ATV

Author: A.M.

  • Bashkimi një hap larg finales së play-offit në Procredit Superligën e Kosovës

    Bashkimi një hap larg finales së play-offit në Procredit Superligën e Kosovës

    Bashkimi është shumë pranë finales së play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren mposhti Borën me rezultat 88:73.

    Me këtë fitore, prizrenasit kaluan në epërsi 2:1 në serinë gjysmëfinale dhe tani u duhet edhe vetëm një triumf për ta siguruar kualifikimin në finale.

    Ndeshja e katërt e serisë do të luhet të shtunën në Prishtinë, ndërsa në rast nevoje për ndeshje vendimtare, përballja e pestë do të zhvillohet pas një jave në Prizren.

    Takimi nisi më mirë për Borën, e cila krijoi një seri prej 11:0 dhe e mbylli çerekun e parë në epërsi 23:17. Megjithatë, Bashkimi reagoi fuqishëm në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 32:22.

    Pas pjesës së parë, rezultati ishte 49:45 për Bashkimin, ndërsa një faktor i rëndësishëm në rënien e Borës ishte edhe lëndimi i kapitenit Amin Hot, i cili luajti vetëm shtatë minuta dhe realizoi gjashtë pikë.

    Në çerekun e tretë skuadrat u treguan të barabarta (19:18), ndërsa Bora tentoi rikthimin edhe në çerekun e katërt, por pa sukses. Në fund, Bashkimi siguroi fitore të rëndësishme me 15 pikë diferencë.

    Te Bashkimi u dallua Shannon Shorter me 23 pikë, ndërsa Kenny Wooten shtoi 15 pikë. Te Bora më efikasi ishte Jordan Dingle me 23 pikë.

    Në gjysmëfinalen tjetër të play-offit përballen Trepça dhe Peja, ku pas dy ndeshjeve rezultati është 1:1. Ndeshja e tretë luhet të enjten nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

  • Atletico Madrid-Arsenal -formacionet zyrtare

    Atletico Madrid-Arsenal -formacionet zyrtare

    Atlético Madrid dhe Arsenali takohen sonte në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, me të dy trajnerët që kanë konfirmuar formacionet startuese për këtë sfidë të madhe evropiane.

    Diego Simeone i beson eksperiencës së Koke dhe Griezmann, ndërsa në repartin ofensivë Atlético Madrid starton edhe me Julián Álvarez dhe Ademola Lookman.

    Në anën tjetër, Mikel Arteta ka zgjedhur një formacion të balancuar për Arsenal F.C., ku në mesfushë aktivizohen Ødegaard, Zubimendi dhe Rice, ndërsa në sulm luajnë Madueke, Gyökeres dhe Martinelli. Martin Ødegaard pritet të jetë lojtari kryesor në ndërtimin e aksioneve, ndërsa Gabriel Martinelli dhe Madueke sjellin shpejtësi dhe rrezik në krahë.

    Dy skuadrat janë përballur tri herë në ndeshje zyrtare: në gjysmëfinalet e Ligës së Evropës 2017/18, ku Atlético Madrid kaloi tutje, dhe së fundmi në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, ku Arsenali fitoi 4-0 në fazën e grupeve.

    Ndeshja do të gjykohet nga arbitri holandez Danny Makkelie.

    Atletico Madrid: Oblak, Llorente, Pubill, Hancko, Ruggeri, Giuliano, Koke, Cardoso, Lookman, Griezmann, Julian Alvarez.

    Image

    Arsenal: Raya, White, Gabriel, Saliba, Hincapié, Odegaard, Zubimendi, Rice, Madueke, Gyökeres, Martinelli.

  • Achraf Hakimi do të mungojë në ndeshjen e kthimit ndaj Bayern Munich

    Achraf Hakimi do të mungojë në ndeshjen e kthimit ndaj Bayern Munich

    Sipas raportimeve të mediave franceze, Achraf Hakimi do të mungojë në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, që zhvillohet në Munih.

    27-vjeçari maroken është dëmtuar në fund të ndeshjes së parë, e cila përfundoi me fitoren 5–4 të PSG-së. Incidenti ndodhi në minutat e fundit të takimit, kur Hakimi ndjeu një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës pas një sprinti dhe ndërhyrjeje në lojë.

    Mbrojtësi u pa duke e mbajtur këmbën menjëherë pas episodit, ndërsa stafi mjekësor i PSG-së ndërhyri shpejt në fushë. Fillimisht u mendua për një ngërç muskulor, por ekzaminimet e para sugjerojnë një dëmtim më serioz në muskujt e pasmë të kofshës.

