ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Qeveria ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira

    Krasniqi: Qeveria ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se gazetarët dhe punëtorët e mediave, historikisht kanë mirëmbajtur standarde, integritet dhe guxim të lartë edhe në kohërat më të errëta të vendit.

    Andaj, sipas Krasniqit, zhvillimet e fundit në Kosovë, megjithëse në liri, paraqesin një pamje dhe një situatë tejet shqetësuese për median e lirë.

    “Këtë vit, Kosova ka humbur 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e përpiluar nga organizata “Reporterët Pa Kufij” – vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”.

    “Këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike. Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë”, tha Krasniq.

    Më tej, ai tha se për gazetarët në Kosovë, sigurimi i një ambienti të sigurt, të dinjitetshëm dhe me kushte më të mira të punës duhet të jetë prioritet.

    “I bëjë thirrje Qeverisë që të ndërpres cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit”.

    “Për gazetarët e Kosovës: ne shohim qëndrueshmërinë dhe përkushtimin tuaj. Puna e juaj është thelbësore – tani më shumë se kurrë – në përpjekjen që të mbajmë ndezur dritën e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit demokratik. Mos u ndalni”, shkroi ai.

    Reporterët pa Kufij sot kanë publikuar indeksin vjetor të lirisë së medias, ku Kosova ka rënë për 19 vende, nga e 56-ta sa ishte vitin e kaluar, në të 75-tin këtë vit.

  • INPO: Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit

    INPO: Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit

    Initiative for Progress – INPO këtë të premte ka publikuar raportin: “Performanca e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e prokurimit”, raporton Ekonomia Online.

    Drejtoresha ekzekutive e INPO-së, Albulena Nrecaj-Musliu dhe Arbër Kabashi, monitorues thanë se ky raport është rezultat i monitorimit të Planeve Përfundimtare të Prokurimit të Ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit rreth përmbushjes së tyre, brenda një (1) viti fiskal.

    Aspektet e përdorura në ketë raport u tha se janë aspekti numerik dhe ai buxhetor.

    “15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, INPO ka bërë realizimin edhe nga nr i aktivitete dhe vlera e tyre. Gjatë vitit 2023 janë 336 aktivitete te rezultuara ne 489kontrata, ku në total nga 935 aktivitete të planifikuara, prej tyre 336 janë realizuar, e nga vlera 935 kanë 442 milionë euro”, deklaroi Kabashi.

    Sipas raportit ministria e Arsimit ka planifikuar 57 aktivitete me 17 kontrata të nënshkruara të kthyer në përqindje si 29.82%.

    Ndërkaq ministria e Bujqësisë kishte paraparë 43 aktivitete në vlerë prej 6.053.875.52euro, me gjithsej 25 kontrata te nënshkruara.

    Një numër më të madh aktivitetesh të parashikuara gjatë 2023-tës, ishte ministria e financave, punës, dhe transfere me 71 gjithsej ku prej tyre u nënshkruan 46 prej tyre.

    Ndërsa sa i përket Zyrës së Kryeministrit, për vitin 2022 kishin të paraparë 22 aktivitete. Në vlerë prej 918,583,00euro, prej tyre vetëm 17 të nënshkruara.

    Sipas konkluzioneve të këtij raporti ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit.

    – “Planet e prokurimit nuk reflektojnë nevojat reale, të furnizimit me artikuj, shërbime dhe punë, duke qenë se vetëm rreth 35% e aktiviteteve te planifikuara janë tenderuar”, tha Kabashi.

    Tutje në raport thuhet se Qeveria e Republikës se Kosovës gjatë vitit 2023, dy (2) here ka ndryshuar dhe plotësuar listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik.

    – Ministria e Arsimit ka paraparë në planifikim të prokurimit aktivitete për ndërtimin e çerdheve nëpër Komuna, pa e definuar paraparakisht me Komunën përkatëse lokacionin e ndërtimit të çerdhes është pamundësuar inicimi i aktiviteteve të prokurimit për ndërtimin e çerdheve.

    – Ministria e Mbrojtjes në raportin e prokurimit i ka dy kontrata të raportuara për njësi, por nuk e ka të përgatitur vlerën indikative të kontratës.

    – Aktivitetet e planifikuara nga MFPT rreth Thesarit, në muajin korrik kanë kaluar në kuadër të AQP-së.

    – Kontratat që kanë të bëjnë me furnizim me pajisje të IT-s e që janë minitender, përmbajnë numrin 5, numër ky i llojit të kontratës së punës.

    Nrecaj Musliu tha se gjetjet flasin për mungesë të mirëfilltë të planifikimit.

  • Regresi në lirinë e mediave, Rohde: Rënie alarmante, mediat duhet të mbrohen e jo të kontrollohen

    Regresi në lirinë e mediave, Rohde: Rënie alarmante, mediat duhet të mbrohen e jo të kontrollohen

    Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

    Për këtë rënie ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se edhe pse shtypi në Kosovë është më mirë nëse krahasohet me rajonin, radhitja e fundit tregon “rënie alarmante”.

    “Mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohen, jo të kontrollohen. Në Kosova, media ka një pozicion të mirë në krahasimin rajonal. Megjithatë, raporti i sapopublikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante me 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet një ndryshim!”, ka shkruar ai në X.

    Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

  • DHTIK kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

    DHTIK kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të veprojmë ashtu siç vepron çdo vend Evropian.

    Sipas njoftimit të DHTIK, praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër.

    “DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi. Gjithashtu DHTIK kërkon që të festohen por mos të jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji Dita e Evropës”, thuhet në njoftim.

    Më tej DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

    “DHTIK, mbetët me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në komunikatë.

  • ​Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave

    ​Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

    “Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Sipas tij, shqetësuese mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare.

    “Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë”, shkruan Haradinaj.

  • ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka miratuar një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor raporton TopChannel.

    Ndwrkaq, deputetja Alicia Kearns në fjalimin e saj gjatë debatit mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor në Parlamentin britanik ka pwrmendur sulmin në Banjska, anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, asociacionin dhe kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Kearns kishte bërë të ditur se SHBA ka përfunduar një raport mbi përgjegjësit e sulmit në Banjska, i cili ende nuk është publikuar.

    Ajo tha se ky raport duhet të publikohet për t’u ditur e vërteta rreth sulmit për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radojçiq, i kërkuar tashmë nga Interpoli dhe i cili sipas saj gjendet i lirë në Serbi.

  • ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës vlerëson se liria e medias është pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike.

    KMShK ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë, gjegjësisht regresin që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende – nga pozita 56 në 75.

    KMShK bën thirrje që mediat dhe gazetarët të mos pengohen gjatë punës së tyre.

    “Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, thuhet në njoftim.

    KMShK i vlerëson të dëmshme dhe të papranueshme përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat dhe cenimin e fjalës së lirë.

  • Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se sot kanë diskutuar për detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit.

    Ai ka shkruar në Facebook se Spitali i Kryeqytetit, një projekt i shumëpritur do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.

    “Spitali i Kryeqytetit po bëhet. Sot diskutuam detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit. Një projekt i shumëpritur që do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës. Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të filloj ndërtimi”, shkruan Rama.

  • ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në një rezidencë artistësh, shkruan Florelle Guillaume në një artikull të botuar në revistën franceze “Beaux Arts”.

    Ky është projekti i ri i fondacionit “Art Explora”, i cili nuk pushon së habituri me nismat e tij origjinale në favor të krijimit dhe demokratizimit kulturor.

    “Vila 31”, e vendosur në zemër të kryeqytetit të Tiranës, është shtëpia e dikurshme e ish-kryeministrit shqiptar Enver Hoxha, stalinist i egër që sundoi vendin për katër dekada të shënuara nga shtypja e përgjakshme dhe izolimi, por edhe nga dhuna e madhe ndaj artistëve.

    “Që nga vdekja e diktatorit në vitin 1985, ky vend historik kishte mbetur një vilë fantazmë e ngrirë në kohë, me dekorin e saj të stilit hollivudian të viteve 1970”, sipas drejtorit të përgjithshëm të “Art Explora”, Bruno Julliard.

    Tunelet e fshehura, dritat e zbehta neoni, mobiljet prej kadifeje, pishina e pashfrytëzuar dhe bunkerët e fshehtë kontribuojnë në atmosferën e çuditshme dhe të modës së vjetër të kësaj vile, sa të frikshme aq edhe të admiruar nga banorët.

    Në kërkim të një “fati të ri” prej disa vitesh, kryeministri aktual Edi Rama, vetë artist, i shkolluar në Ecole des Beaux-Arts në Paris në vitet 1980, nuk kishte se si të mos e vlerësonte projektin kulturor të Frédéric Jousset, atë të shndërrimit të një meke të intolerancës në një parajsë krijimi për artistë nga e gjithë bota. Një përbuzje e bukur ndaj historisë!

    Rinovimi i “Vilës 31” do t’i besohet kompanisë arkitekturore NeM, e cila realizoi transformimin spektakolar të “Bursës së Tregtisë” në Paris.

    “Qëllim është që as të mos bëhet një muze i diktaturës dhe as të shkelet trashëgimia e saj historike”, tha Bruno Julliard.

    Pjesërisht e hapur vjeshtën e ardhshme, rezidenca prej 4000 metrash katrorë me tetë studio rezidenciale do të mirëpresë që nga dhjetori një valë të parë artistësh dhe krijuesish ndërkombëtarë dhe nga Ballkani.

    “Objektivi është zhvillimi i një programi afatgjatë të kërkimit dhe eksperimentimit artistik, i hapur ndaj botës, por edhe duke nxjerrë në pah dinamizmin e jashtëzakonshëm artistik të Ballkanit”, tha Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

    “Vila 31” do të jetë e hapur për publikun përmes seminareve, shfaqjeve të filmave dhe festivaleve.

  • ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Sipas dëshmitarëve, në vendin ku është bërë aksidentit ka dal Policia e Kosovës dhe ekipi mjekësor.

    Ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e të lënduarve dhe dëmeve materiale.