ATV

Author: ATVLive

  • Ushtria serbe reagon pas publikimit të videos nga kufiri me Kosovën

    Ushtria serbe reagon pas publikimit të videos nga kufiri me Kosovën

    Ushtria serbe bëri një deklaratë pas publikimit të një video nga kryeministri Albin Kurti për lëvizjen e forcave të tyre pranë kufirit me Kosovën.

    Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, tha është një patrullë e rregullt përgjatë vijës administrative, në koordinim të ngushtë me KFOR-in.

    Zoran Jovanoviq tha se në një postim në rrjetet sociale se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në Zonën e Sigurisë Tokësore shihen duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e kufirit, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara, si dhe se në realizimin e këtyre detyrave dhe zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, Ushtria bashkëpunon me KFOR-in.

    Ata theksojnë se nuk ka vend për Policinë e Kosovës apo FSK-në në sigurimin e kufirit me Kosovën, pasi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Ushtarako-Teknike nuk njeh subjekte të tjera përveç pranisë civile ndërkombëtare dhe ushtrisë serbe.

    “Në këtë kuptim, të ashtuquajturat autoritete të Kosovës të cilat janë duke e monitoruar nga afër situatën në rast të ndonjë kalimi të vijës administrative, nuk kanë bazë në realitet dhe tregojnë një shpërfillje të plotë të marrëveshjeve të dakorduara”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

    Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se Kurti po e shpik pushtimin për të vazhduar keqtrajtimin dhe represionin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

  • Cillian Murphy rikthehet tek “Peaky Blinders”, filmi nis xhirimet në shtator

    Cillian Murphy rikthehet tek “Peaky Blinders”, filmi nis xhirimet në shtator

    Filmi do të nisë xhirimet në Digbeth Loc Studios në Birmingham në shtator.

    Aktori i njohur Cillian Murphy është konfirmuar se do të kthehet në filmin ‘Peaky Blinders’. Aktori irlandez do të fillojë xhirimet gjatë këtij vit me pjesën tjetër të kastit. Krijuesi Steven Knight ndau lajmin emocionues ndërsa fliste për BirminghamWorld në premierën e emisionit të tij të ri në BBC This Town të enjten.

    Filmi do të nisë xhirimet në Digbeth Loc Studios në Birmingham në shtator. Cillian kishte four më parë për projektin në fillim të këtij viti: Unë gjithmonë kam thënë se nëse Knight jep një skenar unë do të jem atje.

    Fansat u emocionuan me lajmin teksa shkruanin në komente shumë të gëzuar për lajmin. Pas fitores së tij historike të Oscars për aktorin më të mire në Oppenheimer, Cillian tha për personazhin e tij Tommy se i pëlqente ta luante. Murphy gjithashtu la të kuptohet se shkrimtari i programit, Steven Knight, kishte më shumë histori për të treguar rreth klanit Shelby me bazë në Birmingham dhe aktiviteteve të tyre kriminale midis viteve 1880 dhe 1910.

    Peaky Blinders u lançua në vitin 2013 dhe mblodhi një audiencë të madhe si në Britani ashtu edhe jashtë saj, duke tërhequr role për yjet e ekranit si Tom Hardy dhe Anya Taylor-Joy.

  • ​Musliu: Serbia e bëri provokimin e radhës por nuk guxon të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë

    ​Musliu: Serbia e bëri provokimin e radhës por nuk guxon të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë

    Prezencën e njësive të specializuara të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës, përkatësisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konsideruar pretekst nga ana e Serbisë për të shkaktuar provokime të qëllimshme. Lidhur me këtë, drejtori i Institutit Octapus, Agim Musliu ka deklaruar se veprimet e tilla provokojnë reagimet e palës së Kosovës. Ai tha se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të ngritin kapacitetet e nevojshme për siguri të Kosovës.

    Muslia ka përmendur edhe deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë, Vuçiqit për të cilën tha se duhet të konsiderohet si një paralajmërim për situata të tilla. Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të inskenojë incidente të ndryshme për të nxitur reagim, por se asnjëherë nuk guxon të ndërhyjë ushtarakisht sepse vet ajo e di që KFOR-i dhe NATO janë në Kosovë.

