ATV

​Kuvendi do ta shqyrtojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2025, opozita s’do ta votojë

Written by

in

Kuvendi i Kosovës do mbajë seancë plenare më 11 nëntor, ku do të trajtohet buxheti për vitin 2025. Partitë opozitare thanë se nuk do të votojnë Projektligjin për buxhetin, derisa theksuan se i njëjti ka mangësi të mëdha.

Madje, sipas tyre, ky buxhet ka edhe probleme ligjore dhe kushtetuese, duke përmendur vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik.

Në anën tjetër, në partinë në pushtet, deklaruan se i kanë votat për miratimin e buxhetit, ndërkaq potencuan se i njëjti është proceduar në Kuvend në bazë të afateve dhe procedurave të përcaktuara të legjislativit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se buxheti për vitin 2025 ka mangësi, mirëpo siç konsideroi ai i njëjti do të jetë jetëshkurtër, pasi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qeveria e re do të rishikojë atë.

“Java e ardhshme është përcaktuese për mënyrën se si do të shihet buxheti për vitin e ardhshme. Por sido që të shkojë, ky buxhet do të jetë jetëshkurtër pasi qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të rishikojë dhe të jep një buxhet zhvillimor, të jap një buxhet ku do të rriten pagat, mirëqenia dhe ekonomia e Kosovës…Ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtjet tona, propozimet tona dhe nëse merren në konsideratë ne do të shohim si mundësi. Buxheti ka dy probleme ligjore dhe kushtetuese që qeveria e Kosovës i ka propozuar gabimisht. E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit të shtetit në Ligjin për pagat në sektorin publik. Tentojmë me një ligj të karakterit vjetor të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për pagat në sektorin publik. Kjo është e pamundur. Ndërhyrja e dytë e këtij ligji është që të tentojnë që në ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, pasi në ligjin specifik ndryhet me një ligj të karakterit të përkohshme. Të dyja janë shkelje ligjore”, tha Gashi.

Kritika për buxhetin adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili quajti si Projektligj që konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik dhe që s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm për vendin.

“Buxheti i kësaj qeverie, që po përfundon vitin e katërt është buxheti që e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ia ka varrosur shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjiteshme. Është buxhet i cili realisht s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. Është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm. E mira e kësaj pune është se 9 shkurt janë zgjedhjet dhe pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo duhet të rishikojë në plotni këtë buxhet. S’ka mundësi ky ligj as me u përmirësuar ma. Me u përmirësuar buxheti i vitit që po vjen së paku duhet të ndodhin nja 50 amendamentime të cilat do të rregullonin prej sistemit të pagave në sektorin publik, deri te çështjet më minore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, theksoi Tahiri.

Mirëpo, pavarësisht kritikave, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se mazhoranca i ka votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.

Sipas saj, vendimmarrja e opozitës është çështje e tyre, mirëpo siç tha ajo ky buxhet është proceduar në Kuvend sipas procedurës dhe në afatet e rregullta.

“Në asnjë nga miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, opozita s’ka marrë pjesë. Ne e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera. Për opozitën, s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Kjo është çështje e vendimmarrjes së tyre”, deklaroi Kusari-Lila.

Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është miratuar javën e kaluar në qeverinë e Kosovës.

Përmes këtij projektligji është paraparë edhe ngritja e pagës për punëtorët e sektorit publik.

Po ashtu, është shtyrë edhe afati për normat e reja tatimore./kp

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *