ATV

Author: ATVLive

  • Çifti i vdekur nga fatkeqësia me trenin në Klinë do të varrosen nesër

    Çifti i vdekur nga fatkeqësia me trenin në Klinë do të varrosen nesër

    Dy persona kanë humbur jetën pasi një kombi-bus u përplas me një tren të udhëtarëve në Krushevë e Madhe të Klinës. Viktimat e këtij aksidenti janë burrë dhe grua Fahri dhe Vlora Gjocaj.

    Curr Gjocaj, familjar i viktimave, ka njoftuar se varrimi i çiftit të cilët kanë humbur dje jetën në një fatkeqësi tragjike në Klinë, do të varroset të hënën, shkruan Gazeta Sinjali.

    Gjocaj i cili më herët ka qenë udhëheqës i SHSKUK-së i ka familjarë çiftin e vdekur në mënyrë tragjike.

    “Varrimi i çiftit FAHRI dhe VLORA (të cilët me datë 09.03.2024 humbje jetën tragjikisht) do të bëhet ditën e hënë, datën 11.03.2024”, ka thënë Gjocaj në njoftim.

    “Funerali niset në ora 13:30 nga Gasallhone-ja ndërsa varrimi në ora 14″00 në varrezat e qytetit të Pejës.

    E pamja do të jetë më datat 12 dhe 13 mars 2024 dhe fillon në ora 08″00 deri 12″00 në fshatin Baballoq, komuna e Deçanit dhe do te vazhdon pas iftarit nga ora 18″00 deri në ora 20:00 në qytetin e Pejës. Vendi i të pamës në qytetin e Pejës, do të njoftohet nesër në ceremoninë e varrimit.”, ka thënë ai.

  • Mësimi tërëditor në Ferizaj, aktualisht vetëm premtim

    Mësimi tërëditor në Ferizaj, aktualisht vetëm premtim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    10 shkolla në komunën e Ferizajt mësimin e zhvillojnë në vetëm një ndërrim. Andaj, këto shkolla shihen si potencial që në to të zhvillohet mësimi tërëditor.

    Ndonëse kishte premtim që në së paku dy shkolla të fillojë ky koncept, në këtë aspekt për diçka të tillë s’ka asgjë konkrete.

    Megjithatë, si pilot-projekt Drejtoria e Arsimit në Ferizaj shpreson të fillojë në vitin e ri shkollor.

    “Po besoj që mund të jetë viti i ardhshëm shkollor, thjesht do ta bëjmë një pilot-projekt për të parë nëse mund të vazhdojmë tutje dhe çfarë mund të bëjmë, sepse janë edhe gjërat e tjera, siç është ushqimi për nxënësit e të tjerë”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.

    Por kritika ka shoqëria civile. Sipas aktivistëve, shndërrimi i shkollave për nevojat e mësimit gjithëditor ka mundur të realizohet kaherë.

    Ndërkohë, në fushën e arsimit deri më tani janë përmbushur disa nga planet e kësaj komune, derisa gjithsej në Ferizaj janë 60 institucione edukative arsimore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Komisionit hetimor për rezerva afër fundit, pa rezultate

    Komisionit hetimor për rezerva afër fundit, pa rezultate

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Dyshimet që i patën për keqpërdorimet me rezerva shtetërore, deputetët e opozitës vështirë se do të mund t’i zbardhin.

    Komisionit Hetimor Parlamentar, që u krijua për këtë qëllim në shtator të vitit të kaluar, i kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë deri në përfundim të mandatit.

    Kryetari i komisionit, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike, tregon se janë ende në faza të hershme të punës.

    “Sigurisht që nuk është punuar mjaftueshëm, në kemi arritur t’i caktojmë ekspertët në punë e këtij komisioni, ekspertet janë të rëndësishëm sidomos për hartimin e raportit përfundimtar, presim të caktojmë edhe listën e dëshmitarëve të mundshëm por me kohë jemi në një situatë jo të mirë”, tha Qalaj.

    Këtu nuk erdhi radha as të intervistohet ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, si subjekti kryesor i kritikës opozitare. Kjo u pamundësia qëllimshëm nga pushteti, sipas Valentina Bunjakut nga Lidhja Demokratike.

    Komisioni kishte dështuar të konstituohej në shtatë mbledhjet e para, në mungesë të kuorumit.

    “Puna e këtij komisioni është i dështuar shkak mazhoranca, ne e kemi bërë të pamundurën por tash na kanë mbetur vetëm edhe dy jave dhe nuk kemi kohë për me hetu diçka, kërkesa në dokumentacion u pengu e të mos flasim për zbardhjen e së vërtetës”, tha Bunjakut.

    Pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit hetimor, deputetët e Vetëvendosjes e patën kushtëzuar me një veprim tjetër në kuvend.

    “Sigurisht komisioni hetimor nuk ka arritur të bëjë punën e vet shkak bojkoti ynë që ka qenë i njohur publikisht që ne nuk marrim pjesë në komision për shkak të bllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtarë më pas pati reflektim nga ana një pjesë e opozitës por më pas atyre ju ra vullneti”, tha Halil Thaçi, anëtar i komisionit nga LVV.

    Në gusht të vitit të kaluar, Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë Tregtisë, dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, u arrestuan nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të dy gjatë një bisede të incizuar pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

    Gjykata e Apelit përmes një vendimi i kishte liruar dy dyshuarit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Minatorët pa paga, miniera pa naftë e eksploziv, flotacioni pa reagenca

    Minatorët pa paga, miniera pa naftë e eksploziv, flotacioni pa reagenca

    Përgatiti: Armand Hoti

    Syfyri i parë i muajit të Ramazanit, Miftar Mehmeti po e zë pa e marrë rrogën nga puna në minierën e Trepçës.

    “Së pari për syfyr nuk se çfarë të iu servojë fëmijëve”, tha Mehmeti.

    Edhe pse është dita e dhjetë e marsit, ndërmarrja “Trepça”, nuk i ka ekzekutuar ende pagat për rreth 1200 punëtorët e saj.

    Mehmeti thotë se kjo po e detyron të hyjë në borxhe.

    “I kam disa kolegë, disa bashkëluftëtar të mi në diasporë iu kam kërkuar 200 euro hua një bashkëluftëtari tim, mi ka dërguar, ato 200 euro i kam ndarë në tre pjesë me kolegë të mijë të “Trepçës””, tha Mehmeti.

    Ndërkaq sindikalistët thonë se menaxhmenti e ka shkelur marrëveshjen e nëntorit, që rezultoi me ndërprerjen e grevës dhjetëditore të punëtorëve të nëndheshëm të Stan Tërgut.

    “Pika e dytë në fillim është zbatuar deri më tash. Mirëpo, sot është data dhjet ende nuk janë pagat nuk e di kur do të dalin”, tha Gani Osmani, minator.

    Megjithatë, sipas kryeshefit të “Trepçës”, Bashkim Kurti, minatorëve do iu shpaguhet mundi i shkurtit, të hënën.

    “Sa i përket pagave, nesër do paguhen pasi që i kemi siguruar mjetet”, tha kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.

    Minatorët, e mbyllën muajin e kaluar, duke eksploatuar mbi 14 mijë ton xehe. Por, marsin nuk e nisën mbarë.

    Është bërë rreth një javë që kur furnizimi i minierës me derivate e eksploziv është ndërprerë totalisht, kurse flotacionit iu ndërpre furnizimi me reagenca.

    Për ATV-në, kryeshefi tha se kanë borxhe ndaj furnitorëve.

    “Komisionet e pranimit të furnizimeve nuk i kanë pranuar naftën dhe reagencat për shkak të mospajtushmërisë me kontratën. Ndërsa sa i përket municionit nuk e kemi pranuar për faktin se kemi obligime të mëdha të prapambetura e që besoj se nesër do paguhen pjesërisht për të pasur mundësi furnizimi dhe pune në miniera”, tha Kurti.

    Mosfunksionimi i minierës dhe flotacionit më të madh në Kosovë, nënkupton humbje për vet ndërmarrjen.

    Në total, borxhi i “Trepçës” ndaj furnitorëve është mbi gjashtë milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 25 zyrtarëve policorë iu ndërpre marrëdhënia e punës në 2023-tën

    25 zyrtarëve policorë iu ndërpre marrëdhënia e punës në 2023-tën

    Përgatiti: Driton Sadiku

    25 zyrtarëve policorë iu është ndërprerë marrëdhënia e punës, gjatë vitit të kaluar. Por, për disa vlerësohet se iu bë e padrejtë meqë u ndëshkuan vetëm se ndaj tyre kishte procedurë penale.

    Sipas ish-policit, tashmë avokat, Muhamet Mujaj, ka disa raste kur policët janë përjashtuar jashtëligjshëm, vetëm për dëmtim imazhi, pa pasur vendim final nga organet e drejtësisë.

    “Nuk i takon asnjë institucioni që t’i largojë policët nga puna vetëm se është duke u zhvilluar rasti penal dhe në polici i është hapur rast disiplinor, e që dispozita është e qartë ku thotë, derisa nuk ka epilog të rastit penal, atëherë çdo procedurë tjetër e brendshme ndërpritet”, tha Mujaj.

    Shqetësuese mbetet edhe për sindikatën që mbron interesat e policëve.
    Sipas sindikatës, janë të shumta rastet kur zyrtarët policorë në fund dalin të pafajshëm.

    “Kemi shumë raste për të cilat vetë prokurori i ka ndërprerë hetimet në mungesë të provave, edhe pse zyrtarët policorë kanë qenë të arrestuar dhe më pas ka rezultuar se nuk ka asnjë provë për veprat për të cilat janë dyshuar, dhe në vazhdimësi, pra të njëjtit zyrtarë kanë hyrë në procedura disiplinore apo janë shqiptuar masa të rënda disiplinore për ata zyrtarë”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

    Përveç tyre, janë edhe 71 zyrtarë të tjerë ndaj të cilëve është aplikuar masa e suspendimit nga puna.

    Policia e Kosovës aktualisht numëron mbi 9000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shtrenjtohet buka në disa furra në Prishtinë

    Shtrenjtohet buka në disa furra në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Çmimorja ka ndryshuar përnjëherë, në disa furra të kryeqytetit.

    Produktin kryesor në to, bukën, qytetarët tash e tutja do ta blejnë më shtrenjtë.

    Nga 50 cent sa ishte, një bukë 500 gramëshe, tash po kushton 60 centë.

    Qytetarët që blejnë këtu, janë të shqetësuar dhe këtë çmim e vlerësojnë të paarsyeshëm, derisa tregojnë që janë shtrenjtuar edhe produktet tjera të miellit.

    Këta thonë se shtrenjtimi i bukës do t’ua rëndojë mirëqenien.

    Ndërsa një qytetar propozon që qeveria të ndërhyjë sa më shpejt që të ndalohet shtrenjtimi i mëtejmë.

    “Duhet të bëhet çmimi tavan të jetë njësoj gjithkund sepse tregu i lirë vetëm po e rëndon xhepin e qytetarëve”, tha Hysni Hashani, qytetar.

    Pronarët e furrave nuk pranuan të deklarohen para kamerës, që të tregojnë pse e kanë marrë vendimin për rritjen e çmimeve. Vendimi kolektiv për shtrenjtim të një produkti është shkelje e ligjit.

    Ndërkohë, në shumë furra të kryeqytetit, çmimi i bukës vazhdon të jetë i njëjtë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Myftiu lutet për ndalje të luftërave në tërë botën

    Myftiu lutet për ndalje të luftërave në tërë botën

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Krahas përkushtimit ndaj Zotit, myftiu Naim Tërnava po i thërret besimtarët myslimanë që në Ramazan të jenë të mirë edhe me njëri-tjetrin, e sidomos me ata që kanë nevojë.

    Ky është mesazhi që kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës po e përçon në konferencën e së dielës, një ditë para se të nis agjërimi i Ramazanit.

    “Në këtë natë të madhe, në këtë atmosferë hyjnore ftoj besimtarët tanë kudo që janë që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve. Duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet mes vete”, tha Tërnava.

    Përveç lutjeve për Kosovën, Tërnava lutet që të ketë paqe në tërë botën.

    “Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet. Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund”, tha Tërnava.

    Kurse përgjigjet ndaj çështjeve fetare, tha se duhet të kërkohen vetëm tek burimet kredibile të fesë.

    “Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh dhe të Pejgamberit Muhammed a.s, të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve islame të shtetit tonë”, tha Tërnava.

    Muaji i Ramazanit është periudha kur besimtarët përmbahen rreptësisht nga ngrënia, pirja dhe kënaqësitë trupore, që nga lindja e Diellit e deri në perëndim të tij.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ramazani i 78-të për të moshuarin prishtinas

    Ramazani i 78-të për të moshuarin prishtinas

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Është në gjendje të mirë, të vijë në xhami për ta falur namazin.

    Madje Zymer Mehmeti thotë se gëzon shëndet të mirë që t’ia nis edhe agjërimit, të hënën, edhe pse i ka 96 vjet. E ky do të jetë Ramazani i 78-të që e mban.

    Mehmeti tregon se vetëm një herë gjatë kësaj kohe, nuk arriti të agjëronte.

    Për ta pritur më me atmosferë muajin e rëndësishëm të myslimanëve, u zbukuruan oborret e disa xhamive në kryeqytet e u bë shpërndarje e pakove ushqimore.

    Në xhaminë “Bedri Kamberi” çdo mbrëmje do të shtrohet edhe iftar.

    Përveç objekteve fetare, u zbukuruan edhe disa rrugë nga Komuna e Prishtinës.

    Ramazani zgjat 30 ditë, ndërsa festa e Fitër Bajramit do të jetë më 10 prill.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Haziri: Nga sanksionet e BE-së, Kosova humbi mbi 400 milionë euro

    Haziri: Nga sanksionet e BE-së, Kosova humbi mbi 400 milionë euro

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se dëmi që i është shkaktuar Kosovës pas vendosjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar për mos de-përshkallëzim të situatës në veri, ka shkuar në mbi 400 milionë euro.

    “Masat ndëshkuese ekzistojnë në Kosovë, efekti financiar ka kaluar 420 milionë euro, ka filluar me 270, por kur ngrihen fondet financiare ndëshkimet shkojnë duke u rritur. Ne duhet të punojmë shumë për largimin e masave ndëshkuese që ka Kosova. Po vjen koha që nuk ka kush na largon masat në Evropë. Mund të shtohen, por të largohen është problem, sepse duhet harmonizim mes 27 shteteve”, tha Haziri në një konferencë për media në Gjilan.

    Haziri është pyetur edhe për takimin mes terroristit Milan Radoiçiq dhe ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, derisa ka shtuar se kjo nuk është befasi për të, meqë sipas tij, “Serbia është strehë e terroristëve”.

    “Serbia nuk është vetëm burim i de-stabilizimit dhe financuese e terrorizmit, por ajo është strehuese e terrorizmit dhe nuk është befasi takimi i ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq me Radoiçiqin. Pse duhet të na befasoj kjo situatë?”, ka pyetur ai.

    I dyti i LDK-së ka folur edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe.

    “Çështja e dinarit po përfundon si çështja tabelave dhe asaj të energjisë. Ka një kokëfortësi deri në një periudhe të caktuar, mandej përkthehet me tërheqje prapa. Është thënë që nuk takohemi fare për dinarin, tani po del kanë diskutuar dhe janë takuar”, theksoi Haziri.

  • Krasniqi për vrasjen e Nimanit: Ishte sportist i jashtëzakonshëm, vdekja e tij na shkaktoi dhimbje

    Krasniqi për vrasjen e Nimanit: Ishte sportist i jashtëzakonshëm, vdekja e tij na shkaktoi dhimbje

    Mbrëmë ish-boksieri profesionist, Besar Nimani u vra në Bielefeld të Gjermanisë nga disa persona të panjohur.

    E përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka reaguar edhe legjenda e boksit shqiptar, Luan Krasniqi.

    Krasniqi thotë se Nimani ka qenë një sportist i jashtëzakonshëm dhe me meçet e zhvilluara e kishte bërë krenar gjithë shqiptarinë.

    “Sot mora lajmin tronditës për vrasjen e Besar Nimanit, këtij sportisti të jashtëzakontë. Fisnikëria dhe burrëria e tij në sport dhe në jetë më kanë bërë përshtypje të madhe. Me fitoret e tij të shumëta dikur na bënte krenarë, kurse sot me vdekjen e tij tragjike na shkaktoi dhembje e dëshprim të madh. Familjes së tij të gjerë dhe fansave të tij të shumtë iu shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta”, shkruhet në postimin e Luan Krasniqit

    Kujtojmë që Besar Nimani gjatë karrierës së tij në boks nuk kishte asnjë humbje, madje në 27 meçe, ai kishte fituar 26 herë.