    Për shkak të këtij dëmtimi, Hakimi pritet të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit, duke i krijuar një mungesë të rëndësishme skuadrës së Luis Enrique në një përballje vendimtare për finalen e Ligës së Kampionëve.

  • Treshja e Bayern-it Harry Kane,Luis Diaz dhe Michael Olise arrijnë shifrën prej 100 golave këtë sezon në Champions

    Treshja e Bayern-it Harry Kane,Luis Diaz dhe Michael Olise arrijnë shifrën prej 100 golave këtë sezon në Champions

    Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich zhvilluan një nga ndeshjet më spektakolare të historisë së Ligës së Kampionëve, duke përfunduar me rezultat 5-4 në “Parc des Princes”. Kjo gjysmëfinale u bë njëkohësisht edhe më e pasura me gola në historinë e Kupës së Evropës/Ligës së Kampionëve.

    Në qendër të vëmendjes ishte treshja sulmuese e Bayern Munich: Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Díaz, të cilët kontribuan sërish me gola në këtë përballje. Kane shënoi një gol dhe dha një asist, ndërsa Olise dhe Luis Díaz gjithashtu gjetën rrjetën, duke konfirmuar formën e tyre të jashtëzakonshme këtë sezon.

    Sipas statistikave, kjo treshe ka arritur në total 100 gola në sezonin 2025/26 (pa përfshirë asistet): Kane me 54 gola, Luis Díaz me 26 dhe Olise me 20. Me këtë shifër, ata janë krahasuar me disa nga treshet më të famshme në historinë e futbollit evropian.

    Në këtë renditje historike përfshihen edhe:

    • Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Gareth Bale të Real Madrid në sezonin 2014/15
    • Lionel Messi, Samuel Eto’o dhe Thierry Henry të FC Barcelona në sezonin 2008/09

    Nga ana statistikore, kjo treshe e Bayern Munich ka tejkaluar edhe sezonin 2019/20, kur Robert Lewandowski, Serge Gnabry dhe Thomas Müller kishin realizuar së bashku 92 gola.

    Bayern Munich ka ende disa ndeshje vendimtare përpara këtij sezoni, përfshirë Bundesligën, kthimin në Champions League dhe finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Stuttgartit, me synimin për të thyer rekorde historike.

    Ndërkohë, Kane u bë lojtari i parë anglez që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve, Olise ka arritur 45 kontribute direkte në të gjitha garat, ndërsa Luis Díaz ka shënuar në katër ndeshje radhazi në Evropë.

    Tani, sfida kryesore mbetet e njëjtë: eliminimi i PSG-së dhe rruga drejt trofeut të madh evropian.

  • Esteban Andrada dënohet me 13 ndeshje pezullim pas incidentit të rëndë në derbin e Aragonës

    Esteban Andrada dënohet me 13 ndeshje pezullim pas incidentit të rëndë në derbin e Aragonës

    Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF) ka bërë të ditur zyrtarisht se portieri i Real Zaragozës, Esteban Andrada, është dënuar me 13 ndeshje pezullim pas incidentit të rëndë të ndodhur në derbin e Aragonës ndaj Huescas, në kuadër të Ligës së Dytë të Spanjës.

    Sipas vendimit, Andrada është ndëshkuar me një nga sanksionet më të rënda disiplinore pas një sulmi fizik ndaj kapitenit të Huescas, Jorge Pulido. Ngjarja ndodhi në fund të ndeshjes, kur portieri argjentinas fillimisht protestoi ashpër pranë gjyqtarit kryesor, Damaso Arcediano Monescillo, duke kërkuar rishikimin e një situate me VAR ku ishte ndëshkuar një bashkëlojtar i tij.

    Pas ndërhyrjes së Pulidos, situata u përshkallëzua dhe Andrada reagoi fillimisht me shtyrje, veprim për të cilin mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

    Pas daljes nga fusha, sipas raportit zyrtar, ai goditi me grusht në fytyrë lojtarin kundërshtar, duke i shkaktuar hematomë në zonën e mollëzës së majtë.

    Komisioni Disiplinor i RFEF-së i ka shqiptuar atij 12 ndeshje pezullim për sulmin fizik ndaj kundërshtarit, ndërsa një ndeshje shtesë është shtuar si pasojë e kartonit të kuq të marrë në të njëjtën ndeshje.

  • Liverpooli vë në shënjestër Nico Williams-80 milionë euro për yllin e Athletic Bilbao

    Liverpooli vë në shënjestër Nico Williams-80 milionë euro për yllin e Athletic Bilbao

    Liverpool FC e ka vendosur Nico Williams si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv në sezonin e ardhshëm.

    Sulmuesi anësor i Athletic Bilbao ka hyrë fuqishëm në radarët e klubit anglez, i cili synon të ndërtojë një projekt afatgjatë me profile të reja dhe dinamike në sulm. Drejtuesit e Liverpoolit e shohin Williams si një element ideal për stilin e lojës që kërkojnë të zhvillojnë në vitet në vijim.

    Shpejtësia, driblimi dhe aftësia për të krijuar rrezik në situata një kundër një e bëjnë spanjollin një nga anësorët më të vlerësuar në futbollin evropian. Performancat e tij në La Liga kanë qenë të qëndrueshme dhe në rritje, duke e konsoliduar si një lojtar kyç për skuadrën baske.

    Vlera aktuale e kartonit të tij vlerësohet rreth 80 milionë euro, shumë që Liverpooli është i gatshëm ta shqyrtojë për të realizuar transferimin.

    Nga ana tjetër, Athletic Bilbao mbetet i vendosur të mos e lehtësojë largimin e lojtarit. Klubi e konsideron Williams një pjesë thelbësore të projektit sportiv dhe një nga figurat kryesore për të ardhmen. Qëndrimi i tyre është i qartë: çdo negociatë mund të ndodhë vetëm nëse respektohet klauzola e lirimit dhe kushtet financiare të vendosura.

    Megjithatë, presioni nga klubet e mëdha evropiane, përfshirë Liverpoolin, pritet ta bëjë situatën më të ndërlikuar gjatë verës.

    Afati kalimtar veror pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Williams. Nga perspektiva e lojtarit, një kalim në Premier League dhe në një klub me ambicie të mëdha evropiane do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierë.

    Pavarësisht kësaj, Athletic Bilbao beson se mund ta bindë lojtarin të vazhdojë zhvillimin e tij në “San Mamés”.

    Në çdo rast, Nico Williams pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës, me të ardhmen e tij që mund të sjellë një nga transferimet më të bujshme të sezonit.

  • Dy oferta për Lumbardh Dellovën-Mbrojtësi i Kosovës drejt largimit nga CSKA Sofia

    Dy oferta për Lumbardh Dellovën-Mbrojtësi i Kosovës drejt largimit nga CSKA Sofia

    Mbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, pritet të largohet nga CSKA Sofia gjatë afatit kalimtar të verës, pasi ndaj tij kanë mbërritur dy oferta konkrete.

    Sipas mediave bullgare, një ofertë vjen nga MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tjetra nga Turqia. Në mesin e klubeve turke që kanë shfaqur interes për 27-vjeçarin përmenden Çaykur Rizespor, që garon në elitë, si dhe Amedspor, skuadër që aktualisht renditet e treta dhe synon ngjitjen në Superligën turke.

    Po ashtu, raportohet edhe për interesim nga një klub rus, por mungesa e një pasaporte tjetër përveç asaj të Kosovës e vështirëson një transferim të tillë.

    Dellova ka kontratë me klubin nga Sofja deri më 30 qershor 2027, ndërsa në marrëveshjen aktuale përfshihet një klauzolë lirimi prej 900 mijë eurosh. Kjo shumë konsiderohet e përballueshme për klubet e interesuara.

    Gjatë afatit kalimtar të dimrit, Al Najma kishte shfaqur gatishmëri për të paguar klauzolën dhe i kishte ofruar lojtarit një pagë të lartë, por mbrojtësi kosovar e refuzoi ofertën, duke preferuar të qëndrojë në Evropë.

    Në muajt e fundit janë zhvilluar bisedime për rinovimin e kontratës me kushte të përmirësuara dhe pa klauzolë lirimi, por deri më tani nuk është arritur marrëveshje.

    Sipas mediumit “7 dni sport”, për më shumë se një vit, përfaqësuesit e lojtarit kanë ushtruar presion ndaj drejtuesve të klubit duke sjellë oferta nga skuadra të tjera, çka e bën edhe më të mundshëm një largim të Dellovës në verë.

  • Mykhailo Mudryk dënohet me katër vite për shkelje antidopingu, lojtari apelon në CAS

    Mykhailo Mudryk dënohet me katër vite për shkelje antidopingu, lojtari apelon në CAS

    Ylli ukrainas i Chelsea FC, Mykhailo Mudryk, ka marrë një dënim prej katër vitesh për shkelje të rregullave antidoping, sipas raportimit të gazetarit Ben Jacobs.

    Sulmuesi 26-vjeçar luajti për herë të fundit me klubin londinez në vitin 2024, vetëm një vit pas transferimit nga Shakhtar Donetsk në një marrëveshje prej 89 milionë paundësh.

    Në dhjetor 2024, karriera e tij në fushë u ndal përkohësisht pasi Federata Angleze e Futbollit (FA) njoftoi për një “gjetje të dyshimtë” në një test rutinë urine. Më pas, në qershor 2025, FA ngriti zyrtarisht akuzë ndaj lojtarit për praninë ose përdorimin e një substance të ndaluar.

    Sipas Jacobs, dënimi i dhënë është maksimumi i parashikuar për këtë lloj shkeljeje. Megjithatë, Mudryk ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe ka apeluar vendimin në Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

    Aktualisht, palët janë në proces shkëmbimi dokumentesh, ndërsa ende nuk është caktuar një datë për seancën dëgjimore. Gjatë periudhës së tij te Chelsea, Mudryk ka zhvilluar 73 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola.

  • Ardon Jasharit i hapet dera te Milani pas dëmtimit të Modrić

    Ardon Jasharit i hapet dera te Milani pas dëmtimit të Modrić

    Mundësitë në futboll shpesh vijnë në momentet më të papritura dhe një e tillë i është hapur Ardon Jashari pas përplasjes së Luka Modrić me Manuel Locatelli në ndeshjen Milan – Juventus.

    Mesfushori kroat ka pësuar një dëmtim në mollëzën e faqes, i cili ka kërkuar ndërhyrje kirurgjikale dhe e ka nxjerrë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit me fanellën kuqezi. Me mungesën e organizatorit titullar, trajneri Massimiliano Allegri pritet t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta deri më tani.

    Për shkak të profilit të tij teknik, Jashari shihet si alternativa kryesore për rolin në mesin e fushës te Milani.

    Jashari iu bashkua klubit verën e kaluar për 34 milionë euro plus bonuse, duke e çuar investimin total në rreth 38–39 milionë euro, por deri tani ka pasur pak mundësi për të treguar veten. Kjo si pasojë e një dëmtimi në fibulë dhe zgjedhjeve taktike të trajnerit.

    Ndeshja e fundit si titullar për të daton më 15 mars kundër Lazios. Që prej asaj kohe, ai ka qëndruar në stol në tre takime dhe ka luajtur vetëm 28 minuta në total (10 kundër Juventusit dhe 18 ndaj Udineses).

    Dëmtimi i Modrić tani i hap një derë të rëndësishme Jasharit, i cili pritet të ketë mundësinë të dëshmojë vlerat e tij në fazën përmbyllëse të sezonit dhe të fitojë besimin e stafit teknik.

  • Juventusi nis bisedimet për Robert Lewandowskin

    Juventusi nis bisedimet për Robert Lewandowskin

    Juventusi ka nisur bisedime konkrete për transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Robert Lewandowski, me negociatat që tashmë konsiderohen të hapura.

    Sulmuesi polak, i cili mund të bëhet i lirë në qershor, është i hapur për t’u bashkuar me klubin italian, duke e parë këtë si një mundësi për të vazhduar të luajë në nivelin më të lartë të futbollit europian. Agjenti i tij, Pini Zahavi, së fundmi është takuar me drejtuesit e Juventusit për të shqyrtuar realizueshmërinë e një marrëveshjeje dhe për të sqaruar pritshmëritë financiare.

    Rrethi i afërt i Lewandowskit kërkon një kontratë dyvjeçare me vlerë rreth 8–10 milionë euro neto në sezon, plus bonuse. Megjithëse kjo shifër është dukshëm më e ulët se paga e tij aktuale te Barcelona, kërkesat mbeten të konsiderueshme duke pasur parasysh moshën e lojtarit, i cili po afrohet të 38-at.

    Juventusi po e vlerëson me kujdes situatën, ndërsa drejtori sportiv Damien Comolli dhe trajneri Luciano Spalletti e konsiderojnë prioritet afrimin e një qendërsulmuesi me përvojë. Megjithatë, në listë po merren në konsideratë edhe alternativa të tjera si Randal Kolo Muani dhe Gonçalo Ramos.