ATV

Author: ATVLive

  • ​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

    ​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar në lidhjet me ushtrimet ushtarake të Serbisë, që do të zhvillohen sot në Peshter të Sanxhakut.

    Ai tha se Serbia është faktori kryesor i përpjekeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe se këto ushtrime janë dëshmi e kësaj.

    Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se si të tilla janë destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Përveç tjerash, duke ironizuar Kurti tha se këto ushtrime paraqesin gjithashtu edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.

    Kurti këtë deklarim e bëri gjatë nisjes së punimeve në rrugën Kjevë – Dollc.

    “30 kilometra larg kufirit të Kosovës, në Peshter të Sanxhakut, është duke u zhvilluar dita, mbase kryesore, e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor 2024”. Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e ZI. Kjo është edhe një dëshmi se Serbia është autoriteti, instanca e faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim për republikën tonë të cilën ata nuk e njohin. Meqenëse jemi këtu me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukturës, mund të themi se këto ushtrime paraqesin edhe ndotjen më të madhe të ajrit e të tokës në Sanxhak”, tha Kurti.

  • ​”Faleminderit Kosovë!”, ulqinakët premtojnë mikpritje në bregdet

    ​”Faleminderit Kosovë!”, ulqinakët premtojnë mikpritje në bregdet

    Me moton “Faleminderit Kosovë”, ulqinakët organizuan darkën tradicionale për të shprehur falënderimet ndaj Kosovës për besnikërinë që për vite me radhë i jep vendi ynë Ulqinit dhe viseve përreth. Ulqinakët, Kosovën e konsiderojnë partnerë të pazëvendësueshëm në të gjitha aspektet, turistike, kulturore, arsimorë, biznesore si dhe ato familjare.

    Në gala mbrëmjen falënderuese ndaj Kosovës me mbi 500 të pranishëm që u mbajt të enjten, ulqinakët premtuan mikpritje të vazhdueshme për turistët kosovarë, përfshirë edhe diasporën. Theks të veçantë ulqinakët i vënë edhe investimeve të përbashkëta në mes pronarëve të hoteleve të Kosovës dhe atyre të Ulqinit.

    Për këtë vit u premtua përplot risi në ofrimin e shërbimeve turistike si dhe në plotësimin e kërkesave të turistëve kosovarë.

    Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se turizmi mbetet shtylla kryesore e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Ulqinit. Ajo tha se Kosova është shtëpia e dytë e Ulqinit, ashtu siç Ulqini ka qenë gjithmonë shtëpi e Kosovës.

    “Kosova dhe Ulqini kanë ndarë shekuj me radhë jo vetëm tregtarë dhe artizanë por edhe poet dhe mendimtarë, dhe ata që kanë punuar në fuqizimin e vazhdueshëm në ndërtimin e një respekti të pashoq në mes të qytetarëve tonë. Në veçanti turizmi mbetet shtylla kryesore të këtyre marrëdhënieve vizitat e shpeshta e qytetarëve të Kosovës dhe Ulqin janë një dëshmi e gjallë e kësaj lidhje të veçantë, plazhet e Ulqinit dhe çdo cep i kësaj komune janë bërë shtëpi e dytë për çdo Kosovarë, ku ata gjejnë jo vetëm relaksimin dhe argëtimin por mbi të gjitha mikpritjen e ngrohët të vëllezërve dhe motrave të tyre. 25:34 Nga të gjitha vendet që kam vizituar, Ulqini zë vendin e parë dhe është vendi i preferuar i familjes tonë. Besoj që ky është vlerësimi më i sinqertë dhe këtë mund të konfirmojnë edhe vajzat e mia që mezi presin të vizitojnë Ulqinin sërish. Prishtina dhe e gjithë Kosova do të jenë njëjtë, shtëpi e dytë, siç është Ulqini gjithnjë dhe e ka dëshmua rendë në kohë luftë për të gjithë kosovarët”, theksoi Osmani.

    Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm me Malin e Zi do të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Ai tha investimet politike, ekonomike dhe ato kulturore duhet të shtohen në mes të dy shteteve.

    “Riviera e mrekullueshme e Ulqinit është një destinacion i preferuar për Kosovarët të cilët e vlerësojnë dhe paqen që ofron deti. Edhe mikpritjen e ngrohët banorët e këtij qyteti dhe trashëgimin e tij aq të pasur historike dhe kulturore, Ulqini është më shumë se sa një qytet bregdetarë. Bashkëpunimi me Malin e Zi është dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Duke shtuar investimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme si politika, ekonomia dhe kultura synojmë të thellojnë marrëdhëniet tona. Me Ulqinin unë kam një raport të ngushtë familjarë, për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë deri në moshën 30 vjeçare unë nuk kam shkuar për pushime në ndonjë bregdet tjetër. 32:30 Shpresoj që në Ulqin si komunë do të shtohet autobusët lokal dhe dyqanet në fshatrat e anës malit. Edhe më shumë së në Ulqin unë fëmijërinë e kam kaluar në Sukobinë, edhe autobusin që e vozitë “Bahria i Rrusllës”, dhe dyqani i “Dyni Dilit”, vlenin jo më pak se plazhi”, shtoi Kurti.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari theksoi se shumë investime madhore në bregdet janë investime kosovare.

    “Ulqini po përjeton kohën e vet të transformimit të turizmit, ne vlerësojmë se turizmi i qëndrueshëm është qasje që do të balancojë ruajtjen e mjedisit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në Ulqin janë duke u bërë investime madhore në infrastrukturë, ujësjellës dhe kanalizim që nuk janë bërë në dekada të tëra. Në ndërtimin e hotelit superior pjesën më të madhe të realizmit do të bëjnë pjesë investitorë nga Kosova. Po ashtu edhe hotelin “Jagra” një projekt tjetër i madh ku po ashtu investitori do të jetë nga Kosova, këto dhe shumë projekte tjera do të forcojnë lidhjet tona dhe do të bëjnë Kosovën që të jenë më pranë nesh. Ne edhe këtë vit ju ftojmë që të vini në Ulqinin tuaj, atje siç e din ju prej mikpritja tradicionale e Ulqinakëve. Ne e kemi mirëpritur me gëzim liberalizimin e vizave, por ne jemi të sigurt se ju kudo që shkoni nuk mundeni pa ardhur në Ulqin”, tha Bajraktari.

    Po ashtu, drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, Qazim Hoxhiq tha se numri i vizitorëve të Kosovës në Ulqin është në rritje dhe për këtë arsyeje në pjesën bregdetare të Ulqinit është duke u punuar në plotësimin e kërkesave.

    Ai tha se po punohet në plotësimin e kërkesë së kamotshme për ndërtimin e hoteleve me pesë yje.

    “Mund të konstatoj se numri i mysafirëve nga Kosova dhe këtë vit ishte mbresëlënës dhe arrit në 22% nëse shtojmë edhe diasporën atëherë përqindja do të ishte edhe më e madhe. Ne e dimë se numri është shumë i madh se sa tregojnë statistikat. 36:56 Po punohet për sezonin veror turistik, të gjithë kontaktet e përhershme që kemi me hotelier që kërkesa ndaj Ulqinit po rritet nga viti në vit dhe kjo na inkurajon dhe na bënë që edhe në të rrisim cilësinë në çdo aspekt. Këtë vit do të ketë një sërë risish në ofrimin e shërbimeve nga ana e Organizatës Turistike po ashtu ndërtimi i objekteve me pesë yje është kërkesë e kohës”, tha Hoxhiq.

    Sezoni turistik ditëve të ardhshme do të nis me festivalin “May Fest”, për të vijuar më pas edhe me shumë koncerte të tjera pranë bregdetit ulqinak.

  • Kurti në fillimin e punimeve të rrugës nacionale Kijevë-Dollc: Kushtoi rreth 21 milion euro

    Kurti në fillimin e punimeve të rrugës nacionale Kijevë-Dollc: Kushtoi rreth 21 milion euro

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marr pjesë në fillimin e punimeve të projektit “ Zgjerimi i rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc”, raporton Ekonomia Online.

    Kryeminsitri Kurti ka thënë se ky zgjerim i rrugës do të bëhet në tri llote me gjithsej 10.9 kilometra gjatësi dhe e cila do të kushtoi rreth 21 milion euro.

    “Në rrugën nacionale N9 që qonë në Peje dhe e cila po zgjerohet, po inaugurojmë fillimin e punimeve për tri llote, llotin 2, 3 dhe 4 që gjithsej e kanë gjatësinë 10.9 kilometra me një kosto të gjithmbarshme me pak se sa 21 milion euro. Ndërkaq për segmentin tjetër pas këtij Kijev Dollc, vjen Dollc-Ramun i cili do të bëhet hapja e procesit për të në muajin e ardhshëm në muajin maj. Ndërkohë që për llotin e parë organi shqyrtues i prokurimit OSHP-ja e ka rikthyer me vendimin e vet në ritenderim, andaj ajo është spostuar ca në kohë, për llotet 2-3-4 gati 11 km për ma pak se 21 milion euro po i inagurojmë me shumë gëzim të gjithë bashkë sot. Më erdh mirë që u njoftova që do të kemi edhe punëkryes e mbikëqyrës të punëve të kryera”, ka thënë Kurti.

    Sa i përket dështimit të disa prej bizneseve që janë duke u prekur nga zgjerimi i kësaj rruge, Kurti tha se bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, do të diskutojnë brengat e tyre.

    “Nuk kemi pasur diskutime me ta, mirëpo edhe me ministren e ekonomisë edhe me ministrin e financave ne do ta diskutojmë këtë çështje duke i trajtuar kërkesat e tyre. Ne dëshirojmë që t’ ju ndihmojmë edhe qytetarëve edhe bizneseve, nuk dëshirojmë që ta dëmtojmë askënd mirëpo nuk do ta lëmë këtë rrugë pa zgjeruar”, tha Kurti.

    Zëvendësministri Hysen Durmishi, tha se zgjerimi i rrugës parashihet që të përfundojë pas 260 ditëve, por sipas tij, duke parë trendin e punimeve, ato mund të përfundojnë pra afatit.

    Durmishi sa i përket kundërshtimeve të pronareve të bizneseve, ka thënë se janë takuar disa herë me pronarët e bizneseve dhe se para tyre ka paraqitur arsyet e këtij devijimi.

    “Janë tri llote që afati më i gjatë është 260 ditë për llotin më të madh, por duke e parë angazhimin edhe të kompanive por edhe të mbikëqyrjes së jashtme të cilën e kemi kontraktuar, unë jam i bindur që do ta realizojmë para këtij afati që të trija llotet. E kemi marr vendimin për shpronësim për vazhdimin e rrugës në drejtim të Pejës që në fillim të majit do të fillojë procedura që gjatë këtij viti të fillojnë punimet edhe në të gjitha llotet tjera edhe në Zahaq. Dëshiroj t’ ju njoftoj se jemi në përfundim të hartimit të projektit kryesor për zgjerimin e rrugës Istog-Pejë-Deqan-Gjakovë- Prizren, që për vitin e ardhshëm do të ndajmë buxhet që ndonjëri nga segmentet e kësaj rruge ta fillojmë, kështu që ta përmbyllim ndërtimin e rrugëve nacionale dhe regjionale në rajonin e Dukagjinit”, ka thënë Durmishi.

    Zv. Ministri ka folur edhe rreth protestës së organizuar nga banorët e kësaj zone deri sa ka potencuar se pronaret e këtyre biznesevë i ka takuar disa herë në zyre. Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe me ta por edhe brenda departamenteve në Ministri.

    “Të gjithë pronarët e këtyre bizneseve i kam takuar disa herë në zyrën time me kërkesat që ata i kanë parashtruar, i kemi diskutuar edhe me ta por edhe brenda departamentev tona në Ministri. Ky projekt është hartuar shumë më herët. Devijimi i kësaj rruge ka filluar shumë më herët, ju e shihni deri në Kijevë është rruga e devijuar nga rruga ekzistuese dhe komplet elaborimi i parahartimit të projektit kryesor. Unë ua kam dhënë përfaqësuesve të këtyre bizneseve ku aty është arsyeshmëria pse ka ndodhur ky devijim, ka shumë arsye pse ka ndodhur ky devijim këtu. Një ndër arsyet kryesore është se zgjerimi i rrugës me vendbanime i dëmton vendbanimet. Kur bëhet rruga me 4 korsi ngritet niveli i rrugës në njërën anë dhe i pamundëson kyçjet e objekteve që ndodhin aty afër. Të gjitha këto janë të elaburuauar në mënyrë perofesionale në dokumentin të cilin ja kam dorëzuar përfqësueseve të atyre bizneseve”, ka thënë ai.

    Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka thënë se si Qeveri projekteve rrugore u kanë kushtuar rëndësi të veqantë shpronsimit të pronave, cilësisë së projektimit dhe realizmit të projektit.

    “Ajo çka i kemi kushtuar rëndësi projekteve që tani po zhvillohen brenda këtij mandati, tani po i kushtojmë rëndësi që shpronësimet të gjitha të kryehen në kohë dhe të mos kemi problem shpronësimet. Të mos na dalin befasi në infrastrukturën nëntokësore, me probleme të tjera të cilat pastaj na krijohen pengesa në realizim të projektit. I kemi kushtuaur rëndësi cilësisë së projektimit që në fazën e dizajnimit e po ashrtu edhe në pjesën e realizmit të punimeve”, ka thënë ai.

  • Sulm ndaj zyrtarëve policor në Prizren, arrestohen dy të dyshuar

    Sulm ndaj zyrtarëve policor në Prizren, arrestohen dy të dyshuar

    Janë arrestuar dy persona këtë të enjte në Prizren, pasi po dyshohen se kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policor.

    Prokurori vendosi që njëri nga të dyshuarit të dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri u lirua me procedurë të rregullt.

    Rasti u cilësua “Sulm ndaj personit zyrtar”, bën të ditur raporti 24-orësh i policisë.

  • Lufta dhe nafta

    Lufta dhe nafta

    Nga akademik. prof. Anastas Angjeli

    Po t’i kthehemi historisë pas Luftës së Dytë Botërore, në periudha të ndryshme, kanë shpërthyer konflikte rajonale dhe vatra lufte, edhe pse ato kishin ndikime të kontrolluara në aspektin ekonomik. Situata e sotme është e ndryshme. Jemi përballë tri vatrave lufte shumë të nxehta (lufta Rusi-Ukrainë, lufta Izrael-Gaza, sulmi Iran-Izrael dhe reagimet e pritshme), të cilat duket se jo vetëm po kërcënojnë paqen globale, por kanë shkaktuar kriza ekonomike e financiare, me efektin domino dhe që kanë dhe po çojnë në ndryshime jo vetëm gjeopolitike dhe gjeoekonomike, duke vështirësuar edhe parashikimet e zhvillimeve të ekonomisë botërore.

    Kujtojmë krizën, pasojat dhe ndryshimet që solli kriza e koronavirusit, pastaj ajo e luftës Rusi –Ukrainë, që solli një krizë të thelle ekonomike e financiare, me ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, kriza ushqimore, (e drithërave), rritja e çmimit të energjisë, naftës dhe e efekti domino i saj, kriza e inflacionit etj.. Dhe kur mendohej se edhe pse lufta Rusi-Ukrainë vazhdon, kriza e çmimeve dhe e inflacionit po shkonte drejt stabilizimit, një vatër e re, lufta IzraelGaza dhe tashme ajo Iran–Izrael po tërheq vëmendjen, se një krizë e re ekonomie, financiare dhe e çmimeve mund të rishfaqet. Treguesi më i dukshëm është fillimi i rritjes së menjëhershme të çmimit të naftës.

    Dhe është e natyrshme se vatrat e hapura të luftës kanë qenë dhe janë të lidhura jo vetëm me faktorë të tjerë të njohur, por gjithnjë kanë pasur dhe interesa të mëdha ekonomike, veçanërisht për burimet energjetike. Dhe jo vetëm ato. Por, sa herë që shpërthejnë vatra lufte rajonale, shpërthejnë edhe konflikte, edhe zhvillime në treg e mbi të gjitha analizohen parametrat e tri mallrave bazë naftës, arit dhe dollarit amerikan. Të gjithë që përpiqen të bëjnë parashikime në këto tre elemente, në fakt nuk japin numra, por intervale numrash, sepse e dinë shumë mirë që tregu edhe pse është shumë i monitoruar dhe i studiuar, mbetet gjithmonë i paparashikueshëm.

    Pavarësisht nga kjo, në të gjitha analizat dhe botimet e fundit ekonomike prestigjioze kemi diskutime alternative dhe parashikime progresive dhe regresive për ecurinë e këtyre produkteve. Por këtu do të mundohemi t’u japim përgjigje pyetjeve që kanë të bëjnë me parashikimet për rritjen e çmimit të naftës, ndikimin që mund të sjellin në rritjen e çmimeve të tjera. A do rikthehet rritja e çmimeve dhe inflacionit për shkak të këtyre zhvillimeve? Cili duhet të jetë qëndrimi i politikës monetare etj.?

    Një vështrim mbi parashikimin e çmimit të naftës për vitin 2024

    Parashikimet për ecurinë e shumë parametrave ekonomikë, ndër të cilët janë edhe çmimet e lëndëve energjetike, të monedhave, të arit dhe të përqindjes së interesit, janë pjesë e parashikimeve që ekspertët bëjnë për shumë tregues të zhvillimeve ekonomike në çdo fundviti dhe fillim të vitit pasardhës. Pas luftës RusiUkrainë dhe tashmë të zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, në qendër të vëmendjes është rivendosur çështja e çmimit të naftës. Për këtë duhet të kuptohen dy koncepte për llojet e naftës. “Brent” dhe “WTI” janë dy terma të përdorur për të treguar dy lloje të naftës dhe standardet përkatëse që ndjekin trendin e çmimit të naftës bruto. Për të dy indekset vlera e referencës është kostoja e naftës për fuçi. “Brent” është indeksi i referencës për Lindjen e Mesme, Evropën dhe Afrikën, ndërsa “WTI” (West Texas Intermediate) është një përzierje e llojeve të ndryshme të naftës që nxirret në Shtetet e Bashkuara, prandaj përfaqëson tregun amerikan. Vërtet të ndara si koncepte, por shumë të integruara si ndikime dhe të gjithë njohësit e fushës i tregojnë këto si dy ene komunikuese.

    Parashikimet për çmimin e naftës në vitin 2024 u përllogariten nga ekspertët më të mirë të institucioneve prestigjioze në botë, bazuar në faktorë të ndryshëm si ecuria aktuale e konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, sanksionet e lidhura me të nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe mbledhjet periodike të organizatave si (OPEC+) etj.. Në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar, anëtarët e OPEC+ u takuan për të diskutuar ndryshimet e mundshme në prodhimin kolektiv. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj ranë dakord të reduktojnë prodhimin e “arit të zi” me një vlerë totale prej rreth 2.2 milionë fuçi. Këto shkurtime, të cilat sot duken larg realitetit, mund të përkeqësoheshin më tej në rast të një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Iranit, prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë. Në këtë periudhë, kjo ngjarje ishte parashikuar, por propabiliteti që të ndodhte nga vetë anëtarët konsiderohej jo i lartë, megjithatë ishte një nga faktorët kryesorë që duhej të merrej parasysh. Në rast se do të ndodhte diçka e tillë dhe nëse vendi hynte në konflikt, vendet e (OPEC+) parashikonin një tronditje serioze të furnizimit me naftë me ndikim të madh në tregun botëror.

    Sipas “Goldman Sachs”, nëse Irani nuk do të hynte në lojë, disponueshmëria totale globale do të reduktohej me rreth 20%. Pavarësisht kësaj, megjithatë, ekspertët e këtij institucioni mendonin se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit nuk do të kishte një ndikim të rëndësishëm në çmimin e naftës. Por, një nga parashikimet më të përhapura për çmimin e naftës për vitin 2024 është se çmimi do të rritet. Disa analistë e parashikonin atë edhe pa filluar reagimi i Iranit në një kthim të shpejtë në 90 dollarë për fuçi. “Goldman Sachs”, në korrik të vitit 2024 duke përdorur modelet e saj të parashikimit, priste që çmimi i Brent të stabilizohej rreth 95 dollarë për fuçi.

    Vlerësimi i “JP Morgan” është pak më optimist për çmimin e naftës në vitin 2024. Disa muaj më parë “JP Morgan” pohoi se çmimi i Brent nuk do të arrinte kurrë 100 dollarë për fuçi, duke përjashtuar ngjarjet e jashtëzakonshme gjeopolitike që, për fat të keq, megjithatë kanë ndodhur. Pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme, parashikimet e “JP Morgan” për çmimin e Brent rezultuan deri tashti të jenë më të sakta se “Goldman Sachs”.

    Sipas një nga eksperteve nga më të specializuara në parashikimin e çmimit të naftës, Natasha Kaneva, drejtuese e kërkimit material global për kompanitë shumëkombëshe, çmimi i naftës do të mbetet i qëndrueshëm në 83 dollarë për fuçi dhe më pas do të bjerë në vitin 2025. Kjo e parashikoi këtë çmim në dhjetor të vitit 2023 dhe u vërtetua deri në shkurt të këtij viti. Por…

    Sipas vlerësimeve të fundit të publikuara nga Banka e Amerikës, nafta e papërpunuar Brent do të mbetet e qëndrueshme në vitin 2024, pavarësisht faktit se OPEC+ ka reduktuar ofertën globale që nga viti 2022 dhe ka të ngjarë të vazhdojë ta bëjë këtë vitin e ardhshëm. Francisco Blanch, kreu i sektorit të studimit të çmimeve të mallrave dhe derivateve BoA, pret një çmim Brent prej 90 dollarë për fuçi dhe atë të WTI të qëndrueshme në 86 dollarë, duke u mbajtur si parashikues shumë më i saktë se shumë institucione të tjera ndërkombëtare.

    Së fundmi në një intervistë të nëntorit të vitit 2023, Edward L. Morse, i Citi BANK priste që nafta Brent të përfundonte vitin 2023 me 76 dollarë për fuçi. Morse nënvizoi paqëndrueshmërinë e mundshme të tregjeve të energjisë për shkak të paqëndrueshmërisë politike të disa prodhuesve si Irani, Iraku, Nigeria, Libia dhe Venezuela dhe rëndësinë e shqyrtimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

    Këto ishin disa nga parashikimet më serioze që u bënë për çmimin e naftës në fund të vitit të kaluar dhe që të gjithë studiuesit e sotëm i konsiderojnë të vlefshme për analizat e situatës aktuale.

    Efektet e konflikteve rajonale në çmimin aktual të naftës

    Çmimi i naftës së papërpunuar WTI mund të rizgjohet këtë javë me një shtytje vendimtare në rritje të shkaktuar nga përkeqësimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, drejt niveleve më të larta të kohëve të fundit prej 87.5 dollarë për fuçi dhe çmimi i naftës bruto WTI mund të rritet sërish pas mbylljes së fundit javore (java e dytë e prillit). Gjithçka do të varet nga reagimi i tregut në hapjen e bursës në javën e ardhshme, pas një mundësie reale të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pas “Hakmarrjes Iraniane” në përgjigje të sulmit të mëparshëm izraelit në Siri.

    Sipas analizës teknike të bërë me të dhënat, deri më datë 15 prill 2024, mendohet se është e qartë se shtytja rritëse mund të arrijë rezistencën e ndërmjetme prej 87.5 dollarë për fuçi dhe më pas objektivin e 88 dollarëve. Me tejkalimin e këtij niveli, në varësi të zhvillimeve, një kthim drejt çmimit prej 90 dollarë për fuçi as që do të na befasonte. Kjo është bazuar në analizat teknike e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare dhe analiza e statusit dhe tendencës së këtij fenomeni.

    Këto analiza na lejojnë të gjykojmë se sa çmimi i naftës do të kushtëzohet nga nivelet e spekulimit dhe sa nga kërkesa dhe ofertat në treg. Të gjithë specialistet pranojnë se ende tregu i naftës nuk është kthyer në një treg spekulatorësh, por më shumë investitorësh dhe për pasojë rritjen e çmimit përveç uljes së sasive e lidhin me elemente të kostove shtesë që ka produkti. Kostoja kryesore shkesë është ajo e transportit. Nëse vendet perëndimore do të ruajnë dhe garantojnë transportin në rugët klasike ku kalon 80% e naftës, personalisht mendoj se çmimi i naftës do të stabilizohet tek 90 euro për fuçi në muajt e ardhshëm.

    Meqenëse në tregun shqiptar veprimet në bursë janë të kufizuara dhe pothuajse inegzistente, vështirë se njerëzit dallojnë dot si konceptin e investitorit nga ai i spekulatorit. Spekulatori do ndryshime sa më të shpeshta dhe sa më të mëdha të çmimit të një produkti, sepse nga kjo fiton, ndërsa investitori kërkon stabilitet dhe rrjedhje normale të çmimeve mbi bazën e kostove. Aktualisht deri tashti vihet re se tregu i ka absorbuar më parë efektet e luftërave rajonale dhe ka marrë masa për të mos lënë spekulatorët t’i përdorin ato për përfitime të rastësishme. Sigurisht që nuk ka treg ku nuk funksionojnë spekulatorët, por gjendja e energjetike dhe mbi të gjitha çmimet e naftës kanë nga prapa edhe shtete që mundohen t’i kontrollojnë ato.

    Ja një paralelizëm edhe me tregun e arit. Të gjithë e dimë së në raste pasigurie (lufte) të gjithë drejtohen te metalet e sigurta dhe të gjithë drejtohen nga ari. Edhe dy ditët e fundit ari nuk po kalon dot stekën e 1300 dollarëve për onc, gjë që tregon se deri më sot tregjet kanë absornuar efektin e luftërave lokale dhe reagimin e Iranit.

    Këto parashikime, bazuar në studime dhe parashikime të studiuesve dhe e institucioneve më prestigjioze te çështjeve të naftës dhe çmimeve të saj nuk duhet të ulin “vigjilencën” e politikave ekonomike e financiare, veçanërisht të politikës monetare përballe të papriturave që mund të sjellin zhvillimet në Lindjen e Mesme, zgjerimit të konfliktit në këtë rajon, lidhjen e ngushtë me tregjet e naftës, efektet domino dhe rritjen e ndikimit të jashtëm në ekonominë tonë. Të panjohurat dhe risqet që mund të shfaqen, kërkojnë vëmendje, vigjilencë dhe gatishmëri për reagim.

  • Ambasada amerikane publikon numrat për raportimin e dhunës me bazë gjinore

    Ambasada amerikane publikon numrat për raportimin e dhunës me bazë gjinore

    Ambasada amerikane në Prishtinë ka vendosur numrat se ku mund të thërrasin viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke përkujtuar se Kosova ka një ligj në fuqi që e dënon këtë krim.

    “Kosova ka një ligj gjithëpërfshirës për parandalimin dhe mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës në familje. Dhuna me bazë gjinore është një krim i dënueshëm – i dënueshëm nga ligji në fuqi. Raportoni në: 0800 11 112 ose 192”, ka shkruar ambasada.

    Ky veprim i ambasadës vjen pas dy rasteve të fundit të femicidit që ndodhën brenda një jave.

  • Fondi për të Drejtën Humanitare: Gjatë vitit 2023 janë arrestuar nëntë persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale krim i luftës kundër popullatës

    Fondi për të Drejtën Humanitare: Gjatë vitit 2023 janë arrestuar nëntë persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale krim i luftës kundër popullatës

    Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizoi tryezë me temën “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës – 25 vite më pas”, raporton Ekonomia Online.

    Zv. Ministri i Drejtësisë Vigan Qorolli ka thënë se mijëra civilë të pafajshëm mbetën të vrarë e të masakruar barbarisht, mijëra vajza e gra të dhunuara seksualisht, qindra mijëra shtëpi të djegura të gjitha këto e më shumë se kaq, janë dëshmi e një përpjekje shoveniste.

    “Mijëra civilë të pafajshëm mbetën të vrarë e të masakruara barbarisht, mijëra vajza e gra të dhunuara seksualisht qindra mijëra shtëpi të djegura të gjitha këto e më shumë se kaq janë dëshmi e një përpjekje shoveniste, për gjenocid e shtet armiqësor që i pengon sot e kësaj dite populli i Kosovës, qysh i pengon edhe shteti i Kosovës Republikë. Vuajtjet e shkaktuara të popullit të Kosovës nga Serbia janë vuajte që i mbajmë të ngulitura thellë në mendjet tona por të cilën asnjëherë nuk na dobësuan, përkundrazi gjetëm forcën që të bëhemi edhe më të fortë. Kosova është një storie për të gjithë botën për luftën e drejtë për çlirim dhe Republika jon po avancon me ritëm dinamik për familjen euro atlantike dhe duke i dëshmuar botës suksese të larta me arritjen e qytetarëve të saj, megjithatë Kosova nuk mund dhe nuk duhet të shkëputët nga e kaluara e saj, Kosova nuk mund të harrojë sakrificën që ka bërë ky populli ynë si rrjedhojë Kosova duhet të avancojë edhe më tej të avancoj në forcimin e drejtësisë dhe të angazhohet për dënimin e të gjithë atyre të krimineleve të luftës që fatkeqësisht shumica ata ende lëvizin lirshëm nëpër Serbi dhe jo vetëm. Ministria Drejtësisë në këtë drejtim është angazhuar për adresimin e shkeljeve të renda të drejtave të njeriut krimeve të luftës krimeve kundër njerëzimit duke zhvilluar bazën ligjore e cila kishte munguar për shumë vite njëkohësisht duke rritur kapacitetin e institucioneve për adresimin efikas të këtyre qështjeve me propozimin e qeverisë si rrjedhojë e kësaj është miratuar ligji për institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Qorolli.

    Ndërsa Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka thënë se implementimi i rekomandimeve pa dyshim që do të rrisë performancën dhe do t’ i përforcojë këto institucione të përfshira.

    “Jam i nderuar të jem këtu pasi që jemi grumbulluar që të shohim progresin dhe sfidat e drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë. Dua të falënderoj Fondin për të Drejtën e Humanitare për gjykimet e krimeve të luftës. Çdo gjykim i suksesshëm jo që e sjell të vërtetën në dritë por tregon që krimet e luftës nuk do të harrohen dhe kryerësit do të jenë përgjegjës. Implementimi i këtyre rekomandimeve pa dyshim që do të rrisë performancën dhe do të i përforcojë këto institucione të përfshira”, ka thënë.

    Nga ana tjetër, Amer Alija Kordinator i Projektit në Fondin për të Drejtën Humanitare është shprehur se objektiv kryesor kanë prezantimin e punës së institucioneve të gjyqësorit. Ai ka shtuar se gjatë vitit 2023 janë arrestuar nëntë persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile dhe të njëjtëve iu është caktuar edhe mesa e paraburgimit.

    “Objektivi kryesor i këtij raporti është prezantimit i punës së institucioneve të gjyqësorit në këto raste rezultatet e arritura, gjetjet dhe rekomandimet për institucionet kompetente. Gjatë vitit 2023 janë arrestuar nëntë persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile dhe të njëjtëve iu është caktuar edhe mesa e paraburgimit. Gjatë këtij viti, Zyra e PSRK-se ka ngritur pesëmbëdhjetë aktakuza në drejtim të veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile. Prej 15 aktakuzave te ngritura, tetë prej tyre janë ngritur në mungese kundër 61 pjesëtareve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtareve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të cilët ndodhen në paraburgim. Përmes titullit të raportit “Fillimi i një faze te re në gjykimin e krimeve të luftës”, FDHK-ja transmeton një mesazh drejt publikut dhe institucioneve përgjegjëse rreth gjendjes aktuale të rasteve të krimeve të luftës. Fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës, duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë. Kjo faze do të jetë një test i rëndësishëm për aftësimin dhe pavarësinë e gjyqësorit kosovar për të ofruar drejtësi në raste të tilla të ndjeshme. Gjatë vitit 2023 në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale. 26 lëndë kundër 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe 1 pjesëtar i UÇK-së. Pra në këtë raport janë përfshirë analizat e të gjitha këtyre lëndëve gjyqësor të cilat janë trajtuar nga gjykatat e Kosovës, në instanca të ndryshme. Në departamentet speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit është rritur efikasiteti i punës së gjyqtarëve, si dhe cilësia e përpilimit të vendimeve gjyqësore. Por në anën tjetër në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kemi patur një stagnim të punës. Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efikasitetin dhe kredibilitetin e një sistemi ligjor. Përmes gjetjeve të FHDK-së në kuadër të këtij raporti i kemi adresuar edhe ngecjet aktuale ne procesimin e rasteve të krimeve të luftës dhe i kemi rekomanduar disa hapa që duhet ti ndërmarrin institucionet dhe organet e gjyqësore të Kosovës me qëllim të tejkalimit të sfidave të cilat janë duke i shoqëruar këto procese gjyqësore që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, ka thënë Alija.

    Ndërsa, Albina Shabani – Rama kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka potencuar se iu kanë dhënë prioritet trajtimit të rasteve të krimeve të luftës.

    “Gjykata Themelore e Prishtinës, trajtimit të rasteve të krimeve të luftës iu ka dhënë prioritet absolut në raport me gjitha rastet që nga momenti i krijimit të njëjtit. Viteve të fundit është bërë një progres i jashtëzakonshëm, fakti që ka pas një efikasitet në trajtimin e këtyre rasteve, konsideroj se gjitha rastet që janë trajtuar kanë qenë në një afat të arsyeshëm. Fakti që prej vitit të kaluar kanë filluar të ngrihen aktakuzat në mungesë është një prioritet për viktimat që të trajtohen rastet që kanë pritur me vite të tëra e që për gjykatën ka qenë sfidë, por falë bashkëpunimit janë caktuar seancat e para dhe shumë shpejt do të kemi edhe aktgjykimet e para në mungesë”, ka thënë Shabani- Rama.

    Atdhe Dema Prokuror Special është shprehur se çdo vit e më tepër ne kemi mësuar qoftë prej gabimeve tona, qoftë nga përvojat ndërkombëtare.

    “Nga perspektiva e prokurorisë speciale mund të themi se ne kemi departament në kuadër të Prokurorisë Speciale, departament për krime të luftës, të cilët tentojmë që në shumicën e rasteve ti mbulojmë nga vetë prokurorët që janë pjesë e këtij departamenti, për momentin ne jemi 3 në pritshmëri që numri i prokurorëve do të rritet në drejtim të ndarjes së përgjithësive dhe detyrave që i kemi ne si prokuror. Çdo vit me rradhë ka ardhë në avancim rritje po edhe në përmirësim të kualitetit të akuzave. Vet fakti tregon që çdo vit e më tepër ne kemi mësu qoftë prej gabimeve tona qoftë nga përvojat ndërkombëtare. Puna ditore në çdo ditë ballafaqohemi zyra jonë pra prokuroria speciale ka mbi 1000 raste të krimeve të luftës të cilat ne i kemi marrë nga EULEXI, ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, përfaqësuesin që e kemi këtu sot kapitenin Avni Vrajolli, në baza ditore kërkojmë që hetimet e tona të jenë sa më kualitative sa me të bindshme provat dhe sa më lehtë të bëhet puna për gjykatën për gjykimin e rasteve të krimit të luftës” ka thënë Dema.

  • Kurti: I ftoj qytetarët t’ia ndërpresin mandatin kryetarëve në veri, nëse mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë

    Kurti: I ftoj qytetarët t’ia ndërpresin mandatin kryetarëve në veri, nëse mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për procesin e referendumit të 21 prillit që do të mbahet në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zevçan, Leposaviç dhe Zubin Potok.

    Kreu i ekzekutivit tha se qeveria e udhëhequr nga ai është në shërbim të Komisionit Zgjedhor për këtë proces dhe se qeveria është garantuese se rezultati i këtij referendumi do të zbatohet në plotni dhe me shpejtësi.

    Kurti tha se kryetarët aktual mund të dalin nga zyra, por jo me banda fashiste të cilat sulmojnë Policinë e Kosovë e KFOR-in.

    Duke bërë thirrje për dalje në zgjedhje, ai tha se data 21 prill është mundësi për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual dhe se një gjë e tillë mund të ndodh vetëm me proces ligjor e jo me banda të dhunshme sepse, sipas tij, një gjë të tillë nuk e lejon Policia e Kosovës.

    “Për çështjen e zgjedhjeve që do të mbahen në katër komunat veriore më 21 prill prinë Komisioni Qendror Zgjedhor. Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të tyre. Nga ana jonë është në përgjithësi është vullneti që të mbahet ky votim dhe në komunat në të cilat 50 për qind plus një të qytetarëve votojnë për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual të komunave ne jemi garancion që kjo do të zbatohet në plotëni e me shpejtësi. Këta kryetarë mund të dalin nga zyra, por jo me banda fashiste të cilët dhunojnë KFOR-in, juve gazetarët e Policinë e Kosovës. Me zgjedhje hyhet në zyre, nuk hyhet në zyre as me bomba, as me granata e as me armë të tjera me të cilët janë sulmuar personeli i sigurisë në katër komunat veriore. 21 prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie e moshe që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ia ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin ata të cilët mendojnë që nuk kanë qeverisur mirë. Gjithçka duhet me proces ligjor e jo me banda të dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Me banda të dhunshme nuk mundesh me hy në zyre, nuk lejon Policia e Kosovës”, tha Kurti

    Këto deklarime Kurti i bëri gjatë vizitës në fillimin e punimeve të projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale N9-Segmenti Kjevë-Dollc”.

  • Nënshkruhet marrëveshja 90 milionëshe me Bankën Botërore, MFPT jep detaje

    Nënshkruhet marrëveshja 90 milionëshe me Bankën Botërore, MFPT jep detaje

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.

    Kjo marrëveshje i sjell Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi.

    “Ky financim kap vlerën prej 90 milionë euro dhe mundësohet pasi që Kosova i ka përfunduar veprimet që kanë qenë të dakorduara me Bankën Botërore, siç janë forcimi i stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimi i një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimi i tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër. Vendimi i Bankës Botërore për të mbështetur Republikën e Kosovës vërteton përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur politikat zhvillimore si dhe për të vazhduar zbatimin e projekteve me interes për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • ​Punësimi dhe edukimi i personave me aftësi të kufizuara, Balje e pakënaqur me zbatimin e ligjit

    ​Punësimi dhe edukimi i personave me aftësi të kufizuara, Balje e pakënaqur me zbatimin e ligjit

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka deklaruar se nuk po zbatohet ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Përkundër legjislacionit, shton ajo, nuk janë zgjidhur problemet kryesore me të cilat ballafaqohen kjo kategori e personave. Edhe pse Kushtetuta parasheh përfshirjen në edukim, Balje pohon se jo të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara po vijojnë mësimin. Megjithatë, ajo për KosovaPress thotë se nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve që shkojnë në shkollë.

    Deputetja Duda Balje, e cila udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut pohon se personat me aftësi të kufizuara po jetojnë në kushte jo të mira.

    “Jemi ende duke luftuar për udhëzimin administrativ për vlerësim, shumë takime kemi pasur me Handikos-in edhe me persona të cilët janë përgjegjës për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Me secilin prej atyre me të cilët kemi folur, si çështje e parë është komisioni mjekësor i cili është duke bërë vlerësimin Paraplegjik dhe Tetraplegjik edhe të tjerët, edhe brenda këto edhe për përcjellësin. Kemi thirr edhe përfaqësuesin e qeverisë, Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën Ligjore të cilët e kanë obligim për të nxjerrë këtë rregullore. Kemi pasur premtim se do të ndodhë shumë shpejtë por në fakt ka kaluar shumë kohë dhe ne ende nuk kemi marrë informata a kanë përfunduar me këtë udhëzim administrativ apo jo”, deklaron Balje.

    Personat me aftësi të kufizuara, siç shton Balje, po përballen me vështirësi edhe në rrugë e institucione.

    “Nuk kemi gjetur zgjidhje për top tri problemet që personi me aftësi të kufizuar sot ka. Brenda këtij grupi, gratë janë edhe më të diskriminuara, sepse ato kanë edhe më shumë nevoja më specifike edhe këtu duhet të koncentrohet e gjithë energjia. Kemi ligjin që secili institucion është i obliguar në çdo të 50-tin punëtor të jetë i punësuar një person me aftësi të kufizuara. Jemi duke bërë monitorimin se a e kanë respektuar mjaftueshëm këtë vendim a jo. Nuk jemi të kënaqur. Në Kuvend po, kemi tamam persona me aftësi të kufizuara i cili meriton me qenë punëtor brenda Kuvendit. Këtë duhet ta bëjë secila ministri, secili institucion, secila adresë shtetërore për të ndihmuar, motivuar. Sepse vërtetë ata janë një prej kategorive më të ndjeshme në Kosovë”, shton ajo për KosovaPress.

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut thotë se “pikë e zezë” për vendin është edhe ndërprerja e shkollimit të personave me aftësi të kufizuara.

    “Është një pikë e zezë. Sepse secili prej neve në bazë të Kushtetutës kemi të drejtë për edukim falas dhe në fakt Kushtetuta është akti më i lartë juridik në një shtet. Duhet bashkëpunimi me komisionin me qenë më i madh. Se pavarësisht sa jemi duke e përcjellur ne nuk kemi informata prej terrenit si duhet. Edhe kemi arsyetim prej personave përgjegjës një lloj mbrojtje që pastaj ne në Kuvend nuk mundemi ta kundërshtojmë sepse nuk kemi informata në terren. Pa marrë parasysh sa jemi ne nëpër shkolla, ose të vizitojmë institucionet, nuk është mjaftueshëm”, thekson ajo.

    Deputetja Duda Balje shpreson se me përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës, do të përmirësohet jeta e këtyre të fundit.

    “Ne kemi monitoruar ligjin dhe në këtë pjesë dhe kemi punuar shumë për këtë udhëzimin administrativ bashkë me ta. Tash jemi duke pritur përgjigjen e komisionit. Konventa Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara ka kaluar në komision, kemi kaluar edhe në kuvend, kemi punuar shumë që të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës si Konventa e Stambollit. Por në mungesë të votave brenda sallës nuk kemi vota të mjaftueshme sepse duhet 2/3 të votave të komuniteteve. Këtu është arsyeja kryesore pse Konventa nuk mund të jetë pjesë e Kushtetutës. Nëse ne e kalojmë Konventën, krejt këto gjëra do të rregullohen shumë shpejt dhe do të jetë pjesë e Kushtetutës dhe asnjë institucion nuk kanë të drejtë për të devijuar diçka”, thotë ajo mes tjerash.

    Kosova e ka miratuar që nga viti 2009 ligjin e veçantë, ku obligohet çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.