ATV

Author: ATVLive

  • O’Brien zbarkon në Beograd, nesër mban takim me Vuçiqin

    O’Brien zbarkon në Beograd, nesër mban takim me Vuçiqin

    Ndihmëssekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien, nesër do qëndrojë në Beograd.

    Ai madje raportohet se me fillim nga ora 9.00, do mbajë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Pas takimit, sipas raportimeve është planifikuar deklarim për media.

  • Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në tre muajt e parë të këtij viti

    Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në tre muajt e parë të këtij viti

    Kompania Terra ka publikuar statistikat e performancës në media sociale për 20 profilet e politikanëve kosovarë që e kanë përformancën më të lartë në rrjetet sociale.

    Profilet e politikanëve kosovarë janë vlerësuar në bazë të metrikave të ndryshme në Facebook, duke përfshirë numrin total të fansave/ndjekësve, numrin e postimeve, feedback-un mesatar për postim, dhe trendet në angazhimin e përdoruesve.

    Prezenca në Facebook:

    Albin Kurti udhëheq me numrin më të lartë të reagimit te fansave në Facebook, që sugjeron një prezencë të fortë dhe potencial për një arritje të gjerë në platformë. Vjosa Osmani ndjek pas, me një bazë të madhe të fansave, që tregon një popullaritet dhe ndikim të lartë. Ramush Haradinaj është politikani i tretë me numrin më të lartë të reagimeve në Facebook, pasuar nga Mefail Bajqinofci, i cili zë pozitën e katërt si politikani me më së shumti reagime të fansave në Facebook, ndërsa politikani i pestë me aktivitetin më të madh në facebook është deputeti i PDK-së, Elmi Reçia. /atvlive.tv

  • Arifi: Nuk ka ndonjë dokument që e detyron Kosovën ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese

    Arifi: Nuk ka ndonjë dokument që e detyron Kosovën ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese

    Profesori universitar, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë dokument që detyron Kosovën që të dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Kjo pas raportimit në media se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet, nëse Asociacioni nuk dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

    Megjithatë sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë por që është vendim politik i vendeve anëtare.

    “Për momentin nuk është ndonjë procedurë e saktë apo ndonjë dokument që ka potencuar se Kosova duhet gjithsesi ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese. Mendoj që mund të ndodh një gjë e tillë, por ende nuk mund të dihet, është një vendim politik i vendeve anëtare dhe është kusht politik, nuk ka lidhje me çështjet procedurale dhe ligjorë të cilat Kosova i ka plotësuar”, ka thënë ai.

    Arifi ka thënë se dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese dhe implementimi i tij është edhe zotimi publik që është dhënë nga krerët e shtetit.

    “Mbetet të shihet së si do shkojë e gjithë procedura edhe pse ka një zotim publik nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja që do ta marrin në konsideratë dhe do ta zbatojnë realisht çështjen e Asociacionit e që do t’i kontribuojë pra mirëqenies së komunitetit serb në Kosovë. Kjo mbetet të shihet por gjithsesi kjo është një kusht që do të plotësohet dhe është çështje kohësh a do të shkojë në maj apo më herët apo më vonë kjo është vështirë ta parashohim por që është obligim ndërkombëtarë”, tha Arifi për EO.

    Arifi shtoi se me formimin e Asociacioni “nuk është fundi i botës” për Kosovën dhe se vendi nuk do të ndahet sepse Gjykata Kushtetuese mund të rregullojë disa nene konform ligjeve dhe Kushtetutës aktuale.

    “Politika është gjithmonë fleksibile, gjithmonë do ketë kushte tjera por jo në kontekstin që ne po mendojmë që mund t’i bëjmë dikujt ndonjë favor ato kushtet janë gjithmonë për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se nuk është humbje e madhe që po portretizohet në mediumet kosovare apo te Qeveria e Kosovës së nëse bëhet Asociacioni do përfundojë gjithçka dhe do ndahet Kosova. Nuk ndodh ashtu sepse Gjykata Kushtetuese krejt çka mund të bëjë është t’i rregullojë disa nene konform ligjeve dhe Kushtetutës aktuale dhe mendoj se kjo do të ndodhë sepse Gjykata Kushtetuese do ta refuzojë një marrëveshje ndërkombëtare sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka pranuar dhe është zotuar ndërkombëtarisht”.

    “Krejt çka mund të bëjë Gjykata Kushtetuese është që ta rregullojë dhe adaptojë me ligjet aktuale, por mendoj që Qeveria e Kosovës e ka një përgjegjësi të madhe tash këto dy muaj të ardhshëm apo një muaj e gjysmë sa kanë mbetur që të vendos se si do procedojë tutje me këtë çështje por unë e kisha inkurajuar që mos të frikësohet nga veprimet apo zotimet e veta sepse ato në fund të ditës nuk duhet parë nga këndvështrimi partiak por këndvështrimi nacional”, tha Arifi për EO.

  • ​Dhuna në familje, IPK rekomandon suspendimin e kapitenit policor në Mitrovicë

    ​Dhuna në familje, IPK rekomandon suspendimin e kapitenit policor në Mitrovicë

    Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni police, respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

    Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

    Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore.

    IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe mbrojtësin e viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për urdhër mbrojtës në gjykatën kompetente.

    Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.

    Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

  • Lajçaku thotë se anëtarësimi në BE, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve siç ka Kosova dhe Serbia

    Lajçaku thotë se anëtarësimi në BE, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve siç ka Kosova dhe Serbia

    Ndërmjetësuesi i BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë sot se perspektiva e qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e çështjeve të hapura siç janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne duhet të kapërcejmë frikën e zgjerimit. Ne kemi futur rregulla në BE dhe po e vështirësojmë fillimin e procesit. Por duhet të gjejmë një ekuilibër midis nevojës gjeopolitike dhe përparimit të merituar. Procesi duhet të jetë i besueshëm dhe transparent, i cili nuk ishte rast më parë”, tha Lajçak.

    Ai këto komente i dha nga Sllovenia, si pjesëmarrës i konferencës ”Ballkani Perëndimor në BE”.

    Lajçak theksoi se të gjithë janë në një epokë të vështirë në të cilën mungojnë rregullat globale dhe arkitektura globale pas Luftës së Dytë Botërore nuk funksionon më.

    Siç tha ai, mungesa e autoritetit global, i cili mund të ndalojë proceset negative, inkurajon “disa lojtarë” që t’i zgjidhin gjërat në mënyrë të njëanshme, duke mos respektuar rregullat.

    “Kjo është një situatë e re për të gjithë ne. Agresioni rus kundër Ukrainës është situata më e dukshme dhe më tragjike”, tha Lajçak.

    Ai vuri në dukje se nuk ka asnjë përpjekje për të përcaktuar rregulla të reja që do të ishin në përputhje me shekullin 21.

    ”Të gjithë ankohen, por nuk ka asnjë iniciativë reale për këtë”, shtoi Lajçak.

    Sipas Lajçakut, zgjerimi tani shihet si një nevojë gjeopolitike që BE të jetë më e fortë dhe më elastike.

  • Gjykata refuzon t’ia caktojë masën e paraburgimit Akil Gjakovës, i ndalohet t’i afrohet gruas së tij prej 50 metrash

    Gjykata refuzon t’ia caktojë masën e paraburgimit Akil Gjakovës, i ndalohet t’i afrohet gruas së tij prej 50 metrash

    Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Akil Gjakova që dyshohet për vepër penale.

    Atij i është ndaluar t’i afrohet gruas së tij në një distancë prej 50 metrash apo vendit ku ajo banon.

    “Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktojë masën e paraburgimit. Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

    Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • ​Haradinaj Qeverisë: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet herë-do-kur

    ​Haradinaj Qeverisë: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet herë-do-kur

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të qeverisë lidhur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

    Ai ka thënë se investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese është çmim shumë i lartë dhe mbi vlerën e tregut.

    “Me projektin e autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi”, ka thënë Haradinaj.

    Reagimi i plotë:

    Deklaratat bombastike të Qeverisë sikur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, qeveria po ia kursen buxhetit të Kosovës 150 milionë euro, janë rrenë e kulluar elektorale.

    Me projektin e autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi. Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herë-do-kur!

  • Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, kritikohet Kurti për përçarje të shqiptarëve

    Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, kritikohet Kurti për përçarje të shqiptarëve

    Më 24 prill do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Arben Taravari, nga koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare pritet ta kenë të vështirë të arrijnë në raundin e dytë të votimit, që do të mbahen më 8 maj. Sipas analistëve politikë në Maqedoninë e Veriut, gjasat më të mëdha i kanë presidenti aktual, Stevo Pendarovski dhe kandidatja opozitare nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova. Në anën tjetër, të njëjtin kritikojnë partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për përfshirjen në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

    Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Sefer Selimi, thotë për KosovaPress se nuk ka pritshmëri për dalje të madhe të votuesve në zgjedhjet e 24 prillit, mirëpo thekson se do të jetë një tregues i qartë se cili kamp shqiptar do të peshojë më shumë në zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

    “Gjasat për të kaluar në një raund të dytë janë shumë të vogla. Në teori ekzistojnë, por në praktikë për shkak të numrave është po thuajse e pamundur që ndonjëri prej kandidatëve të kalojë në raundin e dytë. Megjithatë, këta dy kandidatë janë kryesorët e kampeve të tyre politike, kësaj radhe ato përdorën për të mobilizuar votuesin që do të pasojë më 8 maj… Sipas të gjitha gjasave në raundin e dytë do të kalojë presidenti aktual, Stevo Pedarovski dhe Davkova e kandiduar nga kampi opozitar maqedonas. Kjo garë po ripërsëritet nga viti 2019 dhe duket që partitë politike nuk mund të gjejnë kandidatë më të përshtatshëm”, tha ai.

    Skeptik për rezultate pozitive të partive shqiptare në zgjedhjet presidenciale është edhe analisti tjetër në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri.

    Ai thotë se gjasat janë të vogla që dy kandidatët shqiptarë për president të arrijnë raundin e dytë të votimit, por shton se Bujar Osmani mund të arrijë një rezultat që t’i afrohet kandidatit të dytë në këto zgjedhje.

    “Gjasat janë të vogla, por përderisa garojnë asgjë nuk është e përjashtuar. Të mërkurën do të nisë çdo gjë nga zero dhe deri atëherë nuk dihet sesi do të votojnë dhe kush sa vota do të marrë. Megjithatë ka shumë pak gjasa, mendoj se koalicioni që është krijuar nga ana e BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët që grumbullon edhe disa parti të vogla ka gjasa që të arrijë një rezultat më të kënaqshëm që do t’i afrohej kandidatit të dytë që do të del në këto zgjedhje. Mirëpo, mbetet të shihet sesa ky rezultat do t’i mundësojë kandidatit shqiptar që të rezultojë i dyti dhe me këtë të shkojë në raundin e dytë”, deklaron Neziri.

    Duke folur për përfshirjen direkte të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhje, analisti Sefer Selimi, thotë se ky implikim mund të ketë ndikim në raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe vetë marrëdhëniet ndër-shqiptare në rajon.

    Sipas tij partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut po dëshirojnë të përdorin figurën e Kurtit për vota.

    “Kampi politik opozitar (shqiptar) mundohet me çdo kusht dhe çdo formë të përdorë autoritetin e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Mundësohet që në mungesë të potencialit të liderëve brenda në front të fshihen pas figurës së Kurtit. Megjithatë, nuk pres që përfshirja direkt e LVV do të ndikojë në rezultat zgjedhor, sa do të ketë implikime në të ardhmen jo vetëm ndërmjet të dy shteteve tona Kosovë-Maqedoni e Veriut, sa për marrëdhëniet ndër-shqiptarë në rajon. Po thyhet një praktikë dhe një standard parimor që është mbajtur gjithë këto vite”, tha Selimi.

    Mendim të njëjtë shpreh edhe analisti Xhelal Neziri.

    “E gjithë kjo përfshirje mendoj se do të paraqes problem më shumë për shtetin e Kosovës sesa për faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut, qofshin shqiptarë apo maqedonas. Ka një shqetësim te bashkësia ndërkombëtare në Shkup për shkak se ata frikësohet të mos krijohet një precedent i rrezikshëm i zyrtarëve të shteteve të tjera jashtë kufijve të tyre. Mund të ndodhë që ky precedent të përdorët dhe keqpërdorët edhe nga ana e Vuçiq që të ndikojë më haptas në zgjedhjet në Bosnje, Mali të Zi, Kosovë dhe pse jo Maqedoninë e Veriut”, tha Neziri.

    Në bazë të ligjit, në raundin e parë, president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milionë zgjedhës.

    Në raundin e dytë, kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa zgjidhet ai që arrin të sigurojë mbi gjysmën e votave të atyre që kanë dalë në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë 40 për qind e trupit votues.

  • ​Konjufca nderon viktimat në Hallaq të Vogël: Krimet e Serbisë nuk do të harrohen

    ​Konjufca nderon viktimat në Hallaq të Vogël: Krimet e Serbisë nuk do të harrohen

    Në përkujtim dhe nderim të shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe gjatë prillit 1999, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në dy fshatra të Komunës së Lipjanit, Hallaq i Vogël dhe Rufc i Ri.

    Pas homazheve pranë lapidarëve me emrat e skalitur të të rënëve, Konjfuca bashkëbisedoi me familjarë të heronjve e martirëve dhe banorë të tjerë të fshatrave.

    Duke vlerësuar lart sakrificën e të rënëve, kryetari i Kuvendit theksoi se krimet e Serbisë nuk do të harrohen asnjëherë dhe se Kosova kurrë nuk do të resht së kërkuari drejtësi.

    Konjufca tha se të rënët do të kujtohen me krenari brez pas brezi, duke mbetur lapidarë të përjetshëm në memorien e popullit shqiptar.

  • ​Borrell kërkon ndalimin e luftës në Gaza

    ​Borrell kërkon ndalimin e luftës në Gaza

    Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka marrë sot në pjesë në takimin me ministrat e G7 në Capri.

    Ai ka thënë se nga ky takim edhe një herë është bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Lindjes së Mesme.

    Kryediplomati evropian po ashtu kërkoi që të ndalen luftimet në Gaza, në mënyrë që të mos vijë deri te përhapja e luftës në rajon.

    “Ne përfunduam G7 mes raporteve për sulme në Lindjen e Mesme. G7 u bën thirrje edhe një herë të gjithë aktorëve të tregojnë përmbajtje maksimale. Ne duhet të ndalojmë luftën në Gaza dhe të shmangim zgjerimin e saj në pjesën tjetër të rajonit,”, ka shkruar Borrell në X.