ATV

Author: ATVLive

  • Presidentja Vjosa Osmani kujton 25-vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

    Presidentja Vjosa Osmani kujton 25-vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 25-vjetorin e rënies së tij.

    Osmani ka thënë se Sali Çekaj, përveç lider ushtarak, ishte edhe politikan vizionar e jurist i shkëlqyer, i cili për realizimin e idealit të tij ishte i vendosur deri në fund, ndaj ra heroikisht në Betejën e lavdishme të UÇK-së, në Koshare, raporton EO.

    Postimi i plotë i presidentes:

    Presidentja Vjosa Osmani kujton përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

    Sali Çekaj, përveç lider ushtarak, ishte edhe politikan vizionar e jurist i shkëlqyer, i cili për realizimin e idealit të tij ishte i vendosur deri në fund, ndaj ra heroikisht në Betejën e lavdishme të UÇK-së, në Koshare.

    Shembja e kufirit në mes shqiptarëve ishte përmbushja e idealit, të cilin konkretisht e kishte filluar që nga viti 1991 kur kishte realizuar përgatitjet stërvitore ushtarake në Shqipëri së bashku me komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarin Zahir Pajaziti.

    Veprimtaria e bujshme politike e ushtarake, cilësitë e tij të jashtëzakonshme prej organizatori e lideri të vërtetë, si dhe rënia e tij heroike në Betejën e lavdishme të Koshares, e bëjnë atë ndër figurat e shquara të historisë së re të Kosovës.

    Qoftë i përhershëm kujtimi për heroin Sali Çekaj!

  • ​Ukraina thotë se ka rrëzuar një bombardues strategjik të Rusisë

    ​Ukraina thotë se ka rrëzuar një bombardues strategjik të Rusisë

    Ukraina tha se për herë të parë që kur Rusia nisi pushtimin, forcat e saj kanë rrëzuar një bombardues me rreze të gjatë veprimi.

    Sipas ushtrisë ukrainase, bombarduesi strategjik i llojit Tu-22M3 ishte përdorur nga Rusia për të lëshuar raketa lundruese në mbarë shtetin, i cili po përballet me pushtimin e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

    “Për herë të parë, njësitë kundërajrore të Forcave Ajrore, në bashkëpunim me Inteligjencën Mbrojtëse të Ukrainës, kanë shkatërruar një bombardues strategjik me rreze të gjatë veprimi Tu-22M3”, tha ushtria përmes një postimi në rrjete sociale.

    Njoftimi për rrëzimin e bombarduesit strategjik u bë në kohën kur presidenti Volodymyr Zelensky, u kërkoi aleatëve perëndimorë të shtetit të tij që në mënyrë urgjente të furnizojnë shtetin e tij me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, pasi Rusia kreu një sulm vdekjeprurës me raketa më 19 prill ndaj qyteteve ukrainase dhe infrastrukturës kritike të energjisë.

    “Çdo shtet që ofron sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën, çdo udhëheqës që ndihmon në bindjen e partnerëve tanë se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk duhen të ruhen në hangar, por të dislokohen në qytete dhe komunitete që përballen me terror, dhe çdokush që mbështet mbrojtjen tonë, është shpëtimtar”, tha Zelensky përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

    Më herët gjatë 19 prillit, të paktën dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në Dnipro të Ukrainës nga sulmet raketore ruse.

    Serhiy Lysak, shefi i administratës së rajonit të Dnipropetrovskit, ku gjendet Dnipro, tha përmes një postimi në Telegram se një ndërtesë banimi dhe infrastruktura janë dëmtuar si pasojë e sulmeve. Lysak tha po ashtu se mund të ketë viktima edhe në qytetin e Sinelnikovit, por nuk dha më shumë detaje.

    Lokacioni i tretë në Dnipropetrovsk është Krivij Ri – vendlindja e Zelenskyt – ishte cak i një sulmi të ndarë rus. Kreu i qytetit, Oleksandar Vilkul, raportoi se tre persona janë plagosur dhe shtoi se ka dëme në infrastrukturë.

    “Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për terrorin e saj dhe të gjitha raketat dhe dronët ‘Shahed’ duhet të rrëzohen”, shkroi Zelensky.

    Për muaj të tërë, Ukraina po kërkon më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, teksa po përballet me sulme të intensifikuara ruse që po shënjestrojnë infrastrukturën ukrainase. Kievi po ashtu po përballet me mungesë të armëve dhe municioneve, teksa po pret që në Kongresin amerikan të zhbllokohet një paketë kritike e ndihmës ushtarake.

    Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor i ndihmës ushtarake për Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

    Por, paketa e ndihmës ushtarake në vlerë prej 60.84 miliardë dollarë për Ukrainën vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimeve nga ligjvënës republikanë të linjës së ashpër.

    Dhoma e Përfaqësuesve pritet të hedhë në votim paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën më 20 prill. /REL/

  • ​Policia arreston 3 persona në Gjakovë, dyshohen për “vrasje në tentativë”

    ​Policia arreston 3 persona në Gjakovë, dyshohen për “vrasje në tentativë”

    Tre persona janë arrestuar nga policia në Gjakovë.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se ata dyshohen për “Vrasje në tentativë” që raportohet të ketë ndodhur më 14 prill rreth orës 20:19.

    Po ashtu, janë konfiskuar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast, teksa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • ​Tifozët e Milanit përballen me lojtarët pas humbjes nga Roma

    ​Tifozët e Milanit përballen me lojtarët pas humbjes nga Roma

    Ultrasit e Milanit u përballën me lojtarët e tyre pas humbjes 2-1 kundër Romës në “Stadio Olimpico”, e cila përcaktoi eliminimin e tyre nga çerekfinalet e Ligës së Evropës.

    Kuqezinjtë pësuan humbjen e dytë radhazi kundër rivalëve të tyre në Serie A, Roma dhe u eliminuan nga çerekfinalet e Ligës së Evropës me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

    Lojtarët e Milanit u larguan pas fishkëllimës së fundit dhe u përballën me tifozë të zemëruar, të cilët, sipas “Rai Sport”, i fajësuan ata për humbjen e ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, përcjellë KosovaPress.

    Milani ka një tjetër ndeshje kyçe javën e ardhshme: ata do të takohen me Interin në Serinë A. Ata duhet të shmangin humbjen për të parandaluar rivalët e tyre të qytetit të fitojnë matematikisht titullin e kampionit.

  • ​Sulmi i Izraelit, mediat iraniane raportojnë se të gjitha objektet janë të sigurta

    ​Sulmi i Izraelit, mediat iraniane raportojnë se të gjitha objektet janë të sigurta

    Një shpërthim i fortë i dëgjuar pranë qytetit iranian të Isfahanit u shkaktua nga “mbrojtja ajrore në një objekt të dyshimtë”, tha një komandant i lartë ushtarak iranian.

    Nuk kishte asnjë “dëm apo incident”, tha komandanti i lartë ushtarak, gjeneral brigade i dytë Mihandoust në provincën Isfahan, sipas Tasnim.

    Një zyrtar amerikan i tha CNN se Izraeli kishte kryer një sulm brenda Iranit, por ushtria izraelite ende nuk ka komentuar.

    Mediat shtetërore iraniane po raportojnë se të gjitha objektet në zonë janë të sigurta, përfshirë objektet e rëndësishme bërthamore.

    Tre shpërthime u dëgjuan herët të premten pranë bazës ushtarake ku ndodhen avionët luftarakë në provincën Isfahan, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve FARS e Iranit.

    “Mbrojtja aktivizohet në përgjigje të një objekti që ka të ngjarë të jetë një dron”, thonë burimet për FARS news.

    Zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike të Iranit, Hossein Dalirian, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi tre drone dhe “nuk ka raportime për një sulm raketor tani për tani”. /CNN/

  • ​Mediat amerikane: Izraeli e njoftoi ShBA-në paraprakisht për sulmin ndaj Iranin

    ​Mediat amerikane: Izraeli e njoftoi ShBA-në paraprakisht për sulmin ndaj Iranin

    SHBA-së iu thanë planet e Izraelit për të goditur Iranin, por ata nuk e miratuan veprimin, thonë zyrtarë të cilët deshën të mbesin anonim.

    Si NBC, ashtu edhe CNN, kanë raportuar se zyrtarë që deshën të mbesin anonim duke thënë se Izraeli i dha Uashingtonit paralajmërim paraprak.

    “Ne nuk e miratuam përgjigjen,” citoi CNN të thoshte një zyrtar.

    Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë dhënë ende ndonjë koment mbi sulmin e raportuar, për të cilin Irani thotë se përbënte vetëm disa dronë.

    Irani ka hedhur poshtë raportet për një sulm raketor, me një zyrtar duke thënë se “lajmet e mediave amerikane nuk janë të vërteta”.

  • ​Raketa izraelite ka goditur Iranin

    ​Raketa izraelite ka goditur Iranin

    Një raketë izraelite ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News.

    Media shtetërore iraniane po raporton se fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete.

    Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t’i përgjigjej një sulmi iranian kundër tij të shtunën mbrëma.

  • ​Hysen Sogojeva merr edhe një mandat në krye të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit

    ​Hysen Sogojeva merr edhe një mandat në krye të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit

    Tetëdhjetë anëtarë të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, në kuvendin zgjedhor kanë votuar pro rizgjedhjes së Hysen Sogojevës, kryetar të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, si dhe katër nënkryetarë.

    Kuvendi është hapur nga kryetari i komisionit zgjedhor, Afrim Muçiqi, i cili ka kujtuar se rruga e Odës deri këtu ka qenë shumë sfiduese dhe se dëshira për të përmirësuar pozitën e bizneseve ka qenë më e madhe se secila vështirësi me të cilën janë ballafaquar udhëheqësit e OHTK-së.

    “80 delegatët e Kuvendit me të gjitha votat pro rizgjodhën kryetar të OHTK-së, Hysen Sogojeva. Me propozimin e kryetarit të Kuvendit, delegatët me të gjitha votat pro zgjodhën Fehmi Fetahi kryetar të OHTK-së për diasporë. Kryetari Sogojeva ashtu siç përcaktohet në Statut të OHTK-së para anëtarëve të Këshillit Drejtues propozoi Sadik Gashi për pozitën drejtor ekzekutiv. Duke vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e tij në funksion të OHTK-së, Sadik Gashi u zgjodh nga Këshilli Drejtues i OHTK-së drejtor ekzekutiv. Bazuar në propozimin e kryetarit Sogojeva Këshilli Drejtues zgjodhi 4 nënkryetarët e OHTK-së”, thuhet në njoftim.

  • KQZ sot njofton për qendrat e reja të votimit, a do të votohet nëpër kontejnerë?

    KQZ sot njofton për qendrat e reja të votimit, a do të votohet nëpër kontejnerë?

    Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë listën e ndryshuar të qendrave të votimit për organizimin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, që do të mbahet më 21.04.2024, pasi që shumica prej tyre nuk do të hapen për shkak të refuzimit nga drejtorët e shkollave.

    Sipas burimeve në listën e re të qendrave të votimit përfshihen edhe qendrat alternative të votimit (kontejnerët).

    Se kjo mund të ndodhë në një formë e ka thënë edhe kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në një përgjigje për Kallxo.com tha se kanë gjetur zgjidhjet alternative dhe po përgatisin raportin që do të miratohet nga KQZ-ja.

    “Si zgjidhje alternative kemi gjetur objekte publike që i përkasin administratës së komunës”, ka thënë ai.

    Lokacionet e sakta, sipas tij, do të bëhen të ditura tek pas miratimit nga KQZ.

    Ndryshe, 33 drejtorë të shkollave në katër komunat veriore të Kosovës kanë refuzuar ofrimin e objekteve. Kështu tha Burim Ahmetaj, kryesues i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e 25-të që u mbajt më 17.04.2024. Ahmetaj tregoi se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për t’u përdorur si vendvotime.

    Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas tij kanë qenë se më 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.

    Ahmetaj tregoi se lidhur me këtë çështje kanë ftuar në takim kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku këta të fundit nuk kanë marrë pjesë.

    “Pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-së, përfaqësuesve të Listës Serbe, nga data 6 prill e tutje, KKZ nuk ka mundur të komunikojë me disa drejtorë të shkollave. Kemi pasur qasje refuzuese me pretendimin se shkollat nuk do të lejohen për t’u përdorur si qendra të votimit në këto komuna” – tha Ahmetaj.

    Qytetarët e katër komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit do të votojnë të dielën, më 21.04.2024 nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave përkatëse.

    Ky votim vjen pas nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e tyre në fillim të këtij viti.

    Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit nuk i pranuar rezultatet e tyre. Pas vendosjes së tyre në objektet komunale, në veri të vendi shërthyen tensionet dhe dhuna./reporteri

  • ​11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

    ​11 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

    Sot bëhen 11 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

    Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

    Këto janë pikat e marrëveshjes për të cilat u pajtuan me 19 prill të 2013-ës, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

    Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.

    Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

    Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

    Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.

    Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

    Komunitetit/Asociacioni do të ketë një rol reprezentimi në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsulent të komuniteteve. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion monitorues.

    Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

    Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.

    Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandat i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Asociacionit. Përbërja e PK’së në veri do të reflektojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonale për komunat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunoj me komandantët e tjerë rajonalë.

    Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të t cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

    Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektori të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

    Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE’së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

    Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

    Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE’së.

    Me ndihmën e BE, nga të dy palët do të krijohet një Komitet i Implementimit.