ATV

Author: ATVLive

  • ​Partitë politike nderojnë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    ​Partitë politike nderojnë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    Seanca solemne për nder të 26-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për liri. Deputetët kanë nderuar sakrificën dhe flijimin e familjes heroike nga Prekazi. Pozitë e opozitë kanë thënë se liria është amaneti i komandantit legjendar dhe dëshmorëve të lirisë. Në këtë seancë solemne u përmendën edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Hagë. Po ashtu, u bë thirrje që të ruhen miqësitë dhe miqve mos t’u mbyllen dyert.

    Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti u shpreh se qëndresa është virtyt i së drejtës. Ajo nderoi sakrificën e gjithë heronjve për liri dhe pavarësi të vendit.

    “Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë veprën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë, ai është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë. Në këtë kohë aspak të lehta, na duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës. Për atdheun asnjë kompromis”, u shpreh ajo.

    Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

    “Kur e kujtojmë Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veselin, kryetarin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata sot po e mbrojnë drejtësinë e luftës së UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë për çlirim. Në vitin 1990, Thaçi dhe Selimi u dënuan me grupin e Jasharit nga gjykatat serbe, por lufta e tyre dhe komandantit legjendar Adem Jashari, ishte e drejtë dhe kemi shpresën që edhe në procesin në të cilin po kalojnë ata sot, do të dalë e drejtë dhe fitimtare siç ka dalë çdo herë”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se datat 5,6 dhe 7 mars, janë të përjetshme shqiptare. Ai shtoi se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë.

    “Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun ashtu siç e meriton. Të punojmë fort e ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, të punojmë fort e ta bëjmë Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian, të punojmë fort e t’i ruajmë miqësitë e Kosovës me miqtë e përjetshëm. Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën, kurrë armiqtë mos t’i lejojmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Kjo është detyra jonë këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes heroike Jashari”, u shpreh ai.

    Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri nderoi sakrificën e familjes Jashari.

    “Baci Shaban me të bijtë, Ademin e Hamzën, i kishin krejt të njohura faktet e rezistencës por edhe fatet popujve që nuk ecin në atë rrugë. Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë ishte kthyer në qendrën e rezistencës, dhe të frymëzimit të atdhetarëve të UÇK-së”, përfundoi Tahiri.

  • Ademi: Ndeshja Kosova-Haiti hapi kapitullin e ri të futbollit kosovar

    Ademi: Ndeshja Kosova-Haiti hapi kapitullin e ri të futbollit kosovar

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka cilësuar 5 marsin si një ditë historike për futbollin e Kosovës, ditë në të cilën, sipas Ademit, u hap një kapitull i ri për këtë sport.

    Përmes një shkrimi të gjatë në “Facebook”, i pari i FFK-së, Ademi ka thënë se pas kësaj ndeshje, rrugëtimi i Kosovës në futboll u bë një histori e suksesit, pasi në maj të 2016 u pranua në UEFA e FIFA.

    Shkrimi i plotë i Ademit në “Facebook”:

    5 marsi është një datë që në historinë e futbollit të Kosovës shënon një kapitull të pazëvendësueshëm, një rrugëtim triumfal që nisi me ndeshjen e parë miqësore nën patronatin e FIFA-s për Kombëtaren e Kosovës.

    Ajo nuk ishte thjesht vetëm një sfidë sportive, por një shpërthim i emocioneve dhe një manifestim i vullnetit të padiskutueshëm për njohje ndërkombëtare dhe paraprijëse e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

    Më 5 mars 2014, stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbush me përplot shikues, të cilët krijuan një atmosferë të pashoqe, duke thirrur për një anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në dy institucionet e futbollit ndërkombëtar. Ndeshja kundër Haitit nuk ishte vetëm një konfrontim sportiv; ishte një dëshmi e fuqishme se Kosova ishte gati dhe e meritonte të ndihej e barabartë në skenën ndërkombëtare të futbollit, për t’i dhënë fund izolimit të padrejtë për më shumë se dy dekada.

    Pas ndeshjes së parë nën patronatin e FIFA-s, rrugëtimi i Kosovës në futboll u bë një histori e suksesit, pasi në maj të 2016 u pranua në UEFA e FIFA. Nga 72 ndeshjet zyrtare dhe miqësore nga ajo kohë, Kombëtarja e Kosovës ka realizuar 25 fitore, 18 barazime dhe 29 humbje, derisa FFK ka krijuar të gjitha ekipet zinxhir të kombëtares në të dyja konkurrencat. Kombëtarja e Kosovës sivjet do të luajë në Ligën C të Ligës së Kombeve, ndërsa ëndrra madhore mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian dhe Kupën Botërore.

    Rrugëtim të suksesshëm ka pasur edhe Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave (e cila tani është promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe ka një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje), por edhe ekipet tjera zinxhir.

  • Sveçla: Nga 1 janari, rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta

    Sveçla: Nga 1 janari, rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri me dije se që nga fillimi i vitit respektivisht 01.01.2024 në total janë diku rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta.

    Kështu tha ministri gjatë përurimit të objektit të ri të Drejtoratit për Prodhimin e Dokumenteve që funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.

    Pjesëmarrës tjerë në inaugurim ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe u.d. i drejtorit të ARC-së, Blerim Camaj.

  • Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

    Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

    I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka dalë në konferencë pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se kanë folur për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, çështjet e pagesave, aspektin monetar dhe sistemin e pagesave.

    Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë një vit që nga nënshkrimi.

    Lajçaku po ashtu ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, u ishte lënë palëve të vendosin vetë kë duan ta dërgojnë në takim.

    “Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen”.

    “Është me rëndësi të them se diskutuam edhe për çështjen e pagesave dhe që është pjesë e procesit të dialogut, diskutuam edhe këtë çështjen në takim. Ashtu siç kemi biseduar edhe në Bruksel, dhe kemi pasur disa pyetje dhe kemi diskutuar për ato që çështje që kanë tejkaluar kompetencat e delegacioneve në Bruksel”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 marsi janë kulmimi i një trashëgimie dhe burimi shpirtëror për lirinë

    Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 marsi janë kulmimi i një trashëgimie dhe burimi shpirtëror për lirinë

    Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shtëpia e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri të cilët vinin nga të gjitha trojet shqiptare.

    Gjatë fjalës së tij në seancën për Epopenë e UÇK-së, Tahiri më tej u shpreh se 5,6 dhe 7 marsi nuk janë thjesht data.

    “Baci Shaban me të bijtë, Ademin dhe Hamzën, i kishin të njohura faktet e rezistencës dhe fatin e popujve që nuk ecin në atë rrugë. Këto data shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në Kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë u kthye në qendrën e rezistencës dhe të frymëzimit të UÇK-së. Sakrifica dhe rënia ishte ndërtuar mbi motive e ideale të qarta të tilla që nuk mund të gjenden në një shembull kaq unik. 5,6 dhe 7 marsi nuk janë thjesht data, ato janë kulmimi i një trashëgimie, burim shpirtëror për lirinë, ndjenja më sublime për sakrificë e luftë për liri”, ka thënë Tahiri.

  • Quni: Miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, këtë ia kemi borxh Adem Jasharit

    Quni: Miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, këtë ia kemi borxh Adem Jasharit

    Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se 5,6 dhe 7 Marsi janë ditët e shpërthimit të dritës për shqiptarët.

    Ai duke folur në 26-vjetorin e Epopesë së UCK-së, ka thënë se këto ata janë të përjetshme “sepse krisma e pushkës së komandantit legjendar, Adem Jashari, ishte pushka e mbrojtjes së pragut të shtëpisë”.

    Nga kuvendi, Quni ka bërë thirrje që të ruhet miqtë ndërkombëtarë.

    “Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet që të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun dhe të punojmë fort, ashtu siç e meriton, ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, Kosovën pjesë të BE-së, t’i ruajmë miqësitë e Kosovës, miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, armiqtë kurrë mos t’i lëmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe Familjes Jashari”, ka thënë ai.

  • Tahiri përmend Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin: Po e mbrojnë luftën e Kosovës në Hagë

    Tahiri përmend Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin: Po e mbrojnë luftën e Kosovës në Hagë

    Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, në seancën solemne për përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

    Ai tha se ata janë sot në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe sakrificën e Adem Jasharit.

