ATV

Author: ATVLive

  • Policia arreston personin që po kërkohej qe 2 vite për mashtrim

    Policia arreston personin që po kërkohej qe 2 vite për mashtrim

    Po kërkohej nga vitit 2022, por Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë vetëm sot personin i cili ishte në kërkim, shkruan Insajderi.

    Ai dyshohej për veprën penale “mashtrim”, dhe këtë e ka kryer në bashkëkryerje.

    “Prishtinë/21.12.2022-17:20. Lidhur me rastin, me datë 19.04.2024 është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë në kërkim policor lidhur me dyshimin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Policia konfiskon disa armë në veri të Mitrovicës

    ​Policia konfiskon disa armë në veri të Mitrovicës

    Njësiti policor gjatë patrullimit janë hasur dhe konfiskuar 36 gëzhoja të armeve të gjata dhe 13 pjesë të rrethatores së fishekëve në fshatin Jegenicë të Zubin Potokut.

    Rasti ka ndodhur dje me ç rast është njoftuar edhe prokurori.

    Kurse, në fshatin Jeshevik të Zveqanit, është raportuar se njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar ka konfiskuar dy armë zjarri si dhe 32 fishekë. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • ​Le Figaro: Shqipëria-plazhet më të bukura të verës, nga Dhërmiu në Gjirin e Gramës

    ​Le Figaro: Shqipëria-plazhet më të bukura të verës, nga Dhërmiu në Gjirin e Gramës

    Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në Evropë, shkruan Thibault Petit në të përditshmen franceze “Le Figaro”.

    Një plejadë limanesh dhe ishujsh shkëmborë me ujëra bruz, duket si një pikturë e Van Gogh. Greqia, Italia? Jo, një vend mesdhetar në zemër të Evropës: Shqipëria. Vija bregdetare e saj nuk ka asgjë për t’u pasur zili nga vendet e tjera të Mesdheut. Vendi i shqiponjave ndodhet në veri të Greqisë përballë Italisë. Në perëndim kufizohet nga detet Adriatik dhe Jon. Moti? 300 ditë me diell në vit. Në jug të vendit ndodhet një bregdet i mrekullueshëm me ujëra të kristalta, shkëmbinj dhe kodra të gjelbëruara, kjo është Riviera Shqiptare.

    Vija bregdetare është e përbërë nga kështjella antike, kanione, limane dhe plazhe të izoluara. Plazhet më të njohura apo trendi, shkëmbore apo të fshehura, ja cilat janë më të bukurat:

    Plazhi i Porto Palermos, ishulli i thesarit

    I parë nga lart, duket si një ishull thesari, i rrumbullakët dhe i rrethuar me ujëra të pastra kristal, me shkëmbinj, kodra – mes blusë dhe smeraldit të detin Jon. Plazhi i Porto Palermos është i fshehur në një nga gjiret në jug të vendit. Duket si një përrallë: ishulli është shtëpia e një kështjelle të lashtë në formë trekëndore dhe tre kullave gëlqerore. Kështjella u ndërtua në vitin 1804 nga Ali Pasha, ish-guvernator i Perandorisë Osmane. Sot, vendi ka ruajtur një thjeshtësi të caktuar: pa bare, pa shezlongë. Ju mund të notoni në rripin e ngushtë me rërë që lidh ishullin me tokën, në plazhin e Palermos.

    Plazhi i Ksamilit, atmosferë greke

    Përballë Plazhit të Ksamilit ngrihen si tym malet. Është Korfuzi, ishulli grek, më pak se pesë kilometra larg, në anën tjetër të detit. Plazhi i Ksamilit ofron një atmosferë helene: kudo ka ishuj me ujëra blu në të gjitha nuancat e tyre. Ksamili konsiderohet si resorti bregdetar më i bukur, me plazhe private, shezlongë dhe restorante. Para disa vitesh këtë fshat e njihnin vetëm vendasit, të cilët vinin për t’u çlodhur në fundjavë. Sot Ksamili është shndërruar në një destinacion në trend.Ju mund të vizitoni ishujt e shumtë duke notuar ose duke marrë me qira një varkë ose një skaf.

    Plazhi i Gjipesë

    Me të mbërritur këtu, ju do të keni ndjesinë sikur jeni në fund të botës. Plazhi i Gjipesë është i izoluar, i fshehur pas një kanioni 800 metra të gjatë. Ky vend është një nga plazhet më magjepsëse në Rivierën Shqiptare, me një sipërfaqe prej 400 metrash me guralecë dhe limane të vegjël të rrethuar nga shkëmbinj të lartë 50 metra. Në jug të vendit ndodhet Himara, ku uji është më i pastër. Kur deti përshkon murin shkëmbor dhe shpellat mbushen me shkumë kristalore, përpara jush do të shfaqet një spektakël. Këto shpella mund të eksplorohen falë motit të ngrohtë dhe të favorshëm. Parkoni në manastirin Shën Theodori midis qytetit të Iljasit dhe Dhërmiut, më pas ecni 2,5 kilometra deri në plazh, ose merrni me qira një kajak në plazhin e Jalës aty pranë.

    Gjiri i Gramës

    Më shumë se 2000 vjet më parë, në kohët e lashta, lundruesit që udhëtonin përgjatë bregdetit ndaluan këtu, në Gjirin e Gramës. Këtu mund të zbuloni mijëra gdhendje në greqishten e vjetër dhe latinisht në muret shkëmbore të këtij lokaliteti arkeologjik: Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit. Shpellat janë një mister i këtij vendi idilik me ujërat bruz, guraleca të bardha dhe bimësi të dendur. Me pak fjalë, të jep idenë e një Parajse: një restorant i vetëm, pa rrjet telefonik dhe akses i rezervuar për më të motivuarit. Për të arritur në Gjirin e Gramës duhet të ecni 13 kilometra në një shteg bregdetar nga Palasa. Përndryshe, merrni një varkë nga Dhermiu dhe udhëtoni 40 minuta. Shumë shpella mund të eksplorohen me varkë.

    Plazhi i Llamanit

    I vendosur mes dy gërmadhave shkëmbore, Plazhi i Llamanit ka një sipërfaqe prej 200 metrash me guralecë të imët. I vogël në përmasa, plazhi i Llamanit nuk është më pak i popullarizuar. Shumë vizitorë marrin me qira çadra dhe shezlongë, shijojnë mbrëmjet me shkumë dhe muzikën elektronike në verë. Gjithashtu ju do të keni mundësi të hapni peshqirin tuaj në shkëmbinjtë aty pranë dhe të zhyteni në ujin e pastër. I vendosur pak kilometra larg Himarës, plazhi i Llamanit është gjithashtu një vend i famshëm për zhytje.

    Plazhi i Dhërmiut

    Nga Dhërmiu, një fshat i vendosur 200 metra mbi nivelin e detit në shpatin e malit, vija bregdetare shtrihet si një shirit i gjatë me nuanca blu. Plazhi i Dhërmiut është një nga plazhet më të bukura të vendit me guralecë të imët që zënë një sipërfaqe prej më shumë se një kilometër, ujëra bruz dhe çadra me qira për rreth 10 euro. Pak më në veri, ndodhet Plazhi i Drimadhës me rërë të imët, pyje pishe, limane të izoluar dhe gjire të fshehur.

  • ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, është takuar në Washington D.C. për diskutime konstruktive, me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York-ut, të udhëhequr nga Matthew Nemeth, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe Phatak, Drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre.

    Takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore. Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut, delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së.

    Veçanërisht, delegacioni potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.

    Guvernatori Ismaili shprehi përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

    Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve.

    Ky takim dypalësh, është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Shpërthim në Mitrovicën veriore, dëmtohen xhamat e një shtëpie

    Shpërthim në Mitrovicën veriore, dëmtohen xhamat e një shtëpie

    Policia e Kosovës njofton se në Mitrovicë në një shtëpi private nga persona të panjohur është hedhur një mjet shpërthyes. Siç njofton policia, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e derës hyrëse të një shtëpie.

    Në raportin 24 orësh të policisë, potencohet se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim.

    “Mitrovicë / 18.04.2024-NN. Raportohet se në një shtëpi private nga persona të panjohur është hedhur një mjet shpërthyes. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e derës hyrëse të shtëpisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Të shtëna me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

    Të shtëna me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e së enjtes në afërsi të një pompe derivatesh, në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila ka njoftuar se nga rasti nuk ka të lënduar.

    “Sot rreth orës 19:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në afërsi të një pompe derivatesh, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”.

    “Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast nuk ka ndonjë person të lënduar. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që prezenca e njërit prej personave të përfshirë në rast është siguruar nga ana e policisë”, tha Ahmeti.

  • Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Raporti: Fatlum Jashari

    Pa dakordim përfundoi edhe rundi i pestë i diskutimeve në Bruksel, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme në raport me ndikimet e rregullores së BQK-së, për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, respektivisht dinarin.

    Këtë herë nuk pati takim trepalësh, teksa Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak, bisedoi ndaras me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

    Në vlerësimin e zëvendëskryeministrit Bislimi, diskutimet dështuan pasi Serbia, në kundërshtim me dakordimin paraprak, paraqiti një propozim të ri që do ta kthente procesin në pikën zero.

    “Ata në takimin e sotëm, në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë jovërtetësinë e konstatimit të tyre të hershëm që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serbë nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi”, tha Bislimi.

    Teksa foli për ndalimet dhe arrestimet e fundit të kosovarëve në Serbi, Bislimi akuzoi shtetin fqinj për sjellje mesjetare, qasje destruktive në raport me procesin e normalizimit dhe mungesë vullneti për arritjen e zgjidhjes për pagesat.

    “Ky takim i sotëm mund të quhet takim i kotë, i parezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serbë të trajtohen”, tha Bislimi.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë, Petkoviq, tha se delegacioni i Kosovës nuk ishte i interesuar të dëgjojë propozimin e tyre.

    Një takim i ri, me qëllim diskutimin dhe dakordimin eventual për propozimin e konsoliduar të përfaqësuesit Lajcak, u paralajmërua për javën e ardhshme.

  • Diplomoi gjenerata e 59 të e policëve

    Diplomoi gjenerata e 59 të e policëve

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e tutje detyrën do ta ushtrojë krah bashkëshortit, si pjesëtare e policisë së Kosovës.

    Shqipdona Jaha-Mustafa, në ditën që po e cilëson të jetë ndër më të rëndësishmet për të, përveç diplomës, në krah po e mban edhe vajzën me po të njëjtat rroba që ajo vetë i kishte ëndërruar gjatë.

    “Jam shumë e lumtur që tash jam pjesë e policisë, është ndjenja më e mirë që e kom përjetua pas asaj të nënës”, tha Shqipdona Jaha Mustafa, police e re.
    Kaq i lumtur të ishte në mesin e 445 policëve të rinj, thotë të jetë edhe Rron Maxhari.

    “Krenari shumë e madhe sepse e kam ndjekur rrugën e babës”, tha Rron Maxhari, polic i ri.

    Përveç gëzimit, prindërit e policëve thonë se kanë edhe ndjenja krenarie.

    Policët e rinj i uruan edhe prijësit e shtetit e të institucioneve.

    “Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetuta e Kosovës është udhërrëfyese e juaja. Ju do t’i bashkoheni radhës së policisë për të ofruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Prej tyre, 345 janë djem dhe 100 vajza. Ndërsa, prej 20%-shit që vijnë nga komunitetet joshumicë, ka edhe serbë.

    “Nga 88 policët prej pakicave etnike, 37 policë janë serbë, 27 boshnjakë, 7 turq, 7 egjiptianë, 6 ashkali dhe 4 policë janë romë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ndërsa, shefi i tyre qendror, tregoi për rëndësinë e uniformës policore.

    Gjenerata e 59-të është e para për këtë vit që u bënë pjesë e policisë së Kosovës.

  • Fotografitë dhe videot nga grupi Albkings përdoreshin në disa rrjete sociale

    Fotografitë dhe videot nga grupi Albkings përdoreshin në disa rrjete sociale

    Përgatiti: Armand Hoti

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej 30 ditësh për administratorin e grupit “ALBKINGS”.

    Online grupi i krijuar në “Telegram”, shfrytëzohej nga qindra mijëra shqiptarë, për të shpërndarë fotografi intime të vajzave, të cilat më pas edhe shantazhoheshin.

    Mbi këtë bazë, E.N dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N., duke iu caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
    Referuar njoftimit të Gjykatës, grupi dyshohet të ketë operuar nga nëntori i vitit të kaluar e deri më 12 prill të këtij viti.

    Ndërkohë, “Telegrami” nuk qe e vetmja platformë që përdorej nga administratorët e grupit.

    “I pandehuri E.N. dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë te personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore, në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit, siç janë: emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka apeluar viktimave të këtij grupi, që t’i paraqesin dëshmitë e tyre në polici.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, thotë se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm në aktivitetet e tyre online.

    “Realisht ne jemi mjaft të lëndueshëm në hapësirën kibernetike, çdo ditë jemi duke e shfrytëzuar më shumë. Në këtë rast jemi më shumë shfrytëzues pasiv të themi, sesa aktiv, ne bëjmë apel te qytetarët të jenë të kujdesshëm në atë se çfarë postojnë apo klikojnë”, tha Hoxhaj.

    Administratori i “ALBKINGS” u arrestua të mërkurën. Kjo, u mirëprit edhe nga vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

  • Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në mesin e 10 pjesëtarëve të policisë që u ndaluan nga autoritetet serbe të mërkurën, ishte edhe zëvendësdrejtori Dejan Jankoviq.

    Ani pse kolegët e tij u liruan, Jankoviq nuk e pati fatin e njëjtë. Ai po mbahet në paraburgim 48 orësh në Rashkë, për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

    Arrestimi i Jankoviqit, sipas kryeministri Albin Kurti, është urdhër direkt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, që synon të dërgojë mesazh të frikësimit për serbët që integrohen në institucionet e Kosovës.

    Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, veprimin e autoriteteve serbe e cilëson alarmues dhe kërcënim për tërë rajonin.

    Institucionet në Prishtinë tashmë kanë kërkuar dhe po presin që ndërkombëtarët të ndikojnë në lirimin e Jankoviqit.

    “Është vendim i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo rregull të ndërkombëtarëve për qarkullimin e njerëzve, është një agresivitet i paparë deri më tani në këtë aspekt, andaj presim misionet diplomatike dhe ndërkombëtarët ta bëjnë punën e tyre në lirimin e tij”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
    Për këtë rast, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u takua me presidenten Vjosa Osmani, të enjten. Në një frymë me Bashkimin Evropian, ai tha se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

    “Jemi të shqetësuar sepse është dikush që e njohim për shumë vjet, për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha Hovenier.

    Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e ka arsyetuar arrestimin e Jankoviqit dhe zyrtarëve tjerë, duke thënë se vetëm është mbrojtur rendi kushtetues i shtetit serb.

    Përveç pjesëtarëve të policisë, policia kufitare serbe mbajti të bllokuar për rreth 20 orë, edhe udhëtarët kosovarë që po kalonin tranzit nëpër pikat kufitare të Serbisë.