ATV

Author: ATVLive

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.

    Fillimisht gjatë orëve të para të 24-orëshit priten reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me pak vetëtimë dhe bubullimë, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, e cila në momente të veçanta pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-61 km/h, transmeton Sinjali.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17.

  • Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, beson shumë se edhe Kosova do të jetë pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.

    Madje Nissinen ka thënë se Finlanda do të përkrahë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    ”Në këndvështrimin afatgjatë mendoj që kjo sigurisht do të ndodhë dhe kjo është nënvizuar vazhdimisht nga liderët e mi politikë. Finlanda do të përkrahë të gjitha aspiratat ndërkombëtare që Kosova ka, dhe kjo përfshinë anëtarësimin në organizata të ndryshme. Besoj që kjo do të bëhet realitet një ditë, por e kam të pamundur të jap afat kohor. Por në aspektin afatgjatë, kam shumë besim që kjo do të ndodhë”, ka thënë Nissinen në tëvë 1.

    Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023. Ky shtet aplikoi për anëtarësim pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.

  • BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të jetë në mesin e listës për urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, shkruan BBC, sipas raportimeve, mes një shqetësimi izraelit për veprime ligjore në Gaza, nga ICC

    Zyrtarët izraelitë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar se gjykata e lartë penale e OKB-së po planifikon të kërkojë urdhër-arreste për udhëheqësit e tyre ushtarakë dhe politikë nën dyshimin për krime lufte,

    Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka hetuar veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara për tre vitet e fundit – dhe së fundmi edhe veprimet e Hamasit. Ajo ka fuqinë për të akuzuar dhe gjykuar individë për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar.

    Ajo ka lëshuar më parë urdhër-arreste për liderët, duke përfshirë Vladimir Putin të Rusisë, Muammar Gaddafi të Libisë dhe kryekomandantin e Ugandës, Joseph Kony.

    Netanyahu e ka quajtur mundësinë që figura të larta izraelite t’i bashkohen listës së të kërkuarve “një fyerje me përmasa historike”, duke akuzuar ICC-në se po përpiqet të paralizojë aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur.

    Ndërsa ICC nuk i ka konfirmuar pretendimet izraelite, kur kryeprokurori Karim Khan KC vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhjetorin e kaluar mesazhi i tij ishte i qartë.

    Fakti që ai është zgjedhur për të bërë komente kaq të ashpra publike sugjeron se në prapaskenë, një skenar i tillë po diskutohet në mënyrë aktive.

  • Arrestohen mbi 2 mijë studentë në ShBA pas protestave pro-palestineze

    Arrestohen mbi 2 mijë studentë në ShBA pas protestave pro-palestineze

    Portland police officers stand still as Pro-Palestinian students demonstrate on the campus of Portland State University in Portland, Oregon on May 2, 2024. Police deployed a heavy presence on US university campuses on May 1 after forcibly clearing away some weeks-long protests against Israel’s war with Hamas. (Photo by John Rudoff / AFP) (Photo by JOHN RUDOFF/AFP via Getty Images)

    Mbi 2 mijë studentë janë arrestuar në kolegjet dhe universitetet amerikane që nga 18 prilli, pas protestave protestave pro-palestineze të cilat kanë shpërthyer në të gjithë ShBA-të.

    Studentët protestues kryesisht kanë kërkuar nga kolegjet dhe universitetet e tyre që të largohen nga kompanitë që mbështesin Izraelin dhe luftën në Gaza, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se mospajtimet për luftën në Gaza s’duhet të çojnë në trazira, teksa shtoi se mbështetja e ShBA-së për Izraelin mbetet e palëkundur.

  • Kosova bie 19 vende më poshtë për lirinë e medieve, në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

    Kosova bie 19 vende më poshtë për lirinë e medieve, në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

    Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

    Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

    Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

    “Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

    Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.

    Kosovë, shtimi i tensioneve me Serbinë përkeqësoi sigurinë e gazetarëve

    Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

    “Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.

    Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

    Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit, që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

    “Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli dhe propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre”, thuhet në raport.

    Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen si vende ku gjendja e lirisë së shtypit është e “kënaqshme’. Maqedonia është përmirësuar me dy vende nga viti i kaluar, kur u rendit e 38-ta.

    Mali i Zi radhitet në vend të 40, nga 39 që ishte vjet.

    Bosnje Hercegovina listohet e 81-ta, 17 vende më poshtë se vitin e shkuar.

    Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.

    Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.

    Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.

    Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

    Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias

    Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.

    Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.

    Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

    “Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.

    Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.

    Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. “Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.

    Sipas zotit Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale. Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.

    Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.

    Sipas tij,”kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon”.

    Gazetaria përballë dezinformimit

    Organizata thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike është shqetësues, duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.

    Sipas saj, grupet politike shpesh shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë shpesh përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit.

    Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median, duke imituar metodat shtypëse të Rusisë, thuhet në raport. “Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në mërgim”, thuhet në raport.

    Gjendja e shtypit në botë

    Vendet ku gjendja e lirisë së shtypit është “e mirë” ndodhen të gjitha në Evropë dhe më konkretisht brenda Bashkimit Europian.

    Për të tetin vit radhazi, vendin e parë e zë Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka dhe Suedia. Organizata vëren se politikanët në Evropë po përpiqen të ngushtojnë hapësirën për gazetari të pavarur. “Në krye të kësaj prirjeje të rrezikshme janë kryeministri i Hungarisë që mbështet Kremlinin, Viktor Orban dhe homologu i tij sllovak Robert Fico”.

    Liria e shtypit është vënë në provë nga partitë në pushtet në Hungari, (vendi 67), Maltë (vendi 73) dhe Greqi (vendi 88), vendet europiane me renditjen më të ulët. Edhe Italia që drejtohet nga kryeministrja Giorgia Meloni ka zbritur me tre vende duke u renditur në vendin e 46. Dhe në Evropën Lindore kushtet për të bërë gazetari po përkeqësohen për shkak të dezinformimit dhe censurës mediatike, nëpërmjet ngritjes së akuzave të pavërteta për terrorizëm ose për dëmtim të sigurisë kombëtare.

    Kështu po ndodh në Rusi (vendi 162), në Bjellorusi (vendi 167) dhe në Turkmenistan (i 175-ti), ndërkohë që në Gjeorgji, e cila ka zbritur 26 vende, duke u renditur e 103-ta, partia në pushtet po nxit politikën e afrimit me Moskën.

    Falë përmirësimit të treguesit të saj të sigurisë – më pak gazetarë të vrarë dhe treguesit politik, Ukraina është ngjitur 18 vende, duke u renditur e 61-ta.

    Afganistani, që përndjek pa rreshtur gazetarët qëkurse talebanët morën kontrollin në vend, Siria dhe Eritrea renditen në tre vendet e fundit, ku gjendja për gazetarët është “shumë e rrezikshme”.

    Indeksi i rendit Shtetet e Bashkuara në vendin e 55, me një rënie prej 10 vendesh, duke zbritur nga shtetet me gjendje “të kënaqshme” në ato “problematike” për lirinë e shtypit.

    “SHBA-të zbresin me 10 vende ndërsa përgatiten për zgjedhjet presidenciale 2024 mes rritjes së mosbesimit në media, e nxitur pjesërisht dhe nga antagonizmi i hapur dashakeq i zyrtarëve politikë ndaj saj, përfshirë dhe thirrjet për burgosjen e gazetarëve”, vëren Organizata “Reporterët Pa Kufij”. “Në disa raste të profilit të lartë, organet ligjzbatuese vendore kanë kryer veprime frikësimi, përfshirë bastisjen në redaksi dhe arrestimin e gazetarëve”.

    Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, gjendja është “shumë e rrezikshme” në afro gjysmën e shteteve. Gjatë këtij viti, 8 vendeve të tjera – Jemenit, Arabisë Saudite, Iranit, Palestinës, Irakut, Bahreinit, Sirisë dhe Egjiptit, të shënuara me të kuqe në hartë, i janë bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Territoret palestineze, më vdekjeprurësit për gazetarët, renditen gjithashtu afër fundit të Indeksit. Katari është vendi i vetëm në këtë rajon, ku gjendja nuk cilësohet as “e vështirë” dhe as “shumë rrezikshme”.

    Organizata vlerëson se prej tetorit të vitit 2023, lufta në Gazë ka shënuar një numër rekord sulmesh kundër medias dhe gazetarëve. Mbi 100 reporterë palestinezë janë vrarë nga forcat e mbrojtjes izraelite, përfshirë të paktën 22 gazetarë të vrarë ndërsa ishin në punë.

    Përveç se është vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të arrestuar në botë, qeveria e Kinës (e renditur në vendin e 172) vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë mbi kanalet e informacionit, me politika censuruese dhe kontrolluese, duke bërë rregullime të përmbajtjes në internet dhe duke kufizuar përhapjen e informacionit që konsiderohet i ndjeshëm ose në kundërshtim me linjën e partisë.

    Turqia ka vijuar të humbasë pikë në Indeks, duke u renditur në vendin e 158. “Reporterët Pa Kufij” vërejnë se burim për një farë shqetësimi përbën dhe rizgjedhja e Presidentit Recep Tayyip Erdogan. (VOA)

  • Kosova shënon rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve, Kusari: Njollë e zezë

    Kosova shënon rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve, Kusari: Njollë e zezë

    Juristja e mediave, Flutura Kusari ka reaguar pasi Kosova ka shënuar regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij.

    Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka thënë se kjo është një njollë e zezë në historinë e vendit tonë.

    Sipas saj kjo njollë nuk do të hiqet lehtë.

    Kusari ka listuar edhe arsyet pse ka ndodh kjo.
    Postimi i plotë i saj pa ndërhyrje:

    Alarmuese, alarmuese, alarmuese.

    Nje njolle e zeze eshte shenuar sot ne historine e re te vendit tone. Njolle qe nuk do te hiqet lehte.

    Kosova ka shenuar regres alarmant dhe eshte renditur 19 vende me poshte ne indeksin e Reportereve pa Kufinje sa i perket lirise se medias.

    Pese arsyet qe kane cuar ne kete rezultat te turpshem te qeverisjes se koalicionit VV dhe Guxo jane:

    1. Tentim mbyllja e Klan Kosova
    2. Projektligji per KPM
    3. Sulmet dhe denigrimet online qe iu behen gazetareve dhe aktivisteve kur e kritikojne pushtetin
    4. Emerimi i njeriut te VV-se si drejtor i televizionit ne RTK dhe gjunjezimi (presioni) financiar qe po i behet transmetuesit publik
    5. Pasiguria e gazetareve
  • Babai nga Gjakova e gjen të vdekur djalin e tij, Policia nis hetimet

    Babai nga Gjakova e gjen të vdekur djalin e tij, Policia nis hetimet

    Një burrë në Gjakovë ka raportuar në Polici se e ka gjetur të vdekur djalin e tij, dje në orët e pasdites.

    Lidhur me rastin Policia ka nisur hetime, derisa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “HETIM I VDEKJES – Gjakovë / 02.05.2024 – 16:25. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka gjetur djalin e tij viktimën mashkull kosovar dyshohet pa shenja jete. Ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Arrestohet një shtetas i Serbisë në Gjilan, nuk ndaloi pas urdhërit të policisë

    Arrestohet një shtetas i Serbisë në Gjilan, nuk ndaloi pas urdhërit të policisë

    Mbrëmë në Gjilan është arrestuar një shtetas i Serbisë, pasi që nuk ka respektuar zyrtarin policor për të ndaluar veturën e tij.

    I njëjti pasi është ndalur me veturë ka nisur veturën vrullshëm në drejtim të policit, ku polici ka arritur përmes xhamit të hapur t’ia marrë çelësat e veturës dhe ta fikë veturën.

    Rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.

    “Gjilan / 02.05.2024 – 17:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Serbisë, pasi që nuk ka respektuar zyrtarin policor për të ndaluar veturën e tij dhe i njëjti pasi është ndalur me veturë ka nisur veturën vrullshëm në drejtim të policit, ku polici ka arritur përmes xhamit të hapur t’ia marrë çelësat e veturës dhe të fikë veturën. Zyrtari policor dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Ademi: 3 maji, datë historike për futbollin e Kosovës

    ​Ademi: 3 maji, datë historike për futbollin e Kosovës

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se 3 maji është datë historike për futbollin e Kosovës, datë kjo e cila shënon pranimin e Kosovës në UEFA, që ndodhi në vitin 2016.

    Tetë vite më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në kryeqytetin e Hungarisë – Budapest duke i dhënë kështu fund izolimit të futbollit kosovarë.

    “3 maj, 2016 është data që ka hyrë në analet e historisë së Kosovës, e në veçanti futbollit. Si sot, 8 vjet më parë, Kosova u bë anëtarja më e re e familjes së futbollit evropian, UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në kryeqytetin e Hungarisë – Budapest. Ky ishte vendimi që i dha fund izolimit tonë të padrejtë prej dy dekadash e gjysmë. Kalimi i kësaj sfide nuk ishte i lehtë, mirëpo mes emocioneve përplot tension e ankth gjatë punimeve të këtij kongresi, në fund fitoi e drejta – fitoi Kosova.Nga aty filloi një epokë e re për Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga ajo ditë, zhvillimi e sukseset kanë shënuar rritje të vazhdueshme”, ka shkruar Ademi, përcjellë KosovaPress.

    Ai ka shtuar se klubet e futbollit të Kosovës kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz.

    “Klubet tona kanë demonstruar vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, duke na bërë krenarë me përfaqësimin dinjitoz. Niveli i ligës është rritur dukshëm dhe jemi ndër kampionatet më të vlerësuara në rajonin tonë. Ekipet kombëtare janë konsoliduar, kanë bërë përparime të dukshme dhe janë në ndjekje të ëndrrës së madhe – kualifikimit në finalet e kompeticioneve madhore”, ka shtuar ai.

  • Hovenier i shkon në zyre Osmanit: Flasin për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Hovenier i shkon në zyre Osmanit: Flasin për masat e BE-së ndaj Kosovës

    Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier i ka shkuar sot në zyre presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, shkruan Periskopi.

    Siç thuhet në njoftimin e Presidencës në takim u diskutua për procesin e votimit në katër komunat veriore.

    Ndërsa presidentja Osmani ia përmendi Hovenierit masat e BE-së.

    Njoftimi i plotë:

    Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

    Zhvillimet e fundit në vend ishin në fokus të diskutimit, me ç’rast theks i veçantë është vënë tek rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’rast Presidentja Osmani ripotencoi se vazhdimi i masave është i padrejtë dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato.

    Në takim u diskutua edhe për një sërë të arriturash dhe projektesh të përbashkëta, në mesin e të cilave edhe fillimi zyrtar i Programit Kompakt të MCC-së në Kosovë, i cili projekt pritet ta transformojë sektorin e energjisë.