    Tutje, Tahiri u shpreh se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi do ta kalojnë këtë sfidë si fitimtarë.

    “Kur e kujtojmë Epopenë e Adem Jasharit, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së. Ata sot po e mbrojnë drejtësinë e UÇK-së të komandantit Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e Jasharit dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë”.

    “Në vitin 1990, Thaçi dhe Selimi u dënuan me grupin e Jasharit nga gjykata serbe, por lufta e tyre ishte e drejtë dhe kemi shpresën që edhe procesin në të cilin po kalojnë sot, do të dalin të drejtë dhe fitimtar se çdo herë. UÇK ishte e drejtë, Epopeja ishte e shenjtë dhe ajo duhet të përkujtohet me nderim për aq kohë sa do të jetojë populli i Kosovës”, ka thënë Tahiri.

  • Emocionohet Shqipe Selimi: Ata janë larg nga këtu, larg nga Prekazi – por drejtësia do të triumfojë

    Emocionohet Shqipe Selimi: Ata janë larg nga këtu, larg nga Prekazi – por drejtësia do të triumfojë

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, në seancën solemne për 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së ka thënë se ashtu si çdo herë, lavdi, madhështia dhe guximi sublim i Jasharëve do të kujtohet me zemrën plot krenari.

    Ajo tha se Kosova dhe shqiptarët e mbajnë në mendje ngjarjen që shënon pikën më të lartë të vetëdijes kombëtare, sakrificën supreme me vullnet të plotë.

    “Ndonëse vitet kalojnë, nderimi për Epopenë nuk është zbehur, përkundrazi, kujtimi po mbetet i freskët e nderimi po rikuptimësohet pambarimisht. Luftëtarët e lirisë luftuan për lirinë e atdheut, dëshmorët e u bënë themeli ynë. Ne kemi për detyrë t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë me respekt, por mbi të gjitha ta mbrojmë lirinë dhe atdheun me çdo kusht”.

    “Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë jetën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë”, tha ajo.

    Tutje, Mehmeti – Selimi tha se në këto kohë aspak të lehta, Kosovës i duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës, që për atdheun s’duhet bërë asnjë kompromis.

    “Për atdheun nuk zgjedhim asnjë të keqe, as të madhe as të vogël. Për atdheun nuk ka rrugë tjetër veç të qëndrojmë tash e përgjithmonë. Kosova ka qenë dhe është në të drejtën e saj. Shqiptarët në tërësi janë në të drejtën e tyre. Sot, këtu në homazhe e përkujtim do të duhej të ishin ata që luftuan, por ata janë larg. Larg nga këtu, e larg nga Prekazi. Drejtësia në çdo rast do të triumfojë”, tha ajo.

  • ​Tre persona gjuajnë me armë në drejtim të një personi tjetër

    ​Tre persona gjuajnë me armë në drejtim të një personi tjetër

    Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona të panjohur nga vetura në lëvizje pa targa, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër dhe janë larguar nga vendi në drejtim të panjohur.

    Sipas policisë të shtënat janë bërë në rrugën “Shaip Spahiu”, në Prishtinë. “Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturë nuk raportohet për lëndime në njerëz”, thuhet në raport. Derisa rasti po vazhdon të hetohet.

  • ​Kuka: Kosovë, të duam pa kushte, si ata që dhanë jetën

    ​Kuka: Kosovë, të duam pa kushte, si ata që dhanë jetën

    Datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ditët e sakrificës së familjes Jashari në luftën për liri dhe pavarësi. Në rastin e shënimit të përvjetorit të 26 të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar edhe trajneri i xhudos, Dirton Kuka.

    Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se sakrifica e Jasharajve është vula e lirisë, duke se Kosova po vazhdon të rritet ditë pas dite, transmeton KosovaPress.

    Postimi i plotë i Driton Kukës:

    Vula e lirisë!

    Sakrifica sublime e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve!

    Kosova po rritet e po forcohet dita ditës

    Ta duam pa kushte siç e deshën ata që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë