ATV

Author: ATVLive

  • KQZ-ja sot diskuton për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    KQZ-ja sot diskuton për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet të mbajë një mbledhje, në të cilën do të diskutohet edhe për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.

    Në rendin e ditës për mbledhjen që është paraparë të nisë në orën 13:30 është edhe pika “Raporti lidhur me verifikimin e peticioneve të pranuar nga kuvendet e komunave Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”.

  • Feminizmi është një universalizëm

    Feminizmi është një universalizëm

    Nga Olivier Guérot

    Të drejtat e grave nuk reduktohen vetëm në pranimin e luleve më 8 mars, pavarësisht nga simbolika që lidhet me të. Përkundrazi, kjo ditë është një mundësi për t’u interesuar për 364 ditët e tjera të vitit (madje sivjet 365), për të bërë një bilanc të veprimeve që mund të jenë realizuar (ose jo) për të siguruar respektimin e të drejtave të grave.

    Parlamentarët francezë kanë bërë shumë më tepër sesa dhurimi i luleve: disa ditë para 8 marsit, ata vendosën të përfshijnë të drejtën e abortit në kushtetutë me një shumicë dërmuese të dyja dhomave së bashku (780 për, 72 kundër). Kjo nuk është një dhuratë, por një njohje e një aspirate legjitime të grave për të vendosur për trupin e tyre.

    Franca është vendi i parë në botë që i jep mbrojtje kushtetuese ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë. Ky është një motiv krenarie sepse, me këtë miratim pothuajse unanim, Franca tregon se është ende një ofrues i ideve të përparimit dhe lirisë dhe mund të frymëzojë edhe përtej kufijve të saj. Krenaria nuk e pengon përulësinë. Përulësi sepse Franca nuk ka qenë gjithmonë e para në njohjen e të drejtave të grave. Përulësi, para së gjithash, duke kujtuar të gjitha ato gra që për shumë vite e kanë paguar me lotët, vuajtjet, vdekjen e tyre mungesën e një mundësie ligjore për abortin. Përulësi duke kujtuar gjithmonë të gjithë ata që jetojnë në vende ku kjo e drejtë mbetet e shkelur, me ligj apo në praktikë.

    Së fundi, përulësi, sepse në Francë ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për barazinë e vërtetë midis burrave dhe grave, e cila reflektohet në fakte dhe në praktikë. Kjo luftë për barazi midis burrave dhe grave nuk është një luftë gjinore. Përkundrazi: kur duam të atakojmë liritë e një populli, gjithmonë fillojmë me sulme ndaj grave. Duke mbrojtur barazinë midis grave dhe burrave, ne po mbrojmë barazinë midis çdo qenieje njerëzore. Feminizmi është një universalizëm.

    Prandaj, diplomacia franceze është një diplomaci feministe.

    Çfarë do të thotë diplomaci feministe? Kjo fillon me një komponent kombëtar dhe një kërkesë të brendshme brenda ministrisë sonë për të arritur barazinë midis grave dhe burrave nëpërmjet disa masave: emërimi i mjaftueshëm i grave në detyra me përgjegjësi, ndihma e grave dhe burrave nëpërmjet mentorimit dhe trajnimit të duhur për të çliruar veten nga stereotipet që ne të gjithë, si burrat ashtu edhe gratë, shpesh jemi të brendësuar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të ndihmohen gratë t’i thyejnë tavanet e xhamit. Nga ana e jashtme kjo nënkupton edhe diplomaci që e bën mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave një ndër prioritetet e veprimit tonë. Vitet e fundit është krijuar një rrjet referuesish lidhur me barazinë, të pranishëm në çdo post për të siguruar zbatimin e kësaj diplomacie feministe.

    Në Kosovë, Ambasada e Francës rregullisht kryen aktivitete konkrete, në terren, në komuna, në shkolla. Gjithmonë në partneritet, sepse, çdoherë për hirë të përulësisë, nuk kemi mësime për të dhënë, por kemi përvoja për të ndarë. Vitin e kaluar financuam një aktivitet të OSBE-së për të ndihmuar komunat të organizohen në luftën kundër dhunës në familje dhe për të mbrojtur viktimat. Ky aktivitet ishte pjesë e zbatimit të Konventës së Stambollit, universalizimin e së cilës mbron Franca. Këtë vit ne po mbështesim një OJQ kosovare, EcoKosWomen, që të kryejë aktivitete në dy drejtime: së pari të sensibilizojë dhe të shpjegojë nëpër shkolla se çfarë janë menstruacionet dhe pse ky realitet i trupit të femrës, ndonëse është intim, nuk është tabu. Një aktivitet i realizuar me vajza të reja dhe gjithashtu djem të rinj. Më pas EcoKosWomen, sërish me mbështetjen tonë, kryen aktivitete për t’i bindur vendimmarrësit për uljen e çmimit të produkteve të higjienës menstruale dhe në veçanti për TVSH-në. Produktet e higjienës menstruale taksohen sikur të ishin një luks, edhe pse ato janë nevoja elementare. Në Francë, ne e kemi ulur këtë taksë në normën minimale. U bëj thirrje të gjithë liderëve politikë, dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, që menjëherë ta adresojnë këtë çështje që nuk është çështje partiake por politike: kush dëshiron t’i taksojë produktet e higjienës menstruale si produkte luksi?

    Bashkimi europian bazohet në vlerat e pandashme dhe universale të dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë dhe solidaritetit. Duke u siguruar që gratë të vendosin vetë për trupin e tyre, duke punuar në mënyrë që trupi i tyre të mos jetë më objekt tabush, burim ndalimesh apo paragjykimesh, ne po avansojmë në Francë dhe në Kosovë drejt të njëjtit ideal. Ambasada është krenare që e përkrah Kosovën në këtë rrugë.

    Ambasada ndan gjithashtu krenarinë e gjithë Francës për organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike këtë verë, të cilat synohen gjithashtu të jenë të barabarta. E takova ekipin e Kosovës në xhudo në qendrën e tyre stërvitore në Pejë dhe më impresionoi atmosfera e seriozitetit, dhe një qetësi që shpreh siguri. Sukseset e Kosovës në këtë sport janë mahnitëse dhe gratë dhe vajzat janë në ballë të tij. Ato në masë të madhe kanë kontribuar në ngritjen e flamurit me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë të Republikës së Kosovës duke bërë të jehojë himni i saj. Këtë verë sigurisht që do të mbështes sportistët francezë, por zemra ime do të jetë edhe me luaneshat kosovare në tatami të xhudos.

    (Op-Ed i shkruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas)

  • Shqetësime për dhunë të mundshme në xhaminë al-Aksa në Jerusalem gjatë Ramazanit

    Shqetësime për dhunë të mundshme në xhaminë al-Aksa në Jerusalem gjatë Ramazanit

    Muaji i shenjtë i Ramazanit shënohet këtë vit nën hijen e luftës në Gazë. Për këtë arsye ndjeshmëria tek besimtarët është më e madhe, në veçanti në xhaminë al-Aksa në pjesën lindore të Jerusalemit, që është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame.

    Zakonisht gjatë Ramazanit, palestinezët myslimanë festojnë me darka festive të përbashkëta pas një dite agjërimi. Por, këtë vit ka pak atmosferë festive për festën, e cila fillon më 10 mars ndërkohë që lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po vazhdon në Gazë.

    Mbi 30,000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së lidhur me Hamasin.

    Sheiku Mohammed Hussein është myftiu i Jerusalemit dhe Palestinës dhe predikuesi kryesor në xhaminë al-Aksa.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai thotë se ekziston një ndjenjë e përgjithshme shqetësimi në territoret palestineze dhe në mbarë botën për luftën në Gazë që po ndikon tek të gjithë palestinezët.

    “Ka një shqetësim të përgjithshëm këtu dhe nëpër botë për atë që po ndodh tani ndërkohë që lufta po vazhdon në Gazë. Keni parë se si po protestohet nëpër gjithë botën duke kërkuar armëpushim. Kemi parë se si një i ri në Amerikë e dogji veten në shenjë proteste për atë që po ndodh në Rripin e Gazës. Shpresojmë për vendosjen e një armëpushimi dhe në veçanti para Ramazanit,” thotë ai.

    Xhamia al-Aksa në Jerusalem konsiderohet si vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame, pas Mekës dhe Medinës. Qindra mijëra palestinezë falen në këtë xhami gjatë Ramazanit.

    Sheik Hussein thotë se lutja në al-Aksa është e rëndësishme për myslimanët gjatë Ramazanit.

    “Xhamia e al-Aksës lidhet me besimin islamik. Njerëzit falen në al-Aksa sepse lutjet aty konsiderohen më me peshë se çfarëdo lutjesh të tjera. Në sytë e Zotit dukesh shumë i devotshëm dhe shpërblimi konsiderohet më me vlerë se në çfarëdo vendi tjetër,” thotë ai.

    Vendi ku qëndron al-Aksa është vend i shenjtë edhe për hebrenjtë, për të cilët ai është i njohur si Mali i Tempullit dhe është vendi ku dy tempujt e parë hebrenj ishin ndërtuar dhe më vonë shkatërruar. Ky vend gjendet mbi Murin Perëndimor, vendin më të shenjtë për judaizmin.

    Al-Aksa shpesh është shndërruar në arenë përplasjesh të dhunshme ndërmjet palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë dhe sulmeve të palestinezëve ndaj besimtarëve hebrenj që kryejnë ritet fetare pranë Murit.

    Në fakt, Hamasi e quajti sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit, që nxiti luftën aktuale në Gazë – “Përmbytja al-Aksa”.

    Ministri izraelit për Siguri Kombëtare Itamar Ben Gvir, që i takon vijës së ashpër, ka bërë thirrje për të kufizuar numrin e palestinezëve që u lejohet të hyjnë në al-Aksa gjatë Ramazanit.

    Por deri më tani, ai është kundërshtuar nga drejtuesit e forcave izraelite të sigurisë, të cilët thonë se kufizimet e tilla do të provokojnë dhunë.

    Izraeli nuk i lejon myslimanët e rinj të falen në al-Aksa as gjatë muajit të Ramazanit, për shkak të, siç thonë ata, shqetësimeve se do të përleshen me forcat izraelite. Policia gjithashtu njofton se po konsideron të kufizojë numrin e palestinezëve nga Bregu Perëndimor që do t’iu mundësohet hyrja në Jerusalem gjatë kësaj periudhe të tendosur.

  • ​Sot zhvillohet lufta e shumëpritur e boksit, Joshua-Ngannou

    ​Sot zhvillohet lufta e shumëpritur e boksit, Joshua-Ngannou

    Anthony Joshua duhet të bëjë një hap tjetër drejt bërjes tre herë kampion bote, ndërsa përballet me ish-kampionin e peshave të rënda të UFC, Francis Ngannou;

    Dyshja e peshave të rënda do të do të ballafaqohen në Riad të Arabisë Saudite dhe lufta mes tyre pritet të nis pas orë 23:00

    Fituesi i këtij dueli mund të përballet me njërin nga dyshja Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk për kampionin e padiskutueshëm botëror të peshave të rënda.

  • Arsyeja se përse festohet 8 Marsi, lidhet me dy ngjarje historike

    Arsyeja se përse festohet 8 Marsi, lidhet me dy ngjarje historike

    8 Marsi, është Dita Ndërkombëtare e Grave dhe përkujton lëvizjen për të drejtat e tyre.

    Ideja për “Ditën Ndërkombëtare të Grave, u hodh fillimisht në fillim të shekullit të XIX-të, e cila ishte një periudhë e tronditur nga trazirat dhe shtimi i popullsisë, për botën e industrializuar.

    Në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

    Por arsyeja se përse festohet pikërisht 8 Marsi, lidhet me dy ngjarje historike.

    E para daton në vitin 1911. Në mars të atij viti, një grup punëtoresh të një industrie tekstile në Nju Jork, kishin ditë të tëra në grevë kundër kushteve të tmerrshme në të cilat ndodheshin duke punuar.

    Për të shtypur protestën, pronarët e kompanisë kishin bllokuar daljet e fabrikës, duke mos lejuar largimin e punëtoreve.

    Papritur, diçka shkoi keq dhe shpërtheu një zjarr që vrau mbi 140 punëtore. Midis këtyre grave kishte shumë emigrantë, të cilët kërkonin vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës.

    Ngjarja e dytë historike tregon gjithashtu, përkushtimin e grave për të drejtat dhe lirinë e tyre dhe lidhet me Revolucionin e Shkurtit në Rusi, gjatë Luftës së Parë Botërore.

    Më 8 mars 1917, përveç të gjithë burrave në revoltë, edhe shumë punëtore ruse dolën në rrugë për të protestuar kundër Carit dhe për këtë arsye, kjo datë mbahet mend si vendimtare për historinë e gjinisë femërore.

    Që prej asaj dite “Dita Ndërkombëtare e Grave”, mori dimensione të tjera, dhe filloi të festohej në mbarë Botën.

    Në këtë ditë reflektohet mbi kurajën dhe veprimet e grave të thjeshta, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave.

    Më 8 mars të vitit 1910 në SHBA , Kanada e në vende të tjera të botës u bënë protesta të mëdha, për të drejtat e grave dhe pikërisht atë ditë të drejtat e gruas dhe të burrit janë të drejta.

  • “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për Ditën e Gruas

    “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për Ditën e Gruas

    Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” do të organizojë sot marshin tradicional me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare së Gruas.

    Ky marsh organizohet me thirrje për barazi e drejtësi për gratë.

    Nisja do të bëhet nga sheshi “Zahri Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, me fillim nga ora 12:00.

    “Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” organizon marshin tradicional për 8 Mars me thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë. (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë,ora 12:00)”, thuhet në njoftim.

  • ​Skandal në futbollin argjentinas, katër lojtarë dhunojnë seksualisht një vajzë

    ​Skandal në futbollin argjentinas, katër lojtarë dhunojnë seksualisht një vajzë

    Një skandal i madh raportohet ta ketë goditur futbollit argjentinas, përkatësisht klubin Atlético Vélez Sarsfield. Një vajzë 24-vjeçare ka denoncuar në fakt 4 lojtarë të skuadrës nga Linieres, Buenos Aires, me akuzën se ata e kanë përdhunuar.

    Vajza, emri i së cilës ende nuk është bërë publik, ka denoncuar katër lojtarë të Vélez për abuzim seksual të dyshuar. Episodi i turpshëm thuhet se ka ndodhur të dielën e kaluar në hotelin Hilton në Tucumán, ku skuadra po qëndronte pas barazimit kundër Atlético Tucumán, përcjellë KosovaPress.

    E reja deklaroi se ishte Sebastián Sosa ai që e kontaktoi për ta ftuar në hotel. Sipas gazetës argjentinase “Olé”, futbollistët Abiel Osorio, Braian Cufré dhe José Florentín ishin gjithashtu aty kur ajo hyri në dhomë. Në deklaratën e saj, viktima konfirmoi se ajo kishte pirë disa shishe birrë. Por pas disa pijeve ajo filloi të ndihej shumë e trullosur dhe vendosi të shtrihej në krevat. Ajo gjithashtu tha se ndjehej e përgjumur dhe ishte abuzuar pa pëlqim në atë kohë. Pasi arriti të këndellej, ajo kërkoi një makinë dhe shkoi në shtëpi.

    Nuk dihet ende nëse kanë nisur hetimet për këtë raste nga policia argjentinase.

  • Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Forca të shumta paramilitare serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 1998.

    Më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti, pas një rezistence të hekurt, u vra Komandanti legjendar Adem Jashari, me 58 familjarë e të afërm të tij, përfshirë fëmijë, gra e pleq.

    Janë mbushur 26 vjet që nga ky sulm. Por, për ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, ende nuk ka aktakuzë, ndonëse Prokuroria Speciale thuhej se kishte filluar hetimet qysh në vitin 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ishte ish-prokurorja speciale Drita Hajdari e cila kishte deklaruar se në 2019 kishin filluar hetimet dhe se ishin në fazën e grumbullimit të provave.

    “Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, kishte deklaruar ajo në media.

    E kontaktuar tash, Hajdari tha se meqenëse më nuk është prokurore, s’ka kompetencë të përgjigjet lidhur me këtë temë.

    Por në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se s’ka shumë kohë që janë hapur hetimet zyrtarisht.

    “Kanë fillu, nuk është kohë e gatë kur zyrtarisht, por po, ka. Veç muj me konfirmu që i kemi hetimet e aktivizume me vendim, por kurgjo ma shumë”, tha Isufaj.

    Se kur kanë filluar këto hetime dhe nëse ka pasur pezullime në ndonjë periudhë, nuk është përgjigjur as prokurori i rastit, Valdet Gashi.

    Edhe në marsin e kaluar, që shënonte 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), PSRK nuk ishte përgjigjur se kur kanë filluar dhe se në çfarë faze ishin hetimet.

    Sipas Kodit të Procedurës Penale, afatet kohore të hetimeve janë deri në dy vjet, por që me kërkesë të prokurorit, ky afat mund të zgjatet edhe për një vit, pra në total tre vjet.

    Mirëpo, Kodi parasheh edhe disa rrethana kur mund të pezullohen hetimet.

    -Nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga ndonjë çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë,

    -Nëse është arratisur,

    -Nëse është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare ose ekzistojnë rrethana të tjera objektive në zhvillimin e hetimeve të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit.

    Koha derisa hetimi është pezulluar, nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.

    Në vitin 2016, Prokuroria Speciale kishte themeluar një Departament të Posaçëm për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga prokurorët vendorë. Para themelimit të tij, rastet më herët ishin hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

    Për krime makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje, ndër to edhe masakra ndaj familjes Jashari.

    Ndaj, familjes Jashari ishin kryer tri sulme nga forcat paramilitare serbe. Nga të dhënat, më 30 dhjetor 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

    Sulmin e dytë, forcat paramilitare serbe e kishin kryer më 22 janar 1998. Edhe kësaj beteje, familja Jashari i kishte rezistuar.

    Mirëpo, në këto luftime kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

    Sulmit të marsit i kishte shpëtuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5- 6 mars të largohet nga rrethina si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

    Në këtë sulm janë vrarë 22 anëtarë të ngushtë bashkë me Komandanti legjendar Adem Jashari, banorë të fshatit Prekaz edhe mysafirë të Kullës së Jasharëve.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin e publikuar në shtator të vitit 2020 me titull “Amnistia e krimeve të luftës në Kosovë”, ka pasqyruar kronologjikisht hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Republikën e Kosovës ku ishin trajtuar edhe sukseset dhe dështimet e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që kanë pasur dhe kanë kompetenca në fushën e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.

  • Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Me kapacitete të plota po vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, projekt ky i nisur që nga viti 2009. Ekonomia Online ka qëndruar në një segment të kësaj rruge, ku shihen dhjetëra makineri duke punuar.

    Më 8 shkurt, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “HIDROSTROY AD SOFIJA dhe ESKAVATORI L.L.C.”, kompani nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

    Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate, ministri i Infrastrukturës në Prishtinë, Liburn Aliu, ka theksuar se sipas marrëveshjes, kompanisë i është dhënë afat që punimet t’i përfundojë brenda 12 muajve.

    Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar me bashkëfinancim me Fondin Saudit të Zhvillimit, në vlerën 25 milionë euro.

  • ​SHBA ndaloi pirjen e duhanit në vendet e punës para 30 vjetësh

    ​SHBA ndaloi pirjen e duhanit në vendet e punës para 30 vjetësh

    Departamenti amerikan i Mbrojtjes më 8 mars 1994 kishte shpallur ndalimin e pirjes së duhanit në vendet e punës.

    Ky ndalim është pjesë e politikave publike, duke përfshirë këtu ligjet kriminale, ligjet e sigurisë si dhe rregullat e shëndetit. Që të gjitha këto ndalojnë pirjen e duhanit në vende të punës dhe hapësira të tjera publike.

    Këto ndalesa të konsumimit të duhanit u krijuan me qëllim që të parandalohen dëmet që u bëhen përdoruesve pasiv të duhanit (personave që nuk konsumojnë duhan mirëpo thithin tymin e tij). Sëmundjet nga të cilat këta persona rrezikon përfshijnë; probleme me zemrën, kancer, si dhe një varg sëmundjesh të tjera.

    Ky ligj është në shërbim të zvogëlimit të shpenzimeve mjekësore, të rritjes së produktivitetit në punë, si dhe bërjen e vendit të punës një vend më të pëlqyer nga njerëzit. Përfitime të tjera nga ky ligj shihen edhe; parandalimi i shkaktimit të zjarrit, pastërtia në vendin e punës, ambiente më të pastra, si dhe shumë e rëndësishme; frymëzimi i duhanpirësve për të hequr dorë nga pirja e duhanit.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë konsideron se ndalimi i duhanit në vendin e punës ka ndikim në krijimin e një ambienti ku pirja e duhanit bëhet më e vështirë, e po ashtu edhe krijimin e një mendësie ku duhani nuk shihet si i pranueshëm në jetën e përditshme.

    Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike ka ndihmuar në zvogëlimin e lindjeve të parakohshme me 10 për qind. /kp/