ATV

Author: A.H.

  • KQZ thirrje votuesve: Në këtë platformë mund ta gjeni qendrën ku do të votoni

    KQZ thirrje votuesve: Në këtë platformë mund ta gjeni qendrën ku do të votoni

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku është caktuar të votojë.

    Për t’u qasur në platformën e KQZ-së, votuesi duhet të shënojë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes. Pas kësaj menjëherë do të hapet një faqe e re që do të shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë, e cila mund të shikohet përmes GoogleMap.

    Çdo votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i caktuar, pasi në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë.

    Gjithashtu, edhe votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mundësohet në qendrën e veçantë për votim me kusht e cila është caktuar nga KQZ.

    Në çdo komunë, KQZ ka caktuar nga një Qendër Votimit për mundësimin e votimit me kusht./ATVLIVE/

  • Sekuestrohen tableta, telefona dhe medikamente në Morinë me vlerë mbi 500 mijë euro

    Sekuestrohen tableta, telefona dhe medikamente në Morinë me vlerë mbi 500 mijë euro

    Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tarifa”, duke parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mallrave të akcizës drejt Kosovës.

    Në njoftimin për media, Policia bën të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar mallra të ndryshme me një vlerë totale prej rreth 54.350.000 lekësh, si dhe dy automjete që u përdorën për transportimin e tyre.

    Po ashtu, janë arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aktivitetin e paligjshëm.

    “Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L., dhe automjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F. M.,” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas të njëjtit burim, gjatë kontrollit të automjeteve janë zbuluar sasi të konsiderueshme mallrash të ndaluara për tregtim:

    Në automjetin “Volkswagen” me drejtues F. M. u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 celularë.

    Në furgonin e drejtuar nga B. L. u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kilogramë.

    Të gjitha mallrat, me vlerë totale prej 54.350.000 lekësh, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy automjetet.

    Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë rast kontrabande./ATVLIVE/

  • Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj është operuar pas një lëndimi në këmbë.

    Në një postim në rrjetet sociale, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se ditët e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë për të dhe familjen e tij, por se tashmë po rikuperohet gradualisht.

    “Pas një lëndimi të rëndë në këmbë, për të cilin u desh të operohesha, ditët e fundit kanë qenë një periudhë jo e lehtë për mua dhe familjen time. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë dhe po rikuperohem gradualisht”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka shprehur mirënjohje për kujdesin dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët, miqtë dhe kolegët, duke falënderuar gjithashtu mjekët dhe stafin shëndetësor për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

    “Faleminderit nga zemra secilit prej jush për afërsinë dhe përkujdesjen që keni treguar”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • Gjykata thirrje deputetëve: Çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi bie ndesh me frymën e Kushtetutës

    Gjykata thirrje deputetëve: Çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi bie ndesh me frymën e Kushtetutës

    Gjykata Kushtetuese po u bënë thirrje deputetëve të kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas Ligjeve të Republikës.

    Sipas aktvendimit të saj të plotë të nxjerrë sot për publikun, thuhet se çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

    ”Gjykata përsërit që përderisa funksionimi demokratik i institucioneve shtetërore është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike, të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizim publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar. Sipas Gjykatës çdo pengesë ose mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrimeve dhe autorizimeve kushtetuese, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës (shih, rastin e Gjykatës KO72/20, parashtrues Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i 30 prillit 2020, paragrafët 476-478 dhe KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 107)”.

    Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

     

  • Siguria në Kosovë e rajon, vlerësohet lart roli i Britanisë

    Siguria në Kosovë e rajon, vlerësohet lart roli i Britanisë

    Komandanti i Forcave Paqëruajtëse në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, e ka pritur sot në takim përfaqësuesin ushtarak të Britanisë në NATO, Gjenerallejtnant, Sir Ian Cave.

    Në këtë takim, dy gjeneralët diskutuan rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu u theksua roli i KFOR-it në rritjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e një dialogu politik konstruktiv.

    “Gjeneral Ulutash shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vlefshme të Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim./ATVLIVE/

  • Qeveria do të subvencionojë energjinë elektrike për familjet me të ardhura nën 600 euro

    Qeveria do të subvencionojë energjinë elektrike për familjet me të ardhura nën 600 euro

    Në mbledhjen e 270-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se do të vazhdojë mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta në pagesën e energjisë elektrike.

    “Për mbrojtjen e konsumatorëve në energjinë elektrike, të gjitha ato familje që të ardhurat e katër anëtarëve janë më pak se 600 euro në muaj, një pjesë e energjisë elektrike subvencionohet nga shteti, drejtpërdrejt në faturë. Nuk ka ndryshuar kriteret nga hera e kaluar, dhe së shpejti do të hapet aplikimi,” tha Murati.

    Ky subvencion është pjesë e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit të Cenueshëm të Energjisë Elektrike, që synon të lehtësojë barrën ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta gjatë sezonit të dimrit.

    Mbledhja e Qeverisë në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po vazhdon me shqyrtimin e disa pikave që përfshijnë ndihmat sociale, projektet infrastrukturore dhe programet për zhvillimin ekonomik./ATVLIVE/

  • Qeveria Kurti ua ndan studentëve nga 100 euro

    Qeveria Kurti ua ndan studentëve nga 100 euro

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ndarjen e nga 100 eurove për studentët.

    Ai gjithashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se sot do ta miratojnë edhe bursën e mobilitetit për studentet në nivelin bachelor, për t’i mbështetur studentët që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

    Kurti ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.

    Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.

    Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    “Tagme e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai./ATVLIVE/

  • Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për Kosovën: Akuza të pabaza, s’mund ta rishkruani historinë

    Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për Kosovën: Akuza të pabaza, s’mund ta rishkruani historinë

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar, pas pretendimeve të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila ka hedhur akuza për pastrim etnik të serbëve në veriun e Kosovës.

    Në një komunikatë zyrtare, MEPJ i konsideron këto pretendime si fabrikime të pabaza dhe thekson nevojën për bashkëpunim dhe pajtim rajonal.

    Rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit”, thuhet në komunikatën e MEPJ.

    Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh keqardhje për përpjekjet për të rikthyer tensionet dhe për të përdorur histori të kaluara për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës, duke rikujtuar ngjarjet tragjike të vitit 1999 dhe shkaktarët e vërtetë të tyre. “Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.”

    MEPJ thekson se pretendimet e Serbisë mbështeten mbi një raport tashmë të diskredituar dhe që nuk përmban prova faktike, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë historike.

    Në këtë frymë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e saj se vetëm përmes pajtimit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit mund të ndërtohet një Ballkan i sigurt dhe i zhvilluar.

    “Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet – një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane”.

    Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, duke u ofruar fqinjëve miqësinë dhe përkushtimin e saj për një të ardhme të përbashkët.

    “Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”.

    Deklarata e plotë:

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 7 tetor 2025

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes. Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

    Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.

    Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.

    Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

    Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.

    Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.

  • Belgjika synon marrëveshje për burgjet me Kosovën, Osmani takon dy ministre

    Belgjika synon marrëveshje për burgjet me Kosovën, Osmani takon dy ministre

    Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të martën ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

    Takimi është zhvilluar në objektin e Presidencës, ku mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Sipas mediumit belg “Belga News Agency”, dy ministret e këtij vendi kanë filluar të hënën misionin diplomatik treditor në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vizitë përqendrohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

    Siç raportohet, për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve, qeveria belge po e shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shkelësit jo-rezidentë.

    Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime në lidhje me ndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Kosovë ose Shqipëri, si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të kthehen në thesarin belg.

    Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh mbi ndihmën e ndërsjellë juridike për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor afatgjatë.

    Sipas Verlinden, Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet penale belge si qendër për pastrim parash, trafikim njerëzor dhe kontrabandë armësh.

    “Ballkani Perëndimor është tani një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar”, ka theksuar tutje ajo.

    Një marrëveshje për shfrytëzim të burgut në Gjilan, Kosova e ka nënshkruar tashmë me Danimarkën.

    Kjo marrëveshje parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

    Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

  • Jashari takon zyrtarin e NATO-s, flasin për avancimin e kapaciteteve të FSK-së

    Jashari takon zyrtarin e NATO-s, flasin për avancimin e kapaciteteve të FSK-së

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Përfaqësuesin Ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar në NATO, Gjenerallejtënant Ian Cave.

    Gjatë takimit, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje kolegut britanik dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ofron Kosovës, si në aspektin bilateral, ashtu edhe përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

    Sipas njoftimit në Facebook, Gjeneral Jashari dhe Gjeneralin Cave diskutuan mbi të arriturat e FSK-së, planin e tranzicionit dhe që fokusi i komandantit për sa i përket këtij plani është ngritja e kapaciteteve të plota operacionale dhe që FSK të jetë një kontribuuese e rëndësishme e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

    “Gjenerali Cave e falënderoi Gjeneral Jasharin për pritjen dhe e përgëzoi për zhvillimin e FSK-së në ngritjen e kapaciteteve të saj. Të dy gjeneralët gjithashtu biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
    Ky takim nënvizoi edhe një herë përkushtimin e përbashkët për avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e pozicionuar atë si një komponent thelbësor të sistemit të sigurisë euro-atlantike dhe duke rritur besimin në integrimin e saj në strukturat e NATO-s”, shkruhet në njoftimin e FSK-së në Facebook./ATVLIVE/