ATV

Author: ATVLive

  • Rritet numri i të vdekurve dhe të lënduarve nga tërmeti në Tajvan

    Rritet numri i të vdekurve dhe të lënduarve nga tërmeti në Tajvan

    Shtatë persona kanë humbur jetën në Tajvan pas një tërmeti me magnitudë 7.4 ballë që goditi bregun lindor të ishullit të mërkurën në mëngjes, sipas Agjencisë Kombëtare të Zjarrit (NFA) raporton CCN.

    Sipas NFA (Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve) 736 persona të tjerë janë lënduar.

    Pamjet me video nga mediat lokale treguan se disa ndërtesa në qytet u shembën për shkak të tërmetit, i cili ndodhi në një thellësi prej 34.8 kilometrash (21 milje).

    Raportohet për njerëz të bllokuar në ndërtesat e shembura.

    CWA lëshoi gjithashtu një paralajmërim për cunami për rajonet veriore të ishullit pas tërmetit, i cili gjithashtu shkaktoi rrëshqitje dheu.

    Linjat e metrosë në Taipei dhe zonat Taichung dhe Kaohsiung u prekën, ndërsa njerëzit në zonat bregdetare po përgatiteshin të evakuoheshin për shkak të frikës nga dallgët e larta, raporton AA.

    Disa fluturime për dhe nga Tajvani u prekën gjithashtu, ndërsa tre lëndime u raportuan në Korporatën Ndërkombëtare të Aeroportit Taoyuan, e cila gjithashtu pësoi disa dëmtime në dyshemetë e terminalit, muret dhe kokat e spërkatës.

    Shkollat në zonat e prekura gjithashtu pezulluan punën, dhe energjia elektrike në shumë zona u prek gjithashtu.

    Ka mundësi që dridhjet të përsëriten gjatë ditëve në vijim.

    Kompanitë e teknologjisë së Tajvanit gjithashtu evakuuan mijëra njerëz dhe një proces rishikimi është në vazhdim. Çdo ndikim i tërmetit në sektorin e teknologjisë ka të ngjarë të shkaktojë ndërprerje në furnizimin me çipa.

    Ndërkohë, Komisioni i Sigurisë Bërthamore i Tajvanit tha se i vetmi central bërthamor aktiv në ishull “po funksiononte si zakonisht”.

    Tërmeti shkaktoi valë të vogla cunami që arritën në Japoninë jugperëndimore, e cila tani ka ulur alarmin mbi valët e larta, raporton AA.

    “Një cunami i vogël arriti në ishujt Yonaguni, Ishigaki dhe Miyako në prefekturën Okinawa”, tha Agjencia Meteorologjike Japoneze, duke paralajmëruar për mundësinë e një cunami më të madh.

  • ​25.8 milionë euro më shumë të hyra tatimore

    ​25.8 milionë euro më shumë të hyra tatimore

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se mbledhja e të hyrave për periudhën janar-mars 2024, kap shifrat prej 236.2 milionë euro, ndërsa nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 25.8 milionë euro apo 12.2%

    ATK thekson se po vazhdojnë të përforcojnë në mënyrë të shkëlqyer në drejtim të rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore, si dhe në trajtimin e dukurive të cilat dëmtojnë ekonominë dhe konkurrencën e drejtë në treg.

    “Profesionalizmi, implementimi i legjislacionit tatimor, llogaridhënia, rritja e shërbimeve digjitale, partneriteti me qytetar në raportimin e rasteve korruptive, janë disa nga faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e trendit të të hyrave tatimore dhe uljen e statistikave të evazionit fiskal. Mbledhja e të hyrave për periudhën janar – mars 2024, kap shifrat prej 236.2 milionë euro, ndërsa nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 25.8 milionë euro apo 12.2%. Mjedisi në të cilin ATK vepron është kompleks dhe vazhdimisht pëson ndryshime, andaj kjo e detyron Administratën Tatimore që të reagojë paanshëm në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi. Forcimi i përmbushjes vullnetare në të gjitha segmentet e tatimpaguesve vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë shumën e saktë tatimore, dhe duke ndërmarrë veprimet e duhura ndaj tatimpaguesve mospërmbushës”, thuhet në komunikatë.

    ATK falënderon të gjithë tatimpaguesit, të cilët i kryejnë saktë dhe me kohë obligimet tatimore.

  • Vdesin 8 persona, 7 emigrantë dhe shoferi nga Shkodra

    Vdesin 8 persona, 7 emigrantë dhe shoferi nga Shkodra

    Tetë persona kanë vdekur mëngjesin e së martës kur një veturë e cila dyshohet se po bartte emigrantë doli nga rruga dhe ra buzë lumit Vjosa në Shqipëri.

    Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në jug të vendit.

    Autoritetet thanë se drejtuesi i veturës, një 24-vjeçar nga Shkodra, që po i bartte shtatë emigrantë nga vendet e treta, e humbi kontrollin e veturës, duke i ikur policisë.

    Oficerët e ndoqën deri në afërsi të vendit të ngjarjes veturën dhe se “kur nuk e kanë parë më mjetin që po ndiqnin, efektivët e policisë kanë inspektuar zonën dhe kanë parë shenjat e aksidentit të rëndë”, tha drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.

    Kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Çano, tha se shoferi është shqiptar nga Shkodra, ndërsa emigrantët nga vende të treta që po përdornin Shqipërinë për të shkuar në vende të Bashkimit Evropian.

    “Nuk e dimë nga [cilat vende] vijnë, presim mjekët ligjorë nga Tirana për ekspertizën dhe do të duhet kohë për identifikimin. Pas identifikimit do të bashkëpunojmë me ambasadat përkatëse për kthimin e trupave në vendet e tyre”, tha Çano.

    Cipa dhe Cano thanë se gjatë aksit rrugor Këlcyrë – Përmet, në vazhdimësi janë vërejtur “elemente kriminale që merren me këtë aktivitet”, me transportimin e paligjshëm të emigrantëve që synojnë të shkojnë drejt BE-së.

    Drejtues të policisë vendore, të policisë kufitare dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dolën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

    Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që e përdorin emigrantë të paligjshëm për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Ata hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia dhe më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, në përpjekje për të arritur në BE.

    Sipas Agjencisë Evropiane Kufitare, Frontex, viti 2023 shënoi një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të emigrantëve në BE përmes rrugës ballkanike. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Në Kosovë nuk ka databazë me numër të saktë të personave me autizëm

    Në Kosovë nuk ka databazë me numër të saktë të personave me autizëm

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Prishtina nuk e ka asnjë qendër për trajtimin e rasteve të personave me autizëm, ku ata do të merrnin trajtimin e duhur shëndetësor.

    Edhe çerdhet dhe shkollat publike e private, në shumicën e rasteve kanë mungesë të asistentëve, logopedëve të cilët do të merreshin me raste të tilla.

    “Në kopshtin tonë dyert janë të hapura për fëmijët me autizëm, për çdo vit kemi pasë, sepse është e nevojshme për socializimin e tyre. Nuk kemi mësuese mbështetëse për t’i ndihmuar edukatoret, këtë vit asistenten e paguan prindi”, tha Florie Kameri, u.d. drejtoreshë në çerdhen “Dielli”.

    Sipas psikologut Naim Telaku, për fëmijët autikë duhet të kujdesen profesionistë, pasi mostrajtimi i duhur mund të ndikojë negativisht në zhvillimin dhe socializimin e tyre.

    “Nëse nuk ka një profesionist për të punuar me këto raste, kjo mundet me pengu edhe funksionimin e krejt grupit, e pamundëson fëmijën me autizëm me pasë një zhvillim të mirëfilltë, sepse këta persona kanë nevojë për ndihmë të mirëfilltë profesionale, që me i zhvillu kapacitetet e tyre sa më shumë që është e mundur”, tha Telaku.

    Barrë tjetër për prindërit e fëmijëve me autizëm është edhe sigurimi i terapisë.

    “Sfida kryesore është pagesa e terapisë, dhe mungesa e një qendre të mirëfilltë, sepse kemi shoqata, por qendër nuk ka. Sfidë është diagnostikimi, terapia e mirëfilltë. Prindërit duhet me pagu vetë, është e paraparë me norma që duhet me i pasë 8 orë terapi, por këta i bëjnë vetëm 2 orë në bazë të mundësive të veta”, tha Cen Krasniqi nga shoqata “Autizmi”.

    Në një tryezë të organizuar me rastin e 2 prillit-ditës së autizmit, u tha se në Kosovë ende nuk ka një databazë me të dhënat për personat që janë me autizëm.

    Nga qeveria thanë se janë në finalizim të strategjisë nacionale për personat me aftësi të kufizuar.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • DHSK-ja ka caktuar një gjykatës që mbikëqyr zbatimin e kompensimit në rastin e Salih Mustafës

    DHSK-ja ka caktuar një gjykatës që mbikëqyr zbatimin e kompensimit në rastin e Salih Mustafës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Krahas dënimit kapital prej 22 vjetësh burgim, Gjykata Speciale kishte obliguar Salih Mustafën që viktimave t’ua paguajë 207 mijë euro.

    Gati një vit nga Shpallja e vendimit, asnjëra nga 8 palët e dëmtuara, nuk i ka marrë mjetet të cilat variojnë nga 2 mijë deri në 80 mijë euro.

    Në këtë drejtim, kryetarja e Dhomave të Specializuara më 17 janar ka caktuar një Gjykatës për të mbikëqyrur zbatimin e urdhrit për zhdëmtim.

    Duke marrë parasysh që Gjykata kishte konstatuar se Mustafa nuk i posedon fondet e mjaftueshme, nga Fondi për të Drejtën Humanitare rekomandojnë që institucionet e Kosovës ta zbatojnë ligjin në fuqi për kompensim.

    “Me shpalljen e vendimit në rastin e Calit, gjykata lëshoi urdhër për kompensim. duke marrë parasysh që i pandehuri nuk kishte mjetet financiare, gjykata rekomandoi që Kosova të gjejë mekanizma që t’i kompensojë. FMN-ja rekomandon që të bëhet kompensimi në të gjitha rastet ku ka viktima”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Deri në këtë fazë, institucionet nuk kanë shprehur gatishmëri që të ndërhyjnë në pagesën e viktimave.

    Ndërkohë, në vendimet gjyqësore për krimet e luftës, në gjykatat në Kosovë, nuk është dhënë urdhër për zhdëmtim të viktimave.

    Kështu, njohës të drejtësisë sugjerojnë që të bëhen ndryshime ligjore. Rekomandime për ndryshime në legjislacion, Kosovës i ishte dhënë edhe nga Gjykata Speciale.

    “Kosova ka në fuqi legjislacionin për kompensimin e viktimave. 05L/036. Çdo person që caktohet fajtor duhet ta kompensojë viktimën. Por ligji nuk përfshin viktimat e krimeve të luftës”, tha avokati Xhevdet Smakiqi.

    Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e ATV-së, nëse ka ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të rekomandimeve të Dhomave të Specializuara për ndryshimet ligjore për kompensimin e viktimave.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin përfshihet në drejtësinë tranzionale

    Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin përfshihet në drejtësinë tranzionale

    Përgatiti: Nora Luta

    Që nga viti 2017 kur ish-presidenti Hashim Thaçi inicioi themelimin e Komisionit të Vërtetës dhe Pajtimit, asnjë hap tutje nuk është ndërmarrë nga presidentja Vjosa Osmani.

    Mekanizimi që synon të kontribuojë në arritjen e paqes dhe pajtimit me Serbinë, së fundi televizioni kupton jozyrtarisht që është përfshirë në Strategjinë për Drejtësinë Trancizionale.

    Gazetarja që merret me hulumtimin dhe raportimin e krimeve të luftës, Serbeze Haxhiaj thotë se komisioni do të ndikonte në forcimin e komunikimit ndëretnik.

    Të nevojshëm e sheh funksionimin e këtij Komisioni edhe Nevena Radosavljevic nga Leposaviqi.

    Por Nevena e cila udhëheq organizatën “Local Peace”, thotë se ai do të kishte sukses vetëm me përfshirjen e banorëve lokalë të të dyja etnive.

    “Pjesa më e rëndësishme për mua është që t’i përfshijmë njerëzit së bashku, të paktën për këtë kam qenë duke punuar për një kohë të gjatë, njësoj sikurse edhe kolegët e mi këtu në Prishtinë dhe në veri. Veprimi kryesor është që të ofrohet hapësira ku njerëzit do të mund të takohen dhe të ndërtojnë raportet. Njerëzit nuk kanë hapësira të takohen, të mësojnë për historinë e njëri-tjetrit, sidomos ato të luftës”, tha Radosavljevic.

    Megjithatë, themelimi i Komisionit vlerësohet të jetë sfidues duke marrë parasysh situatën aktuale politike dhe raportet mes dy vendeve.

    “Ky Komision është shumë i nevojshëm, duhet të bëhet edhe nga Serbia, edhe nga vendet tjera. Duhet të rregullohet në atë mënyrë që njerëzit të jenë pjesëmarrës dhe t’ia njohin rëndësinë. Jemi duke u ballafaquar me narrativa të politikës, e me propaganda dhe storie të njëanshme. Andaj mendoj se situata politike e krijuar nga Beogradi e Prishtina po e ndalojnë që kjo të arrihet më shpejt”, tha Radosavljevic.

    Strategjia për drejtësinë trancizionale është dërguar për miratim në Qeveri, nga Ministria e Drejtësisë, e cila gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara rreth temës.

    Përgjigje për themelimin e Komisionit që do të kontribuonte në ballafaqimin me të kaluarën dhe vërtetimin e fakteve rreth luftës në Kosovë, të martën nuk kanë kthyer as nga zyra e Presidentes.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vazhdon beteja ligjore e Telekomit me “Dardafonin”

    Vazhdon beteja ligjore e Telekomit me “Dardafonin”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pa llogaritur kontributet dhe tatimet, “Telekomi” i Kosovës shpenzon rreth 1.3 milionë euro në muaj, për t’i paguar rreth 1800 punëtorë.

    Pagat e marsit, ndërmarrja e pati të pamundur t’i ekzekutojë, meqë llogaritë iu bllokuan për shkak të një konteksti përmbarimor.

    “Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

    Kompania “Dardafon” përmes procedurës përmbarimore, deri tani ka arritur të marrë 2.1 milion euro nga llogaria e “Telekomit” të Kosovës.

    Referuar vendimit të marrë në shkurt nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, ndërmarrja publike i detyrohet “Dardafonit”, një shumë prej mbi 5.7 milionë eurosh.

    Drejtori financiar i Telekomit, Feim Kelmendi, thotë se për vendimin e shkallës së parë të Komerciales, “Telekomi” është ankuar në shkallën e dytë të Gjykatës.

    Gjatë 30 ditëve sa ka marrë kohë që gjykatësi i shkallës së parë, ta procedojë ankesën në shkallën e dytë, “Dardafoni” i mori 2.1 milionët nga “Telekomi”.

    “Ankesa e shkallës së dytë shkon përmes shkallës së parë, tani ky gjykatësi i shkallës së parë e ka mbajtur 30 ditë ankesën në sirtarë, nuk e ka dorëzuar në shkallën e dytë, normalisht që kjo nuk është shkelje ligjore sepse me ligj i lejohet 30 ditë, por duke e ditur rëndësinë e çështjes ka mundur ta dorëzojë menjëherë… brenda këtij afati 30 ditësh janë marrë ato 2.1 milion”, tha Kelmendi.

    Aktualisht, pjesa tjetër e mjeteve është e sigurt, meqë përmbaruesi, i cili bllokoi llogaritë e ndërmarrjes, vazhdon të jetë i suspenduar.

    Edhe nëse “Telekomi” e fiton rastin, ekziston rreziku potencial që mjetet e marra nga “Dardafoni”, të mos kthehen.

    “Me dijeninë tonë, kjo kompani nuk ka asnjë aset, do të thotë rreziku është që ata t’i marrin mjetet dhe ne mos të mundë t’i kthejmë përmes procedurave ligjore, edhe pse kemi të drejtë, nuk kemi si t’i kthejmë”, tha Kelmendi.

    Bllokimi i xhirollogarive të ndërmarrjes, pamundëson edhe kryerjen e pagesave që ndërmarrja iu detyrohet kontraktorëve.

    “Shfrytëzoj edhe këtë intervistë që t’u bëjë thirrje të gjithë kontraktorëve, që të kenë mirëkuptim dhe të kenë besim te ne”, tha Kelmendi.

    Kompania private “Dardafon” vazhdon të kërkojë mjete të tjera nga “Telekomi”, duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit, të vitit 2016.

    Ndërkaq, nga “Telekomi” thonë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it”, 27 milionë euro, kurse Telekomi kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ZRRE-ja ul për 8% tarifat për konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë

    ZRRE-ja ul për 8% tarifat për konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi ulje tarifash për 8% për bllokun e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë – për konsumatorët shtëpiakët – si dhe për 3% për ata komercialë, industrialë dhe ndriçimin publik.

    Të paprekura mbetën tarifat për bllokun nën 800 kilovatë orë, për shtëpiakët.

    “ZRRE-ja ka marrë parasysh kursimet që kanë ndodhë në sektor. E në veçanti duhet me theksua që importi apo çmimet e energjisë me shumicë kanë pasur zbritje dhe si rezultat i kësaj janë reflektuar edhe te tarifat e konsumatorëve fundorë”, tha kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Teksa refuzoi vlerësimin se ky vendim nxit rritjen e konsumin, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tregoi se pse nuk ka ulje për ata që nuk kalojnë pragun.

    “Konsumatorët deri në 800 kilovatë orë paguajnë dhe kanë paguar edhe në të kaluarën nën koston e shërbimit që e marrin. Prandaj, ne e kemi parë të arsyeshme që gjatë kësaj periudhe, që ajo kategori e konsumatorëve që duke u shërbyer në koston e sistemit, të mos kenë zbritje”, tha Fejzullahu.

    Ai njoftoi se në një nga mbledhjet e ardhshme, rregullatori do të vendosë për formën e kompensimit të konsumatorëve nga 34 komuna për faturat e fryra për veriun – në vlerë totale 40.8 milionë euro – për periudhën 2012-2017.

    “Të gjithë ata konsumatorë të cilët kanë paguar tarifa në atë periudhë, duke mos i përfshi konsumatorët e rinj, meqenëse deri në atë periudhë kanë qenë rreth 600 mijë konsumatorë, tani kemi rreth 100 mijë konsumatorë më tepër, do të kompensohen ata konsumatorë që kanë paguar në këtë rast edhe KEK-un edhe KESCO-n edhe KEDS-in në atë periudhë për vlerën e shtuar, në këtë rast për koston për veriun që ka qenë diku 2-3% më lart se që do të duhej të ishte”, tha Fejzullahu.

    Ulja e pjesshme e tarifave vjen pas dy ngritjesh radhazi më 2022 dhe 2023.

    Për konsumin nën 800 kilovatë orë, më 2023 konsumatorët paguan tarifa 15% më të larta, krahasuar me vitin 2021 kur s’kishte ndarje në blloqe.

    Ndërsa, për konsumin mbi 800 kilovatë paguan tarifa më të larta ndërmjet 114 dhe 135% në raport me vitin 2021.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dëmet e luftës në pyetësorin për regjistrim të popullsisë

    Dëmet e luftës në pyetësorin për regjistrim të popullsisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbledhjen e 198-të të qeverisë, kreu i saj e nisi me një thirrje për qytetarët.

    Krahas thirrjes, kryeministri Kurti tregoi se këtë herë në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, qytetarët do t’i deklarojnë edhe dëmet e luftës.

    “Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-99 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur”, tha Kurti.

    E disa familje në veri, që gjatë luftës iu dogjën shtëpitë, mund të jenë përfitues të ndërtimit të shtëpive të reja. Për këtë projekt, Qeveria ndau edhe 4 milionë euro.

    Në mbledhjen e së martës, ekzekutivi miratoi edhe planin strategjik për zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor, që njëherësh është edhe kusht për sigurimet shëndetësore.

    Meqë, nga nesër hyn në fuqi ligji i ri për trafikun rrugor, qeveria miratoi themelimin e këshillit për siguri në trafik, që synon uljen e aksidenteve.

    Ndër të tjera, Qeveria miratoi propozimin për shpronësim të pronës së paluajtshme të ish-ndërmarrjes shoqërore “Progres”, për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prizren dhe është miratuar propozimi për shpronësimet shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përfundon afati, dy kryetarët e LV-së në veri s’e deklarojnë pasurinë

    Përfundon afati, dy kryetarët e LV-së në veri s’e deklarojnë pasurinë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Postin e kryetarit të komunës së Leposaviqit e mori rreth një vit më parë.

    Por, Lulzim Hetemi harroi t’i kryejë disa obligime ligjore që i vijnë me pozitën që bart, nga fundi i majit të vitit të kaluar.

    Ai nuk e bëri deklarimin e pasurisë, për të cilën pati afat 31 ditë.

    Në një bisedë telefonike me ATV-në i pari i Leposaviqit ishte i painformuar lidhur me këtë proces dhe afatet e përcaktuara me ligj.

    Këtë obligim ligjor nuk e kreu edhe as kolegu i tij, kryetari i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq.

    Mirëpo, ndryshe nga Hetemi, Atiq nuk iu përgjigj thirrjeve të televizionit për të marrë një përgjigje lidhur me arsyet e mosdeklarimit të pasurisë.

    Përveç dy kryetarëve nga radhët e Vetëvendosjes, janë edhe 196 zyrtarë të tjerë publikë që nuk e deklaruan pasurinë.

    Numri i zyrtarëve që nuk e deklaruan pasurinë për vitin 2023 është shumë më i lart se në vitin paraprak, kur vetëm 30 zyrtarë nuk e kishin kryer këtë obligim.

    Nga shoqëria civile thonë se mosndëshkueshmëria është njëra ndër arsyet përse disa zyrtarë publikë e neglizhojnë këtë proces.

    Për mosdeklarim të pasurisë me kohë, deri në 15 ditë parashihet shqiptimi i gjobës, ndërsa më pas ngrihen edhe kallëzime penale individuale. Ndërkaq, sipas APK-së, deri më tani asnjë zyrtar nuk është dënuar me burgim efektiv.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: