ATV

Author: ATVLive

  • Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës ka shpallur epidemi të kollës së keqe në nivel të Kumanovës, njoftuan sot zyrtarë nga institucioni publik shëndetësor. Epidemiologia Dr. Edita Ramizi tha se nga 26 të raportuar në nivel të Qendrës, 23 janë të sëmurë në Kumanovë.

    Mosha e pacientëve varion nga 4 muaj deri në 60 vjeç. Numri më i madh është nga 1 deri në 4 vjeç, më pas është nën një vit, që nga pesë deri në 9 vjeç, pjesa tjetër përfaqësohet nga një rast. Sigurisht që rekomandimi dhe apeli për vaksinimin e fëmijëve për t’i mbrojtur nga kjo sëmundje mbetet.

    Të gjitha rastet janë konfirmuar laboratorikisht, nga të cilët numri më i madh janë konfirmuar në laboratorin mikrobiologjik në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë. Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve nga Kumanovë, tetë persona janë të vaksinuar plotësisht, tre të vaksinuar sipas moshës, pesë persona janë të pavaksinuar, gjashtë janë të pavaksinuar, statusi i vaksinimit të personit 60 vjeçar nuk dihet, tha Dr.Ramizi, raporton Alsat-M.

  • ​Ballkani para ndeshjes me Suharekën: Betejë të fortë në fushë, festë në tribunë

    ​Ballkani para ndeshjes me Suharekën: Betejë të fortë në fushë, festë në tribunë

    Kupa e Kosovës do t’i rikthehet nesër aksionit, ku do të zhvillohen ndeshjet e para të gjysmëfinales së këtij sezoni.

    Ndeshje interesante do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, ku Prishtina do të përballet me Dritën, raporton KP.

    Ndërkaq, gjithashtu vëmendja do të jetë edhe te derbi i qytetit mes Suharekës dhe Ballkanit. Ky i fundit para ndeshjes së nesërme ka reaguar në “Facebook”, duke treguar se çka do ta karakterizojë këtë finale.

    “Ky duel sigurisht që do të karakterizohet me betejë të fortë futbollistike në fushë, kurse në tribunë do të jetë festë e vërtetë për qytetin tonë”, shkroi Ballkani në “Facebook”.

  • Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndarje të 4 milion eurove për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, raporton EO.

    Albin Kurti është shprehur se një ndër vendimet do të jetë edhe ai i ndarjes së 4 milionë eurosh për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri.

    “Pas thirrjes thirrjes publike të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që janë në gjendje të rëndë sociale me kushte të rënda banimi, ka kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerën e katër milionë eurove të cilat përdoren për subvencionimin qind për qind për ndërtim e shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore”, tha Kurti.

    Kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.

  • Ujë Rugove prodhon 1 milion shishe për të rritur ndërgjegjësimin mbi Autizmin

    Ujë Rugove prodhon 1 milion shishe për të rritur ndërgjegjësimin mbi Autizmin

    Ujë Rugove së bashku me Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë – ANAK, kanë filluar fushatën për ndërgjegjësimin mbi autizmin duke prodhuar 1 milion shishe me etiketa të veçanta që do të shiten në të gjithë Kosovën gjatë muajit Prill.

    Etiketat përmbajnë shumë ngjyra dhe një puzzle/enigmë, simbolin e ndërgjegjësimit për autizëm, dhe sloganin “Autizmi është një ngjyrë e jetës.”

    Ujë Rugove inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës të informohen më shumë mbi autizmin dhe solidarizohen me komunitetin e personave me spektrin autistik.

    Autizmi është një gjendje e zhvillimit që prek aftësitë sociale, komunikimin dhe sjelljen. Në këtë muaj ndërgjegjësimi, është e rëndësishme të ndajmë informacione dhe të promovojmë mbështetjen për personat me autizëm dhe familjet e tyre.

    Ujë Rugove është përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi autizmin dhe për të ndihmuar në shpërndarjen e një mesazhi pozitiv për bashkëjetesën dhe pranimin e ndryshimeve në shoqëri.

    Autizmi është një ngjyrë e jetës – bashkohuni me ne në këtë udhëtim drejt një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe më të përfshirë.

    Ujë Rugove, e pifshi për shnet

  • ​100 xhudistë nga 15 shtete do të zbarkojnë në Kosovë

    ​100 xhudistë nga 15 shtete do të zbarkojnë në Kosovë

    Federata e Xhudos e Kosovës ka bërë të ditur se muaji prill po i dedikohet komponentës së “Diplomacisë publike”, e cila është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”.

    Sukseset e pandalshme të sportit të xhudos, duke përfshirë këtu organizimin e fundit të Kampionatit të Hapur Evropian të xhudos në Kosovë, kanë bërë që të përmirësohet imazhi pozitiv i vendit tonë, gjë kjo që është shndërruar në një shtyllë jetike të përpjekjeve të diplomacisë publike, raporton KosovaPress.

    Muaji prill për Federatën e Xhudos ka filluar me pritjen e ekipit të xhudistëve nga Panamaja, ndërkaq përgjatë këtij muaji në Kosovë do të zbarkojnë edhe 100 xhudistë nga 15 shtete të ndryshme, duke forcuar më tej rolin e xhudos si një mjet i fuqishëm për nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    Policia italiane ka konfirmuar se 41-vjeçari nga Kosova që banonte në Villeneuve të Zvicrës, Hysni Qestaj është një nga dy të personat që vdiqën në aksidentin e rëndë në orët e hershme të së dielës në Italinë veriore.

    Ai ishte në veturën Ferrari GTC4 së bashku me një grua, e cila nuk është identifikuar ende. Nuk është gruaja e tij. Të dytë u dogjën brenda veturës. Vetura doli nga rruga në autostradën Ivrea-Santhia menjëherë pas tunelit Passo d’Avenco në drejtim të Milanos. Matjet e para bënë të mundur të konstatohet se ai po lëvizte me një shpejtësi midis 200 dhe 250 kilometra në orë.

    Përplasja në anësoren e autostradës Ivrea-Santhia e ndau veturën përgjysmë: pjesa e përparme u thërrmua e më pas u përpi nga flakën, ndërsa pjesa e pasme u hodh pesëdhjetë metra larg, raportojnë mediat italiane, përcjell Express.

    Mediumi italian, Rai shkruan se shoferi u identifikua, ndërsa gruaja, e cila mendohet se ishte në anën e pasagjerit, ende jo. Të hënën, vëllai i drejtuesit të veturës u paraqit në stacionin e policisë rrugore Settimo Torinese për ta bërë identifikimin. Nuk ishte e lehtë, siç raportohet, pasi trupi ishte plotësisht i djegur. Ende asgjë nuk dihet, megjithatë, për viktimën e dytë të aksidentit, gjithashtu e djegur dhe e panjohur: për identifikimin e saj Prokuroria e Vercellit ka urdhëruar të bëhet një test i ADN-së.

    Ka gjasa që Prokuroria e Vercellit, e cila po e heton aksidentin, të përgatisë edhe hetimet teknike për rrënojat e veturës për ta zbardhur dinamikën e aksidentit. Nga gjendja e veturës, sipas Rai është e sigurtë se ajo po lëvizte me shpejtësi shumë të madhe, aq sa zjarrfikësve iu deshën pesë orë punë për nxjerrjen e trupave të djegur dhe për ta hequr atë që kishte mbetur nga Ferrari.

    Gazeta La Sentinella del Canavese, shkruan ndërkaq, se 41-vjeçari kishte lindur e banonte në Zvicër.

    Dy trupave do t’u bëhet autopsia. Mediat italiane shkruajnë se të dy personat mbanin orë me rrip ari. Një detaj që mund ta ndihmojë prokuroren Mariaserena Iozzo.

    Misteri i viktimës së dytë

    Mediat italiane shkruajnë se viktima e dytë nuk është gruaja e kosovarit që vdiq në këtë aksident.

    Siç raporton Torino Cronaca, ruaja që vdiq së bashku me Hysni Qestajn, DJ me profesion, nuk ishte gruaja e tij.

    Por pse DJ Hysni Qestaj humbi kontrollin e Ferrarit të bardhë dhe u përplas?

    Duket se një natë më parë ka performuar në një klub nate në kantonin Valais të Zvicrës. Muzika deri në agim, pastaj, ndoshta, shumë pak orë gjumë para vozitjes. Për më tepër, një makinë garash, një Ferrari që mund të arrijë shpejtësinë 335 kilometra në orë, shkruan Torino Cronaca.

    Mediumi zviceran, Blick, shkroi dje se vëllai i Hysni Qestajt ka konfirmuar se vetura ishte e tij.

    “Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

    Vëllai i Hysni Qestajt sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por më pas udhëtoi për në Zvicër.

    Mediat në Itali raportojnë se bashkëshortja e Hysni Qestajt ndodhet në Kosovë, së bashku me fëmijët e çiftit, 11 dhe 14 vjeç. Vëllai i tij, megjithatë, saktësoi dje se ata ndodhen në Zvicër.

    “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”, tha ai për mediumin zviceran.

  • Miratohet projektligji për marrëveshjen kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë

    Miratohet projektligji për marrëveshjen kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Marrëveshjen Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo marrëveshje parasheh ndër të tjera bashkëpunimin me Turqinë në stërvitje dhe edukim ushtarak, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare.

    “Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha, stërvitje dhe edukim ushtarak, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare”, ka thënë ai.

  • “E kam shkatërruar trupin tim”, Varane ka një mesazh të rëndësishëm për të birin

    “E kam shkatërruar trupin tim”, Varane ka një mesazh të rëndësishëm për të birin

    Një Raphael Varane “i shkatërruar” ka folur për tronditjet në kokë në futboll, me yllin e Manchester United që e ka këshilluar të birin e tij që mos ta godasë topin me kokë.

    Varane, i cili ka pësuar tronditje në kokë në ndeshjet me Kombëtaren e Francës dhe Real Madridin, theksoi mungesën e të kuptuarit rreth lëndimeve të kokës në futboll, raporton KosovaPress.

    Ai tregoi incidente specifike, të tilla si gjatë ndeshjes së Francës në Kupën e Botës 2014 kundër Nigerisë, ku luajti gjatë gjithë ndeshjes pavarësisht se pësoi një tronditje. Varane zbuloi se si ai luajti në modalitetin “autopilot” pas incidentit, duke theksuar rreziqet e mosnjohjes dhe trajtimit të menjëhershëm të lëndimeve në kokë.

    Në një intervistë me “L’Equipe”, Varane tha:

    “Unë e mbarova ndeshjen por unë isha në modalitetin ‘autopilot’. Nëse dikush do më fliste asokohe, nuk e di nëse do të isha i aftë të ktheja përgjigjen”.

    Sidoqoftë, ai nuk guxoi të mungoj në çerekfinalen e Kupës së Botës kundër Gjermanisë, të cilën Franca e humbi 1:0.

    “Nuk isha në gjendje normale kështu që po më monitoronin. Kisha humbur peshë sepse isha i dehidratuar, nuk isha në formën më të mirë por luajta sepse ishte një çerekfinale e Kupës së Botës”, tha Varane.

    Varane ka pasur probleme të tilla edhe te United, klub ky i cili ua ka ndaluar lojtarëve ta godasin topin më shumë se 10 herë me kokë në stërvitje, gjë kjo e cila nuk mund të kontrollohet më pas në një ndeshje zyrtare. Kjo e ka shtyrë Varanen që ta paralajmërojë të birin e tij shtatë vjeçar që mos ta godasë topin me kokë.

    “Djali im shtatë vjeçar luan futboll, dhe unë e kam këshilluar që të mos e godasë topin me kokë. Edhe nëse nuk shkakton traumë të menjëhershme, e dimë që në aspektin afatgjatë, tronditjet e shpeshta do të kenë efekte negative. Nuk e di nëse do të jetojë 100 vite, por e di se e kam shkatërruar trupin tim. Si futbollistë që luan në nivelin më të lartë, ne jemi të mësuar me dhimbje, jemi më shumë si ushtarë, djem të fortë, simbol i forcës fizike, por këto simptoma janë gati të padukshme”, tha Varane.

  • Kurti: Për herë të parë në regjistrimin e popullsisë do të regjistrohen edhe dëmet e luftës

    Kurti: Për herë të parë në regjistrimin e popullsisë do të regjistrohen edhe dëmet e luftës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të martën ka thënë se për herë të parë në procesin e regjistrimit të popullsisë do të jetë edhe një formular në të cilin do të mund të regjistrohen dëmet e shkaktuara gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka përmendur edhe funksionalilzimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, për të cilin tha se janë hapur edhe pozita të reja të punës. Me këtë rast, ai ftoi qytetarët që të aplikojnë për këtë konkurs dhe të dorëzojnë dëshmitë e tyre në këtë Institut.

    “Në për ditë i kujtojmë sakrificat e këtyre familjeve. Në mbledhjen e kaluar për të dokumentuar me saksi të gjitha kurimet me qenë se shpeshherë kemi shpërputhje të të dhënave, kemi funksionalizuar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës për të cilin tashme janë hapur 25 pozita, atëherë ju bëjë thirrje ekspertëve që të aplikojnë. Krahas thirrjes për të deponuar dëshmi, i bëjë thirrje qytetarë që të përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim të popullsisë. Për herë të parë në regjistrim e popullsisë është përfshirë formulari për regjistrimin e dëmeve të luftës”.

    “Ky regjistrim që fillon të premten do të na siguroj edhe një evidencë të se kaluarës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. I bëjë thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë i krimeve të kryera gjatë luftës, me kalimin e kohës jemi duke i humbur dëshmitarët”, ka thënë ai.

  • ​Kurti: Sistemi i drejtësisë të adresojë me urgjencë krimet e luftës

    ​Kurti: Sistemi i drejtësisë të adresojë me urgjencë krimet e luftës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të adresojnë me urgjencë krimet e luftës.

    Ai para kabinetit qeveritar, në mbledhjen e së martës, tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, por sipas tij është e rëndësishëm që të njëjtat të adresohen sa më shpejtë, pasi dëshmitarët po vjetërsohen dhe po vdesin.

    Kurti bëri të ditur se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti policia e Kosovës ka intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës.

    “Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpeshherë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme, kemi funksionalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilën tashmë janë hapur 25 pozita…Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e Kosovës e kemi ngritur në nivel të drejtorisë së hetimeve të krimeve të luftës me 41 hetues. Pra më shumë se qind për qind ngritje e zyrtarëve përkatës. Derisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë me rritjen e numrit të hetuesve vetëm në këta muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësi. Andaj nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë për rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. Këto krime nuk vjetërsohen, por dëshmitarët janë gjithnjë edhe më të moshuar”, tha ai.

    Krahas kësaj, Kurti bëri thirrje qytetarëve që të përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, që pritet të fillojë me 5 prill.

    “Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë, në institutin e themeluar, i bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Nuk kemi mangësi vetëm te shpërputhja e të dhënave, por edhe mungesa e tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare…Ky regjistrim që fillon të premten me datë 5 prill, përveç që do të na jep një pasqyrë të së tashmes do të na siguroj edhe një evidencë të së kaluarës. Të mos kemi të dhëna të ndryshme për fakte të njëjta dhe mos të keni mungesë të dhënave për ato që i dina sepse i kemi jetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot e kësaj dite”, përfundoi ai.