ATV

Author: ATVLive

  • Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas

    Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas

    Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës, ku për nder të kësaj dite, në Kosovë do të ketë aktivitete të shumta.

    Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e Nju ­Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

    Kurse 100 gra nga shumë vende evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës, nën kryesinë e Klara Cetkinit, vendosen që 8 Marsi të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Grave.

    Për nder të kësaj dite, nënave dhe grave u jepen dhurata të ndryshme, ku dhurata më e shpeshtë është lulja, e cila ka simbolin e respektit dhe dashurisë.

    Kosova të drejtën e gruas e ka të garantuar me ligj, ku në shumë institucione shtetërore, pjesëmarrja e gruas është e përcaktuar me ligje.

  • Dita e mësuesit, shkollat me orar të shkurtuar

    Dita e mësuesit, shkollat me orar të shkurtuar

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Orët mësimore i patën më të shkurtra se zakonisht.

    Nxënësit e shkollës fillore Milah Grameno në Fushë-Kosovë, të enjten, dolën me herët nga shkolla, për shkak të festës së 7 marsit.

    Vendimi qe i shkollës, ndërkaq, arsye thonë se është organizimi i aktiviteteve për ditën e mësuesit.

    “Nuk është në koordinim me DKA-në, është vendim i shkollës, sepse programi do të mbahet këtu në hollin e shkollës. Orari mësimor është caktuar që të mbahet i shkurtuar për arsye se hapësira nuk na lejon që mësimi të mbahet në orarin e gjatë. Për këtë arsye është shkurtuar orari për ditën e sotme dhe mbahet 30 minuta ora”, tha Mimoza Kryeziu, pedagoge.

    Por jo vetëm, shkurtimi i orëve për festën e 7 Marsit, pothuajse është bërë praktikë në shumë shkolla.
    Andaj njohës të arsimit e shohin të paarsyeshme që nxënësve t’u cenohet e drejta për mësim, për shkak të festave, që madje nuk konsiderohen zyrtare.

    “Përderisa 7 marsi nuk është festë zyrtare në asnjë moment këto nuk duhet me qenë arsye për me e cenu procesin mësimor, unë e kuptoj fleksibilitetin që iu nevojitet mësimdhënësve, mirëpo në të njëjtën kohë jam shumë i bindur që edhe mësimdhënësit e kuptojnë domosdoshmërinë mbajtjes së procesit mësimorë si përgjegjësi që e kanë karshi nxënësve”, tha Rinor Qehaja nga instituti “Ed Guard”.

    Sidoqoftë, Ministria e Arsimit nuk u përgjigj për ATV-në lidhur me vendimet krye në vete nga ana e shkollave, për shkurtim të orarit mësimor.

    7 marsi konsiderohet si dita e mësuesit, meqë shënon hapjen e shkollës së parë shqipe më 1887 në Korçë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Përgatiti: Benita Zeneli

    30 pika ishin në rend dite në seancës e së enjtes në Kuvend. Duke marrë për shkas Ditën e Mësuesit, disa deputetët e shfrytëzuan foltoren për t’i uruar ata.
    Të tjerë megjithatë kërkuan kushte më të mira pune për mësimdhënësit.

    Përplasjet vazhduan edhe për tema të tjera. Në ditën e fundit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së” pushteti u kritika për mospërfshirje të komunës së Skenderajt në organizim.

    Por akuzat e saj i mohoi i pari i kulturës, Hajrullah Çeku.

    Ndërkohë, gjatë pyetjeve parlamentare nga ministrat u kërkua votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Por sërish në mungesë kuorumi, ato janë shtyrë për një seancë të ardhshme.

    Në radhë ishte edhe votimi në lexim të dytë i projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Sërish në amendamentin e katërt të propozuar nga deputeti Visar Korenica dështoi miratimi.

    Ndërkohë, deputetët arritën të miratojnë Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave e atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shpeshtohet tenderimi me procedurë të mbyllur, shoqëria civile me kritika

    Shpeshtohet tenderimi me procedurë të mbyllur, shoqëria civile me kritika

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga viti në vit, procedura e mbyllur e tenderimit po përdoret më shumë. Gjatë vitit 2023, në nivel vendi përmes prokurimit janë lidhur 1097 kontrata, nga to 554 përmes procedurës së negociuar pa publikim për kontratë.

    Krahasuar me vitin 2022, ku vlera ishte 78 milionë, shuma e përgjithshme e kontratave të negociuara, gjatë vitit 2023 ka arritur në mbi 116 milionë euro.
    Për shoqërinë civile, kjo është shqetësuese.

    Me përdorimin e kësaj procedure të tenderimit, vlerësohet se minohet transparenca teksa rritet edhe mundësia për keqpërdorim të parasë publike.

