ATV

Author: A.M.

  • Kosova përgatitet për Andorrën-Shqetësim për Arijanet Muric

    Kosova përgatitet për Andorrën-Shqetësim për Arijanet Muric

    Kombëtarja e Kosovës ka intensifikuar përgatitjet para miqësores së 7 qershorit ndaj Andorrës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij, futbollistët dardanë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore intensive, me fokus në aspektin taktik, organizimin e lojës dhe përmirësimin e koordinimit mes reparteve.

    Sipas njoftimit nga kampi i kombëtares, atmosfera brenda ekipit mbetet shumë pozitive, ndërsa lojtarët po tregojnë përkushtim dhe disiplinë të lartë në çdo seancë stërvitore. Entuziazmi në grup është i madh, me synimin për një paraqitje sa më të mirë para tifozëve në “Fadil Vokrri”.

    Megjithatë, gjatë stërvitjes së sotme është shënuar edhe një moment shqetësues. Portieri Arijanet Muric ka ndier shqetësim në muskujt e kërdhokullës së djathtë, çka ka ngritur dyshime për gjendjen e tij fizike.

    Stafi mjekësor i kombëtares pritet t’i nënshtrojë ekzaminimeve të nevojshme në orët në vijim, për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe për të përcaktuar nëse portieri dardan do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Andorrës.

    Kosova do ta shfrytëzojë këtë miqësore për të testuar formën e lojtarëve dhe për të vazhduar ndërtimin e skuadrës para sfidave të ardhshme zyrtare.

  • Granit Xhaka synon Kupën e Botës 2026: “Dua të bëhem kampion bote”

    Granit Xhaka synon Kupën e Botës 2026: “Dua të bëhem kampion bote”

    Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk i ka fshehur ambiciet e tij para Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se ëndrra e tij është ngritja e trofeut më të madh në futbollin botëror.

    Në një intervistë për mediumin zviceran Blick, mesfushori shqiptar theksoi se objektivi i tij kryesor është të shpallet kampion bote me Kombëtaren e Zvicrës.

    “Dua të bëhem kampion bote. Ndoshta disa do të qeshin me këtë, por unë gjithmonë kam menduar në këtë mënyrë. Duhet të kesh vizione dhe të mendosh në përmasa të mëdha. Nëse nuk beson në ëndrrat e tua, nuk mund t’i arrish kurrë ato”, deklaroi Xhaka.

    Kapiteni i Zvicrës sqaroi se kjo deklaratë nuk është arrogancë, por një mënyrë të menduari që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij. Ai kujtoi gjithashtu besimin e madh që kishte para triumfit të Zvicrës në Kupën e Botës U17 në vitin 2009, kur skuadra e tij arriti të fitonte turneun.

    Sipas Xhakës, brezi aktual i futbollistëve zviceranë ka cilësitë e nevojshme për të rivalizuar me kombëtaret më të mëdha në botë. Ai theksoi se për të arritur rezultate të mëdha, fillimisht duhet besim se ato janë të mundshme.

  • Luis Enrique kërkon Gavi-n te PSG-Ofertë deri në 80 milionë euro

    Luis Enrique kërkon Gavi-n te PSG-Ofertë deri në 80 milionë euro

    Luis Enrique ka vendosur në qendër të planeve të tij te Paris Saint-Germain mesfushorin e talentuar të FC Barcelona, Gavi.

    Trajneri spanjoll e sheh 21-vjeçarin si një nga elementët kyç për të forcuar projektin ambicioz të kampionëve të Francës dhe ka kërkuar personalisht transferimin e tij në “Parc des Princes”.

    Sipas raportimeve, PSG është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të siguruar shërbimet e reprezentuesit spanjoll, me një ofertë që mund të arrijë deri në 80 milionë euro.

    Klubi francez beson se Gavi përshtatet në mënyrë perfekte me filozofinë e ekipit, duke sjellë energji, kreativitet dhe cilësi në repartin e mesfushës.

    Interesimi i Luis Enriques nuk është i rastësishëm, pasi ai e njeh mirë lojtarin nga koha kur kanë punuar së bashku te kombëtarja e Spanja. Ai vlerëson aftësitë e tij në organizimin e lojës, rikuperimin e topit dhe mbështetjen e fazës sulmuese.

  • Shqipëria nis epokën Maran-Sot miqësorja ndaj Izraelit

    Shqipëria nis epokën Maran-Sot miqësorja ndaj Izraelit

    Kombëtarja shqiptare do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë miqësore nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Kuqezinjtë do të përballen me Izraelin në orën 20:00, në një sfidë që vjen në një moment delikat për ekipin kombëtar.

    Shqipëria synon të lërë pas zhgënjimin e eliminimit në “play-off”-in e Kupës së Botës, rezultat që çoi edhe në largimin e trajnerit Silvinjo. Me emërimin e Maran në krye të stolit kuqezi, objektivi është rikthimi te rezultatet pozitive dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese për sfidat e ardhshme.

    Një nga synimet kryesore mbetet paraqitja në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria do të kërkojë rikthimin në Ligën B pas zhgënjimit të sezonit të kaluar. Ndërkohë, për këtë ndeshje pritet një numër i kufizuar tifozësh në stadium, me gjasë vetëm në katin e parë të tribunave.

    Sa i përket historikut të përballjeve, Shqipëria dhe Izraeli janë ndeshur gjashtë herë deri më tani. Bilanci favorizon izraelitët me katër fitore, ndërsa kuqezinjtë kanë regjistruar dy suksese. Në këto takime nuk është shënuar asnjë barazim. Izraeli ka realizuar në total nëntë gola, kundrejt gjashtë të Shqipërisë.

    Përballja e parë mes dy skuadrave u zhvillua në nëntor të vitit 2016, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2018, ku Izraeli fitoi 3-0 në Shqipëri. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar me të njëjtin rezultat në transfertë në qershor 2017.

    Dy ekipet u përballën sërish në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2018. Shqipëria fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa Izraeli mori revanshin një muaj më vonë me fitoren 2-0 në fushën e vet.

    Në këtë miqësore, kuqezinjtë do të synojnë jo vetëm suksesin për statistikë, por edhe një nisje sa më pozitive të epokës së re me Rolando Maran në krye të Kombëtares.

  • Kosova U21 sot përballet me Turqinë U21 në ndeshje miqësore

    Kosova U21 sot përballet me Turqinë U21 në ndeshje miqësore

    Kombëtarja e Kosovës U21 do të zbresë sot në fushë për të zhvilluar ndeshjen miqësore kundër Turqisë U21. Takimi do të luhet në stadiumin Ümraniye Belediyesi Şehir Stadı në Turqi, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

    Dardanët e rinj e kanë pritur këtë përballje pas disa ditësh përgatitjesh intensive nën drejtimin e përzgjedhësit Hekuran Kryeziu dhe stafit të tij. Ekipi ka zhvilluar stërvitjet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku fokusi kryesor ka qenë përmirësimi i aspektit taktik dhe fizik para sfidës me një kundërshtar cilësor si Turqia.

    Kjo ndeshje do të shërbejë si një test i rëndësishëm për futbollistët kosovarë, të cilët synojnë të tregojnë potencialin e tyre dhe të vazhdojnë ngritjen në prag të sfidave të ardhshme.

    Historia e përballjeve mes Kosovës U21 dhe Turqisë U21 favorizon skuadrën turke. Dy kombëtaret janë përballur katër herë deri më tani, ku Kosova ka regjistruar një fitore, ndërsa Turqia ka triumfuar në tri ndeshje.

    Pas takimit të sotëm, Kosova U21 do të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore. Më 6 qershor, në Hajvali, Dardanët do të presin Luksemburgun U21 në një sfidë që do të nisë nga ora 17:00, duke vazhduar kështu ciklin e përgatitjeve dhe testimit të ekipit për angazhimet e ardhshme ndërkombëtare.

  • FIFA konfirmon rregulla të reja për Kupën e Botës 2026

    FIFA konfirmon rregulla të reja për Kupën e Botës 2026

    FIFA ka konfirmuar një sërë rregullash të reja që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026, me synimin për të rritur kohën efektive të lojës dhe për të reduktuar vonesat e qëllimshme gjatë ndeshjeve.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rivëniet anësore. Futbollistët do të kenë vetëm pesë sekonda në dispozicion për ta futur topin në lojë, ndërsa vonesat e qëllimshme mund të ndëshkohen me kalimin e posedimit te skuadra kundërshtare. I njëjti parim do të zbatohet edhe për goditjet nga porta, ku humbja e qëllimshme e kohës mund të rezultojë me akordimin e një goditjeje këndi për ekipin rival.

    Ndryshime të rëndësishme janë paraparë edhe në procedurën e zëvendësimeve. Lojtarët që largohen nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për të dalë nga pika më e afërt. Në rast se nuk e respektojnë këtë afat, futbollisti zëvendësues nuk do të lejohet të hyjë në fushë për të paktën një minutë, duke bërë që skuadra e tij të luajë përkohësisht me një lojtar më pak.

    Sipas rregullave të reja, futbollistët që marrin trajtim mjekësor nga stafi mjekësor do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë. Përjashtim do të bëhet për portierët, dëmtimet serioze dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.

    FIFA ka ashpërsuar edhe masat disiplinore. Lojtarët që mbulojnë gojën gjatë debateve ose përballjeve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri me karton të kuq, në varësi të situatës dhe vlerësimit të gjyqtarit.

    Ndërkohë, sistemi VAR do të ketë kompetenca më të gjera. Për herë të parë, do të mund të verifikohet nëse një goditje këndi është akorduar saktë, për sa kohë kontrolli kryhet shpejt dhe para rifillimit të lojës. Gjithashtu, përjashtimet që vijnë si pasojë e kartonit të dytë të verdhë do të mund të rishikohen pasi të jenë dhënë, megjithëse VAR nuk do të ndërhyjë për të sugjeruar një karton të dytë të verdhë gjatë zhvillimit të aksionit.

    Këto ndryshime pritet të zbatohen për herë të parë në Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

  • Rafael Leao drejt largimit nga Milani, klubi vendos çmimin e transferimit

    Rafael Leao drejt largimit nga Milani, klubi vendos çmimin e transferimit

    Sulmuesi portugez Rafael Leao është gjithnjë e më pranë largimit nga Milani gjatë afatit kalimtar të verës, pas raportimeve për një krisje në raportet e tij me klubin dhe një pjesë të tifozëve.

    Pak ditë më parë, ylli portugez deklaroi se ndihet i përmbushur te Milani dhe se tashmë dëshiron të nisë një aventurë të re në një kampionat tjetër.

    Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, edhe drejtuesit e Milanit mendojnë se ka ardhur momenti i duhur për të përfituar financiarisht nga shitja e Leaos. Për këtë arsye, klubi kuqezi ka vendosur një çmim të panegociueshëm prej 50 milionë eurosh për kartonin e tij.

    Leao ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit në vitet e fundit, duke kontribuar me gola dhe asistime të shumta, por gjithçka tregon se vera e këtij viti mund të shënojë fundin e aventurës së tij në “San Siro”.

  • Casemiro: Fakti që Brazili nuk konsiderohet favorit mund të jetë avantazh për ne

    Casemiro: Fakti që Brazili nuk konsiderohet favorit mund të jetë avantazh për ne

    Mesfushori brazilian Casemiro beson se fakti që Brazili nuk konsiderohet ndër favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës mund të jetë një avantazh për kombëtaren e tij.

    Brazili synon ta fitojë titullin e gjashtë botëror, duke e forcuar edhe më tej rekordin si kombëtarja më e suksesshme në historinë e këtij turneu. Megjithatë, sipas parashikimeve aktuale, Spanja, Franca dhe Anglia konsiderohen favoritët kryesorë për triumfin në Botëror.

    “Ne nuk jemi favoritët kryesorë. Sigurisht që jemi në formë të mirë. Kemi një skuadër të fortë me një kombinim të përvojës dhe talenteve të rinj. Ndoshta këtë herë jemi një hap prapa, por jemi gati dhe kjo është gjithmonë pozitive. Duam t’i afrohemi turneut në formën më të mirë të mundshme dhe të zhvillojmë një Kupë Bote të shkëlqyer”, ka deklaruar Casemiro.

    Duke folur për përgatitjet e ekipit, ai pranoi se kombëtarja braziliane ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të ndryshimeve në drejtim.

    “Ka qenë një periudhë e vështirë me ndryshimin e trajnerit, ndryshimin e presidentit dhe shumë turbulenca. Kemi punuar me trajnerin vetëm për një vit dhe, në realitet, kemi kaluar rreth 40 ditë së bashku. Megjithatë, besoj se po hyjmë në turne në formë të mirë”, u shpreh ai.

    Brazili do ta nisë fushatën e tij në Kupën e Botës në Grupin C, ku do të përballet me Marokun, Haitin dhe Skocinë.

  • Barcelona futet në garë për transferimin e Andrea Cambiasos

    Barcelona futet në garë për transferimin e Andrea Cambiasos

    Mbrojtësi i krahut i Juventus, Andrea Cambiaso, pritet të largohet gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa disa nga klubet më të mëdha evropiane kanë shprehur interesim për transferimin e tij.

    Sipas gazetarit italian Gianluigi Longari, Barcelona po e monitoron nga afër situatën e mbrojtësit italian, por përballë ka konkurrencën e Chelsea dhe Inter Milan.

    Interesimi i Interit nuk vjen si surprizë, pasi klubi zikaltër mund të kërkojë një zëvendësues në rast të largimit të Denzel Dumfries, i cili është lidhur me një transferim te Real Madrid.

    Megjithëse Barcelona aktualisht është e fokusuar në përforcimin e repartit ofensiv, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe opsione për mbrojtjen. E ardhmja e Alejandro Balde dhe Jules Kounde mbetet e paqartë, çka mund ta shtyjë klubin katalanas të investojë në një mbrojtës krahu të nivelit të lartë.

    Nga ana tjetër, Juventusi nuk konsiderohet plotësisht i kënaqur me vazhdimësinë e paraqitjeve të Cambiasos dhe është i gatshëm të dëgjojë oferta për të gjatë verës.

    26-vjeçari zhvilloi 42 ndeshje në të gjitha garat sezonin e kaluar, duke shënuar tre gola dhe duke dhuruar pesë asistime. Kontrata e tij me Juventusin është e vlefshme deri në vitin 2029.

  • Harun Kariq largohet nga Prishtina me marrëveshje të përbashkët

    Harun Kariq largohet nga Prishtina me marrëveshje të përbashkët

    Futbollisti Harun Kariq ka ndarë rrugët me FC Prishtinën, ka njoftuar klubi kryeqytetas përmes kanaleve të tij zyrtare.

    “FC Prishtina njofton se, me marrëveshje të përbashkët, është ndërprerë bashkëpunimi me futbollistin Harun Kariq, i cili nuk do të jetë më pjesë e klubit bardhekaltër.

    Kariq iu bashkua Prishtinës gjatë afatit kalimtar të janarit dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 11 paraqitje në të gjitha garat.

    Klubi e falënderon lojtarin për angazhimin dhe kontributin e dhënë, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës së tij”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës.

    Mesfushori ishte pjesë e skuadrës gjatë gjysmës së dytë të sezonit, ndërsa tani do të kërkojë një sfidë të re në karrierën e tij pas largimit nga klubi bardhekaltër.