Përmes një projekti, Organizata për Drejtësi dhe Transparencë, tregoi për pasojat dhe rrezikun me të cilin përballen personat, të cilët zgjedhin të flasin për mashtrimet që bëhen në institucionet ku punojnë.
Menaxheri i projektit, i cili vetë raportoi për keqpërdorime që u bënë në Aviacionin Civil të Kosovës, shkaku i së cilës mbeti pa punë, tha se sinjalizuesit kanë nevojë për më shumë mbrojtje.
Mungesa e anonimitetit ishte një shqetësim tjetër, andaj u rekomandua ruajtja e identitetit si dhe mbrojtje më efektive.
Një faktor i rëndësishëm për sinjalizuesit u konsideruan mediat, ndërsa vetë gazetarët folën për përvojat e tyre.
Këshilla e Ekrem Jakupit i cili udhëtimin e tij si sinjalizues e nisi gjatë punës në një bankë komerciale në vend, ishte vendosmëria për ta çuar rastin deri në fund.
Për gjithë sinjalizuesit që duan të raportojnë korrupsionin e dukuri të ngjashme, u hap edhe një faqe në të cilën mund të drejtohen duke dërguar edhe mesazhe anonime.
Në të gjithë sektorët që përmendi, kryeministri Albin Kurti tha se është krenar për arritjet e qeverisjes së tij gjatë plot 3 vjetëve. Andaj duke komentuar deklaratat për gatishmëri që të shkohet në zgjedhje, kryeministri tha se me të gjitha arritjet nuk ka arsye për këtë.
“Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që bëjmë. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë e mirë nuk rrëzohet”, tha Kurti
Puna për qeverisje të mirë megjithatë s’ishte e lehtë. Për atë, kritikat që dialogu i mori kohë, nuk po i vlerëson të duhura, duke shtuar se vazhdon të mos jetë prioritet.
“Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë”, tha Kurti.
Kurti në këtë konferencë u paraqit bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili, gjithashtu, përmendi arritjet e dikasterit të tij në nivel vendi.
Në zgjedhjet e mbajtura para tre vjetësh, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm duke marrë më shumë se 50 % të votave.
Kryeministri Albin Kurti iu bëri ofertë partive opozitare, nëse duan të shkojnë në zgjedhje. Kreu i Qeverisë tha se edhe mund t’iu ndihmojë t’i sigurojnë numrat për rrëzimin e qeverisë.
Gatishmëri për zgjedhje të reja nga ana tjetër po tregojnë edhe partitë opozitare, mirëpo atyre, sipas analistëve politikë, nuk është se u konvenojnë.
“Mendoj që opozitës nuk i konvenon në këtë kohë. Opozita pret që kryeministrit Kurti t’i dobësohet pozicioni nga presioni që do t’i vijë nga SHBA-ja dhe për këtë arsye ata kanë dëshirë që kjo të shkojë edhe disa muaj që qeveria të përballet me këtë situatë dhe sigurisht të ketë rënie të mbështetjes në elektorat”, tha gazetari Bekim Kabashi.
Por përtej opozitës, shkuarja në zgjedhje thonë se do t’i konvenonte vetëm partisë në pushtet.
“Është nevojë e kësaj qeverie që me e tejkalu këtë situatë të rëndë me të cilën po përballet, është në sanksione dhe kryeministri Kurti është i izoluar nga SHBA-ja. Jemi para zgjedhjeve në BE dhe në SHBA dhe zgjedhjet në Kosovë do ta lehtësonin këtë presion”, tha Kabashi.
“Jo pse qeveria dëshiron që të ketë proces zgjedhor por që t’i ikë presionit ndërkombëtar rreth krijimit të asociacionit dhe ky vit zgjedhor edhe në BE edhe në SHBA, vera mund të ketë proces zgjedhor edhe në Kosovë”, tha Fidan Ukaj, politolog.
Sidoqoftë, rrëzimi i qeverisë nga opozita sipas analistëve shihet proces tejet i vështirë meqë kërkohen 2/3 e deputetëve.
Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij gjyqësor janë tërhequr nga punëtoria triditore që Ministria e Drejtësisë e kishte organizuar për finalizimin e legjislacionit në kuadër të reformës.
KPK-ja e KGJK-ja qasjen e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë e kanë quajtur tendencioze dhe jokorrekte.
Mospajtimet mes dikasterit të drejtësisë dhe këshillave kësaj radhe lindën rreth disa propozimeve. KGJK-ja e KPK-ja kanë propozuar që të fillohet draftimi i Ligjit për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me këtë nuk është pajtuar MD-ja.
Gjithashtu, këshillat nuk janë pajtuar me propozimin e Ministrisë që të ketë ligj të veçantë për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që kjo të përfshihet në kuadër të Ligjit për KGJK-në dhe KPK-në.
“Ministria e Drejtësisë nuk i ka sjellë konkluzionet e punëtorisë së kaluar, s’i kanë marrë parasysh rekomandimet e sistemit prokurorial, ashtu siç janë marrë vesh në punëtoritë e mbajtura më parë. Ata kërkuan të diskutohet një draft i Ligjit në të cilin kishte rekomandime të MD-së, të cilat nuk ishin diskutuar më parë dhe nuk ishin as pjesë e raportit përmbledhës të grupit punues”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Megjithatë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se integriteti i gjyqtarëve e prokurorëve do të rregullohet me ligj. Sipas saj, largimi nga punëtoria është përpjekje për të penguar reformën.
Pjesë e rekomandimeve në punëtorinë që rrjedh nga Deklarata e përbashkët e Zotimeve për reformën në drejtësi, ishte edhe rekomandimi nga këshillat që të mos iu njihet e drejta për të iniciuar zyrtarisht procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve dhe të mos konsiderohen valide ankesat disiplinore anonime.
Por, as kjo nuk është pranuar nga MD-ja, e cila ka propozuar të kundërtën.
Për herë të parë në Kosovë u nënshkruara një marrëveshje për zhvillimin e ankandit të erës. Ministria e Ekonomisë e nënshkroi këtë marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare Financiare.
Drejtuesja e kësaj ministre, Artane Rizvanolli, derisa e konsideroi si shumë të rëndësishëm këtë projekt, vitin 2024 e quajti si vit fantastik për energjinë në Kosovë.
Menaxheri Regjional, IFC-së, Nicolas Marquier, tha se me këtë projekt do të dyfishohen kapacitetet e energjisë me erë në vend.
“Jemi duke ecur përpara me një ankand të ri, ndryshe ankandin e parë të erës në Kosovë, që të dyfishojmë kapacitetet e energjisë në Kosovë e që do të përfshijnë rreth 8 për qind të kërkesës së energjisë. Ne jemi institucioni më i madh në botë sa i përket financimit, sidomos në sektorin privat dhe qëllimi ynë është t’i afrojmë tregjet”, tha Marquier.
Projekti u tha se do të shërbejë në krijimin e një sektori më të sigurt të energjisë, në rast të sfidave që mund të hasen në këtë drejtim.
Kështu i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me kërcënimin e fundit të presidentit serb, i cili aludoi në pushtim të Kosovës “në një moment të duhur”.
Duke thënë që të dyja shtetet duhet t’iu shmangen tensioneve, O’Brien ka kërkuar përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimin Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejt. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë!”, tha O’Brien.
O’Brien ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai nuk është tërhequr nga kushti për zbatimin e Asociacionit dhe ka thënë se pret që në ditët në vijim, Qeveria e Kosovës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.
“Njëra prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të… por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësimit”, tha O’Brien.
Për kërkesat e ndërkombëtarëve ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë. Jeff Hovenier tha se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu.
“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.
Porositë e amerikanëve drejtuar Qeverisë vijnë në kohën kur raportet në mes të dy vendeve janë tendosur për shkak të rregullores së BQK-së për dinarin.
