Ragip Jashari, njëri nga bashkëluftëtarët e momenteve të fundit të Adem Jasharit, ka ndërruar jetë.
Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij në rrjetin social Facebook.
“Familjar, miq, bashkëluftëtarë, shokë e dashamirë, me pikëllim te thellë ju njoftojmë se sot me (14.03.24) ka ndrru jetë axha, Ragip Jashari”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
Ragip Jashari nga Prekazi, kishte luftuar përballë forcave serbe së bashku me Adem Jasharin.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 12.49 gramë substancë narkotike marihuanë dhe 1.49 gramë kokainë në një banesë në Prizren.
Sipas policisë i dyshuari është arrestuar pas kontrollit të banesës së tij.“Po ashtu në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe 3 telefona celularë, një thikë, një sprej, një veturë dhe 137 euro para të gatshme”, thuhet në raportin e policisë.
Në njoftim është bërë e ditur se gjatë zhvillimit të rastit janë identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati. Ndërkaq rasti mbetet nën hetime.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për Manastirin e Deçanit.
Ajo e quajti të pafalshme, “humbjen” që kryeministri i vendit Albin Kurti ia bëri Kosovës.
“Vazhdoj të mendojë që duhet të ketë ETIKË edhe në politikë, madje të lartë! E pafalshme humbja që Albini me armatën e tij ia bëri Kosovës afër një dekadë drejtë anëtarësimit në Këshill të Evropës, liberalizim të vizave, e progresin drejt rrugës euroatlantike. PSE? Për kauza të rrejshme vetëm e vetëm me ardh në pushtet!”, ka shkruar ajo.
Tutje Musliu-Shoshi tha se në pushtet mund të vihet me gënjeshtra.
“Në pushtet edhe vjen me propagandë, e gënjeshtër POR me vazhdu me jetu me rëndesën e veprimeve tua që ja ke shkaktuar një populli është shkatërruese në masën që as pushteti i tillë nuk të duhet!”, përfundoi ajo.
Policia e Kosovës është njoftuar për gjetjen e një mjeti të dyshimtë.
Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe Njësia K9 e kanë atë pa ndonjë incident.
“Rr. Lidhja e Pejës, Prishtinë / 13.03.2024 – 21:34. Policia ka pranuar një informatë për gjetjen e një mjetit të pashpërthyer. Patrulla policore e ka siguruar vendin e ngjarjes derisa ka dalë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe Njësia K9 që e kanë tërhequr mjetin e dyshimtë (granatë dore) pa ndonjë incident. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njofton Policia e Kosovës.
Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Malin e Zi mëngjesin e sotëm në orën 4 e 6 minuta.
Departamenti i sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi regjistroi një tërmet me epiqendër 5 km në jugperëndim të Çaragjesë, afër Nikshiqit.
Fuqia e këtij tërmeti në hipoqendrën (pika e nxehtë) ishte 5.4 njësi të shkallës Rihter, që korrespondon me intensitetin epiqendror të shkallës VII të shkallës Mercalli (MCS). Fokusi i këtij tërmeti është vendosur në një thellësi prej 14 km, sipas faqes së internetit.
Siç shtojnë ata, bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore!
Sipas të dhënave të para të publikuara në faqen e EMSC, tërmeti ka ndodhur 75 km në veriperëndim të Podgoricës, 32 km larg Nikshiqit dhe qytetarët raportojnë se është ndjerë edhe në qytete në veri të vendit.
Toka në atë zonë nuk ndalet së pushuari, kështu që pas tërmetit të madh pati disa tërmete më të vogla.
Në orën 4 e 30 minuta, një tjetër tërmet më i vogël me magnitudë 3.1 u ndje në të njëjtin vend dhe në orën 5:38 një tërmet i tretë me magnitudë 2.5. E treta u regjistrua në orën 6:05 të mëngjesit me 3 gradë.
Ende nuk ka të dhëna për dëme të mundshme, ndërsa sipas informacioneve të ZHMS-së mund të jetë shkaktuar në zonën epiqendrore.
“Bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudës së tërmetit dhe thellësisë së hipoqendrës, ky tërmet mund të kishte shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore”, theksohet në deklaratën e Institutit.
