ATV

Author: ATVLive

  • Opozita bojkoton mbledhjen e Komisionit për Arsim: Nuk marrim pjesë në Komision për Ligjin e kontrabanduar

    Opozita bojkoton mbledhjen e Komisionit për Arsim: Nuk marrim pjesë në Komision për Ligjin e kontrabanduar

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, nuk ka arritur ta shqyrtojë Projektligjin pёr Tekste shkollore, për shkak të bojkotit nga opozita, raporton Eo.

    Sipas tyre, ata nuk do të marrin pjesë në këtë Komision për të shqyrtuar “Ligjin e kontrabanduar”.

    Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, miratoi rendin e ditës me asnjë votë kundër, ndërsa u miratuan amandamentet që janë ndryshuar përgjatë grupit punues.

    Ndërsa, nuk u caktua ndonjë datë tjetër për mbledhjen e radhës të Komisionit.

  • ​ShBA parashikon sulm të Iranit kundër Izraelit

    ​ShBA parashikon sulm të Iranit kundër Izraelit

    Shtetet e Bashkuara presin një sulm iranian kundër Izraelit – por jo aq të rëndësishëm sa për ta përfshirë Uashingtonin në luftë, sipas një zyrtari amerikan.

    Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Iranin që të mos përdorë asnjë sulm të tillë si mjet për të përshkallëzuar më tej situatën në rajon.

    Burimet iraniane thanë se Teherani e ka siguruar Uashingtonin se nuk do të veprojë me nxitim në përgjigjen e tij ndaj një sulmi të dukshëm izraelit në ndërtesën e konsullatës së tij në Siri javën e kaluar – dhe do të shmangë përshkallëzimin e madh.

    Izraeli nuk ka komentuar pretendimin se ishte i përfshirë në sulmin që vrau dy komandantë të lartë ushtarakë, por ushtria amerikane beson se vendi ishte përgjegjës.

    Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se mbështetja e SHBA për Izraelin ishte “e hekurt” ndaj Iranit. /Sky News/

  • Pamje nga vendi ku ndodhi shpërthimi i cili dëmtoi gjashtë vetura

    Pamje nga vendi ku ndodhi shpërthimi i cili dëmtoi gjashtë vetura

    Një shpërthim ka ndodhur sot në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë, me ç’rast janë dëmtuar gjashtë vetura, raporton EO.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë se nga informacionet e para dyshojnë e bëhet fjalë për granatë dore. Si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar, derisa nuk raportohet për pasoja në njerëz.

    Rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.

  • ​Corriere Della Sera: Lukova dhe Ksamili, dy destinacionet me detin e kristaltë në Shqipëri

    ​Corriere Della Sera: Lukova dhe Ksamili, dy destinacionet me detin e kristaltë në Shqipëri

    Në Shqipëri nuk mungojnë plazhet e bukura dhe shpesh italianët zgjedhin t’i kalojnë pushimet këtu – edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, ndërthurin vlerat e bukurisë – të konsideruara si “Maldivet e Evropës”- me atë të komoditetit të jashtëzakonshëm, shkruan Elmar Burchia në të përditshmen italiane “Corriere Della Sera” botuar në rubrikën “Dove Viaggi”, transmeton ATSh.

    Të gjithë në Shqipëri. Edhe këtë verë? Vitin e kaluar, vendi i Gadishullit Ballkanik regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit: sipas zyrës vendase të statistikave, në Shqipëri kanë hyrë 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

    Shqipëria ka vetëm 2,8 milionë banorë. Piku i sezonit turistik, padyshim, u arrit në gusht ku u regjistruan 2 milionë pushues. Dhe shumë prej tyre ishin italianë, 10% e totalit.

    Ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit: kurioziteti për të vizituar një vend më pak të njohur; afërsia me Italinë dhe fakti që është një destinacion mjaft i lirë në krahasim me çmimet- shumë të larta në destinacionet e mbipopulluara me njerëz.

    Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra; pamje që të lëne pa frymë; peizazhe pothuajse të pacënuara; një det të mrekullueshëm; kuzhinë të shijshme; jetën e gjallë të natës dhe mikpritje vërtetë të ngrohtë.

    Vija bregdetare shqiptare shtrihet në 363 kilometra. Pothuajse të gjitha plazhet janë magjepsëse. Por cilat janë më të bukurat?

    Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy plazhet më të vlerësuara janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare të konsideruara si “Maldivet e Evropës”.

  • Kontrabandë me mish në Leposaviq, shoferi ik nga vendi i ngjarjes

    Kontrabandë me mish në Leposaviq, shoferi ik nga vendi i ngjarjes

    Një rast i kontrabandimit me mallra, produkte tw mishit, ka ndodhur tw enjten në komunën e Leposaviqit, njofton policia.

    Sipas policisë një kamion me targa të Serbisë, i ngarkuar me rreth 4 ton mish pule, ka devijuar rrugën dhe ka hyrë rënë në një përrua. Policia bën të ditur se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes.

    “Leposaviç 11.04.2024-19:40. Raportohet se një kamion me targa te shtetit serb me drejtues NN ka devijuar rrugën dhe ka hyrë në një prrua. Në kamion kishte të ngarkuara rreth 4 tonë mish të bardhë, kurse personi i dyshimtë është larguar në drejtim të pa njohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti cilësohet si me lart. Njesitet policore relevante ne bashkëpunim me Doganën e Kosovës, janë duke u marrur me rastin”, thuhet në raportin e policisë.

  • Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duke njohur 50-vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit të Njeriut në Hapësirë​​.

    Rezoluta e datës 7 prill 2011, e quajti atë “një ditë për të festuar çdo vit, në nivel ndërkombëtar, fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, rritjen e mirëqenies së shteteve dhe popujve, si dhe sigurimin për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore”.

    Data 12 prill u vendos në nder të 12 prill të vitit 1961, kur Yuri Gagarin, shtetas sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit.

  • Emisari gjerman në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin, Listën Srpska dhe shoqërinë civile

    Emisari gjerman në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin, Listën Srpska dhe shoqërinë civile

    Emisari gjerman Manuel Sarrazin ka publikuar pamje nga takimet me Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të Listës Srpska dhe të shoqërisë civile.

    Takimet me të përmendurit më lartë, Sarrazin i ka quajtur të rëndësishme.

    “Takime të rëndësishme në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, Listën Srpska dhe anëtarë të shoqërisë civile”, ka shkruar Sarrazin.

  • “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Këta kontejnerë që në zgjedhjet e fundit në veri u përdorën si qendra të votimit mund të vihen në funksion përsëri. Madje, për të njëjtën arsye.

    Votimi i 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve veriorë nga pozita, mund të mbahet përsëri në objekte të improvizuara.

    Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, doli publikisht kundër këtij procesi, duke bërë thirrje për bojkot.

    Për këtë arsye, kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të lejojnë të përdoren objektet që janë nën menaxhimin e tyre.

    “Do të kthehemi mbrapa si në zgjedhje kur i kemi pasur vendet alternative për mbajtjen e referendumit, sepse ju siç e dini shkollat janë nën udhëheqjen e strukturave paralele serbe”, tha Ugljanin.

    Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ditë më parë miratuan listën e vendvotimeve, nuk e pohojnë e as mohojnë se do të ketë ndryshim.

    Mirëpo, kudo që të mbahen ato, vendvotimet do të jenë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë.

    “Ky nuk është vendim që përfshin vetëm votimin më 21 prill në veri, por do të vlejë për të gjithë procesin e ardhshëm zgjedhor. Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Kamera po, por vëzhgues të partisë më të madhe serbe me gjasë nuk do të ketë, pasi ata dhanë dorëheqje vullnetarisht. Por procesi mund të vazhdojë edhe pa ta, meqë sipas njohësve të qeverisjes lokale, kjo nuk e pengon punën e komisioneve zgjedhore.

    “Obligim ligjor i KQZ-së është që secili subjekt i regjistruar dhe i cili ka aplikuar të përfaqësohet në këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo që anëtarët e tyre të mbahen me zor, pra dorëheqja është një akt i vullnetit të vetë anëtarëve të subjektit të caktuar politik, të cilët nuk mund ta pengojnë në aspekt ligjor këtë proces”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.

    E njëjta praktikë ishte edhe në zgjedhjet e fundit nga të cilat, qeverisjen në komunat veriore e morën kryetarët shqiptarë.

    Serbët të cilët bojkotuan pjesëmarrjen, nuk i lëshuan as shkollat të cilat gjithmonë qenë përdorur si qendra të votimit.

  • Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    E enjtja do të duhej të ishte dita e gjashtë e regjistrimit të popullsisë në gjithë vendin.

    Por, në komunat veriore, puna nuk po shkon sipas planit fillestar të Agjencisë të Statistikave.

    Në tri komuna të banuara me shumicë serbe, sipas zyrës së zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, procesi nuk pritet të nisë deri më 15 prill.

    “Procesi ka filluar në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa, sa i përket komunave tjera: Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok pritet që në këtë javë regjistruesit ta mbajnë trajnimin, dhe nga e hëna të fillojnë punën në terren”, tha Ibrahim Delija, asistent i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq.

    Megjithatë, procesi i regjistrimit nuk dukej të ketë nisur as në Mitrovicë të Veriut. Gjatë së enjtes, televizioni nuk ka hasur në fletushka njoftuese, që ASK-ja i shpërndan në hyrje të objekteve të banimit, për t’i njoftuar qytetarët rreth këtij procesi.

    Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e Televizionit rreth kësaj çështjeje.

    Lista Serbe njoftoi se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që nisi të premten e 5 prillit.

    Por në një konferencë informuese të disa ditëve më parë, kreu i Agjencisë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, deklaroi se pavarësisht thirrjes së Listës Serbe, te popullata serbe në veri të vendit ka gatishmëri për regjistrim.

    Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

  • FSK-ja merr dhuratë 5 automjete ushtarake nga Gjermania

    FSK-ja merr dhuratë 5 automjete ushtarake nga Gjermania

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Terrenet e vështira dhe misionet logjistike e taktike, nga dita e enjte do të jenë më të lehta për ushtarët e Kosovës.

    E gjitha kjo pasi që Kosova ka tashmë në dispozicion pesë kamionë ushtarakë gjermanë të llojit “Rheinmetall MAN”.

    Automjetet ushtarake të enjten i provuan edhe vetë ushtarët e FSK-së.

    Vlera e këtij donacioni është diku rreth 3 milionë euro.

    “Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së. Jemi shumë mirënjohës. 2,7 milionë euro që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 500 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pesë automjeteve, Ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde, konkretizoi se qëllimi është të mbështesë kapacitetet fillestare të Kompanisë së Transportit të Regjimentit të Logjistikës.

    “Mendoj se dua të nënvizoj sërish sot se marrëdhëniet Gjermani-Kosovë janë të shkëlqyera dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në po bëhet gjithnjë e më i ngushtë, veçanërisht në fushën e sigurisë. Qëllimi i masës është të mbështesë aftësinë fillestare operacionale për kompaninë e transportit të regjimentit të logjistikës”, tha Rohde.

    Automjete si këto, FSK-ja pritet t’i ketë edhe 10 të tjera, të cilat i ka blerë me mjete të buxhetit të shtetit.

    Kamionët e dhuruar nga Gjermania gjithashtu mund të përdoren për mbrojtje ajrore.

    Por në të duhet të montohet sistemi “Skyranger 30”. Sistemi kundër-ajror duhet të blihet veçmas nga kamionët. Ndërkaq, nuk ka pasur njoftim që Kosova e ka blerë edhe këtë sistem së bashku me kamionët.