Viktima të shumta besohet të ketë shkaktuar një sulm në një sallë koncertesh në Krasnogorsk, pranë Moskës.
Disa persona dyshohet të kenë hapur zjarr në sallën Crocus City Hall, përpara fillimit të një koncerti të grupit muzikor, Piknik.
Raportet e mediave flasin për “viktima të shumta” dhe shpërthime të mundshme.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarr dhe shtëllunga tymi mbi ndërtesën e sulmuar.
RIA-Novosti raportoi se së paku tre persona të armatosur ishin të përfshirë dhe tha se ata duket se kanë hapur zjarr me pushkë automatike.
Interfax raportoi se ishin së paku pesë sulmues.
Salla është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen ndër aktivitetet më të njohura ruse.
Sipas mediave ruse, dhjetëra autoambulanca janë tashmë në vendngjarje.
“Një tragjedi e tmerrshme ndodhi sot në Crocus City”, citoi Reuters kryebashkiakun e Moskës, Sergei Sobyanin. “Më vjen keq për të dashurit e viktimave”, tha ai.
Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.
Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t’i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”. (REL)
Sonte me fillim nga ora 17:00 stadiumi “Vazgen Sargsyan Republican” do të jetë nikoqir i përballjes mes Armenisë dhe Kombëtares së Kosovës.
Ndeshja e sotme është miqësore dhe “Dardanët” do të synojnë me çdo kusht fitoren, që ta nisin aventurën me trajnerin e ri, Franco Fodan me fitore, raporton KosovaPress.
Për Fodan kjo është ndeshja e parë që ai do ta zhvillojë në krye të Kosovës, ndërsa miqësoren e radhës do ta ketë kundër Hungarisë.
Sa i përket ndeshjes së sotme, Foda ka publikuar formacionin e parë zyrtar me Kosovën, ndërsa më poshtë mund t’i gjeni edhe titullarët e Armenisë.
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, gjyqtarja e procedurës –ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.03.2024 dhe mund të zgjasë deri më datën 20.04.2024 ndaj të pandehurve D.D., (20 vjeçar), dhe P.B., (19 vjeçar), për shkak të dyshimit zë bazuar se secili ka kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7, (kur vepra penale kryhet ndaj personit nën moshën 14 vjet) lidhur me par. 1 (kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë), të KP të Kodit Penale të Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtje së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit veç e veç e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventual. Andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore.
Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta çojë Kosovën drejt një izolimi.
Ai ka thënë për gazetën italiane “La Stampa” se SHBA-ja qëndron në linjë me BE-së sa i përket Kosovës.
“SHBA qëndrojnë saktësisht në linjë me ne. Ai (Kurti) e di. E di se cilat janë pritjet. E di që për Kosovën është ekstremisht e rëndësishme të ketë një mbështetje të fortë ndërkombëtare, sepse pikërisht një gjë të tillë Kosova e ka gëzuar nga fillimi. Nuk kam dyshim që (Kurti) do të jetë mjaftueshëm i përgjegjshëm që të mos e fusë vendin e tij në rrezik të një izolimi. Kështu ai po nxjerr përfundimet e duhura”, tha diplomati sllovak.
Lajçak tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet si pjesë e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Është shumë e rëndësishme që të niset para zgjedhjeve evropiane, sepse më pas BE do të hyjë në një periudhë të tranzicionit. Pastaj SHBA do të shkojë në zgjedhje. Nuk do të jetë ky momenti për të marrë vendime,” tha ai.
I pyetur nga “La Stampa” se cilat janë pikat që BE-ja do të provojë t’i bindë Prishtinën dhe Beogradin t’i pranojnë ato, diplomati sllovak tha se “Nuk jam akoma i sigurt që do t’i pranojnë, por duhet të na thonë që nuk i pranojnë. E atëherë ne vetëm kemi humbur kohë. Filozofia është që ju e bëni pjesën e juaj dhe unë e bëj timen”.