mend mirë këtë fytyrë.

    Jamie Shea ishte zëri dhe fytyra e shpresës për kosovarët në vitin 1999. Prandaj, në vizitën e parë në Prishtinë, u prit si një hero.

    “Ky ka qenë një moment fantastik. … Vetëm një herë në jetë. Për mua, ajo mirëpritje ka qenë një privilegj fantastik. Ka qenë paksa befasuese, sepse, këtë gjë e kam thënë shpesh, unë nuk e kam ditur që njerëzit kishin mundësi që t’i dëgjonin konferencat për media. Unë nuk e kam ditur këtë. Përshtypja ime ka qenë që serbët do ta gjejnë një mënyrë që ta bllokojnë gjithë këtë, ta ndalojnë transmetimin që të hyjë në Kosovë, që kosovarët nuk do të kenë radio apo televizior. Dhe, sinqerisht kam menduar që po flisja më shumë tek një audiencë ndërkombëtare. Kështu që të shkoja në Kosovë dhe ta kuptoja për herë të parë që njerëzit kanë pasur qasje në konferencat për media dhe ka qenë pak ndihmë në mbajtjen e moralit, mbajtjen e konfidencës dhe guximit në një kohë shumë të vështirë, ka qenë paksa befasuese”, ka rrëfyer Jamie Shea – ish-zëdhënës i NATO-s.

    Intervenimi i NATO-s në Kosovë, është periudha më sfiduese që Jamie Shea e ka kaluar në organizatën veri-atlantike.

    Duke reflektuar mbi plagët e Bosnjës, NATO kishte një vendosmëri të palëkundur për të shmangur një përgjakej të njëjtë në tokën e Kosovës.

    “Unë e kam ndjerë që NATO duhet t’i mbaj fjalët. Unë e kam jetuar Sylejman edhe konfliktin e Bosnjës, fqinjit tuaj verior të Jugosllavisë së vjetër, nga viti 1992 deri më 1995 dhe ato ishin ditë shumë të vështira. Sepse ne kemi bërë shumë premtime për aksione ushtarake, të cilat nuk i mbajtëm. Ne akuzoheshim nga shumë gazetarë se ishim një “Tigër prej letre”. Ne e kemi pasur politikë që t’i japim OKB-së të drejtën e vetos për sulmet ajrore, kështu që kishim të themi dy lloje të ndryshme të gishtërinjëve në të njëjtën anë, që ka qenë kontradiktore. Dhe ne ishim duke vendosur avionë ajër, të cilët po bënin shumë zhurmë, por nuk po intervenonim në fushëbetejë. Dhe e gjithë kjo rezultoi në tragjedinë monumentale të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, ku forcat serbe masakruan 8313 djem, sikur në Reçak, djem dhe burra. Gjykimi im, për kredibilitetin e NATO-s ne nuk deshëm që të ripërsëritet ajo performancë e tmerrshme. Dhe këtë herë, kredibiliteti ka qenë kryesori. Ne negociuam në një besim të mirë, komuniteti ndërkombëtar, Rambujeja. Ne ju kemi dhënë serbëve shumë dalje nga situata, ajo që amerikanët e quanin “Off-ramps” (rrugë një drejtimëshe), që të dalin nga kriza, rrugë që ata mund ta kishin ndjekur për ta shmangur një konfrontim me NATO-n. Por, veçanërisht pas Reçakut, me cenimin e të drejtave të njeriut në teren, me refugjatët, me shkeljet e të drejtave të njeriut, aksionet e serbëve, veçanërisht të policëve. Askush nuk dëshironte të përdorte forcën, por unë isha i përcaktuar që nëse NATO ka thënë qartësisht se ishte një vijë e kuqe, nëse ajo vijë e kuqe kalohet, atëherë ne duhet të ishim të qartë në vendimet tona”, ka shtuara tutje Jamie Shea.

    Në kokën e Sheas, marrëveshja e Rambujesë qëndron si përpjekja historike në ndërmjetësimin e paqes në Kosovë.

    Konferencat nga zyret qendrore të NATO-s në Bruksel, nuk kanë qenë të lehta.

    Sidomos, në kohën kur në Kosovë po ndodhnin shumë zhvillime.

    “Nuk ka qenë e lehtë. Clausewitz, strategu gjerman i Prusisë, e ka thënë frazën “Mjegulla e luftës”, çdokush e din këtë frazë dhe është e vërtetë. Ju nuk e keni një situatë të qartë se çfarë po ndodhë në teren, intelegjenca nuk është 100% dhe kështu ju jeni i shqetësuar veçanërisht kur flisni për mediat, frikësoheni nëse do të bëni ndonjë gabim, t’i thoni faktet gabim. Kredibiliteti i NATO-s ka qenë gjithashtu që të jemi të siqertë, t’i kemi faktet në rregull. Pra, kur ju nuk jeni duke i monitoruar drejtpërdrejt gjërat për të cilat jeni duke folur, nuk është e lehtë. Nëse ju do ta komentoni një ndeshje futbolli, të cilën ju nuk e keni parë, nuk jeni në stadium, ju jeni duke i marrë informacionet nga shokët që kanë qenë në ndeshje, ju nuk jeni në një pozitë të rehatshme për të qenë një komentator futbolli. Është shumë më mirë të jesh brenda në stadium, duke e monitoruar atë që po ndodhë në fushë”, ka deklaruar Jamie Shea – Ish-zëdhënës i NATO-s.

