ATV

Author: ATVLive

  • Samiti i BE-së, Ukraina mund të marrë 1 miliard euro nga asetet e ngrira ruse

    Samiti i BE-së, Ukraina mund të marrë 1 miliard euro nga asetet e ngrira ruse

    Në samitin e BE, që mbahet sot në Bruksel qëndron një projekt tjetër në fokus: si të forcojë mbrojtjen Europa para konfliktit në Ukrainë.

    Në një pikë janë të një mendimi krerët e shteteve e qeverive të BE. Armatosja me efekt kërcënues ndaj sulmeve potenciale do të kushtojë shumë para. Se nga vijnë mjetet këtu qëndrimet ndahen. Ideja e Spanjës dhe Francës që të merren borxhe të përbashkëta si në kohën e Covid 19, shihet me dyshim nga Gjermania. Por prioritet kanë ndihmat e furnizimet me armë për Ukrainën. Këtu u arrit ujdia që të përdoren fitime nga interesat e aseteve të ngrira ruse për ndihma dhe furnizimin me armë të Ukrainës. “Para së gjithash tani do të mundësojmë shpejt që të marrim fitimet nga asetet e ngrira ruse në BE. Dhe me një pjesë të parave do të ndihmojmë Ukrainën, edhe me mjete ushtarake.”

    Samiti i BE i drejtoi të enjten apel të qartë Izraelit. Ai kërkohet që të ndalë menjëherë luftimet në Rripin e Gazës për të mundësuar arritjen e ndihmave humanitare. Më parë në samit pati një shkëmbim mendimesh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

    Afrim më i madh BE – Ukrainë

    Para një viti shtetet e BE i premtuan Ukrainës se do ta furnizojnë me 1 milionë municione për ushtrinë në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Deri tani BE nuk e ka realizuar dot këtë premtim. Në Bruksel u morën një sërë masash të tjera financiare dhe politike. Në samitin e BE u arrit ujdia të enjten për financimin e furnizimit me armë të Ukrainës.

    50 miliardë për buxhetin ukrainas

    Për herë të parë u zhvillua edhe takimi i Këshillit të Asociiimit Ukrainë-BE, pas dhjetorit kur BE zyrtarisht bëri të ditur fillimin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë instancë përgatiten hapa të tjerë deri në pranimin e negociatave të anëtarësimit. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal paraqiti një plan reformash dhe për rindërtimin e Ukrainës. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen bëri të ditur, se të mërkurën u lirua kësti i parë prej 4,5 miliardë eurosh nga 50 miliardë euro të instrumentit të ri të financimit të BE për vendin kandidat, Ukrainën. Deri në fund të vitit 2027 do të financohet kështu buxheti i Ukrainës. “Kjo është vendimtare për Ukrainën”, tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen. “Jemi mirënjohës për këtë mbështetje”, u shpreh kryeministri ukrainas, Shmyhal. Mekanizimi i financimit me 50 miliardë euro për Ukrainën është çelës për stabilitet. “BE është tani në një gjendje alarmi, sepse edhe interesat e saj vitale janë në lojë”, tha Shmyhal.

    Megjithatë BE ende nuk ra dakord, se kur do të fillojnë formalisht bisedimet e anëtarësimit me një konferencë qeveritare të 27 vendeve anëtare plus Ukrainën. Për këtë nevojitet vendimi unanim. Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht procesin e anëtarësimit të Ukrainës.

    Me interesat bankare ruse financohen armët për Ukrainën

    Pas një vendimi parimor në shkurt nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, Komisioni i BE-së prezantoi edhe planin se si përfitimet nga interesat e aseteve të ngrira ruse në BE duhet të vihen në dispozicion të Ukrainës.

    Bëhet fjalë për përfitimet e Rusisë nga interesi prej rreth tre miliardë euro në vit, të cilat krijohen nga aktivet e bankës shtetërore ruse në ofruesin belg të shërbimit financiar Euroclear. Asetet e bankës shtetërore ruse që arrinin pothuajse 200 miliardë euro janë ngrirë atje nga sanksionet e BE-së dhe nuk mund të tërhiqen apo transferohen më nga Banka Qendrore e Rusisë.

    Bashkimi Evropian refuzon një konfiskim të plotë të këtyre fondeve, siç kërkohet nga Ukraina, për shkak të problemeve të mundshme ligjore dhe dëmtimit të besimit të investitorëve ndërkombëtarë në zonën e euros. Pas diskutimeve të gjata, shtetet e BE-së ranë dakord të konfiskojnë të paktën fitimet nga investimet ruse.

    Që tani e tutje, këto do të paguhen në një buxhet të posaçëm, të ashtuquajturin “Facilimenti Evropian i Paqes”. Shtetet anëtare të BE-së e përdorin këtë fond për të financuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Deri më tani, fondi përmban pesë miliardë euro nga kontributet e shteteve të BE-së.

    Duhet të merren parasysh shqetësimet nga Banka Qendrore Evropiane se përdorimi i fondeve ruse nga Euroclear mund të çojë në vështirësi financiare për kompaninë private belge dhe në fund të fundit në një krizë të madhe financiare. Kjo i lejon Euroclear të mbajë një pjesë të të ardhurave nga asetet ruse si garanci për të financuar pretendimet nga investitorët e tjerë dhe procedurat e mundshme ligjore.

    BQE ka frikë se bankat kineze ose investitorë të tjerë të mëdhenj mund të tërheqin aktivet e tyre nga Euroclear dhe, në rastin më të keq, kompania do të duhej të shpëtohej nga shteti belg. Kjo nga ana tjetër mund të çojë në një krizë financiare në zonën e euros.

    Përveç kësaj, Rusia si kundërpërgjigje mund të konfiskojë asetet nga Euroclear. Rreth 33 miliardë euro nga ofruesit e shërbimeve financiare belge thuhet se kanë mbetur në Moskë. Me nxitjen e BQE-së, BE-ja dëshiron vetëm të tregtojë së bashku me vendet e tjera të industrializuara perëndimore në G7, sepse banka shtetërore ruse ka asete edhe në SHBA, Japoni dhe Britani të Madhe, megjithëse në një masë më të vogël.

    Moska flet për “vjedhje”

    Gjermania hoqi dorë nga rezistenca e saj ndaj këtij modeli. Belgjika ka njoftuar se do të transferojë në Ukrainë tatimin mbi kapitalin prej 25 për qind mbi fitimet ruse. BE-ja po hap terren me përdorimin e mundshëm të parave ruse për të financuar shitjet e armëve në Ukrainë.

    Deri tani, konfiskimi i aseteve të huaja të bankave shtetërore ka ndodhur vetëm pas përfundimit të luftërave, për shembull pas Luftës së Parë të Gjirit të Irakut kundër Kuvajtit në 1991 ose pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Reagimi nga Moska nuk vonoi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se po shkatërrohet reputacioni i Perëndimit si një vend i sigurt për investime. “Dëmi është i pakundërshtueshëm. Njerëzit dhe shtetet që marrin vendime të tilla sigurisht që do të jenë objekt i ndjekjes penale për shumë dekada,” tha Peskov. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse foli për “banditizëm dhe vjedhje”.

    Tarifat për produktet bujqësore nga Ukraina

    Të mërkurën (20.03) vendet anëtare të BE-së ranë dakord të zgjasin importet pa taksa të mallrave nga Ukraina edhe për një vit. Megjithatë, për shkak të presionit të fermerëve protestues, disa produkte bujqësore, si mjalti, vezët, shpendët, sheqeri, misri dhe tërshëra, duhet të përjashtohen. Tarifat e importit në BE mund të paguhen sërish për këto produkte nga qershori nëse importet tejkalojnë sasi të caktuara, shkruan DW, transmeton KosovaPress.

    Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ishte i kënaqur me vendimet, sepse Ukraina nuk do të arrinte gjithsesi kufijtë e sipërm të vendosur për produktet kritike. Kufiri i sipërm bazohet në vlerat mesatare për vitet 2022 dhe 2023. Mbetet për t’u parë nëse fermerët polakë që po bllokojnë kalimet kufitare për shkak të konkurrencës së lirë nga Ukraina mund të qetësohen./ DW

  • ​Dyfishimi i kapaciteteve të energjisë synohet me ankandin e erës

    ​Dyfishimi i kapaciteteve të energjisë synohet me ankandin e erës

    Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë nënshkruar marrëveshjen për zhvillimin e ankandit të erës, në të cilën priten të dyfishohen kapacitetet e energjisë në Kosovë. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se ky projekt shërben në krijimin e një sektori më të sigurte të energjisë më rast të sfidave që mund të hasen në këtë drejtim. Derisa këtë vit e ka vlerësuar “si fantastik në aspektin e energjisë”.

    Rizvanolli ka theksuar se me këtë projekt është paraparë të përfshihet edhe sektori publiko-privat, për çfarë tha se kjo në këtë mënyrë do të sigurohen që jo e tërë kostoja e ndërtimit të kapaciteteve dhe e tranzicionit energjetik, reflektohet në tarifa të konsumatorëve fundor në afat të mesëm.

    Ajo po ashtu ka thënë se presin nga Kuvendi që në seancën e radhës të rregullt, të miratojë ligjin e parë të Kosovës për burime të ripërtritshme të energjisë.

    “Po nënshkruajmë marrëveshjen për me Korporatën ndërkombëtare Financiare IFC për zhvillimin e ankandit të radhës të Republikës së Kosovës, ankandin tonë të parë të erës….Të gjitha këto janë hapa të rëndësishëm drejt realizimit të vizonit tonë si qeveri, dhe tanimë si shtet duke qenë se këtë e kemi të etabluar në strategjinë tonë të energjisë, që është krijimi i një sektori të energjisë që ofron siguri të furnizimit, është më i pastër dhe i qëndrueshëm, mbështetet në burime vendore për pavarësi energjetike… Ndërtimi i kapaciteteve të erës është shumë kompleks, andaj me përfundimin me sukses të këtij procesi, ne si shtet dëshmojmë përfundimisht që tranzicionin energjetik e kemi të arritshëm dhe për më tepër që jemi një partner serioz për zhvillueseve e projekteve, e investitorët që do të vinë të investojnë këtu. Kemi paraparë në këtë projekt, një komponent të partneritetit publiko-privat që është për herë të parë në projekte të tilla në rajon. Kjo na mundëson që të sigurohemi që si shtet kontribuojmë me investim në projekt dhe në këtë mënyrë sigurohemi që jo e tërë kostoja e ndërtimit të kapaciteteve dhe e tranzicionit energjetik reflektohet në tarifa të konsumatorëve fundor në afat të mesëm. Kjo është edhe një mënyrë e jonë për t’u siguruar që në rast të krizave që mund t’i përjetojmë më vonë në sektorin e energjisë, të kemi edhe një sasi të energjisë të prodhuar në pronësi publike, në mënyrë që të kemi më lehtë ndërhyrjen në treg në rast të krizave për të mbrojtur konsumatorët nga luhatjet e mëdha të tregut. Kriza e fundit na ka treguar se duhet të jemi të përgatitur për më të keqen edhe kur jemi në momentet më të mira”, tha Rizvanolli.

    Në anën tjetër, edhe menaxheri Regjional, IFC, Nicolas Marquier deklaroi se ky projekt është i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik në Kosovë.

    “Ne tani jemi duke lëvizur përpara me një ankand të ri, që ka të bëjë me ankandin e parë të erës në Kosovë, që të dyfishojmë kapacitetet e energjisë në Kosovë, që do të përfshijë rreth 8 për qind të kërkesës së energjisë në Kosovë. IFC dhe sektori privat dhe Bankës Botërore, ne jemi një institucion më i madh në botë sa i përket financimit e sidomos për sektorin privat për t’u afruar ata në këto tregje të rëndësishme”, tha Marquier.

  • ​Masat dhe aktivitetet e BQK-së kundër parave të falsifikuara, vazhdon luftimi i kësaj dukurie

    ​Masat dhe aktivitetet e BQK-së kundër parave të falsifikuara, vazhdon luftimi i kësaj dukurie

    Falsifikimi i parasë është një ndër veprat më të vjetra kriminale dhe paraqet rrezik dhe brengë për të gjitha vendet pa përjashtim. Banka Qendrore e Kosovës njofton se me qëllim të ruajtjes së integritetit të parasë në qarkullim, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse pa përjashtuar këtu edhe publikun e gjerë.

    “Në fund të vitit 2023, Banka Qendrore e Kosovës ka koordinuar me sukses takime ndër-institucionale për të hartuar dhe zbatuar strategji efektive për luftimin e qarkullimit të monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro. Përmes masave të qarta dhe veprimeve të koordinuara, si heqja e tarifave për deponimin e monedhave, sigurimi i furnizimit të ekonomisë me monedha të reja përmes bankave komerciale dhe ndryshimet rregullative të transportit ndërkufitar të monedhave është arritur të tërhiqen nga qarkullimi sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

    Sipas BQK-së, konkretisht nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

    “Po ashtu, BQK-ja dhe bankat komerciale kanë detektuar dhe parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara. BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

    Për më tepër thuhet se në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro.

    “Gjithashtu, si rezultat i masave përkatëse, deri më tani numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) copë/njësi apo mbi 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) milionë euro. Ky veprim, përveç që ka ndikuar aspektin e reduktimit të rrezikut të parave të falsifikuara, ka kontribuar dhe ndihmuar në strategjinë përkatëse kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura”, thuhet në komunikatë.

    BQK vazhdon të nxitë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale pa kosto dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatoret ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, bizneset nxiten që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe te shmangin kanalet jozyrtare.

    Prandaj, BQK ripërsërit qëndrimin dhe rekomandon që:

    Të shmanget sa më shumë përdorimi i parasë së gatshme në blerje dhe të zëvendësohet me pagesa elektronike dhe kartelave bankare;

    Të tregohet vëmendje e veçantë ndaj monedhave të pranuara;

    Bankat dhe institucionet financiare jobankare të promovojnë pagesat elektronike dhe shtrijnë rrjetin e pajisjeve për pagesa me kartela bankare;

    Bizneset të cilat pranojnë para të gatshme të shtojnë përpjekjet e tyre duke investuar në teknologjitë që bëjnë detektimin e parave të falsifikuara dhe lëvizin drejt reduktimit të parasë së gatshme si mjet pagese; dhe

    Qytetarët në bazë të ligjit të raportojnë te autoritetet përgjegjëse (Policia e Kosovës) çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët.

    “BQK rikonfirmon angazhimin e saj të plotë për të mbështetur çdo përpjekje për të luftuar kundër parave të falsifikuara dhe nxit vazhdimin e masave parandaluese dhe edukative. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kanë kontribuar dhe ndihmuar në këto aktivitete të luftës ndaj këtij fenomeni, krahas institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe bashkëpunuese në këto përpjekje, që me gjithë rezultatet pozitive, duhet te vazhdojnë dhe janë sfida të përhershme”, thuhet në raport.

  • KQZ-ja siguron zyrat për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore

    KQZ-ja siguron zyrat për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka konfirmuar se janë siguruar zyrat për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat veriore, raporton EO.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ky proces do të mbahet në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

    “Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, me përkrahjen e komunave përkatëse, janë siguruar zyret në hapësirat e objekteve të administratës komunale”, tha ai.

  • Pacolli: Unë do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë Kurti

    Pacolli: Unë do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë Kurti

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë Kurti, nëse një mocion mosbesimi kundër saj iniciohet në Kuvendin e Kosovës.

    Në një deklarim për portalin Indeksonline të premten, kryetari i Aleancës Kosova e Re tha se nëse nuk i shkakton ndonjë dhimbje Kosovës, do të votojë për rrëzimin e qeverisë.

    “Sigurisht që vota ime do të jetë pro, nëse nuk do t’i shkaktojë ndonjë dhembje Kosovës. Të gjithë e dinë se jam munduar të mos shkaktoj ndonjë traumë politike për proceset në Kosovë. Kjo qeveri e ka sjellur Kosovën në një pozitë të paprecedentë dhe meriton dënimin e merituar. Gjithmonë kam shpreuar se do t’i kthehet realitetit, gjë që nuk ndodhi për më shumë se tre vite”, ka thënë Pacolli.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë të enjten në mbrëmje se është gati ta ndihmojë opozitën nëse dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje.

  • Aksident te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë

    Aksident te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë

    Sot në orët e paradites ka ndodhur një aksident trafiku te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ndërsa një person është lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar nga Policia e Kosovës.

    Në aksident janë përfshirë dy automjete.

    “Rreth orës 09:20 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë ka ndodhur një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, thuhet në raport.

  • Rishikimi i teksteve shkollore, dorëzohet raporti i fazës së parë që përfshin vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës së klasave 1-9

    Rishikimi i teksteve shkollore, dorëzohet raporti i fazës së parë që përfshin vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës së klasave 1-9

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës në takimin e mbajtur dje. Aty të pranishëm ishin edhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrtarë të MAShTI-it dhe anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPShT.

    Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës.

    Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen, veçoi ai.

    Në lidhje me raportin e përgatitur, kryeministri u shpreh se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.

    “Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, tha kryeministri.

    Ndërsa, ministrja Nagavci tha se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës.

    Ajo bëri të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA duke i ditur rezultatet e nxënësve në këto lëndë.

    Ministrja shtoi se përveçse do të vazhdojmë me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikojmë që të gjitha këto raporte t’i ndajmë më shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.

    Mihaela Singer nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore. Singer ka folur për fazën e parë të procesit të rishikimit të teksteve shkollore dhe gjetjet të cilat janë përfshirë në Raport.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë”, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar kanë filluar procesin e rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm (klasat 1-9), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit parauniversitar.

    Procesi i rishikimit të teksteve shkollore udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë.

  • OEAK reagon për suspendimin e një përmbarues privat: Të shqetësuar që Qeveria po e sulmon gjyqësorin

    OEAK reagon për suspendimin e një përmbarues privat: Të shqetësuar që Qeveria po e sulmon gjyqësorin

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me suspendimin së fundmi të një përmbaruesi privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ky veprim, siç perceptohet nga Oda Amerikane dhe anëtarët e saj, përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës. Si avokuese prijëse për interesat e bizneseve dhe investitorëve në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë shtylla themelore për një mjedis të fortë dhe të favorshëm biznesi. Është thelbësore të theksohet se sundimi i ligjit në thelb përfshin kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit duke iu nënshtruar kornizës së mirëfilltë ligjore.

    “Gjithashtu, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saj lidhur me sulmet verbale të përfaqësuesve të ekzekutivit dhe legjislativit ndaj pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e tjera. Sulmet e tilla gërryejnë më tej besimin në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili është thelbësor për sigurimin e procedurave të drejta dhe transparente ligjore për bizneset dhe investitorët”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

    Themelimi i funksionit të përmbaruesit privat, i mbështetur nga USAID-i, ka qenë instrumental në asistimin e institucioneve të Kosovës për të përmirësuar përmbarimin e aktvendimeve civile, duke reduktuar në mënyrë dramatike numrin e lëndëve të pazgjidhura përmbarimore në sistemin gjyqësor të Kosovës. “Ky funksion jo vetëm që rrit efikasitetin e proceseve gjyqësore, por gjithashtu kontribuon në nxitjen e një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe investitorët, duke siguruar zbatimin në kohë dhe efektiv të vendimeve ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Sipas OEAK, ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që i minon këto shtylla, por gjithashtu i kontribuon rritjes së paparashikueshmërisë dhe mungesës së transparencës rreth kuadrit ligjor dhe rregullativ të vendit dhe respektimin e normave dhe praktikave ndërkombëtare për përmbarimin e aktvendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.

    “Suspendimi i përmbaruesit, për herë të dytë, si vijimësi e rasteve të mëparshme të ndërhyrjeve të perceptuara, dërgon një sinjal shqetësues për investitorët vendase dhe ndërkombëtarë. Ai vë në dyshim garantimin e mbrojtjes ligjore dhe zbatueshmërisë së kontratave në Kosovë. Një klimë e tillë e pasigurisë është e dëmshme për mjedisin e biznesit, duke penguar investimet, rritjen ekonomike e rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Dështimi për të respektuar ndarjen e pushteteve cenon parimet demokratike dhe proceset integruese euroatlantike. Respektimi i këtij parimi mbron nga përqendrimi i pushtetit si dhe mbron pavarësinë e institucioneve kyçe, përfshirë gjyqësorin”, thuhet në komunikatë.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë. “Rikonfirmimi i përkushtimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit është imperativ për zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, thuhet në reagim.

  • Mesazhi i Baba Mondit për festën e Sulltan Nevruzit: Uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin

    Mesazhi i Baba Mondit për festën e Sulltan Nevruzit: Uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin

    Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

    Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi uroi që Sulltan Nevruzi të sjellë mbarësi dhe bekime nga Zoti për të gjithë.

    “Secili duhet të njohë vetën, të mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe. Në këtë ditë të veçantë uroj ta doni më shumë njëri tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësi në zemrat tuaja”, ishte mesazhi i Baba Mondit.

    Një urim për besimtarët bektashinj në të gjithë vendin erdhi po ashtu edhe nga Kryeministri Edi Rama. Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri uroi Gëzuar Sulltan Nevruzin, për të gjithë besimtarët.

    Edhe Lulzim Basha uroi të gjithë bektashinjtë shqiptarë.

    “Nga zemra i uroj të gjithë besimtarët bektashinj Gëzuar Sulltan Novruzin. Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve dhe mbarë kombin”, shkruan Basha në Facebook.

    Ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zgjedhur të festojë këtë ditë të shënuar me besimtarët bektashinj përmetarë.

    Nga Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, Presidenti Begaj do të përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë në orën 12.00.

    22 marsi është Dita e Nevruzit ose Dita e Sulltan Nevruzit. Që nga viti 1996, Dita e Nevruzit është festë zyrtare në Shqipëri.
    Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane.

    Sot, kjo ditë në Shqipëri është festë fetare zyrtare për Komunitetin Bektashi. Një simbol i njohur i kësaj feste është edhe ëmbëlsira e ashures/vizionplus.tv.

  • Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën

    Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën

    Mision të pamundur ndërhyrjen në Kosovë me forcë nga Serbia po e sheh, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

    Arifi, thotë se deklarata e presidentit serb është më shumë për konsum politik të brendshëm.

    “Ai e din mirë se në Kosovë operojnë forcat e NATO-s, dhe ndërhyrja me forcë në Kosovë është mision i pamundur. Kjo deklaratë vie si rezultat i presionit ndërkombëtar për ta zgjidhur problemin me Kosovën dhe duku qenë në situatë të vështirë provon që me deklarata populiste të paraqitet si mbrojtës i serbëve”, është shprehur ai për Front Online.

    Por, Arifi mendon se Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën e Preshevës.

    “Por, kjo deklaratë gjithsesi që mund të destabilizojë rajonin, kur dihet se për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor rajonin e Luginës së Preshevës”, ka thënë shkurt Arifi.

    Sipas tij, ky është një sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që të ndalojë së përkëdheluri Serbinë dhe të marrin masa serioze për mos destabilizimin e rajonit.

    Ndaj, deklaratës së presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka pasur reagime të shumta.

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

    Për deklaratat kërcënuese të Aleksandër Vuçiqit ndaj Kosovës ka folur edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

    Hovenier tha se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata.

    Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.