    Mundësinë për keqpërdorim të buxhetit në këto raste e theksoi edhe një ish-ministre e Financave.

    Pikërisht për kontrata njëburimore, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës për raportim në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave.

    Në vitin 2021, ishin mbi 50 milionë euro kontrata të negociuara.

    Ndryshe, javë më parë, ATV-ja kishte raportuar se si Ministria e Mbrojtjes me procedurë të negociuar brenda një viti kishte shpërblyer me dy tenderë kompaninë “BENI DONA”. Tenderët për furnizim me ushqim, kapnin vlerën e mbi 5 milionë eurove.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Kobra” e të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen e kuksianit

    “Kobra” e të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen e kuksianit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    I buzëqeshur hyri në sallë, edhe pse ndaj tij rëndon akuza për vrasje të rëndë.

    Krahas Dibran Hoxhës që njihet me nofkën Kobra, u paraqitën edhe Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, që akuzohen për manipulim me prova, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje.

    Pasi u konstatua prania e palëve, prokurorja e lexoi aktakuzën në të cilën shpjegoi se si ndodhi vrasja për motive të ulëta.

    “Pasi i ndjeri nuk e kishte paguar faturën, Dibran Hoxha, ka qëlluar me pistoletë në këmbë njërin nga viktimat, derisa duke qëlluar në veturë ka pësuar tanimë i ndjeri V.C”, tha prokurorja Merita Bina – Rugova.

    Sipas aktakuzës, të cilën e posedon edhe ATV-ja, xhirimet e asaj nate janë zhdukur, për çka akuzohet Roland Susuri.

    “Është gjetur pistoleta me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Por DVR.. nuk është gjetur askund…”, tha Bina – Rugova.

    Dibran Hoxha, i cili përballjen me drejtësi nuk e ka për herë të parë, u deklarua i pafajshëm, derisa të akuzuarit tjetër Roland Susurit i kërkoi t’i gjejë xhirimet e kamerave të sigurisë.

    “Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës. I akuzuari tjetër duhet ta gjejë DVR-në…”, deklaroi Dibran Hoxha.

    Pak pasi Kobrën e kthyen brenda, seanca fillestare u mbyll, për të vazhduar pas një kohe. Vrasja e Visar Cengu kishte ndodhur më 3 janar të vitit 2023, në afërsi të lokalit të Hoxhës, “Kobra City”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Specialja bastis shtëpinë e ish-komandantit Sylejman Selimi

    Specialja bastis shtëpinë e ish-komandantit Sylejman Selimi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Njësitet e EULEX-it, e nisën herët të enjten.

    Me urdhër të dhomave të specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ata bastisën në Prishtinë shtëpinë e ish-komandantit të zonës operative të Drenicës, Sylejman Selimi.

    Përmes telefonit familjarët e Selimit mohuan se kryefamiljari i tyre është intervistuar. Edhe avokati i ish-ushtarakut tregoi se klienti i tij, nuk e ka statusin e personit të dyshuar.

    Referuar urdhrit të Gjykatës Speciale, avokati thotë se është menduar se në shtëpinë e Selimit ka prova që e ndërlidhin atë me veprën penale, “Pengim i Drejtësisë”.

    “Sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Artan Qerkini, avokat i Sylejman Selimit.

    Por Avokati Qerkini thotë se urdhri i dhomave të specializuara, shkel disa të drejta të klientit që përfaqëson.

    “Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhrin, mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe i cenon disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi, me një urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.

    Ende nuk dihet nëse diçka është sekuestruar nga prona e ish-komandantit. Po ashtu, pikëpyetje ka se edhe me cilin rast ndërlidhet bastisja.

    “Prokuroria është në fazën e hetimeve, nuk jep detaje kështu që nuk kisha dashtë me spekulu se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo në momentin që një gjë e tillë të bëhet publike do t’ju njoftojmë”, tha Qerkini.

    Prokuroria Speciale, me seli në Hagë të Holandës, deklaroi gjatë ditës se në Kosovë po kryen operacione të vazhdueshme.

    Gjatë vitit të kaluar, prokuroria speciale kishte zhvilluar një seri bastisjesh ndaj personave për të cilët hetuesit e Speciales dyshonin se po pengojnë drejtësinë.

    Në vitin 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë, shpalli fajtor Sylejman Selimin, duke e dënuar me gjashtë vjet burg, për një vepër penale që ndërlidhet me krime lufte kundër popullatës civile.

    Ndërsa, në janar të 2019-ës, Selimi u lirua me kusht nga vuajtja e dënimit, pasi kaloi mbi 5 vjet në burg.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz, përfundon Epopeja e UÇK-së

    Me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz, përfundon Epopeja e UÇK-së

    Me ndezjen e flakadanëve në “Natën e Zjarreve” sonte në Prekaz dhe koncertin në Skenderaj ka përfunduar manifestimi në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Ndezja e flakadanëve u bë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Njëherësh në orën 18:00 në shtatë rajone të Kosovës janë ndezur flakadanë në kujtim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe familjes Jashari, në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

    Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mposhti frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5, 6, 7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

    Ndryshe, Epopeja e UÇK-së, më 5, 6 e 7 mars u shënua me aktivitete të shumta.

    Më poshtë po ju sjellim fotot nga ndezja e flakadanëve të lirisë në Prekaz, të realizuara nga fotografi i ATV-së, Arlind Gruda:

  • Kosova fituese e turneut “UEFA Development U16” në Tiranë

    Kosova fituese e turneut “UEFA Development U16” në Tiranë

    Kombëtarja e Kosovës U16 ka triumfuar me rezultat bindës kundër Kombëtares së Belizes, me rezultat 3:0, në ndeshjen e tretë në kuadër të turneut “UEFA Development U16” që u mbajt në Tiranë.

    Me këtë fitore, Dardanët U16 janë shpallur fitues të këtij turneu, me tri fitore. Në dy ballafaqimet paraprake ata kanë mposhtur San Marinon dhe Shqipërinë, pas penalltive, ngase ndeshjet në kohën e rregullt kishin përfunduar baras. Serinë e golave e hapi Eduart Sekiraqa, në minutën e 3-të.

    Epërsinë në 2:0 e shtoi Leka Podvorica, në minutën e 45-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Omer Shala, në minutën e 55-të. Ky ishte aktiviteti i parë i Kombëtares U16, e cila u krijua vetëm muajin e kaluar nën udhëheqjen e stafit të trajnerëve në përbërje: Mehmet Kurda, Ibrahim Domi, Fadil Ademi dhe Burim Sadiku.

  • Kuvendi themelon komisionin hetimor në lidhje me punësimet në MPJD

    Kuvendi themelon komisionin hetimor në lidhje me punësimet në MPJD

    Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor parlamentar lidhur me punësimet në shërbimin e jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Themelimin e këtij komisioni e mirëpriti edhe kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila tha se përmes tij do të dëshmohen parregullsitë e shumta ndër vite që kanë ndodhur në MPJD.

    Sipas saj, ky komision nuk duhet ta përkufizojë punën vetëm në vitet 2021-2023, megjithëse theksoi se në shërbimin diplomatik ka bërë një reformë të thellë.

    Ajo shtoi se të gjitha vendimet e marra sa i përket gradimeve kanë qenë të rregullta, siç tha janë dëshmuar edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

    Gërvalla përmendi ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, që sipas saj gjatë periudhës së tij nuk janë respektuar asnjë kriter i konkurseve, punësimit dhe se janë caktuar ambasadorët dhe konsujt në oda, kafe dhe që kanë qenë pjesë pazareve politike.

    Madje theksoi se themelimi i këtij komisioni po bëhet si shkak i luftës së brendshme në PDK, për të diskredituar Hoxhajn.

    Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se mandati i këtij komisioni hetimor është në periudhën 2021-2023, ashtu siç ka qenë kërkesë në propozimin e parashtruar.

    Pro themelimit të këtij komisioni votuan 62 deputetë, dy ishin kundër dhe një abstenim.

    Në anën tjetër, Kuvendi nuk pati kuorum për të themeluar komisionin tjetër hetimor, në lidhje mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, pasi nuk morën pjesë në votim deputetët e mazhorancës.

  • Saduloviq pyet me ironi: A ishin terroristë fëmijët e Jasharëve që u vranë nga krimineli Millosheviq

    Saduloviq pyet me ironi: A ishin terroristë fëmijët e Jasharëve që u vranë nga krimineli Millosheviq

    Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, ka publikuar sërish një foto të fëmijëve të familjes Jashari, për të cilët ka theksuar se janë vrarë nga krimineli Slobodan Millosheviq.

    Në një shkrim në X, Sanduloviq ka kërkuar që të shikohet me vëmendje fotografia, derisa pyet nëse janë “ata terroristë”.

    “Shikoni mirë këtë fotografi, sepse këta janë fëmijët e familjes Jashari që janë vrarë. Ata u vranë me urdhrat e kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq. Në mesin e fëmijëve ishte shtatëvjeçarja Blerina Jashari, e cila u vra me një plumb në kokë”, ka shkruar Sandulloviq.

    Sanduloviq pati vendosur lule pati vendosur lule mbi varrin e 7-vjeçares, Blerina Jashari në Prekaz, duke kërkuar falje në emër të serbëve që nuk kanë kryer krime.

    Ai u arrestua, u rrah e u keqtrajtua gati për vdekje nga Shërbimi Sekret serb i njohur si BIA.