ATV

Author: ATVLive

  • Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në Viti, sekuestrohen rreth 300 kg duhan të grirë refuz dhe 500 pako cigare

    Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në Viti, sekuestrohen rreth 300 kg duhan të grirë refuz dhe 500 pako cigare

    Njësia e TASK-FORC-ës Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës), vazhdon aktivitetet për parandalim dhe luftimin e kontrabandës dhe realizimin e detyrave në teren në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Më datë 24.04.2024, në rajonin e Vitisë, nga njësitë e lartpërmendura është ndaluar automjeti me targa vendore, drejtuar nga i dyshuari S.Z., i moshës 47 vjeçar nga Vitisë.

    Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar 50 shtega (500 pako) cigare të gatshme për treg të llojit FAST dhe rreth 300 kg duhan të grirë refuz, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore në fshatin Lubishtë të Vitisë.

    Gjatë kontrollit, në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe 200 kg duhan me paketim Marlboro i përpunuar.

    Gjithsej janë sekuestruar 500 kg duhan me vlerë mbi 6.000 € ndërsa shmangiet doganore janë mbi 20.000€.

    Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.

  • Suspendohet kapiteni policor Riza Murati, dyshohet se ushtroi dhunë në familje

    Suspendohet kapiteni policor Riza Murati, dyshohet se ushtroi dhunë në familje

    Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, Riza Murati është suspenduar nga puna pas dyshimeve për “Dhunë në familje”.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për teve1.info, ku thuhet se PK ka vendosur ta suspendojë nga puna kapitenin policor pas rekomandimit që ka marr nga Inspektorati Policor i Kosovës me 19 prill.

    “Kur një i punësuar në PK, dyshohet të ketë kryer vepër penale, rasti trajtohet nga një institucion jashtë PK-së. Pastaj çdo gjë që lidhet me një rast konkret që trajtohet nga IPK edhe njoftimet lidhur me rastin lëshohen nga IPK. Po ashtu, është procedurë që nuk ndryshon, që çdo rekomandim i IPK, zbatohet nga PK-ja, njëjtë është vepruar edhe për rastin për te cilin interesoheni”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

  • Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

    Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

    Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani.

    Në një postim në “X” Tuppurainen ka shkruar se Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës.

    Ajo më tej ka theksuar se nuk duhet të ketë parakushte shtesë për anëtarësim.

    “Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në një shoqëri multietnike dhe bashkëpunim të bazuar në rregulla.

    Nuk duhet të ketë parakushte shtesë! Është koha për të vepruar. Takimi i shkëlqyer me presidenten Vjosa Osmani”, ka shkruar Tuppurainen.

  • Distria Krasniqi magjike, arrin në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian

    Distria Krasniqi magjike, arrin në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian

    Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

    Krasniqi në kategorinë deri në 52 kilogramë e eliminoi në çerekfinale kroaten Ana Viktorija Puljiz.

    Kampionia olimpike në gjysmëfinale takohet me spanjollen Ariane Toro Soler.

  • ​PSD me aksion para Qeverisë, përuron “çeshmen e milionerëve”

    ​PSD me aksion para Qeverisë, përuron “çeshmen e milionerëve”

    Partia Socialdemokrate përmes një aksioni në oborrin e qeverisë, ka vendosur një “çeshme të mbushur me para”, me mbishkrim “ Për nder të Lirbun Aliut, i cili na e lëshoi çeshmën”.

    Zgjim Hyseni nga PSD-ja, tha se këtë çeshme, e kanë sjellur këtu kompanitë që përfituan miliona nga ministri Aliu si shenjë nderimi për të.

    “Kjo që po e shihni këtu nuk është kroi i fshatit tonë i bukur e ku kanë qasje të gjithë, kjo këtu është çeshmja e milionereve sepse kroi, çeshmja po rrjedh veç për ta, sepse në Kosovë atyre që e shesin ujin iu falet. Janë mbi 15 milion euro që janë falë e procesi nuk është zbardh në tërësi, e ato ju kanë falë kompanive milionëshe, këto kompani për nder të Lirbun Aliut që iu ka lëshuar çeshmën e kanë sjell si e donë zakoni në shenjë dhe nderim për të, këtë çeshme që po rrjedh. Janë 15 milion euro të falura e procesi nuk është zbardh në tërësi. I kisha lut edhe një herë organet e rendit sepse këtu ka potencialisht shkelje serioze ligjore përveç që po bëhet e qartë për kënd po punon pushteti i Vetëvendosjes”, tha Hyseni

    Tutje Hyseni ka adresuar pyetje se në mullirin e kujt po e dërgon ujin pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Në Kosovë për 20 euro KEDS-i të shkyç nga energjia elektrike, për gjithçka shkon tek përmbaruesi. Mirëpo sa më i madh që je edhe borxhet janë gjasat më të mëdha për me tu fal. Pyetja që duhet të shtrohet që është pyetje politike është se në mulli të kujt po qon ujë pushteti i Vetëvendosjes. Siç ka qenë edhe e ditur ky pushtet që nuk ka sjell asnjë ndryshim as sa i përket mënyrës se si shpërndahet pasuria, as nuk ka bërë tatim progresiv, as nuk ka bërë taksë dividend ka qenë qeshje kohe kur fillon me punu për të mëdhenjtë. Veç një dallim ekziston se për të mëdhenjtë kanë punuar edhe ata më herët këta punojnë për të mëdhatë për mundësisht këto kompanitë e mëdha me mujt me qenë të tyre dhe me i kontrollua, ky është i vetmi dallim midis këtij pushteti dhe pushteteve të mëhershme. Pushteti i Liburn Aliut dhe pushteti që udhëhiqet prej Albin Kurtit nuk punojnë ndryshe thjesht janë në funksion të kapitalit të madh, mundësisht këtë kapital me pas sa ma shumë në kontroll”, përfundoi Hyseni.

  • SHBA i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash

    SHBA i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi të mërkurën vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.

    Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji, sipas DASH-it.

    Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, tha për gazetarët se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit amerikan, Joe Biden.

    Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se ato raketa ishin përdorur javën e kaluar për ta bombarduar një fushë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, si dhe forcat ruse në një pjesë tjetër të uzurpuar të vendit gjatë natës.

    ATACMS mund ta godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën më mars, jo pjesë e paketës që Kongresi e aprovoi dhe presidenti Biden e nënshkroi më 24 prill.

    “Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, në mënyrë që ta ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e tyre”, tha Patel.

    Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se “një numër i madh” i raketave i është dërguar Ukrainës, duke shtuar se “ne do t’iu dërgojmë më shumë”.

    Ai theksoi se Ukraina është zotuar se do t’i përdorë këto armë vetëm brenda Ukrainës, dhe jo në Rusi.

    Administrata e Bidenit kishte ngurruar t’i dërgonte Ukrainës armë të tilla në të kaluarën, për shkak se shqetësohej se ato mund ta nxisnin përshkallëzimin e konfliktit.

    Ukraina po furnizohet me këto armë në një kohë vendimtare, pasi Rusia po vazhdon të çajë përpara në fushëbetejë në rajonin lindor, Donjeck.

    Rusia mund të fitojë më shumë territor kundër forcave ukrainase në ditët në vijim, paralajmëroi Sullivan.

    Raportohet se SHBA-ja e ndryshoi qëndrimin rreth raketave me rreze të gjata veprimi pasi Rusia përdori raketa balistike me rreze të gjata veprimi, të siguruara nga Koreja e Veriut, për ta goditur Ukrainën në dhjetor dhe në janar. Faktori ishin edhe sulmet e vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës.

    Ndërkohë, Biden e nënshkroi dje paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo u miratua nga Kongresi amerikan pas shumë vonesave.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh.

    Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

  • Ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së

    Ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së

    Në moshën 64 vjeçare ndërroi jetë punëtori shumëvjeçar i RTK-së, Bardhyl Bekteshi.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit të cilët kanë treguar se varrimi i tij do të bëhet të premten në Podujevë.

    Bekteshi ishte punëtor shumëvjeçar edhe në ish-RTP.

  • Zveçan: Policia i gjen armë në shtëpi, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Zveçan: Policia i gjen armë në shtëpi, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Policia e Kosovës njofton se të mërkurën gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari në Zveçan, janë gjetur dhe konfiskuar pesë armë zjarri (një pushkë gjuetie, dy pushkë Karabinë, dy pistoleta dhe një sasi municioni të kalibrave të ndryshëm).

    Siç njoftojnë organet e rendit, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Kurti takim pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete, studiues e deputetë të Bundestagut gjerman

    Kurti takim pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete, studiues e deputetë të Bundestagut gjerman

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, pati sot një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer.

    Duke rikujtuar historikun e viteve të ‘90-ta dhe rrugëtimin e shumë shteteve drejt integrimit euro-atlantik dhe zgjerimin e BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës, në fjalën e tij, kryeministri Kurti nënvizoi qëllimin tonë për anëtarësim në këto organizata dhe rëndësinë historike e momentumin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe shtetet demokratike evropiane.

    “Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kryeministri Kurti.

    Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

    Kryeministri Kurti u shpreh se pranimi i Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës në 75-vjetorin e saj këtë vit është një përparim historik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, për rajonin dhe për të gjithë Këshillin e Evropës, ku të gjithë qytetarët do të përfitojnë e veçanërisht dhe minoritetet në vendin tonë.

    Në përfundim, kryeministri e falënderoi Fondacionin Bertelsmann për mikpritjen, kontributin dhe interesimin e tyre, duke veçuar politikanët që tashmë na mbështesin kaq shumë në Gjermani dhe Evropë.

  • Çitaku: Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të

    Çitaku: Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku ka kujtuar heroin e kombit, Fadil Vata.

    Çitaku ka vendosur buqetë me lule pranë varrit të heroit duke thënë se Fadil Vata kishte guxim ta ëndërrojë lirinë dhe forcë të mendjes që të punojë deri në vetëmohim.

    “Në nderim të heroit Fadil Vata, i cili pati guxim ta ëndërroj lirinë dhe e pati forcën e mendjes që të punojë deri në vetëmohim për të. Lavdi!”, ka shkruar Çitaku.