ATV

Author: ATVLive

  • Hoti për Qeverinë Kurti: Pikë e pesë i ka bërë shqiptarët në rajon

    Hoti për Qeverinë Kurti: Pikë e pesë i ka bërë shqiptarët në rajon

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria Kurti, gjatë këtij mandati i kanë bërë ‘pikë e pesë’ shqiptarët në rajon.

    “Njohje s’ka, partnerit për Paqe s’ka, anëtarësime të reja nuk ka, zhvillim ekonomik nuk ka, reforma në drejtësi nuk ka, investime kapitale nuk ka, integrime brenda shqiptare nuk ka. Përkundrazi, pikë e pestë shqiptarët në Luginë e Preshevës, pikë e pestë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk komunikojmë me Qeverinë e Shqipërisë. Kjo është situata që kanë kriju këta njerëz gjatë këtij mandati”, tha Hoti. /atvlive.tv

  • Hoti i ashpër me Vjosa Osmanin: Si juriste, ka çu përpara Ligje që shkelin Kushtetutën

    Hoti i ashpër me Vjosa Osmanin: Si juriste, ka çu përpara Ligje që shkelin Kushtetutën

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se presidenca është shndërruar në zyrë ku noterizohen Ligjet e miratuara në Kuvend.

    Sipas tij, presidentja e Kosovës ka çuar përpara Ligje të cilat shkelin Kushtetutën.

    “Qysh ka mundësi që presidentja, si juriste që mban veten, e ka çu përpara Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Nuk i ka pa ajo shkelje kushtetuese që janë aty, ose në byronë për konfiskim të pasurisë, ose ligjin për çmimet në tavanin plotë ligje tjera. Jam i bindur se i ka parë, port është kthyer sot Zyra e Presidencës së vendit, në zyrë ku noterizohen Ligjet e miratuara në Kuvend, vetëm autorizohen, nuk kalojnë nëpër atë shoshën të presidentit përpara që të nënshkruhen, vetëm noterizohen. Prandaj po them, ka humb kuptimi i funksionimit kushtetues, të pavarur, demokratik, të institucioneve në vend”, tha Hoti.

    Ai tha se Qeveria janë mbyllë në zyrat e tyre dhe miratojnë udhëzime, rregullore të ndryshme administrative, që shkelin në fundament ligjet.

    “Kur e ke pa më së voni Kryeministrin duke u ballafaqu me deputetë në Kuvend, duke iu përgjigjur interesimeve të deputetëve ose duke u ulë në studion tënde përpara gazetarëve të tjerë, kur e ke parë shoqërinë civile që ulen me zyrtarë të Qeverisë ose kryeministrin ose që involvohen aktivisht në dhënien e komenteve dhe ato komente të merren parasysh në draft ligjet që shqyrtohen të cilat janë në konsultim publik, kur e ke pa? Asnjëherë nuk i sheh ma. Janë mbyllur nëpër zyrat e tyre. Miratojnë udhëzime, rregullore të ndryshme administrative, që shkelin në fundament ligjet. Edhe ne, normalisht që ne detyrohem t’i çojmë në Gjykatë Kushtetuese, t’i ngrisim me komisionet hetimore, sepse kur ngriten në parlament komisionet hetimore? Atëherë kur procedurat e tjera parlamentare nuk të funksionojnë”, tha Hoti. /atvlive,tv

  • Hoti thotë se sistemi i arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale

    Hoti thotë se sistemi i arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se arsimit në Kosovë ka probleme fundamentale.

    Mirëpo, sipas tij, ne arsim si dhe në sektorët e tjerë, nuk është gjithçka zi.

    “Sistemi i arsimit ka probleme, ka sfida, duhet të avancohet, por nga sistemi i arsimit në Kosovë, përfshirë edhe studentët që unë iu mbaj mësim, regjistrohen në studimet master dhe doktoraturë në universitetet më të mira të botës”, tha Hoti. /atvlive.tv

  • Sylejman Selimi e Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Sylejman Selimi e Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi e Jahir Demaku, po largohen bashkë nga Pallati i Drejtësisë, të enjten, pak minuta pasi dëgjuan verdiktin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, rreth akuzave për krime lufte.

    Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, kjo gjykatë Selimin e Demakun i liroi nga pika e vetme e aktakuzës që u kthye në rigjykim nga Supremja në 2018-n.

    Ata akuzoheshin se në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, gjatë vitit 1998, kishin cenuar shëndetin e një civili nga lagja Shipol e Mitrovicës, i ndaluar në Likoc.

    Gjykata deri te ky vendim, të cilin theksoi se e mbështeti në standardet vendore dhe ndërkombëtare, tha se erdhi pas analizimit të deklaratave të dëshmitarit A, e cila ishte e vetmja provë në të cilën bazohej akuza ndaj Selimit e Demakut.

    Sipas gjykatës, dëshmia e një dëshmitari si e vetme ka qenë e mangët në këtë rast.

    Vendimin e ka cilësuar të drejtë mbrojtja e Selimit.

    Nga akuzat për krime lufte Selimin e Demakun, i kishte liruar edhe gjykata e shkallës së parë në kohën e EULEX-it, por Apeli e kishte ndryshuar vendimin duke i shpallur fajtorë.

    Procesi ndaj Selimit e Demakut nisi pas gjashtë vjetësh, në fillim të këtij muaji, kur lënda u bart në Departamentin Special, nga Gjykata e Mitrovicës.

    Selimi kishte vuajtur tetë vjet burgim, ndërsa Demaku shtatë, pasi ishin shpallur fajtorë në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

  • Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për gjithë rajonin e Prishtinës, që përfshin pesë komuna, gratë që përjetojnë dhunë në familje, kanë vetëm një strehimore.

    Ajo gjendet në kryeqytet, por nuk i plotëson kushtet për të gjitha gratë dhe fëmijët që strehohen në të, pasi ka kapacitet vetëm për 12 persona.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Blerim Shabani, thotë se investimet në këtë sektor janë të domosdoshme.

    Qeveria i ka subvencionuar me 300 mijë euro organizatat joqeveritare që i menaxhojnë strehimoret, në kuadër të 1.5 milionëve për të gjitha qendrat që përkujdesen për kategori të ndryshme në nevojë.

    Shabani thotë se ndihma qeveritare është më se e nevojshme që gratë të cilat përjetojnë dhunë, të ndihen të sigurta.

    Njëri prej qyteteve që prin me raste të dhunës në familje, Fushë-Kosova, po konsiderohet se i nevojitet një strehimore vetëm për këtë komunë.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale të Fushë Kosovës, Abaz Gjigoli, thotë se për këtë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Në gjithë Kosovën, janë vetëm shtatë strehimore në të gjitha qendrat kryesore të vendit, në të cilën strehohen gratë me fëmijët e tyre, të cilat kanë raportuar dhunë në familje, dhe që nuk ndihen të sigurta të jetojnë në shtëpi.

  • Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër që Kodi i Punës i Korporatës Energjetike parasheh vendimmarrje brenda 6 muajsh, bordi vendosi për shkarkimin e Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit, saktësisht 365 ditë pas pezullimit nga detyra.

    Pos vendimmarrjes për shkarkim ose kthim në detyrë, të cilat i parasheh ky akt i brendshëm i KEK-ut – bordi shkeli edhe afatin e funksionimit me ushtrues detyre të kryeshefit.

    Kohë të çuar dëm e vlerësoi këtë periudhë gazetari Zekirja Shabani, i cili vonesën në vendimmarrje e ndërlidhi me atë që e quajti besim të Qeverisë në pafajësinë e Krasniqit.

    “Vendimi i djeshëm është shumë i vonuar, sidomos në kohën kur po flasim për investime potenciale në KEK, të nevojshme për të operuar, për të mbajtur gjallë KEK-un, dhe për të mos pasur dilema se me një drejtor tjetër ish bë më mirë ose me këtë drejtor ishte bë më mirë, por kemi pasë fatin e keq me operua me një drejtor në burg e me shpresua që kthehet një ditë, por u pa që krejt koha u harxhua kot”, tha Shabani.

    Pa paragjykuar epilogun e hetimeve ndaj tashmë ish-kryeshefit, Shabani foli për implikimet në aspektin menaxherial, pasi këtë vit ishin paraparë rehabilitime të thella në të dyja termocentralet, në vlerë totale rreth 200 milionë euro.

    “Një drejtor që nuk varet prej kryeministrit, që nuk varet shumë prej politikës, për shkak se KEK-u ka nevojë për investime të mëdha dhe domosdo ka nevojë për profesionistë. Nuk ka nevojë për politikanë brenda KEK-ut. Prandaj, krejt kjo zvarritje më shumë ngjan me një plan të politikës për të mos bërë asgjë në KEK, sesa me një vizion për të zhvilluar KEK-un”, tha Shabani.

    Pasi tha se partia në pushtet ka shkelur parimet e saj në rastin e Krasniqit, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, vlerësoi se mos-zgjedhja me kohë e kryeshefit të ri pengon planet investive.

    “Ndërmarrja kryesore publike që është KEK-u, më profitabilja, me buxhetin më të madh, me mbetë një vit me ushtrues detyre, dhe, potencialisht kjo mund të zgjasë edhe tre apo katër muaj derisa të kryhen procedurat e drejtorit të ri, d.m.th. kjo tregon se çfarë serioziteti ka pasur qeverisja e tanishme sa i përket KEK-ut”, tha Demhasaj.

    Më 19 Prill 2023, Nagip Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi.

    Ai ishte suspenduar gjashtë ditë më vonë, 25 Prill të vitit të kaluar – ndërsa, sipas njoftimit, konkursi për kryeshefin e ri pritet të shpallet ditët në vijim.

    Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, ndërsa ai aktualisht është i lirë dhe ndaj tij nuk ka ndonjë masë kufizuese.

  • Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Përgatiti: Nora Luta

    Për të vazhduar ballafaqimin me dëshminë e Mehdi Gashit, këtë të enjte nga Burgu i Sigurisë së Lartë, Sladan Trajkoviq, u soll në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Trajkoviqit për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, Gashi ka përshkruar se si katër persona, në mesin e tyre i akuzuari, hynë në oborrin e shtëpisë së tij.

    Gashi, vetëm 14 vjeç në atë kohë, tha se vetëm Zoran Bogovici ishte i maskuar, dhe ai, sipas tij, kishte shtënë në babanë e tij, duke e lënë të vdekur.

    Mbrojtja duke tentuar ta vërë në lajthitje dëshmitarin insistoi disa herë të marrë përgjigje për përshkrimin e personave, duke e ballafaquar edhe me deklaratën e dhënë në Polici.

    Mbrojtja u përsërit disa herë në pyetje, për çka Gjykata nuk ia lejoi njërën nga to, avokatit Dejan Vasiq, i cili mori vërejtje për gjuhën e përdorur në seancë.

    Me deklaratën e dhënë në polici, Gashi u sfidua me pyetje edhe nga i akuzuari.

    Gashi e identifikoi Trajkovicin edhe kur me kërkesë të mbrojtjes iu paraqitën fotografitë nga dosja e Prokurorisë.

    Trajkovic ishte arrestuar mes tensioneve në veri, në dhjetor të vitit të kaluar.

    Përveç për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve dhe dëbimin e tyre, ai akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës.

    Trajkovic ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në nëntor të 2022-tës kur dha dorëheqje bashkë me zyrtarët e tjerë serbë, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targa.

  • Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gordana Davkova, kandidatja opozitare, e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, teksa do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë që mbahet më 8 maj.

    Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE mori 40,10% të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate, i fitoi 19,93% të votave.

    Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13,36% të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9,21% të votave. Megjithatë, mbi 200 mijë vota të shqiptarëve, sipas opinionistit Bekim Kabashi mund edhe të mos jenë përcaktuese për rundin e dytë.

    Në rast se partitë shqiptare në Maqedoni, nuk do të ndaheshin në dy blloqe politike, Kabashi shtoi se lehtësisht një kandidat shqiptar do të garonte në rundin e dytë për postin e presidentit.

    Teksa ende nuk dihet se cilin kandidat do ta mbështesin dy taboret shqiptare, Arben Taravari, mori një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

    Ndërkohë, kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, nuk ka deklaruar deri më tani për pozicionim para rundit të dytë, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

  • Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes në rend dite ishin planifikuar 20 pika.

    Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të shtohet edhe një pikë tjetër, për të diskutuar për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Kosovën.

    Megjithatë, një gjë e tillë u pamundësua. Partia në pushtet votoi kundër ndryshimit të rendit të ditës.

    Pjesë e seancës ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    As këtë herë, pushteti nuk arriti ta bindë opozitën të votojë pro këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Madje, ata lëshuan edhe sallën.

    Ndërkohë, shumë nga pyetjet parlamentare mbetën pa përgjigje.

    Mirëpo, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, e po ashtu ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

    Ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore ka kaluar në seancë tjetër në mungesë të votave.

  • Ndërpritet për disa minuta gjysmëfinalja, lëndohet gjyqtari Xhelal Mumini

    Ndërpritet për disa minuta gjysmëfinalja, lëndohet gjyqtari Xhelal Mumini

    Ndeshaj gjysmëfinale mes Prishtinës e Trepçës është ndërprerë për disa minuta.

    Kjo për faktin se gjyqtari Xhelal Mumini u lëndua.

    Ai u godit papritmas nga një lojtar dhe e kishte të pamundur vazhdimin e ndeshjes.

    Ndeshja vazhdoi më pas nën drejtimin e dy gjyqtarëve të huaj.