    25 vjet pas luftës së që la pas shumë viktima, Shea është krenar me të arriturat e Kosovës.

    “Qartazi, ju keni qenë duke jetuar në një fqinjësi të vështirë, që nuk i ka bërë gjërat edhe aq të lehta për ju. Tani Beogradi thotë që dinari është një valutë zyrtare e Kosovës, si dhe duke mbajtur qasje të tillë që Kosova na takon neve, përkundër që ne nuk e kontrollojmë atë, kjo nuk është shumë e lehtë. Duke i pasur parasysh këto gjëra, ku ju keni nisur nga asgjë, sepse e dini që serbët morrën gjithë dokumentet, ata kanë dëmtuar shumë resurse ekonomike para se të largoheshin. Ata e kanë lënë Kosovën me shumë pak, më tepër si refugjatë që mbërrijnë me pak para dhe vetëm me rrobat që mbajnë në shpinë. Në këto rrethana, mendoj që Kosova ka bërë jashtëzakonisht mirë. Kur unë kthehem në Prishtinë, çfarë vërej? Më shumë hotele të mira, më shumë vetura në rrugë, restorante shumë të mira, më shumë universitete, e të tjera, e të tjera. Sigurisht, ka probleme, mirëpo secili shtet ka probleme, demokracia nuk është asnjëherë perfekte. Por shoh progres”, ka vlerësuar Jamie Shea.

    Që nga shpallja e Pavarësisë, e themelimi i Forcës së Sigurisë, Kosova e ka një synim, anëtarësimin në NATO. Derisa kjo të ndodhë, Shea thotë se duhet edhe pak kohë.

    Jaime Shea, tani është në pension por vëmendjen nga Kosova e kosovarët të cilët i janë mirënjohës për punën e bërë, nuk e largon asnjëherë./Tv Dukagjini/

  • Shahini: Ngecje përgjatë mandatit trevjeçar të Qeverisë, s’ka fuqizim të prodhuesve vendës

    Shahini: Ngecje përgjatë mandatit trevjeçar të Qeverisë, s’ka fuqizim të prodhuesve vendës

    Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), konsideron se ka pasur ngecje përgjatë mandatit trevjeçar të Qeverisë Kurti. Ai për Ekonomia Online, ka përmendur sfidat me të cilat është përballur ekonomia kosovare.

    Shahini ka përmendur edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian si dëmtim tjetër i ekonomisë. Thotë se Kosova rrezikon edhe sanksione tjera nga partnerët ndërkombëtar.

    Shahini ka përmendur ngecjet në tri fushat kryesore; zhvillim ekonomik, integrim dhe diplomaci.

    “Tri vjet pas qeverisjes ‘Kurti 2’, Kosova ka ngecur në zhvillim ekonomik po ashtu në integrim dhe Kosova për herë të parë jeton me një atmosferë sanksionuese të cilët këto sanksione kanë ardh nga BE, dhe pritet që sanksionet tjera të vinë prapë nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Shahini.

    “… prandaj ne vlerësojmë që Qeveria Kurti nuk ka arritur t’i përmbush premtimet e veta në tri fusha; në zhvillim ekonomik, integrim dhe ne nuk kemi asnjë njohje që tre vjet e këndej, prandaj Qeveria Kurti do duhej të këndellet mirë që vendi dhe qeverisjen ta dërgojë drejt zhvillimit, drejt integrimit duke bashkëpunuar ngushtë me faktorët ndërkombëtarë në të mirë të qytetarit, në të mirë të ekonomisë dhe në të mirë të gjithë partnerëve më të cilën tashmë jemi në fazën e festimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Shahini.

    Ai sqaroi se inflacioni është i importuar, për shkak se Kosova varet nga importimi i produkteve nga vendet evropiane. Ai përmend edhe faktorët e brendshëm, siç është mungesa e fuqizimit të prodhuesve vendës.

    “Inflacioni nuk varet gjithmonë prej Kosovës, janë edhe faktorët e tjerë të cilët kanë qenë në turbulenca të mëdha në ekonominë globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, rritjen e çmimeve, mungesën e prodhimeve dhe rritjen e vazhdueshëm të importit. Qeveria nuk ka arritur që sa në këtë periudhë të fuqizojë prodhimin vendor, ta fuqizojë numrin e rritjes të punësuarve dhe të eksporteve. Pavarësisht eksportit që shënojmë çdo herë rritje, prapëseprapë mbetën të vogla në krahasim me importet”, u shpreh Shahini.

  • Burri nga Prishtina raporton se i vendosën mjet të dyshimtë në veturën e parkuar, policia e tërheq pa incidente

    Burri nga Prishtina raporton se i vendosën mjet të dyshimtë në veturën e parkuar, policia e tërheq pa incidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në orën 19:40 një burrë ka raportuar se i është vendosur një mjet i dyshimtë në veturën e tij të parkuar nga persona të panjohur.

    Policia tha se në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente dhe kanë bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

    Rasti është cilësuar nga policia si “vrasje e rëndë në tentativë”.

    “Viktima mashkull kosovar ka raportuar se person/a të panjohur dyshohet se i kanë montuar diçka të dyshimtë në veturën e tij të parkuar. Njësitë relevante policore, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe prokurori kujdestar për krime të rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku njësiti i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshimtë nga vetura, në mënyrë të sigurt dhe pa incidente. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Në Institutin për Krime të Luftës dorëzohen dokumentet e para

    Në Institutin për Krime të Luftës dorëzohen dokumentet e para

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Janë dokumente të cilat pasqyrojnë krimet që Serbia i kreu në Kosovë në fund të viteve të 90-ta. Pikërisht në 16 vjetorin e pavarësisë, ato u dorëzuan në Institutin e rifunksionalizuar për Krime Lufte.

    Kryeministri Albin Kurti tha se nga sot secili mund të dorëzojë materiale të mbledhura mbi krimet gjatë luftës, e që Instituti do t’i arkivojë.

    “Qëllimin e kemi të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh”, tha Kurti.

    Dokumentet të cilat njëherësh janë të parat që dorëzohen në Institutit, për drejtorin Atdhe Hetemi, tregojnë faktin se paqja dhe drejtësia janë vlerat që mbron Kosova.

    “Ceremonia e sotme e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në bazë të së vërtetës, drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme”, tha Hetemi.

    Megjithatë, shumë dëshmi e fakte të krimeve të kryera nga shteti serb u tha se kanë humbur.

    “Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke u bartur nga njëri vend në tjetrin vend, duke i ndërruar zyrat, në pamundësi për t’i ruajtur. Por tash zyra jonë do të ofron tërë materialin që e ka për Institutin e Krimeve të Luftës, Gjykatës Speciale dhe gjithëve me rend. Edhe kolegët e mi, të gjithë të cilët kanë mbledhur materiale apeloj që të gjitha organizatat, të gjithë individët, të gjithë qytetarët që kanë fotografi, incizime, e materiale t’i deponojnë në këtë institut, sepse më mirë nuk ruhet dhe punohet askund”, tha kryetari i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve, Ahmet Grajqevci.

    Teksa kryeministri Albin Kurti, përmendi padinë për gjenocid, në luftën në Kosovë mbi 10.000 civilë besohet se janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Seanca solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

    Seanca solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi veprimtarët që u angazhuan për pavarësinë e Kosovës. Gjatë seancës solemne të Kuvendit komunal, Rama kërkoi unitet siç tha ai për të ndërtuar një Kosovë me të ardhme evropiane.

    “Sot nuk po shënojmë vetëm një përvjetor, por po e festojmë edhe një ngadhënjim të madh. Le t’i kujtojmë sot heronjtë e mëdhenj, të cilët me dekada të tëra, me gjithë shtypjen, represionin, burgosjet, keqtrajtimet dhe vrasjet, guxuan me ëndërruar. Le t’i kujtojmë studentët që marshuan në protestat e vitit 1968, ata të vitit 1981 dhe 1997. Udhëheqësit tanë kulturor dhe politik në krye me presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova që e ngritën gjithmonë zërin kundër padrejtësive. Veprimtarët e lëvizjes ilegale që kurrë nuk e lanë shpresën me u fikë. Patjetër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të frymëzuar nga komandanti legjendar Adem Jashari. Le të kujtojmë secilin dhe secilën që guxoi me besua”, tha Rama.

    Në anën tjetër, kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Pëllumb Bajçinovci, tha se 17 shkurti është një datë historike që u bë themel lirie, paqe dhe dashurie.

    “Bashkoi zemrat e secilit në një të vetme, atë të popullit shqiptar…E veçanta e luftës tonë për liri nuk është vetëm arritja e objektivit të saj, por edhe mënyra si u lufta. Nën udhëheqjen e njerëzve vizionarë dhe të jashtëzakonshëm lëvizja jonë kombëtare u animua nga një grup i liderëve unik të cilët ringjallën shpirtin e Kosovës”, theksoi ai.

    Krahas kësaj seance solemne, Komuna e Prishtinës në kuadër të aktiviteteve kulturore për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë, edhe këtë vit mbajti një koncert nga ora 18:00 në bulevardin “Xhorxh Bush”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: