ATV

Author: ATVLive

  • Von der Leyen në kërkim të mandatit të dytë në krye të Komisionit Evropian

    Von der Leyen në kërkim të mandatit të dytë në krye të Komisionit Evropian

    Ursula von der Leyen do të njoftojë se planifikon të kërkojë një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian në një takim të partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) në Berlin të hënën.

    Shefja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel, Von der Leyen, 65 vjeç, i ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë.

    Por shpallja e kandidaturës së saj për pesë vjet të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë, me disa spekulime që kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një kandidate për këtë detyrë në verë, kur do të bëhet zgjedhja përfundimtare.

    Pasi të zgjidhet nga CDU, ajo duhet të marrë mbështetjen e dy partive të tjera brenda Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, i cili përfshin gjithashtu partitë në pushtet në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi.

    Më pas, ajo duhet të fitojë një votë në Kongresin e EPP-së në mars, që do të mbahet në Bukuresht, përpara se të përballet me pengesën përfundimtare në qershor, kur fillon tregtia e vërtetë e kuajve mbi postet kryesore në Bruksel, shkruan The Guardian.

    Sipas procesit “Spitzenkandidaten” (zgjedhja e kandidatit kryesor), zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuara për 6-9 qershor.

    Por ajo që do të ndodhë në qershor do të përcaktohet nga përqindja e votave që PPE komandon pas zgjedhjeve. Në vitin 2019, EPP fitoi shumicën e vendeve dhe mund të priste që kandidati i tyre, Manfred Weber, të emërohej në detyrë. Por ai nuk ishte në gjendje të krijonte mbështetje ndërpartiake me socialistët, të cilët dolën në vendin e dytë, duke paraqitur një tjetër kandidat të profilit të lartë, Frans Timmermans.

    Ndarja krijoi hapësirë për Von der Leyen, që ishte një kandidate surprizë nga qeveria gjermane. “Mos harroni, askush nuk kishte dëgjuar për të në vitin 2019 dhe ajo nga ministrja e mbrojtjes në Gjermani u kthye në njeriun që kishte në punën më të fuqishme në Bruksel brenda disa javësh”, tha një diplomate, duke kujtuar se ajo as nuk bëri fushatë për këtë detyrë.

    Roli i kryediplomatit, që tani e mban pozitën Josep Borrell, është për t’u rrëmbyer, si dhe i kreut të Këshillit Evropian, i cili lehtëson marrëdhëniet midis kryeministrave dhe negocion pozicionet, shpesh në situata të ndërlikuara si mosmarrëveshja e fundit me Hungarinë për financimin e Ukrainë.

    Pas zgjedhjeve në qershor, këto pozicione ka të ngjarë të ndahen midis dy grupimeve të tjera të mëdha politike, aktualisht socialistët dhe demokratët (S&D) dhe grupi liberal i deputetëve Renew.

  • Arrestohet një shtetas i Shqipërisë, kërcënoi me vrasje një person në Prishtinë

    Arrestohet një shtetas i Shqipërisë, kërcënoi me vrasje një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës njofton se dje ka arrestuar një shtetas nga Shqipëria në Prishtinë, pasi që i njëjti kishte kërcënuar me vrasje një person.

    Sipas raportit të policisë, rasti ka ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    “Lagjja Arbëri, Prishtinë 30.09.2023 – 19:38. Më 18.02.2024 është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë për arsye se i njëjti përmes telefonit kishte kanosur me vrasje viktimën mashkull kosovar. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker, shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Rucker në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe se të ardhmen e saj e sheh në BE.

    Ndërkaq, sa i përket asaj nëse duhet të hequr sanksionet ndaj Kosovës, Rucker thotë se kërkesat e BE-së janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla mund të përmbushen nga qeveria aktuale, në mënyrë që procesi të shkojë përpara.

    Përveç këtyre, Rucker për KosovaPress flet edhe për vendimin lidhur me dinarin, për çka vlerëson se u prezantua paksa me nxitim. Ai shton se duhet dhënë më shumë kohë serbëve të Kosovës për t’u përshtatur me një vendim të tillë.

    “Epo, mendoj se këtu ishin disa kërkesa në lidhje me atë që ju i quani sanksione, dhe mendoj se ato kërkesa ishin të rëndësishme dhe ato mund të përmbushen nga qeveria, jam absolutisht i sigurt dhe ne mund të ecim përpara. Natyrisht, Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe të ardhmen e saj e shoh në BE. Pra, kjo nuk është një pengesë e madhe”, theksoi Rucker.

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker shprehet i bindur se do të ketë rezultate në një afat të mesëm sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai potencon se OKB-ja është vend i rëndësishëm për të zgjidhur çështje të tilla.

    “OKB-ja është një vend i rëndësishëm për të zgjidhur çfarëdo që duhet zgjidhur, por mendoj se ajo që është shumë e rëndësishme është sigurisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jam ende i bindur se do të shohim rezultate në afat të mesëm”, tha Rucker.

    Ndërkaq, lidhur me vendimin e qeverisë aktuale për moslejimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, Rucker konsideron se u prezantua me nxitim, për çka thotë se politikisht duhet dhënë më shumë kohë atyre që i përdorin për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë.

    “Epo, mendoj se u prezantua paksa me nxitim, nuk dyshoj se mund të jetë e ligjshme, por mendoj se politikisht ju duhet t’u jepni njerëzve më shumë kohë për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë”, tha Rucker.

    Para rreth një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se nuk është ndaluar dinari në Kosovë, por euroja është e vetmja valutë pagese në Kosovë.

    Kurti theksoi se ka bashkëpunim shumë të mirë me serbët e Kosovës dhe se nuk ka asnjë problem me ta. Ai shtoi se BQK-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me Bankën Qendrore të Serbisë.

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

  • Gërvalla takon homologun turk, prioritet bashkëpunimi më i thellë bilateral

    Gërvalla takon homologun turk, prioritet bashkëpunimi më i thellë bilateral

    Një takim në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin diskutuan me theks të veçantë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.

    Partneriteti mes dy shteteve dhe mbështetja e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në fushën e sigurisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e takimit mes Ministres Gërvalla dhe homologut të saj turk, Hakan Fidan.

    Ministrja Gërvalla gjatë këtij takimi shprehu falënderimin ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në shumë fusha si dhe e njoftoi homologun turk mbi progresin e arritur në demokratizim, liri të mediave, të drejtat e qytetarëve, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare në Kosovë.

  • Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan

    Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje, në fshatin Cërrnicë në Gjilan, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia.

    Viktima është gjetur i vdekur në oborrin e shtëpisë dhe rasti është denoncuar menjëherë nga familjarët e tij.

    Sipas informacioneve të para, i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore në zemër.

    Pasi njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia Rajonale në Gjilan dhe ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni të varrimit.

  • Rreth 150 mjekë lanë punën gjatë vitit 2023

    Rreth 150 mjekë lanë punën gjatë vitit 2023

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Rreth 150 mjekë janë larguar nga vendi i punës vetëm në vitin 2023, sipas Odës së Mjekëve. Kurse gjatë këtij viti, 17 tjera kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, që nevojitet për punësim në Perëndim.

    Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputet i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, fajin për këtë e hedh te qeveria aktuale.

    “Qeveria më shumë ka qenë e interesuar të ndërhyjë dhe imponoj njerëz nëpër Klinika dhe spitale të cilët kanë qenë në ndërrime e largime të mëdha, sesa përfaqësim të denjë dhe menaxhim të mirë të institucioneve shëndetësore. Nga kjo klimë ka vazhduar edhe ikja sidomos nga mosplotësimi i kushteve të punës në pjesën e infermierisë e mos të flasim për mjekët ku ikja e tyre është në rritje edhe këtë vit fatkeqësisht nga kjo gjendje që krijuar viteve të fundit”, tha Zemaj.

    Përveç kapaciteteve njerëzore, deputeti i Aleancës, Shemsedin Dreshaj, thotë se po mungojnë edhe investimet në sektor.

    “Ndërsa sa i përket sektorëve të ndjeshëm, që e brengosin komplet qytetarin dhe shoqërinë e vendit, siç e sheh mundësia siç është arsimi, siç është infrastruktura, siç janë projektet kapitale, kjo qeverisje nuk ka treguar efikasitetin e duhur, as për së afërmi atë çka e shprehin”, tha Dreshaj.

    Ndërsa Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike, po e kritikon pushtetin edhe për vonim të miratimit të ligjeve që lidhen me shëndetësinë.

    “Dështim në miratimin e strategjisë për shëndetësi, për tri vite nuk kanë qenë të aftë të miratojnë një strategji për shëndetësisë, për tri vite nuk kanë qenë të aftë që dy ligjet bazike për shëndetësi të cilat i kanë proklamuar vetë. Deri sa nuk kanë qenë të aftë të miratojnë as ligj për tri vite si mund të presim nga këta që mund të bëjnë diçka tjetër”, tha Haxhiu.

    Dy javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha para komisionit parlamentar se gjatë këtij viti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në spitale, derisa paralajmëroi se së shpejti do ta nis edhe ligjin e ri për sigurime shëndetësore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rregullorja e re e vlerësimit të nëpunësve shëndetësor

    Rregullorja e re e vlerësimit të nëpunësve shëndetësor

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në rregulloren e re, e cila aktualisht është në diskutim publik, parashihet që nëpunësit e kategorisë profesionale, specialistëve, kategorisë të nivelit të ulët, të mesëm dhe të lartë drejtues në sektorin e shëndetësisë, t’iu nënshtrohen një vlerësimi.

    Në ketë projekt- rregullore, parashihet vlerësimi i rezultateve në punë, sjellja profesionale dhe objektivat e punës. Ndonëse në diskutim publik, në hartimin e rregullores, nuk morën pjesë ata të cilët do të vlerësohen.

    Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, tha se rregullorja ka mangësi. Madje nuk pret që të ketë as rezultate.

    “Nuk do të ketë rezultat, sepse ajo që është paraqitur në përgjithësi është vetëm 42 për qind e vlerësimit të një punëtori shëndetësor. Te ana profesionale, duhet par cilat janë indikatorët? Indikator duhet me u bazua në protokollet klinike, ku janë protokollet klinike?. Ka shumë mangësi dhe do i japim komentet tona”, tha Sejdiu.

    Oda e Mjekëve madje nuk e di as si do të bëhet vlerësimi i punës së profesionistëve shëndetësor. Megjithatë kërkohet që kurdo që të ndodhë të jenë bëhet nga persona të kualifikuar.
    “Janë vetëm termat administrativ asgjë profesionale, ndërsa vlerësimi i punëtorëve shëndetësor është më shumë profesional. Është shkencë në vete çështja e vlerësimit të punëtorëve shëndetësor sepse duhet të nxirren rezultatet e të bëhen përmirësime nga sistemi”, tha Sejdiu.

    Megjithatë, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve me këtë rregullore po pajtohet në një pikë. Respektivisht, pika e vlerësimit të sjelljes profesionale.

    “Kjo rregullore është e mirëseardhur për faktin se stafi shëndetësor aktualisht nuk ka mbikëqyrje të mjaftueshme e cila po ndikon në vëllimin e punës, cilësinë dhe sigurinë e shërbimit të ofruar ndaj pacientëve. Është shumë e rëndësishme se si do të funksionoj në praktikë, pasi që vendi ka shumë dokumente të mira por që nuk jam zbatuar”, tha Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.

    Në lidhje me atë se kur dhe si pritet të behën këto vlerësime, ATV ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë. Por askush nga ky dikaster nuk ktheu përgjigje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Trend i rënies së inflacionit nga nëntori deri në janar

    Trend i rënies së inflacionit nga nëntori deri në janar

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pemët qenë produkti më i shtrenjtuar në muajin janar me një rritje prej 13,6%.

    Pas tyre, produktet tjera që iu rrit çmimi janë peshqit me 9,7% dhe perimet me 9,3%.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni vjetor për muajin që shkoi ishte 1.8%. Kjo tregon për trend të rënies në tre muajt e fundit, meqë në nëntor inflacioni ishte 2,9%, teksa në dhjetor 2,3%.

    Ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se janari nuk duhet të merret si muaj referente meqë edhe aktiviteti ekonomik në fillimvit është i ulët.

    “Kur nuk ke fuqi blerëse reduktohet shporta e konsumit dhe si rezultat bien çmimet për faktin që nuk ka kujt t’I shet dhe bizneset tentojnë t’i përshtaten thjeshtë fuqisë blerëse, dhe kur bëhet krahasimi me muajin e fundit të vitit paraprak është diqka që muaji dhjetor është ndër muajt më të fuqishëm të fuqisë blerëse…në momentin që rritet fuqia blerëse, rritet kërkesa dhe si rezultat rriten çmimet. Si nga muaji në muaj mundë të mirren në vazhdimësi po jo si muaj krahasues”, tha Kadriaj.

    Ky thotë paralajmëron se inflacioni të shënoj rritje të natyrshme nga muaji prill e tutje.

    Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, numëron dy faktorë si shkak për rënien e inflacionit.

    “Kjo mendoj që është si rrjedhojë e zvogëlimit Qeveritar të projekteve, Qeveria ka zgjedhur që të jetë më kursimtare në këtë drejtim dhe ky është ndikimi i parë. Ndikim tjetër është rritja e normave të inflacionit nga bankat sidomos nga Banka Qëndrore që reflekton edhe në rritjen e nivelit të normave të intertesit në banka komerciale. Ndikimi i flotacionit do ketë pasoja në ngritjen e papunësisë dhe rritjen e GDP-së”, tha Qerimi.