    Eksperti i sigurisë, Musliu thekson se Republika e Serbisë është e përgatitur edhe me stërvitje ushtarake, të cilat janë të dedikuara për Kosovën.

    “Në vazhdën e luftës së Serbisë, respektivisht të Rusisë në Ballkan, kjo është një lëvizje e radhës, një provokim i radhës edhe pse marrëveshjet ndërkombëtare që nga Kumanova e tutje e thonë të kundërtën që ushtria apo policia serbe nuk guxon të afrohet në kufi të Republikës së Kosovës dhe të zhvillojë patrullime apo çfarëdo aktiviteti tjetër policorë. Sidomos kjo stërvitje dhe në afërsi të kufirit me Kosovën dhe veprimet operative të cilat mund të rrezikojnë edhe qetësin edhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Ne mund të shohim këtë si provokim i radhës, sepse siç e dimë Republika e Serbisë ka vendosur rreth 48 baza rreth kufirit të Kosovës ushtarako-policore e herë pas herë edhe në stërvitje ushtarake të cilët janë të përpiluara ekskluzivisht vetëm për Kosovën, një agresion i heshtur i padeklaruar në krahasim me Kosovën. Kjo i paraprin edhe deklarata e presidentit të Serbisë, Vuçiqit, i cili ditë më parë tha që “Ne do e presim momentin e volitshëm që të reagojmë”, dhe kjo lënë të nënkuptohet se e presim momentin e caktuar që të kthehen në Kosovë me forcë, me ushtri, polici dhe me instrumentin e dhunës që e posedojnë”, tha Musliu.

    Po ashtu, Musliu shtoi se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të ngritin kapacitete me pajisje ushtarake dhe teknike, si dhe duhet të përdoret një diplomaci agresive dhe faktike ndaj veprimeve serbe dhe ruse, kundrejt Kosovës.

    “Sidomos në Kosovë ku mund të parashohim në një fazë, ndoshta edhe në një kohë të pacaktuar por afër mund të përdoret elementi i brendshëm i Serbëve të Kosovës që të nxitet një konflikt i vogël apo të inskenohet incidente të ndryshme ku do të marrin pjesë serbët lokal të ndihmuar edhe tendencën e fundit në Banjskën e 24 shtatorit nga njerëzit të stërvitur apo pjesëtarë të organizatave terroriste nga Serbia. 05:11 Unë nuk besoj që Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht sepse e di që KFOR-i dhe NATO janë në Kosovë dhe nuk do të konfrontohet edhe me NATO-në, por muajve të fundit është një kampanjë kundër NATO-së prej Serbisë dhe Rusisë. 06:13 Mund të përdoret diçka e ngjashme, mund të inskenojnë incidente të ndryshme, për atë arsyeje institucionet e Kosovës nuk guxojnë të neglizhojnë por të punojnë në preventimin e këtyre veprimeve. ….Në aspektin e brendshëm duhet të ngritin kapacitetet e nevojshme për siguri të Kosovës dhe të sofistikohen më tutje dhe në teknike dhe pajisje. Duhet edhe një diplomaci më agresive jashtë kufijve të Kosovës për t’i bindur ose faktuar qendrat e vendimmarrjes që Serbia dhe Rusia vazhdojnë luftën hibride ndaj Kosovës dhe ato duhet të faktohen”, thekoi Musliu.

    Kryeministri i Kosovës, Kurti ka shkruar në Facebook se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake në kufirin e Kosovë, nuk është normal dhe se të njëjtit po vëzhgohen nëse do të përpiqen të kalojnë atë.

  • ​Hovenier kërkon nga Kosova zbatimin e të gjitha zotimeve që ka marrë në dialog

    ​Hovenier kërkon nga Kosova zbatimin e të gjitha zotimeve që ka marrë në dialog

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar sot nga Kosova të zbatojë të gjitha zotimet që i ka marrë në kuadër të dialogut, pasi sipas tij, kjo është rruga e vetme për integrim në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

    Diplomati amerikan në konferencën me temën “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe Kërkimit për Anëtarësim në NATO” të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, theksoi se pret nga Qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me SHBA-në.

    “Për Kosovën, siç e dini mirë të gjithë, urgjenca e integrimit evropian dhe euroatlantik është e qartë, është mjeti për të garantuar sigurinë, prosperitetin, liritë demokratike që dëshironi për fëmijët dhe nipërit tuaj. Është gjithashtu thelbësore për të avancuar stabilitetin e sigurisë në rajon. Por në këtë kontekst më duhet gjithashtu të përsëris atë që unë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kemi thënë vazhdimisht. Rruga e vetme, dhe me e vetmja, nënkuptoj e vetmja rrugë për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Nuk ka rrugë tjetër. Dhe konkretisht mirëbesimi dhe zbatimi i plotë i të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut. Kjo nuk është e negociueshme”, tha ai.

    Ai potencoi se populli amerikan ka qenë dhe është krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës.

    “Ne presim nga kjo qeveri e Kosovës, ashtu siç kemi pritur nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojnë në partneritet me ne, ndërsa ne vazhdojmë në përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor. Dhe gati 25 vjet më parë, ose 25 vjet që nga operacioni i forcave aleate në çlirimin e Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara është, ka qenë dhe do të jetë krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës ashtu siç keni ndërtuar, po ndërtoni dhe vazhdoni të ndërtoni nga themeli një demokraci sovrane të pavarur multietnike. Ne jemi po aq të përkushtuar sa kemi qenë ndonjëherë në partneritet me ju, për të siguruar që çdo individ në Kosovë të mund të jetojë në kushte dinjiteti, lirie dhe sigurie pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo rrethanat”, tha Hovenier.

    Sa i përket anëtarësimit në NATO, Hovenier tha se rruga e zgjerimit është të binden aleatët për atë që Kosova i sjell Aleancës Veri-Atlantike.

    “Rruga drejt zgjerimit të NATO-s është të bindni aleatët për atë që i sillni Aleancës. Askush nuk hyn në NATO për shkak të së drejtës. Ju hyni në NATO sepse keni bërë reformat e nevojshme dhe keni vendosur politikat e duhura në dy sfera; ka një sferë ushtarake, a është ushtria juaj e përgatitur dhe e aftë për të përmbushur funksionet e një ushtrie të NATO-s. A jeni NATO i ndërveprueshëm dhe a jeni i aftë? Dhe ka një sferë politike. A po silleni si një aleat? A kemi të njëjtat vlera? A mund të jemi të sigurt me ju si aleat? A jemi të përgatitur të themi se të rinjtë dhe të rejat nga Varshava ose Council Bluffs, Iowa, Nju Jorku ose Roterdami janë të përgatitur të vënë jetën e tyre në linjë për t’ju mbrojtur. Unë thjesht do të them se këto janë çështje të rëndësishme me të cilat duhet të merren qeveritë. Ato kanë qenë sfiduese për qeveritë e tjera, do të jenë sfiduese për Qeverinë e Kosovës. Jam i bindur se mund të vazhdojmë ta avancojmë së bashku këtë vizion dhe së bashku të sigurojmë dinjitet dhe siguri për të gjithë popullin e Kosovës dhe për rajonin më të gjerë,” tha diplomati amerikan.

    Duke folur për fushatën 78-ditore të NATO-s për të dëbuar forcat e kasapit Sllobodan Millosheviq nga Kosova dhe për t’i dhënë fund spastrimit të tyre etnik, Hovenier tha se mbeten të përkushtuar që lufta në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëritet kurrë.

    “Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga Forca e NATO-s në Kosovë. Ne e pranojmë dhe shprehim vlerësimin tonë për përkushtimin dhe sakrificat e KFOR-it këtu në Kosovë gjatë 25 vjetëve të fundit. Dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik, dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, ne përsërisim këtë vizion të një Evrope tërësisht të lirë dhe në paqe. Ne e shohim stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si çelësin për avancimin e këtij premtimi. Veçanërisht pas pushtimit të pamëshirshëm në shkallë të plotë të Putin në Ukrainë, ku po shohim shkatërrime dhe katastrofa të paimagjinueshme humanitare”, tha ai.

    Në kuadër të këtij diskutimi ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila theksoi nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Ambicia e Kosovës për anëtarësim në NATO merr një rëndësi edhe më të madhe. Shkelja flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nënvizon rëndësinë e sigurisë kolektive dhe nevojën për një aleancë të fortë dhe të bashkuar të NATO-s. Ndërsa Kosova ndjek ambicien e saj për anëtarësim në NATO, ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e paraqitura nga akterët e jashtëm, që synojnë të minojnë stabilitetin në rajonin tonë…Pranimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të rrisë sigurinë tonë, por gjithashtu do të kontribuojë në përpjekjet më të gjera për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në mbarë Evropën. Është e domosdoshme që të mbetemi vigjilentë, të vendosur dhe të bashkuar përballë kërcënimeve të jashtme, ndërsa përshkruajmë rrugën e Kosovës drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë brenda aleancës së NATO-s”, tha ajo.

  • Për katër muaj tërhiqen nga qarkullimi mbi 47 mijë monedha 2 euroshe

    Për katër muaj tërhiqen nga qarkullimi mbi 47 mijë monedha 2 euroshe

    Nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha prej 2 eurosh, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

    Kështu ka njoftuar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila gjithashtu ka bërë të ditur se së bashku me bankat komerciale kanë parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara.

    “BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Republikës së Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Ndërsa, numri i kartëmonedhave prej 500 euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në Bankën Qendrore ka kaluar mbi 230,000 copë apo mbi 115 milionë euro.

    “Në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro”, thuhet në njoftim.

  • Distria Krasniqi ndalet në çerekfinale, kërkon të bronztën përmes repesazhit

    Distria Krasniqi ndalet në çerekfinale, kërkon të bronztën përmes repesazhit

    Distria Krasniqi nuk ka arritur ta prek gjysmëfinalen e Grand Slamit të Tbilisit.

    Garuesja jonë është ndalur në çerekfinale nga spanjollja Ariane Toro Soler, në kategorinë deri në 52 kg.

    Meçi prodhoi një luftë të fortë mes njëra tjetrës, e cila zgjati 10 minuta.

    Tash, Disi do e kërkojë të bronztën përmes repesazhit.

    Kampionja Olimpike në xhiron e tretë mposhti me Wazaari, holandezen Naomi Van Krevel.

    Krasniqi në xhiron e parë ishte e lirë, në xhiron e dytë ajo mposhti me Wazaari dhe Ippon, rusen Iana Zhilkina.

  • OKB miraton rezolutën për inteligjencën artificiale

    OKB miraton rezolutën për inteligjencën artificiale

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën e parë globale për inteligjencën artificiale (AI) për të inkurajuar mbrojtjen e të dhënave personale, mbikëqyrjen e AI dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thanë zyrtarët amerikanë.

    Rezoluta jo-detyruese, e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e bashkë-sponsorizuar nga 122 vende të tjera, u negociua për tre muaj dhe parashikon forcimin e privatësisë, thanë zyrtarët në një konferencë shtypi përpara miratimit të rezolutës.

    “Ne po lundrojmë në ujëra të rrëmbyeshëm me teknologji që ndryshon me shpejtësi, që do të thotë se është më e rëndësishme se kurrë të qeverisim në dritën e vlerave tona,” tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke e përshkruar rezolutën si “dokumentin e parë të konsensusit të vërtetë global mbi inteligjencën artificiale.”

    Rezoluta është e fundit në një seri iniciativash nga qeveritë në mbarë botën për të formësuar zhvillimin e inteligjencës artificiale mbi frikën se mund të përdoret për të prishur proceset demokratike, për të kryer mashtrime ose për të çuar në humbje dramatike të vendeve të punës.

    “Dizajni, zhvillimi, zbatimi dhe përdorimi i papërshtatshëm ose keqdashës i sistemeve të inteligjencës artificiale paraqesin rreziqe që mund të minojnë mbrojtjen, promovimin dhe gëzimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, thuhet në rezolutë. Kur u pyetën nëse negociatorët u përballën me rezistencë nga Rusia apo Kina, të cilat gjithashtu votuan për rezolutën, zyrtarët pranuan se kishte pasur “shumë diskutime të nxehta”. “Megjithatë, ne bashkëpunuam në mënyrë aktive me Kinën, Rusinë, Kubën dhe vende të tjera që shpesh nuk pajtohen me ne,” thanë ata. “Ne besojmë se rezoluta arrin një ekuilibër të përshtatshëm midis promovimit të zhvillimit dhe vazhdimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha një nga zyrtarët në kushte anonimiteti.

  • Sondazhi i KDI-së: 54% e qytetarëve i vlerësojnë të drejta vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjet që synojnë Reforma në Drejtësi

    Sondazhi i KDI-së: 54% e qytetarëve i vlerësojnë të drejta vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjet që synojnë Reforma në Drejtësi

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, me theks këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi ecurinë e reformës në sektorin e drejtësisë, raporton EO.

    Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI, tha se përmes këtij sondazhi është synuar të kuptohen disa çështje, duke filluar me atë se si e shohin qytetarët qasjen e Qeverisë dhe subjekteve opozitare ndaj procesit të reformës në drejtësi, si i kanë parë vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ligjeve të cilat tentojnë të reformojnë sistemin e drejtësisë dhe çfarë pritjesh kanë nga ky proces.

    Në pyetjen drejtuar qytetarëve se si e vlerësojnë qasjen e Qeverisë ndaj Reformës në Drejtësi, 49% janë të mendimit se Qeveria me anë të reformës po synon fuqizimin e sundimit të ligjit, kundrejt 22% të qytetarëve që mendojnë se Qeveria me anë të reformës po synon ndërhyrjen në sektorin e drejtësisë. Ndërsa, 18% e tyre mendojnë se Qeveria po shpërfillë akterët e tjerë gjatë procesit të hartimit të ligjeve.

    Kur kanë pyetur se cilat mund të jenë arsyet e subjektet opozitare për të dërguar ligjet e Reformës në Gjykatën Kushtetuese, 31% e tyre kanë thënë se opozita i ka dërguar ligjet në gjykatë për shkak të cilësisë së dobët të tyre, ndërsa 31% e tyre janë shprehur se kjo po bëhet për të shmangur mundësitë e ndërhyrjeve të Qeverisë në organet e drejtësisë. Në anën tjetër 25% e qytetarëve mendojnë se Opozita i ka dërguar ligjet në Gjykatë për shkak se ndjehet e kërcënuar nga Reforma në drejtësi, kundrejt 17% të tyre që mendojnë se me anë të këtij veprimi Opozita po pengon Reformën.

    Në pyetjen se si i shohin qytetarët vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjet e Reformës në Drejtësi, 54% e qytetarëve janë shprehur se aktgjykimet e Gjykatës janë të drejta, kundrejt 24% të tyre që i konsiderojnë vendimet si të padrejta. Ndërsa nuk kanë ofruar përgjigje 21% prej tyre.

    Në fund, qytetarët janë pyetur edhe rreth pritjeve të tyre nga procesi i Reformës në Drejtësi, për çka 41% e tyre janë përgjigjur se presin që Reforma të fuqizojë sundimin e ligjit. Ndërsa, 30% e tyre se Reforma do të përmirësojë punën e Gjykatave dhe Prokurorive. Në anën tjetër, 28% e qytetarëve të anketuar nuk presin ndryshime nga Reforma në drejtësi.

    Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 15 mars 2024.

  • ​Këta janë dhjetë njerëzit më të pasur në botë

    ​Këta janë dhjetë njerëzit më të pasur në botë

    Dhjetë njerëzit më të pasur në botë me një pasuri të kombinuar rreth 1.4 trilion dollarë, ku në krye mbetet francezi Bernard Arnault. Në vendin e dytë renditet Jeff Bezos dhe pas tij Elon Musk.

    Faqja “World of Statistics” ka publikuar në platformën X, statistikat e dhjetë njerëzve më të pasur në botë.

    Sipas “World of Statistics”, e cila ka cituar Forbes, francezi Bernard Arnault ka arrit pasurinë 227 miliardë dollarë. Ndërsa, në vendin e dytë renditet amerikani Jeff Bezos me 196 miliardë dollarë.

    Në vendin e tretë, sipas “World of Statistics” është Elon Musk me pasuri 193 miliardë dollarë. Pastaj vijonë, Mark Zuckerberg me 178 miliardë dollarë, Larry Ellison me 158 miliardë dollarë, Warren Buffet me 136 miliardë dollarë, Bill Gates me 131 miliardë dollarë, Steve Ballmer me pasuri 126 miliardë dollarë, Larry Page me 123 miliardë dollarë dhe Sergey Brin me 118 miliardë dollarë.

  • Hovenier për sulmet e NATO-s: Të heqim çfarëdo dyshimi, bota ishte dëshmitare e spastrimit etnik, përdorimi i forcës i domosdoshëm

    Hovenier për sulmet e NATO-s: Të heqim çfarëdo dyshimi, bota ishte dëshmitare e spastrimit etnik, përdorimi i forcës i domosdoshëm

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një konferencë të Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, ka thënë se përdorimi i forcës ishte edhe i domosdoshëm edhe legjitim nga NATO gjatë fushatës së bombardimit në vitin 1999 për të ndalë spastrimin etnik kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Ai tha se në këto ditë do të dëgjohen shumë narrativa për këto ngjarje dhe për këtë ai shpalosi qëndrimin zyrtar amerikan.

    “Dua të shfrytëzoj këtë mundësi sepse në ditët në vijim do të dëgjojmë një numër narrativash për sa i përket ngjarjeve të 25 viteve më parë. Pra, që të jap një qëndrim definitiv, jo nga Jeff Hovenier, por nga ambasadori i SHBA-së, një qëndrim zyrtar të SHBA’së, pra Qeveria ime do të ketë mundësi të sqaroj edhe më mirë në ditët në vijim, por po e bëj tash për të shmangur çfarëdo lloj dyshimi sa i përket ngjarjeve para 25 vjetësh”, tha Hovenier, duke vazhduar me sqarimin.

    “Pra, para 25 vitesh, bota ishte dëshmitare e një fushate të tmerrshme të spastrimit etnik nga makineria e Millosheviqit këtu në Kosovë. E mbaj mend personalisht dhe e që shumë prej jush e dini kur u përmbyllën bisedimet në Rambuje. Unë isha në Paris derisa po ndodhte. Kishim shteruar të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për të ndalë brutalitetin e regjimit të tmerrshëm të Millosheviqit. Siç e tha presidenti Clinton në vitin 1999, një ditë para se të fillonte operacioni i forcave aleate: Nëse presidenti Millosheviq nuk dëshiron të bëjë paqe, ne kemi vullnetin për të ndaluar kapacitetin e tij për të ushtruar luftë në Kosovë. Tani e shënojmë këtë 25 vjetor në këtë bashkëpunim me solemnitet. Mbajmë mend me qindra-mijëra njerëz që kishin braktisur familjet e tyre. Ne shprehim keqardhje për humbjen e shumë jetëve të civilëve, duke përfshirë ata që kanë vdekur gjatë operacionit të NATO-s pas shterimit të të gjitha alternativave për të ndalë gjakderdhjen, NATO kishte imperativin moral për të vepruar dhe vepruam. Përdorimi i forcës ishte edhe i domosdoshëm edhe legjitim, duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale siç kishte shpjeguar presidenti Clinton. Po citoj: “Ne vepruam për të mbrojtur mijëra qytetarë të Kosovës nga një ofensivë luftarake policore dhe veprojmë për të ndalë një luftë më të madhe, veprojmë për të qëndruar në unitet me të gjithë aleatët tonë për paqe”.

    Hovenier tha se operacioni i NATO-s ktheu refugjatët pa dallim etnie në shtëpitë e tyre dhe se përpjekjet e tyre ishin për kthimin e paqes.

    “SHBA kanë mbështetur NATO-n për 78 ditë bombardime për të ndalë regjimin e Millosheviqit në spastrimin etnik, duke kontribuar edhe me presione diplomatike. Operacioni i tillë shtroi rrugën për përfundimin e armiqësisë dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve nga të gjitha etnitë që e quajnë shtëpi Kosovën. Të gjitha përpjekjet tona ishin në përpjekje të një vizioni të përbashkët, afatgjatë të një Europë që është e tërë, e lirë dhe në paqe. I keni dëgjuar këto fjalë. Ky ka qenë parimi udhëzues për SHBA-në në angazhimin tonë edhe pas Luftës së Ftohtë. Ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur 25 vjet më parë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që kryhet nga Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR”.

    Hovenier ka përkujtuar trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë ta ruajnë paqen sot, duke ritheksuar vizionin të Europës së tërë, të lirë dhe në paqe.