ATV

Author: ATVLive

  • Ndërron jetë mjeku vushtrrias, Fehmi Haxhaj

    Ndërron jetë mjeku vushtrrias, Fehmi Haxhaj

    Ka ndërruar jetë doktori Fehmi Haxhaj. Dr. Haxhaj kishte punuar për një kohë të gjatë në QKMF në Vushtrri.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Haxhaj, pas ndarjes nga jeta të familjarit të tyre.

    Në telegramin e ngushëllimit, kryetari Idrizi thekson se bashkëndjen dhimbjen me familjen Haxhaj për humbjen e tyre. Derisa vlerësoi lartë kontributin që doktor Fehmi Haxhaj, ka dhënë për shëndetësinë vushtrriase.

  • ‘Oppenheimer’ triumfon në ceremoninë e çmimeve OSCAR

    ‘Oppenheimer’ triumfon në ceremoninë e çmimeve OSCAR

    Oppenheimer, filmi biografik që paraqet përpjekjet për ndërtimin e bombës së parë atomike, mori 7 çmime OSCAR, përfshirë edhe çmimin si filmi më i mirë i vitit.

    Protagonisti i filmit, irlandezi Cillian Murphy, u vlerësua me OSCAR si aktori më i mirë për rolin e fizikantit J. Robert Oppenheimer, që ndërtoi bombën e parë bërthamore në vitin 1940 për SHBA-në dhe që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    “Ne bëmë një film për njeriun që krijoi bombën e parë atomike dhe për mirë apo për keq ne po jetojmë në botën e Oppenheimer”, tha aktori, përcjell KultPlus.

    Regjisori i filmit, Christopher Nolan u vlerësua gjithashtu me OSCAR për regjinë.

    Filmi Oppenheimer ka arkëtuar deri tani 953.8 milionë dollarë.

    Ndërkohë, OSCAR fitoi edhe Emma Stone, si aktorja më e mirë për rolin e një gruaje të ringjallur nga të vdekurit në filmin “Poor Things”.

    Ky është OSCAR-i i dytë për Emma Stone, që e fitoi edhe në vitin 2016 si aktorja më e mirë për filmin muzikal “La La Land”.

  • Politika e re industriale dhe industria e luftës

    Politika e re industriale dhe industria e luftës

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Jo shumë kohë më parë, parashikimet për rritjen ekonomike globale ishin shumë optimiste, duke përfshirë këtu edhe rritjen e vendeve në zhvillim. Kjo, sepse rritja ekonomike ishte në kahun e rritjes, varfëria ekstreme ishte ulur në mënyrë drastike dhe dukej se kishte dalë në pah një konsensus i qartë për krijimin e një strategjie rritjeje bazuar në integrimin në ekonominë botërore.

    Por, ky konsensus duket se tashmë “është shkatërruar” nga disa zhvillime. Disa prej tyre ishin në kryerje e sipër për një kohë të gjatë. Ndryshimet teknologjike kanë sjellë veçanërisht ndryshime në sektorin e prodhimit, duke kërkuar nivele të larta aftësie dhe kapitali dhe duke u larguar gjithnjë e më shumë nga fuqia punëtore. Një gjë e tillë zbeh efikasitetin e industrializimit si strategji e rritjes. Aftësia e strategjisë së rritjes për të thithur fuqinë punëtore u reduktua në të njëjtën kohë kur avantazhi krahasues i vendeve në zhvillim u dobësua.

    Vetë pandemia shpejtoi dhe bëri të dukshme trende të tjera, më të hollësishme. Me rritje që ishte në rënie, problemet e borxhit të vendeve në zhvillim u bënë shkatërrimtare dhe vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare të ulëta humbën qasjen në tregjet financiare. Konkurrenca gjeopolitike mes SHBA-ve dhe Kinës dhe kundërpërgjigja e ngadalshme kundër hiper-globalizimit transformoi peizazhin ekonomik global dhe bëri ekonominë botërore më pak mikpritëse për rritjen përmes tregtisë. Me rritjen e të ardhurave në vendet e zhvilluara, pati një zhvendosje nga produktet e prodhuara drejt shërbimeve, duke bërë që pjesa e prodhimit global në industri të ishte në rënie. Kriza e ardhshme e ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni i detyrueshëm i gjelbër preku sektorët bujqësorë në shumë vende në zhvillim në një mënyrë negative. Gjithashtu, po të konsiderojmë edhe problemet dhe krizën e shkaktuar nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe vazhdimit të konfliktit në Gaza, sidomos në ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit me lëndë të para dhe produkte ushqimore, panorama e zhvillimeve është më e qartë.

    Duket se strategjitë që kanë funksionuar mirë në të kaluarën nuk pritet të kenë sukses në dekadat në vijim. Teknologjitë e reja, sfidat klimatike dhe rikonfigurimi i globalizmit kërkojnë një qasje të re për zhvillimin, duke theksuar dy fusha kritike: tranzicionin e gjelbër dhe shërbimet që thithin fuqinë punëtore. Fatkeqësisht nuk ka receta të gatshme apo modele të suksesshme për të imituar. Përballja e drejtpërdrejtë me këtë sfidë do të kërkojë gjithashtu ndërtimin e kapaciteteve më të mëdha për të mësuar për mundësitë e reja, kufizimet, se çfarë funksionon dhe çfarë jo, dhe se si qeveritë eksperimentojnë me politika të reja në disa fronte.

    QASJE E RE STRATEGJIKE NDAJ ZHVILLIMIT EKONOMIK

    Në këtë situatë politika e re industriale, tranzicioni i gjelbër, (energji, bujqësi) shërbime (turizëm, shërbime financiare që sjellin punësim), ekonomia blu dhe ajo cirkulare u shndërruan në çështje debati e diskutimi si mundësi zhvillimi të qëndrueshëm. Por, këtu do të fokusohem vetëm te politika e re industriale si domosdoshmëri e zhvillimit të qëndrueshëm.

    Zhvillimi ekonomik i shpejtë dhe i qëndrueshëm kërkon, kështu, një strategji eksplicite. Elementi i përbashkët që kalon nëpër të gjitha rastet e rritjes së shpejtë dhe të qëndrueshme të kohës sonë ishte strategjia e industrializimit. Gjatë periudhës së hershme pas Luftës së Dytë Botërore, kjo strategji ishte industrializimi zëvendësues i importit (IZI, i njohur si ISI). Duke kombinuar ndërhyrjen e fortë shtetërore me pengesat ndaj importeve, ISI u përqendrua në ndërtimin e kapacitetit të prodhimit vendës – fillimisht mallra konsumatore, më pas industrisë së produkteve të mesme dhe kapitalit. Ky model i industrializimit të orientuar në eksport (IOE njohur ndryshe si EOI) në Azinë Lindore u vërtetua më i qëndrueshëm dhe në fund u shndërrua në modelin që duhej imituar për vendet që pranonin qasje më të orientuara nga tregu nën ndikimin e Konsensusit të Uashingtonit. Ndonëse besnik ndaj përqendrimit të tregjeve dhe kundër ndaj “ndërhyrjes” së qeverisë, Konsensusi i Uashingtonit u përqendrua kryesisht në “themeloret” – investimet në arsim, qeverisje dhe stabilitetin makroekonomik – dhe minimizoi strategjitë e transformimit strukturor, që ishin thelbësore për suksesin e vendeve të Azisë Lindore, duke përfshirë rolin e politikave të qarta tregtare dhe industriale (të përdorura në Azinë Lindore) për të nxitur të mësuarit dhe industritë e reja. Kryesisht për shkak të këtyre faktorëve, përfitimet e rritjes së pritur nga Konsensusi i Uashingtonit nuk rezultuan siç pritej.

    Kina ishte historia më e rëndësishme e suksesit të modelit të Azisë Lindore. Pas vitit 1978, qeveria kineze i dha përparësi rritjes ekonomike, strategjia e saj kombinoi stimujt tregtarë me organizime institucionale shumë të jashtëzakonshme – sistemi i përgjegjësisë familjare dhe çmimet e dyfishta në bujqësi, ndërmarrjet e komunave dhe fshatrave dhe zonat ekonomike të veçanta – për të nxitur ndryshimin strukturor, diversifikimin produktiv dhe aftësitë e reja. Politikat industriale që promovonin veprimtaritë e reja të prodhimit ishin një pjesë kritike e suksesit kinez. Kina ishte përfituese e globalizimit të rritur, por e luajti lojën kryesisht sipas rregullave të saj.

    Në vitet 1990, globalizimi kishte arritur maja të reja. Nën modelin e ri të hiper-globalizimit, heqja ose të paktën reduktimi i kostove të transaksioneve në tregtinë ndërkombëtare, financat dhe investimet (“integrimi i thellë”) u bënë objektivat kryesore të politikës ekonomike. Zvogëlimi i këtyre kostove së bashku me përparimet teknologjike bënë që zinxhirët globalë të vlerave (ZGV-t njohur ndryshe si GVC-s) të bëhen forca kryesore që i jep formë prodhimit global. Megjithatë, ashtu si integrimi ekonomik global, EOI dhe GVC-të u bënë pjesët kryesore të strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe përfitimet e tyre po kërcënoheshin nga një proces i “deindustrializimit të parakohshëm” në vendet në zhvillim. Shkaku kryesor ishin ndryshimet teknologjike në prodhim, që favorizojnë fuqinë punëtore të kualifikuar dhe investimet kapitale. Këto ndryshime rritën ndjeshëm produktivitetin e punës në ekonomitë e avancuara prej ku burojnë risitë. Por ato gjithashtu zvogëluam avantazhin krahasues të ekonomive me të ardhura të ulëta në prodhimtarinë tradicionalisht intensive të punës. Standardet e cilësisë dhe teknologjisë të vendosura nga firmat kryesore në GVC-të e bënë prodhimin intensiv të punës në sektorët e orientuar nga eksporti edhe më pak të zbatueshëm.

    Rezultati ishte se sektorët e prodhimit formal konkurrues global në vendet në zhvillim pushuan së qeni sektorë që thithin fuqinë punëtore. Ata u kthyen në sektorë “enklava”, ku mund të punësoheshin shumë pak nga ata që ishin me kualifikim të ulët. Në vendet ku prodhimi në sektorin e prodhimit mbeti i qëndrueshëm, punësimi në prodhim u tkurr (si pjesë e punësimit total).

    Transformimi strukturor është dinamika kyçe që shtyn rritjen ekonomike të shpejtë. Ndërsa punëtorët kalojnë nga sektorët me produktivitet të ulët në ato me produktivitet më të lartë, ata rrisin fitimet e tyre, produktiviteti i përgjithshëm rritet dhe zhvillohet rritja ekonomike. Pyetja kryesore strategjike që duhet të marrë përgjigje për të nisur këtë proces është: nga do të burojnë punët më të mira dhe më produktive? Ndërsa prodhimi do të mbetet një sektor i rëndësishëm për shumicën e vendeve, nuk besojmë se mund të jetë protagonist i rritjes ekonomike, ashtu siç ishte në Azinë Lindore dhe ekonomi të tjera të suksesshme të së kaluarës. Industritë (Politika e re industriale) dhe tranzicioni i gjelbër – shërbimet e gjelbra (turizmi, bujqësia, energjia e gjelbër dhe shërbimet e financiare për rastin e vendit tonë) duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në plotësimin e zbrazëtirës, veçanërisht në dekadat e ardhshme. Prandaj, në funksion të politikave buxhetore dhe mbështetjes nga programi i zhvillimit dhe lehtësimit të BE-së vazhdimi i ristrukturimit të ekonomisë sipas kushteve dhe faktorëve të rinj të shfaqur në ekonomi dhe zhvillimi i projekteve në funksion të këtij qëllimi do të ishte domosdoshmëri, do të nxiste më shumë zhvillimin ekonomik dhe integrimin në tregun rajonal dhe europian.

    Ekonomia e luftës-industria ushtarake

    Ndërsa debatet (jo vetëm në vendet në zhvillim, përfshi dhe vendet e rajonit tonë, por më gjerë) për fillimin e politikave të reja industriale po zinin gjithnjë e më shumë vend, filluan të argumentohen teorikisht dhe jo vetëm, por të zbatohen dhe praktikisht, zhvillimi i dhe përmes “Ekonomisë së luftës” dhe zhvillimit të “industrisë ushtarake”, skenar ky që po përflitet edhe në vendet e rajonit tonë. Ajo po merr më shumë kuptimin e vet, pasi një luftë ka shpërthyer vërtet këtë herë në zemër të Evropës. Një luftë e vërtete, me gjithë pasojat e saj humanitare, ekonomike, sociale, energjetike, të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me drithëra e produkte ushqimore, me lëndë të para, me rritje të “çmenduara” të çmimeve dhe rritje të inflacionit, tregje të tronditura dhe në ridimensionime të reja etj.. Dhe kjo është lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka hyrë në vitin e tretë dhe që pasoi një lufte globale, e nisur prej gati dy vite e gjysmë, ajo kundër një “armiku të padukshëm” – pandemia e COVID-19. Në këtë klime politiko-ekonomiko globale ka lindur diskutimi i skenarëve të “ekonomisë së luftës”. Dhe kur ky nocion i kalon nivelet e ekspertëve apo institucioneve dhe del nga “goja” e liderëve politikë, nuk mund të mos konsiderohet. Por edhe një herë çfarë kuptojmë me “ekonomi të luftës”?

    KONCEPTI I “EKONOMISË SË LUFTËS”

    “Ekonomia e luftës” janë veprimet e ndërmarra nga një shtet për të mobilizuar ekonominë e tij në prodhim gjatë periudhës së luftës. Philippe Le Billon e përshkruan “ekonominë e luftës” si më poshtë: “Sistemi i prodhimit, mobilizimit dhe shpërndarjes së burimeve për të mbështetur dhunën (luftën) është një ekonomi lufte”. Për sa i përket kërkesës agregate, ky koncept është lidhur me “kejnsianizmin ushtarak”, ku buxheti i mbrojtjes stabilizon ciklin ekonomik në kushtet kur ekonomia hyn në recesion, duke riorientuar të gjitha politikat ekonomike të zhvillimit. Kjo është vërtetuar edhe gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. (Krijimi i Bordit të Industrive të Luftës (WIB) për të ndihmuar prodhimin ushtarak në SHBA gjatë Luftës së Parë Botërore, gjithashtu në Luftën e Dytë Botërore, SHBA u detyrua të hynte në një ekonomi lufte pas sulmit japonez në Pearl Harbor, apo fakti që Lufta e Dytë Botërore filloi me faktin se nazizmi prezantoi një politikë të re riarmatimi në kundërshtim me Traktatin e Versajës dhe Rajhu i Tretë zbatoi një zgjerim ushtarak duke rritur numrin e fabrikave ose transformimin e atyre ekzistuese në funksion të luftës)

    Në kohën e sotme duket se periudha e çarmatimit po mbaron dhe një garë e re armatimesh po rishfaqet. Kështu, një tipar tjetër i një “ekonomie luftarake” konsiston pikërisht në rritjen e shpenzimeve ushtarake (prodhimit ushtarak). Në këtë mënyrë, rritja e prodhimit ushtarak po bëhet tipar i ekonomisë së sotme – ekonomisë së luftës. Kjo duket në rritjen e shpenzimeve ushtarake jo vetëm në shtetet më të fuqishme SHBA, Kina, Rusia, Gjermania, Franca dhe vendet e NATO-s, por edhe në shumë vende të tjera. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe sa kohë që shkalla e pasigurisë është rritur si shkak i sulmit rus në Ukrainë, konfliktit në Gaza etj.. Rritja e këtyre shpenzimeve ka vënë në lëvizje industrinë e luftës, shtimin e prodhimit dhe tregtimit të armatimeve. Në aspektin afatshkurtër duket se kjo lloj politike mund të japë një shtysë në zhvillimin ekonomik, por në atë afatmesëm e afatgjatë mund të shndërrohet në burim krize ekonomike, financiare e sociale, në disa vende. Riaktivizimi i industrisë ushtarake në vendin tonë (që realisht është thuajse e shkatërruar), në kushtet e reja të krijuara për nevoja të brendshme, të rritjes së sigurisë (por edhe të jashtme në kuadër të NATO-s), kujtojmë këtu Samitin për Ukrainën, duhet të konsideroj mirëkuptimin dhe mbështetjen financiare dhe teknologjike nga aleatët, NATO, kryesisht (siç ishte rasti i Aeroportit të Kuçovës) dhe sipas mundësive dhe nga buxheti ynë. Kjo do të mundësojë vazhdimin të pacenuar të programit tonë të ristrukturimit dhe zhvillimit dhe të zbatimit të politikes së re industriale, të programeve sociale, në funksion të integrimit ekonomik rajonal e europian.

  • KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    KQZ sot shqyrton vendimet për proces zgjedhor në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhje. Pjesë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për shkurtimin e afateve të rregullta zgjedhore.

    Përkatësisht ky shqyrtim ndërlidhet me votimim për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet me datën 21 prill 2024.

    Tutje KQZ ka bërë të ditur se do të shqyrtojë edhe miratimin e platit të aktiviteteve për procesin e votimit, planin e informimit publik, kalendarin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe raportin e plotësuar të verifikimit të nënshkrimeve të peticionit.

  • Voziti 253 km/h në zonën 100 km/h, shoferi gjobitet me 300 euro

    Voziti 253 km/h në zonën 100 km/h, shoferi gjobitet me 300 euro

    Është gjobitur një burrë me 300 euro dhe me tre muaj ndalim drejtimi të automjetit, ku i njëjti në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 100 km/h ka vozitur me shpejtësi 253 km/h.

    Kështu bëri të ditur policia përmes një njoftimi në Facebook.

    “Njësia për Kontroll të Autostradave në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 100 km/h ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin me shpejtësi 253 km/h, i njëjti është gjobitur me 300€ dhe 3 muaj i është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në njoftim.

  • ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    ​Escobar viziton Kosovën këtë javë: Në fokus dialogu dhe dinari

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.

    Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit. Ai pritet të jetë në Prishtinë nga e mërkura.

    “Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.

    Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

    Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

    “Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar më 23 shkurt.

    SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

    Departamenti i Shtetit tha se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë, përveç zyrtarëve qeveritarë.

    “Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme dhe për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa”, thuhet në njoftim.

    Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, filloi të zbatohet nga 1 shkurti.

    Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Rregullorja është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

    Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

    “Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.

    Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

    Ndërkohë, në Belgjikë, Escobar do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak dhe me zyrtarë evropianë dhe të NATO-s për të biseduar “për përpjekjet për t’i çuar përpara reformat të cilat do të sjellë prosperitet, stabilitet dhe paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

  • Gjenden të vdekur pesë skiatorët në Alpet zvicerane, një tjetër ende i zhdukur

    Gjenden të vdekur pesë skiatorët në Alpet zvicerane, një tjetër ende i zhdukur

    Trupat e pesë skiatorëve që janë raportuar të zhdukur janë gjetur pa shenja jete në Alpet zvicerane. Autoritetet janë ende në kërkim të një personi të gjashtë.

    Ata ishin nisur nga Zermatt, shtëpia e malit të famshëm Matterhorn, në një turne skish drejt Arollës përgjatë kufirit zvicerano-italian, raporton BBC.

    Pesë nga gjashtë skiatorët u gjetën në orën 21:20 me orën lokale “pa asnjë shenjë jete”, tha një deklaratë nga policia zvicerane e kantonit Valais.

    Siç raportohet, skiatorët ishin të gjithë shtetas zviceranë dhe ishin të moshës nga 21 deri në 58 vjeç.

    Policia lokale tha se ekipet ishin alarmuar, por moti i keq po pengonte operacionin.

  • ​Xhaka: S’kemi fituar ende asgjë, janë edhe nëntë finale

    ​Xhaka: S’kemi fituar ende asgjë, janë edhe nëntë finale

    Mesfushori i Bayer Leverkusen, Granit Xhaka tha të dielën se ai ka shfrytëzuar dhimbjen e humbjes së titullit të Premierligës vitin e kaluar me Arsenalin si motivim në rrugën drejt tiullit kampion me Bayer Leverkusenin ne Bundesligë.

    Leverkusen mundi Ëolfsburgun me 10 lojtarë me rezultat 2-0 në shtëpi për të rikthyer epërsinë e tyre ndaj Bayern Munich të vendit të dytë në 10 pikë me nëntë ndeshje të mbetura deri ën fund të sezonit, duke e vendosur skuadrën e Xabi Alonsos në rrugën e duhur për titullin e parë në histori.

    Xhaka iu bashkua Leverkusenit nga Arsenali në verë. Sezonin e kaluar, Arsenali në një moment kishte një avantazh prej tetë pikësh në krye të tabelës së Premier Ligës, por përfundimisht e humbi titullin duke ia dorëzuar atë Manchester Cityt.

    “Është sinqerisht e vështirë të përshkruash ndjenjën me fjalë, kur je përballë për kaq shumë kohë, por më pas kapesh, si vitin e kaluar me Arsenalin”, tha Xhaka.

    “Shpresoj që të mos ndodhë më, kemi nëntë ndeshje, nuk kemi fituar ende asgjë. Duhet të vazhdojmë të punojmë, të qëndrojmë gati. Ne e dimë se javët e ardhshme do të jenë brutalisht të rëndësishme për ne.”, shtoi reprezentuesi zviceran, përcjellë KosovaPress.

    “Ne kemi pasur presion që nga ndeshja jonë e parë. Pavarësisht nëse të tjerët fitojnë apo jo, ne duhet të bëjmë punën tonë. Kanë mbetur nëntë ndeshje për të përfunduar, sot ne hodhëm hapin e parë. Tani, ne do ta kthejmë fokusin tonë tek e enjtja dhe Freiburg”, tha në fund Xhaka.

    Leverkusen pret Qarabag në Ligën e Evropës të enjten, duke e ditur se fitorja do t’i dërgonte në çerekfinale.

  • ​Plagosen tre persona në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    ​Plagosen tre persona në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    Pas një mosmarrëveshje një person në Gjakovë ka plagosur tre persona me armë zjarri. Sipas Policisë së Kosovës të plagosurit janë dërguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

    “I dyshuari ndodhet në arrati, rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Programi “Sport në shkolla” zgjon interesim të madh të të rinjve për sport

    ​Programi “Sport në shkolla” zgjon interesim të madh të të rinjve për sport

    Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor, po vazhdojnë ta implementojnë pilot projektin për basketbollin 3×3 në shkolla në kuadër të programit qeveritar ‘Sport në Shkolla’.

    870 nxënës nga 14 shkolla të ndryshme të Kosovës është numri i deritanishëm i fëmijëve që kanë shpreh interesim për basketbollin 3×3, dhe kjo tregon më së miri për punën që po e bëjnë në terren menaxherët e projektit nga dy federatat, koordinatorët dhe arsimtarët për masivizimin e basketbollit 3×3.

    Inkuadrimi dhe praktikimi i sportit të basketbollit 3×3 si aktivitet jashtëkurrikular si dhe organizimi i garave, janë disa nga komponentët e fazës pilotuese të programit ‘Sporti në Shkolla’, i cili synon që në të ardhmen të zgjerohet në më shumë sporte (aktualisht është edhe shahu) si dhe në më shumë shkolla dhe komuna.