    Sipas projeksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2024, inflacioni pritet të jetë 3,0%.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Saga për renovimin e stadiumit të Gjilanit

    Saga për renovimin e stadiumit të Gjilanit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Stadiumi i qytetit të Gjilanit, këtë pamje mund ta ketë edhe për një kohë. Në rast se paneli i Organit Shqyrtues i Prokurimit e merr parasysh rekomandimin e ekspertit pas ankesave, tenderi 15 milionësh i hapur në dhjetor të vitit të kaluar do të kthehet në pikën zero.

    Pretendimet e kompanisë ankuese se Komuna e Gjilanit në dosjen e tenderit ka vendosur kritere që favorizojnë operatorë të caktuar, janë mbështetur nga ekspertja e autorizuar për këtë rast.

    “Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit të OSHP-së që ankesa e kompanisë ankuese të aprovohet si e bazuar, ndërsa njoftimi për kontratë të anulohet në mënyrë që Komuna e Gjilanit të bëjë përmirësimet e nevojshme në harmoni me nenin 53 të LPP-së”, thuhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues.

    Rastet kur paneli i Organit Shqyrtues i Prokurimit vendos ta dëgjojë rekomandimin e ekspertit janë të shumta. Por, bazuar në dinamiken e punës së OSHP-së, duhet kohë.

    Megjithatë Komuna e Gjilanit tha se nuk do të deklarohet për tenderin në fjalë deri në një vendim përfundimtar të OSHP-së.

    Ndërkohë, kritika ndaj qeverisjes lokale, sa i përket procedurave të tenderimit ka edhe opozita në Gjilan.

    Projekti për stadiumin e Gjilanit filloi në vitin 2016, teksa Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë vitit 2023 kishte konstatuar se MKRS-ja dhe Komuna e Gjilanit, nuk kanë ndjekur procedurat e duhura të prokurimit duke cenuar transparencën dhe konkurrencën.

    Sidoqoftë, funksionalizimi i stadiumit të Gjilanit, është pjesë e planit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Plani i rritjes: Qeveria nuk e ka dorëzuar ende listën e projekteve

    Plani i rritjes: Qeveria nuk e ka dorëzuar ende listën e projekteve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria ende nuk e ka finalizuar listën e projekteve për të cilat synon të përfitojë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

    Deri tani, Qeveria ka dorëzuar listën e reformave, përmes realizimit të së cilave mund të përfitojë pjesë nga fondi në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Sa i përket listës së projekteve, ai është aspekt drejt të cilit puna vijon. Momentalisht jemi në fazën e përcaktimit të planit të reformave me Komisionin Evropian, ndërsa faza e përpilimit të listës së projekteve do të vijojë pas dakordimit dhe vlerësimit të reformave në Planin e Rritjes. Kjo për arsye sepse projektet pritet që të ndihmojnë dhe lehtësojnë realizimin e reformave për rritje ekonomike. Kur të vijë momenti, lista e projekteve do të dorëzohet konform reformave e planit të dakorduar, dhe për këtë diskutimet e konsultimet me BE-në po vijojnë”, tha këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu.

    Pasi përmendi efektet e masave ndëshkuese të BE-së, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, theksoi se në rastin e Kosovës, krahas reformave, niveli i përfitimit është i lidhur direkt me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Duhet të kuptohet që mekanizmi kyç i absorbimit të mjeteve janë projektet e gatshme dhe ato që kanë arsyeshmëri apo fizibilitet ekonomik dhe këto në Kosovë mungojnë. Në anën tjetër, është utopike të mendohet se ne mund të jemi përfitues të këtyre projekteve pa stabilitet politik”, tha Gërxhaliu.

    Përtej kësaj, referuar aspekteve përgatitore dhe diplomacisë ekonomike, ai shtoi se Kosova rrezikon të marrë vetëm një pjesë vogël nga mjetet në dispozicion.

    “Duhet të them me keqardhje që shumë vende të rajonit janë të parapërgatitura dhe përgatitura, aplikacionet i kanë ndërtuar shumë më herët, sepse kanë pasur informacione të dorës së parë përmes kanaleve diplomatike se këto mjete do të jenë në qarkullim. Në Kosovë shumë më tepër jemi marrë me agjendë politike sesa ekonomike”, tha Gërxhaliu.

    Në prezantimin e planit në Prishtinë, në fund të Tetorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se përfitimi varet nga reformat e brendshme dhe avancimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Në fillim të muajit Shkurt, liderët e shteteve anëtare të BE-së i dhanë mbështetje Planit të Rritjes në Këshillin Evropian, teksa vijojnë diskutimet për marrëveshjen me Parlamentin lidhur me aspektet e financimit.

    Plani i Rritjes me qëllim përafrimin ekonomik dhe infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor me BE-në ndahet në mbështetje përmes granteve në vlerë 2 miliardë euro dhe 4 miliardë euro të tjera përmes kredive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: