ATV

Author: A.M.

  • Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Sebastian Beccacece është shndërruar në heroin e ri të Ekuadorit, pasi udhëhoqi kombëtaren drejt kualifikimit historik në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Fitorja 2:1 ndaj Gjermanisë ndryshoi plotësisht atmosferën rreth trajnerit argjentinas, i cili vetëm pak ditë më parë ishte objekt kritikash të ashpra nga tifozët.

    Menjëherë pas golit të fitores, Beccacece u ngjit në tribunat e stadiumit për të festuar me bashkëshorten e tij, Patricia Persson. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u rikthye sërish pranë saj, ku momentet e përqafimeve dhe emocioneve u bënë simbol i një suksesi të shumëpritur.

    Ky triumf vjen pas një periudhe të vështirë. Barazimi pa gola ndaj Kuraçaos dhe kritikat pas ndeshjeve të para kishin krijuar tension të madh rreth kombëtares. Madje, bashkëshortja e trajnerit kishte reaguar ndaj ofendimeve të tifozëve, duke u përballur me ta nga tribuna.

    “Më vjen keq që nuk kam arritur të hyj në zemrat e tifozëve ekuadorianë. Ndoshta nuk jemi lidhur, por e pranoj këtë”, kishte deklaruar Beccacece pas një prej ndeshjeve që shkaktoi pakënaqësi.

    Megjithatë, fitorja ndaj Gjermanisë ndryshoi gjithçka. Ekuadori siguroi kalimin në fazën tjetër, ndërsa trajneri fitoi besimin e tifozëve dhe respektin e opinionit sportiv.

    Historia personale e Beccacece është po aq frymëzuese sa edhe suksesi i tij në stol. Ai nuk arriti kurrë të bëhej futbollist profesionist dhe në moshën 17-vjeçare punonte duke shitur produkte pastrimi për të ndihmuar familjen. Në të njëjtën kohë nisi rrugëtimin si trajner, duke stërvitur fëmijë të vegjël.

    Licencën e trajnerit e përfundoi përmes studimeve në distancë, ndërsa shansin e parë të madh e mori falë Jorge Sampaolit. Për t’iu bashkuar stafit të tij në Peru, Beccacece udhëtoi plot tri ditë me autobus, pasi nuk kishte mundësi të paguante biletën e avionit.

    Për shumë vite ai ishte krahu i djathtë i Sampaolit, me të cilin fitoi Kupën e Amerikës me Kilin dhe mori pjesë në Kupën e Botës me Argjentinën. Gjatë asaj periudhe pati edhe një përplasje të njohur me Lionel Messin në një seancë stërvitore.

    Sot, Beccacece është një nga trajnerët më të vlerësuar të futbollit në Amerikën e Jugut. Nga një djalosh që ëndërronte futbollin, por nuk arriti ta luante në nivel profesional, ai është bërë njeriu që udhëhoqi Ekuadorin drejt një prej sukseseve më të rëndësishme në historinë e tij.

  • Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Ka nisur të premten në Qingdao të Kinës gara Grand Prix e xhudos, ku në ditën e parë u paraqitën tri garuese nga Kosova. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë një vend në luftën për medalje.

    Në kategorinë deri në 48 kilogramë, Erza Muminoviq e nisi me fitore garën, pasi mposhti Su Yon Jon nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ajo u eliminua në xhiron e dytë, pasi u mposht nga xhudistja vendase, Wenna Zhuang.

    Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Fatjona Kasapi u ndal që në luftën e parë, duke u mposhtur nga gjermania Mascha Ballhaus, bartësja e parë e kategorisë.

    Ndërkohë, edhe Flaka Loxha u eliminua në paraqitjen e saj të parë në kategorinë deri në 57 kilogramë, pasi u mposht nga Maysa Pardayeva e Turkmenistanit.

    Garat për Kosovën vazhdojnë të shtunën, kur në tatami do të zbresin Laura Fazliu dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar rezultate pozitive në Grand Prix-in e Qingdaos.

  • Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Transferimi i Denzel Dumfries nga Interi te Real Madridi është praktikisht i përfunduar, ndërsa mbetet vetëm njoftimi zyrtar nga klubi spanjoll.

    Sipas raportimeve, marrëveshja mes dy klubeve është arritur prej javësh dhe kap vlerën e 20 milionë eurove. Megjithatë, Real Madridi ende nuk e ka bërë zyrtar transferimin e mbrojtësit holandez.

    Sipas mediumit spanjoll OK Diario, arsyeja e kësaj vonese lidhet me aspektin financiar. Real Madridi synon ta shtyjë zyrtarizimin deri më 1 korrik, në mënyrë që transferimi të regjistrohet në vitin financiar 2026/27 dhe jo në 2025/26.

    Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit synojnë të mbajnë të paprekur bilancin aktual financiar dhe të kenë më shumë fleksibilitet sa i përket limitit të kostos së skuadrës, sipas rregullave të La Ligës për sezonin e ardhshëm.

    Dumfries, i cili pritet t’i bashkohet “Los Blancos”, ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2030.

  • Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka raportuar se Manchester City ka arritur marrëveshje të plotë me Nottingham Forest për transferimin e Elliot Anderson.

    Mesfushori 23-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.

     

    Anderson tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera te Nottingham Forest gjatë sezonit të kaluar, çka i siguroi edhe një vend në ekipin kombëtar. Tashmë, ai duket se është gati të bëjë hapin më të madh të karrierës.

     

    Sipas Romanos, Manchester City do t’i paguajë Nottingham Forestit 135 milionë euro, ndërsa me bonuset marrëveshja mund të arrijë deri në 150 milionë euro. Testet mjekësore pritet të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

     

    Nëse transferimi finalizohet me këto shifra, City do të vendosë një rekord të ri për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, duke kaluar shumën prej 117.5 milionë eurosh të paguar për Jack Grealish nga Aston Villa.

     

    Gjithashtu, marrëveshja pritet të vendosë edhe një rekord të ri në Ligën Premier, duke tejkaluar transferimin e Alexander Isak.

     

    Anderson është produkt i akademisë së Newcastle United dhe iu bashkua Nottingham Forestit në vitin 2024 për 41 milionë euro. Që atëherë, ai ka zhvilluar paraqitje mbresëlënëse, ndërsa deri më tani numëron 11 ndeshje me kombëtaren e Anglisë.

  • Vincenzo Montella krenar me Turqinë pas fitores ndaj SHBA-së: Kthehemi në shtëpi me kokën lart

    Vincenzo Montella krenar me Turqinë pas fitores ndaj SHBA-së: Kthehemi në shtëpi me kokën lart

    Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka shprehur krenarinë për paraqitjen e skuadrës së tij në Kupën e Botës, duke theksuar se ekipi largohet nga turneu me kokën lart, pavarësisht eliminimit.

    Turqia mposhti Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 3:2 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por fitorja nuk mjaftoi për të siguruar kualifikimin, pasi humbjet në dy takimet e para kishin shuar shpresat për avancim.

    “Mund të kthehemi në shtëpi me kokën lart. Futbolli dhemb, por në fund të ndeshjes u emocionova. Kjo ndeshje vlen më shumë se një mijë fitore”, deklaroi tekniku italian.

    Montella theksoi se Turqia krijoi shumë raste gjatë Kampionatit Botëror, por nuk arriti t’i konkretizonte ato në momentet vendimtare.

    Ai refuzoi të fajësojë lojtarë të veçantë për rastet e humbura, duke shtuar se skuadrës së tij i mungoi edhe fati në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve.

    Pjesëmarrja në këtë Botëror kishte një rëndësi të veçantë për Turqinë, e cila u rikthye në skenën më të madhe të futbollit pas 24 vjetësh. Kualifikimin e siguroi në Prishtinë, pasi mposhti Kosovën në finalen e plejofit.

  • Sonte vëmendja tek ndeshja Norvegji-Francë dhe Uruguaj-Spanjë

    Sonte vëmendja tek ndeshja Norvegji-Francë dhe Uruguaj-Spanjë

    Faza e grupeve në botëror po hyn në fazën e fundit,ku sonte dhe nesër përcaktohen edhe skuadrat tjera që do të kalojnë në raundin e 32-të.

    Vëmendja kryesore pritet të jetë në grupin I,ku Norvegjia dhe Franca të cilat e siguruan kualifikimin më tutje do të takohen në ndeshjen e cila pritet të përcaktoj liderin në grupin I,teksa ndeshja tjetër pritet të jetë ajo ndërmjet Senegalit dhe Irakut ku senegalezët synojnë fitore të thellë për të siguruar kalimin tutje në mesin 8 skuadrave më të mira nga vendet e treta.

    Të dyja ndeshjet pritet të nisin nga ora 21:00.

    Në anën tjetër ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet në grupin H ndërmjet Uruguajit dhe Spanjës,ku të dyja skuadrat do të tentojnë që të marrin 3 pikë për të siguruar kalimin në raundin e 32-të sidomos Uruguaji e cila pas 2 ndeshjeve ka vetëm 2 pikë dhe fitorja është e vetmja mundësi për dy herë kampionët e botës.

    Në anën tjetër befasia e këtij botërori Kepi i Gjelbër do të tentoj që me një fitore kundër Arabisë Saudite të siguroj kualifikimin në raundin tjetër,dhe atë qysh në pjesëmarrjen e parë.

    Të dyja ndeshjet pritet të zhvillohen në ora 2 pasmesnate.

    Në orët e para të mëngjesit të së shtunës konkretisht në 4 të mëngjesit do të zhvillohen edhe takimet e fundit të grupit G,ku Belgjika do të tentoj fitoren për të siguruar kalimin në fazën e eliminimit direkt,teksa ndeshje e fortë pritet të jetë edhe ajo ndërmjet Egjiptit dhe Iranit ku poashtu do të vendoset për njërën skuadrër sa i përket cështjes së kualifikimit.

  • Pedro Neto: Portugalia nuk varet nga Cristiano Ronaldo

    Pedro Neto: Portugalia nuk varet nga Cristiano Ronaldo

    Sulmuesi anësor i Portugalisë, Pedro Neto, ka hedhur poshtë pretendimet se kombëtarja portugeze varet tërësisht nga Cristiano Ronaldo, duke theksuar se skuadra ka një identitet të qartë loje dhe krijon raste për të gjithë futbollistët.

    Ronaldo iu përgjigj kritikave me dy gola në fitoren bindëse 5-0 ndaj Uzbekistanit në fazën e grupeve të Kupës së Botës, pasi në ndeshjen hapëse kundër Republikës Demokratike të Kongos nuk arriti të shënonte apo të regjistronte asist, në barazimin 1-1.

    Paraqitja e tij në ndeshjen e parë nxiti diskutime nëse Portugalia është tepër e varur nga ylli i Al Nassr, por Neto nuk ndan të njëjtin mendim.

    “Cristiano është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, por mendoj se fjala ‘varësi’ është e tepruar. E dimë se nëse topi mbërrin te ai brenda zonës së penalltisë, ka shumë gjasa që ai të shënojë. Megjithatë, ne punojmë për të krijuar raste për çdo lojtar në fushë”, deklaroi Neto.

    Ai shtoi se Portugalia ka filozofinë dhe taktikat e saj të lojës, ndërsa besimi te Ronaldo mbetet i plotë.

    “Nuk mendoj se varemi nga Cristiano. Ne kemi stilin tonë të lojës, por sigurisht që kemi besim të madh tek ai”, përfundoi sulmuesi portugez.

  • Botërori 2026 vendos rekord: 100 gola më shpejt se çdo edicion që nga viti 1958

    Botërori 2026 vendos rekord: 100 gola më shpejt se çdo edicion që nga viti 1958

    Kupa e Botës 2026 ka hyrë në histori si edicioni që ka arritur më shpejt shifrën e 100 golave që nga viti 1958. Goli i 100-të i turneut u shënua nga sulmuesi holandez Cody Gakpo, në fitoren 5–1 të Përfaqësuesja e Holandës në futboll ndaj Suedisë, dhe erdhi në ndeshjen e 33-të të kompeticionit.

    Vetëm Botërori i vitit 1954 në Zvicër ka qenë më i shpejtë për arritjen e kësaj shifre, duke e kaluar 100-golëshin në vetëm 20 ndeshje.

    Aktualisht, turneu që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada po regjistron një mesatare prej 3.09 golash për ndeshje dhe është në rrugë për të kaluar shifrën e 300 golave deri në fund të kompeticionit.

    Një nga temat më të diskutuara është edhe topi zyrtar i Adidas, i quajtur “Trionda”, për të cilin disa portierë kanë shprehur vështirësi në kontroll për shkak të shpejtësisë dhe trajektores së tij të paparashikueshme.

    Ish-portierë si Joe Hart dhe Paul Robinson kanë vënë në dukje se sjellja e topit në disa raste është e vështirë për t’u parashikuar, duke rikthyer debatet e ngjashme me Botërorin 2010.

    Një tjetër faktor që po ndikon në shumë gola është edhe formati i ri me 48 skuadra, ku disa ekipe debutuese si Kepi i Gjelbër, Curaçao, Jordania dhe Uzbekistani po përballen me nivele më të forta kundërshtarësh.

    Rezultate të thella si 7–1 dhe 6–0 tregojnë diferencën në disa ndeshje, edhe pse shumë skuadra kanë treguar paraqitje konkurruese.

    Trajneri Thomas Frank ka theksuar se jo të gjitha ndeshjet janë dominuar plotësisht, por ka pasur një balancë më të mirë në shumë prej tyre.

    Temperaturat e larta në Amerikën e Veriut dhe lodhja fizike po ndikojnë gjithashtu në ndeshje, me rreth 29% të golave të shënuar pas minutës së 76-të.

    Gabimet individuale dhe humbjet e topit janë shtuar, ndërsa ndërprerjet për hidratim po shfrytëzohen nga trajnerët për korrigjime taktike, duke ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës.

  • Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll, e njohur si “Dardanët”, po vazhdon përgatitjet për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029 me dy ndeshje miqësore ndaj Arabisë Saudite në basketboll.

    Dy përballjet do të zhvillohen në Stamboll të Turqisë. Ndeshja e parë është të hënën në orën 18:30, ndërsa e dyta të martën në orën 17:00.

    Këto ndeshje miqësore janë shumë të rëndësishme për përzgjedhësin Bujar Loci dhe stafin teknik, të cilët do të vlerësojnë formën e lojtarëve dhe do të testojnë skemat taktike para sfidave zyrtare.

    Në veçanti, këto përballje shërbejnë si test për të parë gjendjen fizike, bashkëpunimin mes lojtarëve dhe për të përmirësuar aspektet e lojës para ndeshjeve vendimtare, përfshirë edhe përballjet me Shqipërinë.

    Kosova synon të jetë sa më e përgatitur për fazën kualifikuese dhe të paraqitet me rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare të basketbollit.

  • Ballkani zyrtarizon rikthimin e Edvin Kuç

    Ballkani zyrtarizon rikthimin e Edvin Kuç

    FC Ballkani ka zyrtarizuar rikthimin e një prej figurave më të rëndësishme të klubit suharekas, ish-kapitenit Edvin Kuç.

    Mesfushori rikthehet pas një aventure dyvjeçare në Azerbajxhan, duke u bashkuar sërish me ekipin ku la gjurmë të forta në sukseset e viteve të fundit.

    Klubi suharekas e ka bërë të ditur lajmin përmes kanaleve zyrtare, duke e mirëpritur rikthimin e një lojtari që ka qenë pjesë e gjeneratës më të suksesshme në histori të klubit.

    Kuç ka qenë një nga shtyllat e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, ku ka fituar tre tituj kampion, një Superkupë dhe ka marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

    Rikthimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për ambiciet e reja të Ballkanit në garat vendore dhe ndërkombëtare.