ATV

Author: ATVLive

  • Biblioteka e Kolegjit AAB pasurohet me libra nga autorë japonezë

    Biblioteka e Kolegjit AAB pasurohet me libra nga autorë japonezë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në një ambient të improvizuar japonez, nga sot biblioteka e Kolegjit AAB u pasurua me një kënd të ri të librave.

    Me rreth 200 tituj nga autorë japonezë, librat erdhën nga fondacioni “Nippon” përmes ambasadës japoneze në Kosovë.

    Përmbajtja e librave që ndërlidhet kryesisht me historinë dhe kulturën japoneze, është e përkthyer në gjuhen angleze.

    I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe vetë ambasadori japonez në Kosovë, i cili falënderoi Kolegjin AAB për bashkëpunim dhe rektorin e kolegjit, Burim Olluri.

    “Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ndihmën që ua jepni aktiviteteve tona. Unë kam ardhur këtu në vitin 2021, mbaj mend në atë kohë filloi bashkëpunimi ynë. Ndonëse raportet tona bilaterale zhvillohen tash e 15 vjet. Më duhet të them se këto libra i ka dhuruar një fondacion privat”, tha ambasadori i Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.

    “Librat pa dyshim se do të ndihmojnë shumë studentët tanë, andaj jemi shumë mirënjohës për këtë kënd japonez. Natyrisht bashkëpunimi me ju është shumë i rëndësishëm për kolegjin tonë, andaj jam i bindur se do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha rektori i Kolegjit AAB, Burim Olluri.

    Prorektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin AAB, Venera Llunji, tha se studentët janë me fat që kanë mundësi të lexojnë libra nga këta autorë.

    “Për studentët e Kolegjit AAB kjo është një ditë e rëndësishme, pasi përmes tyre do të afrohen kulturat e dy vendeve që gjeografikisht janë larg njëra-tjetrës, por sa i përket efektit dhe marrëdhënieve që i kemi me shtetin e Japonisë mendojnë që është një kontribut që do t’ju japim gjeneratave, por edhe shoqërisë sonë”, tha Llunji.

    Për ambasadorin japonez në Kosovë dhe Drejtorin e Fondacionit “Nippon” Kolegji AAB ndau mirënjohje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zgjerim i rrugës, jo autostradë Prishtinë – Pejë

    Zgjerim i rrugës, jo autostradë Prishtinë – Pejë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me disa anëtarë nga kabineti i tij, dolën sot për të parë punimet në rregullimin e rrugës Prishtinë – Pejë, konkretisht segmentin Kijevë – Dollc.

    Kreu i Qeverisë tha se punimet do të zhvillohen për 10.9 km rrugë të ndara në tri llote, që buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë rreth 20 milionë euro.

    Ndërkaq, rregullimi i tërë rrugës që lidh Prishtinën me Pejën, gjegjësisht pjesën nga Kijeva deri në Zahaq kap vlerën e 90 milionë eurove. Andaj Kurti tha se ia kanë shpëtuar shtetit 150 milionë euro, meqë e njëjta rrugë me projektin e qeverisë Haradinaj do të kushtonte 240 milionë.

    Por, sipas ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, projekti i tyre ishte për autostradë, e jo për zgjerim të rrugës nacionale siç po bën kjo qeveri.

    Pakënaqësi në devijimin e rrugës pati edhe nga disa pronarë biznesesh përgjatë këtij segmenti, të cilët vizitën e kryeministrit e pritën me protestë.

    Ata, kryeministri tha se nuk i ka takuar, por zëvendësministri Durmishi tregoi se ua ka shpjeguar disa herë arsyet e devijimit të rrugës.

    Zgjerimi i rrugës nga Kijeva në Dollc, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda 9 muajve. Projekti për rrugën Kijevë – Zahaq ka filluar më 2019 dhe nuk ka datë se kur përfundon në tërësi.

    Procesi i shpronësimit dhe i tenderimit është përcjellë me parregullsi të shumta.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjykimet në mungesë, kthesë e re në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

    Gjykimet në mungesë, kthesë e re në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

    Përgatiti: Nora Luta

    Tetë aktakuza në mungesë për krime lufte janë ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Në nëntor filloi gjykimi i parë në mungesë ndaj Çedomir Aksiq, e gjatë këtij viti nisën edhe dy procese të tjera në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Nga Fondi për të Drejtën Humanitare në publikimin e raportit të monitorimit u theksua se fillimi i gjykimeve në mungesë shënon kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Teksa u tha se mungesa e bashkëpunimit me Serbinë ndikon në mosefikasitet në ngritjen e aktakuzave.

