ATV

Author: A.M.

  • Prishtina ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha

    Prishtina ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha

    Klubi kryeqytetas, Prishtina, ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Alban Dragusha pas përfundimit të sezonit, duke e falënderuar për kontributin e dhënë në krye të skuadrës.

    Prishtina ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se ndarja ka ardhur me marrëveshje të dyanshme ndërmjet palëve.

    Dragusha mori drejtimin e skuadrës në fazën e fundit të kampionatit, duke udhëhequr bardhekaltrit në 11 ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte i angazhuar në përmbushjen e objektivave të klubit dhe dha kontributin e tij profesional në krye të ekipit.

    Në njoftimin e publikuar, Prishtina ka vlerësuar punën e trajnerit gjatë periudhës së kaluar në klub, duke e falënderuar për angazhimin e treguar dhe duke i uruar suksese në të ardhmen.

    “FC Prishtina njofton se me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me trajnerin Alban Dragusha”, thuhet fillimisht në reagimin e klubit.

    “Dragusha udhëhoqi ekipin tonë në 11 ndeshje gjatë fazës së fundit të kampionatit, duke dhënë kontributin e tij profesional dhe përkushtimin maksimal për klubin”.

    “Klubi e falënderon trajnerin Alban Dragusha për punën dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij”, përfundon njoftimi i klubit.

  • Altin Gjokaj ftohet në Kombëtaren A të Kosovës

    Altin Gjokaj ftohet në Kombëtaren A të Kosovës

    Portieri i Prishtinës, Altin Gjokaj, është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për t’iu bashkuar Kombëtares A të Kosovës gjatë pjesës së mbetur të grumbullimit të Dardanëve.

    Klubi i Prishtinës ka njoftuar se ftesa për Gjokajn erdhi pas shqetësimeve fizike të Arijanet Muriçit gjatë stërvitjes së fundit dhe pamundësisë së Faton Malokut për t’iu bashkuar ekipit kombëtar.

    Gjokaj i bashkohet përfaqësueses pas paraqitjeve të mira me Kosovën U21 dhe me fanellën e Prishtinës. Ai ishte titullar në ndeshjen miqësore ndaj Turqisë U21, ndërsa forma e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re nga stafi teknik i kombëtares.

    Ftesa nga Franco Foda vlerësohet si një shpërblim për punën, përkushtimin dhe paraqitjet e fundit të portierit të talentuar, i cili tashmë ka mundësinë të dëshmojë cilësitë e tij edhe në nivelin më të lartë të futbollit kosovar.

  • Protestat tronditin qytetin e Mexico City-it një javë para nisjes së Kupës së Botës

    Protestat tronditin qytetin e Mexico City-it një javë para nisjes së Kupës së Botës

    Vetëm një javë para fillimit të Kupës së Botës, Qyteti i Meksikos po përballet me valë protestash që kanë shkaktuar kaos në qarkullim dhe shqetësime për autoritetet vendase.

    Mësues, gjykatës në pension dhe përfaqësues të sektorëve të tjerë kanë dalë në rrugë, duke organizuar marshime dhe duke bllokuar disa nga arteriet kryesore të kryeqytetit meksikan. Protestat kanë sjellë vonesa të shumta në trafik, devijime të qarkullimit dhe vështirësi për miliona banorë të qytetit.

    Situata merr rëndësi edhe më të madhe për faktin se më 11 qershor në Qytetin e Meksikos është planifikuar të zhvillohet ndeshja hapëse e Kupës së Botës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Duke përfituar nga vëmendja e madhe ndërkombëtare që ka tërhequr turneu, sindikatat kanë intensifikuar aktivitetet e tyre protestuese.

    Organizatorët e protestave kanë bërë të ditur se veprimet e tyre nuk lidhen me turneun e futbollit, por me kërkesat sociale dhe ekonomike që prej kohësh i kanë adresuar qeverisë. Megjithatë, ata paralajmërojnë se manifestimet mund të përshkallëzohen nëse autoritetet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre.

    Në qendër të pakënaqësive është kërkesa e sindikatës së mësuesve për shfuqizimin e reformës së pensioneve të miratuar në vitin 2007 për punonjësit e sektorit publik, si dhe për rritje pagash. Protestuesit i bëjnë thirrje presidentes Claudia Sheinbaum që të përmbushë premtimet elektorale dhe të nisë dialogun me grupet e interesit.

    Sindikatat kanë paralajmëruar se, në mungesë të një zgjidhjeje, nuk përjashtohet organizimi i protestave të tjera edhe gjatë ditës së ndeshjes hapëse të Botërorit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.

  • Barcelona e sheh Cesc Fabregasin si pasardhësin e Hansi Flick

    Barcelona e sheh Cesc Fabregasin si pasardhësin e Hansi Flick

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka rinovuar së fundmi kontratën e tij me klubin katalunas deri në vitin 2028, me mundësinë e vazhdimit edhe për një sezon tjetër.

    Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat spanjolle, drejtuesit e Barcelonës kanë nisur të mendojnë për të ardhmen dhe tashmë kanë identifikuar kandidatin ideal për të pasuar trajnerin gjerman në stolin e ekipit.

    Sipas Catalunya Radio, ish-mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, është emri që pëlqehet më së shumti nga drejtuesit e klubit për të marrë drejtimin e skuadrës në të ardhmen.

    Fabregas ka bërë një nisje mbresëlënëse në karrierën e tij si trajner. Nën drejtimin e tij, Como ka arritur rezultate të rëndësishme dhe ka fituar vlerësime për stilin atraktiv të lojës dhe progresin e vazhdueshëm të ekipit.

    Paraqitjet e Comos dhe puna e Fabregasit kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, duke e shndërruar spanjollin në një nga trajnerët më të kërkuar të momentit.

    Lidhja e fortë e Fabregasit me Barcelonën mund të luajë një rol vendimtar në një rikthim të mundshëm në “Camp Nou”. Ai është produkt i akademisë së famshme La Masia dhe gëzon marrëdhënie shumë të mira me presidentin Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco.

    Edhe pse Flick sapo ka siguruar të ardhmen e tij në Barcelonë për disa vite të tjera, drejtuesit katalunas duket se po planifikojnë me kujdes vazhdimësinë e projektit sportiv, duke e konsideruar Fabregasin si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e skuadrës kur të vijë koha për ndryshim.

  • Tensione në ndeshjen Shqipëri–Izrael-Vërshëllima gjatë himnit dhe përplasje mes lojtarëve

    Tensione në ndeshjen Shqipëri–Izrael-Vërshëllima gjatë himnit dhe përplasje mes lojtarëve

    Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit, e zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, u karakterizua nga tensione si në tribuna ashtu edhe në fushën e lojës. Takimi përfundoi me fitoren minimale 1-0 të izraelitëve.

    Atmosfera ishte e ndezur që para fillimit të ndeshjes. Gjatë interpretimit të himnit kombëtar të Izraelit, një pjesë e konsiderueshme e tifozëve shqiptarë të pranishëm në stadium reaguan me vërshëllima, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në tribunat e “Air Albania”.

    Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 73-të nga Oscar Gloukh. Pas realizimit, futbollisti izraelit festoi pranë vijës anësore, duke bërë gjeste në drejtim të tifozëve shqiptarë.

    Ky veprim shkaktoi reagimin e menjëhershëm të mbrojtësit shqiptar Elsid Hysaj, i cili u afrua drejt Gloukhit, ndërsa situata rrezikoi të përshkallëzohej në një përplasje më serioze. Megjithatë, ndërhyrja e futbollistëve të të dyja skuadrave dhe e gjyqtarit bëri që incidenti të qetësohej shpejt.

    Si pasojë e përplasjes, gjyqtari ndëshkoi me karton të verdhë si Oscar Gloukh ashtu edhe Elsid Hysaj. Këto ishin kartonët e vetëm të treguar gjatë gjithë ndeshjes.

    Pamjet e vërshëllimave gjatë himnit dhe tensioneve pas golit kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë pasqyruar gjerësisht ngjarjet që shoqëruan këtë miqësore në kryeqytetin shqiptar.

  • Surpriza në Roland Garros-Eliminohet numri 1 në botë Aryna Sabalenka

    Surpriza në Roland Garros-Eliminohet numri 1 në botë Aryna Sabalenka

    Turneu prestigjioz i Roland Garros vazhdon të sjellë rezultate befasuese në fushat me dhe të kuq në Paris.

    Surpriza më e madhe erdhi në konkurrencën e femrave, ku numri 1 në botë, Aryna Sabalenka, u eliminua në çerekfinale nga rusja Diana Shnaider me rezultat 2-1 në sete (3-6, 7-5, 6-0).

    Bjellorusja ishte shumë pranë kualifikimit, pasi në setin e dytë kryesonte 5-3 dhe i nevojitej vetëm edhe një “game” për të mbyllur ndeshjen. Megjithatë, Sabalenka pësoi një rënie të papritur në lojë, duke humbur dhjetë “game” radhazi dhe duke i dhënë mundësinë Shnaiderit të përmbysë gjithçka.

    Në gjysmëfinale, Diana Shnaider do të përballet me polaken Maya Chwalinska, e cila siguroi kualifikimin pasi mposhti rusen Anna Kalinskaya me rezultat 2-0 në sete (7-6, 6-3).

    Në konkurrencën e meshkujve, një vend në gjysmëfinale e siguroi italiani Matteo Arnaldi. Ai përfitoi nga tërheqja e bashkëkombësit të tij Matteo Berrettini për shkak të një dëmtimi, në momentin kur rezultati ishte 7-5, 5-2 në favor të Arnaldit.

    Në gjysmëfinale, Arnaldi do të ndeshet me një tjetër italian, Flavio Cobolli, i cili triumfoi ndaj kanadezit Felix Auger-Aliassime me rezultat 3-1 në sete (4-6, 6-4, 6-4, 6-4).

    Roland Garros po hyn në fazën vendimtare, ndërsa surprizat dhe eliminimet e favoritëve vazhdojnë të jenë tema kryesore e turneut

  • KF Fushë Kosova i jep lamtumirën futbollistit Leonit Aliu

    KF Fushë Kosova i jep lamtumirën futbollistit Leonit Aliu

    Futbolli kosovar është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit Leonit Aliu. Pas konfirmimit të lajmit, KF Fushë Kosova ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke i dhënë lamtumirën njërit prej futbollistëve të klubit.

    Aliu është konfirmuar si njëri nga dy të rinjtë nga Kosova që humbën jetën tragjikisht të mërkurën në plazhin “Rana e Hedhun” në Shëngjin, pasi u përfshinë nga dallgët e fuqishme të detit.

    Në reagimin e tij, klubi ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit, duke e përshkruar atë si një djalë të sjellshëm, të buzëqeshur dhe plot energji pozitive.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë. Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona. U prehsh në paqe, Leonit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga KF Fushë Kosova.

    Vdekja e parakohshme e Leonit Aliut ka shkaktuar pikëllim të madh te bashkëlojtarët, miqtë, familjarët dhe i gjithë komuniteti sportiv në Kosovë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e tij në këto momente të vështira.

    Postimi i plotë i KF Fushë Kosovës:

    “Lamtumirë, Leonit Aliu.

    Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë.

    Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona.

    U prehsh në paqe, Leonit.”

  • Real Madridi aktivizon klauzolën e Dumfries-Transferimi drejt finalizimit

    Real Madridi aktivizon klauzolën e Dumfries-Transferimi drejt finalizimit

    Real Madridi ka njoftuar zyrtarisht Interin se do të aktivizojë klauzolën e lirimit për mbrojtësin e djathtë holandez, Denzel Dumfries.

    Drejtuesit e klubit madrilen i kanë dërguar klubit italian të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke nisur procedurat për transferimin e futbollistit në “Santiago Bernabéu”.

    Sipas raportimeve, Dumfries i ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore në Holandë gjatë ditës së sotme dhe tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes me gjigantin spanjoll.

    Interi do të përfitojë rreth 20 milionë euro nga shitja e mbrojtësit, aq sa parashikon klauzola e lirimit në kontratën e tij.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, i cili ka bërë të ditur se marrëveshja tashmë është mbyllur dhe se transferimi është vetëm çështje formalitetesh.

    Me ardhjen e Dumfries, Real Madridi pritet të fitojë më shumë shpejtësi, forcë fizike dhe agresivitet në krahun e djathtë, një repart ku skuadra ka kërkuar përforcime prej kohësh.

    Tifozët madrilenë tashmë presin prezantimin zyrtar të holandezit në stadiumin “Santiago Bernabéu”, i cili pritet të zhvillohet gjatë ditëve të ardhshme.

  • New York Knicks fitojnë ndeshjen e parë të finaleve të NBA-së ndaj San Antonio Spurs

    New York Knicks fitojnë ndeshjen e parë të finaleve të NBA-së ndaj San Antonio Spurs

    New York Knicks kanë mposhtur San Antonio Spurs me rezultat 105:95 në ndeshjen e parë të serisë finale të NBA-së, e zhvilluar në “Frost Bank Center”, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion.

    Spurs e nisën më mirë takimin dhe e mbyllën çerekun e parë me epërsi 27:19. Ekipi vendas ruajti avantazhin edhe gjatë pjesës së parë, e cila përfundoi me rezultatin 55:48 në favor të San Antonios.

    Megjithatë, në pjesën e dytë Knicks ndryshuan ritmin e lojës. Ata fillimisht barazuan rezultatin në çerekun e tretë, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit morën kontrollin e plotë të ndeshjes dhe siguruan fitoren pa shumë vështirësi në minutat përmbyllëse.

    Më i dalluari te Knicks ishte Jalen Brunson me 30 pikë, ndërsa mbështetje të madhe dha edhe Karl-Anthony Towns, i cili realizoi një “double-double” me 18 pikë dhe 12 kërcime.

    Në anën tjetër, Victor Wembanyama ishte lojtari më i mirë i Spurs me 26 pikë dhe 12 kërcime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e skuadrës së tij.

    Ndeshja e dytë e serisë finale do të luhet natën mes së premtes dhe së shtunës, me fillim nga ora 02:30 sipas kohës sonë, sërish në San Antonio.

  • Napoli konfirmon blerjen përfundimtare të Rasmus Hojlund

    Napoli konfirmon blerjen përfundimtare të Rasmus Hojlund

    Napoli ka konfirmuar zyrtarisht transferimin përfundimtar të sulmuesit danez Rasmus Hojlund nga Manchester United, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet e marrëveshjes së huazimit me të drejtë blerjeje.

    Klubi napolitan njoftoi sot se 23-vjeçari do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës në mënyrë të përhershme.

    “Napoli njofton se janë përmbushur kushtet për blerjen përfundimtare të të drejtave sportive të Rasmus Hojlund nga Manchester United”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.

    Napoli kujtoi gjithashtu kontributin e sulmuesit danez gjatë sezonit të kaluar. Hojlund shënoi në debutimin e tij më 13 shtator në fitoren 3-1 ndaj Fiorentinës në “Artemio Franchi” dhe e mbylli sezonin me 16 gola në 44 ndeshje në të gjitha garat.

    Ai pati rol të rëndësishëm edhe në triumfin e Napolit në Superkupën e Italisë, duke shënuar në gjysmëfinalen ndaj Milanit.

    Sipas marrëveshjes, Napoli kishte paguar 6 milionë euro për huazimin njëvjeçar, ndërsa tani do të paguajë edhe 44 milionë euro të tjera për ta blerë përfundimisht.

    Për Hojlund, ky është rikthimi i dytë në Serie A, pasi më parë kishte luajtur te Atalanta, ku shënoi 10 gola në 34 ndeshje, para transferimit te Manchester United në vitin 2023.

    Gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”, ai realizoi 26 gola në 95 paraqitje me Manchester United.

    Napoli e siguroi aktivizimin e klauzolës së blerjes pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

    Klubi napolitan e mbylli sezonin 2025/26 në vendin e dytë në Serie A dhe fitoi Superkupën e Italisë, ndërsa në ditët në vijim pritet të zyrtarizojë edhe trajnerin e ri, Massimiliano Allegri, pas largimit të Antonio Contes.