Qendra Sizmologjike Evropiane Mesdhetare (EMSC) njoftoi më herët se magnituda e tërmetit ishte 5.3 ballë të shkallës Rihter. Në këtë zonë u regjistruan edhe dy tërmete më të lehta me magnitudë 3.1 ballë.
Tërmeti i parë është ndjerë edhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, në Bilecë, Mostar, Sarajevë, Zenicë.
Lëndët që ruheshin brenda këtyre zyrave në Gjykatën Themelore në Kaçanik, me gjasë nuk i konvenuan dikujt. Andaj dyshohet se disa persona qëllimshëm ia vunë flakën të martën pas mesnate.
Por kush e bëri këtë vepër ende nuk dihet, megjithatë Policia po vazhdon hetimet.
“Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejt të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Zyrat i përkisnin gjykatësve derisa në to kishte dosje të ndryshme.
Çkado që është djegur nga dokumentet, sipas zyrtarëve të Gjykatës, do të rikthehet meqë janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike.
Dëmet, sipas zyrtarëve të gjykatës, ishin vetëm materiale.
Për takimin që e mbajti në Bruksel për rregulloren për operacione me para të gatshme, guvernatorit të Bankës Qendrore iu kërkua llogari nga deputetët opozitarë.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet, Ahmet Ismaili tha se për këtë takim nuk kishte ftesë zyrtare nga emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, por kërkesa erdhi nga Qeveria. Për këtë takim, deputeti Avdullah Hoti e paralajmëroi për pasoja, derisa guvernatori këtë e konsideroi kërcënim.
Debati nuk përfundoi këtu, meqë Hoti tha se me këtë takim BQK-ja u bë pjesë e dialogut.
Guvernatori u kritikua edhe për mungesë të raportit për këtë takim.
Ismaili tha se rregullorja e re, e cila lejon vetëm përdorimin e valutës euro po tregon efekte pozitive dhe ajo nuk është miratuar për të shpërfaqur probleme.
Sipas tij, deri më tani janë licencuar pesë banka për transportin e parave të gatshme me leje të veçantë nga BQK-ja.
Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë e ka lejen e qeverisë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat në favor të Manastirit Ortodoks të Deçanit.
Këtë e tregoi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën. Tha se është prirë nga arsyeja e shëndoshë, për ta përmbushur një nga kushtet në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Për të treguar që po vepron jashtë vullnetit, e përsëriti qëndrimin e tij personal për 24 hektarët e kontestuar për shumë vite.
“Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, por në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE, do të ishte fitore historike dhe hap gjigand për Kosovën drejt njohjes nga pesëshja evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Kurti.
Më 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi pro Manastirit të Deçanit si pronare e tokës dhe pyllit, që pretendohej se ishin të kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.
Ky vendim i organit më të lartë kushtetues, sipas Kurtit, e lë institucionin që ky e drejton, pa mundësi për ta anuluar.
“Si kryeministër i Kosovës nuk më pëlqen ai vendim i çuditshëm, e i padrejtë e ndërkohë ka edhe procese gjyqësore tjera pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për të anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.
Kurti shtoi se vartësja e saj, kryediplomatja Donika Gërvalla, tashmë i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Muajt në vijim do të jenë determinues për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion evropian, ku kishte aplikuar në maj të 2022-ës.
Kundër kryeministrit doli kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se AKK-ja tashmë e ka zbatuar vendimin.
“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit. Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takojë një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot!”, thuhet në reagimin e Ramosajt.
Kritika patën edhe deputetët opozitarë, që e akuzuan Kurtin për ndryshim të qëndrimit të kahershëm. Ndryshe nga këta, vendimin e përshëndeti edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, që qëlloi në Prishtinë në kohën kur u kumtua.
“Ishte një hap i vështirë, por i nevojshëm, ne i falënderojmë institucionet e Kosovës për gjithë bashkëpunimin në këtë çështje”, ka deklaruar Escobar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses.
Prandaj shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se u bë realitet pritja e gjatë. Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se zbatimi i vendimit është shumë i vonuar, por shënon hap të rëndësishëm në sundimin e ligjit.
Dioqeza Rashkë-Prizren dhe Manastiri i Deçanit nuk kanë reaguar për këto zhvillime, deri pasditen e së mërkurës.
Në Administratën Tatimore të Kosovës, u deklaruan si sponsorisim. Edhe pse u raportuan si të tilla, mbi 490 mijë euro, në të vërtetë nuk u transferuan kurrë te klubet sportive në Kosovë.
Këto të dhëna i bëri publike Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”, që mbulon periudhën kohore 2020-2024.
“Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private, ka rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare te klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private, edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit”, tha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.
ZKA-ja konstaton se gjatë kësaj periudhe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka subvencionuar organizatat sportive me 3.5 milionë euro.
Megjithatë, ata që i pranuan paratë nuk i raportuan Ministrisë si u shpenzuan.
“Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë eurove, të financuara nga MKRS-ja. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS-ja financon organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar Ministrisë, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore”, tha Spanca.
Kështu, ZKA-ja dha disa rekomandime për MKRS-në dhe ATK-në.
“Për adresimin e këtyre çështjeve të trajtuara në raport, nga ZKA-ja janë dhënë 10 rekomandime për dy institucione. 6 rekomandime për MKRS-në, 2 rekomandime për ATK-në dhe 2 të përbashkëta për të dy institucionet”, tha Spanca.
Ndërkaq, në raportin “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”, thuhet se shumica e mediave veprojnë pa i përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore gjatë viteve, dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në mars, Auditori i Përgjithshëm ka publikuar gjithsej pesë raporte.
ZKA-ja synon që gjatë vitit 2024, të realizojë 123 auditime që do të mbulojnë fusha të ndryshme.
Brenda këtij lokali në qendër të Klinës në gusht të 2023-tës, ishte vrarë Anton Prelaj.
Ndaj të dyshuarit kryesor Tush Frrokaj, i cili ishte dorëzuar në polici një javë pas rastit, vetëm tani është ngritur aktakuzë e cila e rëndon për disa vepra penale.
“Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer 4 vepra penale: vrasje e rëndë. Armëmbajtje pa leje. Shtrëngim. Marrja në posedim e pasurisë së paluajtshme”, tha prokurori Ersan Qavolli.
I pandehuri dhe viktima kishin për bashkëshorte, motrat e njëri-tjetrit. Por, sipas aktakuzës Tush Frrokaj ishte i ndarë nga gruaja e tij dhe në tentativë për t’u bashkuar e kishte takuar viktimën.
Por, çka u bisedua në këtë takim?
“Në orën 16:26 minuta, në atë lokal shkon i pandehuri Tush, e shikon të ndjerin që të dalë jashtë lokalit, ku edhe bisedojnë për rreth 20 minuta, më pas i ndjeri në ora 16:47, kthehet në tavolinën e tij ku i thotë i dëmtuarit Fatmir, “Tushi po dëshiron që të bashkohet prapë me gruan e vet që ishin ndarë…”.
Pas largimit nga vendi i ngjarjes, Frrokaj e kishte zhdukur armën, e cila ende nuk është gjetur.
“Fatkeqësisht armën nuk e kemi gjetur. Por me rastin e ekzaminimit balistik, ka rezultuar një model i armës, të cilën e ka pranuar i pandehuri. Fakti që arma nuk është gjetur, do të përdoret si rrethanë rënduese nëse i njëjti shpallet fajtor”, tha prokurori Ersan Qavolli.
Krahas armës, si rrethanë rënduese do të llogaritet edhe e kaluara kriminale e të pandehurit, i cili ishte dënuar dy herë për shpërdorim të pasurisë së huaj.
Bazuar në të dhënat që posedojnë, Prokurori është i bindur se i akuzuari duhet të shpallet fajtor.
“Jemi mëse të bindur se me provat e siguruara, duhet të shpallet fajtor…”, tha Qavolli.
Gëzim Baloku, avokat i të pandehurit, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me aktakuzën. Gjatë kohës sa ishte në arrati, 49-vjeçari përkohësisht ishte strehuar edhe në këtë objekt në fshatin Burojë të Skenderajt.