    Nga Prokuroria Speciale thanë se në bashkëpunim me Policinë në baza ditore janë të angazhuar që hetimet të jenë sa më cilësore. Por, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë thanë se për trajtimin e rasteve të gjykimeve në mungesë kërkohet kujdes i dyfishtë.

    Gjatë vitit 2023 Policia e Kosovës, Njësiti për Hetimin e Krimeve të Luftës ka ngritur 17 kallëzime penale, arrestoi dhjetë persona, dhe ka identifikuar 13 viktima të dhunës seksuale.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj Albert e Mentor Beqirit dhe të tjerëve

    Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj Albert e Mentor Beqirit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Për aktakuzën e ngritur në vitin 2015 nga EULEX-i, të premten ishte planifikuar të fillojë gjykimi ndaj Mentor, Albert e Arianit Beqirit, dhe Vesat Imerit. Ata akuzohen për shmangie nga tatimi, shpëlarje parash dhe krim të organizuar.

    Por, gjykimi për lëndën e cila u bart nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special për shqyrtim, dështoi të nisë në mungesë të Mentor Beqirit dhe Vesat Imerit.

    Beqiri nga dita e enjte ndodhet në paraburgim nën dyshime për përfshirje në rastin e gjuajtjes me armë zjarri mes dy veturave në lëvizje në Graçanicë.

    Për zhvillimin e shqyrtimit fillestar kushtet nuk u plotësuan edhe për shkak që dy të akuzuarit tjerë u paraqitën pa avokatë, e Vesat Imeri mungoi.

    Aktakuza e ngritur nga prokurorja e EULEX-it, Pascale Kael, po përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihu.

    Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2011 – 2012 Albert, Mentor dhe Arianit Beqiri, duke qenë pronarë të “Oil Kosova”, i janë shmangur tatimit mbi 15 mijë euro, duke paraqitur informata jo të vërteta në ATK.

    Ndërsa Vesat Imeri akuzohet për ndihmë në shmangie të tatimit.

    “Konvertuan, ose transferuan, ose tentuan të konvertojnë apo transferojnë pasurinë me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë; duke shmangur në këtë mënyrë pagesën e llojeve të ndryshme të taksave (Taksave të pagave, tatimi për të ardhurat personale dhe tatimi mbi vlerën e shtuar), në shumën e përgjithshme prej 1,690,541 Euro”, thuhet në Aktakuzë.

    Vepra për të cilën akuzohen është e dënueshme me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Debat i ashpër në komisionin për Integrime Evropiane, shkak ftesa e prokurorisë speciale për Hajdarin

    Debat i ashpër në komisionin për Integrime Evropiane, shkak ftesa e prokurorisë speciale për Hajdarin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ftesa nga Prokuroria Speciale për Ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari, nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare nxiti debat të ashpër gjatë raportimit të saj në Komisionin për Integrime Evropiane.

    Ishte pyetja e kryetares së Komisionit e cila kërkoi më shumë detaje rreth intervistimit të ministres, gjë që e revoltoi Hajdarin, e cila u tregua e rezervuar në përgjigje.

    Debati u ashpërua kur pjesë e tij u bënë edhe anëtarët e komisionit. Por, ishin bashkëpartiakët e ministres të cilët i dolën në përkrahje.

    Pati kërcënim edhe për ndalim të fjalës.

    Megjithatë, dorëheqja e ministres u kërkua.

    Gjatë këtij raportimi, ministrja tha se misioni i Ministrisë së Tregtisë është përmirësimi i mjedisit për të bërë biznes, përmirësimi i zhvillimit dhe konkurrueshmërisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kapitulli 35: Të hënën, BE-ja kushtëzon Serbinë me zbatimin e marrëveshjes bazë

    Kapitulli 35: Të hënën, BE-ja kushtëzon Serbinë me zbatimin e marrëveshjes bazë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit pritet të shtohet si kusht zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

    Burime zyrtare në Bruksel i konfirmuan ATV-së se të hënën, në takimin e Këshillit për Punë të Jashtme, në agjendë do të jetë aprovimi i amendamentimit të Kapitullit 35 të Serbisë me BE-në.

    Për një ndryshim të tillë, paraprakisht ka pasur dakordim në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe pritjet janë që të mos ketë probleme në finalizimin e ndryshimeve.

    Referuar tekstit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano përsëriti se kjo tashmë është e paevitueshme.

    “Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare të BE-së ishin shumë të qartë: përparimi në zbatimin e marrëveshjes tani është pashmangshëm i lidhur me përparimin në rrugën e anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Nëse ata nuk përmbushin zotimet, do të ketë pasoja shumë serioze”, tha Stano.

    Të premten, kryeministri Albin Kurti përsëriti se nuk mund të flitet për zbatim, pa pranimin zyrtar nga Serbia të marrëveshjes dhe shtojcës.

    Pasi përmendi se në Kapitullin 35 veçse ekzistojnë obligime për Serbinë në raport me Kosovën, profesori Dritëro Arifi theksoi se ndryshimet janë eksplicite dhe se mos-përmbushja e tyre mund të përcillet me pasoja.

    “Nuk ka shpëtim as për Serbinë as për Kosovën. Për Kosovën është e mirëseardhur kjo marrëveshje, për Serbinë do të jetë një punë shumë e vështirë. Por, besoj që ata nuk mund të lëvizin tutje, sepse po besoj që çdo veprim tutje kundër i Serbisë do të ishte edhe sanksionim i Serbisë dhe eventualisht ndërprerje e fondeve të BE-së”, tha Arifi.

    Këtë formë kushtëzimi politologu Fidan Ukaj e ndërlidhi me mungesën e nënshkrimit dhe përpjekjeve të Serbisë për sabotim të marrëveshjes.

    “Shpresat janë që do të kalojë diçka e tillë dhe rruga e Serbisë për në BE pashmangshëm se do të kalojë edhe përmes zbatimit të marrëveshjeve të dakorduar më herët. BE-ja si duket nuk ka gjetur një alternativë apo mundësi tjetër, dhe kemi pasur një destruktivitet të vazhdueshëm të Serbisë implementimit të marrëveshjeve”, tha Ukaj.

    Pika e tretë e asaj që njihet si aneksi i Ohrit, saktëson që zbatimi Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Shtojcës do të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sadik Duraku, i ndaluari nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

    Sadik Duraku, i ndaluari nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Nga Brightoni i Anglisë ku jetonte prej kohësh, Sadik Duraku kishte marrë rrugë për në fshatin e lindjes, Damjan të Gjakovës. Në kufirin Hungari – Serbi, Duraku u ndalua bashkë me qindra qytetarë të tjerë për një kontroll rutinore, e cila rezultoi me arrestimin e tij më 16 prill.

    Sipas familjarëve të kosovarit që ka edhe nënshtetësinë e Britanisë së Madhe, ai dyshohet për krime lufte.

    “E kanë arrestue. Kur jau kanë marrë dokumentat të gjithëve. Masi e kanë arrestu, ia kanë ngritë aktakuzën gjoja se ka ba krime lufte në Prizren, Suharekë e Gjakovë”, tha Avdyl Duraku, vëlla i Sadik Durakut.

    Gjatë të premtes, Avdyl Duraku, duke pritur vendimin për caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata serbe, deklaroi se akuzat ndaj vëllait të tij nuk qëndrojnë.

    Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës, Sadik Duraku nuk ishte i angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk gëzon statusin e veteranit.

    Arrestimi i qytetarëve nën dyshimet për krime lufte, sipas njohësve të sigurisë, nuk po bëhet pa qëllim.

    “Shteti serb po tenton ta nxisë sentimentin e luftës, që më pas familjarët të nxiten dhe të reagojnë ndaj komunitetit serb…”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Sadik Duraku nuk është i arrestuari i parë në vitin 2024 nga Serbia. Në fillim të janarit, nën dyshimet për krime lufte u arrestua edhe Hasan Dakaj ndaj të cilit është duke vazhduar gjykimi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shpërthime e vetura të djegura, policia e vlerëson situatën të qetë para 21 prillit

    Shpërthime e vetura të djegura, policia e vlerëson situatën të qetë para 21 prillit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Një shpërthim tjetër u dëgjua në veri të Kosovës edhe të premten.

    Sikurse një ditë më parë që cak i një granate dore ishte një shtëpi në Zveçan, një mjet shpërthyes u hodh edhe para derës hyrëse të një shtëpie në Mitrovicën e Veriut. Por, këto nuk ishin incidentet e vetme në katër komunat veriore që e shënuan javën.

    Një veture dyshohet se iu vu zjarri qëllimisht në Leposaviq. Megjithatë, siguria në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve ose jo, është në nivel të kënaqshëm, vlerësoi Policia.

    VOX: Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut
    “Këto ngjarje nuk kanë të bëjnë aspak me procesin e votimit që është planifikuar të mbahet të dielën. Ne konsiderojmë që situata është e qetë, por delikate duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet, sidomos që 1 vit e këndej. Sidoqoftë për çfarëdo situate ne jemi të përgatitur”, tha zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut, Veton Elshani.

    Situatë e qetë në katër komunat veriore po vlerësohet edhe nga njohës të sigurisë.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se kryetarëve shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos rrugës demokratike.

    “Njëzet e një prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie, moshe e gjinie që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ua ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata që mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo mendojnë se ka njerëz më të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyra. Por, gjithçka duhet me proces demokratik ligjor, e jo me bandat e dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Ashtu, nuk mund të hysh në zyra”, tha Kurti.

    Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote, teksa Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve që t’i bojkotojnë edhe votimet e 21 prillit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vrasja e intelektualëve të Mitrovicës në 1999, Kurti: Serbia ende ua mohon të vërtetën familjeve të tyre

    Vrasja e intelektualëve të Mitrovicës në 1999, Kurti: Serbia ende ua mohon të vërtetën familjeve të tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të Mitrovicës, 25 vjet më parë.

    Ndër të tjera Kurti thotë se Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, njofton.

    I pari i qeverisë shprehet se nuk do të harrohen asnjëherë sakrifica e madhe për lirinë e Kosovës.

    “Grupi i intelektualëve të Mitrovicës për herë të fundit u pa më 19 prill 1999 në Dreth të Zubin Potokut. Derisa po largoheshin për në Mal të Zi, nga forcat e ushtrisë jugosllave u ndaluan: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu. Pas vrasjes, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimit, iu zhdukën trupat”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    “Bashkë me mohimin e krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”.

    “Në përvjetorin e zhdukjes, përkujtojmë grupin me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare e të të drejtave të njeriut nga Mitrovica”.

    “Nuk harrojmë asnjëherë sakrificën e madhe për lirinë e Kosovës”.

  • Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, Vehbi Bajrami lobon për Kosovën në Kongresin Amerikan

    Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, Vehbi Bajrami lobon për Kosovën në Kongresin Amerikan

    Nga Ruben Avxhiu

    Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami vazhdon lobimin për Kosovën në Kongresin Amerikan.

    Pas disa takimeve në New York, në këto muajt e fundit, dje ka udhëtuar në kryeqytetin amerikan Washington, për një sërë takimesh me kongresistë në zyrat e tyre.

    Botuesi Bajrami u prit nga Jim Himes, kongresist nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan; Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura; Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare; si dhe me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve, e cila nuk ndodhej atë ditë në Washington.

    Në këto takime botuesi i gazetës “Illyria” informoi kongresistët dhe këshilltarët e tyre të afërt për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kërkoi një angazhim më të madh të Kongresit Amerikan në ndihmë të Kosovës. Ndonëse një nga kongresistët e siguroi se Serbia nuk gëzon mbështetje në Kongres, botuesi Bajrami përsëriti se lënia në harresë e Kosovës dhe Ballkanit mund të ketë pasoja të rënda.

    Nga kongresisti Seth Moulton, i Komitetit që mbulon forcat e armatosura amerikane, ai kërkoi në veçanti ndihmë për forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Një Kosovë më kapacitete të mëdha mbrojtëse është garanci edhe për interesat amerikane në rajon.

    “Mënyra më e mirë do të ishte forcimi i shpejtë i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha Bajrami. “Kjo ndalon njëherë e përgjithmonë ambicjet territoriale të Serbisë”.

    Me kongresistët e tjerë ai foli gjerësisht për situatën në Kosovë dhe rolin destruktiv të Serbisë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Mal të Zi.

    “Serbia e ka zemrën në Moskë. Ajo do vetëm fondet e BE-së. As politika e as shumica e popullit nuk duan të jenë pjesë e bashkësisë europiane. Janë të kota përpjekjet e BE-së e të Amerikës që duke e toleruar e përkëdhelur Serbinë shpresojnë se do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, tha botuesi shqiptaro-amerikan.

    Kongresisti Seth Moulton premtoi se do të bëhej së shpejti anëtar i Kaukusit Shqiptar në Kongres. Të dy, bashkë me kongresistin Jim Himes premtuan se do të bëjnë një vizitë në Kosovë, për të mësuar për situatën dhe nevojat e saj.

    Vehbi Bajrami (djathtas), me kongresistin Jim Himes, nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan.
    Pas takimit me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve.

     

    Vehbi Bajrami dhe Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare

     

    Gjatë takimit me Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura.