ATV

Author: A.H.

  • Osmani e çon ne vend kërkesën e Kurtit,  ia jep mandatin Konjufcës për ta formuar Qeverinë

    Osmani e çon ne vend kërkesën e Kurtit, ia jep mandatin Konjufcës për ta formuar Qeverinë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër, pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Osmani gjatë një konference për media, ka thënë se ky mandatim është në përputhje me Kushtetutën dhe tri aktgjykimet.

    Po ashtu, ajo tha se me aktgjykim ka përgjegjësi ta ruajë stabilitetin e vendit për shmangien e zgjedhjeve.

    “Sot në përputhje me kushtetutën, në përputhje me tri aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar z. Glauk Konjfuca kandidat për kryeministër. Mandatimi i z. Konjufca është me përgjegjësinë tjetër që gjykata ia ka dhënë presidencës në po të njëjtat aktgjykime, respektivisht që presidentja të ruajë stabilitetin vendit, duke shamngur zgjedhjet”, ka thënë Osmani.

    Ajo tha se nuk ka diskrecion në këtë çështje, pos nëse do të kishte edhe të propozuar tjerë, duke shtuar se nuk ka pos propozimit të Vetëvendosjes.

  • VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër

    VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër

    Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.

    Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.

    Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.

    “Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.

    Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

  • FSK pjesë e operacionit në Britani për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina

    FSK pjesë e operacionit në Britani për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina

    Forca e Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar se ajo është duke marrë pjesë në Operacionin Interflex ë Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina. Kësisoj, FSK është duke ndihmuar në stërvitjen e përbashkët për t`u përballur me agresionin rus në Ukrainë.

    Në njoftim shtohet se FSK është duke operuar me kontingjentin e katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në operacionin Interflex, ku i është bashkangjitur Kompaninë Echo e cila udhëhiqet nga njësia nga Zelanda e Re, kompani e cila përbëhet nga 4 njësi nga shtete të ndryshme Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania.

    ‘‘Kontingjenti i FSK është duke kryer detyrat e planifikimit, përgatitjet e nevojshme logjistike dhe ekzekutimi i kurseve 5-javore për forcat ukrainase. Gjatë periudhës së angazhimit, Kompania Echo ka përfunduar gjithsej tri kurse të trajnimit për forcat ukrainase’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi:

    FSK e ndërveprueshme me partnerët në Operacionin Interflex

    Forca e Sigurisë së Kosovës me kapacitetet e saj është duke dhënë kontribut në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina duke ndihmuar kështu në stërvitjen e përbashkët me partnerët për t`u përballur me agresionin rus në Ukrainë.

    FSK është duke operuar me kontingjentin e katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në operacionin Interflex, ku i është bashkangjitur Kompaninë Echo (e udhëhequr nga njësia nga Zelanda e Re). Kjo kompani përbëhet nga 4 njësi nga shtete të ndryshme (Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania).

    Kontingjenti i FSK është duke kryer detyrat e planifikimit, përgatitjet e nevojshme logjistike dhe ekzekutimi i kurseve 5-javore për forcat ukrainase. Gjatë periudhës së angazhimit, Kompania Echo ka përfunduar gjithsej tri kurse të trajnimit për forcat ukrainase.

    Misioni dhe qëllimi kontigjentin e FSK-së është përgatitja e pjesëtarëve të forcave ukrainase për udhëheqës të skuadrës, taktikat e luftimit nga niveli individual deri në nivelin e skuadrës si: patrullat, operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, Procedura e Udhëheqjes së Trupave(PUT), lidership, komandë-kontroll, përdorimi i dronëve të llojeve të ndryshme, si dhe qitje taktike./ATVLIVE/

  • S’respektuan rregullat në trafik, pesë shoferë në Ferizaj gjobiten gati dy mijë euro

    S’respektuan rregullat në trafik, pesë shoferë në Ferizaj gjobiten gati dy mijë euro

    Policia në Ferizaj ka shqiptuar gjoba deri në 1900 euro ndaj gjashtë shoferëve në raste të ndryshme.

    Pesë shoferëve gjithashtu u është marrë leja për tre muaj, ndërsa njërit prej tyre për pesë muaj.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA:

    Ndëshkohen gjashtë shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor në rajonin e Ferizajt

    Me datën 30.10.2025, policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë patrullimeve dhe mbikëqyrjes së trafikut, kanë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj gjashtë shoferëve për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.

    Rastet e evidentuara:

    Në rrugën magjistrale Ferizaj–Shtime, në fshatin Slivovë, policia ka ndaluar shoferët E.Sh. (22 vjeç) me veturën Citroën dhe E.D. (25 vjeç) me veturën Dacia, të dy me targa vendore, të cilët kanë kryer kundërvajtje duke tejkaluar automjetet në vijë të plotë.

    Ndaj tyre janë shqiptuar gjoba prej 200 euro, 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të automjetit për 3 muaj.

    Në po të njëjtën rrugë, në hyrje të Shtimes, është ndaluar shoferi B.K. (51 vjeç), i cili po drejtonte automjet transportues pa poseduar kategorinë përkatëse (C).
    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të automjetit për 3 muaj.

    Në magjistralen Ferizaj–Gjilan, në fshatin Bibaj, në zonën me kufizim shpejtësie prej 40 km/h, është ndaluar shoferi J.H. (32 vjeç), i cili me veturën VW T-Roc po zhvillonte shpejtësi prej 97 km/h.
    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të automjetit për 3 muaj.

    Në të njëjtën rrugë, policia ka ndaluar në flagrancë shoferin Sh.Sh. (37 vjeç), i cili po përdorte telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit Mercedes me targa vendore.
    Pas verifikimeve, rezultoi se kjo ishte herë e tretë që i njëjti person kryente të njëjtën kundërvajtje, ndaj u gjobit me 500 euro, 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të automjetit për 6 muaj.

    Në fshatin Sojevë, policia ka ndaluar shoferin R.Z. (47 vjeç), i cili me veturën Audi Q5 me targa të Maqedonisë së Veriut, kishte tejkaluar kolonën e katër automjeteve në lëvizje.
    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, si dhe masë mbrojtëse – ndalim qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës për 3 muaj.

  • I akuzuari për 400 kg drogë: Po të mos zbulohej, malli do të shpërndahej në gjithë Kosovën

    I akuzuari për 400 kg drogë: Po të mos zbulohej, malli do të shpërndahej në gjithë Kosovën

    Në seancën gjyqësore për rastin e 400 kilogramëve kokainë të gjetura në produktet e pulës së ngrirë të kompanisë “MC FOOD”, i akuzuari Kadri Brahimi gjatë mbrojtjes së tij është pyetur nga avokati Florent Latifaj, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Izet Sheqiri, pronar i kompanisë.

    Brahimi ka deklaruar se Sheqiri nuk ka pasur asnjë interesim për kamionët që sillnin mallin, raporton Ekonomia Online.

    “Izet Sheqiri kurrë nuk ka qenë i interesuar për ndonjë kamion”, tha Brahimi gjatë seancës.

    Avokati Latifaj e pyeti më tej se çfarë do të ndodhte me mallin nëse policia nuk do të kishte ndërhyrë.

    Në përgjigjen e tij, Brahimi tha se produktet do të shpërndaheshin në treg në të gjithë Kosovën.

    “Ai mall, mos me hy policia dhe mu palu nëpër depo, ka pasur mundësi që të shkojë nëpër markete e krejt Kosovës, sepse ne paketat nuk i hapim. Mua nuk më intereson se çfarë ka brenda saj, sepse unë merrem me çështjen e barkodeve dhe faturës. Në atë minutë që del nga depoja, unë nuk jap përgjegjësi për atë”, tha ai.

    Në këtë rast, Prokuroria po akuzon pesë persona, Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Faton Vrajollin, Kadri Brahimin dhe Fehmi Bytyçin, se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë braziliane “SEARA” për import të produkteve të mishit të pulës së ngrirë, brenda të cilave ishte gjetur substancë narkotike e llojit kokainë në sasi prej 400 kilogramësh.

  • Mblidhet Kryesia e re e Kuvendit, dy pikat për të cilat do të diskutohet

    Mblidhet Kryesia e re e Kuvendit, dy pikat për të cilat do të diskutohet

    Kryesia e Kuvendit është mbledhur për herë të parë që prej konstituimit të Kuvendit, nën udhëheqjen e Kryeparlamentarit Dimal Basha.

    Në agjendë janë funksionalizimi i komisioneve si dhe diskutimi rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, Gjilanit, si dhe atë të Zubin-Potokut.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës u konstitua me 10 tetor, pas zgjedhjes së Nenad Rashiq si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

    Pas zgjedhjes së Rashiq, Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë, për çka ende nuk ka vendim./ATVLIVE/

  • Konsultat me partitë, Osmani do të kërkojë “kompromis politik”

    Konsultat me partitë, Osmani do të kërkojë “kompromis politik”

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në takimet konsultative që do t’i zhvillojë me partitë politike, do të bëjë thirrje për kompromis politik dhe për bashëpunim.

    Kështu ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

    Kupina tha se Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve

    “Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha Kupina.

    “Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kupina.

  • 14-vjeçari nga Kosova, hero në Gjermani

    14-vjeçari nga Kosova, hero në Gjermani

    Një 14-vjeçar me rrënjë nga Kosova është bërë hero në Gjermani. Len Fejzullahu ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar shokun e shkollës, kur u sulmua nga një person tjetër me çekiç.

    “Friedberger Allgemeine” ka shkruar të hënën për rrëfimin e 14-vjeçarit që tregoi guxim të jashtëzakonshëm.

    14-vjeçari po qëndronte në oborrin e shkollës me dy shokët e tij, kur një adoleshent iu afrua. Ai po mbante një çekiç si dhe ishte veshur me uniformë ushtarake.

    “Fillimisht mendova se ishte i gomës dhe se po përpiqeshin të më bënin shaka”, ka rrëfyer 14-vjeçari. Por ajo që ndodhi pastaj nuk ishte aspak shaka. Dhe po të mos vraponte në ndihmë të shokut të tij dhe të rrezikonte jetën e vet, gjërat do të ishin edhe më keq.

    Sulmi ka shokuar Friedbergun në Gjermani në mes të tetorit. Një 15-vjeçar pati sulmuar dy 14-vjeçarë pak para se të niste mësimi, duke e lënduar njërin prej tyre rëndë. Sulmuesi është në mbajtje nën akuzën për tentimvrasje dhe lëndim të rëndë. Hetuesit po mbledhin informata nëse bëhet fjalë për prapavijë ekstremiste.

    Si ndodhi rasti?

    Sulmuesi e kishte goditur njërin nga shokët e Lenit në kokë. Kur ai e sulmoi Lenin, 14-vjeçari arriti të shmangej dhe u godit vetëm në krah. Ndërsa një i tretë kishte ikur te hyrja e shkollës. “E pash shokun tim të shtrirë në tokë”, ka thënë Leni.

    Pastaj sulmuesi e ka goditur disa herë.

    “Mendova se nuk mund ta lë vetëm”, ka rrëfyer Leni që më pas ka shkuar drejt sulmuesit e fillimisht duke e goditur në këmbë e më pas kishte arritur t’ia merrte çekiçin e ta godiste në bark dhe ta rrëzonte.

    Pas kësaj, Leni dhe shoku i tij arritën të shkonin drejt shkollës. Sulmuesi kishte shtënë në drejtim të tyrin me një armë jo reale. Shoku i Lenit ishte lënduar në kokë dhe teksa iknin i duhej ndihma. Te dera e shkollës takuan dy mësimdhënës që shpejt thirrën policinë dhe ambulancën. Shërbimet emergjente u paraqitën shpejt dhe sulmuesi u arrestua. 15-vjeçari kishte të kaluar me kërcënime dhe po hetohet edhe për mundësinë e ekstremizmit.

    Leni ka dhënë deklaratë në polici. Ai ka përgënjeshtruar edhe komentet në TikTok se sulmuesi ka qenë i bullizuar duke thënë se e ka njohur vetëm si figurë. Madje ka thënë se po që se sulmuesi do të ishte i huaj, komentet do të ishin ndryshe.

    Leni tani e kujton rastin dhe e kupton sa ka rrezikuar. I dyshuari kishte pasur edhe thikë me vete.

    Sot, ai është ftuar në takim nga kryebashkiaku Roland Eichman.

  • Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Rama: Turp për ata që Thaçin edhe mbrapa hekurave e shohin si armik politik

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si të tmerrshme faktin që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen në Hagë nën akuzën për krime lufte, edhe pesë vjet pas arrestimit. Ai në një shkrim në Facebook ka akuzuar edhe “tifozët te verbuar” politikë, që sipas tij, edhe mbrapa hekurave e trajtojnë ish-presidentin Hashim Thaçi si armik politik.

    “A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!” ka shkruar Rama fillimisht duke publikuar një fotografi të Thaçit me ish-gjeneralin amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë më 1999, e që do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Rama është marrë edhe me komentuesit, që sipas tij, po urojnë që Thaçi të mos dalë kurrë nga burgu.

    “Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ndodhen ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.Së fundmi në Kosovë, Hagë e Shqipëri ka pasur protesta në kërkim të drejtësisë. Ato u përkrahën publikisht nga Rama.

  • Tetë të lënduar në aksidentin në Sojevë të Ferizajt

    Tetë të lënduar në aksidentin në Sojevë të Ferizajt

    Tetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në rrugën Gjilan-Ferizaj, saktësisht në fshatin Sojevë.

    Kështu konfirmoi, Kanun Veseli- zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.

    “Sot, më datë 23.10.2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale Gjilan-Ferizaj në fshatin Sojevë ka ndodhur një aksident trafiku me të lënduar, ku janë përfshirë dy automjete me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale në automjete, lëndime trupore kanë pësuar tetë persona”, tha Veseli.

    Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të trafikut, ekipet e zjarrfikësve dhe dy autoambulanca, të cilat janë angazhuar në ofrimin e ndihmës së nevojshme për të lënduari.

    Sipas Veselit, hetimet lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë duke vazhduar.